Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all 14404 articles
Browse latest View live

Ali Pashë Tepelena, konsullit francez: Nëna Hanko, frymëzuesja ime

$
0
0

Nga: Aurenc Bebja
Në librin e Alphonse De Beauchamp, me titullin “Jeta e Ali Pashës”– botuar në korrik të 1822 në Paris – gjejmë një përshkrim për nënën e Ali Pashë Tepelenës, Hankon, një grua e zgjuar dhe e guximshme, e cila pas vdekjes së burrit të saj, Veliut, u kujdes me devotshmëri për djalin e saj. Pikërisht, për këtë arsye, në faqen 32 të veprës, Pashai i ka rrëfyer konsullit francez, François Pouqueville, të gjithë admirimin që kishte për nënën e tij.

Përshkrimi i Hankos nga De Beauchamp:
“Aliu, ende shumë i ri për të mbrojtur ato prona të pakta të babait, të cilat armiqtë e tij nuk ia kishin marrë akoma, do t’i kishte humbur të gjitha në qoftë se nëna e tij nuk do të merrte nën kontroll administrimin e tyre. Deri në atë moment Hanko, vajza e Beut të Konicës dhe e veja e Veli – Beut, dukej një grua e zakonshme. Pak kohë pas vdekjes së Veli – Beut, ajo vuri në dukje aftësinë e saj të madhe dhe forcën e saj shpirtërore të jashtëzakonshme; por me një karakter të fortë, me disa ngjashmëri me Olimpian, nënën e Aleksandrit, e lindur si ajo në Epir.

Duke mos pasur qëllim tjetër përveçse sigurimin e trashëgimisë së burrit të saj për të birin, Aliun, të cilin e donte shumë, ajo, me kujdesin dhe të gjitha përpjekjet, mori në dorë fatin e familjes (shtëpisë).

Aliu ishte asokohe 14 vjeç. Shpirti i tij i turbullt dhe gjallëria e skajshme u shfaqën herët tek ai. Babai (Veliu) nuk arriti të përqëndronte vëmendjen e tij për të studiuar; Aliu largohej prej të atit dhe kujdestarit të tij, ikte nga shtëpia fshehurazi dhe shkonte e vraponte nëpër male, duke u endur mes borës dhe pyjeve. Pas vdekjes së babait, duke u mbështetur tërësisht tek nëna e tij e dashur, ai iu nënshtrua vullnetit të saj, mësoi të lexonte, dukej më i qetë, dhe ndoqi vetëm këshillat e Hankos.”

Rrëfimi i Ali Pashë Tepelenës me konsullin francez François Pouqueville:
“I detyrohem për gjithçka nënës time, sepse babai pas vdekjes me patë lënë vetëm një strehë dhe disa fusha (ara). Imagjinata ime, frymëzuar prej këshillave të asaj që më dha jetën dy herë, për faktin se ajo më bëri burrë dhe vizir, më tregoi sekretin (rrugën) e fatit tim (të ardhmes). Që nga ai moment, nuk shihja më në Tepelenë vetëm se vendlindjen nga e cila përgatitesha për të sulmuar gjahun që kisha në mendje. Ëndërroja vetëm për pushtet, thesare, pallate, ku me kohën i kam realizuar dhe do të vazhdoj; sepse pika ku ndodhem, nuk është fundi i shpresave (ëndrrave) të mia.”
Burimi:https://www.darsiani.com/la-gazette/ali-pashe-tepelena-konsullit-francez-nena-hanko-frymezuesja-ime/


Kozeta Kurti: Fuqia e Zonjave Pop & Rock, përpara jush… rebelet e së shkuarës!

$
0
0

Intervistoi: Albina Gjergji

Bëhuni gati për një super ngjarje artistike. Kush ka siguruar biletat e së shtunës mbrëma për tek “Ladies Pop & Rock Concert”, e di që ka bërë e zgjedhjen e duhur për të përjetuar e arkivuar në memorie ndjesi që do të mbeten gjatë në kujtesë!

Emra dhe zëra brilantë do të ngjiten në skenën e Universitetit të Arteve në orën 19:00 të datës 11 nëntor. Ky aktivitet, i cili jo pa qëllim do të na kthejë pas në kohë, do të sjellë në vëmendjen e nostalgjikëve dhe brezit të ri vlerat e padiskutueshme të artisteve të mëdha, të atyre ikonave që në të shkuarën u privuan për ta jetuar ROCK shpërthimin e tyre artistik.

Për “Koha Jonë”, organizatorja e kësaj ngjarjeje të bukur, Kozeta Kurti zbulon detaje mjaft interesante për mënyrën se si lindi shkëndija për të materializuar idenë, si dhe risitë që do ketë ndryshe nga edicioni i parë, “Ladies Pop&Rock Concert”.

Ladies Pop & Rock Concert”. Kështu keni preferuar ta quani aktivitetin e radhës, që mban firmën tuaj në kreativitet? Pikërisht për këtë të fundit do doja të na flisnit pak Kozeta? Si ju lindi dhe nga buroi idea për të bashkuar në art, të shkuarën me të tashmen?

Ndoshta, sepse kam parë si mënyrën më të mirë, bashkimin e formës me përmbajtjen. Repertori është tërësisht i shkuar. Kënga më e re e koncertit është realizuar në vitin 2000, kurse forma, është e re; interpretimi është i ri, fryma e instrumentistëve dhe ata vetë janë të rinj. Unë udhëhiqem nga energjia, kam besuar gjithnjë në të, jam natyrë e “pakontestueshme” me të gjithë dhe e dija brenda vetes që mundja. Ideja lindi të nesërmen e koncertit të vitit të kaluar. Unë e dija që ai koncert do dilte mirë, sepse i kishim shërbyer me shumë dashuri dhe përkushtim, por jehonën që pati disa javë më vonë, nuk do ta harroj. Ishte nxitja kryesore për të projektuar një tjetër. Ishte tregues që njerëzit, sado pak apo shumë të jenë, dinë të dallojnë çfarë është patetike, meskine e vulgare e çfarë është poezi, muzikë, ngjyrë, aromë…

Emra të mëdhenj do të ngjiten në skenën e Universitetit të Arteve me 11 nëntor. Sa e vështirë ishte t’i bënit bashkë, duke e ditur që të gjitha artistët zhvillojnë jetën dhe aktivitetet e tyre brenda dhe jashtë vendit?  

Dhjetë minuta me secilën prej tyre më është dashur të marr një “po” të sigurtë nga të gjitha. Jam e vetëdijshme që reflektoj dashuri dhe pasion në atë që kërkoj të bëj në një fushë që nuk është njëqind për qind e imja. Dallohem qartë që unë s’bëj biznes a nuk përfitoj në emër të pasionit dhe artistët dinë të lexojnë sytë e qënien më mirë se kushdo tjetër. Ja pse unë s’kam gënjyer kurrë para tyre.

Si e keni konceptuar programin e së shtunës mbrëma?

Pa stisje, pa drama, pa pompozitet të shtyrë e të nxitur për hir të shoë-t. Jam përpjekur ta ruaj emocional e shpirtëror deri në fund. Ja pse koncerti nuk ka moderator/e, por është i ndërtuar mbi bazën e inserteve, me video-arkivat e këtyre këngëtareve në vite. Tekstet prezantuese të inserteve lexohen prej një aktori premtues si Igli Zarka, zëri i të cilit më ka intriguar që herën e parë që e kam dëgjuar. Me Iglin kemi realizuar bashkë të dy edhe çeljen e programit të së shtunës, por këtë po e lëmë surprizë, meqë e kam testuar në disa njerëz dhe kontakti i parë me atë video-mesazh është shumë emocionues. S’po e them që ta ruaj magjinë e sallës atë mbrëmje dhe magjinë e ekranit kur të transmetohet në Digitalb. I jam shmangur formulës klasike dhe dilemës, kush është emri më i madh këndon nga fundi, etj.. Jam përpjekur të ruaj ritmin dhe të parashikoj reagimet e sallës pas secilës këngë. Në skenë janë gjithnjë njëzet persona; njëmbëdhjetë violiniste, pesë djemtë e formacionit elektrik, tre vajzat e e back-vocaleve, ose kompleksi, siç quheshin dikur (qesh) dhe solistja. I kam dashur gjithnjë skenat masive dhe as ky rast nuk do të qe përjashtim.

Bashkëpunëtorët e Kozetës, cilët janë dhe sa e rëndësishme është që të jenë në të njëjtën frekuencë me ju?

Bashkëpunëtorët e mi janë pikërisht ata të cilët janë në të njëjtën frekuencë me mua, ndryshe nuk ndodh të ndjehemi skuadër. Të jenë pak të “çmendur”, siç unë jam. Të mos jenë veëm pritës, që ç’t’u them unë, të bëhet, por të shkëmbejmë ide, të mbajnë presionin e kohës, të mos marrim inat njëri-tjetrin kur ngremë zërin më shumë se ç’duhet, ta duan muzikën dhe një event të tillë të mos e shohin si punë që në fund të ditës do marrin ca lekë, sado qofshin ato e do të shkojnë në shtëpi, por ta shijojnë atë që bëjnë. Të kënaqen edhe vetë me atë që bëjnë, ndryshe, nuk kuptohemi. Kjo është arsyeja që punoj me njerëz që i njoh prej vitesh nga angazhimi im në media. Ama përsa i takon pjesës së muzikës nuk mund ta mohoj që, Gjergj Kaçinari, të cilit unë i besova edhe këtë vit drejtimin muzikor, më duket sikur e kam njohur në një jetë tjetër, kushedi se kur, kushedi se ku. Në një projekt të tillë nuk ka të parë e të dytë; ka veç njerëz që e duan atë që bëjnë!

A është e vështirë të realizosh projekte të këtyre përmasave dhe pse?

Është e vështirë veç prej mundësive financiare. Nuk mjafton veç një ide, sepse sado e mirë dhe e bukur të jetë ajo do ushqyer. Në një ngërç të tillë, ti duhet të kërkosh favore nga burimet njerëzore që kontrakton, shërbimet që kontrakton, ndërkohë që secili prej tyre ka dalë në punë për të bërë punën e për të jetuar me të ardhurat që i ofron puna. Nëse unë shkoj dhe i them, ty të bën dhjetë, por unë kam dy… shkon edhe ti po njësoj, edhe tjetri po njësoj… përfundimi është i pritshëm: bie cilësia. Për këtë arsye ti duhet të jesh (ose të paktën unë përpiqem të jem) solare, tolerante, e mirëkuptueshme, mikeshë, energjike, sakrifikuese. Vetëm kështu do marrësh mirëkuptimin e tyre. Po bëre si shefe a si brigadiere, nuk iku vetëm një betejë kot, por e gjithë lufta.

Ky aktivitet vjen pas suksesit që ju (me ekipin) jetuat vitin e shkuar. Keni të njëjtën pritshmëri, apo më shumë?

Të jem e sinqertë? Dëshiroj të paktën suksesin e vitit të kaluar, por e vërteta është se jemi investuar më shumë dhe kjo jo për shkak të emrave pjesëmarrës, se kjo do ta bënte shumë komerciale gjithë ngjarjen e unë nuk jam tipi, por sepse pres që kasti ta shijojë. Nuk e di… është lokacioni, pra ajo sallë, me të cilën shumica prej tyre janë të lidhura shpirtërisht se kanë kryer studimet aty; ka disa gjëra që më bëjnë të mendoj se do ta shijojnë shumë vetë e për këtë arsye do ta përçojnë lehtësisht edhe tek publiku.

A është në vetvete një shenjë mirënjohjeje ky koncert (për këngët e mëdha, artistet e mëdha), apo mesazhe të tjera mbart dhe kërkon të përçojë?

Është padiskutim një shenjë mirënjohjeje që unë dhe skuadra që po drejtoj, po e bëjmë kështu, sepse këtë mundësi kemi. Por është rizgjim i emocioneve të një publiku që hesht para asaj që sheh e dëgjon sot; është mbyllur në guackën e vet dhe nuk reagon. Është për t’i thënë ca pispiruqeve prej gome, ja çfarë bën një pjesë e këtyre zonjave që kanë moshën e mamave tuaja dhe dalin e këndojnë live, kurse juve s’ju skuqet fare faqja nga turpi, kur ju ngec CD-ja në “koncert”. U drejtoj një pyetje shumë të sinqertë: sa përqind mundësi kanë këngët tuaja të njihen e të këndohen edhe pas njëzet a tridhjetë vjetësh.

Në raport me historinë, artin, vetëdijen, nostalgjinë, kuriozitetin… si e shikoni brezin e ri në pasqyrën e asaj çka ne ishim dje e ata janë sot?

Për brezin ka gjithnjë tifozeri. Babai im thotë: në kohën tonë; unë i them motrës sime: në kohën time, e kjo histori nuk do marrë fund kurrë. Ajo që mund të them me siguri është se, sa më shumë gjëra të kesh, aq më pak e ke të mundur të zgjedhësh: shkon në shtëpi, ndez televizorin, kontrollon dhjetëra kanale filmash për shembull dhe si përfundim nuk sheh asnjërin. Kurse kur ke pak, fare pak, do mësohesh se s’bën ta duash atë, do e nxisësh pasionin me hir a pahir dhe shpirtërisht do jesh më i bukur, më i plotësuar. Me këtë nuk dua të them, rroftë izolimi, aspak! Por pak seleksionim nuk i bën dëm askujt.

Pasionante në gjithçka merr përsipër të bësh, ke patur raste dekurajimi, apo që në një fraksion sekonde (nga X pengesa) ke menduar që, “nuk bëhet”?

Mijëra herë…por në fund jam kujtuar cila jam: jam ajo që para qëllimit final, mund të trembet para shumëçkaje, por nuk tërhiqet para asgjëje. Ca e quajnë egoizëm, ca ambicie… për mua është thjesht plotësim i vetes me nevojat që shpirti im ka për të bërë diçka që e dëshiron…

Vitin e shkuar kur realizuat një koncert po kaq madhështor sa ç’pritet të jetë ky i radhës, jeni shprehur se është shumë e vështirë ta ribënit një ngjarje të atyre përmasave. Por… ja ku jemi sot Kozetë, rrethuar mes emrave si… (?)

E kam pasur fjalën për përsëritje të koncertit të vitit të kaluar. Pra, kam thënë që, kështu siç po e bëj tani, nuk kam në plan ta përsëris, që të interpretohet nga të rinjtë dhe interpretuesit e këngëve origjinale të jenë spektatorë. Kam shprehur dëshirën për një “reunion të tyre, ashtu si dikur…në vitet ‘90.  Këtë vit është krejt tjetër. Fuqinë e kanë gratë. Koncerti i ardhshëm do të shkruhet për “Albanian pop rock duets”, por si fillim do t’i japim pak frymëmarrje muzikantëve e do e ruajmë për 2019-ën këtë projekt, meqë 2018-ta do të jetë një vit ekspermental në teatër për mua, me një skuadër që po e ndërtoj dalëngadalë e që shpresoj të ketë suksesin e koncerteve.

Rebelja me shpirt të mëndafshtë, kështu preferoj t’ju drejtohem Kozetë, teksa mbyll intervistën me të fundit pyetje; pas përjetimit të një suksesi, cila është gjëja e parë që ju vjen ndërmend, ndërsa shtriheni në krevatin e qetësisë për të nisur një ditë re nesër?

