Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

Shtypi botëror për Dritero Agollin

$
0
0

Shqiptari tjetër

Alen Boske, (“Le Figaro”, datë 26 korrik 1990)

– Jashtë shtigjeve të rrahura, fjalët fyese me humor të një shkrimtari me përmasa universale –

 Që prej 20 vjetësh Evropa vazhdon të zbulojë nga libri në libër një shkrimtar me përmasa universale, Ismail Kadarenë. Sot na u dha rasti të lexojmë romanin e parë të përkthyer në frëngjisht të një shkrimtari tjetër, Dritëro Agolli. “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” na befason shumë, aq më tepër mbasi kjo satirë i përket vitit 1972, epokë kur nuk mund të bëhej fjalë aspak për liberalizim nga ana e Tiranës. Deri tani vetëm disa tekste të Dritëro Agollit ishin botuar në revistat tona pa tërhequr vëmendjen në mënyrë të veçantë. Ai ka lindur më 1931, ka kryer studimet universitare në BRSS, ashtu si pjesa më e madhe e intelektualëve të brezit të tij. Shumë romane i siguruan atij një famë të qëndrueshme në vendin e tij. I përkthyer në afro gjashtë gjuhë, ai është bërë sot kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, megjithëse ka një çiltërsi dhe një liri mendimi të jashtëzakonshme.

Romani që ne lexojmë triumfoi me vështirësi. Ai është shkruar me një maturi dhe një klasiçizëm që në pamje të parë duket se u bindet parimeve të realizmit socialist: nuk ka vend për mister, as për lirizmin dhe as për përçartje. Edhe psikologjia është në përshtatje me udhëzimet zyrtare: siç thuhet atje, askush në këtë kryevepër të ironisë nuk është as monstër, as qënie negative. Mund të pretendohet, gjithashtu, se personazhet janë ithtarë të optimizmit dhe të së nesërmes së gëzuar. Për më tepër, heroi, Zyloja, është një funksionar i lartë, apo më saktë një aparatçik me përgjegjësi të shumta, i cili nuk bindet, por përkundrazi, përdor vazhdimisht një frymë iniciative. Sigurisht, duhet shkuar më larg se aparencat.

Tregimtari, bashkëpunëtori kryesor i Zylos, i ngarkuar për kulturën dhe shfaqjet, vë në dijeni ecejaket e eprorit të tij. Gjithë libri është hartuar sikur të kishte pamjen e një raporti, të një procesverbali apo të një biografie zyrtare. Me një fjalë është një tiran simpatik, me vullnet të mirë dhe aspak një karikaturë. Çfarëdo që të mendojë, të thotë apo të bëjë, ai përpiqet të garantojë mirëqënien e nëpunësve të tij të administratës dhe t’u sigurojë atyre argëtimet e klasës: luftën e klasave të lumturuara.

Shkresaxhi i ndërgjegjshëm, i nënshtruar dhe në të njëjtën kohë mahnitës, Demka, tregimtari, bën ç’është e mundur për t’iu bindur Zylos. Ai i përgatit atij një numër të madh raportesh që padroni i tij i përvetëson: i tillë është ligji i hierarkisë. Dialogu shërben për t’i mënjanuar pakënaqësitë: mjafton që vartësit të binden për epërsinë e atyre, të cilët me mirësjellje dhe kompetencë, kanë hipur mbi supet e tyre. Zyloja shpjegon, përligj, urdhëron dhe i lë secilit përshtypjen se ka të drejtë për çdo gjë. Forca e tij bindëse është e tillë sa përkulesh me gjithë qejf përpara poshtërsive që përdor ai: që prej çastit kur bëhesh bashkëfajtor, përkrah dhe diturinë dhe largpamësinë e tij, edhe pse objektivisht ato të duken të dyshimta.

Skërmitjet e dhëmbëve janë të rralla dhe shpejt lexuesi bën pyetjen se si, përballë kësaj fuqie bindëse kaq të shkathët, poshtërsia dhe verbëria nuk janë në anë të Demkës: ky nuk vuan aspak nga pozita e tij si i admiruar pa kushte. Ai e ul shpinën me krenari. Kështu janë monarkët: ata gjejnë përpara tyre skllevër, shumë të civilizuar, shumë sqimëtarë, për të cilët bindja është më pak e kushtueshme se sa dyshimi më i vogël. Prej këtej del se lexuesi simpatizon Zylon dhe se Demka më në fund mishëron nënshtrimin më pasiv dhe më mendjeshkurtër. Nga ana tjetër, Zyloja ka mjaft pushtet për t’u dukur i lirë, i guximshëm, pothuajse sovran. Kur gjithçka është parashikuar, ndodh e papritura: njerëzit më të disiplinuar po lëkunden gjithashtu në tronditjen. Një ditë, pa e ditur përse, Zyloja humbet punën e tij.

Ai nuk kritikohet dhe nuk akuzohet për asgjë. Ai endet, shkon të gjejë një punë tjetër, flitet për ta dërguar në një ambasadë.

