Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

“Naim Frashëri” i artë mbërrin në Alipostivan

$
0
0

Mrekullitë që ka bërë Baba Hekurani, njeriu që u heq dhimbjen njerëzve

Nga Nuri Dragoj

Në krye të fshatit Alipostivan, pranë një kodre të bukur, rrethuar nga gjelbërimi mahnitës, është ndërtuar teqja e Alipostivanit, një ansambël i mrekullueshëm arkitekturor, prej nga syri shtetit lirshëm në çdo anë, në fushë e male, nga Nemerçka në Dhëmbel e Trebeshinë, nga Qarrishta në Postenan e Kokojkën e Frashërit. Lugina e Vjosës në gjithë gjatësinë e saj, nga Çarshova në Përmet e Këlcyrë, shihet si në pëllëmbë të dorës. Një bukuri mahnitëse që të bënë krenar, por njëkohësisht përgjegjës për ta ruajtur, miradministruar dhe venë në shërbim të popullit me efektivitet.

Sapo i afrohesh mrekullisë së ndërtuar nga Baba Hekurani, të shfaqet ky ansambël mahnitës, ndërtesa me ngjyrë të bardhë e konture jeshile, kompozuar aq bukur, sikur të jetë projektuar nga arkitektët më të shquar të botës. Një portë e madhe e harkuar këndshëm, ndërtuar me qemer guri të punuar me shije e ngjyra të ndryshme, të cilët nuk të lejojnë t’i heqësh sytë prej andej, për asnjë çast. Diku shohim të shkruar: “Teqeja e Baba Aliut Alipostivan -1857”. Gjithçka flet vetë në këtë kostelacion fjalësh, për kohën e ngritjes së saj, si dhe për Baba Aliun që e themeloi.

Në këtë amfiteatër mahnitës bënë pjesë Teqeja me Tyrbet, shoqëruar nga ambiente të tjera në funksion të tyre, të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën me rrugë e shkallë betoni. Çdo ditë në këto mjedise hyjnë dhe dalin qindra njerëz. E megjithatë, në tokë nuk të sheh syri asnjë mbetje. Kudo mbretëron pastërti shembullore. Shkëlqen gjithçka, siç shkëlqen dhe ndrin Baba Hekurani, që përcjell në çdo moment dashurinë për të Plotfuqishmin, për familjen, për njeri-tjetrin, për Atdheun.

Në këtë ditë të shënuar të Sulltan Novruzit, mbi 500 vetë  nga trevat e Përmetit, Skraparit e Tepelenës, kanë ardhur këtu t’i falen dhe luten Zotit për më shumë shëndet e begati për familjet e tyre, për shoqërinë shqiptare. Fytyra të qeshura, burra e gra që ndihen të çliruar nga hallet dhe problemet që i mundojnë në jetën e tyre, pasi kur je në teqen e Alipostivanit ndihesh tërësisht i lirë, pasi je nën kujdesin e Perëndisë. Mbase ndaj thoshte Naimi se, pikërisht në ato pyje, rrinin dhe vetë Perënditë.

Bashkë me doktor Luan Nikollarin, Gjeneral Shpëtim Spahiun, Besnik Osmanin e shokë të tjerë, “takojmë” dhe përshëndetemi me baballarët e kësaj teqeje me emër, me Baba Abdullan, Baba Nazifin, Baba Meleqin, Baba Hysenjin dhe Baba Hajdarin, që ishte i fundit kur sistemi komunist në vitin 1967 urdhëroi dhe njëkohësisht i detyroi njerëzit të mos besonin në Zot, por të besonin vetëm te partia komuniste.  I prekim me dorë, i puthim, përulemi para trupit të tyre dhe u lutemi të na lehtësojnë dhimbjet, të na falin gabimet.

Nga Tyrbeja zbresin pranë teqesë. Hyjnë të gjithë me radhë për t’u takuar me Baba Hekuranin, njerëz të thjeshtë, politikanë, studiues e profesorë. E kur ndodhen pranë tij, ndihen sikur janë pranë Zotit, sepse Baba Hekurani është njeri i Zotit, është i dërguar prej Tij, i pajisur me dhuntinë që t’i kuptojë shqetësimet e besimtarëve dhe të jetojë me to, i gatshëm t’u lehtësojë atyre barrën e dhimbjeve apo mundimeve që kanë. Baba Hekurani është aromë ngjallëse e shpirtit, përcjellë ndjesi dhe energji joshëse në kohën që bisedon me të, në kohën reale, është i prerë në fjalë, i qartë në mendim, i ëmbël për besimtarët dhe të pranishmit në kuvend dhe për shkak të dashurisë që shpërndan, gëzon respektin e mijëra besimtarëve e më gjerë.