Në këtë moment që po ju përgjigjem ka kaluar mesnata… unë do të shkoj pas pak të pushoj dhe sonte, gjëja e parë që më vjen ndërmend është: për fat të mirë ka ende gazetarë që dinë si të të mbushin kur të drejtohen ty, dinë si të të frymëzojnë… ndërsa zakonisht, pas përjetimit të një suksesi, mbyllem një orë e shpërthej në lot, pastaj kam dëshirë të festoj e në fund, kur shkoj të përplasem në  shtrat, pyes veten: a e merituam?

 

Viti 1938. Gazeta franceze: Shija e mbretëreshës Geraldinë për modën pariziane

$
0
0

Viti 1938. Gazeta franceze, “Paris-soir”: Shija e mbretëreshës Geraldinë për modën pariziane dhe fustani i nusërisë porositur në Paris

Nga Aurenc Bebja*

Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të hënën e 25 prillit 1938, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me Konteshën Geraldinë, bukuroshen hungareze, “Trëndafilin e bardhë” të Budapestit, mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, e cila ishte asokohe në prag të martesës me Mbretin Zog.

 Sigurisht, për këtë rast të veçantë, nevojitej një fustan nusërie unik dhe kryeqyteti francez ishte destinacioni ideal për të plotësuar dëshirën e saj.

 Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë të gazetës, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”: Moda pariziane e ka bindur mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë

 Brenda disa ditëve, Kontesha Geraldinë Apponyi do të bëhet mbretëreshë e Shqipërisë.  Deri tani, ajo e kishte për zakon të vishej shumë sportive, dhe porosiste veshjet e saj në Budapest. Por e kuptojmë që veshja e dasmës së një mbretëreshe është çështje më delikate. Kontesha Geraldinë i është referuar për këtë stilit parizian.  Fustani i saj do të jetë prej sateni të bardhë, i zbukuruar me gurë të çmuar, perla dhe qëndisje prej argjendi mbi të gjithë pjesën e sipërme, e cila do t’i përshtatet deri në bel. Fundi do të jetë shumë i gjerë dhe i gjatë, i prerë (i hapur) në pjesën e përparme që të dallohet një tjetër fund më i shkurtër dhe më i ngushtë.

 Një vello sateni e bardhë, e stolisur me qëndisje prej argjendi do të fiksohet në supe dhe bel. Pra, ky fustan u bë në Paris ndërsa kontesha gjendej në Tiranë.

 Një ekip i posaçëm u dërgua pranë saj tre javë më parë me “copat për fustan”. Gjatë tetë ditëve, pasi kontesha zgjodhi në mesin e modeleve të dizajnuara posaçërisht për të, ajo i provoi ato. Fustani, i bërë këtu sipas atyre copave, nuk do të ketë fare nevojë të provohet para ceremonisë.

 Kuptohet se diçka e tillë aq e çmuar nuk mund t’u besohet disa njerëzve të zakonshëm. Princeshat Maxhide, Ruhije dhe Myzejen, motrat e mbretit Zog, do të marrin për në Tiranë fustanin e nusërisë të mbretëreshës së ardhshme në valixhet që ata kanë mbushur me tualetet e tyre, të porositura gjithashtu në Paris.

  (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Misteri i vrasjes së aktorit të njohur të humorit shqiptar…!

$
0
0

Pse është harruar vrasja misterioze e aktorit të shquar Agim Shuke, në vitin 1992. Ai jetoi edhe disa ditë pas atentatit, i dërguar me urgjencë në një spital të Romës, në Itali. Doli nga koma, por nuk mbijetoi. A e pyeti njeri si ngjau? Si është mundur që shteti ynë prej vitesh nuk ka marrë masa për zbardhjen e këtij krimi?

Image

Agim Shuke duhet ta ketë parë ose ditur diçka se kush e vrau. A u ndoqën pistat e dyshuara të krimit që u publikuan në shtypin e kohës? Pse kaq heshtje, kur dihet që pas vdekjes së tij në vitin 1992 është protestuar me arkivolin në krah para Ministrisë së Rendit për zbulimin e kriminelit?

Agim Shuke nuk i kishte bërë askujt keq në këtë botë. Madje ishte një natyrë e butë dhe mjaft zemërgjerë, punëtor dhe i talentuar. Çfarë kërkonte vrasësi prej tij?!

– ELVIRA DIAMANTI

Kur jeni njohur për herë të parë me Agim Shuken dhe në cilat rrethana?

-Agim Shuken e kam pasur pedagog në vitet e fundit të studimeve të mia në Akademinë e Lartë të Arteve. Me të kam punuar për filmin “Shi në plazh”, ku ai luante rolin e Zenos, një beqari në moshë të shtyrë. Ka dialogje të paharruara me tre aktorë të shquar Robert Ndrenikën, Albert Vërrinë dhe Viktor Zhustin. Ka krijuar një karakter unik të personazhit, që nuk harrohet lehtë. Të punoje me Agim Shuken ishte një komoditet mjaft i madh, sepse ai shquhej nga një butësi e karakterit. Kjo ishte dhe mënyra e komunikimit të tij me studentët. Ishte shumë serioz dhe kërkues si artist, por komunikonte me dashuri dhe respekt me të gjithë. Më vjen keq që ai iku në kulmin e arritjeve të tij, ishte talent. Në kulmin e realizimeve filmike e skenike të njëpasnjëshme, ai u nda nga jeta, prej një dore kriminale që edhe sot mbetet mister. Ndaj në këtë përvjetor të tij do të doja të kishte më shumë pjesëmarrje dhe interesim. Mua më vjen keq që nuk janë as familjarët e tij këtu.

Ku ishit ju kur dëgjuat për vrasjen e Agim Shukes. Si ngjau?

-S’e kam idenë fare. Nuk isha në Shqipëri në atë kohë. Dëgjova shumë vonë se ka ndodhur një vrasje e tmerrshme dhe kur e dëgjova jam shokuar.

Sa kohë me vonesë e morët vesh lajmin nga koha e vrasjes?

-E kam marrë vesh lajmin pas dy apo tre vjetësh. Nuk e mësova dot sesi ngjau. Dhe në atë çast që e mësova nuk doja të dija më përveç asaj ndjenjës së një jete që u la përgjysmë, që mungonte, sepse 50 vjeç do të thotë të jesh shumë i ri.

Nuk kërkuat nga kolegët këtu në Shqipëri të dinit më tepër. Sa i afërm ishte për ju?

-Nuk jepte dot njeri as një shpjegim. Mbeti mister. Gimin natyrisht që e kam njohur si një artist, siç mund ta njohin të gjithë njerëzit. Për mua ishte një aktor mjaft i ngrohtë e me karakter. Ai ka luajtur shumë role dhe nga ajo çka pamë nga montazhi i sotëm, natyrisht duket se ishte një aktor shumë i mirë. Me Gimin kam kontaktuar kur për herë të parë u krijua një përvojë e re në Trupa e Akademisë së Arteve, ku merrnin pjesë pedagogë dhe studentë. Unë në atë kohë kam qenë studente në vitin e fundit dhe Gim Shukja ka qenë pedagog. Ai ishte një aktor shumë komod dhe një pedagog shumë i mirë, pa ato distancat e autoritetit me të cilat do të ishte e pamundur që të interpretoje. Ishte nga ata aktorë që do t’i jepte shumë më shumë skenës dhe ekranit. Më vjen keq që mungon, por sot megjithatë kemi këtë galeri rolesh të Agim Shukes që është mjaft e pasur.

Nga mënyra si luani tek “Shi në plazh”, duket që ka pëlqyer shumë roli. Ishit ende studente, sa ka ndikuar bashkëpunimi me Agim Shuken në këtë komedi?

-Natyrisht shumë. Por tek shi në plazh ishin disa artistë të mirë. Tedor Laço bëri skenarin. Përveç profesor Gimit ka ndikuar profesor Birçja, profesor Viktor Zhusti, Profesor Robert Ndrenika. Komedia e Tedor Laços për mua është një komedi shumë e mirë, dhe që të gjitha bashkë bënë që dhe unë me Gimin të kem një rol që rridhte natyrshëm.

Çfarë mbani mend se ka shprehur vetë ai për këtë figurë. Si e priti kritika e kohës?

-Mund të them se si kritika dhe publiku e priti mjaft mirë, por ajo çka mbaj mend është një punë intensive me profesor Gimin, ditën e pasditen, që nga prova e parë në finale ku pashë një rol të realizuar mjaft mirë. Ai punonte me këmbëngulje për të arritur atë që arrinte.

Është një person i veçantë për ju, profesor Gimi?

-Natyrisht hyn tek aktorët e realizuar plotësisht dhe është normale që ajo çfarë pasqyrohet së jashtmi vjen së brendshmi. Unë nuk kam qenë gjatë gjithë kohës e lidhur me të, që të tregoj më shumë. Por duhet të dimë se pa atë brendinë e pasur të botës shpirtërore dhe të mendjes së tij nuk do të ishin gjithë ato role të mrekullueshme. Pra ai ishte i mrekullueshëm edhe si njeri.

Image

***

– SHKËLQIM AGO

Çfarë marrëdhëniesh kishit me Agim Shuken?

-Jam bashkëqytetari i tij. Jemi lindur e rritur në një lagje.

Nëna e tij Kristina i ka rritur me mundime dy djem që mbetën jetim pas vdekjes së të atit. Sot në Kuçovë janë ende gjurmët e shtëpisë së tij të rrënuar. Por më besoni, aty çdo vit çelin dy zambakë. Dy djem kishte kjo familje. Dora e Zotit bënë çudira. Agim Shuke vinte nga një familje e mirë. Iku herët nga Kuçova. Ndërsa më vonë lidhja ime me Agim Shuken ishte si e çdo shqiptari që ka lidhje me artin.

Ju lidhte profesioni?

-Profesioni im është gazetar lokal dhe jam autor i një monografie që i kam kushtuar para ca vitesh kur ai ishte në Kuçovë, në vendlindje. Ne si bashkëqytetarë vendosëm t’i dedikonim një monografi të thjeshtë. Lidhja ime u bë më e fortë me të, sepse unë i kushtova monografinë atij si djali i Kuçovës, kur ai mori titullin Artist i Merituar. Kjo më bëri që të jem më i lidhur. Kam zgjedhur për librin pjesë intime të jetës së tij private dhe familjare dhe asaj të artit që ai ka bërë?

Pse ka mbetur vetëm kopja personale e monografisë?

-E kanë blerë menjëherë. Nuk u mendua se një monografi e thjeshtë do të kishte aq shitje sa të mos gjesh sot as një kopje. Libri u shit nga dashuria që kishte publiku për Agim Shuken.

Si keni njohur Artistin në jetë?

-Që ishim fqinj ishte pikënisja, por për monografinë mua m’u deshën dy vjet që të mblidhja materiale për të pasqyruar jetën dhe veprën e tij sa më saktë, më vjen keq qe s’gjeta në treg kopje që t’ua ndaja sot gazetarëve.

Si është komentuar dita e vrasjes së tij?

-Krimi që ndodhi ndaj tij është tronditës si për gjithë të tjerët edhe për qytetarët e Kuçovës, moshatarët, bashkëmoshatarët e tij. Edhe sot e kësaj dite ndihemi të shokuar. Pse duhej të ndodhte?!

Mbeti një gjë krejt e panjohur apo u ngrit ndonjë alibi që i ka fshehur gjurmët?

-Në fakt nga të katër pistat e hetimit që u shpallën, asnjëra nuk u vërtetua…

Cilat ishin pistat?

-Nga këto katër faktikisht nja dy janë dhe private, familjare. Nja dy u thanë për shkak të detyrës

Cila ishte detyra e tij, pse për shkak të detyrës?

-Ai ishte pedagog në Institutin e Lartë të Arteve në atë kohë dhe u ngrit një alibi se do të jetë ndonjë hakmarrje për ndonjë punë note. Por mua kjo nuk ma mbush mendjen, sepse ai ishte një pedagog i dashur. Nuk di ç’të them. Asnjë pistë nuk u vërtetua.

Po ju thatë se pati edhe dy pista kërkimi brenda familjes?

-Brenda familjes ata kanë gjykuar historinë e divorcit. Në atë kohë nuk ishin konstatuar as ligjet mbi të drejtat e detyrimet e çiftit pas divorcit, siç është problem dhe sot e kësaj dite. Kanë pasur një problem thoshin në linjën familjare, sepse ka qenë i divorcuar më parë.

Di gjë ti, disa ditë para vdekjes në spital, a pati komunikime të ekspertëve të policisë së shtetit për ta testuar a e kishte parë kriminelin?

-Ah ekspertiza! Shteti shqiptar në fakt, ç’të them, ai shkoi në Romë me lejen e tij, por edhe me përpjekjet që bëri familja për ta çuar në Itali.

Cila familje? Ishte martuar sërish Agim Shuke?

-Me gruan e parë ai ishte ndarë shpejt. Ai ishte i martuar me këtë gruan që ka kurorën dhe sot e kësaj dite. Tashmë ka dy fëmijët që janë me të. Prej divorcit ishte rikuperuar e kaluara. Fedra, bashkëshortja e tij dhe vajza e djali janë në Angli, nuk jetojmë më këtu.

Më trego pak për familjen e tij?

-Fedra, bashkëshortja është vajzë korçare, motra e Maksim Pilikës. Vajza quhet Irisa dhe djali quhet Orli. As familja e tij ende nuk e ka gjetur pse dhe kush e vrau Agim Shuken.

Po media si ka reaguar në atë periudhë. Nuk mbajti shteti përgjegjësi sesi një artist u vra?

-Shteti e ka marrë dhe e kanë çuar në një nga klinikat e Romës, ku pas disa ditësh në koma i kanë bërë një shërbim permanent të specializuar. U përkushtua si familja dhe shoqëria se ishin nga Kuçova disa bashkëmoshatarë të tij që iu gjendën te koka. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Gimi nuk jetoi më.

Si autor i monografisë sa je interesuar për të vërtetën e krimit?

-Ka qenë e pamundur të investigoje në këtë fushë, sepse kudo që vija gjeja atë opinion dhe përshtypje që ai ishte një njeri i mirë. Nuk i shkova dot pas kësaj linje. Reagimi i tyre ishte se Agimi ishte shumë i madh. Këtë thoshin kolegët, njerëzit e artit. Por do t’ju them se në atë kohë kur erdhi trupi i tij i pajetë është protestuar me arkivolin e tij në krah përballë Ministrisë ë Rendit dhe është qëndruar gati 20 minuta me gjithë pjesëmarrësit në kortezh. Kishte parulla: “Stop krimit”, “Të zbardhet vrasja e Agim Shukes”. Kanë kaluar 20 vjet e krimi nuk është zbardhur akoma.

***

– SAJMIR KUMBARO

Si ke njohur Agim Shuken?

-E kam njohur Gimin në filmin “Plagë të vogla”, kur unë desha të bëhesha aktor dhe tashmë Gimi ishte aktor. Ishte kënaqësi të punoje me të e me Roza Angnostin e me Ndrekë Lucën. Ishte një aktor i kompletuar, jo vetëm për heronjtë por edhe për karakteret. Personazhet i bëri tokësor. Ai vinte re detajet te veshja, te krehja. Ishte një aktor i madh, por një njeri shumë modest.

Si e morët vesh lajmin e vrasjes. Ç’dini më tepër?

