Emili Grierson, personazhi tek tregimi “Një trëndafil për Emilinë”, është femra e vetme që na josh drejt një proze bashkëkohore, shumë pak të përkthyer në shqip të një emri të njohur të letrave botërore si Uilliam Folkner. Gruaja që me vdekjen e saj, arriti të zbërthente karakteret e errët të shoqërie të varur nga konservatorizmi, duket kaq e bukur nën ravijëzimin e Folkner. Si ta kishte një të dashur të hershme ai I ka dhënë asaj gjithë cilësitë e një personazhi pa kohë. Emri I saj na vjen gjithnjë në mëndje sa herë kërkojmë të lidhim emrin e një nobelisti si Folkner, me një gjuhë si ajo e jona, e cila nuk ka arritur ende të dëshifrojë kodet e një shkrimi që ka gdhendur vepra të rëndësishme të shekullit XX. Folkner është shumë pak I përkthyer në gjuhën shqipe. I vetmi libër I tij është “Një trëndafil për Emilinë” nën përkthimin e Azem Qazimit. Vepra të tjera të rëndësishme të tij si “Në shtratin e vdekjes” ende skanë ardhur në gjuhën tonë. William Faulkner-i (25 shtator 1897–6 korrik 1962) lindi në New Albany të Misisipit. Ai shkroi romane e tregime dhe në vitin 1949 u nderua me çmimin Nobel për Letërsi.Si fëmija i parë në katër djem që kishin Murry Cuthbert dhe Maud Butler Falkler-i, Uilliam Folkneri (siç do ta shqiptonte më vonë ai emrin e tij), ishte i vetëdijshëm për prejardhjen e familjes së tij e për më shumë për stërgjyshin e tij, kolonelin William Clark Falkner, atë personalitet të shquar por të dhunshëm të Luftës Civile. Folkneri lindi në New Albany të Misisipit, por që kur ishte fëmijë, ai dhe prindërit e tij në fillim u shpërngulën në Ripley e më pas në Oksford (USA), e cila ishte qendra e kontesë së Lafayette-it, ku pak kohë më vonë i ati dhe zuri punë në universitetin e Misisipit. Në Oksford ai pati përvojën karakteristike të një të riu të bardhë, jugor, që vinte nga një shtresë e mesme: kishte kalushin e tij për të kalëruar dhe ishin vitet kur mësoi se ç’ishin armët dhe gjuetia.Duke qenë një nxënës që nuk e kishte me shumë dëshirë arsimimin, ai e la shkollën e mesme, pa arritur dot të marrë as dëftesën, por iu kushtua një lloj “shkollimi të jodrejtpërdrejtë”, fillimisht i vetëm e më pas nën mbikëqyrjen e Phil Stone-t, një miku të familjes së tij, i cili studimin dhe praktikën e kombinonte me interesa letrare dhe ishte një burim i vazhdueshëm librash dhe revistash aktuale.Në vitin 1918, i nxitur nga ëndrra lavdie militare dhe për shkak të dëshpërimit që i shkaktoi dështimi në një lidhje dashurore, ai iu bashkua forcave ajrore britanike, të cilat po trajnoheshin në Kanada. Por në nëntorin e vitit 1918 u shpall armëpushimi dhe tani atij i mbetej ose të vazhdonte me aviacionin, ose të shkonte në Europë. Ai u kthye në shtëpi dhe u regjistrua për të ndjekur disa kurse universiteti. Botoi disa poezi dhe disa skica në gazetat studentore dhe në këtë kohë hiqej si një poet që kishte pasur përvojë lufte. Pasi punoi për tre muaj në një librari, në Nju-Jork, në vjeshtën e vitit 1921, ai u kthye në Oksford dhe punoi në postën e universitetit, duke i kryer i shkujdesur detyrimet e tij derisa e detyruan ta linte atë punë. Në vitin 1924, i ndihmuar financiarisht nga Phil Stone-i, ai arriti të botojë Faunin prej