Megjithatë nuk ndodh asgjë: ai është në dispozicion. Demka nuk dorëzohet: ndjenja e tij e simpatisë nuk dobësohet dhe admirimi i tij nuk do të kishte shfajësime për Demkat. Shërbëtorët duhet të shërbejnë dhe jo të zëvendësojnë padronët. Nuk mund të mendohet që legjenda të merret me njerëz aq të paqortueshëm si Zyloja. Kështu gjithë legjenda është e marrë. Atje qëndron e meta e sistemit: që kur fillon të ëndërrohet, që kur ekstrapolohet organizimi i mirë material dhe psikologjik ia lë vendin çmendurisë. Satira mund të të marrë atëherë përpjestime shpërthyese. Dritëro Agolli shkruan: “Qeni është një kafshë besnike. Përse zemërohemi kur na trajtojnë si qen?” Dhe për t’u tallur me personazhin e vet, Zylo, ai shton; “Një fëmijë shkruan me shkumës mbi portën e shokut Zylo: “Monument kulture”.

Ky libër jashtë shtigjeve të rrahura na sjell ngazëllim që na përtërihet vazhdimisht. Ai të kujton “Revizorin” e Gogolit me ofendimet me humor që patën dashur Volteri apo Didëroi. Emri i komunizmit nuk ka nevojë që të shprehet. Një demaskim do të ishte më brutal dhe në të vërtetë më i lehtë. Këtu gjithçka është ironike, e balancuar për bukuri, por pa krahë. Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton një famë evropiane.

 

 “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”

i Dritëro Agollit

Pas Ismail Kadaresë, Shqipëria na zbulon një autor me përmasa evropiane, Dritëro Agollin me një roman satirik që meriton të krahasohet me të famshmin “Revizor” të Nikolaj Gogolit. Asgjë nuk është më eksituese, më e këndshme, më komike se sa ky portret i një aparatçiku të kënaqur nga vetja dhe që i shtyp njerëzit për të mirën e njerëzimit me humor dhe mirësjellje.

(Marrë nga gazeta franceze “Le Figaro” datë 20 korrik 1990 dhe shkruar nga Alen Boske)

  

Shoku Zylo është tepër i zellshëm

Dominik Fernandez

(Në revistën franceze “Lë Nuvel Observatër”, datë 12 korrik 1990)387

 Dritëro Agolli, Kryetar i tanishëm i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë botoi në vitin 1972 një roman satirik për absurditetin e burokracisë. Libri pati një triumf në Tiranë dhe i siguroi moscënimin autorit të tij.

Jo, Ismail Kadareja nuk është i vetmi shkrimtar shqiptar! Ja një tjetër, pena therrëse e të cilit na jep disa ide të çuditshme për jetën e vendit të tij, i cili nuk hiqet si veçanërisht liberal. Shoku Zylo (i quajtur kështu, sipas zakonit e duke u përsëritur shumë merr një ngjyrë shumë ironike), drejton seksionin e problemeve kulturore në administratën e lartë të Tiranës. Ndihmësi i tij, i cili në të njëjtën kohë është sekretar dhe një njeri që vihet në lojë, jep llogari në mënyrë të përpiktë dhe të thatë për bëmat dhe gjestet e tij. Shkëndija komike e ka burimin në paraqitjen me objektivitet të sjelljes së tij. Shoku Zylo, i bindur për rëndësinë e detyrës së vet, është gjithmonë në luftë për një përhapje më të mirë të kulturës: ai e percepton misionin e vet si një luftë e vazhdueshme kundër dembelëve: kur hyn në zyrën e tij, atë e gjen gjithmonë në aktivitet të plotë. Duhet që ai të japë mendimin e tij për gjithçka mbasi “për të nuk ka dukuri që të mos jetë pretekst për lulëzimin e mendimit të tij”. Ai dikton disa dekrete me një frymë të paimitueshme luftënxitëse: “Të studiohet me themel çështja e tragjikes. Koncepti i tragjikes, në jetën e përditshme, nga pikëpamja e filozofisë së sotme socialiste, nuk duhet të ekzistojë në ndërgjegjen e inteligjencies së fshatit. Tragjikja nuk ekziston më, veçse si kategori. Gëzimi për të jetuar, ja cili është koncepti bazë”.

Dritëro Agolli vërteton se nuk ka shpikur asgjë, veçse ka riprodhuar fragmente nga raporte zyrtare. Episode të shumta me shaka,të cilave nuk mund t’u rezistosh. Duke vizituar një

kooperativë bujqësore, Zylo është pikëlluar kur ka parë se fshatarët, të përfshirë nga puna, kanë harruar shqetësimet e kulturës, në vend që të vërë midis parantezave manitë e tij, ai këmbëngul të bëjë luftë. Kultura nuk duhet të ndjekë verbërisht grurin dhe misrin. Fshatarët, a nuk duhet të përfitojnë nga banjot publike të vëna në dispozicion të tyre? Ai e porosit sekretarin e tij t’i përgatisë një raport për rëndësinë e higjienës dhe të “dobisë së ujit të ngrohtë për të hapur poret e lëkurës”.

