Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all 14404 articles
Browse latest View live

Mozaiku i Tiranës nxit interesin e të rinjve për trashëgiminë kulturore

$
0
0

Në kuadër të aktiviteteve për njohjen e trashëgimisë kulturore, shkolla Feniks, zgjodhi Mozaikun e Tiranës për të zhvilluar një orë mësimi për trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Tema ku u përqëndruan ishin objektet e poçarisë, pitosët, amforat dhe mënyra se si punoheshin ato në lashtësi. Nxënësit e shkollës u pritën nga specialistët e Sektorit të Tiranës, Anila Dauti dhe Zana Sako janë dy specialistet e përkushtuara të trashëgimisë në DRKK, sektori i Tiranës, që nuk ‘lodhen’ të rrëfejnë historinë e Mozaiku i Tiranës dhe gjithë sa lidhet me trashëgiminë kulturore.

Historiku i Mozaikut të Tiranës

Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë së I-rë, është siti arkeologjik më i vizituar i qytetit.

Zbuluar në vitin 1972 gjatë punimeve për ndërtimin e një banese në bllokun Partizani, ky sit është në vëmendjen dhe përkujdesjen e vazhdueshme të specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare – 14947772_1831066557129364_8605020671882665372_nDurrës dhe Sektorit të Tiranës, të cilët në mbrojtje të trashëgimisë kulturore kanë zhvilluar gjatë ditëve të fundit një proces pastrimi në kuadrin e mirëmbajtjes së objekteve arkeologjike.

Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llac gëlqere dhe pluhur tjegullash. Mozaiku i Tiranës është restauruar në vitin 1976.


Nënë Tereza, pjesë konkrete e ish Murit të Berlinit në 27-vjetorin e rënies

$
0
0

Është kujtuar ditën e sotme 27-vjetori i rënies së Murit të Berlinit. Portretet e personaliteteve të njohura si Nënë Tereza, Gandi, Nelson Mandela, Aung San Suu Kyi janë vizatuar në pjesë konkrete të ish murit të Berlinit, në Teltoë të Gjermanisë. Këto pjesë të Murit të Berlinit janë në shitje, 27 vjet nga rënia e tij, shkruan agjencia europiane e fotografisë, e cila publikon foton.

Muri i Berlinit (gjermanisht Berliner Mauer) ishte një barrierë e ndërtuar nga Republika Demokratike e Gjermanisë. Data 9 Nëntor shënon 27-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Kjo datë simbolizon rënien e komunizmit në Evropë. Pak pas mesnatës së 13 gushtit 1961, qeveria gjermane u dha urdhër 40 mijë ushtarëve dhe policëve gjermano-lindorë të bllokonin me tela me gjemba gjithë kufirin, duke lënë vetëm 13 pika kalimi për në Berlinin Perëndimor. 10 mijë kilometra tela u shtrinë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor.

Muri u përforcua herë pas here dhe deri në vitin 1989 ai numëronte 45 mijë blloqe betoni dhe 302 kulla vëzhgimi.

Muri i Berlinit u ndërtua për të ndalur largimin e gjermano-lindorëve drejt perëndimit, duke u kthyer në simbolin e mungesës së lirisë, si dhe ndarjes politike të bllokut lindor me atë perëndimor.

Megjithë këtë barrikadë, qindra njerëz morën guximin për të kaluar në anën tjetër, disa arritën të arratisen. 270 vetë u vranë gjatë tentativës për t’u arratisur, duke kapërcyer murin, duke kaluar nën të, ose nëpërmjet pikave të kalimit, 3200 u arrestuan kur po përpiqeshin të kalonin Murin. 5 mijë gjermano-lindorë arritën të shkonin në Berlinin Perëndimor. Më shumë se 75 mijë qytetarë u burgosën për tentativë arratisje nga Gjermania Lindore. 1 vit pas rënies së Murit të Berlinit Gjermania u ribashkua.

“Stacione”, një udhëtim arkitektonik në Shqipëri

$
0
0

Në ambientet e Qendrës Rinore është hapur ekspozita “Stacione – Një udhëtim arkitektonik”, një studim i ndërtesave në shërbim të transportit në Shqipëri, si një tipologji arkitektonike, evoluimi i së cilës nuk është trajtuar më parë. Në këtë kategori përfshihen të gjitha llojet e transportit, duke filluar nga ai automobilistik, hekurudhor, detar e deri tek ai ajror.

Kjo ekspozitë është një tentativë për të kthyer vëmendjen në një kapitull të pashkruar të historisë së arkitekturës shqiptare, në trashëgiminë e realizmit socialist. Duke hedhur vështrimin në një periudhë me aktivitet ndërtimor intensiv dhe duke vlerësuar të thyer tabunë e përballjes me historikun e zhvillimit të vendit gjatë komunizmit, synohet të evidentohen vlerat arkitektonike e ndërtimore të periudhës 1945 – 1990.

Ekspozita fokusohet në studimin e ndërtesave në shërbim të transportit në Shqipëri, si një tipologji arkitektonike, evoluimi i së cilës nuk është trajtuar më parë.  Këtyre ndërtesave u janë  referuar me termin ‘stacione’, ku në aspektin arkitektonik, më të hasurat dhe më domethënëset janë stacionet hekurudhore që shpeshherë shërbenin edhe si stacione për autobusët ndërqytetës.

Nisma është vijim i një projekti kërkimor që po zhvillon Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (UPT) në bashkëpunim me Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit (MZHU). Njohja, dokumentimi, evidentimi dhe studimi i veprave arkitektonike, urbane dhe ndërtimore të realizuara gjatë regjimit totalitar, janë objektivat kryesorë të projektit që ka filluar në vitin 2014. Ky kërkim, është një studim tipologjik i arkitekturës dhe mbështetet mbi traditën e shkollës shqiptare, e cila ende sot, formimin e bazon në eksplorimin e tipologjive ndërtimore dhe funksionale. Pas dy ekspozitave të mëparshme (Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton’, Prill 2015 dhe ‘Ndërtesa të bardha – Arkitektura e spitaleve’ 1945-1990, Dhjetor 2015), këtë radhë, vështrimi ndalet tek arkitektura e stacioneve.

Në këtë ekspozitë paraqiten projekte të spikatura në krijimtari dhe kërkim arkitektonik, të cilat përfaqësojnë përpjekjet për një arkitekturë të lirë dhe komunikuese. Ndër projektuesit kryesorë të stacioneve, veçohen Agim Shehu, Anton Lufi, Arben Meksi, Koço Çomi, Koço Miho, Mimoza Kroi etj..

Përveç të kuptuarit të së shkuarës, kjo ekspozitë mbi stacionet kontribuon në debatin aktual mbi rolin e transportit publik. Ndërkohë, stacionet janë një aset i harruar i trashëgimisë materiale dhe historike të strukturave ndërtimore në qytetet tona. Përmes njohjes, studimit dhe vlerësimit të këtyre ndërtesave, synohet të nxitet vëmendja për ruajtjen e vlerave historike dhe arkitektonike që ato mbartin.

Vështrimi tipologjik i arkitekturës shqiptare, në periudhën 1945 – 1990, vjen si nismë për të njohur vetveten përmes arkitekturës dhe për të hedhur dritë mbi trashëgiminë e një periudhe me shumë hije.

Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur edhe ditën e neserme, ora 18:00, Qendra Rinore e Tiranës, Rruga e Kavajës.

Gjergj Kastrioti, princit të Tarentes: Ja kush janë shqiptarët e mi

$
0
0

“Sa për Shqiptarët e mi, ti nuk i njeh ata ; Ne jemi trashëgimtarë të Epiriotëve, që u dhanë për armik Romakëve, Pirron, dhe të Maqedonasve, që i dhanë Indisë si fitimtar Aleksandrin. Dhe për çfarë po më flet, ti, për Tarentinët e tu”…

Nga Aurenc Bebja

Autori zvicerran, Charles Didier (1805 – 1864), në librin e tij « Raccolta, Mœurs Siciliennes et Calabraises » të botuar në vitin 1844 në Paris, u ka dedikuar një kapitull shqiptarëve të Kalabrisë (« Les Albanais en Calabre »), ku dhe vë në dukje kontributin e Gjergj Kastriotit ndaj mbretit të Napolit, Ferdinandit të I-rë.

 Zoti Didier – i bazuar tek historiani napolitan, Giovanni Antonio Summonte – flet për një letërkëmbim mjaft interesant mes Princit të Tarentes dhe heroit tonë, por para së të arrijmë tek ai, nevojitet pak retrospektivë.

 Në vitin 1454, babai i Ferdinandit, mbreti Alfons d’Aragon ishte ndër të vetmit që i përgjigjet thirrjes së Gjergj Kastriotit për të luftuar perandorinë osmane, dhe si arsye i dërgon atij disa trupa nën urdhërat e Raymond d’Ortaffa-s.

 Ndërsa, në vitin 1462, Gjergj Kastrioti, mirënjohës ndaj Aragonëve, i shkon në ndihmë mbretit të Napolit, Ferdinandit të I-rë, i cili rrezikonte asokohe fronin e tij përballë Dukës së Anjou-së (Anzhusë) dhe Princit të Tarentes.

 Para ndërhyrjes së trupave shqiptare në Italinë jugore, Princi i Tarentes i nënvlerësonte ato dhe strategun legjendar, por Princi i Matit dhe mbreti i Shqiptarëve i ka dhënë atij përgjigjen e duhur, si fillim me shkrim dhe më pas në terren.

 Letërkëmbimi në vijim :

 Princi i Tarentes, Jean – Antoine Orsini (Giovanni Antonio) :

 « Çfarë të kam bërë që vjen dhe më sulmon në tokat e mia ? Ti kujton se do të përballesh me turqit e tu të dobët ; kij kujdes. Ne i krahasojmë Shqiptarët e tu me delet, dhe ne ndihemi të besdisur ndaj armiqve kaq të neveritshëm. Në pamundësi të mbrosh çatinë tënde, ti vjen të pushtosh çatinë tonë. Ti do të gjesh këtu vetëm varrin tënd. »

 Sovrani i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti :

 « Ti nuk je më pak Turk sesa Turqit vetë, megjithëse thonë për ty se nuk i përket asnjë feje. Sa për Shqiptarët e mi, ti nuk i njeh ata ; Ne jemi trashëgimtarë të Epiriotëve, që u dhanë për armik Romakëve, Pirron, dhe të Maqedonasve, që i dhanë Indisë si fitimtar Aleksandrin. Dhe për çfarë po më flet, ti, për Tarentinët e tu, racë nevrike që është e aftë vetëm për të peshkuar. Në rast se gjej varrin tim këtu, Perëndia, e cila është në dijeni për mendimet e mia, do të më gjykojë. »

 Si përfundim, lideri shqiptar, guximtar dhe fuqiplotë, rrugës për në Napoli, fiton betejën e Tranit, përshkon fushat e Pouille-s (Puglia-s) me kalorësit e tij, shpartallon ushtrinë e Princit të Tarentes dhe kontribon në fitoren vendimtare të Troïa-s, e cila u siguroi kurorën mbretërore Aragonëve, pra Ferdinandit të I-rë.

