Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

15 vjet më parë, kur gjendeshin eshtrat e Marigo Possio

$
0
0

Nga Zenepe Luka/Më 22 mars, u përkujtua 15- vjetori i gjetjes së eshtrave të Marigo Possio. Është ngjarja me rëndësishme për fondacionin “Nermin Vlora Falaschi”, gjetja e eshtrave të qëndistares së Flamurit, pasi është vetë protagonist në këtë event, që startoi edhe veprimtaritë e tij. Më 22 mars, veprimtare të fondacionit, bënë homazhe tek varri i Marigosë në Zvërnec, ndërsa kujtuan me nderim edhe ambasadoren e Kombit, Nermin Vlora Falaschi, që dha ultimatumin për t’u angazhuar me këtë problem, në prag të thirrjes së Kuvendit të Parë të Gruas së shquar në Vlorë më 18 prill të vitit 2002. Kjo veprimtari e ditës së djeshme, bëhet edhe me rastin e 15- vjetorit të Fondacionit, që do të kremtohet më 18 prill të këtij viti. Kontaktet me Nermin, ishin të përditshme, paçka se Ajo jetonte në Romë dhe unë në Vlorë, madje “takoheshim” dy e tre herë në ditë. Çdo mbrëmje nga ora 18:00 deri më orën 19:00. Më pyeste për problemet, që i interesonin veçanërisht për Vlorën, Kaninën, aktivitetet, që bënte shoqata “Ismail Qemali”. Kujtoj një ultimatum, që më dha më 8 mars të vitit 2002. Pasi më uroi festën, më tregoi dhuratën që i kishte blerë bashkëshorti, Renco, më tha: “Mikesha ime e re, vajza ime, të pyes si mund të jemi të qeta, kur qëndistarja e Flamurit të Pavarësisë, nuk ka varr? Kjo është e dhembshme, për këtë fakt nuk duhet të na zërë gjumi. Po të jap porosinë, që nesër të shkosh të takosh drejtorin e Muzeut, Bardhosh Gaçen, drejtuesit e pushtetit në Vlorë dhe në emër të Forumit të Gruas, që do të organizojë Kuvendin në Vlorë, por duke i përcjellë edhe të falat e mia, të bëhen të gjitha përpjekjet, për të gjetur eshtrat e patriotes korçare, që i përket kombit. Dihet botërisht që varrimi i saj është bërë në afërsi të Manastirit në Zvërnec dhe duhet vetëm këmbëngulja për t’i gjetur dhe më pas t’i bëjmë një varr. Do të vij vetë të flas para varrit të saj”. Unë i shpjegova, se, si gazetare, e kisha trajtuar disa herë këtë problem, madje me germa të mëdha duke shprehur dhembjen, se si nuk i dridhet dora presidentëve, që ngrenë flamurin më 28 Nëntor, në Vlorë, kur dihet që Marigoja nuk ka varr?! Gjithçka ka kaluar në heshtje. Pasi më dëgjoi, ajo tha: “Nuk është punë shkrimesh, duhet të bëhet punë konkrete dhe duhet të nisin menjëherë gërmimet nga specialistët”. Ishte e qartë, këtë herë, Nermini nuk jepte një këshillë apo porosi, sikurse bënte gjithmonë. Ky ishte një “ultimatum” dhe unë duhet të çoja në vend menjëherë porosinë e saj.

21 mars 2002. “Miket e mia të shtrenjta, Nermin dhe Bule. Sot jam tjetër njeri. Nuk mund të përshkruaj gjithçka që ka ndodhur. Po u jap lajmin e gëzuar, se më në fund u gjend varri i Marigo Posio, bashkë me dy vajzat e saj. Nesër do të shkojmë në Zvërnec, ku ndodhen eshtrat bashkë me drejtorin e Muzeut, Novruz Bajrami, me autorin e librit profesor Zeko Braho. Bashkërisht kemi qenë shumë të shqetësuar për këtë problem. Do të vijnë edhe kryetari i Qarkut, Bashkim Habili, Vera Lesko, mbesa e Marigosë, Violeta Pojani dhe të gjithë bashkë do të festojmë këtë ngjarje të rëndësishme në lëndinën nën ullinj, aty ku është prehur Marigoja. Kur të bëhet varri dhe të bëjmë ceremoninë, Nermin e dashur, për ty Bule nuk e diskutoj, duhet të jeni aty atë ditë. Ne duhet të flasim fort, ta dëgjojnë të gjithë se u gjet Marigoja, e cila prehej nën tokë për 70 vjet. Ne po bëjmë veprimet ligjore dhe së shpejti Marigoja, do të ketë një varr. Amaneti yt, u çua në vend, e dashur Nermin. Sot duhet të përjetojmë një ditë të lumtur të jetës sonë. Ju përqafoj nga Vlora, Zenepe”. Pas 70- vjetësh gjenden eshtrat e Marigosë. Që nga dita e mërkurë, Marigo Posio, gruaja patriote nga Korça, qëndistarja e Flamurit të Pavarësisë, do të ketë një varr.