Një herë tjetër, bëhej fjalë për të gjykuar një pjesë të re teatrale. Shoku Zylo shkoi në teatër dhe dha pastaj mendimin e tij: “Është një dramë e gabuar nga pikëpamja ideologjike. Fillimisht heroi negativ shpreh forcën. A e dalluat se u ngjit në majë të një kodre? Çfarë do të thotë kjo, miqtë e mi? Kjo do të thotë se ai ngjitet në një piedestal, domethënë kodra. Duhet që ai të zbresë nga kodra ose duhet ta fusin në një pus. Është heroi pozitiv ai që duhet të ngjitet në kodër”. Këto, sipas Agollit, janë fjalë të shprehura tekstualisht nga një zyrtar i teatrit shqiptar. Shoku Zylo nuk ka fat: pjesa, të cilën ai e shpalli të ndaluar, u gjykua e shkëlqyer nga hierarkia e tij e lartë. Në këtë mënyrë fillon rënia e kalorësit tepër të zellshëm të kulturës.

Por para rënies së tij, ai nuk ishte antipatik për ne. Talenti i autorit është se na e tregon atë si një viktimë. Viktimë e absurditetit burokratik dhe ideologjik që bën kërdinë në vendin e tij. Një ingranazh shumë i vogël në makinën tepër të madhe anonime të shtetit. Libri u botua më 1972, pesë vjet pas botimit të librit “Shakaja” të Kunderës. Të dy librat i afron një farë përqasje në satirë. Megjithatë, ndërsa libri i Kunderës u ndalua shpejt në Çekosllavaki, romani i Dritëro Agollit filloi një karrierë të shkëlqyer. Një vit më pas, autori u fut në kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve, post që e mban edhe sot. Romani u botua fillimisht pjesë-pjesë në një revistë satirike: humori shërbeu si rrufepritëse. Për të përligjur ashpërsinë e kritikës thuhet: është humor! Pastaj vetë suksesi i pjesëve siguroi që libri të mos cënohej. Shoku Zylo shpëtoi nga suaza e romanit, për t’u bërë një personazh i jetës shqiptare, një qytetar si të tjerët. Duket se atje thuhet: “Është një Zylo”, për cilindo që nuk shpërblehet keq për besnikërinë ndaj hierarkisë së ashpër, të errët dhe të gjithfuqishme politike.

Ç’fat më i shkëlqyer mund t’i caktohet një heroi romani se sa të përdoret në jetën e përditshme, si një emër i përbashkët? Këtë fat të lavdishëm e ka pasur ushtari Shvejk dhe Ati Ubu. Tanimë, shoku Zylo do të kompletojë triologjinë e këtyre groteskave prekëse që zbulojnë sklerozën dhe budallallëkun e një sistemi. Që ne të rishikojmë shumë mendime që mund të kemi për Shqipërinë, duhet që ai të lihet i lirë në vendin e tij, që herë pas here të nxjerrë tituj të rinj, që të sfidojë, pa u ndëshkuar, nomenklaturën nëpërmjet gazit dhe paturpësisë të së qeshurës së tij.

Dritëro Agolli: Tartarini i Tiranës

Fransua Nurisie

(Në revistën “Figaro Magazinë”, datë 30 qershor 1990).

 Dritëro Agolli, libri i parë i të cilit është përkthyer tani në frëngjisht, që prej 17 vjetësh kryeson Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë. Ata që i njohin demokracitë popullore, e dinë se rrallë krijues me peshë zënë apo zinin atje poste të larta në aparatin shtetëror. Për aparatçikun model, për “poetin e lauruar” në modë në Lindje, Milan Kundera ka bërë një portret të ashpër në romanin “Jeta është gjetkë”, heroi i të cilit Jaromil, i paraprin figurës komike të ”shokut Zylo”. Por Agolli duket se nuk ka lidhje shumë me skriptomanët e zellshëm dhe pa shije që i donte shumë stalinizmi. Duke e takuar vitin e kaluar në Tiranë, më bëri përshtypje profili i tij prej prijësi, toni i tij i lirshëm. Tani ai është përkthyer në koleksionin me vlerë ‘Nga mbarë bota”, i cili nuk pranon këdo. A do të arrijë të fitojë famën e Ismail Kadaresë? Kjo nuk do të jetë e pamundur.

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, me titull të qartë, tregon fitoren dhe rënien në Tiranë të Zylo Kamberit, funksionar i lartë, drejtor i një seksioni të çështjeve kulturore. Është një kritikë marramendëse, shumë komike e burokracisë, e dirigjimit intelektual, e privilegjeve të socializmit dhe e gjuhës së ashpër të përdorur. Botuar në revistë në vitin 1972, një vit më vonë si volum, si dhe ribotuar më 1981, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” na detyron të rishikojmë disa nga idetë tona lidhur me lirinë që i linte një romancieri Shqipëria e Enver Hoxhës. Vend tamam misterioz! Aq më tepër mbasi pas personazheve të romanit, funksionarë, shkresaxhinj, kritikë (dhe bashkëshortet e tyre, të shëndosha apo të bindura), lexuesit e paralajmëruar sigurisht mund të njihnin personalitete reale. Të pranosh se këto karikatura tallëse qenë portrete reale kjo e shton edhe më shumë habinë tonë.