 Darsiani.com

Poezi me mendim të thellë dhe mjeshtri artistike befasuese

$
0
0

Nga Halil Rama/Në praninë e dhjetëra krijuesve dhe intelektualëve më të mirë, jo vetëm nga Dibra, por nga e gjithë Shqipëria, Dr.Astrit Gjunkshi promovoi të shtunën, më 5 Nëntor 2016, librin e tij të parë poetik “Botët brenda shpirtit”. Si redaktor i librit, pata privilegjin të isha ndër të parët lexues dhe vlerësues të këtij libri të ndarë në tetë pjesë, apo botë. Në këtë sprovë, u ndjeva mirë që isha në të njëjtën linjë me recensentët: Dr.Gëzim Alpion (Sociolog, Univeristeti i Birminghamit – Britani e Madhe) e Sami Milloshi (gazetar, Boston – SHBA), si dhe me poetin e talentuar Martin Cukalla, në vlerësimin e Dr.A.Gjunkshit si poet-filozof, duke sjell për lexuesin poezi me mendim të thellë dhe mjeshtri artistike befasuese.

Libri “Botët brenda shpirtit”, me 100 poezi dhe poema të Dr.Astrit Gjunkshit, dëshmon një hop jo vetëm sasior por edhe cilësor të këtij poeti. Dëshmi e këtij hopi janë qoftë edhe vetë titujt tepër sinjifikativ të kapitujve të këtij vëllimi, si:“Bota sfiduese e filozofisë së jetës”, “Bota magjike e dashurisë”, “Bota  ëndërrimtare e fëmijërisë”, “Bota  e shenjtë e Familjes”, “Bota  drithëruese e identitetit”, “Bota  mëkatare e politikës”, “Bota  e ndjeshmërisë për qytetërim” dhe “Bota  frymëzuese e të mëdhenjve”(poema). Ndërtimi kompozicional i këtij libri, me tetë  kapituj, është interesant e disi i veçantë, duke ndërthurur dy linja që ecin paralel me njëra-tjetrën: atë të traditës dhe atë të dashurisë njerëzore. Nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, në  poezitë dhe poemat e librit, këto dy linja zbulohen më të plota e më bindëse. Dhe siç shprehet vetë poeti që në parathënien, në vargje “Botët brenda shpirtit” (një risi kjo në tërësinë e botimeve tona letrare): “Ka botë të tëra ende pa zbuluar/ shkenca çan përpara me mund e krijim/ sepse gjithësia është e ndërlikuar/ njerëzimi piqet, kërkon çdo shpjegim….”.  Në vetvete këto vargje përbëjnë një sentencë me të cilën poeti shtjellon gjithë shtratin e tij poetik, me mjedise estetike elitare, me një gjuhë të zgjedhur dhe leksik mjaftë të pasur. Në këtë libër bie në sy hopi cilësor që e karakterizon, si në aspektin e rritjes së mjeshtërisë artistike, ashtu edhe të zgjerimit të gamës e konceptimit të realitetit. Në poezitë dhe poemat e këtij vëllimi gjejmë përshkrime plotë finesë. Përgjithësisht autori operon me një strukturë figuracionesh të ngjeshura, origjinale, që të befasojnë me të papriturën që krijon situatë poetike. Në këtë këndvështrim, autori shprehet me kumtin e tij, për “fëmijërinë, si një ëndërr e bukur”(Në centrifugën e jetës); për “Zgjidhjet e mahnitshme (të shkencës) që s’i rrokte mendja” (Përjetësi) apo dhe “për rrugët e jetës mbushur plot me kthesa”(Kthesat e jetës). Poezia filozofike e Dr.Astrit Gjunkshit të ndihmon të kuptosh universin e dashurisë, për të cilën ai shprehet: “Të gjithë bashkë pa urrejtje/ në harmoni edhe pse ndryshe/ krijesa të dashurisë jemi/ botën shtëpi tok e kemi”.

Dr.Shk.Astrit Gjunkshi u doktorua për Siguri Globale pas marrjes së gradës Master i Shkencave në Universitetin e Cranfield, në Britaninë e Madhe dhe përfundimit të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s në Romë. Pjesëmarrrësit e shumtë në këtë takim promovues, organizuar në mënyrë perfekte nga botuesit “M&B (Miranda e Bujar Karoshi – ndër botuesit dhe promovuesit më të suksesshëm të krijimtarisë së poetëve, prozatorëve, publicistëve e historianëve dibranë), në një mjedis mjaftë të këndshëm te Taverna “Tafaj”, patën kënaqësinë ta përjetojnë poezinë brilante të Dr.A.Gjunkshit nëpërmjet interpretimit të tyre nga ikona e skenës dhe ekranit, Margarita Xhepa, si dhe nga mjeshtri i fjalës artistike, regjisori i mirënjohur Xhelil Aliu.

Duke shprehur bindjen, se qoftë edhe me këtë vëllim poetik, Dr.A.Gjunkshi hyn me dinjitet në fondin e artë të letrave shqipe, e uroj atë përzemërsisht për krijimtari edhe më të suksesshme në të ardhmen.

 

“Festivale që përkojnë” për herë të parë në Shqipëri dhe Maqedoni

$
0
0

CutAway Film Production dhe Distribution Company kanë nisur një mënyrë distribucioni teresisht inovativ të quajtur “Festival-to-date” për herë të parë në Ballkan, një nismë e mbështetur nga Programi i Medias i Komisionit Europian për testimin e terreneve për distribucionin. Kjo do të thotë që disa filma do të jenë të vlefshëm në platformën VOD në të njëjtën kohë që prezantohen ne Festivale.

Filmi Hollandez “Clean hands” do të thyejë akullin me projeksione të njëkohëshme më 11 nëntor në orën 17.00 përgjatë Cinedays Festival I filmave Europiane në Shkup dhe në Tirana International Film Festival, po ashtu edhe në kinematë ë shesheve në VOD Platform në të dyja vendet.

Kjo do ti ofrojë publikut një zgjedhje për të parë produksionë cilësorë Europiane dhe për të fuqizuar disa filma që ndryshe do të kishin vetëm disa shikues fatlumë që mund të ndjekin festivalet. Po ashtu, bashkëpunimi mes Cinedays nga Shkupi dhe Tirana Film Festival do të tregojë një mënyrë tjetër bashkëpunimi mes festivaleve në Europë. Ky aktivitet do të përmirësojë marrëdhëniet mes festivaleve, distributorëve, agjentëve të shitjeve dhe VOD Platform për të sjelle filma cilesorë europiane tek një publik I ri. Filmi I Tjebbo Pennings, “Clean Hands”, tani do të bashkojë dy vende në të njëjtën datë, publikun Shqiptar dhe Maqedonas me festivalet më të mëdha të dy vendeve dhe njëherazi do të jetë I vlefshëm edhe në VOD. 

Shkruar nga Carl Joos, “Clean Hands” është një triller mbi pazaret e drogës dhe pasojat e krimit në një familje në dukje normale.

 

ALBANIA
TIRANA INTERNATIONAL FILM FESTIVAL November 11th at 17:00
TIFF: Daily Screenings
VOD PLATFORM: Cinesquare (hyperlink to be inserted)

MACEDONIA
CINEDAYS FESTIVAL OF EUROPEAN FILMS November 11th at 17:00
Cinedays: Gala Premieres
VOD PLATFORM: Cinesquare (hyperlink to be inserted)

Turizmi shqiptar në Londër, mbështetje nga Dhoma e Lordëve

$
0
0

Vlerat dhe mundësitë që ofron turizmi në Shqipëri kanë zbritur për herë të parë në Dhomën e Lordëve të Parlamentit Britanik ku u mbajt aktiviteti “Arritjet dhe e ardhmja e industrisë turizmit në Shqipëri”. Ministrja Ekonomi u shpreh se turizmi shqiptar ka një aset vlerash ku mund të gjejë hapësirë gjithkush

Shqipëria turistike është prezantuar për herë të parë në Dhomën e Lordëve të Parlamentit Britanik ku u mbajt aktiviteti “Arritjet dhe e ardhmja e industrisë turizmit në Shqipëri”.

Lord Alan Watson of Richmond ofroi mbështetje për promovimin e mëtejshëm të turizmit në Britaninë e Madhe, ndërsa Ministrja e Ekonomi prezantoi disa ndër resurset  më të veçanta të turizmit shqiptar.

“Mikëpritja shqiptare, të cilën e nënvizoi në fjalën e tij i nderuari  Lord Watson of Richmond dhe zonja Moon, është një aset me vlera për turizmin shqiptar. Por, Shqipëria me mikpritjen e saj mund të tregojë këndshëm  historinë e saj, muzetë e rinovuar rishtazi apo edhe ato vende të cilat kanë marrë statusin e mbrojtjes nga UNESCO. Shqipëria është një vend i bukur dhe i sigurt. Është një vend që ofron mundësi të shijosh bregun, kodrën dhe malin, por edhe kuzhinën e shijshme të gatuar me produkte bio dhe lokale. Shqipëria  është një vend i sigurt, ku toleranca fetare është një vlere e shtuar në historinë dhe mikpritjen njerëzore.”

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe investitorë britanikë, operatorë turistike nga Shqipëria dhe Britania e Madhe, biznesmenë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Britani të Madhe.

Panairi i Librit, mbizotërojnë autorët e huaj, ata vendas marrin vëmendjen

$
0
0

Titujt më të ri dhe emrat më të njohur, kjo është oferta që botuesit tentojnë ti paraqesin lexuesit shqiptar në Panairin e Librit. Kryesojnë autorët e huaj, por qasja e lexuesve duket e orientuar drejt atyre shqiptare.

Romanet dhe autorët e huaj kryesojnë ofertën për lexuesin në Panairin e librit, por vëmendjen dhe rekordet e shitjeve i vendosin shqiptarët.

“Kryeministri” i Ben Blushit, “Pushteti” i Blendi Fevziu, “Esat Pasha” nga Ilir Ikonomi, por dhe “Ëndrra e Doktorit” nga Besnik Mustafaj, janë vetëm disa nga titujt shqip që po shënojnë sukses.

