Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all 14404 articles
Browse latest View live

“Në Poradec, ku unë jam i shkretë pa njeri”… një copëz e ditarit të Lasgush Poradecit

$
0
0

“Në Poradec ku unë jam i shkretë pa njerí, i vetëm, i shkretë si një eremit, ku unë, pasi lë punën e shkrimit, s’vete nëpër kafene dhe pijetore se unë nuk pi dhe mua s’më pëlqejnë njerëzit e kafeneve me fjalët e tyre të kota, që kështu të kota më duken mua”

Një copëz nga ditari i Lasgush Poradecit është bërë publik nga e bija, Maria.

Në të ai rrëfen vetminë e pamat që ndjente në qytetin e tij, sidomos kur rrezikon të humbë Cucin, konen e vet me të cilën kalonte pjesën më të madhe të kohës.

“Që të shpëtoj prej jetës, t’a harroj të mos e kem në vetëdijen t’ime jetën t’me, këtë lloj jete të mjeruar, unë ngjit Kalanë e Poradecit, larg njerësve, atje e harroj veten, shkrihem me natyrën, me bukuritë e mbëdha të natyrës rreth e përqark meje”, thotë poeti. Më poshtë pjesë nga ditari i dy ditëve të vitit 1977.

PORADEC, 3 NËNTOR 1977/

Dyke u kthyer që prapa Kalasë tatëpjetë ne “Lumi i trahanit” dhe buzë liqerit për në Poradec, ndenja disa minuta në lapidarin përballë fortesës italiane, me “Cuc”-in, konen t’ime besnike. Pas atyre pak minutave u ngrita, u ngrit përnjëheresh dhe ‘Cuc”-i, që eci përpara meje si gjithnjë, nj’a 7 a 8 metra përpara. Pa pritur pa kujtuar – “Cuc”-i po alurinte me alurim të math dyke u parpalitur dhe dyke u rrëkëllyer në rrugë, midis shkëmbit dhe fortesës, si dyke vdekur: rrëkëlleheshe me këmbët përpjetë dhe parpaliteshe, e drithte, e përdrithte trupin, dyke qarë dhe dyke u rrëkëllyer e dredhur e përdredhur me këmbët përpjetë dhe me gojën hapur e sytë e llahtarisur të zgurdulluar e të pavetëdijshëm. Obobo thashë me shpirtin t’im të tundur, të dëshpëruar: m’a kish shtypur kamioni, e kish marrë nënë rrota. E përkëdhela shumë, me sekonda, i thosha me emër: “Cuc”, “Cuckë”, “Cuc-Cuc” po ay nuk ngjalleshe. E pashë vdekjen e Cucit me sy, kujtova me tronditje të madhe se e humba Cucin e dashur, se më vdiq Cuci im aq besnik, i cili m’a gëzon jetën t’ime në Poradec ku unë jam i shkretë pa njerí, i vetëm, i shkretë si një eremit, ku unë, passi lë punën e shkrimit, s’vete nëpër kafene dhe pijetore se unë nuk pi dhe mua s’më pëlqejnë njerëzit e kafeneve me fjalët e tyre të kota, që kështu të kota më duken mua. Ata janë të lumtur me atë jetë të tyre, po mua më ngjajnë të kota fjalët e tyre. S’e kanë ata keq atë jetë të tyre të shoqërimit, ndofta s’e kam as unë keq këtë jetën t’ime të vetmuar, po ata janë të lumtur që e vrasin ditën ashtu, në shoqërim, kurse une e vras e s’e vras me vetminë t’ime. S’e vras dot fare dhe prandaj jam fatkeq. Që të shpëtoj prej jetës, t’a harroj të mos e kem në vetëdijen t’ime jetën t’me, këtë lloj jete të mjeruar, unë ngjit Kalanë e Poradecit, larg njerësve, atje e harroj veten, shkrihem me natyrën, me bukuritë e mbëdha të natyrës rreth e përqark meje, sikur jam ashtu i lumtur, i qetë, sikur flas atje prapa Kalasë me Perëndinë. Sepse Kalaja, prapa, nga Perëndimi i saj, është shumë e bukur me 1000 pamje të mahnitshme, që mua m’a mahnitin ëmbël shpirtin t’im.

Kështu zbrita edhe sot prej Kalasë, që prapa Kalasë ku ngjit e sbres e qetësohem e gëzohem i ndjekur me aq besnikëri të madhe prej Cucit t’im. Po sot Cuc-i gjesh më vdiq, parpaliteshe dhe ish i mbytur në gjak; Kokën tërë gjak, veshët, trupin, tërë gjak. Kështu tërë gjak e përkëdhelnja të ngjallet, mezi m’u ngjall – isha unë vetë me duar e pallto me gjak. Lavdi zotit që s’më vdiq, që i shpëtoj vdekjes. Sa u gëzova që shpëtoj, po prapë kisha frikë mos më vdesë, aq i vrarë, i plagosur, i gjakosur ishte.

Lasgush

PORADEC, E HËNË 7 NËNTOR 1977:

Sot “Cuci” mund të them se është më mirë: zuri të hajë, të baresë nga pak, sbret shkallët dhe nxiton ose harbon dyke çaluar nga këmba e përparme e djathtë.

Lasgush.


Artisti shqiptar kapërcen kufijtë me skulpturat e famshme prej çeliku

$
0
0

Skulptori, Helidon Xhixha, i cili ka fituar duartrokitje ndërkombëtare për artin e tij abstrakt prej çeliku, thotë se ndërsa ai mbetet krenar për kombësinë, arti i vërtetë i kapërcen kufijtë kombëtarë

Nga Fatjona Mejdini

Skulptori i njohur, Helidon Xhixha është një prej shumë shqiptarëve që për ta bërë artin e tyre të njohur në botë- emigruan në Perëndim në fillim të viteve 1990. Megjithatë, për skulptorin që njihet më së shumti për krijimin e formave abstrakte prej çeliku të pandryshkshëm, “emigrant” nuk është fjala me të cilën ai preferon të përshkruhet. Me një karrierë ndërkombëtare mbi 25-vjeçare, Xhixha ka fituar reputacionin e njërit prej skulptorëve më interesantë të skenës bashkohore, pasi është kontraktuar të krijojë dizajne të ndryshme në Europë, Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme.

I lindur në qytetin bregdetar të Durrësit nga një baba, i cili ishte gjithashtu një skulptor i njohur, ai e krahason udhëtimin e tij në Itali dhe më pas në botën e gjerë me atë të artistëve të shekullit të 19-të, të cilët iu drejtuan Parisit për të marrë përvojë dhe për të krijuar artin që u flet të gjithëve. “Nuk e kam parë kurrë veten time si një emigrant, por si dikush që e bëri diversitetin një burim dijeje, një koncept të cilin ende e aplikoj në jetën time të përditshme,” tha ai për BIRN përmes një interviste të shkruar. Ai thotë se arti i kapërcen kufijtë kulturorë dhe se origjina e një artisti nuk mund të bëhet justifikim për dështimin.

“Nuk do t’i përdorja kurrë rrënjët si justifikim për dështimet e mia, por gjithnjë do të jem krenar që jam shqiptar,” tha ai. Gjithsesi, mbi shpatullat e tij bie shpesh përgjegjësia e përfaqësimit të Shqipërisë, si një lloj ambasadori artistik nëpër botë. Në vitin 2016, ai prezantoi zyrtarisht Shqipërinë në Bienalen e Dizajnit të Londrës, ku fitoi Medaljen Publike për punën e tij. Tema e shfaqjes ishte “Utopia e Dizajnit”, ndërsa prezantimi i Xhixhës-“Bliss” ishte i frymëzuar nga nocioni i Qytetit Ideal të Platonit dhe imazhet e Rilindjes së qytetit, duke i sjellë ato në epokën moderne. “Jam përpjekur të eksploroj vlerën e komunitetit modern dhe me përfshirjen e kufirit europian në dizajn, shpresova të komentoj mbi krizën aktuale të emigracionit që po prek këtë kontinent,” tha Xhixha për BIRN. Vendosja e punës së tij në një kontekst social dhe politik është e rëndësishme për Xhixhën, ç’ka ai e bëri edhe me veprën “Iceberg” në Bienalen e Venecias në vitin 2015. Skulptura monumentale e çelikut notoi përmes kanaleve të Venecias si një ajsberg.

Helidon Xhixha

“Kjo mundësi e madhe më dha shansin që të nxjerr në pah çështjen e rënies së qytetit, për shkak të mbipopullimit dhe rritjes së trafikut njerëzor, po aq sa të jap një mesazh mbi ngrohjen globale,” tha ai. Si një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, Xhixha theksoi gjithashtu ekspozitën e tij personale brenda mureve të Pietrasantës në Toskanë, ku ai përdori mermerin e famshëm të guroreve lokale për punën e tij, të njëjtin që përdorej dikur nga Mikelanxhelo.

Lidhja e tij me qytetin e Firences është e fortë, ku ekspozita e tij me 15 punime “At Random Order” është e shpërndarë nëpër qytet dhe në kopshtin Boboli. Ajo do të vazhdojë deri në fund të tetorit. Në këto skulptura, Xhixha eksploron idenë e kaosit dhe rregullit dhe se si këto koncepte janë prezantuar në filozofi, gjeometri dhe botën natyrale. Xhixha pranon se është një ëndërrimtar, që vazhdimisht lufton në bërjen e ëndrrave realitet, ndërsa shpreson që puna dhe karriera e tij të frymëzojë brezin e ri të artistëve. Ai beson se shumë artistë të rinj në Shqipëri kanë talent për ta bërë artin e tyre ndërkombëtar-por është në dorën e tyre që të përpiqen dhe dalin prej zonës së rehatisë. “Është e lehtë të gjesh justifikime se pse nuk përpiqesh të japësh më të mirën dhe të bëhesh i suksesshëm. Sekreti është të udhëtosh, të studiosh, të kuptosh se çfarë ndodh nëpër botë dhe të luash sipas rregullave të industrisë ndërkombëtare të artit,” tha ai BIRN.

Marrë nga BIRN

Drita Martini, top modele internacionale nga Brukseli

$
0
0

Nga Sevdail Hyseni

(Bujanoc, Serbi)

“Në Kosovë ma krijoi mundësinë të vijë aktori legjendar Çun Lajqi, kurse në Bujanoc erdha me ftesë të biznesmenit, siç thirret “brezlkingen” në Zvicër, Haqif Haziri, për të marrë pjesë me kënaqësi në manifestimin e Ditës së Diasporës”, u shpreh, në fillim të bisedës së saj, Drita Martini, top modele internacionale nga Brukseli.

Gjatë vizitës së saj në Prishtinë dhe Bujanoc, Drita Martini, shpalosi programin e projektit të saj Martini Projects, për mbështetje të modelizimit, pa harruar edhe veprimtarinë e saj shumëdimensionale në fushën e humanitetit dhe luftës kundër zakoneve të mbrapshta prapanike të veriut të Shqipërisë.

 Në vazhdim të bisedës, zonja Drita, u shpreh se është tepër mirënjohëse dhe ndjehet e priviligjuar, që pati rastin dhe kënaqësinë, për herë të parë të vizitoj Komunën e Bujanocit dhe të njihet me personalitete të shumta të jetës politike, kulturore e arsimore.

“Unë jam e disponuar, që të gjithë ata të rinj dhe të reja dhe të gjithë ata që kërkojnë të marrin pjesë në modën, nëse kërkojnë të futen në botën e artit, që të trokasin në dyert e mëdha të botës siç është Parisë, Franca, Belgjika, unë jam ajo që do të krijoj të gjitha mundësitë me ekipin tim, për ta realizuar ardhjen e tyre”, thotë më bindje të thellë zonja Drita, femra e parë shqiptare, në Evropë, që merret me këtë veprimtari kreative, e cila gjithnjë po gjeni përkrahje nga shteti ku jeton dhe vepron.

Lidhur me veprimtarinë në kuadër të Martini Projects, zonja Drita, flet me admirim se krahas punës si nënë e shumë fëmijëve, merr pjesë në konkurset e bukurisë Top Model Belgjikë 2014, duke prezantuar sharmin e bukurisë shqiptare dhe duke u zgjedhur ndër femrat më të bukura.

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, thekson zonja Drita, kemi prezantuar kostumet tradicionale të disa vendeve ndërkombëtare, duke filluar nga veriu i Shqipërisë, Indisë, Afrikës, Marokut etj.

Ndërkaq, për planet në të ardhmen, ajo, nuk ngurron të thotë se ka publikuar disa modele të Kompanisë Martini Projects, që do të zgjidhen “ambasadore”, në muajin tetor, nga
një juri e përfaqësuar nga njerëz të modës dhe të artit ndërkombëtarë. Njëkohësisht do të jenë kandidate për Konkursin Ndërkombëtar, që do të organizohet nga Kompania Martini Projects, në bashkëpunim me partnerët e saje për emrin e madh, TOP-MODEL Internacional 2018.

Kush është Drita Martini?

Drita Martini, ka lindur në Nikaj-Mertur, një zonë e thellë malore. Është vajza e Zefit dhe e Linës. Është rritur me 5 vëllezër e dy motra. Ka mbaruar Gjimnazin në Lekbibaj, qendra e Nikaj- Mertur.

Pastaj, ka mbaruar studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër. Është diplomuar si mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë.

Nuk ka jetuar shumë në Shqipëri. Në vitin 1997, iku në Bruksel, për të mos u kthyer kurrë për të jetuar në Shqipëri. Është nëna e djalit Martini e Loti dhe vajzës Jozefina Po ashtu është nëna e jetimes së adaptuar Manuela, të cilës babain ia vranë shqiptarët e nënën ia mbyti kanceri. Gjithashtu, u ka dalë në ndihmë edhe vajzave të tjera të prekura nga dhuna e të cilat janë kreatore të bukura të Kompanisë Martini Projects.