-Nuk e mora vesh si ngjau. U trondita kur e dëgjova. Gimi nuk kishte konflikte, nuk ishte sherrxhi, të gjithëve u hapte rrugë. Ishte shumë paqësor dhe sot e kësaj dite unë them si nuk i gjetën këta njerëz?!

Si nuk u gjetën, vërtetë? Ai jetoi disa ditë pas atentatit. Dini ju nëse ka pohuar gjë?

– Ç’të them. Ai jetoi pas atentatit, por ose nuk ka dashur të thotë, ose nuk arriti t’i njohë. Kjo na dëshpëroi vërtetë, sepse të vrasësh një artist është krim, sepse ke vrarë gjithë personazhet e tij. I ke vrarë edhe të ardhmen.

Është aluduar në atë kohë për një konflikt pronash?

-Nuk e di. Ajo ka qene pistë e shpikur kot. Nuk e di të ketë pasur Gimi prona. 1992-shi ishte një kohë kur populli e shteti u çorodit. E di si them unë me humor, ndodhi si me një vajzë të mbajtur me ferexhe që e fut direkt në një diskotekë. Çoroditja ishte totale.

A e bëri shteti punën e tij për zbardhjen e krimit?

-Çfarë shteti. Ne kishim një shtet infantil. Gimi ishte njeri shumë pozitiv. S’mund ta mendoja se do ta vriste njeri një ditë.

Shuhet aktori i njohur Mërkur Bozgo

$
0
0

Aktori i njohur Mërkur Bozgo është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare. Aktori vuante nga një sëmundje e rëndë prej kohësh. Bozgo numëron një numër të madh rolesh në kinematografi dhe teatër.

I lindur në 24 Mars të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës, në vitin 1961 përfundon studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe prej këtij viti fillon punën në Estradën e Tiranës deri në vitin 1968.

Pas këtij viti për 7-të vjet punoi në Televizion dhe që prej vitit 1975 punon si aktor në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Në vitin 1994 del në pension. Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë në kinokomedinë televizive “Estrada në ekran” në vitin 1968.

Ka interpretuar në disa filma shqiptarë si:

Në fillim të verës (1975), Punëtori që shënon me shenjë arkën me barut
Emblema e dikurëshme (1979), Drejtori i muzeut
Agimet e stinës së madhe (1981), z. Ali
Tela për violinë (1987), Andoni
Stolat në park (1988), Drejtori
Bolero (1997), Klienti i Evelines
Gjoleka, djali i Abazit (2006), Hoxha
Seriliali televiziv Komuna e Parisit, Xha Rakua
Bela TV Serial (2011) Babai

Shkrimi i 1606: Elokuenca, sekreti i suksesit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në fushën e betejës

$
0
0

NGA: Aurenc Bebja, France
Në librin « Maximes d’estat militaires et politiques » të Giovanni Botero (1544 – 1617) – të përkthyer në gjuhën frënge nga Pierre de Deimier (1580 – 1618) dhe botuar në vitin 1606 në Paris nga shtëpia botuese « Toussaincts du Bray » – gjejmë një shkrim në kapitullin « Des Capitaines excellens à se faire rendre obeïssance », më saktësisht në faqen n°33, ku flitet për Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

Fragmenti në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » – trajton elokuencën ushtarake të udhëheqësve më të shquar, ndër të cilët përmendet edhe heroi ynë kombëtar:

“ …Elokuenca (gojëtaria) ushtarake ka shërbyer dikur për të qenë një bindës i menjëhershëm, dhe në bazë të këtij virtyti, siç tregon Suetone (Caius Suetonius Tranquillus, 70 mb.K. – 122 mb.K.), Çezari (Caius Iulius Caesar, 100 p.K. – 44p.K.) i ka barazuar apo tejkaluar të gjithë ata që ishin para tij. Për këtë, Ciceroni (Marcus Tullius Cicero, 106 p.K. – 43 p.K.) shkruan se megjithëse ky luftëtar i madh ishte po aq i mirë sa Lelio (Caius Laelius Sapiens, 188 p.K. – 125 p.K.), dhe sado që një burrë e ka të vështirë të dëgjojë se një tjetër është i shkëlqyer në më shumë gjëra se ai, duke e pranuar lëvdatën ushtarake, ai ia atribuoi Lelios trofeun e elokuencës.

Aftësia e të qenit elokuent ka qenë shumë e dobishme në mesin e kapitenëve modernë, ku fatmirësisht i ka shërbyer Gjergj Skënderbeut, prej të cilit mësojmë nga historia, se kur ai dilte i armatosur në fushën e betejës, sytë e tij shkëlqenin mrekullueshëm nga gëzimi, fjalimi i tij gjallërues, trimërues dhe luftarak u jepte zemër ushtarëve të tij në atë mënyrë saqë i bënte jo vetëm të shkathët e guximtarë, por edhe të furishëm e përbuzës ndaj rreziqeve, madje edhe ndaj vetë vdekjes”.

Burimi:https://www.darsiani.com/la-gazette/shkrimi-i-1606-elokuenca-sekreti-i-suksesit-te-gjergj-kastriotit-skenderbeut-ne-fushen-e-betejes/

Visar Zhiti: Zbulimet e mia në dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit, kush ishte poeti e mësuesi që spiunuan

$
0
0

Shkrimtari Visar Zhiti në librin e tij të ri “Si na erdhi ai, i ndaluari…” tregon zbulimet e tij në një dosje të ish-Sigurimit të Shtetit ku mësoi se kush ishte poeti dhe mësuesi që spiunuan në regjimit komunist. Dossieri i Zhitit është publikuar sot në ‘Panorama’.

“Kush të jetë vallë “Flaka”? Po “Peneli”, po “Penda e artë”, po “Mali”…?! E vështirë të vendosësh përkrah këtyre pseudonimeve, emra, fytyra, njerëz, që i ke konsideruar miq, që ke ndarë orë, sekrete të vogla, ëndrra rinie… Ndërsa shfletonte dosjen e tij, nxjerrë nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, poeti Visar Zhiti do të kthehej pas në kohë dhe vetmevete sillte në mendje situata.. dhe nuk donte të besonte. Shokë shkolle, pedagogë, bashkëvuajtës në burgun e Spaçit e kishin denoncuar, e kishin spiunuar.

Në librin e tij më të fundit, botim i shtëpisë botuese “OMSCA 1”, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, ndër të tjera rrëfen edhe këtë moment, përballjen me denoncuesit e tij, me denoncime dhe procesverbale, që në shumicën e herëve kishin në qendër faktin që ai, Visar Zhiti, lexonte ose përkthente poezi të poetit reaksionar, Jevtushenko. Është pikërisht ky i fundit, fija lidhëse e të gjithë librit. Si ra në kontakt me poezitë e Jevtushenkos, si u dënua prej tyre, si e takoi vite më vonë bashkë me të birin, Atjonin, me të cilin bashkëbisedon në faqet e këtij libri. Libri është një udhëtim nga Tirana në Moskë e Shën Peterburg, nga poezitë e Jevtushenkos, tek ato të tijat… Nga libri i Visar Zhitit kemi shkëputur pikërisht momentin e përballjes me denoncuesit e fshehtë dhe procesverbalin, marrë dy herë nga poeti, me të cilin kishte ndarë vitet e burgut.

NGA LIBRI DENONCIME TË FSHEHTA…
“…Bashkëpunëtori ‘Flaka’, në datën 25.2.1974, informon se Visar Zhiti, student i vitit të tretë Gjuhë-Letërsi, merret me përkthime të poezive të poetëve hermetikë nga rusishtja si, të Jevtushenkos, të poezive me theksa pesimiste të shkrimtarit francez Pol Eluar, të poetit spanjoll Federiko Garcia Lorka, të poetit turk Nazim Hikmet”…

U trondita kur e lexova, megjithëse kishin kaluar vite, ishte ndërruar shekulli dhe kishte ardhur një mijëvjeçar tjetër e perandoria komuniste kishte kohë që kishte rënë. Po shfletoja tani vonë dokumente, të nxjerra nga Autoriteti i Dosjeve, institucion i krijuar rishtazi, që, sipas kërkesës, të jep materiale nga arkivat sekrete të shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Burgjeve, të dënimeve etj.

Pra, isha denoncuar qysh student, nga ndonjë shok mes nesh. Nuk doja ta besoja, edhe pse tani isha plot me përvojë të hidhur dhe dija mjaft fakte e ndodhi të tilla, pabesi e prapashpinëri, zili të egra e dashuri të rreme etj., etj. “Flaka”? I kujt mund të ishte denoncimi? Pseudonimi i gjithkujt? Jo, jo, më vinte keq dhe turp ta pranoja. Ishte i askujt. Doja ta ruaja imazhin e shokëve, të atij sinqeriteti e gëzimesh të varfra të asaj moshe… sa të tim biri tani, sa shokë të mirë e të sinqertë që janë ata… nuk doja ta pranoja spiunin në dhomën time, le të mbetej jashtë, as në auditor, as në bisedat në ndonjë bar në muzg, teksa me naivitet do të kem treguar: shiko ç‘kam përkthyer… si shkruhet andej dhe si shkruajmë ne…

E ai, çfarë më tha? Ku shkoi më pas? Natën. Dërgoi letër apo takoi operativin? Ku? Pas mureve të Institutit apo në rrethinë? Takimi pranë wc-ve të… Të ketë raportuar me dashje apo e shtrënguan? Iu djersit balli? Iu turbullua vështrimi? E zuri gjumi më pas? Si do të ketë dalë në provime? Po me mua, a do të jetë takuar përsëri? E lexova sërish shkresën e zbehtë, të daktilografuar me makinë të vjetër shkrimi. Në krye, majtas shkruhej me shkronja kapitale: REPUBLIKA POPULLORE. SOC. E SHQIPËRISË.

Një rresht më poshtë: MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME dhe prapë më poshtë: DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME. Poshtë e më poshtë, e futur në thonjëza: “Ana e Sigurimit”, Nr. 504/4 Prot. Numri ishte shkruar me dorë, me bojë të zezë. Kurse në të djathtë të shkresës, po sipër: S E K R E T.

Më poshtë: Ekzemplar nr. 2. Prapë më poshtë: “E përkohshme 5 vjet”. Po pse e kanë ruajtur kaq gjatë? Kanë kaluar disa dhjetëvjetësha. Apo ka mbetur nga zhdukjet e djegiet postdiktatoriale? Dhe më poshtë: Shkodër, më 12.9.1979. Kjo shkresë sekrete i dërgohej:

DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME, “ANËS SË SIGURIMIT”, KUKËS.

Ku unë isha mësues e pothuaj dy muaj më pas do të arrestohesha. Pra, po mblidhej material komprometues për mua. Si fillim i shkresës nxinte një tjetër denoncim, po kundër meje, “i depozituar” nga “Pena e artë”. E i kujt do të qe ky pseudonim vezullues, i ndonjë shkrimtari? Po tani ku është, deputet apo ka ikur fare? Pikë e zezë!… Po unë kam marrë dhe një çmim tani me këtë emër… A ta kthej si dekoratën e Presidentit?… Pastaj, më poshtë vinte “Flaka” për Jevtushenkon…

Dhe poshtë e më poshtë, sikur zbritej shkallëve të ferrit, një denoncim i tretë: Bashkëpunëtori “Rozafati” me datën 25.2.1974, informon: … “është fjala për disa shfaqje hermetizmi në shkrimet e disa studentëve, që u lënë shkas interpretimeve jo me partishmëri. Kështu ka ndodhur me studentin Visar Zhiti, i cili shkroi një poezi me këtë frymë dhe kjo u afishua te stenda e rrethit letrar të institutit, më vonë u hoq, por çfarë u bë me të, u diskutua apo jo nuk e dimë.”

Mbaronte faqja e parë. Ky duhej të ishte denoncim pedagogu, me pseudonim legjendar. O Zot, cilët na paskan mësuar ne, ata që na kanë vrarë…! Kalova në faqen më pas, lexova: Po agjenti “Flaka”… prapë flakë, në djall shkoftë, dhe poshtë denoncimit të tij, një tjetër denoncim dhe një tjetër pseudonim “Shkëndia”, ai merrej me një letër timen, ku i kisha shkruar: …më kanë lidhur me prangat e maleve… Po, e kujtoj… Po në krye a të kisha shkruar i dashur shok… e atëherë si guxove ta denoncosh?!

Kaq shumë pseudonime. Sa pak emra të vërtetë. E shumë e më shumë denoncime, përditë. Në fund të letrës, ca shkronja pa kuptim për mua, ndonjë kod, siç duket, dhe ja, emri i zv/nënkryetarit… shumë i përgjithshëm dhe në fund si një qen cerber: “Punëtori operativ Bujar Hoxha” dhe firma. Ai që do mbushte dosjet e mia e do të më arrestonte, po ai, gjithë qejf. E njihja. Na vinte në dhomën e shkollës, ku banonim ne, mësuesit e largët, unë me nja dy kavajas etj., në fshatin e thellë me borë aq të pastër si për të më ngushëlluar në heshtje me atë lëbyrje drite të rënë. Operativi s’kishte turp, na rrinte dhe për darkë ndonjëherë, si bashkëqytetar i atyre dy kavajasve. Si e kishte pseudonimin njëri nga ata, “Peneli”? Po “Mali”? A po ai është vendas. Mësues matematike, i zoti.

S’e dija aq të rrezikshëm. Po gjatë bisedave, kur përmendet fjala “mal”, si nuk i bie të fikët, a nuk i ndien shkëmbinjtë e mëkatit mbi shpinë? Apo shkëmben i qetë valutën para selisë së PS, se ka zbritur nga malet në kryeqytet? Kur na vinte operativi, më dukej sikur kishim futur brenda në dhomë një “karabinë vetëmbushëse Simonov” nga ato të zborit. Hante sikur t’ia kishim për borxh ta ushqenim… lëpinte kockat e mia… “Harram” të qofshin, se ke dhe mbiemër Hoxha apo e ke nga ana e Enverit? Ku je tani apo ndonjë drejtor drejtorie?

NJË TJETËR DËSHMI E MARRË DY HERË PARA DHE PAS ARRESTIMIT
Prapë një denoncim tjetër. E mbaj ndër duar, pas shumë e shumë vjetësh… Dy muaj pa katër ditë para se të më arrestonin, në 12 shtator 1979, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Kukësit, Agron Kokona, shkon në burgun e Spaçit dhe merr një dëshmi me shkrim nga një i burgosur atje, poet i njohur, mik imi, kur isha student, megjithëse ai ishte shumë më i madh se unë në moshë. E doja e më donte, kështu më dukej, rrinim bashkë, mitomaninë e tij e shihja si vlerë për krijimtarinë e tij, ia njihja dhe paqëndrueshmërinë dhe frikën, por nuk ia vija fajin atij për këto.

I dobët, melankolik, fantast, me humor, i ndjeshëm, vishej çrregullt, edhe me kopsa të këputura, me kravatë, buzëqeshte çiltërsisht, zemërmirë, tymoste dhe me llullë ndonjëherë, i shante të gjithë me hope e po të gjithë i lavdëronte me hope. Shkruante shkëlqyer. Dhe erdhi dita të shkruante mjaft keq për mua, sa më vjen tepër keq për të. Dukej sikur ma kishte hapur vetë portën e hekurt të burgut me një si dëshpërim vëllazëror, të papërmbajtshëm. Nuk besoj se ka dashur të më denonconte me dëshirë, por dhe nuk e përballonte dot kërcënimin përbindshëror të shtetit. Trembej shpejt si fëmijë dhe i çoroditej kujtesa edhe më.