Duke imituar një formulë të famshme. Agolli, është Kafka, me pak më shumë diell. Ministria e Kulturës, drejtoritë, komisionet, mbledhjet e saj, përbëjnë dekorin pothuajse abstrakt të një satire bufone. Zyloja është një tartarin i dialektikës, një calik i fryrë me fjalë, një fjalëmadh i ngrehur, hipokrit, ndoshta i ndershëm, por budalla i pandreqshëm. Në veprën “Roberi” apo “Shkolla e Grave”, Zhidi kishte përshkruar një personazh të kësaj familjeje, të dobësuar, dredharak dhe përfytyrohet se edhe Gogoli, që kishte jetuar një shekull më vonë, e kishte përdorur një temë të tillë. Duke qenë ose jo përkrahës të “realizmit socialist”, është një gjë e rrallë që shkrimtarët të rrezikojnë të përshkruajnë një hero negativ, veprim i rrezikshëm, por që mund të prodhojë kryevepra. Duhet mbajtur një distancë e qëndrueshme midis autorit e personazhit dhe midis këtij të fundit dhe lexuesit. Agolli e arrin këtë duke përdorur një tregimtar ideal: Demkën, që në të njëjtën kohë është skllav dhe parazit i shokut Zylo, mburoja e tij. Duke qenë një shkrimtar i dështuar, gazetar i përmbajtur, Demka nuk është veçse redaktori i pa rëndësi i raporteve, fjalimeve, ndërhyrjeve të eprorëve të tij hierarkikë. Ai shihet vetëm në një profil të humbur, duke shënuar sentencat e pashuara të padronit të vet dhe duke i shërbyer atij supën. Pas pak, të dy personazhet, njeri që ushqehet nga tjetri, janë të pandashëm: modestia lajkatare dhe hipokrite e Demkës i përqaset madhështisë së Zylos, fryrjes së tij, retorikës së tij boshe, një farë madhështie qesharake. Kjo është epopeja e llomotitjes doktrinale, apoteoza e asgjëje.

Të mos mendohet se autori ekzagjeron. A nuk kemi njohur, aty nga vitet 50-të tek intelektualët dhe artistët tanë të PK-së, një paaftësi të tillë në të folur, budallallëqe të tilla ideologjike? Në euforinë naive në të cilën jemi zhytur që prej gjashtë muajsh, duhet që një dëshmi e kësaj force dhe e kësaj talljeje, të qetësojë lëvizjen marramendëse të lavjerësave tek ne.

Tronditje të shoqërisë

Pierr Morrij

(Marrë nga gazeta belge “Le Soir”, datë 27 qershor 1990.)393

 Shkrimtari shqiptar Dritëro Agolli kritikon ashpër burokracinë e vendit të tij

Kështu pra, Ismail Kadare nuk është më i vetmi shkrimtar shqiptar i përkthyer në frëngjisht. Në fakt, lexuesit që kanë kureshtje të lexojnë se çfarë shkruhet tani në këtë vend me kufij kaq pak të kapërcyeshëm, kanë tanimë në dispozicion të tyre një “Antologji të prozës shqiptare’, e prezantuar nga Aleksandër Zoto, dhe së fundi një libër me titull “Përmbledhje poezish të zgjedhura”, kushtuar poezisë së këtij vendi.

Por një roman kaq me bazë sa “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” nuk është botuar deri para pak kohësh.

Një zë zyrtar, por shumë i lirë.

Megjithatë, mund të mendohet më e keqja: Dritëro Agolli është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, meqenëse Shqipëria është një nga kështjellat e fundit të kësaj ideologjie në shkatërrrim të plotë. A nuk do të kishin romanet e tij të vetmen prirje që të mbronin një regjim që tash e tutje të vjetëruar?

Habia është shumë e madhe; nuk ka asgjëkundi kritikë më të ashpër të organizimit në vendet e Lindjes sesa në këtë libër, ku mekanizmat e pushtetit çmontohen me një egërsi, të zbutur disi nga një ndjenjë humori, që i afron personazhet me ne, që i shndërron ata në kukulla të manipuluara nga një sistem që është aq i “perfeksionuar” sa nuk mund t’u lërë atyre një liri të madhe veprimi.

Megjithatë, Dritëro Agolli, një burrë simpatik, me flokë të bardha, që flet rrjedhshëm rusishten, gjuhë më komunikuese se shqipja, ka përfituar shumë nga kjo liri për të botuar që prej vitit 1973, megjithë funksionet e tij zyrtare, duhet thënë edhe megjithë disa ngurime nga ana e shumë personaliteteve të larta, një portret të tillë tipik të institucioneve të vendit të vet:

“Mund të kritikohet, vë në dukje Dritëro Agolli. Një shkrimtar duhet të ketë një ndërgjegje të lartë dhe nuk duhet të ketë frikë. Që të shkruash nuk do të thotë të pasqyrosh thjesht parimet e qeverisë. Duhet shkruar në një mënyrë të tillë që qeveria të mësojë të drejtojë, të komandojë”.