“Kjo është puna ime, që e bëjë me shpirt me ndihmën e të madhit Zot”, thotë znj. Drita me plot krenari.

“U rrita me bukë misri, me shumë vëllezër e motra. Jam po ajo malësorja që nuk ndryshoj. Dita kur i kërkova nënës hallallin, nëse e kam mërzitur gjatë jetës, duke u përkujdesur për rritjen e saj, ajo si mbretëreshë 83 vjeçe, më puthi në ballë dhe më bekoi me uratat më të mira”, i tha me plot emocione Drita Martini, gazetarit dhe publicistit Sevdail Hyseni.

Viti 1961, FOTOT që komunizmi u fshehu shqiptarëve

$
0
0

Këto janë disa foto të rralla të realizuar nga gazetari gjerman Hari Ham (Harry Hamm, 1922-1979).

Ham shërbeu me forcat gjermane në Luftën e Dytë Botërore dhe u zu rob lufte në Bashkimin Sovjetik. Pas kthimit të tij në Gjermani studioi për shkencat politike në Frankfurt dhe në Monpëlie (Montpellier) dhe punoi gazetar për gazetat e njohura Die Ëelt dhe Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Në gusht të vitit 1961 Hami mori një vizë të rrallë për të vizituar Shqipërinë, pikërisht në një kohë rrëmuje të madhe politike. Aty përjetoi ndarjen politike të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe fillimin e aleancës së re me Kinën revolucionare.

Këto foto nuk u bënë anjëherë publike për popullin shqiptar gjatë monizmit, mbase pikërisht për shkak se këto tregonin një periudhë të vështirë politike dhe varfërinë në vend. (Konica.al)

Zbulim i rrallë arkeologjik në Durrës (VIDEO)

$
0
0

Në vitin e dytë të vijimit të projektit “Durrësi në antikeitetin e Vonë”, del në dritë pjesa tjetër e një ndërtese luksoze me funksion publik, që i përket periudhës bizantine.
Drejtuesja e projektit të Institutit të Arkeologjisë, arkeologia Brikena Shkodra Rrugia, u shpreh për “Amfora.al” se këtë vit është zbuluar vijimi i ndërtesës madhështore, ku ka dalë në dritë një pilastër në formë kryqi, me lartësi rreth 3.5 metër, pranë të cilit gjendet një sipërfaqe e shtruar me pllaka mermeri, ambient që besohet të ketë shërbyer si pishinë.

Arkeologia Rrugia bën me dije se në sipërfaqen e shtrojes me pllaka mermeri, janë zbuluar varre, iventari i të cilave i daton ato në shek VII të Erës Sonë. Ndërtesa luksoze duket se ka pasur edhe mozaik, për shkak se numri i copërave të gjetura orientojnë mbi ekzistencën e një mozaiku mural.

Monumenti që nga periudha bizantine ka njohur 4 nivele përdorimi, ku pas çdo braktisjeje të niveleve të banimit, hapësira shfrytëzohej për varreza. Një shtresë e djegur jep detaje për banimin e monumentit në mesjetën e hershme dhe të mesme. Por edhe në sipërfaqe, një pus dhe muret e një banese të shek XVIII, dëshmojnë për përdorimin në vijimësi të monumentit.

Zbulimi ka ngjallur interesin e qytetarëve durrsakë, të cilët e kanë vizituar monumentin përgjatë muajit që kryhej sondazhi arkeologjik. Gjithashtu zbulimi krijoi një “forum” ekspertësh, ku arkeologë, arkitekt, restaurator, dhe emra të njohur, si Artan Shkreli, përveç vizitës jepnin mendimin e tyre mbi zbulimin dhe funksionin e godinës publike.
Vendi ku u krye sondazhi arkeologjik gjendet në rrugën “Mustafa Varoshi”, në lagjen numër 11, që ka falur mrekulli të nëntokës së Durrësit, si mozaiku “Bukuroshja e Durrësit. Aktualisht objekti i zbuluar është mbuluar me dhe, me qëllim ruajtjen e tij, pasi gjendet midis shtëpive të banuara.
Gërmimet e këtij viti nuk do të ishin bërë të mundura pa kontributin e çmuar të familjes Dakoli, të cilët lejuan që në bahçen e tyre të bëhej sondazhi arkeologjik. Projekti “Durrësi në antikeitetin e Vonë” pritet të vijojë vitin e ardhshëm, për njohjen e pjesës tjetër të ndërtesës luksoze me funksion publik, po në pronën e familjes Dakoli.

Shpallja e Qendrave Historike, i jep hov investimeve të biznesit vendas në turizëm

$
0
0

Projektet e rijetëzimit dhe shpallja e Qendrave Historike të mbrojtura kanë shënuar një bum të investimeve  nga individët në banesat e tyre private si dhe nga biznesi, sidomos gjatë vitit 2017.

Bazuar në analizën katër vjeçare të KKR-së, vetëm në pjesën e parë të vitit 2017 janë miratuar 104 vendime  për projektet e restaurimit, nga të cilat 48 kanë qenë për banesa private dhe 56 për biznese.

Nga zero vendime të marra për projekte të tilla në vitin 2013,  gjatë këtyre viteve në total nga KKR janë miratuar 292 vendime për restaurim të banesave private apo atyre për qëllime biznesi.

Interesi i rritur për të investuar në trashëgimi ka ardhur pas impaktit që kanë dhënë investimet e bëra në qytete të ndryshme të vendit si ato në restaurime dhe rijetëzim, por edhe për shkak të transformimit përmes Rilindjes Urbane.  Kjo tendencë në rritje vihet re edhe në qytete më të vogla apo fshatra “të harruar’, të cilët për herë të parë pas braktisjes masive të këtyre viteve po njohin kthimin e vëmendjes për investim, si Rehova në Kolonjë, Bënja në Përmet etj.

Rijetëzimi i banesave private në hotele  në këto 4 vite është një tendencë pa kthim që konfirmon rritjen e turizmit dhe të interesit për turizmin kulturor.

Në fakt kjo ka qenë edhe motoja e Ministrisë së Kulturës në këto katër vjet, duke investuar për ta kthyer trashëgiminë në një motor të fuqishëm të zhvillimit ekonomik në ato zona që e kanë atë, duke nxitur rijetëzimin e tyre.

Vetëm para pak kohësh vende të mrekullueshme por shpesh të panjohura nga të gjithë, për vlerat që ato mbartin si Bënja, Rehova, Thethi, qendra e vjetër e qytetit të Përmetit etj kanë marrë statusin e Qendrave Historike të mbrojtura.

Baladë për gruan e mirë, për ty Arlindë

$
0
0
Nga Flutura Açka

Ishte natë e vonë mbrëmë, kur mora lajmin e hidhur për ty, Arlindë, dhe ngaqë jam mësuar të të gjej gjithmonë kah drita, nuk desha të shkruaja natën.

Edhe më vonë, një mesazh i shkurtër i tët bije nëpër natë, thirrja e fikur e saj “Ah, ç’ë bëri!”, m’i bëjnë edhe më të vështirë këto rreshta. Liria për të cilën ke shkruar shpesh edhe ti, liria për të cilën ke luftuar edhe ti, nuk më jep të drejtën të të gjykoj në vendimin tënd, por të gjykoj një Shqipëri që ka ajër gjithnjë e më pak për gra si ti. Nëpër median shqiptare, ku je vërtitur shpesh mes pasionit dhe pasigurisë, këmbënguljes dhe drojës, dashurisë dhe hezitimit, ti ishe një specie e veçantë, ti dije vetëm të punoje, jo të shiteshe.

Ka plot gra si ty, por kemi nevojë t’i njohim, sepse ato kurrë nuk bërtasin, ato vetem i japim Shqipërisë dhe kurrë nuk i marrin. Ty kurrë nuk të vinin ftesa për koktejle ministrore, për shëtitje turistike shoqëruese të tipit escort girl, nuk psherëtive kurrë për ndonjë çantë Hermes, as nuk u ankove se Tirana t’I thyente këmbë për të mbijetuar ti dhe familja jote, nuk bëre zhurmë kurrë për romanet e tu, edhe pse ishte një vajzë e talentuar, që nuk pati kohë – prej kësaj jete që po shpjegoj – as t’i ribotonte, nuk u përqave kurrë edhe pse e dite bukur mire se sa e vështirë është të rezistosh e papërlyer në kohë si tonat.

Ti dije të falje bujarisht, aq sa ndonjëherë kam mendur se kjo ishte një e “metë” e jotja. E lumja ti! Por si ia dole e vetme, e pandotur, pritëse, përjetësisht e qeshur, pranuese, e pafjalë, e painat, e pamërzi, që të mbetesh ti, vetvetja, në kohën e tjetërsimit të madh që jetojmë?

Gati pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, kur botuam bashkë romanin tënd të parë “Dashuri bjonde”, që u shit marramendthi, kemi qeshur shumë me faktin se do ta çudisnim dynjanë me titullin. Disa herë pata këmbëngulur ta merrje seriozisht talentin tënd, por ti nuk kishe kohë për të, nuk të tepruan kurrë minuta të mendoje për të.

Ti, takëngrëna nga vrapi, ti mirësia Arlindë, je në paqen tënde tani, atje ku as moti, as stina, as koha, as fryma, as paraja nuk bëjnë sens, dhe mbase qesh me baladat e të gjallëve që kanë vendosur të vazhdojnë. Por ata duhet të vazhdojnë, për të bërë një mjedis ku Arlindat të mos ndjehen të vetmuara, dhe ku bijat dhe bijtë e Arlindjave të mos ndjehen të braktisur nga fati, dhe shoqëria. Pushofsh në paqe!

Abaz Aliu, legjenda dhe e vërteta e martirit të Qerbelasë

$
0
0

Origjina, bëmat dhe humanizmi i heroit të Qerbelasë që nderohet në mënyrë të veçantë nga shqiptarët. Si erdhi deri këtu legjenda 1400-vjeçare e Abaz Aliut dhe si u përjetësua miti i tij?   

Xhevdet Shehu

Pelegrinazhi i përvitshëm pesë-ditor në malin e Tomorrit, atje ku ndodhet objekti i kultit kushtuar Abaz Aliut, mblidhen qindra mijë njerëz çdo vit. Është një nga kremtimet më të çuditshme dhe më impresionuese që bëjnë shqiptarët për një personalitet që i përket një historie më se 1400 vjeçare të lashtë dhe për më tepër që nuk ka qenë shqiptar.

Mirëpo në lajmet që jepen në shtyp apo në TV shpesh, nga mosdija jepen informacione të pasakta. Për shembull, thuhet vazhdimisht se atje në teqenë e Kulmakut është varri i Abaz Aliut etj., për të vazhduar me gojëdhëna që nuk janë të vërteta deri edhe me gafa. Për shembull, një nga oratorët në pelegrinazhin e sivjetshëm tha se Abaz Aliu ka luftuar për demokraci (?!).

Mirëpo rituali i përvitshëm i ngjitjes në Tomorr dhe nderimi që i bëhet një heroi të huaj e ka një arsye…

Si erdhi deri këtu legjenda e Abaz Aliut dhe si u përjetësua miti i tij? Pse e bëjnë shqiptarët dhe sidomos komuniteti i bektashinjve këtë nderim? Cili është shqiptari i parë që shkoi në Qerbela dhe e solli emrin dhe bëmat e Abaz Aliut në Shqipëri dhe ngriti kultin e tij në një mal madhështor si Tomorri?

Ka shumë argumente dhe hamendësime që do të përpiqem t’i shtjelloj në vijim, mbështetur në një nga librat e rrallë kushtuar Abaz Aliut dhe bëmave të tij.

Abaz Aliu ka qenë një person real dhe një martir i besimit të tij. Varri i tij ndodhet në Qerbela të Irakut, atje ku ka ndodhur një nga konfliktet më të përgjakshme 14 shekuj më parë dhe ku Abaz Aliu u kthye në një hero. Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar, i ka kushtuar një poemë madhështore betejës së Qerbelasë dhe heroit më të njohur të saj.

Një nga arsyet pse shqiptarët e zgjodhën dhe himnizuan figurën e tij mund të shpjegohet me nevojën e madhe që kishin ata për një hero të tillë dhe se u duhej një figurë e tillë humaniste dhe vetësakrifikuese në një rrugëtim me të përpjeta shumë të rrezikshme të historisë. Largësia kohore dhe gjeografike e Abaz Aliut në këtë rast nuk prishte asnjë punë. Ai ishte i imunizuar nga sulmet, nga mohimet dhe përbaltjet. Lavdërimet për figurën e këtij martiri nuk mund t’i kontestonte askush. Për të u fol vetëm me lëvdata ndaj dhe u shndërrua në një hero i adhurueshëm dhe i pa të metë për shqiptarët. Pavarësisht nga besimet. Prandaj dhe në Tomorr ngjiten çdo vit, jo vetëm bektashinjtë, por edhe shumë të tjerë. Lartësia ku ata ngjiten është magjepsëse…

***

Nga trojet e një letërsie të papërsëritshme me përmasa botërore, nga një prej vatrave të qytetërimeve më të lashta dhe më të qenësishme të njerëzimit, nga Irani pra, nga mëmëdheu i Fiduesiut, Saadi Shirazit, Omar Khajamit dhe Xhelaledin Rumiut, ka ardhur në Shqipëri dhjetë vjet më parë një libër për Abaz Aliun. Kryegjyshata Botërore Bektashiane mundësoi botimin në gjuhën shqipe të kësaj vepre në 1400 vjetorin lindjes së këtij personaliteti të shquar. Sepse libri aq sa është një dëshmi kulturore, është edhe një monument përjetësie dhe një urë e patjetërsueshme e miqësisë midis popujve.