mermeri, një libër me kuplete baritore. Në këtë kohë kishte shkruar edhe disa tregime, por përpjekja e parë serioze e Folknerit për të shkruar letërsi artistike u bë gjatë një vizite gjashtëmujore në Nju-Orleans – i cili në atë kohë ishte një qendër e rëndësishme letrare – pra, që filloi në janarin e vitit 1925 dhe mbaroi në fillim të korrikut të po atij viti. Në vijim ai u nis për një turpesë mujor nëpër Europë, i cili përfshinte edhe një qëndrim disa javor në Paris. Romani i tij i parë, Paga e ushtarit (1926), i cili paraqiste një mjedis jugor, por jo domosdoshmërisht atë të Misisipit, ishte një arritje mbresëlënëse, me një stilistikë ambicioze dhe që sillte në mënyrë të fortë jehonën e ndjenjës së atij tjetërsimi që përjetonin ata ushtarë të cilët nga Lufta e Parë Botërore ktheheshin në atë jetë të përditshme civile pjesë e së cilës ndienin se nuk ishin më. Në një roman të dytë, Mushkonjat (1927), ai nisi një sulm satirik ndaj Nju-Orleansit letrar, duke përfshirë persona lehtësisht të identifikueshëm – kjo vepër mund të lexohet si një deklaratë e pavarësisë së tij artistike.Kur u kthye sërish në Oksford – teksa vizitoi herë pas here edhe Paskagulën, në rivierën e Gjirit – Folkneri nisi të bënte përsëri një sërë punësh të përkohshme, por më së shumti u mor me testimin e vetes së tij si një shkrimtar profesionist. Në atë kohë atij nuk i pranuan për botim asnjë vepër, e më së tepërmi u ndje shumë keq për vështirësitë me të cilat u ndesh për të gjetur një botues për Flamujt në pluhur (i botuar pas vdekjes së tij, më 1973), që është një roman i gjatë me të cilin ai donte të përforconte emrin dhe karrierën e tij. Kur kjo vepër u botua (me shumë shkurtime, përfundimisht; po ashtu si edhe Sartoris, më 1929), lexuesit ndeshën për herë të parë me atë botë imagjinare aq të ngjeshur të Xhefersonit dhe të kontesë Joknapataufa, e cila e kishte bazën në Riplej, e më shumë në Oksford dhe në kontenë Lafajet, e karakterizuar nga rishfaqje të herëpashershme të të njëjtëve personazhe, vendeve dhe temave, të cilat Folkneri më pas do t’i përdorte për aq e aq romane dhe tregime të tjera.Duke besuar se e kishte dënuar fati që të mbetej një shkrimtar i pabotuar, ai u përpoq të jepte maksimumin e tij në veprën e tij të sofistikuar teknikisht Zhurma dhe tërbimi, duke menduar që përballë atij komercializmi të pamëshirshëm dhe atij tregu letrar të asaj kohe, nuk bëhej asnjë lëshim. Për romanin më në fund u gjet një botues, pavarësisht vështirësive që ai paraqiste për lexuesit, dhe që nga koha e shfaqjes së tij, tetor 1929, Folkneri krijoi vetëbesim si shkrimtar, dhe nisi të trajtojë gjithnjë e më tepër tema të reja, mbi të gjitha teknika të reja sfiduese. Një nga teknikat e tij të para, të rëndësishme, ishte dhe vendimi i tij për t’i shmangur daljet publike në qendrat letrare, ndaj jetoi në atë që në atë kohë ishte qyteti i vogël i Oksfordit, ku ai ishte në shtëpinë e tij dhe mund t’i kushtohej shkrimit në një thuajse izolim të plotë prej të tjerëve.Në vitin 1929 ai u martua me Estele Oldhamin, e cila sapo ishte divorcuar, por që në vitin 1918 ajo kishte qenë personi që atë e kishte bërë t’i bashkohej aviacionit britanik. Një vit më vonë