Pra, ai e ka shkruar këtë roman i nxitur nga bindja e një detyre që duhet të përmbushte. Romani është porositur pas leximit të disa faqeve nga një mik që drejtonte një revistë humoristike, së cilës donte t’i jepte një zhvillim të ri.

Tregimtari nuk është “Shoku Zylo” i titullit, por një shkrimtar që nuk arrin të krijojë, i zhytur siç është në një punë shumë më administrative të redaktimit të raporteve zyrtare, pronësinë e të cilëve e marrin pak a shumë me kënaqësi të tjerët, në varësi të pritjes që u rezervohet.

“Në të gjithë vendet ish socialiste ekzistonte rreziku për t’u bërë një burokrat, një oportunist. Por në se një shkrimtar ka një ndërgjegje shumë të lartë, është më mirë për të t’i njohë gjërat, sepse kështu do të shkruajë akoma më mirë.”

Humori, e vetmja armë

Për të përshkruar një situatë si kjo këtu, ku shoku Zylo i ngjit me shpejtësi shkallët e pushtetit zyrtar, për t’i zbritur pastaj akoma më shpejt, duhet përdorur e vetmja armë e disponueshme, por jashtëzakonisht e efektshme: humori.

“Humori të lejon të dalësh nga një gjendje e vështirë. Sikur një mbrëmje në një rreth miqsh, dikush të tallet me ju dhe t’u thotë diçka fyese, një përgjigje me seriozitet do ta bënte gjendjen më të pakëndshme për ju. Por në qoftë se përgjigjesh duke bërë shaka, do të dilni nga situata”.

Disa pasazhe të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, i afrohen groteskut. Zylo me rrethin e tij, në këtë rast ky përbëhet sidomos nga bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, shkrimtari Demkë, shkojnë në fshat, të armatosur me teorinë socialiste për progresin kulturor. Sikurse del, bujqit u tallën plotësisht me ta dhe i pritën me ftohtësi. Domethënë duke respektuar zakonet (rakia u derdh lumë për nder të të deleguarve nga kryeqyteti, të cilët me vështirësi e morën veten), por duke shmangur me kujdes të gjitha temat e diskutimit e në të njëjtën kohë duke dhënë përshtypjen se po i trajtojnë me vendosmëri.

Në të vërtetë, sa më shumë që një pushtet të rëndojë mbi popullsinë, aq më i dobët del se është ai. Mbasi forca e vetme e tij do të mund të jetë ajo e një ushtrie. Në qoftë se disa sektorë, si kultura që është në kompetencën e administratës së Zylos, i shpëtojnë rregullit ushtarak, kjo arrihet vetëm me veprime graduale dhe sigurisht jo me një veprim të prerë, që s’bën gjë tjetër veçse përputhet plotësisht me ideologjinë ekzistuese. Kjo e fundit, megjithatë, mund të ketë nuanca sa të mprehta aq edhe të ndryshme, siç është rasti për vendimet kontradiktore lidhur me festivalet folklorike, herë të inkurajuara, herë frenuese, fakte të vogla këto, por që zbulojnë një vijë në kërkim të përkrahjes nga mbrojtësit e të gjitha tendencave.

Një libër si ky, nga ana e një vendi që ne e konsiderojmë si të ngrirë në një pozicion të pandryshueshëm, ndoshta është shenja e një evolucioni të ndjeshëm: të kritikosh gjendjen aktuale kjo do të thotë se ajo është duke ndryshuar ose të paktën se është gati për ta bërë një gjë të tillë.

“Për një farë kohe, tek ne kishte një tendencë për të shmangur realitetin. Më vonë, filloi të shkruhej shumë për të. Por në fakt, kishte një periudhë ku nuk flitej për të tashmen.”

Për shkak të rolit kritik që Dritëro Agolli, së bashku me shumë shkrimtarë të tjerë në botë, i atribuon të shkruajturit, është diçka interesante që të krahasohet evolucioni i shoqërisë me atë të letërsisë.

“Situata shqiptare evoluon në këtë çast, por më duket se letërsia ka akoma nevojë për kohë që ta pasqyrojë këtë realitet. Disa anë negative si burokracia, janë kritikuar nga letërsia. Disa shkrimtarë janë në pararojë në këtë evolucion. Kadareja, për shembull, është në pararojë.”

Kur të kthehet në Shqipëri, Dritëro Agolli, i cili kishte sukses

në një vend ku librat e tij patën një tirazh nga 20000 deri në 30000 kopje, do të ketë një sukses të ri, pasojë e drejtëpërdrejtë e përkthimit të romanit të tij në frëngjisht, që i dha atij një prestigj në rritje.

”Për shkrimtarët e Ballkanit, është e rëndësishme që veprat e tyre të përkthehen në frëngjisht. Franca ka një autoritet të madh në fushën letrare dhe botimi në frëngjisht sjell me vete një interesim të ri për shkrimtarin.”