Me të vërtetë është çudi. Një vend hyjnor, plotë diell e dritë, ajër të freskët e shpresëdhënës. Si është e mundur që aty vijë njerëz me një barrë hallesh, dhe në çast ndihen të lumturuar? Ku shkuan shqetësimet e tyre në ato orë të këndshme? I mori të gjitha Baba Hekurani me baballarët e tjerë, parardhës së Tij, i morën ata me dorën e Zotit.  Ndaj aty ndihesh me të vërtetë si në Parajsë. Karamelet, gota e rakisë, buzëqeshja e babait, vështrimi i ëmbël dhe dashuria që të afron, janë të papërshkrueshme. Të gjithë ndihemi si me krahë, sepse kjo teqe është kthyer prej kohësh në një strehë të ngrohtë shprese dhe besimi për njerëzit në nevojë, për të sotmen dhe të nesërmen e secilit, për një mendje më të ndriçuar dhe një shpirt më bujar e të çliruar nga e keqja, për atdheun tonë.

Pjesë e festës edhe Presidenti Bujar Nishani

Në teqenë e Alipostivanit, në strehën piktoreske të Zotit, natyrës dhe njeriut, pikërisht në ditëlindjen e Imam Aliut, erdhi dhe Presidenti Republikës, z. Bujar Nishani, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj. Odeta Nishani. Erdhi për t’ju uruar këtë ditë të shenjtë besimtarëve bektashinj. Baba Hekurani kishte dalë te porta kryesore për të pritur kreun e shtetit shqiptar, i cili duket se e njeh mirë historinë e Shqipërisë, traditat dhe zakonet e vendit. Kjo është arsyeja që ai erdhi bashkë me gruan e vetë, me familjen, institucionin me të rëndësishëm të jetës, e cila për shqiptarët ka vlerë të veçantë. Presidenti ka qenë edhe në Frashër dy vite më parë. Dhe siç u shpreh historiani Kastriot Bezati, prej kreut të shtetit janë vlerësuar disa klerikë bektashinj me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Të tillë janë  Baba Alushi, Baba Abedini, Baba Abazi, Baba Kamberi, kleriku ortodoks At’ Stath Melani etj.

Baba Hekurani i uroi mirëseardhjen Presidentit Nishani dhe e njohu me faktin që dita e Sulltan Novruzit festohet nga më shumë se 150 milionë vetë në botë. Një besim që në themel të vetë, nuk e ndan fenë nga atdheu, gjë që i ka frymëzuar dhe udhëhequr bektashinjtë në të gjitha kohërat. Një besim që në krye vendos njeriun, pasi për Naim Frashërin, njerëzia është Perëndia.

Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe nderimin për punën e përkushtimin e klerikëve bektashinj, që me pasion e dashuri,  përunjësi dhe besim, përpiqen çdo ditë për të lehtësuar vështirësitë, hallet e njerëzve. Ata bëjnë gjithçka për t’i orientuar ata drejt rrugës më të mirë. Në fjalën e tij, numri një i shtetit shqiptar nënvizoi meritën e baballarëve, të cilët në shekuj janë bërë pjesë aspiratës së popullit, duke lënë gjurmë të fuqishme në luftërat e zhvilluara në atë krahinë për liri, shkollë shqipe e flamur kombëtar, në të gjitha etapat. Teqetë e kësaj treve u shndërruan në vatra të vërteta atdhetare dhe emancipimi kulturor. Ende dëgjohet zëri i burrave të shquar që udhëhoqën bektashinjtë përmetarë, si Baba Alushi, Baba Abedini, Baba Aliu, Baba Abdullai, Dervish Selfo Merdini, Baba Xhemali e shumë të tjerëve, që nuk kursyen asgjë për të mirën e kombit shqiptar.

Presidenti kujtoi që, “prej Baba Aliut, kjo teqe për fatin e keq është shkatërruar dhe djegur disa herë, por përsëri është ringritur, është rindërtuar, mbi të gjitha prej dashurisë njerëzore, prej besimit, pasi e mira nuk mund të ndalet, ajo nuk mund të zhduket asnjëherë. Ajo Teqe është ringritur sepse themelet e vërteta të saj janë në zemrën dhe vetëdijen e secilit prej banorëve të kësaj krahine të mrekullueshme”. Ai kujtoi punën e madhe që është bërë dekadat e fundit “nën udhëheqjen e të ndriturit Baba Reshat Bardhi”, i cili bëri që bektashinjtë të rimblidheshin “rreth vatrave të tyre të shenjta, kudo në Shqipëri, duke iu drejtuar Zotit për një jetë e të ardhme më të mirë”. Lidhja e këtij besimi me interesat e kombit “merr akoma më shumë vlerë, sidomos në kushtet kur në botë po fryjnë erëra fondamentalizmi, të cilat kurrë nuk kanë gjetur strehë në Shqipërinë tonë të dashur, në zemrën patriotike të besimtarëve tanë”.