Me kulturën iraniane ne kemi lidhje të hershme dhe të qëndrueshme për shkak të koniunkturave të kohëve. Ka patur midis shqiptarëve një parapëlqim të habitshëm sidomos ndaj poezisë së autorëve të famshëm persianë, të cilët kanë ushtruar një ndikim të dukshëm në kulturën tonë kombëtare. Fakti që rilindësit tanë të mëdhenj ditën të përzgjedhin nga kultura persiane sumumin e saj, mendoj se ka qenë përcaktues në zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë sonë.

1.

Abaz Aliu ka hyrë dhe mbetur në kujtesën shqiptare si një personalitet i jashtëzakonshëm dhe mrekullibërës. Besimtarët myslimanë në përgjithësi, por në veçanti komuniteti bektashian shqiptar dhe botëror, e kanë Abaz Aliun një figurë emblematike tej mase të adhuruar.

Por unë doja të shtoja këtu se Abaz Aliu është një hero përtej kohërave dhe komuniteteve. Ai është një figurë emblematike e humanizmit. Rrallëkush personalitet tjetër i historisë njerëzore ka mundur t’u mbijetojë kohërave dhe të përkujtohet me kaq veneracion pas 1400 vjetësh. Mbase është i mjaftueshëm ky fakt për ta quajtur atë një hero të mbikohshëm, një hero të përjetshëm, një hero të idealeve më të larta njerëzore.

Por duhet ta pranojmë se më së shumti deri më sot Abaz Aliu është konsideruar një hero mitik, një legjendë, dhe më pak një hero real i një epoke të caktuar. Ai ishte mbështjellë natyrshëm dhe pashmangshëm nga mjegullat e kohëve të rreth 14 shekujve dhe shumë pak dihej për jetën dhe bëmat e tij.

Është pikërisht një autor bashkëkohor, Bedri Shahini, që zhdaravit mjegullat e kohëve dhe na e sjell Abaz Aliun në ditët tona si një hero të gjallë, sa tokësor aq dhe të pavdekshëm, sa legjendar aq edhe të prekshëm.

Libri i Bedri Shahinit sjell kështu në botën shqiptare një prej heronjve më simpatikë dhe më frymëzues të njerëzimit – Abaz Aliun.

2.

Ky libër është botuar rreth 20 vjet më parë në Iran duke u përkthyer më së pari në një gjuhë të përbotshme si anglishtja. Për botimin në gjuhën shqipe është përdorur versioni anglisht, falë vëmendjes dhe përkujdesjes së poetit tonë të njohur Xhevahir Spahiu që na e solli një kopje të këtij libri nga Irani gjatë një vizite pune në Teheran.

Dua të theksoj këtu se përkthimi në gjuhën shqipe është ndër të parët që i bëhet këtij libri për Abaz Aliun.

Autori i librit na kumton në parathënien e tij për vështirësitë që ka ndeshur në përpilimin e kësaj vepre. Kur i hyri punës për hartimin e kësaj vepre, autori pa se, pavarësisht nga popullariteti i jashtëzakonshëm i Abaz Aliut në botën myslimane, ishin mjaft të kursyera dokumentet dhe materialet autentike për heroin legjendar të Qerbelasë dhe se nuk kishte një libër të mirëfilltë për të. Kështu që autorit i është dashur të bëjë një punë të stërmundimshme studiuese dhe hulumtuese duke rrëmuar nëpër arkiva dhe biblioteka për formësimin e portretit të Abaz Aliut, për t’i bërë atij një portret sa më të besueshëm dhe sa më afër përfytyrimit të krijuar për të. Abaz Aliu vërtet është personazhi qendror i kësaj vepre, por në sfondin e saj është një epokë e tërë, janë fillimet e besimit islam, konfliktet që lindën dhe që përfunduan në beteja të përgjakshme si ajo e Qerbelasë në vitin 61 Hixhri.

Për të kuptuar punën e lavdërueshme që ka bërë autori për këtë vepër mjafton t’u hedhim një sy shënimeve bibliografike në fund të librit, ku janë 143 referime veprash dhe autorësh që japin dëshmitë e tyre për Abaz Aliun. Autorit Bedri Shahin i është dashur të bëjë një punë të mirëfilltë shkencore për të siguruar suksesin e veprës së tij, e cila në të ardhmen vetëm mund të pasurohet, por jo të tjetërsohet. Fjala vjen, në versionin shqip të këtij libri ne menduam dhe ndërfutëm poezinë e mrekullueshme të Naim Frashërit për Abaz Aliun. Po ta kishte ditur këtë fakt autori me siguri do të kishte futur dhe në botimin origjinal.

Por autori duhet të themi se ka bërë edhe një punë të mirëfilltë artistike në kompozimin e veprës. Duke i shtuar dhe dashurinë që ushqen autori për heroin e tij, vepra ka fragmente dhe pasazhe të tëra poetike, me një gjuhë të pastër dhe të kuptueshme nga një masë e madhe lexuesish. Në mënyrë të veçantë përshkrimi i betejës së Qerbelasë është nga më të bukurit dhe më të argumentuarit në këtë vepër.

3.

Abaz Aliu është një hero shumëpërmasor.

Në radhë të parë, në libër lëvdohet devotshmëria dhe besnikëria deri në vetëmohim e Abaz Aliut në udhën që hapi Profeti Muhamed për njerëzimin. Në këtë besnikëri dhe devotshmëri nuk ka të bëjë aq shumë fakti se Abaz Aliu ishte bir i Imam Aliut dhe nip i Profetit Muhamed, por ajo që te mësimet e Profetit Abaz Aliu pikasi me zgjuarsi çeljen e një epoke që do t’i sillte vlera dhe progres shoqërisë njerëzore. Ndaj dhe ai u radhit vendosmërisht në krahun e Profetit dhe të mbrojtësve të mësimeve të Kuranit të madhërishëm, kundër deformuesve dhe armiqve të tij. Ky është dhe thelbi i personalitetit të Abaz Aliut, te besnikëria në idealet humaniste të Profetit, duke e manifestuar këtë besnikëri në çdo hap të jetës së tij deri në martirizim.

Në radhë të dytë, në libër theksohet dashuria e jashtëzakonshme e Abaz Aliut për vëllezërit e tij, Imamët e lavdishëm Hysenin dhe Hasanin si dhe për të gjithë të afërmit e tjerë të tij. Vetvetiu këtu shfaqet një vlerë e pazëvendësueshme njerëzore dhe e pavyshkur në asnjë rrethanë. Po ta përshtatnim në kohën tonë këtë dashuri të Abaz Aliut, do të thoshnim pikërisht këto fjalë: Janë hipokritët më të mëdhenj ata që gjoja betohen për ideale partish dhe për mëmëdheun dhe nga ana tjetër mohojnë prindërit, vëllezërit e motrat, pra njerëzit më të afërm të tyre.

Këto janë dhe tiparet më të spikatura që na e bëjnë tërheqës dhe të dashur portretin e këtij heroi.

4.

Në emër të këtyre idealeve Abaz Aliu u sakrifikua në Qerbela kur ishte 36 vjeç. Dhe fitoi përjetësinë. Është provuar tashmë dhe është shprehur qartë nga filozofët dhe shkrimtarët se sakrifikimi për idealet më të mëdha njerëzore është në të vërtetë vetë përjetësia. Në Qerbela ai ka tre varre ku janë ngritur tre objekte kulti: atje ku i prenë dorën e majtë, atje ku i prenë dorën e djathtë dhe atje ku dha shpirt pasi i prenë kokën.

Qerbelaja ishte kulmi i konfliktit që kishte filluar të shfaqeje gjithnjë e më qartë, pasi Profeti ndërroi jetë.

Në librin për Abaz Aliun jepet momenti tronditës i vrasjes pabesisht të Imam Aliut, dhëndrrit të Profetit. Kjo ka ndodhur në natën e 19-të të muajit të shenjtë të Ramazanit. Imam Aliu shkoi në xhami për të udhëhequr faljen kolektive Fajr. Kur ai ngriti kokën pas uljes në gjunjë, i pabesi e goditi në kokë me shpatë. Sapo Imami ndjeu goditjen, buzëqeshi dhe tha:

“Për Zotin e Qabesë, unë kam fituar!”

Dhe Imami i lavdishëm fitoi, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale dhe kujtohet me admirim brez pas brezi, ndërsa të pabesit nuk i kujtohet as emri.

Unë do të shtoj dhe një argument tjetër, më së shumti folklorik, por gjithsesi të vërtetë dhe të pamohueshëm për drejtësinë e idealit për të cilin u flijuan Imam Aliu, por edhe imamët e tjerë dhe vetë Abaz Aliu. Ka edhe sot pas rreth 14 shekujsh që hedhin teza pro dhe kundra, kush kishte të drejtë dhe kush jo, por ka një fakt mjaft kuptimplotë dhe të pakundërshtueshëm: Emri i Profetit, i Imamëve të lavdishëm dhe i Abaz Aliut që mbrojtën me jetën dhe gjakun e tyre mësimet e Profetit dhe Kuranin e Madhërishëm janë tej mase të përhapur në botën myslimane, ndërsa emrat e kundërshtarëve të tyre thuajse janë shuar. Jezidi dhe Mavijeja që udhëhoqën fushatat ushtarake kundër besimtarëve të devotshëm dhe që shkaktuan gjithë atë gjakderdhje kujtohen me përbuzje dhe janë bërë sinonim i ligësisë, poshtërsisë, pabesisë dhe i të pafeve. Ne nuk kemi dëgjuar deri më sot ndonjëherë që ndokush të mbajë emrin Jezid apo Mavije. Mendoj se ky është një fakt mjaft kuptimplotë i qëndrimit që mban shoqëria njerëzore ndaj të paudhëve dhe paudhësive. Është në fund të fundit ndëshkimi i paevitueshëm i historisë për njerëzit e ligj dhe pa ideale në jetën e tyre.

Me fjalë të tjera, nga distanca e 14 shekujve Abaz Aliu na kujton se atdheu dhe idealet zënë fill te familja, te njerëzit më të dashur që na rrethojnë.

Kur u flijua Abaz Aliu, Imam Hyseni shpërtheu në të qara dhe klithi:

“Oi, Oi! Ne të humbëm ty dhe i humbëm të gjitha, o Abaz Ali!”

Kjo është dhe fraza që përmbyll librin. Një frazë tepër tronditëse që paralajmëronte rrebeshet e mëvonshme që nuk do të kishin të sosur, madje edhe sot e kësaj dite…

5.

Martirizimi i Abaz Aliut është as më pak dhe as më shumë ndërgjegjësimi në shkallën sipërore për sakrifikimin dhe vetëmohimin për një ideal të madh dhe të ndritur më së pari njerëzor. Në emër të këtij ideali janë martirizuar mandej të gjithë idealistët e mëdhenj që me vdekjen e tyre i kanë dhënë shtysa të fuqishme përpara shoqërisë njerëzore.

Në vitet ’30 të shekullit të kaluar një nga publicistët më të mirë dhe një nga njerëzit më përparimtarë të kohës, Ismet Toto, një orë para se ta varnin në litar në burgun e Gjirokastrës, shkroi një skicë poetike që mund të konsiderohet edhe si himn njerëzor. Skica e Ismet Totos mbyllet me fjalët amanet:

“Sa je gjallë digju dhe nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen”.

Ne jemi mësuar midis nesh ta quajmë heroin e këtij libri “Abaz Aliu i Tomorrit” për shkak të portretizimit dhe përshkrimit të mrekullueshëm që i ka bërë poeti ynë kombëtar Naim Frashëri.

Abas Aliu zu’ Tomorë,

Erdhi afër nesh,

Shqipërija s’mbet e gjorë,

Se Zoti e desh.

Kështu thotë Naimi në një nga krijimet më të bukura të tij që është poema “Qerbelaja”.

6.

Kohërat vijnë e shkojnë, ndërrohen qeveritë dhe sistemet, por Qerbelaja mbetet, nuk ka se si të harrohet. Ky është perceptimi shqiptar për një ngjarje epokale, por i parë më me vëmendje është mjaft më i gjerë. Rreth 1400 vjet më parë ndodhi Qerbelaja, për të cilën ne shqiptarët si rrallë komb tjetër në botë kemi fatin të kemi një vepër artistike, një poemë të shkruar nga një prej poetëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave të Shqipërisë, Naim Frashërit.

E, Qerbelaja prandaj dhe është mjaft e njohur midis ne shqiptarëve. Kur duam të përshkruajmë ndonjë situatë apokaliptike dhe me përmasa të jashtëzakonshme, ne themi: U bë si në Qerbela! Kjo do të thotë se ne kemi njohuritë e mjaftueshme për atë ç’ka ngjau këtu e 14 shekuj më parë. Dimë shumë a pak përse ndodhi ajo betejë, përse ngjau ajo kasaphanë, kush ishin shkaktarët e tragjedisë, domethënë përgjegjësit që duhet t’i ndëshkojë historia njerëzore dhe heronjtë e vërtetë të saj.

Ne e përkujtojmë dhe e nderojmë Abaz Aliun sepse te portreti i tij shohim shëmbëlltyrën e heroit të admiruar nga të gjithë dhe në të gjitha kohërat: një trim të rrallë, një humanist të jashtëzakonshëm, një adhurues të paqes e mbrothësisë, një ikonë të papërsëritshme të vlerave më të qenësishme njerëzore.

Marrë nga gazeta “Dita”


Mjeshtëria e spikatur e një fabulisti

$
0
0

Shënim për librin “Gomar apo Kaproll?” të shkrimtarit Vangjush Saro

  Nga Vangjush Ziko

 Fabula është quajtur gjinia më e vogël e epikës (në prozë dhe në vargje) dhe fabulisti i parë i njohur deri më sot, është Hesiodi, dy shekuj para Ezopit (shek. VI para Erës Sonë), mjeshtrit më të shquar në këtë gjini.Fabula njeh mjeshtër të tjerë të njohur, francezin La Fonten apo rusin Krillov.Rilindasit tanë, si Naimi dhe Çajupi ndoqën rrugën e tyre në këtë gjini, duke përshtatur apo krijuar.