Isha i denoncuar dhe për Jevtushenkon. Prej tij, sidomos, nuk do ta doja kurrë. Prapë më dhimbset, e dua dhe e kam falur… E rilexova shkresën. S’kishte dhembje gjëkundi dhe asnjë mundësi mbrojtjeje ndaj meje… Nuk besoj se do t’ia kenë marrë me tortura atë dëshmi, as me mashtrime ose duke i kallur datën. Se e dija, ato i ishin futur brenda vetes me kohë. Ai dukej i tromaksur vazhdimisht. Normal ishte vetëm kur shkruante poezi, kështu thoshim për të, ngaqë bënte një poezi anormale, gjithë shkreptima metaforash të befta, si një hënë që binte natën mbi liqenin e Shkodrës. Poezia atë e bënte trishtueshmërisht të mrekullueshëm.

Shfletoja dosjen, tani në kompjuter, të dixhitalizuar. Në datën 10. 12.1979, pra një muaj e dy ditë pasi unë isha arrestuar, shkon përsëri në burgun e Spaçit shefi i hetuesisë, Nexhat Selimi, hetuesi im inatçor, me vështrimin gozhdë. Dhe takon poetin e njohur. Pothuajse po ajo dëshmi, tani e shkruar me stilograf me bojë të blertë, po ajo ngjyrë që do të firmosnim dhe proces verbalet në hetuesi me mua, ndërkaq ku e ku ishin shtuar dozat e së keqes. Mes të tjerash, pasi shpallesha armik, përsëri shahej Jevtushenkoja dhe unë që paskësha dashur atë poet armik.

Poeti i njohur ishte në prag të lirimit nga burgu dhe s’kishte nga t’ia mbante, ndërkaq vendi i tij nuk duhej të mbetej bosh atje, në Had. Dy dëshmitë e tij, pothuajse të njëllojta, dukeshin si të kopjuara nga njëra-tjetra me dorë, nja katër faqe të gjata secila. Në krye kishin të shtypura disa të dhëna standard që plotësoheshin nga marrësi i denoncimit.

PROCES VERBAL
Mbi kallëzimin e krimit të kryer Datat përkatëse. Pastaj vazhdonte, në njërën: unë Agr… Kok… e në tjetrën: unë Nexh… Sel… mora dëshminë nga F… Emri i poetit të njohur, lindur më… në… i divorcuar, arsim i mesëm… banues: në burg, detyra: i dënuar… me 4 vjet për agjitacion e propagandë… 4 vjet atëherë ngjanin sikur të mos ishe dënuar fare… Marrëdhëniet me të pandehurin, shoqëri, e kishte plotësuar ai, miku im… (Në një tjetër denoncim, një tjetër, që kishim qenë bashkë studentë, në marrëdhëniet me të pandehurin kishte plotësuar: indiferente…?! Atëherë pse nuk ka ndenjur mënjanës?)

…Dhe, pasi e lajmërova për përgjegjësinë penale që ka për kallëzim të rremë në bazë të nenit 219 të K. P., më deklaroi sa vijon: (Kopjova ç’kishte thënë në lidhje me Jevtushenkon). …Më kujtohet edhe një herë tjetër, kur Visari më ka ardhur në shtëpinë time në Shkodër, mund të ketë qenë viti 1973, ndër të tjera më kishte përmendur se kishte përkthyer disa vjersha të poetit revizionist sovjetik Jevtushenko, nga i cili, më tha, se kishte dhe një vëllim me vjersha, botim rusisht, që, me sa më kujtohet, titullohej “Molla”, që më tha se më ka pëlqyer shumë.

Unë i thashë që ty nuk duhet të të pëlqejë, se në radhë të parë ai është antishqiptar, sepse ka shkruar e folur kundër vendit tonë, ndër të parët që ka goditur teorikisht realizmin socialist, është i përkëdheluri i Hrushovit dhe se ka shkuar në Spanjë, Portugali etj., dhe, veç kësaj, Jevtushenkoja është poet revizionist dhe se është kritikuar në shtypin tonë, gjë të cilën Visari e dinte, por megjithatë Visari thoshte se atë e dua dhe e pëlqej shumë, shiko se ti mund ta kesh gabim, më tha Visari… Dëshmi të tjera para dhe pas kësaj, keq e mos më keq.

atjoni-me-shkrimtarin-rus

Pastaj ishin emrat dhe firmat, kallëzuesi, marrësi i denoncimit: dy xhelatë, kryetari i degës dhe kryehetuesi, kurse në kallëzimin e parë ishte dhe një emër tjetër, asistoi… Vërtet, kush ishte i pranishëm? Djalli, i thirrur nga regjimi i tyre, nga shefi i partisë së tyre… Bota m’u bë e huaj e gjitha. Më vinte të qaja… Nuk urreja dot, edhe pse po na ndërsenin kaq keq kundër njëri-tjetrit, ndieja mëshirë për mikun tim, po si do ta takoja në burg? E pse të mos e përqafoja? Si e paskëshin katandisur të gjorin Narcis, e kishin shëmtuar edhe më shumë. Se mos vetëm atë. Të gjithëve po na rrënonin. T’ia tregoja këto tim biri? Se mos do t’i duhej të urrente? Jo, jo, më mirë më vonë ose kurrë.

ME PRANGA
– Pse e ke lexuar librin “Molla” të Jevtushenkos, pse? – më ulëriu hetuesi një natë, gjithë natën.

– Kemi prova që edhe e ke përkthyer!

– Jo, nuk e kam lexuar… Në një revistë gjeta ca poezi. Qëlluan të tij.

– Mos i zije me dorë!

– Luftohet më mirë kundërshtari, kur e njeh.

– Kundërshtari je ti! Armik! Dekadent! E lexove për aleancë. Ç’revistë ishte? – …letrare…

– Në ç’gjuhë?

– Rusisht.

– Të revizionistëve, tradhtarëve të marksizëm-leninizmit.

– Në gjuhën e Leninit…

– Maskara! Pusht! Kush ta dha revistën?

– Askush!

– Si?! Askush je ti, ashtu do të të bëjmë! Ik, shporru! Hiqmani! Mos ia hiqni prangat! I shtrirë mbi dysheme, i trallisur, po mendoja se nga i dinin këto. Ditari? Çne, unë e di ç’kam shkruar… Po me këto do të merreshim, me letërsi, prandaj më kanë arrestuar? Kështu duket, por rreziku është tjetër, s’dihej si e qysh… Por unë prapë nuk do t’i tregoja se ku i gjeta poezitë e Jevtushenkos, kush na i jepte…

Femër? Degjenerim, do të ulërinte hetuesi… …Dhe s’i ndjeva llozet e rënda dhe derën që u përplas, jo se nuk i ndjeva, por s’i perceptova si të miat, por si të mëparshme a që do të ndodhnin më vonë. Mbi kokë po më endej njëri nga minjtë, duhej të ishte ai që e njihja, jo i ziu fare, dhe nuk duhej ta trembte tërsëllëma e derës, prandaj e spostova me mendje në një birucë më tej, para ose pas simes.

Minjtë bunin edhe ditën, dilnin nga vrima e dyshemesë, vëzhgonin, kërkonin ndonjë gjë që hahej, copë këmishe, lëkurën time, ndonjë fletë të padukshme të Zhak Preverit, Jevtushenkos, le të ishte revizionist… Po rilexoja pjesë nga burgologjia ime, “Rrugët e Ferrit”, ndërkohë më gjëmonin veshët nga ulërima e hetuesit: pseeeeeee, pse e lexove atë?! Pse… revizionist, armik ai dhe ti bashkë me të.

Ku i gjete? Ë? Fol… se do të kesh lehtësira… S’do të tregosh, do fillojmë torturat… në burg do të shtysh vagonë nën tokë, gjithë jetën… Pse e ke lexuar, kë, kë?… Jeeeeevtueeesheeenkoooooo…n, rifillonte hetuesia, natën gjithmonë, pas mesnate, më zgjonin të shtrirë mbi dysheme… më vijnë ende të bërtiturat e hetuesit, i ke përkthyer poeZiiiiiii, ti… dhe kujt, atij që ka shkruar kundër Enver Hoxhës, të ikën koka, a e di? Ku e gjete librin “Molla”, ë? – që në fakt nuk e kisha parë kurrë, kjo më ndihmonte të kundërshtoja gjithë frikë: joooo…

Ç’ishte kjo Mollë e tmerrshme për të cilën, pse desha ta kafshoja paksa, më flakën në ferr? E Jevtushenkoja çfarë bënte, ku ishte?… Se ai, miku im, poeti i njohur, po ngatërrohej, gabonte me dëshminë e tij, më mirë do të ishte të mos dëshmonte… kujtesë e çoroditur… e tij, imja?… E ç’rëndësi kishte… më kishte rënduar mjaft me të tjerat e ç’duhej Jevtushenkoja?…

Ndoshta unë s’kisha më shpëtim dhe ai e dinte këtë nga përvoja e tij e, çfarëdo që të thoshte, për mirë a për keq, të më mbronte ose të fliste kundër, njëlloj do të ishte, asgjë s’ndryshonte asgjë. Kisha panik, që mundohesha ta zotëroja, prisja ndihmë, s’di nga ku, qiell s’kishte mbi mua… Ai, poeti i njohur, tashmë gjendej përtej, i hedhur tek të burgosurit dhe nuk i ndryshohej dot fati për sa kohë do të mbahej në burg. Si armik. Pra, ju i besonit armikut? E ç’do të thoshte ai, sipas jush, vetëm armiqësira. Po edhe ti je armik, si ai Jevtushenkoja…

Poeti i njohur ishte në prag të lirimit, nuk e dija. Dhe mbase atij i duhej të dëshmonte ashtu, përndryshe mund të mos lirohej. Unë isha në prag të dënimit, s’e dija sa do të dënohesha dhe jo e gjitha varej nga akuza. Ata po na përçanin, na kishin përçarë, po na çmiqësonin, e kishin bërë dhe me të tjerë, kur e kishin dënuar poetin e njohur. Nuk doja ta rëndoja, gjithsesi, por mllefe të çastit kisha, pse më vërsulej tani? Të ketë denoncuar që atëherë, kur i kisha treguar dhe Jevtushenkon? Nuk doja të hakmerresha, por, duke rënë aty në kompleksin e fajit, s’kishte si të mos kundërshtoja kundër tij. A e kishit shpallur armik?

Pra, ç’prisni?… Më dhimbsej vërtet, ai kishte shëndet të dobët e karakter jo të fortë për ta duruar burgun, vetëm mitomani e fantazi të çoroditur, që s’e di a i shërbenin të kaptonte përtej telave me gjemba. Zhgënjimet, thyerjet, kundërsulmet e verbra ishin të pashmangshme në ato kushte çnjerëzore, deheroike. Baraba dhe martir i gjorë, me një kryq grotesk, faji është përtej nesh…

Shikoja fantazmën e Jevtushenkos dhe nuk kuptoja pse vinte, për të më dhënë kurajë apo për të më dënuar më shumë? Përmes dhëmbëve hetuesorë dhe pështymës së tyre më fanitej në miniaturë diga e një liqeni që kishte mbytur një qytet të hershëm, tashmë të zhbërë, që unë e quaja Kukësburg, se duhej ngritur një hidrocentral, vepër e partisë, ku, sipër tij. Ku, ku, Kukës! E si mund ta përdorësh dritën për të humbur, për të shkuar në errësirën vrastare?

Këta ia kishin kaluar edhe djallit. Thirrjet më vazhdojnë edhe tani… Që të shpëtoja mendërisht, shpirtërisht, aq sa mundej në qeli, t’i shmangesha urisë, frikës, kisha filluar të bëja poezi me mend. Ato ishin dhe lutje, i kisha bërë dhe më gjunjë, ishin dëshmi dhe amanete që ia lija… Kujt? A…jrit… Poezi tjetër për Mollën e dënuar… futet dhe Jevtu-shenkoja… Jo vetëm që s’po pendohesha, por po bëhesha më i keq, po rrëshqisja plotësisht në frontin e armikut…

Rashë mbi dysheme. Më zuri gjumi. Ndjeva miun e zi mbi krye. Jo, ishte maja e këpucës së policit… po më zgjonin… duhej të bëhesha gati për në gjyq, ku do të më dënonin me 10 vjet burg, më shumë se dyfishi i poetit të njohur, edhe ca dënime të tjera nga pas. Po dënim ishte që ne të gjithë kishim humbur njëri-tjetrin, një pjesë dhe veten. Nga pas më vinte hija e Jevtushenkos, tashmë atë s’e hiqte dot askush prej meje. Dhe po të mos ishte e njëmendët, unë krijoja mes delirit të torturave…/panorama

Themelohet shoqata kulturore “Çermenika”

$
0
0

Zona e Çermenikës në Librazhd nga sot e tutje do të përfaqësohet nga një shoqatë. Në ambientet e Muzeut Kombëtar me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve me banim në zonën e Çermenikës, por edhe nëpër qytetet e tjera të vendit u themelua sot Shoqata Kulturore Çermenika 2017.

Pas përshëndetjeve të rastit, ku u në pah edhe historia e Çermenikës, u zhvillua një votim i fshehtë për zgjedhjen e drejtuesve të shoqatës.

Pas votimit, kryetar i saj i shoqatës Kulturore Çermenika 2017 me 200 vota u zgjodh z. Behar Almeta.

Almeta, një biznesmen i suksesshëm dhe një ndër nismëtarët kryesorë të organizimit të shoqatës premtoi pas zgjedhjes se tij se do të punojë me përkushtim për promovimin e zonës së Çermenikës, si nga traditat kulturore e patriotike, por edhe thithjen e investimeve për zonën.

Në këtë mënyrë, banorët e zonës së Çermenikës do të kenë tashmë edhe një zë zyrtar të tyrin për zgjidhjen e problemeve të tyre, por edhe për aktivitetet kulturore dhe sociale.


 “Edhe zogjtë i mashtrojnë” promovohet në Lezhë

$
0
0

Në sallën “At Gjergj Fishta “në Bibliotekën Publike “Gjergjj Fishta “ në qytetin e Lezhës , është promovuar vëllime me tregime i poetit Bislim Ahmetaj mes miqve, dashamirësve, poetëve, shkrimtarë, krijues , gazetarë etj, të cilët vlerësuan autorin e krijimtarinë e tij të pasur. Nën moderimin e aktivitetit të drejtoreshës së Bibliotekës Publike “Gjergj Fishta “, Lezhë, autori Bislim Ahmetaj, dëgjoi nga miqtë, kolegët e tij poezitë e tij nga përmbledhja poetike e sapobotuar “Edhe zogjtë i mashtrojmë”.

Prezantimi i këtij libri erdhi përmes leximit të poezive nga poetë e shkrimtarë, ndërsa kritiku e shkrimtari Mark Simoni, përshkroi truallin që e ka mbrujtur këtë poezi – pasuria orale e traditës më të mirë të trevës së Tropojës, përmasa vertikale e të menduarit në harmoni me dimensionin e peizazhit që ka rrekur syri i poetit, apo fuqia për të shpallur përjetimin e ndjeshmërinë me sinqeritet si bir I kësaj zone.