 Baba Hekurani merr dekoratën “Naim Frashëri” i Artë

 Gjithë sheshi shpërtheu në duartrokitje të gjata, kur Presidenti Nishani, në atë ditë të bukur feste, dha lajmin e nderimit  të Baba Hekuranit me një dekoratë që mban emrin e birit të shquar të Përmetit dhe gjithë kombit shqiptar, Titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Për kontributin e rëndësishëm në ringritjen, ruajtjen dhe përhapjen e besimit bektashian. Me vullnetin e Zotit si dhe talentin e përkushtimin e tij, u ka ofruar besimtarëve bektashianë paqen fetare, dorën e ngrohtë, karakterin atdhetar, dashurinë hyjnore si edhe shpresë e besim tek mendimi filozofik që përfaqëson”.

Të gjithë bashkë jemi dakord, – theksoi Presidenti se, – krahas vullnetit të Zotit dhe dëshirës dhe angazhimit mbarëpopullor, “një meritë të veçantë në lartësimin dhe ringritjen nga themelet të këtij ansambli të mrekullueshëm ka dhe udhëheqësi i saj, i nderuari Baba Hekuruan Nikollari. Për këtë klerik dhe kontributet e tij tashmë flasin me shumë respekt gjithë banorët e Alipostivanit, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës, Skraparit e Kolonjës… Udhëtimin e tij në rrugën e Zotit ai e ka përshkuar si një misionar i devotshëm, i cili nuk u nda asnjëherë prej halleve të njerëzve të thjeshtë dhe truallit që e lindi dhe edukoi”. Sipas z. Nishani, ky vlerësim institucional do të shërbejë njëkohësisht si gjest mirënjohje për kontributin e klerikëve bektashianë të Jugut të Shqipërisë, por edhe gjithë trojeve shqiptare.

Dhe pastaj një drekë madhështore, ku u ulën njëherësh, të paktën 300 vetë. Një sallë gjigante, mobiluar thjeshtë dhe bukur, me pastërti vezulluese, shërbim të kualifikuar, me ata djem që nuk u dëgjohej zëri. Qenë theruar 38 kurbanë. I gjithë ushqimi ishte bio. Baba Hekurani ngriti një sërë shëndetesh për Presidentin dhe të pranishmit. Të njëjtën gjë bëri dhe z. Nishani. Por veç dy protagonistëve, fjalën e morën shumë vetë, nga krahinat e Përmetit, Skraparit, Tepelenës, nga Kukësi e Tirana, floën myhip dhe besimtarë të tjerë. Historiani Kastriot Bezati tregoi për rolin e bektashizmit në histori, për punën e madhe përpjekjet e klerikëve të këtij besimi në dobi të Atdheut. Mikrofoni kaloi dorë më dorë te shumë nga të pranishmit dhe të gjithë falënderuan Presidentin për këtë vlerësim real, por edhe Baba Hekuranin për dashurinë e madhe që na jep, për mesazhet e paqes dhe prosperitetit, për të mirën e Shqipërisë.

Bektashinjtë në qendër të historisë

Baba Hekurani, për 15 vite me radhë, ka shërbyer në teqenë e Baba Ali Horasanit të Alipostivanit, për disa kohë në teqenë e Kulmakut në malin e Tomorit, por edhe në teqen e Frashërit. Me dekretin e datës 29 dhjetor 2009 të kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhi, Hekuran Fejzo Nikollari u emërua Baba për teqen e Baba Nasibiut të Frashërit, të Baba Aliut në Alipostivan dhe asaj të Baba Xhaferit në qytetin e Përmetit, ku vazhdon të shërbejë me përkushtim të jashtëzakonshëm.