    Në historinë e ecurisë së kësaj mikrogjinie epike, studjuesit veçojnë dy lloje të kësaj gjinie. Koncepti gjerman pranon se baza është përmbajtja e tekstit të fabulës, kurse morali është një shtesë e tij.Koncepti amerikan mbron teorinë se morali i fabulës është baza e tij, kurse teksti është një shtesë në fabulat për fëmijë.Historikisht, në fabulën antike, morali ishte i pranishëm në fund të fabulës. Fabula shtjellon gjithmonë një ngjarje, një ballafaqim “personazhesh” me karaktere të ndryshme, me koncepte të ndryshme etike dhe morale; ballafaqimi rastësor midis tyre, është gjithnjë konfliktual dhe gjithmonë ka një fund, ka një pësim që i jep shkas fabulistit të nxjerrë moralin nga kjo “ndeshje” me fund komik.

     Fabula klasike i ka të përcaktuara elementet e saj të formës dhe të mjeteve artistike, që e përbëjnë: situata tipike, karakteret apo personazhet, alegorinë, përqeshjen e veseve apo të metave njerëzore dhe sentencën morale.

    Në fabulat e shkrimtarit Vangjush Saro -jo vetëm në vëllimin e ri të porsabotuar “Gomar apo Kaproll?” -ka disa lloje konceptimi të fabulës; ka struktura kompozicionale të ndryshme të subjektit të fabulës: anekdotike, përshkruese, monologuese dhe monolog e përshkrim bashkë; secila strukturë kompozicionale, u jep përparësi formave të ndryshme stilistike. Saroja nuk ka mbetur “rob” i formës së fabulës klasike, ai kërkon dhe provon me sukses kombinime të ndryshme të tyre.

    Fabulat, që kanë në themel një ndodhi tipike, një anekdotë, ku “protagonistët” janë në një raport konfliktual, grotesk, midis tyre, për arsye të “karakterit”, të sjelljes apo moralit të ndryshëm të tyre, dallohen edhe për mënyrën apo formën e shprehjes së moralit. Në to, qëndrimi i autorit ndaj “konfliktit” është i drejpërdrejtë, i shprehur në formën e sentencës moralizuese nga vetë autori. Në këto fabula, sentenca morale është thelbi, jo vetëm i brendisë, por edhe mjeti artistik që ftillon qëllimin dhe humorin e fabulës. Këto lloj fabulash, janë më të paktat në numër: “E mbytur”, “Gjinkalla”, “E dashur Dhelpër!” dhe ndonjë tjetër. Në këto krijime, vendin kryesor e zë situata apo ndodhia; fabula ka një “subjekt” dhe “personazhe” që ndeshen me veprime dhe dialog midis tyre; janë tipi i fabulës klasike të përdorur në fabulistikën tonë.

Por në këtë vëllim, mbizotërojnë fabulat, në qendër në qendër të cilave nuk është anekdota, si zakonisht;përparësor,është përshkrimi i një çasti konkret të natyrës, trilli i motit që zbulon edhe zgjidh raportet midis “personazheve” (zog, kafshë, gjethe); pësimet e tyre nga ky trill i natyrës, apo nga një gjendje e përftuar për shkaqe e motive të ndryshme, krijojnë edhe situatën komike.Në këto fabula, është në themelngjarja, situata, natyra;si të thuash, atoe “ndëshkojnë vesin” (mburrjen, mendjemadhësinë, etj.); morali këtu nuk shqiptohet fare, por nënkuptohet nga thurrja, përshkrimi i kësaj ndodhie që narrëfen autori.

    Në disa fabula të këtij lloji, moralin e shqipton vetë “personazhi” protagonist, që provokon “konfliktin” dhe del fitimtar, duke qesëndisur “viktimën: “Ku e kishim fjalën,/moj kotele?”, qesëndis Korbi “viktimën”, kokrrën e arrës, që i rezistonte “dhunës” a thjesht përplasjes, disi kokëpërpjetë.Ose e kundërta, siç ndodh në fabulën “Mjalti”, ku Ariu, duket fillimisht i përdorur nga Dhelpra, por është kjo që bëhet “viktimë” e dredhisë sësaj të sfiduar: “Ah, ç’e qava unë gostinë sonte!…”

    Në një lloj tjetër të fabulave të këtij vëllimi, mbizotëron “monologu” i “personazhit”, i cili përshkruan mjedisin kaotik, dramatik dhe “personazhi”(p. sh. te “Dilema e Bletës”) e nxjerr vetë konkluzionin, moralin e situatës revoltuese përballë “mbretërisë së plehrave, tëplastmasit”, ndërkohë që insekti punëtor nuk ka ku të “kullosë”, madje “nuk e di ku do tëmbytet”. Gjithë në temën e katastrofës mjedisore, në fabulën “Ndryshimi”, autori e mpreh sarkazmën, alegorikisht cinizmin e përçudnuar njerëzor nga individë monstra e kompani shkatërruese, që tallen me fatkeqësinë njerëzore: Qesja e plastmasit përqesh peshkun e rënë në fund të saj: “Ç’është ajo fjalë, vogëlush!/Unë jam ndryshe nga ata:/nuk të gëlltis si një e marrë,/por e marr shtruar, butësisht./Asgjë nuk ndjen, nuk të dhemb fare…”

    Këto të fundit, janë dy lloj fabulash: ironike ose satirike. Ironike janë kur konflikti është “personal”, bie fjala midis Ftoit dhe një prej Gjetheve të tij; kurse në rastin e dytë, midis Mjedisit të dëmtuar nga njerëzit dhe Bletës që nuk ka lule ku të “kullosë”, kemi në themel “një kolizion”, një konflikt midis “individit” dhe Shoqërisë. Në krijime të tilla, morali është aq therrës, sa që autori, për të mos u bërë retorik, e quan të udhës të mos “ndërhyjë”, duke e lënë vetë “personazhin viktimë” apo “personazhinkapadai” ta shqiptojë njëfarësoj moralin e fabulës.

    Në vëllimin “Gomar apo Kaproll?” gjejmë edhe një lloj tjetër fabule, ku autori përdor, vetëm ose kryesisht, përshkrimin e një çasti të motit apo të një situate të caktuar; kështu në fabulën “Gjethet”, ai përshkruan fluturimin e gjetheve në qiell, herë të trembura, herë teksa mburren se fluturojnë lart, ndërkohë që qielli i sfidon me trillet e tij dhe ato “bien të shkretat përdhe”. Kështu ndodh edhe me Njeriun prej dëbore, që mburret: “Unë o, unë jam ylli/ që bota po priste”, por që “u shua sakaq,/moti me t’u zbutur”.Te fabula “Orkestra”, artistikisht vizatohet një koncert, ku çdo instrument përpiqet sipas takatit të vet; por ndërkaq… “violinën e ka zënë gjumi” dhe kështu, koncertin “e merr lumi”.Në fabula të këtij modeli,  përshkrimi emocional me nota humoristike apo në njëatmosfera idilike ederi sentimentale, e nxit lexuesin të qëndrojë disi në fabul, në ngjarje, duke “shfrytëzuar” kështu emocionin, kënaqësinë e meditimit estetik të tij, alegorinë, me fjalë të tjera aktivizon qëndrimin moral të lexuesit. Këtë lloj fabule, mund ta quanim edhe fabul “lirike”.

    Do tështoja se ky “lirizëm” përshkrues i sfondit të natyrës, (ku zhvillohet subjekti), si edhe meditimi emocional humoristik ndaj “personazheve viktima”,janë të pranishëm, gati, në çdo fabul të Saros; siç ndodh, për shembull, te “Kambaleci që ndreq Botën”, ku Kambaleci “lyp aventurë”, të cilën autori e përshkruan me shumë hollësi dhe duke vënë në dukje se si “ec e ndreq punët, nëçdo kontinent”. Në këto fabula përshkruese meditative, morali qaset deri te ngjyrimet filozofike: “Bota ndaj ka marrë tatëpjetën,/sepse përrallën krejt e ka harruar …”

    Ky lloj i fabulës, është i njohur në historinë e fabulistikës. Ishte fabulisti francez La Fonten, i cili solli këtë risi në fabulën europiane.Kjo fabul, përqëndrohet më shumë në ndjenjat e “personazheve” dhe në përshkrimet emocionale, që nuk i gjejmë në veshjen satirike të fabulës klasike. Historishkruesit e fabulistikës flasin për debatin e ashpër të gjermanit Lessing me francezin La Fonten, të cilin,i pari e akuzonte se harkun “vrastar” të fabulës klasike e kishte shndërruar në një hark “dekorativ” për t’u varur si zbukurim në sallonet aristokratike!

    Ndryshojnë epokat, ndryshon edhe arti.Ndryshojnë edhe shkrimtarët midis tyre.Vangjush Saro është një shkrimtar humorist dhe satirik në veprat e tij në prozë dhe në gjininë e fabulës, por satira e tij dhe humori, po se po, nuk kalon në sarkazëm therrëse.Dhe ai, si artist i formuar, me personalitetin e vet artistik i qëndron besnik këtij parimi.Mund të thuhet se tek ai ka ndikuar padyshim edhe traditae humorit dhe e mirësjelljes korçare, frymëme të cilën autori është rritur dhe ngjizur si krijues, jo vetëm në rrethin e vet familjar, por edhe në mjedisin qytetar korçar, karakteristikë e të cilit nuk është, “asgjësimi i gjahut” të vënë në shënjestër, por stigmatizimi, sjellja e kulturuar, takti për të mos e ofenduar atë “gjah” dhe, në të njëjtën kohë, pa e lënë në heshtje dukurinë negative individuale apo kolektive.

    Fabula e Vangjush Saros flet bukur si me gjuhën e humorit, edhe me atë të satirës.E vlerësoj dhe e përshëndes larminë e tipologjisë dhe të gjuhës së fabulistit dhe shkrimtarit të mirënjohur humorist Vangjush Saro.Ky angazhim profesional i vazhdueshëm i tij, është dëshmi e pjekurisë së mëtejshme të talentit të spikatur dhe të shijeve të veta estetike bashkëkohore.

Kamela Islamaj: Takimi i parë me Truman, para një gote rakie!

$
0
0

Kryesisht vera për çdo artist është jko vetëm sezon pune, por edhe relaksi. Kështu është për Kamela Islamaj. Këngëtarja vjen në këtë intervistë të suplementit të gazetës “Shekulli” ndryshe, duke rrëfyer mbi ditët e nxehta të muajit gusht, pushimet e saj në Itali, raportin me muzikën kryesisht rock dhe jazz.  Patjetër që pjesë e intervistës do të ishte edhe diskutimi mbi dashurinë… Truman është i dashuri i këngëtares me të cilën bashkëjeton prej një kohe relativisht të gjatë. Ajo tregon për ne se çfarë është Truman për të, takimin e tyre të parë dhe ajo që i bashkon më së shumti si në muzikë dhe në jetën e përditshme.

Kamela  çfarë po bëni në këto ditë të nxehta gushti?

Këto ditë të nxehta gushti, po rikarikoj bateritë për një tjetër sezon të ngarkuar. Por,  fatkeqësisht janë shumë afër fundit kështu që, jem gati  (qesh).

Jeni me pushime apo… ku po i kaloni?

Jam në kostieren cilentane në Itali, pas një jave pushimesh stresuese në Dhërmi…

Keni eksperianca të ndryshme në fushën e muzikës së fundmi ishit pjesë e “The Voice”, si ishte kjo eksperiencë për ju?

“The voice” është një nga eksperiencat më të bukura, sepse ke të bësh me të rinj pasionantë dhe të talentuar. Ti jep, por edhe merr pa fund. Sigurisht çdo puëe ka lodhjen e vetë dhe besomëni “The Voice” të lodh,  por të jep një kënaqësi shumë të madhe!

Ndërkohë jepni mësim në një shkollë rock, përse në këtë rrymë muzikore?

Është shkollë rock-u, por në të merren bazat fillestare të muzikës dhe më pas secili zgjedh rrymën që dëshiron. Por,  sigurisht pjesa më e madhe janë më shumë të orientuar rreth rock-ut. Fundja fundit kush nuk do donte të ishte një rockstar (qesh).

Rock, jazz të gjejmë më së shumti në këto rryma, çfarë të përbashkëta ka Kamela me to?

Në gjuhën popullore thuhet “atje më fle xhani”  (qesh). Kam shumë vite që vërtitem në ujërat e blues jazz rock funky… Nuk rri dot pa. Pjesa më e bukur e ditës është kur ulem të dëgjoj dhe të hulumtoj muzikë nëpër këto ujëra (qesh).

Cila është më veçantja nga gjithë përvojat e tua?

Unë i konsideroj të gjitha përvojat e mia dhe kam një vend të veçantë për to (qesh).  Gjithsesi, një nga përvojat që e kam më afër zemrës është në fillimet e mia, kur luaja në një club jazz-i dhe isha vetëm 18vjeç. Isha më e guximshme se tani dhe ishte një nga përvojat që më rriti më së shumti vokalisht!

Sa këmbëngulëse është Kamela në gjërat që do?

Jo aq shumë sa duhet… Ka raste që ngul këmbë deri në fund dhe pastaj e le (qesh). Po sigurisht jam një “luftëtare e vogël”,  kështu që në një mënyrë apo tjetrën i bëj gjërat që dua.

E ke menduar ndonjëherë veten pa muzikën?

Asnjëherë! Nuk di në të vërtetë ça do bëja. Kam që 6 vjeç që studjoj dhe merrem me muzikë. Kam shfaqur herë pas here dëshira për sport, por janë zbehur shumë shpejt (qesh).