ai bleu Rouan Oakun, një shtëpi thuajse të rrënuar të periudhës së para Luftës Civile, e cila ndodhej në rrethinat e Oksfordit. Vitet në vijim ai i kaloi duke rregulluar shtëpinë dhe duke u marrë me gjueti. Në vitin 1933 atyre u lindi një vajzë, Xhilli, dhe ndonëse martesa e tyre kalonte vazhdimisht kriza, Folkneri qëndroi duke punuar në shtëpi gjatë viteve ’30 dhe ’40, përveç atyre rasteve kur për shkak të nevojave ekonomike detyrohej të shkruante skenarë për Hollivudin, gjë që ai e bënte me kompetencë. Oksfordi Folknerin e ndihmoi që të depërtonte thellë në botën konservatore, provinciale, e bëri që të kujtohej i vetëdijshëm për të kaluarën e tij dhe e mbajti larg industrializmit urban, në një mënyrë të atillë që ai arrinte ta trajtonte moralin që gjente aty dhe të krijonte modelet e narracionit të veprës së tij. Por sidoqoftë teknikat e tij artistike binin në kundërshtim me teknikat konservatore. Ai njihte jo vetëm veprat e Honore de Balzakut, Gustav Floberit, Çarls Dikensit dhe Herman Melvillit, por gjithashtu edhe ato të Xhozef Konradit, Xhejms Xhojsit, Sherud Andersonit e të figurave të tjera në të dyja anët e Atlantikut, dhe tek Zhurma dhe tërbimi (1929), romani i tij i parë voluminoz, ai ndërthuri mjedisin e Joknapataufës me disa teknika radikale eksperimentimi. Në monologët e njëpasnjëshëm “të përroit të ndërgjegjes”, të tre vëllezërit e Kanda Kompsonit – Benxhi, idioti; Kuentini, studenti i trazuar i Harvardit; dhe Xhejzoni, biznesmeni i dëshpëruar, vendas – shprehin ankthet e ndryshme që kanë për motrën e tyre dhe marrëdhënien e tyre pa dashuri ndaj prindërve të tyre. Një pjesë e katërt, e rrëfyer si nga autori, nxjerr në pah perspektivat e reja të disa personazheve kryesore, përfshirë këtu edhe Dilsejn, shërbëtorin zezak të Kompsonëve, dhe në vijim shkon përpara drejt një konkluzioni pa zgjidhje. Romani tjetër i Folknerit, tragjikomedia brilante e titulluar Teksa vdes (1930), përqendrohet tek konfliktet e familjes “së bardhë, të varfër” Bandren, teksa e gjitha çapitet ngadalë nëpër rrugën e vështirë në drejtim të Xhefersonit, për të varrosur trupin e shprishur e kundërmues tashmë të bashkëshortes dhe nënës. I rrëfyer prej gjithë Bandrenëve dhe prej personazheve të tjera të rastësishme gjatë këtij udhëtimi, ky është më shumëzërëshi sistematik ndër romanet e Folknerit, i cili shënon dhe kulmin e eksperimentalizmit të tij të hershëm, atë pasxhojsian.
Ndonëse dendësia psikologjike dhe risia teknike e këtyre dy romaneve mezi arrinte ta siguronte që do të mund të lexohej nga lexuesi bashkëkohor, emri i Folknerit zuri të bëhej i njohur në fillim të viteve ’30 dhe në këtë kohë ai ishte në gjendje që të botonte tregime në revista të tilla aq popullore – dhe të cilat paguanin mirë – si Collier dhe Saturday Evening Post. Por ngritjen më të ndjeshme financiare ai filloi ta përjetojë pas publikimit të romanit Shenjtërorja, një roman rreth përdhunimit brutal të një studenteje kolegji nga Jugu. Ngjarja e shkruar herë përshkruan skena dhune e herë skena komike. Kjo ishte një vepër serioze, ndonëse vetë Folkneri deklaronte se e kishte shkruar thjesht për para. Shenjtërorja në të vërtetë përfundoi si roman dhe u publikua