Ky vëllim poetik, i katërti i Ahmetajt, vjen “si një zë që ka patur nevojë të dalë, për të treguar atë që ndjej, si e përjetoj, çfarë më trazon, kush jam, si më mveshin ëndrrat, trillët, absurdi, përditshmëria…”, -tha autori Bislim Ahmetaj për miqtë, ndërsa veçoi se “e përcjell me shumë emocion këtë tubim, i cili ndodh në një qytet të begatë artistikisht e në një vend që mban emrin dhe peshën e At Fishtës”, që e theksoi edhe gazetari e publicisti Alfons Zeneli .

 Jak Rrozhani

Një “Pendë e Kristaltë” si Erenestina, poetja e magjishme gegë nderohet me çmim

$
0
0

 

Shkrimtarja Erenestina Gjergji Halili është vlerësuar dhe nderuar nga Instituti për Mbrojtjen e Kulturës Shqiptare. Për ruajtjen e kulturës gege dhe toske dhe për magjinë e shkrimeve të saj, Erenestina është nderuar me “Pendën e Kristaltë” për vëllimin, “Bibulz – Për ma t`parën lule t`kopshtit tem”.

“Drita sot paska çilë ndrysh! Më nderon ky çmim e vëmendja juej! Ju falem nderës”, ka shkruar Halili në rrjetet sociale për nderimin që i është bërë.

Çmimi për shkrimtaren vjen nga Vjena, nënshkruar nga letrarët dhe studiuesit, Gjergj Jozef Kola dhe Hans-Joachim Lanksch. “Bibulz”, është libri i një viti heshtje mediatike, por pune krijuese. Gjithë vëllimi i saj poetik është një intertekst, në kuptimin që i jep Bart, ajo e mbështet idenë e saj poetike, kumtin e fjalës dhe ligjërimin poetik, në paratekstin biblik.

“Instituti për mbrojtjen e kulturës shqiptare nderon znj. Erenestina Gjergji Halili me “Pendën e Kristaltë për POEZINË SHQIPE 2017”. Erenestina asht padyshim GRANDE DAME e poezisë shqipe. Poezia e saj ka nji melodi dhe stil krejt të veçantë. Ajo asht nji nga të paktat poetesha shqiptare të pakontaminueme me realsoc, si në stil, ashtu edhe në gjuhë. Erenestina Gjergji Halili asht nji fatlumni e madhe për çdo letërsi e për çdo komb. JURIA. Me Hans-Joachim Lanksch”, shkruan Gjergj Jozef Kola në vlerësimin e tij, shpërndarë në rrjetin social, Facebook..

Stuktura e librit të autores është trinia, ajo e madhja dhe ajo e Erës e kontekstualizuar. Është Ati, Biri, Shpirti, të tretë Erës, po Era është Nânë, kështu i nis edhe libri, si nânë që takon Atin (poezia e parë e Ciklit të parë), si nânë që shkon te Biri e bashkëbëjnë Shpirtin.

No automatic alt text available.

Shqiptari i Preljocajt. Redi Shtylla, në trupën e famshme të baletit

$
0
0

Në trupën e famshme të baletit që drejton Angjelin Preljocaj është edhe një shqiptar. 23-vjeçari Redi Shtylla rrëfen rrugëtimin e tij nga Shqipëria në Francë. Prej 2 vitesh ai është bërë pjesë e akademisë më të njohur të dansit kontenporan, me të cilën interpreton në skenat më të njohura të botës.

“Në fillim nuk dija shumë për Angjelinin. Në Francë është një nga figurat më të mëdha, një nga koreografët më të mëdhenj të Francës dhe më bëri përshtypje mbiemri i tij. Mu duk shqiptar dhe fillova të kërkoja në Google dhe kur kërkova më shumë për historinë e tij pash që ishte me origjinë shqiptare. Aty fillova të interesohesha më shumë për të”, tregon Redi Shtylla.

Së bashku me trupën e baletiti të kompansië Preljocaj, tani ai shkel në skenat në mbarë botën. Fillimi i muajit tetor e solli atë në Tiranë për nisjen e turit të ri të Preljocaj, kohë kur Redi rrëfeu edhe rrugëtimin e tij drejt baletit dhe njohjen me koreografin e madh francez me origjinë shqiptare.

“Isha gjatë një audicioni për t’u bërë pjesë e kompanisë Preljocaj, kur në një moment, kur po bëja ushtrimet ktheva kokën pas dhe pash Angjelinin. Aty shtanga, por vazhdova koreografinë time. Ishte një surprizë. Kisha dëgjuar shumë për të, por kontakt live nuk kisha pasur asnjëherë”, thotë 23-vjeçari.

Por ndonëse shokët e tij kishin në mendje figura të njohura të baletit botëror, Redi e dinte mirë se ai donte të ishte gjithnjë Redi.

“Me atë kulturë që jemi rritur, me atë teknikë baleti rus na vinin nëpër mend balerinët më të famshëm rusë, si Parishnikov, Nurejev dhe të gjithë thoshin ‘unë dua të bëhem si Parishnikov, unë dua të bëhem si Nurejev’. Mua, kur më pyesinin thosha se dua të bëhem si Redi pas 10 vjetësh”, thotë Shtylla.

Për Redin, familja ka qenë forca e tij më e madhe që kur ka nisur e deri në momentin që ka dalë jashtë Shqipërisë, që ishte dhe gjëja më e vështirë për të. “Falë tyre jam këtu ku jam e ky që jam, prej njerëzve që më kanë besuar”, thotë 23-vjeçari. Për momentin Redi po shijon suksesin e tij në skenat anembanë botës e ndërsa është vetëm 23 vjeç, skena të reja e presin. /Top Channel/

Mira Meksi vjen me një model të ri tregimi

$
0
0

Këto ditë ka dalë në botim përmbledhja me tregime dhe novela “Flutura mes gjinjve” e shkrimtares Mira Meksi. Tregimet e autores së njohur Mira Meksi sjellin një botë plotë ngjyra, mister dhe filozofi. “Tatuazhi i profilit të fluturës japoneze mes gjinjve të një gruaje të bukur fsheh plot mistere erotike. Një dashuri e fajshme trondit nga themelet besimin te vetë dashuria.
Emri i gruas që marrosi Servantesin dhe u bë simboli njerëzor i dashurisë së paarritshme, është gdhendur në kalanë e Ulqinit.
E vërteta e mizorisë, luftës, dashurisë dhe vdekjes së kontit Drakula, gjendet në Labirintus Budavari, 1040 Budapest.” Këto dhe të tjera tema nga më të larmishmet dhe më të jashtëzakonshmet formëzojnë tregimet dhe novelat e “Flutura mes gjinjve”.
Shkrimi i Mira Meksit është një nga shembujt e shkëlqyer të investigimit letrar, të tejkalimit të rrëfimit tradicional dhe të krijimit të një tregimi të ri në letërsinë shqipe ku gërshetohen elemente të esesë, realizmit magjik dhe tregimit neofantastik.

“Enigma e emrave” të  Gjovalin Shkurtaj

$
0
0

Vepër me vlerë të madhe e  peshë shkencore

Nga Gjekë Gjonaj

Fondi i librave studimorë  në fushën e gjuhësisë , në veçanti albanologjisë në përgjithësi,  u pasurua në prag të Panairit të librit më Tiranë  edhe me një libër të mirëfilltë shkencorë “ Enigma e emrave”( Shqyrtime, shpjegime dhe fjalor i zbunimeve) të  akademik  Gjovalin Shkurtaj, botim i Shtëpisë Botuese “ Naimi”.

Vepra e re e  studiuesit serioz prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, një njohës i shkëlqyer i etnologjisë së antroponimeve, është fryt i një pune të palodhshme e të  gjatë shumëvjeçare dhe ka si bosht idenë e tij  të hershme dhe të përhershme se çdo emër ka një histori, që lidhet me faktorë të ndryshëm jo vetëm gjuhësorë, po edhe etnologjikë, historiko-shoqërorr dhe kulturorë, të cilët e kanë shoqëruar në rrjedhe të shekujve njeriun.

Çdo emër, thotë autori, në një fare mënyre, është edhe një enigmë, që do të kishte si çelës pyetjet: pse të është vënë ky emër, për çfarë arsyeje, pse ta shkurtojnë emrin, pse të thërrasin për shkurt, ose me ndonjë nofkë etj.

Prof.dr.  Gjovalin Shkurtaj në këtë vepër me vlerë të madhe e peshë shencore  ka trajtuar dukuri  interesante të emrave vetjakë të shqipes, si përzgjedhja e emrit, shkurtimet ledhatuese, nofkat, shtjellime hyëse dhe fjalor  shkurtimeve dhe i emrave të pëlqyeshëm e që mund të jenë edhe të këshillueshëm për t’u përzggjedhur e përhapur.

Në libër studiuesi Shkurtaj është ndalur në ato dukuri, që kanë jo veëm mirëfilli interes studimor në aspektin gjuhësor dhe si lëndë e onomastikës, po edhe që përbëjnë prurje e mundësi për shqyrtime edhe më të përgjithshme në planin etnolinguistik dhe sociolinguistik.

Dukuri ë tilla, shprehet prof.Shkurtaj, janë ruajtja e emrave të hershëm dhe përtëritje e tyre tradicionalisht nga një brez te tjetri,zbunimi ose ledhatimi i emrave, duke i shkurtuar, here duke i zgjatuar me anë prapastessh, ndonjëherë edhe duke gjetur emra të dytë, krejt të ndryshëm nga emri zyrtar, duke krijuar një larmi të madhe të trajtave të dyt, që kanë vlerë njohëse dhe ia vlen të njihen sa më gjerë.

Sipas  prof.dr. Gjovalin  Shkurtaj format e dyta të emrave vetjakë të shqipes janë të larmishme  dhe pasqyrojnë qerthullin e gjerë të ndikimeve prej mjediseve të ndryshme familjare, miqësore, shoqërore, mendësiore etj, qyh nga përzgjedhja e emrit, deri në atë larmi ndonjëherë shumë të madhe dhe forma tëdyta të tyre.

Në librin “ Enigma e emrave” gjuhëtari Shkurtaj ka trajtuar edhe traditën e emrave shqiptare, si dhe ndikimet nga onomoastika e huaj, sidomos nëpërmjet besimeve fetae, po edhe “modën” adhetare, që ka përshkuar në shekuj  mjediset shqiptare, prej së cilës kanë mbetur një numër i madh emrash të pëlqyeshëm, nga fjalë të shqipes me kuptime positive, po edhe krijime të reja mbi bazën e shkronjave të emrave prindërore etj.

Profesor.dr. Shaban Sinanai në Parathënie të librit  ndër të tjera shkruan:

“Njohës i thellë i çështjes që ka zgjedhur të trajtojë në këtë libër, me karakter studimor e katalogues (vepra përmban edhe lexicon-et me karakter shpjegues), autori, Gjovalin Shkurtaj, ndërthur me shumë sukses kulturën e njeriut të terrenit me atë të ekspertit të katedrave. Këtu qendron dhe një prej shpjegimeve pse ky libër është një arritje me denjësi shkencore e me dobi praktike, interpretues e udhëzues. Është e kuptueshme pse në këtë vepër sundojnë argumentet sociogjuhësore e etnogjuhësore, që nga shkaqet e dyfishësisë së emrit (këtu mund të kishte qenë rasti për pak më shumë vëmendje e krahasim të dukurive të sotme e të mëhershme me emrat e pagëzimit në regjistrat kishtarë dhe format “laike” të tyre), deri tek shmangiet për shkaqe emfatike (përdorimi familjar, përdorimi eufemistik, në ndonjë rast edhe kakofemistik). Me të drejtë ai ka bërë të njohur edhe ndikimin konservues të dialekteve, një tjetër shkak për variantistikën frikësuese të emrave me të njëjtin burim në shqipen e sotme.

Shqetësimi i gjuhëtarit që beson në njësinë e shqipes letrare dhe të rendit brenda saj nuk e le të qetë autorin edhe kundrejt tronkimit agramatikor të emrave të të huajve; kundrejt anarkisë në dhënien e emrit (përkundër traditës fanatike, laike e kishtare, rregulluar me rreptësi, që ka ekzistuar dikur dhe që autori e evokon me vend).”

Ky  libër  me siguri ka një vlerë të madhe sidomos për studiuesit e onomastikës , për student, doktorantë, po edhe për të tjerët  e  interesuar,  duke qenë se  mungojnë libra të kësaj  përmbajtjeje –tematike  që ka brenda tij. Libri  shton dhe vërteton seriozitetin shkencor të autorit.

Medvegjë, Konferencë shkencore për akademik Idriz Ajetin

$
0
0

Java e parë e nëntorit në Medvegjë, njëra ngë komunat më të vogla të Luginës së Preshevës, mblodhi personalitete të shquara të kulturës shqiptare rreth konferencës shkencore kushtuar Akademik Idriz Ajetit, “babait” të gjuhës shqipe, siç e quajnë studiues të shumtë “rrapin shekullor”, i cili në fillim të këtij viti ka mbushir 100 vjet.
Ky evenimet shkencor u organizua nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Lugina e Preshevës, e cila, në Pallatin e kulturës, zhvilloi një Konferencë shkencore për Akademik Idriz Ajetin, me origjinë nga Medvegja, duke e vlerësuar lartë, kontributin e tij në fushën arsimore, kulturore dhe shkencore.
Në këtë konferencë shkencore, morën pjesë përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora si: profesorë, shkrimtarë, nxënës e studentë, në festën e madhe në Medvegjë, për ta nderuar dhe respektuar njeriun më të shquar, Akademik Idriz Ajeti.
Në ambientet e Hotel Gejzerit në Banjë të Siarinë, në një sallë të stërmbushur me njerëz, dashamirës, profesorë, intelektualë, nxënës etj.
Prof. dr. Isak Shema, nga Kosova, i cili e kishte patur për profesor Akademik Idriz Ajetin, tha se duhet bërë më shumë për këtë njeri, si në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc, ngse sipas tij, kemi të bëjmë me një albanolog të spikatur të gjuhësisë shqiptare.

Profesor Shema u paraqit në Konferencë me kumtesën: ” Veprimtaria arsimore, kulturore dhe shkencore e Akademik Idriz Ajetit”, pastaj me radhë: prof. dr. Bahtijar Kryeziu “Identifikimi i unit shkencor në veprat e Akademik Idriz Ajetit”, prof. dr. Begzad Baliu dhe prof. dr.Naile Mala “Pikëpamjet e prof. Idriz Ajetit për prof. Çabejn”, prof.dr. Faton Krasniqi “Ndihmesa e Akademik Idriz Ajetit për albanologjinë”, dr. Berton Sulejmani “Recension për librin “Rrapi shekullor-Idriz Ajeti” të autorëve: Bahtijar Keyeziu dhe Begzad Baliu”, prof. Rexhep Abazi “Kontributi i Akademik Idriz Ajetit në zhvillimin e kulturës së gjuhës dhe shkollës shqipe”, M.A. Fatlum Hetemi “Kontributi i Akademik Idriz Ajetit në fushën e arsimit”, drof.Gani Krasniqi “Shekullori i Meditës Akademik Idriz Ajeti, një shekull në shërbim të gjuhës shqipe”, Rrahman Hyseni, shkrimtar “Akademk Idriz Ajeti- burrë i denjë i kombit”, Ilmi Rexhepi “Venerime sintaksore të Akademik Idriz Ajetit dhe nevoja e riaktualizimit të tyre”.