 

Një roman që të habit

Nga shkrimtari shqiptar Dritëro Agolli kemi një roman sarkastik dhe që të habit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (Galimard), i përkthyer shumë mirë nga Kristian Gyt. Mund të merren me mend lehtë vështirësitë që ka kapërcyer me zotësinë e tij të madhe përkthyesi; tregimi dhe dialogjet plot dykuptime, tallje të përziera me dhimbshuri, që duhej t’i ndjente shumë lexuesi… Na thanë se ky roman satirik ishte botuar në fashikuj në vitin 1972 në një të përjavshme shqiptare dhe se “shumë shpejt pati suksesin më të madh, megjithë rezervat nga disa zyrtarë të lartë”. Fort mirë, për besë! Le të mos harrojmë të theksojmë se, për mendimin tonë, shokë Zylo duhet të ketë në shumë vende, me sisteme të ngjashme apo të ndryshme politike.

Kush është ky shoku Zylo? Një funksionar i lartë, i ngarkuar për çështjet kulturore, një farë zoti Prydome, i mveshur me një farë pushteti për të përcaktuar dhe vepruar. Nga këto, ai ndonjëherë merr karakter komik, madhështi qesharake, ai i do ashtu si edhe ky, formulat përcaktuese në dukje, por për fat të mirë dita më e bukur e jetës së tij nuk është kordha, por do të ishte më mirë bishti i penës. Ai u rikthehet mendimeve të tij… Na jepen këtu disa faqe: “Qose: njeriu që nuk ka provuar kënaqësinë e të rrojturit… Kush nuk ka dhëmbë, nuk trembet se kumbullat do t’ia mpijnë ato”!

Një vërejtje këtu: idetë e shokut Zylo nuk janë të gjitha të kota dhe qesharake. Një farë teprimi, një farë shakaje, përzihen me vërejtje më pak kritike. E vërteta e personazhit është këtu: ai nuk është një kukull, i zhveshur nga ndershmëria dhe bonsensi. Pas disa diskutimeve të papëlqyeshme, disa qëndrimeve të shtira, zbulohet një karakter i pakundërshtueshëm njerëzor. Atëherë, mund të pyesim veten, fatkeqësitë e shokut Zylo a vijnë tamam nga kjo ndershmëri apo nga ky bonsens që i kanë mbetur dhe që e nxisin të kërkojë drejtësi?

Pra, ne do ta ndjekim Zylon në jetën e tij të përditshme, në aktivitetin e tij, në pushime… Kështu në roman ka një sërë kapitujsh ku rrjedh natyrshëm komikja, pak a shumë një satirë serioze, të tilla si “Shoku Zylo shkëlqen në mbledhjen e madhe”, “Shoku Zylo shkruan ese dhe skica për të larguar mendjen nga andrallat”, “Shokun Zylo e kërkojnë me urgjencë në Tiranë”, “Shokut Zylo diçka i vjen rrotull”… etj. Po ju le ta shijoni vetë gjithë pjesën tjetër. Mbasi këto faqe kanë një shije të këndshme lokale si shija e verës apo e një fruti tipik. Por kujdes. Atje ekziston një tjetër grackë e mundshme: kur beson se mburrjet e tepërta, pretendimet apo padituria e një njeriu politik, sidomos në fushën kulturore, ekzistojnë vetëm në Shqipërinë pak a shumë të largët. Vepra e Dritëro Agollit na intereson edhe për vlerën e saj universale. Heroin e saj, në të njëjtën kohë komik dhe jetësor, në të njëjtën kohë i tallur dhe tallës, e shohim si një Don Kishot të mjerë, që kalëron mbi tokën mëmë, por edhe gjetkë, viktimë e një bote që e ka ndihmuar për ta ndërtuar, por jo gjithnjë me naivitet… Figura e Don Kishotit është gjithnjë e mirëpritur përderisa shoku Zylo shoqërohet vazhdimisht nga një sekretar-redaktor që i rregullon mendimet e padronit të tij dhe që i bën ndonjëherë korrigjime sipas mënyrës së tij. Dhe dihet mirë se Don Kishoti dhe Sanço nuk shëtisin vetëm në hapësirat e La Manshit.

Ky libër qe me siguri shenja e parë e asaj se çfarë po ndodh në Shqipëri në çastin kur po shkruaj.

Pierr Gamarra

(Revista “Europe” gusht 1990)

Shënim: (Në revistën letrare franceze “Europe”, në numrin gusht-shtator, kryeredaktori i saj, shkrimtari Pjer Gamarra, boton artikullin “Kemali, Agolli, Vargas Ljosa”. Në këtë artikull ai flet për një roman të shkrimtarit turk Jashar Kemal, për dy novela të latinoamerikanit Vargas Ljosa dhe ndalet te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”).

UBU në Shqipëri

Shqipëria, sikur të kishit qenë atje, por për fat të mirë që nuk keni qenë, njihet në sajë të talentit satirik të romancierit Dritëro Agolli. “Socializmi nënkupton llogaritë e shërbimit dhe kontabilitetin”. Kjo frazë e shokut Zylo, përgjegjës i Zyrës për Çështjet kulturore, jep tonin: një portret qesharak dhe pak i hidhur, megjithatë pa manekizëm, i funksionarit shqiptar, i zellshëm në të gjithë shkëlqimin e tij socialist.