para se Teksa vdisja, në shkurtin e vitit 1931, teksa Folkneri ishte në telashe me ristrukturimin e tij dhe pjesërisht rishkrimin e tij – por pa e moderuar aspak dhunën. Në një kohë që kishte kërkesa për të punuar me filma dhe për të shkruar tregime (një përmbledhje e të cilave së pari u botua në vitin 1931, kurse një përmbledhje e dytë në vitin 1934), dhe madje ndonëse kishte përgatitur një vëllim me poezi (i cili u botua në vitin 1933, me titullin Një degë e gjelbër), Folkneri shkroi një roman tjetër të gjatë e madhështor. I strukturuar në një mënyrë shumë komplekse dhe me shumë personazhe, tek Dritë në gusht ngjarjet vërtiten rreth figurës së Lena Grovit, një fshatare e re, e qetë dhe shtatzënë, e cila ka dalë në kërkim të fatit të saj, dhe Xho Krishtlindit, një jetimi po aq kompleks, i cili është i pasigurt për origjinën e tij racore, jeta e të cilit sa vjen e bëhet më dëshpëruese dhe e dhunshme teksa ai është në kërkim të identitetit personal, i cili atij do t’i falte siguri – qenia në njërën anë, dukshëm tjetër, ose qenia tragjike thjesht në vijën ndarëse të ngjyrës së tij.Duke qenë se përkohësisht po kalonte një periudhë të mirë financiare prej Shenjtërores dhe prej Hollivudit, Folkneri bleu një aeroplan të vogël dhe në shkurtin e vitit 1934 fluturoi me të për në aeroportin “Shushan” të Nju-Orleansit, i cili sapo ishte hapur. Atje ai mblodhi shumë material për Shtyllën, romanin për garat e pilotëve, të cilin ai e botoi në vitin 1935. Ai ia dha aeroplanin vëllait të tij, Dinit, duke e inkurajuar që të bëhej një pilot profesionist, por shumë shpejt do të vajtonte e do ta ndiente veten e tij fajtor për këtë vendim të tij, duke qenë se i vëllai bëri aksident me atë aeroplan dhe vdiq, në vitin 1935. Kur lindi e bija e Dinit, në vitin 1936, ai mori përsipër të paguante shkollimin e saj. Kjo përvojë ndoshta ishte pikërisht ajo që ndikoi në dendësinë emocionale të romanit të ri të cilin ai po shkruante. Tek Abesalom, Abesalom! (1936) Tomas Sutpeni mbërrin në Xheferson nga “asgjëkund”, hap me shumë mundim një plantacion të madh në tokat e pafundme të Misisipit, merr pjesë në Luftën Civile dhe lufton me trimëri në mbrojtje të parimeve të tij sociale, por në fund shkatërrohet prej qëndrimit të tij çnjerëzor ndaj atyre që deri pak më parë i kishte pas përdorur për të arritur në mënyrë të ankthshme ngritjen e dinastisë së tij madhështore. Duke refuzuar që të njihte djalin e tij të parë, i cili ishte gjysmë i zi, Çarls Bonin, Sutpeni humbet gjithashtu edhe djalin e tij të dytë, Henrin, i cili ikën që të fshihet, pasi vret Bonin (të cilin ai e donte) për shkak të nderit të motrës së tyre. Duke qenë se kjo histori thellësisht e Jugut është ndërtuar me spekulime, konflikte dhe pa një fund të qartë – e rrëfyer prej disa narratorëve, ku secili shprehet nga perspektiva e interesave të veta, romani Abesalom, Abesalom!, për shkak të fundit të tij të hapur, është parë shpesh si vepra artistike më “moderniste”, duke qenë se mbi të gjitha fokusohet në procesin e vetë rrëfimit.