Të bashkëjtosh mënyrë më e mirë për njohjen e tjetrit apo “largim”nga përgjegjësia e që mund të kesh në një raport si martesa?

E pse të mos jenë të dyja… Unë jam dhe do jem pro bashkëjetesës se ndihmon edhe të njohësh veten përveç partnerit.

Truman (i dashuri) është për ju…

Truman është njeri shumë inspirues (qesh). (dhe e teprova me fjalët e bukura :P)

Takimi juaj i parë?

Ka qenë shumë i thjeshtë, përpara një gote rakie,  por me zemrat plot. (qesh)

Ëndrra më e madhe që ju bashkon?

Jemi shumë të ngjashëm në ca gjëra dhe shumë të ndryshëm në shumë të tjera. Por,  jemi dy perfeksionista kështu që në fund na bashkon gjithçka (u skuqa )

Jeni e veçantë në stilin tuaj, por në ëndrra apo dëshira sa e pazakontë jeni? Mund të kujtoni ndonjë dëshirë, projekt që i ka befasuar të njohurit tuaj?

Përgjithësisht mundohem të jem me këmbë në tokë dhe të ndjek rregullat,  por herë pas here dal jashtë tyre  (qesh).  Përgjithësisht më pëlqen të befasoj të afërmit dhe miqtë e mi dhe me ata ja arrij gjithmonë qëllimit.

Cili është libri yt i preferuar?

Janë disa,  po një që më ka ngel në mendje është “The best thing that can happen to a croissant” Pablo Tusset. Mbresëlënës!

Këngëtari juaj i preferuar?

Para disa kohësh dikush më bëri të njëjtën pyetje dhe pasi fillova të përgjigjesha më tha: po të pyesja për këngëtarin e preferuar,  jo hitorinë e muzikës (qesh).  Kam shumë të preferuar prandaj e humbas numrin.

Pianoja sot për Kamelën?

Pas një periudhe 10-vjeçare i jam rikthyer pianos. Jam si ata fëmijët me lodrën e tyre të preferuar. Kam filluar të studioj, ngadalë- ngadalë!

Projektet tuaja të reja?

Me rikthimin e studimit të pianos jam duke punuar mbi disa gjëra të reja, por është akoma herët. Shpresoj të kem gati diçka nga dhjetori.

26 gushti është ditëlindja e 107-të e Shenjtores shqiptare

$
0
0

26 gushti është ditëlindja e Shën Terezës, humanitares dhe shenjtores shqiptare që lindi në Shkup në vitin 1910 dhe ndërroi jetë në Kalkuta të Indisë në 5 shtator 1997.

Në ditëlindjen e saj të 107-të Nënë Tereza tashmë është shenjtë; pasi 1 vit më parë u pranuan botërisht dy mrekullitë e saj; e para kishte të bënte me dëshmin e një nënë me 5 fëmijë që përmes lutjeve në ikonës së Nënë Terezës ishte shëruar totalisht nga kanceri në stomak, dhe mrekullia e dytë e pranuar nga kisha ishte ai e një djali 25 vjecar nga Brazili që ishte shëruar gjithashtu nga tumori në tru.

Mrekullitë u njohën nga Papa Francesku, dhe në shtator të 2016 përmes formulës së shenjtërimit e shpalli nënë Terezën SHENJT.

Në familjen Bojaxhi, Goxhja emri i vërtetë i Nënë Terezës ishte fëmija i tretë. Familja Bojaxhi me origjinë nga një rrethi i Shkodrës lindën 5 fëmijë, por dy prej tyre humbën jetën për shkak të sëmundjeve të rënda.

Gonxhe Bojaxhi, u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, misioni i saj si murgeshë dhe largësia fizike bën që të humbiste takimet me familjen, dhe me nënë nuk arriti të shihej më kurrë për së gjalli. i vetmi takim ishte ai me të vëllain pas 30 vitesh, ndërsa nëna dhe një nga motrat e saj u kthyen në  Shqipëri, para Luftës së Dytë Botërore.

Shën Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe më pas themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

Ajo vijoj e palodhur dhe me shumë përkushtim misionin e saj për të qënë pranë të varfërve. Në vitin 1979, Nënë Tereza  mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në këtë moment të vecantë e gjithë bota kujton fjalimin prekës “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri.

Gjatë regjimit komunistë Nënë Tereza nuk u pranua të vizitonte shqipërinë, aty ku në fakt ishte adheu dhe familja e saj.

Në 1991, Nënë Tereza kthehet për here të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tirane, Shqipëri. Në misionin e saj si humanitare Shën Tereza fitoi velerësimet më të mëdha të lidërve botëror. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Nënë Tereza fliste rrjedhshëm 5 gjuhë  Bengalisht, Shqip, Serbisht, Anglisht dhe Hindishte.

Në 13 Mars 1997, ajo la pozitën e kryetares së Misionarëve të Bamirësisë. dhe mbylli dytë në 5 Shtator 1997.

Xhubleta, 4000 vjet histori, nuk ka një të dytë në botë

$
0
0

“Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gur, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë”, shprehet studiuesja e etnografisë Linda Spahiu, duke theksuar se xhubleta shqiptare vjen nga 4000 vjet histori.

Në një intervistë zonja Linda tha se sot mungojnë lexuesit për këtë “libër”, fletët e të cilit janë të shpërndara, sepse pjesët e xhubletave trafikohen për arsye ekonomike, apo siç thotë ajo për arsye të banalitetit në të cilin ka rënë shoqëria moderne. Ajo shpreh shqetësimin e saj që kjo pasuri e rrallë kulturore për të gjithë njerëzimin është ende e pambrojtur.

Prandaj përmes blogut tonë Linda Spahiu kërkon që: “Së pari, xhubleta të shpallet urgjentisht monument kulture i rëndësisë së veçantë dhe të merret në mbrojtje nga shteti shqiptar. Së dyti, në mënyrë urgjente duhet të merret në mbrojtje nga Unesco si pasuri e njerëzimit. Dhe unë këtu nuk po them pse një nga veshjet shqiptare nuk po mbrohet nga UNESCO, sepse bota ka shumë veshje. Por jo! Bota nuk ka veshje si xhubleta, nuk ka një të dytë si xhubleta!”

Më tej zonja Linda shpjegon me detaje disa nga veçoritë që e bëjnë xhubletën dhe të gjithë kostumografinë shqiptare të veçantë në llojin e tyre, aq sa ajo e cilëson pasuri e të gjithë njerëzimit.

Kostumografia jonë të mahnit me vlerën e materialeve të përdorura si ari, argjendi, mëndafshi apo kadifja vishje që njihej në të gjithë europën si veshje vetëm e aristokratëve por që gjendet në të gjitha objektet tona etnografike. Por më e çuditshme se materialet janë teknikat e punimit që mundësojnë të kemi sot veshje 4000-vjeçare që gjenden jo në formë arkaike, por me një sofistikim të frikshëm në kuptimin estetik, kulturor dhe pasuror, duke sjellë antikitetin si një postmodernizëm të pasuruar me figura simbolike.

Një tjetër çudi e etnografisë shqiptare është origjinaliteti i tyre, elementi i transhendencës që vjen nga zona të thella malore, ku marrëdhëniet me qytetërimet e tjera përreth Mesdheut nuk ishin aq të shpeshta sa në bregdet dhe ku koha rridhte ngadalë e ndryshimet historike kërkonin qindra vjet.

Kjo e bën sa autentike, aq edhe të pabesueshme etnografinë shqiptare, aq sa Linda Spahiu rrëfen se si në një ekspozitë etnografike në një nga kryeqendrat e kulturës europiane, kuratorët e muzeut refuzuan për një moment bashkëshoqërimin e objekteve me të dhënat shkencore, sepse nuk besuan që këto artifakte vijnë nga zonat fshatare të Shqipërisë.

Shqetësimi më i madh i Linda Spahiut është fati i mëtejshëm i kësaj trashëgimie kombëtare, për të cilën ajo shprehet se është pasuri e brezave të ardhshëm.

“Ato janë një amanet që ne duhet ta ruajmë për ata që s’kanë ardhur ende dhe që kanë të drejtë t’i gjejnë këtu kur të vijnë”,- shprehet Linda Spahiu teksa bën thirrje për seriozitet në trajtimin e pasurisë kombëtare.

“Ne duhet së pari të investohemi seriozisht, gati si një gjest mbijetese, në kulturën e respektit dhe ruajtjes së dokumenteve dhe të studimit serioz dhe jo në mënyrë naive e internetiste. Sepse pastaj kushdo ka diçka për të thënë dhe zbulimi i vërtetë përzihet me të tjerat. Një nga mënyrat për të fshehur një të vërtetë është ta hedhësh atë në mes të sheshit bashkë me 1000 gënjeshtra të tjera. Ne kemi nevojë të bëhemi seriozë”.

Bie miti grek, tabela 3700-vjeçare tregon se babilonasit e shpikën trigonometrinë 1500 vjet më herët

$
0
0

Një tabelë argjile 3700-vjeçare ka provuar se babilonasit e shpikën trigonometrinë 1500 vjet para grekëve të lashtë dhe përdornin një metodë të sofistikuar matematike që mund të ndryshojë mënyrën se si ne i bëjmë llogaritjet sot.

Tabela, e njohur si Plimpton 332, u zbulua në fillim të viteve 1900 në Irakun jugor nga diplomati dhe arkeologu amerikan Edgar Banks, i cili shpërbeu si frymëzim për personazhin e filmave Indiana Jones.

Kuptimi i vërtetë i tabelës u kishte shpëtuar ekspertëve deri tani, por kërkime të reja nga Universiteti i New South Wales në Australi, ka treguar se ajo është tabela më e vjetër dhe më e saktë trigonometrike e botës, e cila ndoshta është përdorur nga arkitektët e lashtë për ndërtimin e tempujve, pallateve dhe kanaleve.

Megjithatë, ndryshe nga trigonometria e sotme, matematika babilonase përdorte një sistem me bazë 60-ën, në vend të dhjetës që përdorim ne sot. Meqënëse gjashtëdhjeta është shumë e lehtë për t’u pjesëtuar me tre, ekspertët që studiojnë tabelën zbukuan se llogaritjet janë shumë më të sakta.

“Studimi ynë zbulon se Plimpton 322 përshkruan format e trekëndëshave kënddrejtë duke përdorur një lloj të ri trigonometrie të bazuar te raportet, jo këndet apo rrathët”, thotë Dr. Daniel Mansfield i Degës së Matematikës dhe Statistikave në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të New South Wales.

“Është një vepër mahnitëse matematikore që dëshmon për gjenialitet të padiskutueshëm. Jo vetëm që përmban tabelën më të vjetër trigonometrike në botë, por është edhe e vetmja plotësisht e saktë, për shkak të përqasjes shumë të ndryshme babilonase karshi aritmetikës dhe gjeometrisë. Kjo do të thotë se ka një rëndësi shumë të madhe për botën moderne. Është një shembull i rrallë i botës së lashtë që na mëson diçka të re”.

Astronomi grek Hiparku, i cili jetoi rreth vitit 120 para Krishtit është konsideruar gjatë si babai i triogonometrisë, me tabelën e kordave në një rreth që konsiderohej si tabela më e vjetër trigonometrike.

Por tabela babilonase, që mendohet se vjen nga qyteti i lashtë sumer i Larsës, datohet mes viteve 1822 dhe 1762 para krishtit, mbi 1000 vjet më e vjetër se ajo e Hiparkut, por edhe më e saktë se ajo.

/Telegraph – Përgatiti Syri.net

Nanë, prapë beson?

$
0
0

Nga Albina Gjergji.

Para shumë vitesh,
domethanë jo fort fort larg në kohë,
por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot,
kam pas’ njohtë nji nanë, që sa herë i kjante zemra merrte rrugën për n’Kishe.
Avit’te derën e Kullës s’vjetër, fshihte flokët poshtë shamisë s’zezë e mbasi u kish’ thanë “si keni njeh” kojshive, ngulte e shkulte shkopin e pleqnisë në tokë.
Kur mbas gardhit – sebep shekullor sherrnajash – nigjoja “trokun” e saj e dijsha që ishte ajo e me vrapin e fëmijës gjeja bírë me i pa sytë. Ato sy që, kur isha e vogël më dukeshin tipari ma i vështirë “me u ba për vedi”.
E shihja me rruzare n’dorë, e mbasi me kishte pikasë, më qeshte pa ndërpre pesë “T’falem o Mari” e po aq “Shenjtja Mari”.
Kishën unë e kam pas gjithmonë afër shpisë, por s’e di pse gjithmonë mbrrijsha e fundit n’meshë.
Mbasi zija vend tek “bangat” e korit e mbasi me shikim të piskum’ më kritikonte prifti, ktheja krytin kah “nana” me shami të zezë.
Ju betohem, ajo nuk ishte nanë e zakonshme…
Ndryshe prej tjerave që, si “majmunët imitues” përsërisnin veprimet e priftit (që nji Zot e di prej ç’kontinenti kishte mbërritë në tokën teme me na “shpëtu”)… ajo nuk e bante kyt gja, por shkonte e ulej poshtë g’jujve të Krishtit e i fliste drejtpërdrejtë Atij me sytë kah qielli.
Çonte durt nàlt e sa ma fort binte kumona, aq ma maraz e dhimbje i lexoje ndër rrudha.
Në Dong-un e parë të kumonës i shihje përshpirtje n’portret, me t’thanë mendja se ishte taku me Atë që nji ditë te tanë supozohet se do i japim llogari.
Në atë përballje dukej se mbaronte idhnimi e fillonte pranimi!
Në Dong-un e dytë, ishte ma e vendosun në Lutje. Me shumë gjasë kërkesa e dërgume për Nalt ishte e kjartë: “Më merr”!
Kryqet në shpinë dhimbnin njisoj, sikurse Nanës s’Ténzot, po ashtu edhe kësaj Nane me lot..
Në Dong-un e tretë, me g’jujt e skuqun e kurrizin e tkurrun nana me shami të zezë “zbriste” në tokë e me kuletën prej pece që i varej n’brez zadrimoresh merrte rrugën për n’lagjen e heshtun. Aty ku e priste nji shpi përplot fotografi… me fëmijë,
fotografi…me fëmijë,
fotografi… me fëmijë!!!
N’emën t’Atit, t’Birit e t’Shpirtit Shenjt!
Para shumë vitesh,
domethanë jo fort fort larg në kohë,
por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot
kam pas’ njohtë nji nanë, që sa herë i kjante zemra merrte rrugën për n’Kishë.
N’atë Kishë dikur shkonte bashkë me fëmijët,
të cilët sot.. nuk i ka ma!
“Nanë”, a beson (h)alâ?