(Shkruar në revistën “L’illustre” të Lozanës, Zvicër, gusht 1990)

  

Satirë e tmerrshme

Dritëro Agolli, Kryetar i Lidhjes së Shrkimtarëve dhe Artistëve, është gjithashtu një rast i veçantë, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është një satirë e tmerrshme ndaj të privilegjuarve të sistemit.

(Marrë nga Figaro Magazine”, 26 maj 1990, shkruar nga publicisti Robert Lacontre në një artikull për Shqipërinë)

  

Roman i mprehtë djallëzor

Më komiku dhe një nga romanet më të thella, ardhur nga vendet komuniste. I habitshëm është fakti se ai ka qenë botuar në Shqipëri. Kjo analizë e hollë djallëzore e hipokrizisë së pushteteve burokratike nëpërmjet figurës së jashtëzakonshme të drejtorit Zylo vlen për të gjithë vendet dhe për të gjitha kohërat. Tek ne, Zylo prodhohen edhe në shkollat e larta. Nuk ekziston pushtet pa një farë absurditeti.

(Marrë nga “Le Nouveau Currier de la presse”, 23 gusht 1990)

Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo

 Nga vendi më i mbyllur i Evropës

një roman elegant

Verë 1982, Shqipëri, krahina e Devollit, këndi më ekstrem, i vendosur midis Maqedonisë jugosllave dhe asaj greke. Festival popullor: Të gjitha trupat e zonës sollën arritjet më të mira të prodhimtarisë së tyre. Në mes të ushqimeve të pakta, një mori shishesh me raki, pije e tmerrshme lokale, e distiluar kjo, në kushte shtëpiake, e ndërtuar me të gjitha llojet e asortimenteve. Në orën njëmbëdhjetë të paradites është njëlloj sikur të pish vajguri. Por mysafiri i huaj nuk mund të shmanget nga kjo traditë. Në tavolinën e tij, një burrë trupmadh, i cili gëzon simpatinë e të gjithëve, me një zë të intonuar mirë fillon të presë një spec të vogël jeshil, e bën në formë gote të cilën e mbush me raki, dhe pastaj e ngre lart. Pas një fjalimi të shkurtër, të shoqëruar me të qeshura e të shkelura syri, e kthen duke e pirë të tërën njëherësh. Por çfarë tha ai në fjalimin e vet?

Ngriti një dolli – na shpjeguan më pas – e cila i drejtohet një gruaje që është strukur në tavolinën qëndrore, midis autoriteteve të larta. Është zëvëndësministrja e industrisë së lehtë. Ai i tha: “E sheh, shoqja zëvëndësministre, se çfarë jemi të detyruar të bëjmë për të pirë. Na duhet të përdorim specin. E kur ndonjëherë industria jonë, me shpirtin e vet fitimtar, etj., etj., do të arrijë të prodhojë gota?”.

Ishte kjo një dolli e rrezikshme, të paktën për veshët e një të huaji. Por ndoshta jo. Shqipëria ultrakomuniste e Enver Hoxhës ishte një vend i çuditshëm, të cilin me vështirësi mund ta kuptoje e ta kategorizoje. Autori i dollisë qe Dritëro Agolli, luftëtar i luftës nazifashiste, shpirt i paepur, president i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, e mundet, autoriteti i dytë letrar i vendit të vogël ballkanik, pas Ismail Kadaresë.

Nga Dritëro Agolli, një personazh me një forcë të mahnitshme njerëzore, nëpër libraritë e Italisë gjendet në shitje libri “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Një libër ky, pa dyshim i veçantë. Një pasqyrë e intensitetit, gati skizofrenik – shpesh herë i vështirë për t’i kuptuar domethënien – vendit dhe kulturës nga i cili ai rrjedh. Shqipëria është një mishul gati i padeshifrueshëm i solemnitetit bizantin, me fatalizmin dervishian mysliman, mbi të cilën duhet pa tjetër të hidhet drita e kërkimeve historike. Të dy këto komponentë-plus të tretin, kryeneçësinë e paepur katolike të Veriut, të lidhur me mitin e Skënderbeut dhe simbolin e rezistencës kundrejt penetrimit ortodoks e mysliman – u mbajtën forcërisht në bashkëjetesë ato kohë nga zamket më absurde e më shkollareske marksiste-leniniste. Me një mishul të tillë të çuditshëm ideologjik bizantin, fatalizëm dervishian dhe kreneçësi katolike (plus të ashtëquajturin marksizëm-leninizëm), romani është një pasqyrë e rrallë.

Vëlla i vogël i shumë meskinëve “funksionar në karrierë”, të ofruar nga letërsia e Evropës lindore, në “Shkëlqimin dhe rënien” bashkë, me debatet boshe ideologjike, lojrat e mjera për pushtet dhe kortet hipokrite të spiunëve dhe përgojuesve, “shoku Zylo”, është një përmbledhje e arrivistit kokëtrashë, e në të njëjtën kohë e një naiviteti të parrezikshëm, i cili i mbetet në kujtesë çdo njërit prej atyre që kanë rastin ta lexojnë këtë libër. Si një balet elegant, e i pamëshirshëm letrar midis Çehovit, Kafkës e Solzhenicinit (plus ndonjë fragment nga Lenini e Zhdanovi), pa dyshim që ky libër ia vlen që të lexohet. Përveç këtij libri, lexuesit perëndimor kanë të publikuar dhe në shitje dhe një libër tjetër, të po këtij autori, “Komisari Memo”, të shtypur në Shqipëri në gjuhën franceze.