Edhe romani Palma të egra (1939) ishte teknikisht aventuresk, teksa kapitull më kapitull rrëfen dukshëm dy sfonde të ndryshme që alternohen me njëri-tjetrin. Në këtë kohë Folkneri kishte nisur t’i kthehej sërish tregimeve me temë kontenë e Joknapataufës. Të pamposhturit (1938) ishte një vepër e shkruar relativisht me të njëjtin stil si të tjerat para saj, por Katundi (1940), vëllimi i parë i trilogjisë së pambaruar Snopsët, u shfaq si një vepër me një pasuri të pazakontë. Struktura e tij episodike, përforcohet nga gjedhe të ripërsëritura tematike dhe nga prania e humorprishurit V. K. Ratlif – një agjent tregtar shëtitës makinash qepëse – dhe kundërshtitë e tij të kota përballë pushtetit në rritje të manipuluesit të madh Flem Snops e kushërinjve të tij të shumtë “varfanjakë të bardhë”. Në vitin 1942 doli Zbrit, Moisi, një tjetër vepër kjo madhore në të cilën një eksplorim i ngulmët i temave që lidhen me racat, seksualitetin dhe shfrytëzimin e rrethanave shtjellohet gjerësisht me termat e ndërveprimeve komplekse mes degëve “të bardha” e “të zeza” të plantacionit të familjes Mak-Kaslin, veçanërisht ashtu siç e prezanton Isak Mak-Kaslini nga njëra anë dhe Lukas Bioshampit nga ana tjetër.Për arsye të ndryshme – vështirësitë për të botuar, meqë ishte kohë lufte, dhe presionet financiare e shtrënguan që më së shumti të merrej me shkrime skenarësh dhe të mos e kishte të lehtë botimin e asaj vepre që do të dilte më vonë me titullin Fabula – Folkneri nuk shkroi ndonjë roman tjetër deri më 1948, kur u botua I fshehur në pluhur, tek i cili Lukas Bioshampi, i përmendur më parë tek Zbrit, Moisi, shfaqet si një vrasës i pafajshëm, dhe rrjedhimisht shpëton nga linçimi, falë përpjekjeve të vazhdueshme të një djaloshi të bardhë. Në këtë subjekt përplasen përsëri ndjenjat racore, porse të para nga një prizëm i dyzuar, i cili karakterizon dhe deklaratat publike, të mëvonshme të Folknerit: ndërkohë që në veprat e tij dukej sikur ndiente shumë simpati për shtypjen që u bëhej zezakëve në shtetet e Jugut, sidoqoftë ai ndiente që një padrejtësi e tillë duhej rregulluar nga vetë Jugu, pa ndërhyrjen e Veriut.Fama amerikane e Folknerit – e cila gjithmonë kishte pas mbetur pas famës së tij në Europë – u përhap më tej nga vepra Folkneri portativ (1946), një antologji e redaktuar me shumë mjeshtëri nga Malkolm Kaulej, në përputhje me temat e diskutueshme që parashtron Folkneri për të ndërtuar “një legjendë” të bazuar në fakte historike të Jugut. Vepra Përmbledhje me tregime (1950) e Folknerit, mbresëlënëse qoftë nga ana sasiore e qoftë nga ana cilësore, u prit edhe ajo mirë, dhe po atë vit, pak më vonë, marrja e Çmimit Nobel në Letërsi e katapultoi këtë autor në kulmin e famës botërore dhe bëri që ai të mbante një fjalim të famshëm me këtë rast, në të cilin foli për besimin e tij në mbijetesën e llojit njerëzor, ndonëse jetojmë në një kohë armësh atomike, dhe rolin e rëndësinë e artistit për këtë mbijetesë. Çmimi Nobel pati një ndikim të madh në jetën personale të Folknerit. I sigurt në vetvete tashmë për famën e tij dhe për fitimet financiare që do të kishte në të ardhmen, tashmë ai ishte më pak i motivuar që të shkruante në krahasim me më parë dhe kësisoj nisi t’i lejonte vetes më tepër liri, pije alkoolike dhe një numër marrëdhëniesh jashtëmartesore – dhe këto u shtuan edhe më gjatë