“Mikesha Gjeniale” dhe Muza e Harresës” janë dy nga titujt që sjellin në shqip Elena Ferrante dhe Goliarda Sapienzan, me dy rrëfime të jashtëzakonshme

Nobelisti japonez Kenzaburo OE, Mateo Mandala, Buzati, etj janë vetëm disa nga emrat e njohur botërisht të penës që vijnë në shqip me librat më të rinj.

Nuk mungojnë as përfaqësuesit e letërsisë së rajonit si Vasilis Vasilikos dhe Marica Bodrozic.

Historitë dhe librat historikë mbeten të preferuar nga shqiptarët.

Por përtej titujve dhe emrave më të njohur, Panairi i Librit mbetet një mundësi ku çdo lexues mund të gjejë atë që kërkon.


“Don Kishoti” i Servantes ngjitet në fundjavë për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar

$
0
0

Në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet premierë këtë fundjavë komedia “Don Kishoti”.

Regjisori Klajd Ymeri, ndërsa flet për detajet e kësaj sfide artistike, shpreh besimin se kasti i aktorëve do të sjellë mjeshtërisht në skenë kryeveprën e Servantesit.

 

Ndahet nga jeta shkrimtari dhe publicisti Bahri Myftari

$
0
0

Me hidhërim të madh lajmërojmë se sot më 11 nëntor 2016, u nda nga jeta shkrimtari, publicist dhe aktivisti shoqëror Bahri Myftari.

Bariu lindi në Elbasan në vitin 1944, në një familje të njohur. Atje u edukua dhe u shkollua dhe më pas kreu studimet në Institutin Pedagogjik dhe u diplomua si mësues. Profesionin më fisnik nën diell atë të mësuesit e ushtroi në disa fshatra të Elbasanit dhe më pas në qytetin e Elbasanit. Ai u dallua mbi shokët e tij për përkushtimin e edukimit të brezit të ri.

Por ajo që e bëri një personalitet të njohur në Shqipëri dhe jashtë kufijve ishte aktiviteti si shkrimtar. Ai filloi të botojë në moshë të re dhe provoi disa gjini, dramën, reportazhin, por u shqu në gjininë e tregimeve.

Ai botoi një korpus të vërtetë përmbledhje me tregime, që janë pritur e vlerësuar nga lexuesi i gjerë.

Tregimet e tij u vlerësuan nga autoritete të njohura si Vath Koreshi, Perikli Jorgoni, Behar Gjoka, Koçi Petriti, Teodr Laço, Gëzim Zilja, Enver Lepenica, Qazim Shehu, Anastas Kondo, Bardhosh Gaçe etj.

Të gjithë këta kanë vënë në dukje veçoritë e tregimeve të tij që dallojnë dhe se prurjet e tij në fushën e letërsisë së ditëve tona janë me vlera.

Bahri Myftari është dalluar edhe si aktivist shoqëror, ai me mençuri dhe shpirtin e tij demokratik, pa degradimin e sistemit diktatorial komunist dhe u radhit në vijën e parë të luftëtarëve për të përmbysur atë diktaturë.

Në sistemin demokratik ai ishte një nga krijuesit dhe udhëheqësit e Partisë Socialdemokrate dhe luftoi me të gjitha forcat për triumfin e idealeve demokratike.

Bahri Myuftari u shqua edhe në fushën e publicistikës, në krah të publicistëve të njohur Fahri Balliu, Astrit Nuri, Xhevat Mustafa etj ai dha kontributin e tij të vlefshëm për triumfin e ideve demokratike.  Edhe në pension ai ishte njeri aktiv dhe ishte çdo ditë në punë, me shkrime publicistike, me tregime në shtypin e përditshëm, me pjesëmarrje e diskutime në aktivitet kulturiore, në çdo rast duke dhënë mendimin e tij me guximin që e karakterizonte dhe me qytetari.

Humbja e tij, është humbja e një intelektuali dhe shkrimtari që nuk bënte gjumë për problemet e shoqërisë sonë.

Ngushëllime familjes. Qoftë i pa harruar emëri dhe vepra e tij letrare dhe shoqërore.

Lamtumirë miku jonë i shtrenjtë.

 Fahri Balliu, Serxhio Mazreku, Kastriot Frashëri, Enver Memishaj, Gëzim Zilja, Agim Musta, Qazim Shehu, Behar Gjoka, Bardhosh Gaçe, Bajram Karabolli, Xhevat Mustafa, Mujo Buçpapa, Zenel Hysa, Moikom Zeqo, Albert Zholi, Hysen Sinani, Koçi Tahiri etj.  

“Ëndrra e doktorit”, Besnik Mustafaj provokon e satirizon përmes groteskut

$
0
0

Besnik Mustafaj ka provokuar fort në librin e tij të fundit “Ëndrra e doktorit”. Ai rikthen protagonist Doktor Adhamudhin e Andon Zako Cajupit, për të satirizuar politikanët e sotëm, por duke i dhënë personazhit dimensionin e gjithëkohësisë në problematikat që mbart e përcjell.
Mustafaj: Besoj se është gjithëkohësia shqiptare në raport me problematikën që mbart doktor Adhamudhi.
Po kush është Doktori me ëndrra? Për autorin lidhja e personazhit me një emër konkret do të ishte ngushtim i pamjes. Nësë e lidhni me Sali Berishën, Mustafaj është i aftë të gjejë analogji më të fortë me Edi Ramën.
Mustafaj: Asosacionin shumë më të qartë e gjeni në njjë intervistë të Edi Ramës, babait të rilindjes së sotme, i cili sapo u bë Kryeministër thotë se obsesionet e mia janë vdekja dhe përjetësia.Në këtë kuptim i gjen kudo dhe do të ishte ngushtim i pamjes nëse do të mbetej vetëm tek Doktori, Kardiologu.
Përmes groteskut gati të pashpirt, Mustafaj prek temat e tij të pëlqyera si lidhja me historinë dhe marrëdhënia kujtesën, ndërsa vlerëson së një shekull diçka nuk ka ndryshuar.
Mustafaj: Elita drejtuese, udhëheqëse shqiptare ka pasur një këmbëngulje shumë të madhe për ti përqëndruar tek vetja edhe lavdinë, edhe të kaluarën, edhe të ardhmen, edhe paranë.

Violonçelisti virtuoz Redi Hasa

$
0
0

Pak ditë më parë në NYU Skirball Center for the Performing Arts në Manhattan, orkestra spektakolare e pianistit e kompozitorit italian Ludovico Einaudi, mbajti një koncert artistik si pjesë e turneut të tyre botëror me pjesëmarrjen e mijëra artëdashësve si dhe muzikantëve profesionistë të nacionaliteteve të ndryshme. Eshtë një ansambël muzikor i përbërë prej instrumentistësh me famë botërore, ku bën pjesë edhe violonçelisti virtuoz shqiptar Redi Hasa. 

Kryesisht meloditë e kompozimet e tyre performohen si kolona zanore nëpër filma të suksesshëm Hollivudian si: “The Intouchables”, “Doctor Zhivago”, “I’m Still Here”, “Nocturnal Animals”, etj. 

  Përshëndetje Redi!

Përshëndetje!

 Për ju është hera e parë që vini në SHBA si violonçelist së bashku me orkestrën e njohur me famë botërore të Ludovico Einaudi-t?

Eshtë hera e dytë, që vij si instrumentist. Herën e parë kam ardhur në mos gaboj, para 2 vitesh, me albumin TimeLapse gjithnjë me Ludovico Einaudi-n.

 Po në Shqipëri a keni patur rast të performoni me këtë orkestër?

Në Shqipëri ende jo. Por po flitet ndoshta për të organizuar një Koncert në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Të shikojmë, mbase nga viti tjetër.

 Sa kohë keni që bashkëpunoni me Ludovicon?

Bashkëpunimi me Ludovicon ka nisur rreth 4 vite më parë, në jugun e Italisë ku unë jetoj prej 20 vitesh. Ludovico ishte i ftuar në një festival shumë të madh që mbahet në Itali dhe që quhet La Notte della Taranta. Ky është ndër festivalet më të mëdhenj në Europë që vlerëson traditën e muzikës tradicionale të territorit, të Lecce-s. Ludovico ka qenë i ftuar si drejtor artistik dhe drejtor gjeneral i orkestrës së Tarantës, që përbëhej nga 36 elementë pak a shumë.

 Si muzikant i talentuar, si janë raportet tuaja me skenën e muzikës shqiptare?

Kam 20 vjet që mungoj nga Shqipëria. Fatkeqësisht jam shkëputur pak edhe nga territori, por kam një dëshirë shumë të madhe të kthehem dhe të prek skenën e Shqipërisë. Eshtë një mall, një dëshirë…. Më mungon jashtë mase.

 Ju Redi, keni edhe një vëlla pianist. Sikurse edhe ju, ai ka arritur majat e suksesit në Itali, apo jo?

Po, është e vërtetë. Im vëlla është pianist klasik dhe shpeshherë organizon koncerte me orkestrën e Teatrit të Operas ne Tiranë.

 Edhe ai jeton në Itali?

Po, edhe ai jeton në Itali, por i ka ruajtur të themi kontaktet. Ndërsa unë jam larguar nga Shqipëria i vogël, kështu që kam humbur pak kontaktet me artin në Shqipëri, por e ndjek nga larg dhe jam shumë i informuar për gjithçka ndodh atje.

Sa ju ndjek publiku shqiptar?

Sinqerisht nuk e di.

Mendoni se ka pasur artëdashës shqiptarë sonte në koncertin tuaj, këtu në Manhattan?

Shpresoj që po.

Planet tuaja për të ardhmen në fushën e muzikës?

Kam një projekt në dorë. Sapo kam rregjistruar një disk që do të dalë në shkurt. Eshtë një duet me violonçel dhe vokal. Inçizimet i kemi realizuar në Londër në studion e Peter Gabriel “Real World”. Jemi në pritje të publikimit të këtij disku dhe jemi shumë të kënaqur. Eshtë një projekt që shikon nga njëra anë Shqipërinë dhe nga ana tjetër vendin ku unë jetoj prej shumë vitesh. Gjithmonë kam lidhje me Shqipërinë, nuk jam ndarë asnjëherë edhe pse larg. Eshtë një lidhje që dua ta forcoj sa më shumë dhe t’i afrohem sa më shumë vendit tim.

A keni koncerte të tjera pas New York-ut, si pjesë e këtij turneu botëror?