Shoqata për Trashëgëmi dhe Krijimtari Kulturore, me kryetarin e nderuar prof. Xhemaledin Salihu, ndau mirënjohje për Akademik Idriz Ajetin dhe për lexuesit e kumtesave shkecore.
Mirënjohje për akademikun ndau edhe Idriz Sinani, kryetar i IGFM-së (Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut). Mirënjohjet i pranoi nipi i tij, z. Hasan Ismajli, ku në emër të akademikut u përcolli pjesëmarrësve përshendetjet më të sinqerta.
Pjesa shtesë e konferencës u përcoll me recitime nga nxënësit nga Medvegja: Arbenita Balaj, nxënëse e Shkollës Fillore “Baja e Sarinës” me poezinë “Fjalët e qiriut” dhe Adelina Osamani, me poezinë “Gjuha shqipe”, nxënëse e Shkollës së Mesme “Nikolla Teslla”. Gjithashtu recitimevet u shoqëruan me një valle instrumentale nën tingujt e çiftelisë, të cilën e paraqit Sokol Musliu.

Sevdail Hyseni

Biografia
Idriz Ajeti lindi në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës më 26 qershor të vitit 1917, është shkrimtar dhe akademik shqiptar.
Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë. Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ. Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Gjatë vitit 1969–1971ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973–75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979–1981 dhe 1996–1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

Sevdail Hyseni

Shqiptari që po shkëlqen si regjisor dhe aktor në SHBA

$
0
0

Nga Niko Papa

(Chicago – SHBA)

I dallur për urtësinë dhe talentin e tij në aktrim, ai vjen kësaj radhe për të na suprizuar të gjithëve. Edi Mehana ,(Eagle Mehana) shqiptari i cili jeton prej disa vitesh në Chicago, duket i vendosur për të “pushtuar” ekranet botërore. Fjalë pak dhe punë shumë, ai herë pas here na bën krenarë me projektet e tij kinematografike. Kësaj radhe, përveç aktor, ai vjen si rregjizor dhe producent i filmit “The Pride”.

Filmi “The Pride” bashkon temat e luftës, fesë dhe çështjeve LGBTQ duke i mbyllur ato në vlerat dhe emocionet e një familje komplekse. Gjenerali Truman, i cili qëndron në karrocë invalidi për shkak të luftës, mburret me krenari për shërbimin e tij ushtarak në të kaluarën. Ai është një i ve dhe babai i tre fëmijëve të rritur – , Chrstian, Ray dhe Jessica. Kur ushtria klasifikon të krishterët si MIA (të humbur në veprim) gjatë një turneu në detyrë në Lindjen e Mesme, gjeneralët nuk janë kurrë në gjendje ta pranojnë këtë fakt. Në një akt të mohimit dhe mashtrimit, Gjenerali shkruan letra fiktive dhe i paraqet tek miqtë dhe të afërmit sikur të jenë të shkruara nga një i krishterë i gjallë dhe i mirë.

Edi Mehana

Ray, djali i dytë i gjeneralit, është homoseksual dhe ndodh të jetë i dashuruar me të dashurin (Kevin) e motrës së tij (Jessica). Problemet fillojnë për Ray kur ai rrëfen homoseksualitetin.

Tematika e filmit është disi e veçantë nëse mendojmë për shoqërinë shqiptare por pikërisht ky duhet të jetë dhe qëllimi i dy tekstshkruesëve shqiptarë Virtyt Kelmendi & Edi Mehana. Të sjellin për shikuesit një realitet që ende nuk pranohet lehtë. Urojmë që The Pride, të vlerësohet nga publiku amerikan dhe të arrijë në majat më të larta të kinemasë botërore. Ne e kemi vërtetuar, se shqiptarët jemi talentë në fusha të ndryshme dhe padyshim që arti shqiptar ka shumë për ti dhënë artit botëror.


Shkrimi i rrallë i gazetës franceze në vitin 1937: Si u emancipua femra shqiptare

$
0
0

Nga Aurenc Bebja*, 

Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1937, në faqe të parë dhe të shtatënjë shkrim për princeshën Maxhide dhe emancipimin e grave shqiptare. Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë të gazetës, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

 “Ndodhi një revolucion i vërtetë. Pranverën e kaluar, një dekret i Mbretit Zog të Shqipërisë shpalli barazinë mes gruas dhe burrit, dhe ndaloi ferexhen në të gjithë mbretërinë, e cila ishte vendi i fundit në Ballkan që u qëndronte ende besnik shumicës së traditave myslimane.

Pra, nesër, në përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një batalion i grave do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake. « Amazonat » e reja do të paraqiten me uniformën e zakonshme ushtarake : kaskën, çizmet, maskën e gazit, pushkën dhe mitralozin.

Ato do të komandohen nga Princesha Maxhide, një nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, gruaja që ka bërë më së shumti për emancipimin e grave shqiptare. Ajo mban gradën e togerit në gardën mbretërore.

Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore.

www.darsiani.com

Nasho Jorgaqi: “Moska dhe një sekret mbi socializmin që e mbajta fshehur për dekada”

$
0
0

Prof. Dr. Nasho Jorgaqi

Është një e vërtetë e pamohueshme, me peshë të madhe historike e sociale që Revolucioni Socialist i Tetorit, i cili triumfoi në Rusi 100 vjet më parë, përbën një ngjarje epokale që tronditi botën dhe shënoi një nga kthesat më të mëdha të shoqërisë njerëzore. Me këtë revolucion gjetën shprehje si asnjëherë idealet liridashëse të popujve për një shoqëri të drejtë e të barabartë që do të mishëroheshin dhe do të konkretizoheshin në rendin socialist që nisi të ngrihet përmes vështirësive të mëdha, si nj sprovë e parë e pangjarë në Rusinë e prapambetur, të vuajtur e të shtypur në vitin 1917.

Për këtë realitet social fenomenal kam medituar e reflektuar gjatë gjithë jetës sime të ndërgjegjshme. Në rini me entuziazëm të madh, më pas me një qëndrim realist të përmbajtur, larg çdo skepticizmi, pastaj me ca rezerva kur përballesha me ngjarje e praktika të padrejta e aspak humane, për të kaluar në kritika, por kurrnjëherë në mohim. Mendoja dhe mendoj  se, si në çdo fushë, dialektika është e pranishme dhe në zhvillim edhe në shoqërinë njerëzore. Ajo ka evoluar nga një sistem në tjetrin, nga shoqëria patriarkale sistem primitiv, në shoqërinë feudale, pastaj në shoqërinë kapitaliste, për t’u zhvilluar më tej në shoqërinë socialiste. Në një miting të madh popullor në Athinë pas viteve 90 dëgjova një nga liderët socialistë francezë të thotë se e ardhmja e shoqërisë njerëzore është socializmi. Sepse shoqëria njerëzore nuk mund të rrijë në vend, pa ndryshim ajo vdes, por mençuria njerëzore dhe përvoja historike, sipas ligjeve të dialektikës, do të sjellë ato ndryshime që i kërkojnë kohët e reja dhe progresi.

Këto mendime m’u zgjuan në 100 vjetorin jubilar të Revolucionit rus të vitit 1917. Dhe këto mendime më çuan larg, para treçerek shekulli dhe çuditërisht në Moskë, atje ku kish hedhur hapin e parë socializmi si sistem shoqëror.

Ndodhesha në kryeqytetin sovjetik, pasi kisha pushuar për një muaj në Krime, madje kisha qenë dhe në Jaltë ku isha njohur me një student rus që kish mësuar shqipen dhe kjo u bë shkak të miqësoheshim. Ai quhej Aljosha T, një djalë i mençur e simpatik, tipik rus, flokëverdhë dhe sy të kaltër, natyrë e dashur dhe e sinqertë. Me të do të flisnim për letërsinë e për bukurinë e vajzave si të rinj që ishim, do të vizitonim muzetë, veçanërisht shtëpinë-muze të Çehovit, do të flisnim nga pak për filozofinë, por çuditërisht aspak për politikën. Ai më njohu e më lidhi më botën ruse.

Por një natë, pasi dolëm nga restoranti ku kishim darkuar, ai më rrëfeu një barcaletë ruse që u shkrimë së qeshuri. Pastaj, pa pritur, më bëri një pyetje të çuditshme që më vuri në një pozitë të vështirë: “E di ti se ç’është plenumi i KQ të Partisë?” Unë mbeta për një çast dhe pastaj iu përgjigja sipas fjalorit politik të kohës.

Ai buzëqeshi dhe tha: “Jo, ai është varianti zyrtar, por sipas variantit popullor Plenumi i Partisë është një arenë, ku njerëzit i hanë kokën njëri-tjetrit.” Kësaj here unë shtanga, u ndjeva keq, bile më tingëlloi si provokim dhe s’i dhashë përgjigje. Ai më vuri dorën në krah dhe më tha me të butë: “Po do të bëjmë dhe shaka, se jeta pa shaka të plak.”

Atëherë unë i thashë: “Nuk fole ti, po vodka që pimë.” Dhe me këto fjalë e mbyllëm bisedën dhe vazhduam shëtitjen përgjatë bulevardit buzë Detit të Zi, duke kujtuar tregimet e Çehovit me temë nga Krimea.

Atë natë mezi më zuri gjumi. Nuk më hiqej nga mendja pyetja e tij për Plenumin e KQ. Nuk kisha dëgjuar gjatë tërë atyre ditëve fjalë me zarar nga rusët me të cilët kisha kontakt. Sigurisht, ata flisnin dhe për politikë, por brenda vijës së kohës. Kështu dhe unë, që vija nga një vend aleat i vëllait të madh sovjetik. Isha i matur, për mos të thëne njëfarë fanatiku, aq sa nisa të dyshoja për keq, por në fakt ai tregohej korrekt dhe miqësor.

Për këtë u binda sidomos kur shkuam në Moskë, ku ai kishte familjen dhe gjatë pak ditëve që më kishin mbetur më shëtiti për të parë Maozelumin Lenin-Stalin, Muzeun e Revolucionit, Teatrin Balshoi etj. Kurse një ditë më çoi të vizitoja Bibliotekën “Lenin” të Moskës, ku soditëm sallat kryesore. Në një moment, para se të largohesha, ai më tregoi se në katin e poshtëm gjendej fondi ku ruheshin librat e rrallë dhe ato të ndaluarit, por që nuk lejohej të frekuentohej nga të gjithë.

Kur dolëm nga Biblioteka, u ulëm në një lokal për t’u çlodhur. Aty Aljosha qëndroi për një kohë si i menduar, ndërsa unë sodisja lëvizjet e njerëzve dhe të makinave. Nuk di sa kohë qëndruam kështu, por mbaj mend se pasi pimë kafetë, ai u çel në fytyrë dhe më tha me një zë të përdëllyer:

“Ju nesër do të largoheni dhe unë po filloj të ndjej që tani mungesën e një miku që nuk do ta harroj. Më besoni për këtë që ju them. Lidhëm një miqësi tepër njerëzore dhe kjo është një gjë e rrallë si tek ne dhe tek ju. Ndaj do të të besoj një të vërtetë, që e mbaj brenda vetes prej vitesh dhe jo rastësisht ju solla në Bibliotekën Lenin dhe ju tregova për katin e poshtëm. Aty punon ime motër dhe unë kam fatin që, me ndihmën e saj, të lexoj disa nga librat e arkivit, të cilët u jepen vetëm njerëzve të autorizuar. Përjashtim bëjnë individë të veçantë që i sigurojnë ilegalisht, si unë nëpërmjet motrës. Kështu kam lexuar mes pak librave dhe një nga librat me letërkëmbimin e Marksit dhe Engelsit. Nga ky libër kam zbuluar një të vërtetë të madhe e të papublikuar në vendet tona, të cilën do të ta jap për ta marrë me vete dhe të mbetet si një e fshehtë miqësore.

Friedrich Engels

Libri i letërkëmbimit është pjesë e veprave të plota të Marksit dhe Engelsit, që u përkthye dhe u botua me porosi personale të Leninit, pa u censuruar pas revolucionit. Por me vdekjen e Leninit, ky botim i plotë i veprave të tyre, me urdhër të Stalinit, u hoq nga qarkullimi dhe u zëvendësua me një botim të ri të censuruar, që njihet si botim zyrtar.

E pra, unë kam pasur fatin e madh ta lexoj e të zbuloj me kohë, në librin e letërkëmbimit, një nga letrat e Marksit që i dërgonte Engelsit, mikut dhe bashkëpunëtorit më të ngushtë, ku gjendet ajo e vërtetë gjeniale për të cilën e kam fjalën. Ai ndërmjet të tjerash (duke nxjerr një copë letër nga xhepi) i shkruante:

“I dashur Fred, sapo i dhashë fund “Kapitalit” dhe tani rri e mendoj dhe pyes veten se cili do të jetë fati i ideve të kësaj vepre në të ardhmen e panjohur? Mendimi im është ky: në qoftë se do të përvetësohen e do të zbatohen në vende të zhvilluar si Anglia, Franca, SHBA e Gjermania, këto ide do të jenë fatlume, por në qoftë se do të tentohet të zbatohen në vende të prapambetura si Rusia, India, Kina, këto ide do të jenë fatkeqe.”

As sot e kësaj dite nuk e kam harruar seriozitetin dhe solemnitetin me të cilin i shqiptoi dhe ligjëroi Aljosha fjalët e atij paragrafi të letrës. Vetëm di të them se aq u emocionova dhe u habita nga ajo e vërtetë e madhe që dëgjova, nga vizioni gjenial i Marksit, sa m’u duk sikur në mes nesh shpërtheu një dritë e fortë, por nuk fola, vetëm tunda kokën në heshtje, si të bëja padashur një rit. Edhe Aljosha u tregua fisnik, nuk e çoi më tutje, nuk bëri asnjë koment. As unë nuk fola. Ishte biseda më e çuditshme që kisha përballuar në jetën time. Tani më takonte mua që këtë të fshehtë të rrallë ta mbaja thellë në vetvete. Me këto mendime u ndava nga Aljosha tek hoteli kur më përcolli për të mos u takuar e komunikuar më kurrë.

Karl Marx

Të nesërmen u ktheva në Shqipëri me bindjen se këtë të vërtetë që sillja me vete nuk do t’ia tregoja askujt, qoftë dhe në rrethin tim të ngushtë shoqëror. Çdo hapje e imja në atmosferën e rëndë politike të kohës, do të kishte efektin e një bombe. E gjitha kjo vinte nga mendimi se çështja e revolucionit proletar ishte konceptuar dhe zbatuar nga Lenini ndryshe nga Marksi.

Ata viheshin në kundërshtim me njëri-tjetrin. Për Marksin ky revolucion do të triumfonte në vendet e zhvilluara, kurse për Leninin revolucioni do të niste nga hallka më e dobët e sistemit kapitalist, siç ndodhi në të vërtetë me Rusinë e prapambetur. Duke arsyetuar vetmevete për këtë problem madhor të shoqërisë njerëzore, mendoja se fati i socializmit si sistem po të zbatohej sipas Marksit, do të kishte qenë krejt ndryshe.