veprimtarive të tij jashtë shtetit, siç ishte shkuarja për të lidhur një kontratë në Egjipt (1954) dhe shumë udhëtime (pjesa më e madhe për në Japoni – 1954) të ndërmarra si përfaqësues i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara. Ai i mori shumë seriozisht angazhimet e tij “ambasadoriale”, teksa nisi të fliste shpesh para publikut, të jepte intervista dhe të bëhej politikisht aktiv në vendin e tij, duke marrë pozicione në lidhje me tema të rëndësishme racore, duke shpresuar në mënyrë të pafrytshme të krijonte hapësira kompromisi mes të mobilizuarve konservatorë, jugorë, dhe intervencionistëve liberalë, veriorë. Opinioni vendas në Oksford tregoi që ishte armik i këtyre pikëpamjeve të tij, prandaj Folkneri, në periudhën 1957–1958 pa ngurrim pranoi të bashkëpunonte me Universitetin e Virxhinias, në Sharlotsvill. I tërhequr nga ky qytet edhe për shkak se aty jetonte edhe vajza e tij me fëmijët e saj, si dhe nga mundësitë që kishte aty për t’u marrë me hipizëm dhe gjueti dhelprash, Folkneri bleu një shtëpi atje, më 1959, ndërkohë që vazhdonte të kalonte kohë edhe në Rouan Oak. Shpesh thuhet se cilësia e shkrimeve të Folknerit, pas marrjes së Çmimit Nobel, ra, por pjesa kryesore e Rekuiem për një murgeshë (1951) është shkruar në një formë dramatike sfiduese dhe po kështu edhe Fabula (1954), një roman i gjatë, i dendur dhe i strukturuar në një mënyrë komplekse, i cili sjell jehonën e Luftës së Parë Botërore, kërkon shumë vëmendje si vepra që i mori më tepër kohë dhe e mundoi më shumë. Tek Qyteti (1957) dhe Vila (1959) jo vetëm që e solli në një përfundim trilogjinë Snopsët, duke e sjellë narracionin e tij për Joknapataufën deri edhe më përtej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, porse ndryshoi edhe paksa mënyrën sesi e kishte pas menaxhuar deri më tani këndvështrimin e tij narrativ. Në qershorin e vitit 1962 Folkneri botoi edhe një roman tjetër të shkëlqyeshëm – komedinë gjeniale, nostalgjike, rreth maturimit të një mashkulli, të cilën ai e titulloi Kusarët, ndërsa më poshtë vendosi nëntitullin Një reminishencë. Një muaj më vonë ai vdiq nga një atak kardiak, në moshën 64-vjeçare, me shëndetin të dëmtuar rëndë nga pijet alkoolike dhe rrëzimet nga kuajt, të cilit ishin shumë të lartë për të.Që nga vdekja e tij e tutje Folkneri është vlerësuar qartë jo si vetëm romancieri më i rëndësishëm i brezit të tij, por si një nga më të mëdhenjtë e shekullit XX, i pakrahasueshëm për strukturat e tij të jashtëzakonshme dhe mprehtësinë stilistike, për gamën dhe thellësinë e karakterizimeve të tij, për shenjimin social, dhe për ngulmin e suksesin në eksplorimin e çështjeve fondamentale me terma të fuqishme lokale. Disa kritikë arti, që herët por edhe më vonë, veprën e tij e kanë vlerësuar si tejet retorike dhe mjaft të dhunshme. Një pjesë e tyre edhe kanë shprehur vërejtje të forta – veçanërisht aty nga fundi i shekullit XX, kryesisht për mënyrën sesi i ka portretizuar femrat dhe zezakët amerikanë. Ndonëse fama e tij duket e cenuar prej këtyre vërejtjeve, ai mbetet një autor thellësisht ndikues tek romancierët e Shteteve të Bashkuara, të Amerikës Latine dhe më përtej: të të gjithë botës.
/Alda Bardhyli/Shqip