Po, patëm dy performanca dy netë me rradhë në New York, ku sonte ishit edhe ju që na ndoqët. Ndalesa tjetër do të jetë në Washington, DC. Kemi bërë gati 15 koncerte deri më tani, kemi qenë në San Francisco, më pas në Kanada, Toronto e Montreal. Kemi bërë një turne të Amerikës dhe shpresojmë të kthehemi përsëri.

Nga instrumentet që pamë në skenë, dukej sikur kishit përfshirë edhe instrumente popullore.

Magjia e këtij koncerti është ndërthurrja e instrumenteve. Ludovico i ka zgjedhur instrumentet me shumë kujdes. Ka nga ato që vijnë nga tradicione popullore dhe ka të tjera që shohin eksperimentimin e zërit, eksperimentimin e tingullit.

 Sa vura re orkestra juaj ishte e pajisur me instrumente tepër interesantë. Më tërhoqi syrin edhe një vaskë xhami me ujë. Cili është roli i saj në orkestër, ç’farë impakti muzikor i jep pllaka e metalit vendosur brenda saj?

Instrumenti në ujë është thjesht një vaskë me ujë. Duke futur brenda një peshë metali, një pllakë metali, nga uji dalin tinguj shumë natyral dhe kjo shërben për të marrë tingujt e natyrës, për t’i marrë dhe për t’i organizuar. Ludovico ka bërë një punë jashtë mase të mirë në organizimin e të gjithë tingujve, që në fakt quhen “Elemente”, ashtu si edhe titulli i albumit, pra duke marrë elementet dhe duke i bashkuar bashkë.

 Shumë faleminderit Redi dhe suksese! Ishte vërtetë kënaqësi që u takuam.

Faleminderit edhe juve. Shumë kënaqësi edhe për mua.

Intervistoi: Mimoza Dajçi

Panairi i 19-të i librit, shpallen fituesit

$
0
0

Panairi i 19-të i Librit, një ditë para mbylljes ka shpallur fituesit. 3 cmimet fituese të këtij edicioni u vlerësuan nga juria e përbërë nga Lili Sula, Tonin Cobani, Agim Baçi, Jorgji Qirjako, dhe Alida Cenaj.

Kryetarja e jurisë së Panairit të 19 të Librit, Lili Sula, u shpreh se:”Kemi pasur 107 tituj të zhanreve dhe  të tipologjive të ndryshme. Mbrëmë vonë kemi arritur në një gjykim përfundimtar për librin më të mirë të vitit në letërsinë artistike, për librin më të mirë të përkthyer në shqip dhe për librin për fëmijë”, tha Sula.

Kështu që autor i vitit u vlerësua Agron Tufa për librin me poezi “Kafsha apo fantazma” me motivacionin “Për një perceptim origjinal intelektual dhe emocional të mbrujtjes së hapave të njeriut”

“Duke mos pasur fare kohë është shkruar ashtu si unë e quaj penallti në ecje. Për fat të mirë takime të shumta sipas punëve të mia më kanë dhënë një favor të madh për shkrimin e poezive, për fatin e madh se shqiptarët gjithmonëvonohen në takimet fikse. Kështu që dalë ngadalë unë këtë kohë e kam shfrytëzuar”, tha Agron Tufa, poet, fitues i Panairit të 19 të Librit.

Cmimi për përkthyesin e vitit u shpall Edvin Cami për librin “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”, një libër nga autorja kroate Marica Bodrozic.

Ndërsa në letërsinë për fëmijë u nderua me çmim Luan Rama për librin “Më quajnë Aleksander Moisiu” me motivacionin “Rrëfim emocional i figurave njerëzore si simbol frymëzues për lexuesit e vegjël”.

Libri i Marsid dhe Nikolin Gurakuqit/I biri profet, babai ndjekës

$
0
0

Libri i Marsid dhe Nikolin Gurakuqit, “Skenaristi i qiellit të uzurpuar”

Nga Rita Petro /Ky është një libër i veçantë poetik, jo se përmban dy emra autorësh, poezitë e të cilëve janë vendosur në dy kapituj. Është i veçantë dhe të josh për analiza jo vetëm letrare por edhe psikoanalitike.

Duket se mendimin poetik të filluar nga i biri e vazhdon babai. Është e habitshme kjo se sa ka sinkroni të mrekullueshme metaforash që krijojnë tablonë mbi meditimin e jetës dhe të vdekjes nga i riu me mençurinë e intuitës dhe nga njeriu i sprovuar me jetën me dhimbjet e gëzimet e saj, me rrëzimet dhe ecjen në majë. Duket sikur libri është shkruar nga një dorë. Ka një bashkim të përsosur gati gati organik, ku damarët e prerë të jetës në pjesën e parë të librit puqen në mënyrë perfekte me damarët e jetës që vazhdon… dhe gjaku rrjedh natyrshëm për të krijuar fjalët për poezinë dhe tingujt për sinfoninë e jetës.

Përkimet në metafora e krahasime si dhe në mënyrën e këndvështrimit të botës i gjejmë tek të dy autorët.

Vetëdija e djalit të ri se i përket kësaj bote dhe ka fare pak kohë, është e ngjashme me vetëdijen migjeniane. Ai përballet me shumë guxim me një të vërtetë që ka fytyrën e demonit, se engjëjt ekzistojnë vetëm në pikturat murale me tematikë fetare apo në përralla e legjenda. Por ka diçka që të befason në epitetin e tij…. ndihem i lagësht,… mbase vetëdija për ciklin e metamorfozës, të shndërrimit në një dukuri tjetër jetësore, për ta vazhduar jetën si ujë.. shi, që do të rrjedhë nga retë poshtë në formën e mallit, figurë këtë që e gjejmë dhe në poezinë e Nikolinit dhe ka lidhje me pritshmërinë.

Të dy autorët, si filozofi të jetës ndonëse synojnë majën ata venë gishtin në një dilemë njerëzore: Si do arrish në majë?  Duke u zvarritur, apo në këmbë si Sizifi, ndonëse me rrokullisje e me ngjitje të vështirë. Dhe në poezinë e Marsidit mesazhi jepet në vargun e fundit si këshillë: “FILLO TË NOTOSH… “

Ndërsa NIKOLINI në vetën e parë: “GJEJ RRUGËN, GJEJ DRYSHIMIN E NUK NDAL”.  Është e habitshme kjo marrëdhënie ku babai ndjek këshillën e birit profet.

Filozofia e të kundërtave

nikolin-gurakuqi2Në të dy autorët e veçanërisht tek Marsidi, për shkak të moshës së re gjejmë dy ekstreme në trajtimin e kategorive morale dhe estetike:

E mira dhe e keqja

E bardha dhe e zeza

Lumturia nuk ekziston

Luftojmë për të mos luftuar…

Luajmë me instiktin e nënshtrimit

Te Nikolioni i gjejmë në trajta më të zbutura këto kundërshti, kjo vjen për shkak të përvojës së tij jetësore kur njeriut i zbuten ekstremet dhe ku koha ecën më ngadalë.

Simboli i hijeve

Cilat janë këto hije që ndjekin nga pas babë e bir… Hije malli, hije fëmijërie, hije demonësh, hije vrastare, hije të njerëzve eshtakë, që zvarriten si kufoma dhe të presin rrugën drejt lumturisë etj etj.  Pra hijet krijohen gjatë jetës së njeriut dhe e ndjekin derisa vdes.  Por mbi të gjitha hijet, për Nikolinin njëra është hija e tij e dashur pa të cilën jeta e tij nuk do kishte kuptim.

Në këtë libër nuk kemi sentimentalizma apo qarje për çka humbim në jetë, as te Marsidi për asfiksinë që po i merr jetën e re dhe as te Nikolini që vuan humbjen e djalit. Në këtë libër ka dhimbje të thekshme njerëzore, por kjo dhimbje këlthet pa zë, pa zhurmë, del së brendshmi, prandaj është e bukur dhe nuk e teproj po të them dhe dhimbje madhështore njerëzore.

Është një poezi e mrekullueshme “Ndwrgjegja patetike” e Marsidit, ku ai shfaq thelbin e tij human por dhe artistik, është kaq e bukur dhe e dhimbshme në mençurinë, por dhe në naivitetin e besimit. Në këtë rast ka një raport të kundërt të trashëgimisë…. trashëgimia natyrore (ku fëmija bëhet vazhdues i gjakut të familjes) zëvendësohet me trashëgiminë shpitërore e kulturore(ku babai bartës i asaj çka ka lënë i biri)

Këtë e tregon më së miri poezia e fundit”

JETA DHE KURBANI IM

Unë kurrë nuk do të braktis ti e di

Mes gjelbërimesh me poezi dhe me këngë në gojë….

Dhe së fundi do ta mbyllja me këtë përcaktim: Një libër ku vulos BIRI- PROFET dhe babai bëhet NDJEKËS I TIJ.

*Analiza e botueses dhe poetes së shquar në promovimin e librit “Skenaristi i qiellit të uzurpuar”.

“Flas shqip” në imazhe, Roland Tasho sjell personalitete të diasporës

$
0
0

Personalitetet më të njohura të diasporës shqiptare në botë vijnë përmes aparatit të Roland Tashos. Ekspozita “Flas Shqip” në GKA ishte zgjedhur për të çelur aktivitetet që do të mbahen në kryeqytetin shqiptar në këtë kuadër.

I pranishëm në ceremoni ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se kjo ishte mënyra më e mirë për të çelur javën e diasporës në Tiranë.

Bushati: Besojmë se nuk kishte mënyrë më të mirë sesa për të çelur siparin e aktivitetetve që do ti paraprijnë javës së diasporës dhe Samitit të Diasporës me këtë ekspozitë të Rolandid e cila përmbledh personalitete të diasporës shqiptare kryesisht pas rënies së komunizmit.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nga ana e saj theksoi se diaspora ka ruajtur lidhjet me Shqipërinë.

Kumbaro: Është kënaqësi të shikosh që janë gjithmonë e më të integruar jo vetëm kulturalisht, jo vetëm shoqërisht, por edhe profesionalisht.

Imazhet e përcjella të Roland Tashos bënë bashkë edhe përfaqësues të qeverisë, diasporës dhe trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.


Përkthimet nga gjuhët pak të njohura

$
0
0

Ashtu sikuse edhe në edicionet e shkuara edhe ky panair sjell më shumë përkthime nga Anglishtja e Italishtja. gjuhët më pak të përhapura mbeten ende shumë larg interesit të publikut, ose të paktën më pak fitimprurëse për botuesit. Ato pak libra që zgjidhen të përkthehen nga gjuhët më pak të përhapura, sipas kritikëve, janë ato që kanë një lexues në Anglisht apo kanë fituar ndonjë çmim.