Do të shmangte në një masë të konsiderueshme, pavarësisht nga disa arritje historike, kalvarin që shoqëroi revolucionin leninist në vendet e pazhvilluara ose në ato përafërsisht të zhvilluara, por që ndoqën modelin sovjetik. Një rrugë të tillë kish ndjekur edhe Shqipëria. Kjo është rezultantja historike-sociale e Revolucionit të Tetorit që mund të heqim në përkujtim të 100 vjetorit të triumfit të tij, pa mohuar kurrsesi tronditjen dhe goditjen e rëndë që i dha sistemit kapitalist dhe farës jetëdhënëse që hodhi për një botë të re, pa shtypje dhe shfrytëzim, për drejtësi e barazi, për ato të mira sociale që u solli masave të gjera, të cilat kapitalizmi më vonë i huazoi.

Të gjitha këto mendime që më zgjoi ai fragment i letrës së Marksit, unë do t’i kyçja brenda vetes për disa dekada. Vetëm kur ndodhi përmbysja politike e viteve 90-të, e bëra të njohur publikisht mendimin e Marksit në një mbledhje të gjerë të veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare, ku isha i ftuar të flisja në 50 vjetorin e rënies heroike të Qemal Stafës. Fjalët e mia patën një pritje të dyzuar në sallë: një pjesë i mirëpriti duke i duartrokitur, kurse pjesa tjetër qëndroi indiferente. Dhe kjo u duk në mbarim të mbledhja, kur një pjesë më shtrënguan dorën, të tjerë nuk m’u afruan. Ndërsa unë gjithë atë situatë e prita me gjakftohtësi, duke u dhënë të drejtë të dy palëve, ashtu siç na mëson dialektika.

Për të madhin Lasgush Poradeci

$
0
0

Nga Hysen Ibrahimi

E kujtojmë me mall edhe përmes kritikës poetike. Ishte dhe mbeti i paharruar në zemrat tona. Mbeti si njëri ndër poetët më të dashur e më të pathyeshëm, që kurr nuk u dorëzua të ju bindet diktateve ç’njerzore të diktaturës.

Kur tani e tridhjet vjet e kujtojmë me dhimbshuri për mënyrën e fundit të jetës së tij, ende më të  dhimbshëm na krijon mallin e mungesës së tij. Pse jo, edhe ta nxjerr lotin! Por, nga dashuria e madhe që ndjejmë për Lasgushin, me rastin e tridhjetë vjetorit të tij të vdekjes, nga malli mora ti lexoj disa poezi të tij. Më ra në sy poezia e titulluar ”Gjarpërushja”[2], vergje që ndjekin koncepcione artistike, me pikëpamje realiste. Vërtetë krijohet një zbrazëtirë e thellë shpirtërore në këto momente për Lasgushin, duke i lexuar poezitë e tij. Por krijimtaria e tij, mbush shpirtin tonë, sa herë që e lexojmë, ato ende më tepër rrisin vlerën poetike. Lexova me vëmendje disa strofë me vargje nga poezia në fjalë, ku shkruan:

Haj të mirremi për dore,
Nep-ma zemrën që ma more,
Gjarpërushe pikëlore

M’u vrapo q’andej matanë,
më qëndro në zemër pranë,
M’i vështro sa lot më lanë.

Të fjalosemi ngadalë,
të pushtohemi pa fjalë,
Plot me afsh e duf të valë.

Lasgushi, gjithëherë i ka kënduar, të bukurës, jetës, lirisë, duke u angazhuar shpirtërisht që poezia të ngjanë me realitetin e kohës dhe të ardhmes së saj.  Por, duhet ditur se poeti ynë i madh Poradeci, ka qenë dhe mbeti thellë i preokupuar me të gjitha sferat e jetës, sa herë që ka hasur në pengesë të lirisë për të shkruar dhe krijuar, që ka dëshmuar me plot kuptimin e fjalës se ka qenë dhe mbeti njëri ndër poetët më të dashur, me vlera të larta artistike dhe krijuese…, lexojmë edhe një herë, se si përdorë rimën: fjalosemi ngadalë, të pushtohemi pa fjalë, Plot me afsh e duf të valë! Vargje artistike së shkuar artit.

Në poezinë e Lasgush Poradecit, shifet logjika e arsyes, që të vetmin synim autori ka që poezisë ti jap një kuptim të duhur, domethënës e që ngjanë me realitetin e kohës.Si duket poezia ishte dhe mbeti si frymëzim i poetit tonë të madh Lasgushit. Ishte si një çlirim shpirtërore përmes vargjeve gjatë gjithë jetës së tij, që i realizonte.

Kur lexojmë strofën e parë dhe të tretë të poezisë së titulluar: ”Zemërimi jonë”[3], ku shkruan:

Si të t’a them të shkretën vojtje që ndjej në zemër ças-përças,
Atë durim të padurura të zemërimeve pa gas.
Tashi zë çel një vrer në buzë, tashi zë ndrin një vaj në sy,
Edhe të dhemb më keq se mua, edhe më dhemb më keq se ty.

 Dhe më pëlqen ah zemërimi ndaj vjen e shkon e qesh e qaj’
Ndaj ri mendohem duke pyetur: a mos ke faj? a mos kam faj?
Dhe ja! m’a fal çfardo mërije! dhe ja! t’a fal çfardo mëri!
Dhe më mbush prapë plot me dritë, plot me të ëmblën dashuri.

 Imagjinata e Lasgush Poradecit për të krijuar poezi artistike, ishte si një Det që nuk i shihet fundi. Të rrallë, shumë të rrallë ka të tillë poet. I tejkalon përmasat e një poeti kombëtar. Lirisht mund të themi se kishte prirje artistike të një poeti Ndërkombëtar, tanimë i dëshmuar dhe vlerësuar nga kritikët letrarë shqiptarë dhe të huaj. Poezia e sotme shqipe, që arrinë të vlerësohet si poezi me vlera të larta artistike, lirisht do ta quaja se është si poezi ”lasgushiane”. Mënyra e të krijuar poezi, Lasgushi arrinë shkallën universale në fushën poetike.

Poezia e Lasgush Poradecit, është e pakunkurencë edhe në ditët e sotme kur ne e kujtojmë edhe pas tridhjetë viteve. Edhe në ditët e sotme ajo lexohet me ëndje nga lexuesit, bile mund të themi se është poezi që i imponohet lexuesit për kah vlera artistike që ka. Janë vjersha me cilësi dhe rëndësi të veçantë. Mbase shumë të rëndësishme për guximin e Lasgushit i cili me sakrificë të madhe e me shpirt-thyer dhe të ngulfatur me idetë për t’i plasuar përmes poezisë, ai prap se prap e plasoi mendimin e tij.

Lasgush Poradeci, ndonëse i persekutuar dhe përkufizuar për të krijuar, ai ia arriti të grumbulloj me shumësi temash të ndryshme, që lexuesi mund të lexoj në mes rreshtave të poetit Poradeci, poezinë me frymë origjinale që unë e quaj poezi ”lasgushiane”. Po lexojmë katër vargjet e fundit të pozisë së titullar ”Dëgjimi i zemrës”[4], sa artistike janë vargjet:

Mall e vrer që mbaj
Qaj, moj zemër, qaj.

Vrer e mall që flas
Plas, moj zemër, plas.

Kështu poeti ynë Poradeci, komunikoj në mënyrë të qartë, përmes poezisë me dedikim për ata që i deshi. Guximi i tij i lartësuar, ai shumë herë ka zhveshur mesazhin nga konfindencialiteti.

Të kujtojmë me mall, i pa harruar qoftë kujtimi për Ty, i madhi, Lasgush Poradeci.

“100 vrasjet e bujshme në Shqipëri”/ Si u masakruan dy mirditoret, Marta e Prenda Tarazhi

$
0
0

Gazetari Roland Qafoku sjell për adhuruesit e historisë e më së shumti të ngjarjeve të mistershme, librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”. Sot në Panorama, tregohen se si u masakruan dy mirditore, Marta dhe Prenda Tarazhi gjatë regjimit komunist.

NGA: Roland Qafoku
Njëra 23 dhe tjetra vetëm 20 vjeçe. Ajo që ndodhi të dielën e 25 prillit 1948 në Tarazh të Mirditës është një nga krimet më të rënda ndaj femrës në Shqipëri. Të lidhura me litar, dy vajza të reja, Marta 23 vjeçe dhe Prenda Tarazhi 20 vjeçe, u ekzekutuan pas torturave duke ngjallur habi, duke i bërë heroina për sistemin komunist e, po ashtu, shembull për atë sistem se njerëzit e Komitetit të Maleve ishin kriminelë.

cuca-e-maleve

SKENA E KRIMIT
Janë me dhjetëra shkrimet, komentet dhe librat e shkruar gjatë sistemit komunist për vrasjen e dy vajzave nga Mirdita, por ai i Luçie Doçit është më i ploti. Studiuesja ka arritur të mbledhë dëshmi dhe t’i botojë, natyrisht nën ndikimin e ideologjisë, por edhe të versionit zyrtar të asaj kohe. Gjithsesi, nga ato që botohen për dëshmi, mënyra e vrasjes është makabre. Studiuesja Doçi ka arritur të bisedojë vetë me një dëshmitare okulare, nënën Marë, siç e quan ajo, dhe përcjell në libër fjalët e saj. Skena është aq e rëndë, sa dëshmia duket gati-gati e pabesueshme. “Njëra ishte pa sy, pa një pjesë të kafkës. Tjetra ishte pa buzë, pa mollëza të faqeve, pa… ishin një tmerr. I dalluan nga rrobat. Bjeruni më fort. Thikat nguleshin egërsisht në trupin e tyre. Vendimi ishte që të vdisnin me tortura. Në fytyrë, dëgjoi një britmë të egër. Copëtojani fytyrën”. Për një krim të tillë, vrasësit duhet të kishin arsye shumë të fortë. Por cila ishte kjo arsye? heroinat e Mirditës”, i vendosur në Rrëshen, kushtuar Marta dhe Prenda Tarazhit, Shkurte Carës e Mrika Lokës. Monumenti u hoq në vitin 1993.

Prenda-Marta

PËRSE I VRANË VAJZAT MIRDITORE?
Studiuesja Luçie Doçi jep versionin zyrtar të vrasjes së Marta dhe Prenda Tarazhit: “Nënë Mara dëgjoi një zë të egër “Marta Tarazhi e Prenda Tarazhi! Për shkelje të zakoneve të vendit, për ndjekjen e rrugëve të komunistëve, ju dënojmë me vdekje me tortura”. Por mënyrën e vrasjes dhe, sidomos arsyet e saj, i jep më qartë Kryeministri i asaj kohe dhe diktatori Enver Hoxha. “Nga gjiri i këtij populli, të edukuar me mësimet e Partisë, dolën katër vajzat trimëresha të Mirditës, katër heroinat: Mrikë Lokja, Shkurte Cara, Marta Tarazhi dhe Prenda Tarazhi, që u ngritën në luftë kundër reaksionit, hodhën poshtë zakonet e vjetra, shkuan vullnetare për ndërtimin e hekurudhës, u kthyen përsëri pranë familjeve, kësaj radhe më të forta e më të kalitura, prandaj, si burrnesha, me mësimet e Partisë në zemër, filluan të punojnë për zbatimin e vijës së drejtë të saj. Pikërisht për këtë arsye reaksionarët i kapën, i torturuan dhe na i vranë me 25 prill 1948… Por ato u bënë pishtarë dhe lëshuan dritë mbi gjithë Shqipërinë…”

tarazhi-10-fakte

Dile Guri ishte një bashkëkohëse, por edhe shoqe me Marta dhe Prenda Tarazhin. Madje, mund të ishte vrarë edhe ajo si ato. Dilja jep edhe arsyet e vrasjes. “Unë i kam pasur shoqe Marta dhe Prena Tarazhin, por edhe Mrikë Lokjen dhe Shkurte Carën. Edhe mua Komiteti i Maleve më kishte dënuar me vdekje, por të afërmit e mi e morën vesh dhe morën masa që unë të mos bija në duart e tyre. Ato u ngritën mbi zakonet që poshtëronin gruan dhe e linin në padije. Ato luftuan për zhdukjen e analfabetizmit, hapjen e shkollave, arsimimin e masave.

Kjo punë e verbonte Komitetin e Maleve. Prandaj i vranë, duke i akuzuar se kanë shkelur kanunin. Por kanunin e shkelën vetë kriminelët, duke vrarë gratë e pambrojtura”. Ndërsa Gjergj Ndoja shkon edhe më tej kur citon edhe vrasësin. “Vrasja e heroinave ka qenë vrasje politike. Edhe heqja e monumentit të tyre ishte politike, është vazhdim i asaj lufte të errësirës dhe dritës… Ndue P. Gjonmarku vjen nga Kanadaja dhe thotë me mburrje “I kam vrarë unë”, duke e konsideruar vrasjen e tyre si një akt burrëror.
Por këtu nuk ka vend për burrëri, sepse kanuni e ndalon vrasjen e femrës. Edhe sikur të kishin bërë ndonjë turp, nuk ishte e drejta e tij t’i vriste, por e njerëzve të vet”.

tarazhi-pozita

CUCAT E MALEVE
Në vitin 1960, në gazetën “Zëri i Rinisë”, një gazetar i ri me emrin Loni Papa botoi një shkrim lidhur me dy vajzat Marta dhe Prenda Tarzhi. 6 vjet më vonë, Loni Papa shkrimin e ktheu në dramë dhe më 8 mars të vitit 1967 ajo u dha premierë në teatrin “Migjeni” nga regjisori Mihal Luarasi me titullin “Cuca e maleve”, e cila më vonë u vu edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.
Ishte si një betejë mes sistemit komunist që përçonte të renë dhe zakoneve të vjetra që përfaqësoheshin nga personazhe, që më së shumti ishin armiq të pushtetit të asaj kohe. Natyrisht që ky është viti kur u vendos ndalimi i fesë dhe përzierja e historisë së dy vajzave që u vranë me fenë ishte një gjetje, por me ideologjizimin që iu bë historisë ishte për kohën më se normale. Mjafton të lexojmë motivacionin e dhënies së titullit heroina të popullit më 23 tetor 1967, për të kuptuar më shumë se në çfarë niveli u ideologjizua kjo ngjarje. “Është ndër gratë dhe vajzat e para që me fjalën e Partisë në zemër çau me guxim rrugën e të resë e të përparimit, rrugën e çlirimit të gruas nga zakonet e egra të kanunit dhe të fesë.