Atentati kundër presidentit Abraham Lincoln në telajo

$
0
0

Një pikturë e sapo restauruar tregon momentet pas atentatit të presidentit Abraham Lincoln në vitin 1865. Piktura u prezantua para pak kohësh në Teatrin Ford në kryeqytetin amerikan, ku edhe u vra presidenti i 16 amerikan.

Mesa dihet, kjo është piktura e vetme nga një dëshmitar që tregon dramacitetin e asaj nate të tmerrshme.

Presidenti Abraham Lincoln u qëllua ndërsa bashkë me gruan po shikonin një shfaqje në Teatrin Ford.

Ndërsa atentatori, John Wilkes Booth, u largua, presidenti i plagosur u dërgua përtej rrugës në bujtinën Petersen, ku ndërroi jetë mengjesin që pasoi.

Tani, një pikturë në pronësi të Shërbimit të Parqeve Kombëtare Amerikane, tregon kaosin e asaj mbrëmjeje. Laura Anderson me Agjencinë e Parqeve Kombëtare tregon për Zërin e Amerikës mbi autorësinë e pikturës:

“Pranë bujtinës Peterson qëlloi të ishte një artist që po skiconte një paradë që do zhvillohej atë natë për të festuar fundin e Luftës Civile. Ai e kuptoi menjëherë se ishte dëshmitar i një skene të rëndësishme ndërsa pa presidentin tek e kalonin në rrugë dhe kështu skicoi në telajo detajet.”

Piktura “Lincoln Borne by Loving Hands,” u krijua nga artisti gjerman Carl Bersch.

Pas disa riparimeve të mëparshme, piktura kishte nevojë për një restaurim serioz. Kështu, Sherbimet e Parqeve i kërkuan kuratorit David Olin ta restauronte atë.

“Në 30 e ca vite punë restaurimesh, kurrë nuk kam parë një pasqyrim të ngjarjes që ndodhin jashtë Teatrit Ford ku tregohen pasojat pas atentatit ndaj presidentit Lincoln. Për mua, kjo është një pikturë shumë e veçantë.”

Ekipit të zotit Olin ju deshën gjashtë muaj punë: “Faza e parë është pastrimi, heqja e shtresave të mëparshme. Pastaj vjen riparimi strukturor për çdo milimetër duke pikturuar zonat e prishura me ngjyra dhe pigmente që i qëndrojnë kohës dhe mund të zëvendësohen. Objektivi pas pastrimit dhe stabilizimit të pikturës është ripërtëritja e objektivit të artistit.”

Tamara Luzeckyj po ashtu punoi në restaurim:

“E kemi risjellë pikturën në atë që ka qënë origjinale para qindra vitesh që njerëzit ta shijojnë atë në pamje origjinale dhe jo të mbuluar nga shtresat e tjera të pikturuara prej kohësh.”

“Shpresoj që kur vizitorët të shikojnë pikturën në mendje t’u vijë ajo që ndodhi këtu në Teatrin Ford atë natë”, thotë Laura Anderson me Sherbimet e Paqeve.

Ishte një rast tejet i veçantë. Ishte hera e parë që një president vritej.

Ishte një kalim paqësor pushteti dhe një ngjarje e trishtuar që u ndje në mënyrë të qartë nga artisti dhe piktura ende flet.

Piktura është e vendosur në muzeumin e Teatrit Ford, pranë vendit u vra presidenti Abraham Lincoln.

Një kujtim prekës i një prej momenteve më të errëta në historinë amerikane.


Maximilian Lambertz, autriaku që studioi Këngët e Kreshnikëve

$
0
0

Gati gjysëm shekulli më parë, më 26 gusht 1963, mbylli sytë përgjithmonë një albanologët e famshëm austriakë, Maximilian Lambertzi. Por emri i tij lidhet dhe me kujtesën historike të shqiptarëve, pasi Lambertzi, ka një kontribut të madh në studimet e hershme të gjuhës shqipe. Në 54 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, profesoreshë Mimoza Kore, shprehet se, “Maximilian Lambertzi, ishte specializuar në gjuhësinë e krahasuar indoeuropiane të Paul Kretschmer-i, një nga indoeuropianistët më në zë të kohës, dhe në filologji të lashtë (Altphilologie) te profesorët e njohur E. Hauler dhe L. von Schröder. Megjithatë njohja me shqiptarët, qysh në kontaktet me arbëreshët dhe më vonë ardhja në Shqipëri më 1916, në një ekspeditë të organizuar nga Komisioni Ballkanik i Akademisë së Shkencave të Austrisë, bëri që studimi i gjuhës shqipe, t’i kthehej në pasion shkencor deri në fund të jetës”.

Sipas saj “Lambertz-i e filloi studimin e gjuhës shqipe fillimisht si dialektolog dhe e zgjeroi më tej si studiues i gramatikës (diakronike dhe sinkronike), sintaksës së gjuhës shqipe, si folklorist, studiues i historisë së letërsisë dhe etnolog”. “Ky hulumtim i gjerë bëri që ai të hynte thellë në mendimin dhe trashëgiminë gojore e letrare të shqiptarëve, ta vështronte kulturën shqiptare si një tërësi, si një trashëgimi të vyer e organike në të gjitha trojet e ngulimet e mëdha ku jetonin shqiptarë”, thotë Kore.Maksimiliani ka lënë diku rreth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë etj. Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip më 1913; pastaj shkoi në Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit në Badhesas (Villa Badessa). Që nga viti 1906 kur dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e deri kur mbylli sytë, nuk iu nda punës për t’i çuar përpara studimet albanologjike në fushë të folkloristikës, e sidomos të epikologjisë e të poetikës së përrallës, të mitologjisë, e në veçanti të demonologjisë, të së drejtës zakonore, sidomos të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të morfologjisë, të sintaksës, të dialektologjisë, të leksikologjisë, të drejtshkrimit, të historisë së gjuhës, të letërsisë, të historisë së letërsisë, të dramës, të përkthimit, sidomos të Gjergj Fishtës, etj. Sipas Astrit Lulushit nga maji në qershor 1916, Lamberc shkoi në Shqipërinë veriore dhe qendrore duke regjistruar për herë të parë mbi baza shkencore gjuhën dhe folklorin shqiptar.

Në këtë udhëtim ai vizitoi Grudën, Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Luginën Kir, Shoshin, Shalën, luginat e Drinit dhe të Valbonës dhe sidomos Mirditën. Në dhjetor 1916 ai u kthye në Shqipëri, këtë herë me trupat perandorake austriake që kishin pushtuar Shqipërinë veriore dhe qendrore në kuadër të Luftës Botërore. Ai ishte ngarkuar për krijimin e sistemit arsimor shqiptar dhe ishte anëtari i vetëm i huaj i Komisisë Letrare Shqipe që autoritetet austriake kishin formuar per krijimin e një sistemi shkollor të njësuar për mbarë Shqipërinë. Në Shkodër, Lamberc ishte me Gjergj Fishtën botues i gazetës Posta e Shypnisë në të cilën botoi edhe disa studime të vetat. Pas Luftes I Boterore Lambertz u kthye në Austri, dhe shkroi disa libra dhe artikuj mbi aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht folklorit. Fundi i Luftës II botërore e gjeti Lambercin në Gjermaninë Lindore nën kontrollin sovjetik. Në qershor të vitit 1945, ai u emërua drejtor i shkollës së gjuhëve të huaja në Lajpcig dhe në tetor 1946, bëhet profesor i Gjuhësisë Krahasuese. Deri sa doli në pension, më 1957, Maksimilian Lambertz drejtoi edhe Institutin e gjuhëve indo – evropiane. M. Lambertz-i e nisi studimin e shqipes si dialektolog, duke mbledhur materiale gjuhësore në terren më 1913–1914 gjatë një udhëtim studimor në Itali. Qëndroi katër muaj në fshatrat arbëreshe Munxhufun (Montecilfone), Këmarin (Campomarino), Portkanun (Portocannone) e Ruri (Ururi) të provincës së Kampobasos (krahina e Molizes) dhe në fshatrat Qefti (Chieuti) e Kazallveq (Casalvecchio di Puglia) të provincë së Foxhas (krahina e Puljes).

Aty regjistroi një lëndë të pasur dialektologjike e folklorike. Fryt i parë i kësaj pune është skica e tij “Albanische Mundarten in Italien”, e shoqëruar me një hartë që tregon shpërndarjen e ngulimeve arbëreshe. Në këtë skicë sintetike të bie në sy puna e thelluar që ka bërë M. Lamberci për të njohur dhe përdorur gjithë botimet e Arbëreshëve dhe për Arbëreshët. Ai bën një paraqitje të përmbledhur të historisë së formimit të ngulimeve arbëreshe të Italisë, tregon me hollësi ç’ishte bërë deri atëherë për mbledhjen dhe studimin të folmeve të tyre dhe thekson rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve për historinë e gjuhës shqipe, sepse ato paraqesin mbeturinën e fundit të shqipes mesjetare.

Nga studimi i këtyre të folmeve ai arrin në përfundimin se djepi i Arbëreshëve të Molizes ka qenë Shqipëria e Mesme dhe e Jugut dhe se ata, të ardhur prej krahinash të ndryshme, formuan aty gjatë shumë brezave një ligjërim të ri të përbashkët, prandaj të folmet e fshatrave arbëreshe janë mjaft të ngjashme. Kjo tezë është rimarrë edhe më pas për të folmet e ngulimeve arbëreshe në vise të tjera të Italisë. Duke gjykuar nga këto të folme, M. Lambertz-i shpreh këtu mendimin se disa tipare dialektore të shqipes (veçanërisht fazat e ndryshme të zhvillimit të diftongjeve) nuk kanë pasur në Mesjetë shtrirjen e tyre të sotme, d.m.th. kufijtë e disa dukurive dialektore të shqipes kanë lëvizur në shekujt pas Skënderbeut. Pas botimit të kësaj skice, M. Lambertz-i iu rikthye materialeve të mbledhura dhe hartoi një monografi të gjerë “Italoalbanische Dialektstudien.

Die albanische Mundarten in den italienischen Provinz Campobasso und Foggia (Molise)”, që u botua në vitet 1923–1925. Në këtë punim autori trajton me hollësi veçoritë fonetike të të folmeve arbëreshe të Molizes, u kushton kujdes të veçantë veçorive fonetike, sidomos ndërrimeve të zanoreve e diftongjeve, duke dalluar dukuritë e trashëguara nga atdheu mëmë nga ato që janë përftuar në atdheun e ri si zhvillim i brendshëm a si ndikim i mjedisit dialektor italian. Në pjesën për morfologjinë trajtohen kryesisht format e sistemit emëror e foljor. Krahas përshkrimit të saktë të tyre, autori ka bërë edhe një varg vërejtjesh me karakter historik (për mënyrën lidhore, për format e së pakryerës etj.). Në pjesën e sintaksës ka vëzhgime për përdorimin e kategorive gramatikore si dhe për disa tipa fjalish, si fjalia qëllimore, kushtore, lejore, pyetëse dëftore e urdhërore. Pjesa e tretë e punimit përmban tekste popullore të mbledhura drejt nga goja e popullit, ndërsa pjesa e katërt një glosar të pasur, ku M. Lambertz-i nuk kufizohet të japë vetëm kuptimet e fjalëve në ato të folme, por bën edhe një varg krahasimesh me të folmet e tjera arbëreshe, me fjalorët e shqipes të botuar deri në atë kohë, jep mendime për etimologjinë e një vargu fjalësh dhe për zhvillimet fonetike e morfologjike të tyre.

Pas shumë vjetësh M. Lambertz-i u kthye edhe një herë te studimi i të folmeve arbëreshe në punimin për Jul Varibobën dhe veprën e tij. Nga ana gjuhësore ka rëndësi të veçantë fjalori i këtij autori arbëresh me shënimet e shpjegimet e shumta për kuptimet e përdorimet e fjalëve, me të cilat e ka pajisur M. Lambertz-i. Ashtu si edhe në raste të tjera, bien në sy njohuritë e thella që ka ai edhe për gjuhën e autorëve arbëreshë. M. Lambertz-i pati treguar interes të veçantë për dialektet e folura në Shqipëri që para Luftës I Botërore. Ai kishte filluar atëherë të mblidhte materiale për të folmen e Mirditës nga një Mirditas që banonte në Vjenë. Në maj–gusht 1916 u dërguan Shqipëri për një hulumtim shkencor nga Akademia Mbretërore e Shkencave në Vjenë. Fryt i parë i hulumtimeve të tij nëpër atë pjesë të Shqipërisë që administrohej nga trupat austrohungareze, qe parashtresa “Vorläufiger Bericht des Dr. Max Lambertz über seine linguistische Studien in Albanien von Mitte Mai bis Ende August 1916”. Në këtë kumtim për herë të parë bëhet një ndarje shkencore e trevës së gegërishtes në krahina dialektore, duke treguar se si kalohet shkallë-shkallë nga një e folme te tjetra. Ai dallon grupin e të folmeve të Kosovës (ku përfshin edhe të folmen e Gjakovës) nga të folmet e Malësisë së Madhe; në jugperëndim të tyre dallon të folmen e qytetit të Shkodrës me rrethina; një grup më vete përbëjnë me trajtat e tyre fonetike të folmet e Mirditës, Kthellës, Lurës dhe Matit, ndërsa më në jug dallon grupin e të folmeve të Krujës, të qytetit të Tiranës e të Malësisë së Tiranës.