Përjashtim këtë vit bën një fjalor xhepi. në stendën e ambasadës izraelite gjen një libër bisedor siç preferon ta quajë zëvendës ambasadori i ri në Tiranë, Fisher, ku gjen një gjuhë që prej vitesh shqiptarët nuk kanë më kontakt, hebraishten.

“Zgjodhëm panairin e librit për të prezantuar këtë libër të vogël në mënyrë që kontakti me shqiptarët që kanë interes për hebraishten ta kenë më të thjeshtë për ta gjetur. është një fjalor i vogël, që edhe mua personalisht më ka ndihmuar të përshtatem me shqipen. kam vetëm dy muaj në tiranë dhe një libërth i tillë më ndihmon edhe mua. Dash Frashëri e përgatiti dhe unë me kënaqësi e përgatita dhe e solla në këtë panair. Deri më tani janë tërhequr shumë kopje, çka do të thotë që shqiptarët kanë interes për këtë gjuhë. dhe më vjen mirë që duhet të them se duhet të printojmë të tjera kopje”- tha ai.

Fjalori Hebraisht-Shqip, me transkriptime fonetike, me siguri do t’ju ndihmojë të paktën për njohuritë fillestare nëse dëshironi të mësoni këtë gjuhë.

Dhimitër Xhogës në Kanada iu tha syri për Frashërin e Zavalanin…

$
0
0

-Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”-

Nga Kristo Mërtiri

                                Po ikën Vjeshta e po troket Shënëndreu. Por malli për vendlindjen nuk ikën si gjethet mbi udhë e nën ujë, rrokullisur nga erërat e rrëkerat. Sidomos matanë maleve, deteve e oqeaneve, ku mërgimi i detyruar mban ndezur e plot ngjyra të florinjta mallin e pashuar për mëmëdheun, për njerëzit e dashur mbi tokë e nën tokë. Për çdo plis dheu, për çdo gur e dru. Këtë zjarr zemre e ndjen dhe e prek jo pa drithërimë edhe te ato shënimet e thjeshta në internet hedhur nga një burrë 81 vjeçar, lerë e rritur në Zavalanin e Dangëllisë, ngjitur e krah për krah me Frashërin e bekuar në histori. Ashtu shqip, me sinqeritet të kulluar e shqiptarisht, atje larg, në kërthizë të Kanadasë. Në Toronto ! Është Dhimitër Xhoga, mësuesi veteran, punëtori i palodhur i Dritës së Diturisë, miku i hershëm i medies e i gazetarëve në breza. Një kronikan serioz e arkivë e pasur kujtimesh në letra  e në celuloid. Kur më thanë se ku mund t’i lexoja ato shënime të freskëta, buzëqesha dhe nuk shpreha fjalë habitore në atë pragmbrëmje nëntori në Tiranë. Siç mund të ndodhë natyrshëm për një njeri të panjohur më parë. Sepse mikun tim përmetar e “refugjat sezonal”(kështu e thërrasim shpesh), e kam takuar vite të shkuara nëpër udhët e hidhura të kurbetit. Bashkëvuajtës e aspak fajtorë përballë dallgëve të egra të Tranzicionkaosit shqiptar. Bashkëligjërues me brenga e ligje dhe bashkëvajtues fatgremisur rreth fatit kob të çdo mërgimtari :”O kurbet të rëntë zjarri/ Ndave njerëzit për së gjalli !”…Gulçonte e rënkonte gërneta në diktofon apo ishte shpirti ynë marazembytur që çante gjokset tanë të zhuritur buzë Egjeut pikëllimtar ?! Fjala vjen, zërin brilant të Xhelil Aliut (megjithse ka dalë në pension), zë që e përhapnin dhimbshëm valët e Radio –Tiranës në emisionet për shqiptarët jashtë Atdheut, jo më kot e kërkojnë me ngulm sot e kësaj dite. Ishte koha kur ky regjisor e folës i rrallë, mbante gjallë fukarenjtë e hallemëdhenjtë, u jepte krahë patriotizmit dhe dashurisë pa kushte për dheun e të parëve. Por unë, mes shënimeve bruto të Dhimitër Xhogës, gjeta edhe një kronikë tepër të veçantë nga ditari i fundnëntorit 1998. Kronikë që ndoshta meriton shkrim të posaçëm herë tjetër, për ca fletë rrënqethëse, të paharruara e të pathëna ende publikisht nga unë në shtyp…

                                Festa e Pavarësisë dhe ajo e Çlirimit, nëntori i çdo viti në emigracion prushëron zemrat e mendjet e shqiptarëve nëpër botë. Kush e ka provuar sadopak këtë arratisje, më kupton fare mirë. Dhe as vetëm bijtë e bijat e Frashërit e të Zavalanit “ballkon i Dangëllisë”. Se djalëria ime në gazetarinë profesioniste pati fat që hodhi rrënjë edhe në ato vise të dashura që nga Miçani, Vërçishti, Kreshova, Ogreni dhe gjer te mali i Taroninës mbi Zhepovë, në Ballaban, Sukë, Kajcë, Fratar, Malëshovë, Shqeri e Çarshovë. Mes vargmaleve hijerënda : Trebeshinë-Golik-Dhëmbel-Nemërçkë. Pa fuoristrada. Pa faxe e pa celularë. Pa kompiuter e pa postë elektronike. Kryesisht me zarfa e letra të shkruara me dorë, që udhën për Tiranë e merrnin me autobuzë e trena, nëpër duar shoferësh e pasagjerësh ! (Dhe bëhet fjalë për ushqimin e gazetës së përditshme, e jo periodike). Disa të rinjve në media, sot u duken aventura e gati të pabesueshme. Veçse realitetin konkret e shikonim drejt në sy, e dëgjonim me veshët tanë dhe e preknim me dorë në ara, kodra e male. Pranë Njeriut ! Që sot, mjerisht, e ka mbytur e përmbytur Polit(h)ika…Gjatë çerekshekullit të fundit, më thoni, sa gazetarë e politikanë nga Tirana kanë qëndruar qoftë edhe një a dy netë në vatrat fshatare të Dangëllisë, Konispolit, Zagorisë, Kurveleshit, Gorë-Oparit, Mokrës, Çermenikës, Martaneshit, Oroshit e gjer në Vermosh, Has, Shishtavec e Dragobi ? Apo e quajnë sakrilegj e sakrifikim “suprem” të shkëputesh ca orë dite e nate nga bulevardet e Kryeqytetit ?!… Sinqerisht, isha me fat që shkova e u ula pranë Gurit të Naimit në malin e Kokojkës. Po ashtu te shiltetë e divanëve në njerën dhomë të shtëpisë së 3 vëllezërve pishtarë, vëllezër që ngritën lart e i dhanë aq shumë dritë, jetë e shëndet kombit tonë. Nuk mund t’i harroj meditimet dhe blloqet plot shënime te Bredhi i mrekullueshëm i Hotovës, te këto mushkëri të rralla ballkanike që po mbeten ende larg syrit e dorës së investitorëve turistikë. “Po të mos kish ardhur ish kryeministri Mehmet Shehu, as xhadeja e tanishme nuk do bëhej dhe ajo krahinë lavdimadhe do mbetej e shkretë,-më thotë një miku im miçanlli.-A e bën dot prapë atë shkrimin e botuar në vend të kryeartikullit gati 40 vjetë më parë, me titull: “Ç’i thotë Zavalani luginës së Vjosës ?”… Se arratia e braktisja biblike ulërimë e fshatit shqiptar, më ther e më dhëmb gjer në kockë e jo vetëm mua a Dhimos në Kanada. Por historia “kapakkuqe” nuk mund të shuhet kurrë. Përshembull, për trimin e çartur Menduh, mund të dëgjosh shumë edhe në Pogradec, atje ku e vranë pabesisht e pas shpine bandat e Esat pashë Toptanit. Por flasin e do të flasin brez pas brezi edhe këngët popullore korçare, kolonjare e përmetare, kushtuar këtij kapedani jo dosido. Se Menduh Zavalani ishte komandant i Çetës kryengritëse antiosmane për çlirimin kombëtar (1911-1912). Pak më vonë, te Ura e Dashit, ra me Dangëllinë e Shqipërinë në sy edhe kapedani Jano Xhoga, gjyshi i mikut tim në Kanada. Për të cilin, edhe tani që i la prapa të tetëdhjetat, pena e tij nuk pushon. Fustanellat dhe mëngoret e tyre të bardha si bora në male, u përgjakën e u bënë flakë të kuqe. Kurse gjokset e tyre u çanë si shegët në vjeshtën e tretë… Mirëpo, gjatë një marsi të kaluar, kur ai po shkonte përmes dëborës në një veprimtari patriotike në Toronto, unë kujtova natyrshëm mesmarsin e 1978-ës. Kujtova edhe shakatë me Duro Kopon e mirë, të urtë, zemërbardhë e të zgjuar, një nga drejtuesit më të respektuar në rreth. Kish dalë për herë të parë “jashtë shtetit”, në Turqi. Në fund të bisedës më afrohej e më thosh zëulët : -Tani, o lako, besoj nuk më hakërrehet dot njeri : Hip këtu, të shikosh Stambollin !… Ajo ditë e shënuar përmes një dëbore të madhe që ra befas nga qielli, nuk e ndaloi dot varganin e përmetarëve që do të çonin eshtrat e Abdyl Frashërit në shtëpinë e tij. Do preheshin atje rreth 3 muaj. Njerëzia ecte me këmbë, me kuaj e mushka. Flamuri kombëtar në ballë.(Ruaj ende një foto me Prof. Stefanaq Pollon, duke çarë përmes pirgjeve me dëborë e suferinë)…

                                Nëntorët e Pavarësisë e të Lirisë nuk zbehen kurrë. Brenda e jashtë Shqipërisë. Dhimitër Xhoga e mjaft të tjerë si ai, Zavalanin e Frashërin i marrin me vete kudo. Sa herë flet e mban shënime për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, nuk mund të rrijë pa rrëfyer për ish partizanët Qazim, Mestan e Ismail Hamiti; për Stavri e Xhoxhi Xhoga, Mina Kosta, Apostol Thanasi, Rushan Tahiri, Llazi Kote etj. Kur këndon këngët e pavdekshme partizane, përtërihet i tëri. Pasioni për fotografinë (një aparat të vogël e mban gjithnjë me vete) tashmë e ka kthyer në arkiv mbresëlënës. Ikën 8 dekada jetë, por jo tetori 1944 : Mes 30 nxënësve të parë në shkollën fillore, ishte edhe Dhimua me motrën. Ashtu jetimë e të këputur, se babanë ua vranë ballistët që sot paturpësisht po u varin dekorata të pamerituara ! Ua vranë djallëzisht, kur sapo nazistët gjermanë po kalonin Qafën e Dëllinjës. Qafë që ngeli si halë në sytë e fëmijërisë së plagosur rëndë. Ndërsa vëllai Stavri partizani po sillte bashkë me shokët Lirinë… Flokëbardhi mësues veteran, kujton e nderon partizanin e ndërtuesin e shquar Stavri Mihali; Heroin e Punës, Fadil Hamiti që banorët e Dangëllisë i hiqnin kapelen dhe e zgjidhnin deputet; mësuesin kokëplotë Mikail Kote në krye të rinisë përmetare dhe kolegët e paharruar Muharrem e Abdyl Skënderi; Arian Hasanin që la gjurmë deri në Krrabë të Tiranës apo traktoristin Ziso emërmirë nëpër fushat e Korçës. Të gjithë luftuan e punuan për Shqipërinë e Re. Pa lënë mënjanë tekstilistet e para Marjanthi, Pandora, Evgjenia, Fotinia etj. me themele e kulme Zavalani.