Ky njeri i madh, klerik dinjitoz dhe i papërsëritshëm, krahas kompleksit në teqenë e Alipostivanit, të cilën e ndërtoi nga themelet, ka realizuar dhe rikontruksionin e Teqesë së Frashërit, duke e kthyer në një mrekulli më vete, shumë më të mirë se në kohën që është ndërtuar. Por jo vetëm kaq. Ka shpenzuar më shumë se 100 milionë lekë për shtrimin dhe nivelimin e rrugës së Frashërit, kësaj qendre të madhe shpirtërore dhe patriotike të mbarë kombit shqiptar, gjë që nuk e ka bërë asnjë qeveri në këto 27 vite pluralizëm. Dhe atje, sa herë që shkon, Baba Hekurani bisedon shtruar me Nasibi Babain, drejtues i Teqesë së Frashërit për vitet 1826-1834, që përpiqej të ndihmonte për mësimin e shqipes. Ai e di që shkolla e Frashërit ishte vënë në shërbim të teqesë bektashiane, e cila shfaqte karakter kundërshtues ndaj doktrinës zyrtare, për shkak se ajo nuk lejonte zhvillimin e gjuhës shqipe. Në teqenë e Frashërit mësimi i shqipes vijoi edhe pas Tahir Skënderasit, nën kujdesin e Jusuf Skënderasit, për vitet 1835-1846. Bisedon me Baba Alush Kasollarin që ndoqi të njëjtën rrugë deri në vitin 1902, kohë në të cilën stafetën e mori Baba Abedin Ibro dhe e përcolli atë deri në vitin 1913.

Ai bisedon me ta, ashtu siç dinë të komunikojnë me njeri-tjetrin të dërguarit e Zotit në tokë, pasi këta baballarë ishin jo vetëm klerikë të shquar, por edhe mësues të vërtetë, jo vetëm për nxënësit, por edhe për ata që u jepnin mësim atyre. Të mos harrojmë që vëllezërit “Frashëri” kanë pasur mësues të tyre të parë Baba Alushin, një nga figurat më të rëndësishme në vitet e Lidhjes së Prizrenit. Mihal Grameno fliste për dervishët e teqesë së Frashërit dhe i cilësonte “të urtë, të ditur dhe patriotë të flaktë”. Sipas tij, ata i shërbenin me zell kombit të tyre, pasi shkonin fshat më fshat “për të përhapur ndjenjat kombëtare”.

Në organizimin e mitingjeve, në mbështetje të alfabetit latin, gjatë vitit 1910, punë të madhe bëri rrjeti i bektashinjve shqiptarë. Për t’u përmendur ka qenë mitingu i Përmetit, që drejtohej nga Baba Abedini, ku u mblodhën rreth 5 000 vetë, si dhe ai i Korçës me mbi 8 000 qytetarë, të cilët u shprehën në mbështetje të alfabetit latin. Në të bënin pjesë priftërinj e hoxhallarë, barinj e bujq nga tërë fshatrat. Banorët e Përmetit i kërkonin qeverisë të mblidhte mendjen dhe të sillej mirë me shqiptarët. Baba Abedin Frashëri, për të mbështetur kongresistët që do të rimblidheshin në prill për alfabetin shqip, organizoi një miting proteste në Përmet. Gazeta “Liria” shkruante se At’ Abedini lajmëroi qindra njerëz, pasi “duhej bërë mitingu për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe shkronjat e shenjta”. Ditën e premte, 26 shkurt 1910 (11 mars 1910 me kalendarin e ri), gjithë burrat e kësaj treve u mblodhën në Përmet. At’ Abedini me 10 pjesëtarë të Teqesë së Frashërit udhëtoi drejt Përmetit i ndjekur nga “1000 shpirte prej Dangëllisë”. Atje shkoi edhe At’ Shabani i Prishtës e Sukës, si dhe Baba Abdullai i Alipostivanit. Sipas gazetës, në pritje kishin dalë gjithë populli i qytetit, të cilët në mes të thirrjeve “rroftë ABC”, këndonin vjersha kombëtare.

Baba Abedini bënte thirrje të ngriheshin të gjithë në këmbë dhe çetat të shtriheshin ngado. Por në radhë të parë ato duhej të bashkoheshin dhe të bashkëvepronin punët mes tyre. Sipas Mihal Gramenos, ai mëshironte virtytet më të larta njerëzore, ndaj sakrifikonte shpirtin “për të ndihmuar dhe shëruar plagët e të vobektëve, me mësimet e tij dhe urtësinë që i pati dhuruar vetë Zoti”.