Këto të folme e grupe të folmesh përkojnë pak a shumë edhe me ndarjen etnografike të trevës gege. Temës së ndarjes dialektore të shqipes M. Lambertz-i i është rikthyer disa herë në artikujt dhe punimet e veta. Përfundimisht dialektin gegë e ndan në katër grupe të folmesh: gegërishtja veriore (d.m.th. veriperëndimore), gegërishtja verilindore, gegërishtja e mesme dhe gegërishtja jugore, duke dhënë një paraqitje të saktë të shtrirjes së të folmeve shqipe deri në kufijtë më veriorë e lindorë të tyre. Në dialektin toskë, duke zbritur nga veriu në jug, dallon dialektin e Manastirit e të Pogradecit, të Korçës, të Kolonjës, të Myzeqesë, të Beratit, të Mallakastrës, të Kurveleshit, të Himarës, të Tepelenës, të Gjirokastrës, të Zagorisë e të Çamërisë. Edhe të folmet e Arbëreshëve të Italisë e të Greqisë i përfshin në toskërishte. Bigëzimin dialektor të shqipes, d.m.th. ndarjen në dy kryedialekte: gegërishte në Veri e toskërishte në Jug, M. Lambertz-i e sheh të kushtëzuar historikisht nga tri arsye kryesore: a) orientimi kishtar i ndryshëm i Veriut e i Jugut (i pari i lidhur me katolicizmin, i dyti me ortodoksinë), b) fatet jo të njëjta historike të këtyre trevave (Veriu dhe Shqipëria e Mesme ka shkuar më shumë me shtetet fqinje serbe e bullgare, ndërsa Jugu sidomos që prej themelimit të Despotatit të Epirit në shek. XII, ka shkuar me Bizantin dhe Greqinë, ndërsa me pushtimin osman në shek. XV feudalët shqiptarë të Jugut morën fenë islame dhe zunë poste të larta në administratën e Perandorisë), c) organizimi i ndryshëm shoqëror (rendi fisnor në Veri, sistemi feudal në Jug) dhe niveli i ndryshëm kulturor i tyre.

Këto rrethana, sipas tij, kanë ndihmuar në krijimin dhe veçimin e dy grupeve të mëdha dialektore në të majtë e në të djathtë të Shkumbinit, por dallimet ndërmjet tyre, – thekson ai, – nuk janë aspak aq të thella sa ç’është pohuar disa herë, për arsye joshkencore, nga pala e joalbanofilëve. Duke e shprehur këtë në mënyrë të figurshme, M. Lambertz-i pohon se ndërtimi i dy grupeve dialektore (gegërisht e toskërisht) nga pikëpamja fonetike, morfologjike e sintaksore është kaq homogjen, sa në të vërtetë vetëm suvaja e dy pjesëve të kësaj ndërtese është e ndryshme; dallimet ndërmjet dialektit më verior, të Grudës, dhe atij më jugor, të Çamërisë, janë më të vogla se ato ndërmjet dialektit të Torinos e të Palermos ose dialektit të Meklenburgut dhe atij të Tirolit.

Gramatikë

Fushë tjetër e rëndësishme në veprimtarinë shkencore të M. Lambertz-it është gramatika shqipe, më fort e gjuhës së sotme dhe më rrallë historikja. Ai na ka dhënë të parën monografi për sintaksën shqipe me studimin e tij të gjerë “Periudha hipotetike në gjuhën shqipe” prej 164 faqesh shtypi, botuar që më 1914. Në këtë monografi, e para e këtij lloji për gjuhën shqipe, duke shqyrtuar një lëndë të pasur, të nxjerrë nga tekstet e vjetra e të rejat dhe nga folklori, autori trajton, së pari, lidhëzat me të cilat ndërtohet fjalia kushtore, përdorimin e kohëve e të mënyrave të foljes te protaza e apodoza, më tej fjalitë kushtore asindetike, zëvendësimin e fjalisë kushtore me ndërtime të tjera,përdorimin e fjalive kushtore me funksione të tjera, më në fund jep një vështrim të përgjithshëm për fjalitë kushtore irreale. Në këtë punim shihet se M. Lambertz-i kishte arritur që atëherë ta njihte shumë mirë shqipen. Kjo e ka lejuar të zbulojë e të vërë në dukje edhe vlerat e ngjyrimet stilistike të fjalive kushtore.

Krahasimet me gjuhët romane, veçanërisht me rumanishten, si edhe me greqishten e vjetër e të renë, i japin këtij punimi një vlerë të veçantë për sintaksën e krahasuar të gjuhëve ballkanike. M. Lambertz-in e ka tërhequr vazhdimisht sintaksa e gjuhës së folur dhe e ligjërimit popullor të përditshëm. Ai është ndër të parët që i ka kushtuar vëmendje të veçantë studimit të saj, së pari, në punimin për Këngët e Kreshnikëve e më pas në një punim të posaçëm për ligjërimin popullor të qytetit të Gjirokastrës. M. Lambertz-i ka theksuar se njohja shkencore e shqipes nuk mund të jetë e plotë vetëm me studimin e gjuhës letrare dhe të dialekteve. Rëndësi të veçantë shkencore ka studimi i gjuhës së folklorit dhe i ligjërimit të përditshëm. M. Lambertz-i i ka bërë një analizë mjeshtërore sintaksës poetike të Këngëve të Kreshnikëve, duke nxjerrë në pah pasurinë e madhe e të larmishme të mjeteve shprehëse të epikës sonë legjendare….

Diplomati Mal Berisha, në 65 vjetorin e tij: Krenar që jam nga Tropoja, nga Malësia e Gjakovës, nga Shqipëria!

$
0
0

Të shtunën, diplomati dhe historiani i njohur, Mal Berisha ka mbushur 65 vjeç. Një moment i bukur, tepër emocionues dhe i rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij profesionale të cilën e ka ndarë me miqtë, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe të gjithë Shqipëtarët kudo që gjenden në Shqipëri e jashtë kufijve nëpërmjet një statusi në Facebook e tij zyrtar.

Një rrëfim i fuqishëm jetësor që të befason tek përmbledh aq mjeshtërisht 65 vite ndërsa bëhet edhe më i veçantë ndërsa shoqërohet me foto që reflektojnë momente më reale se realiteti dhe kupton se përse ky Njeri në radhë të parë e më pas diplomat është ai që është sot e përgjithmonë. Ai lartëson prindërit e tij të cilën e sollën në këtë botë në të njëjtën datë kur lindi edhe  Shën Nanë Tereza – pikërisht 26 gusht ndërsa shpreh hapur dashurinë e pafundme për natyrën si “ndikuesi më i fortë i natyrës njerëzore të krahinës time, ku ngjizen dhe harmonizohen epika, bukuria shpirtërore dhe fizike, impulset, energjitë, trimëria, zgjuarsia, shpesh herë nxitimi, arësyetimi i shëndoshë, por edhe vendimet e menjëherëshme, aksionet racionale, por edhe ngutja në vendim.”

Gjithashtu, ai nënvizon se është krenar që “përvoja e fundit e jetës time aktive në punë i shërben një kompanie të madhe, pronë e një tropojani që sot është figura me e njohur dhe më e suksesshme e biznesit shqiptar, SIGAL UNIQA Group Austria, z Avni Ponari dhe ku? Bash në Kosovën tonë të dashur!”

Më poshtë postimi i plotë i Z. Mal Berisha në Facebook:

 —

26 gusht 1952 – Gjithçka për mua filloi këtu, si sot 65 vjet më parë

Nga Mal Berisha

Në brendinë e këtij pylli gështenjor, në sfond, dikur gjëndej një shtëpi ku gëlonte jeta. Aty jetonin burra, gra, djem e vajza, nuse të reja që prisnin të bëheshin nëna, të rinj që po burrëroheshin e prisnin të martoheshin… Pikërisht aty, me datën 26 Gusht 1952, nëna ime e dashur Sibja, i fali djalin e parë babait tim tani të ndjerë, Bajramit, i cili atë kohë sapo ishte veshur me uniformën e ushtarit të Republikës.

Askush nuk e dinte atë botë se ajo ditë dikur do të ishte ditë e shënuar për tërë njerëzimin. Madje rrallëkush e dinte deri pas vitit 1990 se 42 vjet më parë në të njejtën ditë kishte lindur ajo që sot është shenjtore, Shën Nanë Tereza.

Çfarë koincidence fatlume!

Heronjtë e jetës time jane babai dhe nëna ime, në foton e parë, të cilët bënë të pamundurën për shkollimin tim i cili më hapi dyert e jetës. Prandaj iu jam mirenjohes per jetë.

Fëmijëria ime ishte e zakonëshme në atë pyll fantastik gështenjash ku buka “bëhej në degë” siç thonë ata që gështenjën e përdorin jo vetëm si frut. Vështirësitë e jetës herë i shtonte e herë i pakësonte natyra, herë e egër e herë joshëse, në atë vend alpin – malor. Sapo dilje në oborrin e shtëpisë, pamja e parë që të kapte syri ishte Shkelzeni (Shkelqen) Madhështor. Në verë ai ishte hije rëndë, impozant, gjigand, mbresëlënës, imponues, tërheqës për t’ju ngjitur deri në maje… Në dimër, i zbardhur nga bora, i hijeshëm, që të mrekullonte me bukurinë e vet. Dita çelte heret me shndritjen e majës së Shkelzenit nga rrezja e parë që Dielli lëshontë nga Lindja që vinte nga Kosova e fortdëshiruar. Vështrimi i një fëmije përhere mbetej i shtangur nga madhështia e tij. Më pas vinte dita e mbushur me hijet që lehtësonin vapen në verë, ndërsa në dimër me rréhét (udhët e çelura nëpër borë) të hapura nga të mëdhenjtë për të çarë mes për mes “tunelit” të bardhë drejt shkollës “Asim Vokshi”. Fusha e Tropojës, pemtoret me lloj lloj frutash, ku dominonte kumbulla tropojane, e zbusnini atë natyrë të cilën do ta kishin zili tërë banorët e Alpeve, kudo në botë.

Ai mjedis nuk kalonte dot pa lënë gjurmët e veta në karakterin e njerëzve. Epika madhështore, Kënget e Kreshnikëve, lahutarët me kanget “Fort po shndrit njaj Diell e pak po nxe”, kënget e trimave për luftërat pa mbarim në Malësi të Gjakovës e në Kosovë, “Col Delia sy sahati, i lumtë goja mirë vikati, vetë po shkoi Pashën po e çarti”, përbënin kontrast me e lirikat e rralla. “Moj bardhokë, bardhokë e bardhë” apo “Në drrasë të vekit kush po kan…?”

Ishte dhe është ai mjedis i Malësisë së Gjakovës që kishte rritur burra e gra që i dolën zot vatanit si Binak Alia, Col Delia, Zeqir Halili i Prifçit, Zylë Hysenja e Koraqit, Cuce Avdylja e Geghysenit, Ali Ibra i Nezajve, Haxhi Zekë Byberi, Bajram Curri e sa e sa tjerë të gjithë luftëtarë e pleqnarë që i bënin dritë atij vendi. Aty kishin gjetur strehë burrat e Kosovës dhe kryengritjet e tyre anti-osmane e kishin bazën po në atë malësi. E kjo traditë vazhdoi deri tek lufta e fundit e UÇK – së, krejt në traditën e mëparshme.

Fëmijët aty rriteshin me epikën e piskamës së burrave që lëshonin kushtrimin, me zërin e vajatoreve që i qanin trimat, më këngët e legjendave, por edhe me ritmin e tupanit që të “ngre peshe në ajër”, me zërin jehues të grave që zbukuronin dasmat, “Ngjitet kana pika pika…” e sa e sa tjera.

Ndërkohë që rritesha, malsorët e mi më bënin përherë e më krenar për prejardhjen time. Po rritesha duke u krenuar për poetët, piktorët, valltarët, muzikantët, artistët, krijuesit, këngëtarët, studjuesit, profesorët, doktorët, edukatorët, fizikantët, inxhinjerët, pedagogët që bënin çdo ditë emër në aradhën e intelektualevë shqiptare e më gjërë.

Më vonë u bënë politikanët e krahinës time ata që i dolën ballë përballë diktaturës, e sfiduan atë, i hapën udhën demokracisë, e transformuan Shqipërinë dhe i dhanë dhe i japin nder jo vetëm Malësisë së Gjakovës por mbarë kombit.

Me rastin e parë të dhënë për inisiativën e lirë, pas rënjes së komunizmit, ishin bashkëvendasit e mi që ndërtuan kompanitë më të suksesshme të kapitalizmit në Shqipëri. Ato janë sot pika referimi në kryeqytetin tonë, Tiranë, si kullat më të larta dhe më të njohura duke u bërë histori të vërteta suksesi të tregut të lirë.

Edhe pse fëmijëria ime në atë vend të bukur u ndërpre shumë shpejt, imazhet e asaj kohe më mbetën përherë në sy dhe në mëndje: Pylli i bukur i Kojelit bashkëjeton në një dialog të përjetshëm ballë përballë me gjigandin Shkëlzen.