                                …Rrodhën mbi 15 vjetë nga botimi në “Koha Jonë” i atij reportazhit që pikon ende dhembshuri e pse jo nostalgji e dashuri mërgimtare qysh prej titullit “Një kupë qielli nga Përmeti në Athinë”. Shoqata kulturore-atdhetare “Naim Frashëri” dhe drejtuesi i saj i talentuar, miku im Vaskë Logo që ka mbyllur sytë e sot prehet në paqe atje në Bolëngën mbi Vjosë, mblodhi në një takim të papërsëritshëm gati 500 përmetarë refugjatë. Atje u njoha nga afër edhe me Dhimitër Xhogën. (Katër dekada më parë, nga fisi i tij në Përmet kisha njohur vetëm proletarin e pastër Mihal).Në atë veprimtari aspak të rëndomtë, pikuan pikë-pikë edhe lotë mallëngjimi për qytetin e trëndafilave e të kabave jetëgjata të Laver Bariut me shokë. Kaba që i shoqërojnë në çdo hap edhe përtej deteve e oqeaneve ku punojnë e jetojnë ndershëm me djersën e ballit. Ndërsa kujtimet dhe amanetet për ruajtjen e Gjuhës Shqipe te çdo nip a mbesë, gurgullojnë e shushurijnë si sylynjarët e krojeve të Dangëllisë. Se Dhimos i thernin sytë kur shikonte e dëgjonte vogëlushë shqiptarë që nuk mërmërinin dot gjuhën e Nënës ! Jo më kot e quante “plagë të madhe” e një hata të shekullit të ri. E thoshte drejtpërdrejt e açik, asnjëherë sypërmbysur. Edhe shënimin e ditëve të fundit në internet, e paska hedhur pak orë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale te njëri sy, atje në Toronto… Dhe prapë jep e merr dritë nga Zavalani e Frashëri në mëmëdhe ! Ndërsa unë kujtoj profesor Kriston, historianin dinjitoz që mbylli sytë e na iku tani vonë. I pazëvendësueshëm ! Dhe më tingëllojnë fort fjalët e gdhendura lapidar të Abdyl Frashërit, udhëheqësit mendjendritur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ideologu, organizatori, diplomati, shkrimtari e oratori i zjarrtë që nuk iu drodh qerpiku edhe para gjyqtarëve osmanë që e kërcënonin me “varje në litar”. Nuk u përpëlit as para burgut e internimit, as para izolimit e vdekjes. Mbeti yll karvani i pashuar në qiellin e Rilindjes Kombëtare. Ashtu i rraskapitur, me duart në pranga e i rrethuar nga xhandarët, hyri kokëlartë në rrugët e Manastirit. Dhe për pak çaste u përball sy më sy me një konsull të huaj dikur kundërshtar i Lidhjes së famshme shqiptare. Kur ky iu drejtua jo pa ironi e cinizëm se “Ç’farë bëre me idetë e tua ?!”, i pavdekshmi Abdyl ia preu shkurt :

                -Si mund t’i thuhet bujkut çfarë bëre kur mbjell farën në arë ? Sot fara nuk duket por do të mbijë. Në mos ne, do ta korrin brezat e ardhshëm. Shqipëria do të bëhet !…

                                “Barrën me flori” që harxhoi për Çështjen Kombëtare, veç të tjerave, populli ynë mirënjohës ia ktheu me thesarin e veçantë të këngëve nga Jugu në Veri. Këngë gati 140 vjeçare që lartësojnë dhe ngrohin zemrat e vërteta shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë sonë. Dje, sot, nesër e përgjithmonë…

Jeruzalemi: Qyteti i lotëve. Përse këtu është qendra e botës?

$
0
0

Dr. Bledar Kurti

Ai është qyteti më i njohur në mbarë historinë e njerëzimit. Një e treta e popullsisë së botës e konsideron të shenjtë. Nëse e shkel qoftë edhe për një herë në jetë nuk do jesh më i njëjtë. Jeruzalemi: Qendra e botës; Qyteti i lotëve.

Në dalje të Aeroportit Ben Gurion të Tel Avivit, mahnitesh nga një menuka e artë e krijuar nga gjeniu i artit Salvador Dali, i cili ia dedikoi këtë vepër popullit hebre me këtë shënim: “Ju, o popull hebre, populli i zgjedhur i Perëndisë, bijtë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, ju që keni treguar një përkushtim të pashoqë për të ruajtur traditën, për gëzimin që tregoni në festat dhe festivalet tuaja, unë krijova këtë Menorah. Teksa ju luteni me besimin tuaj të patundur për lavdinë e prejardhësve tuaj dhe për triumfin e së vërtetës, unë dua të shoh qartazi dritën e pastër dhe të gjallë, përmes një tributi ndaj popullit tuaj.”

Sigurisht, të vjen natyrshëm të bësh një fotografi përpara këtij smboli dhe si kujtesë e impresionit të hapave të para në tokën izraelite. Por sapo u dëgjua kliku i shkrepjes së aparatit fotografik, një roje i armatosur u afrua duke kërkuar që të mos bëheshin më foto me aeroportin në sfond për cështje sigurie. Dhe janë këto momente që të kujtojnë se nuk ke shkelur në një vend të zakonshëm por në një vend ku cdo hap dhe gjest që bën aty, ka një domethënie.

Dhe kjo ndjesi e vizitës në një vend të pazakontë vazhdon edhe rritet kur kupton që shumcia e popullatës në rrugë dhe në shërbime pune janë të rinj dhe të reja. Dhe kur sheh që recepsionisti i hotelit mban një pistoletë në brez, emocione të përziera vijnë edhe ikin.

Rrugës për në Jeruzalem mahnitesh me pemët e portokalleve buzë rrugës të cilat rrëzonin kokrrat krejtë shkujdesshëm. Në një vend me klimë të thatë mesdhetare sistemi i ujitjes dukej gjenial. Sa më shumë ti afrohesh Qytetit të Shenjtë aq më shumë rrëmbehesh nga emocionet.

Shoferi i përgjigjet pyetjes time, të lindur nga frika e sulmeve me raketa që shfaqeshin në televizor, me një shpjegim të bollshëm dhe krenar të mbrojtjes izraelite. I pozicionuar midis vendeve arabe, të cilat jo vetëm që e kanë halë në sy, por janë betuar ta shfarosin shtetin e Izraelit nga faqja e dheut, për tu mbrojtur Izraeli ka ngritur jo vetëm një ndër ushtritë më të fuqishme të botës, por ka edhe armatimet më moderne që i përkasin gjeneratës së re. Për ti rezistuar sulmeve të vazhdueshme me raketa, Izraeli ka ngritur një sistem mbrojtje kundër raketë të quajtur Kupola e Hekurt. Ky sistem nuk lejon raketat të bien në tokën izraelite. “Tre javë përpara, zotëri,” tha shoferi “u lëshuan mbi 300 raketa drejtë Tel Avivit, dhe vetëm njëra prej tyre arriti të shpërthejë në tokë, por pa krijuar dëme. Jemi të sigurtë me sistemin tonë të mbrojtjes.”

Kur hyn në Jeruzalem ndien një forcë të madhe magnetike brenda vetes. Menjëherë shpirti rëndohet dhe të duket sikur një barrë e madhe të vihet mbi supe. Edhe qepallat e syve rëndohen prej depozitës të zmadhuar të lotëve që njeriu, për respekt ndaj vetes, mundohet të mos i lëshojë. Ky magnetizëm rritet gjithnjë e më shumë kur hyn brenda mureve të Jeruzalemit të Vjetër.

Me një sipërfaqe me më pak se një milje katror ai është ndarë në katër pjesë: pjesa e hebrenjve, pjesa e të krishterëve, pjesa e armenëve, dhe pjesa e muslimanëve. Brenda një rreze me pak metra distancë, besimet më të mëdha të botës kanë vendet e tyre më të shenjta të cilat përbëjnë egzistencën e tyre. Hebrenjtë kanë Murin Perëndimor, i njohur si Muri i Lotëve, i cili është fragmenti i vetëm i mbetur nga muri i Tempullit; Të krishterët kanë Kishën e Varrit të Shenjtë, brenda të cilës është shkëmbi i Golgotës ku u kryqëzua Krishti, dhe diku aty pranë varri ku u shtri Krishti përpara se të ringjallej; dhe muslimanët kanë Kupolën e Shkëmbit për të cilën muslimanët besojnë se Muhamedi udhëtoi për në parajsë. Ja përse Jeruzalemi është konsideruar që prej kohëve të hershme si qyteti ku banon Perëndia.

Kur shkel në rrugët e Jeruzalemit të Vjetër, të vjen për të qeshur, por edhe ndien trishtim, kur mendon për të ashtuquajturën harmonia fetare në Shqipëri. A është faj i regjimit Komunist që e përjashtoi Zotin me kushtetutë, a është zemra e njerëzve e ftohtë ndaj besimit? Ky do mbetet mister, por një gjë mund të thuhet për fenë në Shqipëri: ajo kurrë nuk ka qenë parësore në jetën e shqiptarëve, dhe si e tillë nuk është konsideruar kurrë aq e rëndësishme sa për të mos bërë kompromis, apo për të krijuar harmoninë midis besimeve, për të bërë të krishterin të hajë hallvë dhe muslimanin vezë të kuqe. Në Shqipëri nuk ka magnezitëm besimi, por vetëm festa, urime politikanësh në televizione, darka me verë dhe raki, dhurata të fundvitit që e kanë zëvendësuar Krishtin me Santa Klausin, ndaj këtë lloj hareje kush mund ta refuzojë!? Le ta quajmë harmoni fetare, mos-ndjesi fetare, apo edhe mungesë fetare, sido që të jetë le ta shpallim si vlerë. Kështu është rënë dakord, kështu le të vazhdojmë të besojmë, sa për sy e faqe, sepse fundja askujt nuk i intereson.

