Nga Zenepe Luka/ Me rastin e 8 Marsit dhe në prag të 15- vjetorit të fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, në Vjenë, është organizuar një takim i gjerë me pjesëmarrje e shumë grave intelektuale shqiptare, nga të gjitha trevat, që jetojnë në kryeqytetin austriak dhe në periferi. Ka qenë Vitore Stefa Leka, përfaqësuese e Fondacionit në Diasporë, që koordinoi veprimtaritë në kryeqytetin austriak. Në këto veprimtari, ku përveç një përfaqësie të Fondacionit nga Shqipëria, ku bënin pjesë edhe Tinka Kurti, “Nderi i Kombit” dhe këngëtarja Myfarete Laze, “Mjeshtër Madh”, mori pjesë edhe Prof.Migena Arllati, kryetare e degës së Fondacionit në Gjakovë, Vitore Stefa Leka, Vitore Sallaku, “Mjeshtër i Madh” etj.
Në programin interesant, që kish hartuar intelektualja Rolanda Lumani, një aktiviste e shquar shqiptare, themeluese dhe kryetare e shoqatës “12 qershori” (Dita e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë), veprimtaritë nisnin me praninë e grave shqiptare në një festë të përbashkët me intelektualet vjeneze, organizuar nga bashkia e qytetit, në sallën e këtij institucioni. Bashkëbisedimi i gjatë mes tyre, çoi në krijimin e një ure të re. mes Fondacionit dhe gruas intelektuale vjeneze, të zgjedhura në bashkinë e kryeqytetit.
Bisedë shumë e përzemërt ishte ajo me deputeten Mërk, që njëherësh ishte edhe kryetare e forumit të gruas të partisë socialdemokrate. Na befasoi me opinionin e saj se “Gruaja shqiptare përveçse e mençur, e zonja, guximtare, që punon edhe në Vjenë për Kombin e saj, është edhe simpatike, e bukur”. Kur ne e pyetëm se nga e kish nxjerrë këtë përfundim- Gabriele përgjigjet: “Kemi lidhje shumë të ngushta me gratë shqiptare në Vjenë, i mbështesim dhe ato kontribuojnë ndjeshëm në shoqërinë vjeneze, ku janë integruar plotësisht. Vitin që kaloi ne vlerësuam “Gruaja e Vitit”, zonjën Rolanda Lumani, që udhëheq një shoqatë të gruas shqiptare”.
Kur u prezantua Tinka Kurti, “Nderi i Kombit”, deputetja vjeneze e pyeti se sa gra artiste ka në Parlamentin e Shqipërisë, ne mbetëm gojëkyçur. Më pas vijuam bisedën me nënkryetaren e Bashkisë së Vjenës, Renata Brauner. Ajo donte të dinte se çfarë vend zë gruaja shqiptare në organet e pushtetit qendror dhe vendor. Kur iu përgjigjem se Qeveria shqiptare ka 6 gra ministre dhe zv.ministre, ajo përgëzoi: “Bravo Albania”.
Në konferencë, gra nga të gjitha trevat shqiptare ishte i pranishëm, ambasadori i Shqipërisë, Roland Bimo dhe Sekretare e Parë e Ambasadës së Kosovës, Zana Rugova. Ka qenë befasuese pjesëmarrja e grave shqiptare në një konferencë për të bashkëbiseduar për problemet dhe arritjet e gruas shqiptare në Vjenë. Ishin të pranishëm nga të gjitha trevat, ndërsa intelektualët nga Tirana i përfaqësonin Ina Arapi, vajza e shkrimtarit Fatos Arapi dhe Klara Velaj, bashkëshorte e Fate Velaj. Gjatë debatit diskutantët ngritën shqetësimin se nuk ndjehen mirë kur dëgjojnë për përplasjet e ashpra në politikë, gjuhën e urrejtjes të përdorur në opinion dhe shqetësimet e krijuara në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.
Ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Roland Bimo vlerësoi bashkëbisedimin mes grave intelektuale shqiptare, problemet e ngritura, që shkojnë edhe në adresë të qeverisë së Tiranës dhe Prishtinës, sikurse ka nënvizuar faktin, se ndjehet i mrekulluar me punën që bën gruaja shqiptare në Vjenë dhe mbarë Austrinë, për të mbajtur gjallë dhe përçuar brezave traditat e popullit shqiptar. Duke vlerësuar kontributin e fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, për bashkimin e gruas intelektuale shqiptare edhe në Diasporë Ambasadori shprehu edhe një dëshirë. Kam njohuri për aktivitetin e Fondacionit që drejtoni, di që keni pasur një anëtar burrë, të ndjerin Skënder Sallaku. Mund të më pranoni mua në radhët tuaja? Sigurisht,- i është përgjigjur Tinka Kurti, -por duhet të ktheheni në Shqipëri, nuk mund të jeni anëtar me korrespodencë. Më pas, Zana Rugova, Sekretare e parë në Ambasadën e Kosovës, tha se: “Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, si asnjë shoqatë tjetër, ka bërë bashkimin kombëtar të gruas intelektuale shqiptare”.
Konferenca ka përfunduar me zgjedhjen e degës së Fondacionit në Vjenë. Mbështetur në statut 10 gratë e nxjerra nga Konferenca për të drejtuar degën, kanë votuar unanimisht që kryetare të zgjidhej Rolanda Lumani, një intelektuale e shquar, shumë e njohur nga autoritet e Vjenës për kontributet e saj. Ndërsa nënkryetare u zgjodh Vlora Jonuzi. Në përbërje të kryesisë edhe bashkëshortja e Ambasadorit, Mimoza Bimo. Festë deri në mesnatë. Këngë dhe valle popullore, shpërthen Myfarete Laze. Në festën e organizuar me rastin e 8 Marsit në lokalin e shqiptarit Kastriot Çollaku, që ishte edhe nënkryetari i shoqatës “12 Qershori”, kanë festuar 80 gra e vajza, që përfaqësonin të gjitha trevat. Grupi i valleve interpretoi me kostumet popullore të disa trevave, ndërsa shpërthimi I këngëtares Myfarete Laze, bëri që festa të arrijë kulmin. Ishte një mrekulli, që nuk e kishim provuar më parë. Me të drejtë Nderi Istrefi nga Veleshta, por që jeton prej shumë vitesh në Vjenë, do të shprehej. Ejani sa më shpesh. Jemi mirë ekonomikisht, por malli për tokën tënde, për bashkëkombësit, është hall më i madh se mospasja. Gjithçka e bukur në ato ditë qëndrimi në Vjenë, u përcoll me aq profesionalizëm nga TV Diaspora, drejtuesi i saj Esat Husaj, me të cilin ishim takuar edhe në Berlin dy vjet më parë.