Ajo luftoi me vetëmohim kundër reaksionarëve dhe elementëve konservatorë, punoi në mënyrë shembullore në aksionet e ndërtimit të vendit, për ngritjen arsimore e kulturore, përvetësoi me etje e zgjuarsi mësimet e Partisë dhe u bë agjitatore, luftëtare e flaktë për emancipimin e gruas shqiptare. E kapur tradhtisht nga bandat e armatosura të reaksionit, ajo u masakrua egërsisht, por qëndroi e papërkulur e ballëlart.” I bënë heroina, i kthyen në model të femrës që mbronte të renë çka, sipas tyre, vetëm komunizmi mund ta sillte. Vetëm një gjë nuk e ndryshonin dot për dy vajzat e thjeshta: as Marta e as Prenda Tarazhi nuk e mësuan kurrë që ishin heroina./panorama

Zhvendosja e padrejtë e “Ushtarit të Panjohur”

$
0
0

Nga Ilir Muharremi
Gjilani mbeti lakuriq pa shtatoren “Ushtari i Panjohur”, tashmë e zhvendosur dhe e premtuar të vendoset në ndonjë lokacion tjetër. Hapësira është e rëndësishme për skulpturën ja pse: Çdo trup fizik i zhvilluar i krijuar gjithmonë zë vend në hapësirë reale, ndërsa iluzioni i takon vetëm motivit. Hapësira u krijua për skulpturën si skulptura poashtu për hapësirën, janë ngushtë të lidhura sikurse trupi dhe zemra. Ndërsa, për piktorin hapësira është vetëm iluzion, ose mashtrim optik, ngaqë ajo qëndron bukur kudo. Piktura i ka dy dimensione (gjatësinë dhe gjerësinë) derisa skulptura tri (gjatësinë, gjerësinë dhe thellësinë.) Skulptura më shumë ka zhvillim te thellësia (dimensioni i tretë), në raport me hapësirën, vështrimin nga distanca, optikën, nga pjesa poshtë dhe lartë, poshtë anash prapë lartë, dhe në rrotullim nga distanca të ndryshme.

Ana artistike e veprës
Shpirti i skulpturës është thellësia, dhe rasti në fjalë “Ushtari i Panjohur”, i punuar në bronz komunikonte ndjeshëm me hapësirën, frymonte me lojën e hijes dhe dritës, frymëmarrjen e formës, plasticitetin e veçantë, raporte mahnitëse të masave, veçanërisht këmbëve, thuajse të ngjitura, ose të fëmijës së vdekur që e mbanë në duar. Është në lëvizje, me ritme të ngërthyera dhe krijojnë lojë me drithërima të shqetësuara, jo patetike, e as soc-realiste, sepse vërtetë i shkon koha në të cilën skulpturat ishin patetike, kjo është shumë moderne dhe modernizmi i jep frymë veprës.
Figura është në raport me figurën tjetër. Në dorë mban një fëmijë të plagosur që duket si i vdekur me gjysmë trup, viktimë e terrorit fashist që kishte ndodhur kudo nëpër botë. Fytyrën e ka gjeometrike, hunda është e bashkuar me ballin, ndërsa sytë janë të pikëlluar të tërhequr, derisa ushtari i plagosur pothuajse është pa frymë si i vdekur. Vepra është në lëvizje, me pak detaje, më shumë e formësuar si formë e plotë, dhe gjymtyrë jo të vendosura harmonishëm njëra afër tjetrës, të shkapërderdhura në kompozicion, të stilizuara, dhe kjo dukshëm për atë kohë kopjonte artin e modern nëpër botë i cili tamam edhe lulëzoi. Kjo vepër nuk është reale, më shumë gjeometrike nga këmbët ngjashëm me cilindrin që ka lakime, lëmime tek gjunjët për ti veçuar, ose pulpat për tu dukur, por nuk anon ka arti realist i cili edhe detajet më të imëta i shprehë. Nga jashtë ka vija sidomos kraharori dhe dora merr formën e trekëndëshit ose parakrahu poashtu. Është kubiste.
Estetika qëndron te forma, shprehja e fytyrës, linjat, fryma e skulpturës dhe poetika e saj. Poetika as që mund të paramendohet pa hapësirën. Te forma hermetike duhet të qëndroj hapësira me skulpturën sepse ka efikasitet, ritëm, perspektivë, dritë- hije të cilët poashtu ndikojnë në estetikën dhe komplet trupin e veprës. Hapësira është një kufij i mirëfilltë i skulpturës, poashtu këtu i bashkëngjitet edhe rrethina, ngaqë ka projektin e ndikimit te shikuesi, i cili nëse sheh skulpturën të rrethuar me objekte të mëdha ose afër shumë, minimizohet vepra, kurse në rastin në fjalë, objektet janë larg dhe ajo frymon e lirë. Komunikimi është në nivel. Kjo vepër është e plotë vetëm në këtë hapësirë dhe e çuditshme se si kryetari Lutfi Haziri tenton t’ja ndërroj lokacionin, disi poshtë bie vlera e artit këtu dhe vlera e kryetarit me këtë gjest të dobët dhe nuk e dijë përse ministri i kulturës nuk reagon me këtë gjest. Ndoshta është edhe mungesë njohurie për skulpturën dhe hapësirën, e cila po zhvendoset pa ndonjë debat publik.
I nderuar kryetar, hapësira si kufizuese e formës së skulpturës e jetëson veprën, e kufizon dhe zbukuron shtrirjen e saj, mbanë në kontroll lojën e relieveve, thellësive dhe plotësisë së formës, përmasat, ekzagjerimin që në këtë rast i shkon. Nga kjo duket shumë sintetike vepra, porse nga bazamenti, ose më poshtë nga vështrimi optik, nga të tri anët, koka duket paksa më e vogël në perspektivë krahas me përmasat e mëdha të trupit (kur dihet që objektet më larg rriten për pak, me qëllim të peshohen dhe t’i shkojnë përmasave.) Kurse hapësira dhe rrethi i ndihmon kësaj skulpture në përhapjen e formës, dritën e cila depërton te format e përthyera, pjesa e belit, këmbëve dhe duarve, e fuqizon skulpturën ndërmjet komunikimit të dritës, hijeve nga pemët që janë afër, e bëjnë më të bukur. Sa është kjo vepër në lëvizje? Sipas Kalderës skulptura është objekt fizik i palëvizshëm, me gjest shprehës natyrisht, por i zënë nga ndonjë pozitë, qoftë në ecje, pushim, kalërim, ulje, meditim…. Lëvizja këtu më shumë është iluzive, është një imazh i fotografuar dhe më shumë le hapësirë për të menduar dhe gjykuar për të. Artistoteli shumë e vlerëson skulpturën e cila qetësisht rri në hapësirë. Dakord, më shumë vlerësohet qëndrimi se aksioni ose lëvizja. Rasti në fjalë është në aksion, qëndrim dhe lëvizje, nuk është e qetë. Qëndrimi nuk është mashtrim optik, ose ideja më e bukur se e vërteta. Skulptura në fjalë paraqet revoltë të luftës dhe humanizëm ndaj ushtarëve të vet. Kjo skulpturë ka shumë estetikë, (e veçanta e skulpturës), madje më nuk është e rëndësishme biografia e saj krahas bukurisë dhe pranë bukurisë çdo gjë përulet.
Andaj, mbas Lesingut prezantimi i çastit të skulpturës në hapësirë është më i rëndësishëm se vet vepra, edhe është çast i patejkalueshëm, shumë i rëndësishëm. Në fakt mbartja e ushtarit të plagosur nga fashistët gjermanë. Kjo skulpturë nuk e reprodukon çastin, lëvizjen, aksionin, punën, por edhe përjetësinë e saj. Disi gjesti i saj ndal për një çast kohën e 1944, luftën ekstreme.
Ndryshimi i lokacionit
A duhet t’i ndryshohet lokacioni pasi po e quajnë si vepër jo shqiptare? Nëse qenka siç pohojnë atëherë, duhet të asgjësohet, por nuk qenka ashtu. Në vend të kësaj do vendoset shtatorja e Idriz Seferit, derisa ajo u mohua të vendoset përkrah shtatores së Agim Ramadanit ngaqë aty ishte ajo e Car Lazarit. E si bënë të vendoset kjo në vendin e asaj që tashmë nuk është më? Absurditet jo kulturor dhe mungesë e njohjes historike si dhe artistike. Qytetarët e Gjilanit me të drejtë reagojnë ja një pjesë e reagimit të tyre: “Kjo shtatore ka identifikuar qytetin për dekada të tëra dhe është bërë pjesë e memories kolektive të Gjilanasve.
“Ushtari i Panjohur” është simbol i qytetit të Gjilanit që prej vitit 1963. Është e vetmja statujë që ka një qëndresë kaq të gjatë në komunën e Gjilanit, i mangët në objektet e trashëgimisë kulturore. Kjo shtatore ka kuptim të plotë vetëm në vendin ku ndodhet tani. Gjilanasit janë mësuar ta asocojnë qendrën e qytetit me këtë shtatore të punuar bukur. Nëse ndryshohet lokacioni kjo do të mbytë një objekt që i jep kuptim qendrës së qytetit tonë. Ruajtja dhe respektimi i monumenteve që sjellin emocione e që na bëjnë të konsiderojmë Gjilanin “shtëpi” duhet të jetë prioritet i komunës tonë, andaj ndryshimi i lokacionit të shtatores duhet të ndalohet. Ne kërkojmë që për vendime të tilla shumë të rëndësishme të mbahen debate publike dhe të vendos zëri qytetarë. Shtatore të tjera që nderojnë kontribuuesit e vendit tonë janë shumë të respektuara. Ato nuk duhet të vendosën në lokacione për të zëvendësuar shtatoret e mëparshme por, të krijojnë një raport të ri e të veçantë me qytetarët. Objektet e tilla i japin kuptim hapësirës. Mos i lëvizni! Nënshkruaj peticionin dhe ndaje me të tjerët ta ndalojmë largimin e shtatores. Mos të lejojmë të shkatërrohet shpirti i qytetit tonë!” përfundon reagimi.

Ana historike e veprës
Në një fotografi të vjetër shihet kjo përmendore, në të shkruan: “Përmendorja e luftëtarëve të ramë të Pomoravles së Kosovës në Gjilan, vepër e skulptorit A. Rzhetiq 16.11.1964”. Çfarë do të thotë kjo? Bëhet fjalë për luftëtarët që luftuan kundër Nazizmit, e jo serbë kundër shqiptarëve ose shqiptarë kundër serbëve. Mos të përzihet kjo. Ky monument flet për historinë e Kosovës, jo vetëm për anën estetike artistike. Shprehë luftën e ndodhur në Gjilan, luftën kundër Fashizmit dhe dhunën e partizanëve që masakruan civilë në vitin 1944. Atëherë, përmendorja është fakt, dëshmi e komunizmit mbi historinë e qytetit të Gjilanit. Dëshmitë a duhet të zhdukën? Natyrisht që jo. Atëherë, pse të hiqet skulptura plotë dëshmi, sakrificë, luftë, revoltë dhe paqe? Kryetar mendoje mirë këtë. Kjo i bie që ky qytet nuk ka më të kaluar, jeton vetëm me një histori folklorike tonën, kurse ajo botërore nuk ka ekzistuar kurrë. Kjo përmendore përfaqëson dëshmorët e rënë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe është ngritur me motive të një politike të re të forcimit të vëllazërimit e bashkimit të të gjithë popujve të Jugosllavisë dhe atyre të Gjilanit e rrethinës në veçanti.
Ata që shkatërrojnë kulturën janë barbarë, disi si pa qeliza nervore, pa emocione. Atëherë, edhe ndërtesat e ndërtuara në ish jugosllavi duhet të rrënohen, çdo metër katrorë beton. Skënder Zogaj, analist politik, i del në mbrojte Lutfi Hazirit, duke pohuar se , “Kjo statujë është një simbol sllav që simbolizon riokupimin e Kosovës nga ana e Serbisë komuniste.” Kjo përmendore është përgjithësuese i nderuar, i përket të gjithëve kundër nazizmit, nëse hiqet përkrahet nazizmi ose tentohet të fshihet historia e tij. “Çështja e përmendoreve është problem shprehimor i regjimeve që, me rastin e sundimit të tyre në hapësira të caktuara, përpiqen që të etiketojnë edhe ambientin gjeografikë me sa më shumë shenja të vetat, sepse kjo është një nga mundësitë e shumta për t’ia imponua influencën e tyre të sundimit tek popullata.”, thotë Zogaj. Nuk e dijë në cilat media u përmend ndonjëherë kjo përmendore si etiketim gjeografik ose si përvetësim i veti. Kjo është shumë e thjeshtë: revoltë kundër nazizmit. “Prandaj, unë mendoj se përmendorja “ushtari i panjohur” e vitit 1945 në Gjilan, është një përmendore koti, që nuk e ka asnjë vlerë për nën qiellin e Kosovës dhe traditën kulturo-historike shqiptare, pos tjerash edhe për faktin se është përmendore një rrëgjimi dhe për qëllime antishqiptare”, shprehet ai. Nuk është përmendore koti, është futurizëm i asaj kohe dhe estetikisht është shumë e qëlluar. Cili regjim? Fashistët normal që ishin kundër, kurse qëllime anti-shqiptare, askund nuk shprehë kjo. Ushtari mbartë një ushtarë të plagosur nga nazistet. Kjo vepër nuk i përket asnjë kombi sepse mund të përdoret për të gjitha kombet. Parullën e ka të thjeshtë: Kundër Nazizmit. Pse a nuk ndodhi kjo gjatë historisë? Kjo nuk lidhet me traditën shqiptare sepse skulptura nuk e prezanton këtë, andaj edhe s’le hapësirë të kritikohet në kuadër të kësaj. Dakord dhe është gjë e bukur të vendoset shtatorja e Idriz Seferit, por jo mbi fatkeqësinë e tjetrës të ndërtohet një fat i mirë. Më së paku duhet të pyeten politikanët për shtatorët, kjo është punë e historianëve, dhe historianëve të artit, pastaj edhe popullit.
Me të drejtë ka reaguar ish kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa i cili ka shkruar se historinë nuk mund ta bësh mbas shijes tënde duke e përdhosur apo mbuluar kulturën e pararendësve tu. “Këtë përmendore (që ishte e vetmja trashëgimi e këtij lloji për historinë e mesit të shekullit të kaluar në këto hapësira) nuk e rrezoi përtokë populli i Gjilanit në vitin më kritik e më frustrues 1999 kur, me plotë të drejtë e rrëzoi atë të Car Llazarit.”, shënon Mustafa. Shtrohet pyetja pse? Kjo përfaqëson të gjithë të rënët kundër nazizmit, të gjithë të bashkuar. Nëse hiqet mbas asaj bindje se kinse është sllave, atëherë edhe piramidat e Egjiptit duhet rrëzuar, ngaqë faraonët qenë diktatorë të mëdhenj. Kulla Eiffel, të hiqet sepse nuk u ndërtua në kohën e demokracisë. Skulpturat greke duhet rrënuar ngaqë shprehin fëmijërinë naive për ne, por bota ruan me fanatizëm këtë nostalgji për këtë fëmijëri. Edhe kryeveprat e renesancës duhet djegur. Definitivisht kjo iniciativë kundër artit shprehë një naivitet dhe jo njohuri për vlerat. Historia nuk ndërtohet nga e sotmja e as folklori, por nga arkivi i së vërtetës. Pa vullnetin e popullit u hoq nga një grusht njerëzish të politikës, pothuajse kjo e vetmja skulpturë pas luftës së dytë botërore e mbijetuar në Gjilan derisa në qendra tjera u hoqën nga analfabetët, injorantët dhe servilët.
Trashëgimia jonë ka nevojë për katarsis, e them jonë sepse “Ushtari i Panjohur” na përket të gjithëve. Problemin e trashëgimisë komuniste duhet kuptuar në Kosovë, por Kosova kishte më shumë probleme me nacionalizmin se sa me komunizmin. Edhe sot më shumë ka probleme me nacionalizmin se sa me demokracinë. Disi më duket se heqja e ushtarit tenton t’i manipulojë faktet e fashizmit, por kjo kujtesë është shumë e kristaltë te populli dhe librat.
(Marrë nga Koha Ditore)

Viewing all 14404 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>