Kur përballesh me Murin e Lotëve trupi të rrënqethet i tëri. Sheshi përballë murit është i mbushur me rabinë, besimtarë të thejshtë, hebre ortodoksë, ushtarë, turistë, etj, të cilët prekin me dëshpërim gurët e murit, recitojnë Torën, luten me gojë por edhe me letra të cilat vendosen midis gurëve të murit. Në fund të ditës letrat e lutjeve mblidhen dhe digjen në një nga shpellat e malit të ullinjve jashtë mureve të Jeruzalemit të Vjetër.

Në një atmosferë të tillë kupton që besimi është substanca e gjërave që shpresohen, dhe evidenca e gjërave që nuk shihen. Muri i Lotëve është simboli i besimit, prejardhjes, dhe rezistencës së hebrenjve. Ajo tokë e Tempullit u ble nga Mbreti David pasi ishte vendi ku Abrahami ishte gati të sakrifikonte Isakun. Aty, djali i Davidit, Mbreti Solomon ndërtoi Tempullin rreth vitit 957 para Krishtit por që u shkatërrua nga babilonasit dy shekuj më vonë. Tempulli u ndërtua për herë të dytë dhe u shkatërrua nga romakët në vitin 70 pas Krishtit. Hebrenjtë besojnë se Tempulli do ndërtohet për herë të tretë, dhe sipas tyre kjo do të jetë shenja profetike e shpëtimit të Izraelit nga të gjithë armiqtë. Pra ai mur me pak metra simbolizon rezistencën e hebrenjve ndaj babilonasve, sirianëve, filistejve, romakëve, otomanëve, jordanezëve, dhe simbol i mbijetesës së përndjekjes, shfarosjes, dhe holocaustit nazist me 6 milionë jetë hebrenjsh, dhe me dhjetra milionë të tjerë të vrarë nga Stalini.

Jeruzalemi është pa asnjë dyshim qendra e botës. E gjithë historia e njerëzimit përmblidhet gjeografikisht brenda pak qindra metrash katrorë. Të gjitha besimet në një pikë. A mund të përkthehet pra që Zoti është një? A mund ta krahasojmë me harmoninë fetare alla shqiptare? Jo, do ishte gabim historik. Ajo qendër e botës është edhe qyteti i lotëve. Paqja është fragile dhe luks, dhe nuk mund të quhet paqe fetare por thjeshtë balancë koordinimi gjeografik dhe skemë e përkohshme në pritje të shpëtimit përfundimtar.

Jeruzalemi u pushtua nga muslimanët për 1300 vjet. Duke hequr periudhën e kryqëzatave, kjo periudhë kaq e gjatë në historinë e popullit hebre është e paharrueshme dhe me vrragat më të rënda sesa edhe djegia e Tempullit nga romakët, pasi për 1300 vite hebrenjtë u endën nëpër botë të persekutuar dhe përbuzur, pa atdhe, deri në krijimin e shtetit të Izraelit në vitin 1949.

Sapo hyra në zonën muslimane një sms erdhi në celular: “Mirëseerdhët në zonën muslimane. Shijoni ushqimet e mrekullueshme dhe aromën e jasminës.” Në dukje, këto detaje të ëmbla të joshnin momentalisht për një turizëm egzotik, por, kur diku, syri të kapte ushtarët izraelitë të armatosur gjer në dhëmbë me gishtin e gatshëm në këmbëzën e automatikut M16, vigjilentë për ndonjë trazirë të mundshme, e kuptoje se ajo pamje shumëngjyrëshe kulturore dhe fetare mund të shndërrohej në apokalips brenda një sekonde.

Jeruzalemi është Qyteti i Lotëve. Përtej Murit Perëndimor, pasi cdo qenie njerëzore do përlotej me apo pa vullnet, madje edhe një gurë do shkrihej vetiu, këmbët të conin tek Via Dolorosa, Rruga e Mundimit. Kjo rrugë kishte marë këtë emër pasi ishte rruga që kishte përshkruar Krishti, me kryqin mbi shpinë, për në Golgotë, vendin ku do të kryqëzohej. Në fillim u ndieva i privilegjuar që këmbët e mia po ecnin mbi të njëjtët gurë që kishin prekur Krishtin, por arrita ta mund krenarinë dhe krahasimin tim, pasi nëse Krishti po shkonte drejtë vetë-flijimit për të larë mëkatet e të gjithë atyre që do besonin në të, duke bërë sakrificën më të madhe në historinë e botës, sakrifikca më e madhe që unë kam bërë në jetë ndoshta ka qenë jo në interes të të tjerëve por në interesin tim.

Rruga e Mundimeve përfundonte me shkëmbin e Golgotës ku Jezus Krishti u kryqëzua, mbi të cilin Helena, e ëma e Kostantinit të Madh, ndërtoi Kishën e Varrit të Shenjtë rreth vitit 326 pas Krishtit. Besohet se gjatë ndërtimit të kishës, Helena zbuloi kryqin e vërtetë dhe një varr ku besohet se u vendos Krishti për tre ditë përpara se të ringjallej.

Brenda kishës, ajri ishte i mbushur plot pikëllim dhe me rëndesën e mëkatarëve të penduar apo në kërkim të pendimit që kishin ardhur për pelegrinazh që nga koha e Kostantinit e deri në ditën që kisha shkelur unë. Në muret e brendshme kishte kryqe të gdhendura nga pelegrinë të shekujve të parë, varre kryqtarësh, gozhda romake, një shkëmb i krisur sic përshkruhet në Bibël pasi Jezusi dha shpirt, pllakë prej guri mbi të cilin ishte vendosur trupi i Krishtit për t’u larë përpara se të varrosej, dhe vendi që shërbeu si varr për Krishtin përpara se të ringjallej, poshtë të cilit mendohej të ishte një tjetër varr, ai i Adamit, njeriut të parë, që Perëndia e krijoi nga dheu.

Teksa hyje brenda kishës cdo vizitor ndiej i rënduar por në dalje gjithësecili habitej me ndjesinë e një pastrimi brenda vetes. Psikologët modernë besojnë tek forca e auto-sygjestionit, pra mendja dikton ato që ndien trupi, por ajo experiencë nuk ishte auto-sygjestion, ai vend kishte përjetuar momementin më të rëndësishëm historik dhe shpirtëror të njerëzimit. Ai vend ishte i mbuluar me gjak për më shumë se dy mijë vjet. Ai vend ishte Kalvari. Ai vend ishte sulmuar nga persë, arabë, kryqtarë, otomanë, etj, që prej dhjetra shekujve, ndërsa tani qëndronte një fije peri larg një konflikti pa kthim që mund ta ndajë botën në dy pjesë dhe madje ti japë fund asaj përgjithmonë.

Në dalje të Qytetit të Vjetër u ngjita në Malin e Ullinjve ku hyra në Kopshtin e Gjetsemanisë. Nga ky kopësht Jeruzalemi shihej në pëllëmbë të dorës, dhe nga ajo pamje cdo gjë merrte kuptimin historik dhe përputhej me përshkrimet biblike. Kopshti kishte plot ullinj të ri, disa të tjerë qindra vjecarë, por për habi edhe disa që e kalonin moshën dy mijë vjecare. Këto ishin ato pemët që e kishin parë dhe dëgjuar Krishtin, kishin qarë me djegien e Jeruzalemit dhe kanë vuajtur dhe duruar me memecerinë e tyre për dymijë vjetë teksa kanë parë pushtues njëri pas tjetrit që kanë dhunuar gurët dhe kanë shfarosur njerëzit.

Shtrydha mendjen duke u munduar të shoh Shqipërinë time në atë panoramë që përmblidhte të gjithë historinë e njerëzimit. Ishte Shqipëria jashtë saj? Ky vend kishte kaluar eksperiencat më të paimagjinueshme të luftës, gjakderdhjes, sakrificës, shfarosjes, rezistencës dhe qëndresës, vetëm për besimin, ndërsa shqiptarët e sotëm nuk e besoj se do e vinin ujin në zjarr përvecse parasë dhe politikës. Por shqiptarët nuk janë të ndarë në ato të sotëm dhe të djeshëm, dhe memoria ime historike më solli në vëmendje se lidhja e Shqipërisë me atë panoramë të Jeruzalemit është më e ngushtë se sa vendet e tjera të Europës kanë me Tokën e Shenjtë.

Shqipëria e njohu Jeruzalemin dhe Krishtërimin përpara shumë vendeve të tjera të Europës. Që në shekullin e parë Apostulli Pal shkeli tokën shqiptare dhe ngriti kisha. Dhe emri Iliri gjendet në Bibël ku vetë Pali shkruan: “Me fuqi shenjash dhe cudirash, ne fuqi të Frymës së Perëndisë: kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit.” (Bibla. Romakëve 15:19)

Shqiptarët kanë edhe një lidhje tjetër me popullin hebre. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar i fshehu dhe i mbrojti të gjithë hebrenjtë nga nazistët dhe plani i tyre i shfarosjes. Dhe nga ky heroizëm i shqiptarëve asnjë hebre, as edhe një i vetëm, nuk ra në duart e nazistëve.

Janë këto momente të cilat nuk tregohen me mendjemadhësi se cfarë bëmë ne ndaj popullit hebre, por se cfarë i treguam ne vetes tonë, se cfarë do të thotë të qëndrosh fort dhe i patundur në anën e së mirës kur e keqja nis të sundojë.

E lashë Jeruzalemin dhe u nisa drejtë atdheut, me shpresën që Zotin do e gjeja edhe këtu.