Krerët e bektashizmit i shohim të jenë pjesëmarrës aktiv në ngjarjen e madhe të 28 nëntorit 1912. Në pasditen e datës 28 nëntor, në telegramin që i adresohej kryetarit të Bashkisë së Përmetit njoftohej shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe u kërkohej krerëve që të njoftonin në mënyrë të veçantë Baba Xhemalin dhe Baba Abedinin. Shënimi bëhej me porosi të Ismail Qemalit, i cili besonte te patriotizmi i krerëve bektashianë. Dy baballarëve u treguan dhe origjinalin e telegramit të mbërritur, dokument i cili, para së gjithash, tregonte mirënjohjen e Ismail Qemalit për ndihmesën e dhënë nga bektashinjtë e Përmetit, deri në atë ditë të shënuar.

Tashmë dihen sulmet e ushtrisë greke në vitin 1914, që synonin kthimin e jugut të Shqipërisë në Greqi. Roli frymëzues i baballarëve të teqeve shqiptare, por edhe i klerikëve ortodoksë, si At’ Stath Melani, bëri që trupat helene të bllokoheshin për ditë të tëra. Pas sulmit në Kosinë, trupat ushtarake iu drejtuan Sevranit dhe Alipostivanit. Forcat e komanduara nga Bilal Alipostivani qëndruan trimërisht dhe nuk lëvizën nga pozicionet duke vrarë shumë prej agresorëve dhe e detyruan ushtrinë të zmbrapsej. Por në ndihmë të tyre shkuan 3 000 ushtarë nga Leskoviku, sulmin e të cilëve shqiptarët nuk mundën ta përballonin. Në këtë betejë u plagos rëndë Bilal Alipostivani, të cilin e nisën për në Berat, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Por edhe më pas baballarët nuk hoqën dorë nga ndjenja patriotike. Ndër delegatët që përfaqësuan Përmetin në kuvendin e Durrësit, 25 dhjetor 1918, bënin pjesë dhe Baba Xhemali më emër të Përmetit, Baba Mustafai e Baba Hysenji, delegatë të krahinës së Dëshnicës dhe Këlcyrës, si dhe Rexhep Selfo i dërguar i Frashërit. Baba Xhemali luajti rol të madh në bashkimin e dy komiteteve kombëtare të krijuara në vitin 1919, një në Këlcyrë nga muhamedanët dhe tjetri në Përmet nga të krishterët. Pas një kongresi të përbashkët, i cili unifikoi kontributet e tyre në çështjen kombëtare, që u zhvillua në shtëpinë e Hamit Xhungës në lagjen Mejden, palët ranë dakord të formonin një komitet të vetëm, me kryetar Baba Xhemalin.

E njëjta gjë duhet thënë për qëndrimin e baballarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilët u shfaqën pro luftës kundër pushtuesit, duke bërë njëkohësisht thirrje për bashkim, për unitet, për të shmangur vëllavrasjen. Është kjo arsyeja që në çdo teqe shohim të ngritur flamurin kombëtar. Bektashinj e kanë të shenjtë atdheun, pasi siç shprehet Baba Hekurani, “pa Atdhe nuk ka fe”. Me këtë dashuri për atdheun i mbrujti baballarët profeti i bektashinjve, Naim Frashëri, i cili na ka lenë vargjet lapidar kushtuar vendlindjes. “Ti Shqipëri më ‘ep nder, / Më ‘ep emrin Shqiptar, / Zemrën ti ma gatove, /Plotë me dëshirë e me zjarr…”. Për poetin kombëtar, besa e bektashinjve “është udhë e gjerë, që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë, miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë”. Ajo udhëhiqet nga dituria dhe e vërteta. Dhe kjo traditë trashëgohet në breza. Baba Hekurani kujton këshillat e Haxhi Dede Reshat Bardhit, sipas të cilit, në radhët e bektashinjve ka vetëm vëllazëri, dashuri e bashkim, në dobi të kombit. A nuk është ky i njëjti mendim me atë të Naim Frashërit që shkruante se bektashinjtë i duan njëlloj, si shpirtin e tyre edhe të tjerët. Ai predikonte që myslimanë dhe të krishterë të shkonin mirë e bukur me gjithë njerëzinë dhe i gufonte zemra që ata donin mbi gjithçka Mëmëdhenë. Të njëjtën gjë bën sot Baba Hekurani, për të cilin gjithë shqiptarët janë vëllezër të një gjaku dhe duhet të jenë përherë të bashkuar, me qëllim që Shqipëria të mos pësojë kurrë rrudhje të trojeve të veta.

Mirësinë e papërshkrueshme të Baba Hekuranit e tha shumë mirë historiani Kastriot Bezati në fjalën e vetë, duke kujtuar thënien e Imam Aliut: “Kush bën mirë, është më i mirë se vetë e mira”. Baba Hekurani është njeriu tipik, që meriton të thuhet me zë të lartë se është më i mirë se vetë e mira.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>