Duke u vënë në kërkim të zbulimit të eshtrave të Marigosë, pas një ultimatumi që dha Nermin Vlora nga Roma, gjithçka është realizuar, falë një dëshmie të marrë prej meje, nga 75-vjeçari Aristidh Lepuri. Roja i Manastirit të Zvërnecit, ka treguar historinë, që e kanë mësuar prej kohësh edhe historianët e qytetit, por, që nuk e kanë vlerësuar. Ai thotë se që kur ishte i vogël, i kishin thënë, se në oborrin e tij ishte varri i Marigosë. Kjo e dhënë dihej, por askush nuk kishte vepruar për të zbuluar këtë të vërtetë historike. Pasi nisën gërmimet në bazë të të dhënave, objekteve të gjetura dhe matjeve të tjera, u vërtetua plotësisht, që eshtrat janë të Marigosë. Vangjel Pulaj, një nga personat, që u mor me zhvarrimin, pas 70-vitesh nga varrosja e patriotes, rrëfen: “Gjatë gërmimeve u zbuluan edhe eshtrat e dy vajzave të Marigosë, Sereniqi dhe Evridhiqi. U gjet edhe unaza e Marigosë”. Të mërkurën e 20 marsit të vitit 2002 dolën nga thellësia e 70 viteve, eshtrat e qëndistares së Flamurit Marigo Posio Marigo Posio ishte varrosur aty, midis dy ullinjve, në një lëndinë të bukur dhe e gjithë sipërfaqja nuk ishte as njëzet metra katrore. Kështu thoshin të moshuarit, kështu ishte fiksuar edhe në skicën që mbajnë të afërmit e Marigosë në Korçë, kështu ishte shprehur edhe profesor Dhimitër Shuteriqi në studimet e tij. Ende nuk dihet përse gruaja e shquar shqiptare, patriotja, qëndistarja e Flamurit u harrua nga regjimi i diktaturës. Edhe qeveritë, që erdhën dhe ikën pas viteve ‘90-të nuk u kujtuan. Tre personat kanë filluar gërmimet dhe në krye të shtatë ditëve gjetën tre skeletet, Marigoja ndodhej në mes dhe dy vajzat anash. Procesverbali. Kemi përpara kockat dhe objektet e gjetura. E ke të pamundur të përmbash lotët e gëzimit.

Aristidh Lepuri, roja i Manastirit, ishte në grupin, që bënë punimet thotë një ditë pas gjetjes së kockave: “Kam ardhur në Manastir për herë të parë më 1971, qysh atëherë mbaj mend bisedën që bëra me Jani Subashin, mësuesin e Zvërnecit, ish-nxënësin e Jani Mingës”. Atëherë, ai ishte 70 vjeç dhe më tregon, se këtu midis dy ullinjve është varrosur ajo nusja korçare, që qëndisi Flamurin, që ngriti Ismail Qemali për shpalljen e Pavarësisë. Nuk ma tha emrin, por nuk ishte e vështirë ta mësoja se ishte Marigo Posio. Këtë e saktësova edhe duke parë filmin“Nëntori i Dytë”. Askush nuk u interesua për të, edhe pse dihej nga të gjithë, se ajo ishte në thellësi të lëndinës. Pas 70 vjetësh, do të dilte në dritë vetëm në shtatë ditë punime. U gjetën edhe objekte të Marigosë. Me gjithë insistimin e fondacionit pranë bashkisë së qytetit, për të varrosur eshtrat e gruas patriote në një kënd të veçantë tek varrezat e dëshmorëve, përfundimisht, u la që varri të bëhet të bëhet në Zvërnec. Një varr i thjeshtë, që përcillte një histori të madhe. Fondacioni organizoi një ceremoni përpara varrit të Marigosë, ku foli Dr. Makbule Çeço, nënkryetare e Parlamentit të Shqipërisë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>