Eposi i harruar i Ali Pashë Tepelenës

$
0
0

Nga Dorian Koçi

(Hisotorian)

Nuk ka dyshim që në gjallje të Ali Pashë Tepelenës, ka pasur përpjekje për të shkruar jetën dhe bëmat e vezirit karizmatik të Janinës, përpjekje që dëshmohen nga “Ali Pashaida” e Haxhi Shehretit, poetit homerik delvinjot, që me një poemë të gjatë dhe origjinale përshkruante origjinën, jetën, ngjarjet dhe vdekjen e pashait. Një përpjekje të tillë e dëshmon Dr. Henry Holland në veprën e vet “Travels in the Ionian Islands, Albania, Thessaly, Macedonia etc”, kur përshkruan ngjarjet e Kardhiqit dhe nënvizon faktin se ato ishin përshkruar  të plota në historinë poetike të Ali Pashës, të cilën i kishte dhënë miratim për botim (-Holand. H (2009) Mjek te Ali Pasha. Tiranë Migjeni, fq 206). Po kështu te Pukëvili gjejmë informacionin se në Vjenë kishin shtypur për nder të Ali Tepelenës një poemë (Puoqueville. F (2011). Ali Tepelena . K& B:Tiranë, faqe 299). Të dy autorët, Dr Holand dhe Pukëvili, edhe pse nuk e përmendin titullin e veprës poetike, mund të kuptohet dhe arrihet në një përfundim paraprak, përmes analizës së fakteve se bëhet fjalë për “Ali Pashaidën” e Shehretit.

Kjo poemë, madhësia e së cilës shkon deri në 15.000 vargje, nga të cilat u përkthyen në greqishten e re rreth 10.000 vargje, qëndron në fakt si apogjeu i gjithë kësaj periudhe, pasi me korpusin e vet letrar jo vetëm përfaqëson një shije estetike të lartë për kohën, por është dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të vërteta, që ndodhën në Pashallëkun e Janinës. “Alipashaida”, e shkruar sipas modelit të poemave të gjata epike, i njihet autori, çka e bën më të plotë atë, nga dy poemat e tjera të gjendura deri më tani për Ali Pashën. Të dhënat biografike për Haxhi Shehretin janë të pakta, kryesisht dëshmi të tërthorta, që vijnë nga veprat e udhëtarëve të huaj, bashkëkohës të tij dhe disa dokumente administrativë të Pashallëkut. Ai lindi në Delvinë dhe ishte bashkëmoshatar  dhe i njohur me Aliun, që në rininë e tij. Shërbeu për vite me radhë pranë oborrit të Pashait, derisa dha grahmën e fundit aty. Mbi shpatullat e tij patën rënduar hallet e një familje prej dymbëdhjetë fëmijësh, dhe mjerisht vdiq i verbër dhe në varfëri të plotë. Në një pasazh të historianit grek S. Aravantino mësojmë se poeti është varrosur në vendlindjen e tij, në Delvinë (Koçollari. I (1997) Alipashaida e Haxhi Shehretit. Tiranë: Onufri, faqe 15).

E shkruar në greqishten moderne, mund të  mendohej “Ali Pashaida” do të na vinte e gjitha dhe e plotë deri në ditët tona dhe ne sot në duar do të kishim një vepër të përfunduar,  për ta shijuar e lexuar, por  për fat të keq ashtu si dhe me shumicën e veprave të krijuesve shqiptarë të mesjetës së vonë , ajo ka ardhur e fragmentuar dhe e botuar në forma të ndryshme, ku spikatin botimi i një përmbledhje dhe komentesh në prozë të 4500 vargjeve të saj, nga udhëtari dhe diplomati anglez William Martin Leake në 1837 dhe botimi i 3000 vargjeve të saj nga studiuesi i njohur helenist, Konstandin Sathas në librin e tij  “Teza Historike” në vitin 1870. Sathas, mes të tjerash shkruan se Haxhi Shehreti ishte shqiptar nga Delvina dhe ka jetuar në oborrin e Ali Pashait të paktën deri më 1812. Vdiq më 1819, në Shqipëri, ku ishte vendosur në një post të rëndësishëm me të ardhura të pakta, pas të luturave të përsëritura të Ali Pashait. Ndërkohë, i kishte diktuar sekretarit Panajot Salonitoglu 10.000 vargje të keq punuara, tek të cilat tregohet “entuziazmi i njëanshëm” dhe “lajkat e mjerueshme”. Këto vargje i adhuronte dhe herë pas here i korrigjonte Ali Pasha, duke e dhënë dorëshkrimin tek një nga grekët e ditur të oborrit të tij, sepse bëhej fjalë që të botoheshin në Vienë. (Blanas. G (28/03/2010)I patridha to poiti Haxhi Shehreti http://archive.avgi.gr/ArticleActionshow.action?articleID=531972)

Vlerësimet e Satha-s për Shehretin duken që janë në një frymë me ato të Leak-ut dhe reflektojnë dikotominë e njohur në rajon të diskursit, kur flitej për trashëgimi historike e kulturore, që lidhej me otomanët dhe shqiptarët myslimanë. Për studiuesin Satha-n, Ali Pasha Tepelena nuk ishte më heroi dhe mbrojtësi i helenizmit në Pashallëkun e Janinës, si e patën vlerësuar që në gjallje Leake dhe udhëtarë të tjerë të huaj, bashkëkohës me Pashain Tepelenas, por një tiran oriental veprat e të cilit nuk duheshin kënduar në atë lloj dhembshurie dhe nderimi që i kish kënduar Shehreti.

Vlerësimi për figurën e Ali Pasha Tepelenës nga ana e elitës politike dhe kulturore greke kaloi përmes një procesi që pasqyron edhe vet evoluimin e kësaj elite nga një elitë shërbyese në Oborrin e Ali Pasha Tepelenës e kënaqur me afirmimin e vet kulturor nëpërmjet inkurajimit të hapjes së kishave të reja dhe të një rrjeti shkollor në gjuhën greke, drejt kërkesave të krijimit të shtetit të vet kombëtar që erdhi si rezultat i përqafimit të ideologjisë së nacionalizmit në dhjetë vjeçarin e dytë të shekullit të XIX. Në këtë kontekst veprimet politike të Pashait tepelenas nën frymën e nacionalizmit maksimalist e shoven të “Megali Idesë” u konsideruan nga historianët në shtetin e porsa krijuar grek si shtypëse dhe barbare për të justifikuar dhe përvetësuar trashëgiminë historike dhe territoriale të Pashallëkut të Janinës.

Këto vlerësime dhe paragjykime nuk mbetën vetëm në aspektin politik por u shtrinë dhe në vlerësimin e trashëgimisë kulturore të Pashallëkut të Janinës, ku bëjnë pjesë dhe poemat letrare të shkruara rreth Ali Pashës. Nën këtë frymë Satha, vargjet e Shehretit, i quan të hartuara keq nga ana teknike. Mesa duket më tepër se cilësia e vargjeve Satha, si një dishepull i gjuhës bizantine “katherusa” i vret veshin gjuha e thjeshtë popullore “dhimotiki” e poemës.

Tjetër mendim ka historiani Spiro Aravatinu, që në fakt jep dhe një informacion të rëndësishëm sesi ka arritur kopja e “Ali Pashaidës” në Biblotekën Kombëtare të Athinës. Njëzet e pesë vjet më vonë, Spiridhon Aravantinos, në librin e tij “Historia e Ali Pashë Tepelenës” (botuar në Athinë, në entin botues Spiridhon Kusulinu, 1895 dhe tani në Athinë, Dhodhoni, 2004)  zbulon se kopja që përpunoi Satha ishte dhuruar në Bibliotekën Kombëtare nga ruajtësi i vulave të Ali Pashait dhe deputet i shtetit grek, Athanasios Dhidoriki dhe në ballinë ishte shënimi me dorën e Sathas, i diktuar nga dhuruesi, që bënte me dije se ishte kopje e dorëshkrimit origjinal, që dërgoi Shehreti tek Ali Pashai, sepse i përkiste iluministit Athanasios Psalidha dhe se dorëshkrimi origjinal gjendej në duart e mjekut K. N. Mavromati nga Katuni.

Nga ky shënim mund të nxjerrim përfundimin se një nga grekët e ditur të oborrit, që Ali Pasha i jepte dorëshkrimin për të korrigjuar, ishte iluministi grek Psalidha, drejtori i shkollës së Janinës. Ka të ngjarë që Psalidha të dinte shqip dhe të konsultohej vet, ndoshta me poetin Shehreti për vërtetësinë e tekstit, pasi dhëndëri i tij, Lluka Vaja ishte shqiptar, vëllai i besnikut të Ali Pashës, Thanas Vajës nga Lekli. Sa për poetin, shënimi theksonte se ishte krejt i pashkolluar, i verbër dhe shumë i varfër. Aravantinos i pa me interes të veçantë vargjet dhe shkruante se shumë poetë të njohur do ta kenë zili fuqinë e ndjenjës, fantazinë poetike dhe gjallërinë e pamjeve të saj. Madje nuk nguron ta krahasojë poetin shqiptar me Virgjilin (Blanas. G (28/03/2010)I patridha to poiti Haxhi Shehreti http://archive.avgi.gr/ArticleActionshow.action?articleID=531972)

Ky vlerësim i Aravatinoit dëshmon se “Ali Pashaida” kishte filluar të fitonte një status tjetër në sytë e studiuesve grekë, për më tepër pikërisht për fantazinë poetike, por mbi të gjitha për gjuhën e kuptueshme popullore greke. Në vitet 60’ të shekullit të shkuar, poeti dhe piktori surealist grek, me origjinë arvanitase Nikos Egonopulos, do ta quante “Ali Pashaidën” si artin e vërtetë grek.

Në shqip poema ka ardhur nëpërmjet përkthimit, shumë të arrirë të  studiuesit Irakli Koçollari, që me punën e vet kërkimore ia arriti qëllimit të mbledhë dhe 6000 vargje të tjera, të humbura nëpër vepra të tjera apo të mbuluara nga tisi i kohës dhe të publikojë një variant pak a shumë të plotë të saj në vitin 1997. Për fat të keq qysh prej atëherë, poema nuk është përfshirë në studime kulturologjike në asnjë shkallë të nivelit të arsimit në Shqipëri dhe ka një harresë të çuditshme, çka duket e pajustifikueshme ndaj një vepre të letërsisë së traditës.

Teatri Arbëresh vjen në Tiranë

$
0
0

Teatri Arbëresh i Shoqatës “Vorea” të komunës së Frascineto do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në data 17 dhe 18 Nëntor 2016 në orën 19:00.

“Kostandini e Garentina” dhe “Shtëpia e Tatës” janë pjesët që do të përformohen për publikun kryeqytetas. Regjia është e Imma Guarasci dhe do të interpretohet nga tetë aktorë arbëreshë duke sjellë pranë spektatorit muzikalitetin e gjuhës arbëreshe, gërshetuar me këngën dhe vallet tradicionale të përcjella brez pas brezi.

Një pasuri e rrallë, e nisur gjashtë shekuj më parë në odisenë më të gjatë të një populli, i kthehet përsëri tokës mëmë në formën e një drame me mesazhin “Gjaku i Arbërit rron!” .

Viewing all 14404 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>