Nga Aleksandër Frangaj.
Jam takuar për herë të parë me Dritëroin, pikërisht kur doja ta intervistoja për gazetën “Koha jonë”, në tetor të vitit 1991. Atëherë gazeta kishte vetëm 5 muaj që botohej si një gazetë kryesisht lokale, e Lezhës dhe ende në të nuk kishin hyrë emra të intelektualëve jo lezhjanë.
E gjeta të ulur në tavolinën ku zakonisht pinte kafen (pa harruar ndonjë gotë), në lokalin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte me disa miq të tij poetë, prandaj u ula në një tavolinë tjetër dhe prita derisa u ngritën. Pasi u prezantova, pranoi menjëherë të ulej dhe të bisedonim për intervistën, megjithëse gazetën nuk e kishte parë akoma. “Jam dakord të jap intervistë për gazetën e Lezhës, – tha Dritëroi. Unë kam shumë miq lezhjanë, kam Preçin, Remziun, Ndocin, Rudolfin, edhe devolliun Agim Isaku, që jeton prej vitesh atje. Më bëj gati pyetjet për intervistën dhe m’i sill të shkruara, se kështu me kasetofon, nganjëherë dhe ia fus kot. Dua ta mendoj mirë, meqenëse është intervista e parë për gazetën e qytetit të poetëve”.
I kënaqur që një figurë si Dritëro Agolli pranoi të flasë për një gazetë lokale, e cila sapo kish nisur të shitej edhe në Tiranë, formulova menjëherë pyetjet dhe të nesërmen ia dërgova në Lidhje. Megjithëse pranoi me kënaqësi të japë intervistën, nuk e pata të lehtë ta merrja atë. Ishte viti 1991 dhe Shqipëria kalonte kohë me ngjarje të mëdha. Dritëroi ishte Kryetar i Lidhjes, por angazhohej pak edhe me politikën rrëmujë të asaj kohe. M’u deshën plot 3 javë që unë ta frekuentoja përditë lokalin e Lidhjes dhe sa herë që e takoja Dritëroin justifikohej me mungesë kohe. Pas disa ditësh, për të mos u bërë i bezdisshëm, shkoja në lokal e ulesha në një tavolinë përballë që të më shikonte dhe vetëm e përshëndesja. E kishte kuptuar insistimin tim dhe një ditë, sapo më pa kur hyra tek dera e Lidhjes, më ftoi për të pirë kafe. Si me një lloj autokritike më tha se e kam zgjatur shumë, por sonte do ta mbaroj intervistën. Të nesërmen i shkova në shtëpi dhe e gjeta duke shtypur në makinë. “Ja dhe pak mbarova”, tha ai dhe vazhdoi të shtypte, ndërkohë Sadija më solli kafen dhe një fotografi bardh e zi, të cilën ia kisha kërkuar Dritëroit. “Vetëm këtë fotografi ka të hajrit, – më tha Sadija, – të lutem mos e humb”. Ishte një foto e Dritëroit me kokë pak të ulur dhe që dritë-hija ia shquante bukur linjat e portretit të plakur, e cila u botua bashkë me intervistën më datë 25 tetor 1991 dhe që ruhet ende në arkivin e gazetës “Koha jonë”.
Intervista u pëlqye shumë dhe u prit me interes nga lexuesit për faktin se Dritëroi po fliste pas sulmit që iu bë në Kongresin e 10-të të PPSH-së. Për gazetën e vogël “Koha jonë” intervista ishte një sukses, jo pse atë numër u shit shpejt i gjithë tirazhi, por gazeta filloi të përmendej si titull edhe në qarqet intelektuale të kryeqytetit dhe që i hapi rrugë intervistave të tjera të këtij niveli.
Një javë më pas Dritëroi do të ishte i ftuari i redaksisë sonë në Hotelin e Gjuetisë në Ishull Lezhë. Zoti Lesi atëherë shtroi një drekë për nder të Dritëroit dhe aq shumë pimë e u kënaqëm sa Dritëroi ma kujtonte edhe pas 2 vjetësh Hotelin e Gjuetisë. “Ja vlen të shkruash për ju, më thoshte ai me shaka, jo për ata kurnacët e “Zërit…”, që nuk paguajnë gjë”.
Kështu e mora intervistën e tij të parë në gazetën “Koha jonë” atëherë kur nuk mendohej se ajo do të bëhej gazeta më e madhe në Shqipëri dhe më vjen mirë që autori i saj jam unë, 22 vjeçar në atë kohë.
Dritëro Agolli që prej asaj dite do të ishte vazhdimisht pranë kësaj gazete “të djemve lezhjanë”, që po rritej dhe me intervistat, opinionet dhe shkrimet e tij do të ndikonte në autoritetin dhe kredibilitetin e “Koha jonë”.
Për 5 vjet që kam qenë kryeredaktor i gazetës “Koha jonë” dua të them se Dritëroi ishte ndër personalitetet më të lexuar dhe që fjala e tij peshonte. Ai ishte interesant kur fliste për librat, për shkrimtarët, por edhe kur fliste për politikën e problemet e tjera të shoqërisë shqiptare, të cilat i godiste jo si politikan, por si një publicist i mirë kritik.
Kur hapje faqen e parë me emrin dhe foton e Dritëroit e kishe të sigurtë shitjen e gazetës dhe kjo vinte si rezultat i profilit që krijoi Dritëroi në politikë, por edhe i imazhit të tij në shtypin e shkruar shqiptar.