Nisma studentore “Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore” organizoi ditën e premte, 24 shkurt tryezën e rrumbullakët kushtuar ndërtimit të një muzeu për Gjergj Fishtën.
Në aktivitetin e zhvilluar në Bibliotekën e Lezhës ishin të pranishëm zëvendësministri i Kulturës, Zef Çuni, zëvendësministri i Zhvillimit Urban, Gjon Radovani, studiuesi Tonin Çobani, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të komuniteteve fetare, shkrimtarë, artistë, biznesmenë, arkitektë e dashamirës të veprës së Fishtës.
Takimi i shërbeu arritjes së dakordësisë mes pushtetit qendror dhe atij vendor për të punuar së bashku për realizimin e muzeut të kërkuar me këmbëngulje nga studentët e nismës dhe të ftuarit.
Zëvendësministri Çuni dhe drejtori i Kulturës pranë Bashkisë së Lezhës, Ardian Laçi, në emër të institucioneve përkatëse siguruan të pranishmit se do të nisë puna e menjëhershme në mënyrë të përshpejtuar që së shpejti të ketë një projekt konkret përmes të cilit të gjithë brezat të njihen me vlerat që Fishta i ka shtuar kombit shqiptar.
Të ftuarit vlerësuan vullnetin e studentëve të kësaj nisme që bënë të mundur bashkimin e palëve për një qëllim të tillë fisnik.
Ky takim do të ndiqet së shpejti nga një tjetër tryezë e rrumbullakët me qëllimin për të ndjekur hap pa hapi ecurinë e çështjes deri në realizimin e objektivit final: një muzeu për Fishtën.
Për më shumë informacion klikoni këtu: “Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore“.