Kujtimet e fëmijërisë lidhen më shumë se me çdo gjë me shkollën. Pata fatin të isha nxënës i shkollës 8 vjeçare “Asim Vokshi” Tropojë, aty ku kanë mësuar figura të shquara që jetonin në një rreth jo më larg se 1 km nga njëri tjetri dhe nga familja ime. Në mes tyre spikatin:

  • Profesor, Dr. Sali Berisha, Presidenti dhe Kryeministri i ardhshëm I Shqipërisë, ish-nxënësi, studenti, mjeku kardiologu, pedagogu, profesori,i shkëlqyer, antari i Bordit drejtues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe më vonë politikani që e drejtoi Shqipërinë drejt demokracisë, ekonomisë së tregut dhe botës së lire,
  • Profesor Arif Gashi, studenti më i shkëlqyer shqiptar në Moskë, i cili më vonë ra ndesh me diktaturën dhe përfundoi në burgjet e egra komuniste,
  • Profesor Zenun Mulaj, një ndër pedagogët dhe fizikantët më të ditur në Shqipëri, i urti dhe njerëzori: ish student i Universitetit të Shën Petërburgut, mësimdhënësi më i edukuar që auditoret shqiptare kanë parë në fakultetin e Shkencave, në Tiranë,
  • Poeti i shquar, Avni Mulaj autori i veprave poetike, letrare dhe dramatike “Valbona e Kaltër” “Orët e Mia”, “Currila”, “Gërsheti i luftërave” kushtuar Shote Galicës, për të përmendur vetëm disa,
  • Mjeshtri i Madh i Poezisë, Hamit Aliaj, i njohur për poezitë e tij aq të bukura,
  • Edukatori, Osman Islami, Ylli i Shkollës Pedagogjike “Shejnaze Juka” i cili iu nënshtrua persekutimit mizor të diktaturës vetëm pse e donte Kosovën dhe degjonte Radio Prishtinën.

Vitet kaluan dhe pas shumë ecejakesh, sukseshesh por dhe peripecishë, jam përsëri krenar që përvoja e fundit e jetës time aktive në punë i shërben një kompanie të madhe, pronë e një tropojani që sot është figura me e njohur dhe më e suksesshme e biznesit shqiptar, SIGAL UNIQA Group Austria, z Avni Ponari dhe ku? Bash në Kosovën tonë të dashur!

Këto pamje kaq të larmishme të natyrës me të cilën e ilustrova komentin e kësaj dite kaq të rëndësishme të jetës time ndoshta janë edhe ndikuesi më i fortë i natyrës njerëzore të krahinës time, ku ngjizen dhe harmonizohen epika, bukuria shpirtërore dhe fizike, impulset, energjitë, trimëria, zgjuarsia, shpesh herë nxitimi, arësyetimi i shëndoshë, por edhe vendimet e menjëherëshme, aksionet racionale, por edhe ngutja në vendim.

Prandaj, kudo që shkova në çdo cep të botës u ndjeva krenar kur iu përgjigja pyetjes se nga isha:

Jam nga Tropoja, nga Malësia e Gjakovës, nga Shqipëria.

Nga ky vendi që shihni në foto. Iu ktheva kujtimeve të vendlindjes time sot në këtë ditë të 26 gushtit 2017, sepse gjithçka për mua filloi këtu, si sot 65 vjet më pare në lagjen Kojel, Tropojë, Malsia e Gjakovës – më 26 gusht 1952.

“Suudeutsche Zeitung” per Ismail Kadare: Një variant i historisë së Orfeut dhe Euridikës në vitet e fundit të diktatorit Enver Hoxha

$
0
0

Thomas STEINFELD

Nje recension i botuar ne gazeten gjermane “Suudeutsche Zeitung”

Për dashurinë nuk flet ky rrëfim, në të cilin Orfeu shkon në botën e nëndheshme për ta kthyer Euridikën në jetë. Për më tepër rrëfimi ka të bëjë me vdekjen. Dashuria mes bashkëshortëve vetëm ndihmon në krijimin e rastit, në bazë të së cilit gjurmohet sa fundore është jeta dhe sa e pakthyeshme vërtet është vdekja.

Duket se grekët vështirë e durojnë këtë mendim, aq torturues është për ta, saqë çdonjërin prej heronjve të mëdhenj e dërgojnë në perandorinë e hijeve: Teseun, Herkulin dhe Odisenë. Këta tre heronj janë njerëz të gjallë. Ata vetëm i bëjnë një vizitë Hadit. Për dallim nga këta Euridika ka vdekur. Ajo duhet të sillet nga bota e nëndheshme. Kur Orfeu dështon në këtë detyrë, me fajin e tij, ai mbetet vetëm mbi tokë, rri mbi një gur dhe këndon këngë të pikëlluara, andaj shumë shpejt i ngjan një të vdekuri mes të gjallëve.

Që romani «E penguara» (në gjermanisht: «E internuara») i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, i botuar në origjinal më 2009, duhet të jetë një variant i historisë së Orfeut dhe Euridikës në vitet e fundit të diktatorit Enver Hoxha, lexuesi i vëmendshëm e vëren me gjasë tek në fund të kësaj vepre. Që ky roman rrëfen ecjen nëpër një lloj bote të nëndheshme, kjo është e qartë nga fillimi. Personazhi kryesor, një dramaturg i suksesshëm me emrin Rudian Stefa, ftohet të shkojë për bisedë në selinë e Komitetit të Partisë. Arsyen nuk e di, por ai i frikësohet më të keqes. Ndoshta ka shkelur rregullat për prodhimin e pjesëve teatrale në realizimin socialist, sepse në aktin e dytë të veprës së tij më të re përshkruan shfaqjen e një shpirti. Ndoshta e ka denoncuar e dashura, pasi gjatë fjalosjeje ia kishte përplasur kokën kundër një vitrine me libra. Ai është aq i shqetësuar, saqë flet dhe flet, ndërsa shokët që e marrin në pyetje gjithnjë e më shumë heshtin.

Rudian Stefa nuk është njeri i këndshëm dhe ndoshta është njeri i keq, nga ana tjetër ai është shkrimtar arrogant. Plotësisht egoist ai duket se pjesën më të madhe të ditëve të tij e kalon duke menduar se çka mendojnë për të njerëzit (dhe para së gjithash hetuesit e shtetit komunist), si reagojnë ndaj tij, si duhet të sillet ai ndaj tyre, nëse ky apo ai dyshim rezulton i saktë – pastaj ai vjen në këtë përfundim: «Jetojmë në botë të ndryshme».

Pak gjëra në këtë libër duken për të gjithë pjesëmarrësit reale dhe të çliruara nga detyrimi për interpretim: kafeja vietnameze në hotelin Dajti, bashkë me agjentët dhe çimkat, tabelat e lajmërimit të shfaqjeve para teatrit, ku nuk gjenden më afishet për pjesët teatrale të Rudian Stefës, librat që bien nga vitrina, kundër së cilës ai kishte përplasur kokën e të dashurës. Ajo quhet «Migena» (anagram i «Enigma»). Ajo vjen e shkon, e shtyrë nga interesat e paqarta, por disi shoqërore, dhe e vë në lëvizje historinë duke kërkuar t’i shkruhet një përkushtim në një libër për një mike me emrin «Linda B.»

Rudian Stefa është një shtegtar në botën e nëndheshme dhe ashtu siç ecën si skemë nëpër libër, konturat e të cilit mbahen bashkë nga një materializëm i mjerë, modest, por para së gjithash nga logjika e dyshimit, ashtu duket se është gjendja edhe e vendit, edhe e udhëheqësit të tij, Enver Hoxhës.

Ai shfaqet në fund të këtij romani të vogël, si burrë i sëmurë, i cili sytë e tij të ujshëm ia ka hedhur nuses së njërit prej funksionarëve të tij. Duket se bota e nëndheshme e ka përvetësuar gjithë realitetin. Ai vazhdon të ekzistojë edhe pasi udhëheqësi ka vdekur qëmoti dhe statuja e tij në sheshin Skënderbeu në Tiranë është rrëzuar: «Tani koka e statujës gjendej nën dritaren e tij. Në kafkë ishte një e çarë, pastaj një zbrazëti e madhe dhe e errët. Zhduku, imazh i poshtër, mërmëriti ai vet më vete. Klithma e masës jehoi. Në syrin e djathtë të statujës, e errët, vigane dhe e panatyrshme, dukej se qëndronin lot».

Ky dramaturg është një Orfe, tërë vendi një Had dhe sidomos minierat e bakrit, në të cilat mendohet se zhvillohet pjesa më e re teatrale e Rudian Stefës, por të cilat janë vetëm një metaforë e fatkeqësisë për fuqinë krijuese në zbehje e sipër (ose kurrë ekzistuese) të shkrimtarit. Mirëpo, nëse Orfeu i mitologjisë greke shikon vetëm njëherë gruan e tij që ecën pas tij dhe kështu përfundimisht e shpie në botën e nëndheshme, ky Orfe është një figurë, e cila pa pushuar shikon rreth vetes, në të gjitha anët, dhe për këtë arsye gjithçka dhe çdo gjë e shndërron në hije.

Fundi i shtetit komunist nuk i sqaron këto rrethana, përkundrazi. Në të vërtetë duket se është e qartë se kush është «Linda B.»: e internuara, e cila i jep edhe titullin romanit në gjuhën gjermane, një prej mijëra njerëzve të padëshiruar, të cilët regjimi i deportonte në zona të largëta, shpesh bashkë me familjet. Por, edhe e internuara është vetëm një skemë, një kujtesë e ngjallur nga kureshtja e shkrimtarit, për besueshmërinë e së cilës nuk ka garanci, ndonëse kujtesa, me këmbëngulje, insiston në vërtetësinë e saj.

Ky është një roman i vogël, i hidhur. Por, ka peshë të rëndë mentale edhe për shkak se qëndron larg nga idealizmat e ballafaqimit me të kaluarën. Nuk ka kujtim pa interes, këtë na e mëson kjo vepër, dhe nuk ka moral pa siguri të rrejshme. «Mbylle gojën, kufomë» – kështu i thërrasin shpirtit, të cilin e Rudian Stafa e prezanton në dramën e tij të mjerë dhe në kundërshtim me rregullat e teatrit socialist. Kjo fjali mund të qëndronte si moto mbi këtë libër. Sepse natyrisht që kufomat flasin, përkundër mitit antik mbi shpirtrat e heshtur. Ata madje flasin edhe brenda njeriut. Dhe a nuk do t’i dëgjosh nga arsyeja elementare se do të dish se si jetohet me vdekjen?

ATSH pjesë e platformës mediatike PNN

$
0
0

TIRANE, 28 Gusht/ATSH/- Agjencia Telegrafike Shqiptare është tashmë prezente me lajmet e saj në agjencitë më të mëdha të botës, si pjesë e një bashkëpunimi bilateral dhe intensive të vendosur gjatë kësaj periudhe.

Lajmet me reference ATSH-në, i gjen që nga agjencitë më të mëdha të Evropës si AFP, DPA, AGERPRESS e të tjerë, e deri tek agjencitë zyrtare të lajmeve të Kinës, Koresë së Jugut, Kuvajtit, Jordanisë, Armenisë e të tjerë.

Kjo ka mundësuar që zhvillimet më të rëndësishme politike, ato ekonomike, vlerat dhe resurset turistike të vendit tonë, traditat dhe elementë të spikatur të historisë dhe figurave shumëdimensionale që ka nxjerrë Shqipëria, të jenë pjesë e lajmeve që botohen nga këto agjenci.

Prej disa ditësh, ATSH është bërë pjesë e platformës mediatike PNN e cila është iniciuar dhe menaxhohet nga agjencia koreanojugore YONHAP.

Në këtë platformë mediatike sot janë të përfshira më shumë se 40 agjenci nga të pesë kontinentet dhe në bazë të marrëveshjes që është nënshkruar midis ATSH-së dhe YONHAP në nëntor të vitit 2015, është mundësuar kjo përfshirje.

Lajmet dhe fotot që botohen këtu vendosen në faqet e kësaj platforme direkt nga gazetarët e përkthyesit e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, duke mundësuar kështu jo vetëm transmetim të shpejtë, por edhe një hapësirë të madhe mediatike.

Nga kjo platformë kanë të drejtë të marrin lajme të gjitha agjencitë e përfshira dhe ky akses i krijuar është një mundësi më shumë që lajmet që i referohen Shqipërisë, të botohen nga të gjitha këto agjenci.

Platforma PNN është një platformë e re mediatike, por ajo po zgjerohet çdo ditë dhe po rritet interesimi për të qënë prezent këtu dhe për të komunikuar nëpërmjet kësaj.

ATSH me prezencën e saj të përditshme këtu me lajme , foto dhe video ka ridimensionuar në mënyrë shumë optimiste rolin e saj, veçanërisht në marrëdhëniet me agjencitë dhe shtypin e huaj në përgjithësi. /a.g/

Ermonela Jaho do të ngjitet në skenën e “Teatro Colón” në Argjentinë

$
0
0

Me rolin kryesor të një prej operave më të famshme të Giuseppe Verdit, sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho do të ngjitet në skenën e “Teatro Colón”.

Në një prej shtëpive më të mëdha operistike që ndodhet në Buenos Aires të Argjentinës, Jaho do të interpretojë rolin e Violetta Valery, personazhit kryesor të operës “La Traviata”.

Në faqen zyrtare të “Teatro Colón” janë publikuar datat e shfaqjes së operës, bashkë me një përshkrim për të. Jaho do të ngjitet në skenën e shtëpisë operistike që është radhitur prej më të mirave në gjithë botën nga “National Geographic”, më 12, 15, 17 dhe 19 shtator.

“La Traviata” është një histori dashurie, ku bashkë me të vjen edhe sakrifica dhe keqkuptimet dhe konsiderohet si një prej operave më të njohura dhe vlerësohet për personazhet komplekse.

Viewing all 14404 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>