Do të ishte e mira që dhe ky libër të botohej në italisht, për të dhënë kështu një kuadër më të plotë e më të thelluar mbi panoramën kulturore deri tani misterioze të Shqipërisë.

Mario Biondi

(“Corriere della sera”, 23 janar 1994)398

 Natyra përpëlitëse e makinerisë socialiste

Edhe nga Shqipëria na vjen letërsi. Shumë vetëve mund t’u duket e pabesueshme që ai shtet i vogël e për të ardhur keq, me më pak banorë se ç’ka Berlini, i cili përjetoi një dikaturë gjithçka mbyllëse dhe një varfëri të hidhur, nxirrka edhe vepra të formatit botëror. Edhe ai, që të paktën e kupton këtë gjë, me siguri mund të mburret, sepse zakonisht lexuesi perëndimor, i ndjeshëm dhe me dijeni të pasura, merret më të shumtën e kohës me bashkëkohësit e vet, të cilët gërmojnë në aktualitetet e sferës së tyre. Në qoftë se një nigerian, si për shembull, Vole Sojinka, merr çmimin Nobel në letërsi, ai vërtet mund të gëzohet për këtë nderim, por kjo s’duhet të na shtyjë të besojmë që edhe librat e tij do të lexohen ose dramat e tij do të vihen në skenë.

Letërsidashësi i këtushëm e flak mënjanë pa e vrarë fort mendjen, si një letërsi kombëtare folklorike, gjithçka që nuk merret me pasqyrimin e mefshtësisë dhe të atmosferës pesimiste në psikologjinë e tij të civilizimit ose që nuk i shërben këtij pasqyrimi. Megjithëse është e vetkuptueshme që situatat jetësore të huaja, të cilat nuk na interesojnë personalisht, as nuk na fusin në thellësi, por prapseprapë nuk mund të pranohet kurrësesi që disa bibliofilë, të cilët e mbajnë veten si shumë të kulturuar, të përdorin të njëjtin mekanizëm që përdorin zakonisht në ekonomi e në politikë. Si në këto dy fusha, ashtu edhe në letërsi, pushteti i të suksesshmit (në më të shumtën e rasteve suksesi matet me monedhat tringëlluese) i përcakton edhe kufinjë me të cilët u dashka të matet arti. Pazotësinë për të depërtuar në thellësi të kushteve të të tjerëve dhe të letërsisë së tyre, në mund ta quanim në mënyrë polemizuese “imperializëm kulturor”.

Shkrimtarë dhe poetë shqiptarë gëzojnë një nam të madh në rrethe të ngushta njohësish. Pasuria e gjuhës së tyre të zhdërvjellët arrin të depërtojë tek ne nëpërmjet përkthimesh të ndryshme. Me librin e vet për Zylon që u botua në Shqipëri qysh në vitin 1972, Dritëro Agolli pasuroi letërsinë botërore me një roman satirik brilant – pavarësisht nëse Shtëpia Botuese që e nxori këtu, me siguri nuk do të mund të pasurohet me këtë vepër, për arsyet që përmendëm më lart. Megjithëse historia e fort të rëndësishmit shoku Zylo rrëfehet në mënyrë ironike dhe të pastolisur, ajo s’ka gjë të përbashkët me kufizimet e kritikës së rëndomtë të socializmit real.

Shkrimtari i pafat Demka, viktimë e inercisë së tij, por edhe e zbrazëtirës së jetës shoqërore përreth vetes, i është nënshtruar fatit të një kalemxhiu fjalimesh dhe rri e sodit tani luftën për poste e pozita në një institucion kulturor të Tiranës. Falë një fjalimi veçanërisht të suksesshëm, shoku Zylo arrin të zerë një kolltuk drejtues dhe tani e tutje interesohet për gjithçka duke filluar që nga mirëmbajtja e monumenteve e deri tek hamamet e fshatrave.

Goditja gjeniale e Agollit në këtë roman nuk qëndron vetëm në faktin se mekanizmat burokratike të përshkruara prej tij ndeshen edhe anëekënd burokracisë perëndimore, ajo qëndron për më tepër në faktin se Zyloja është, po ta shikosh hollë-hollë, vetëm një legjendë. Ç’është e vërteta, ai nuk ekziston fare. Vërtet që një farë mashkulli qëndron në kolltukun e vet, por ai është i pazëvendësueshëm, njëlloj si vetë kolltuku. Zyloja i merr të gatshme fjalimet, orientohet sipas udhëzimeve nga lart dhe vegjeton në sajë servilizmit dhe bindjes së verbër nga poshtë. Është si puna e një godine prej pezhishkash që s’është varur asgjëkundi, dhe, që megjithatë, mbahet në këmbë. E gjithë godina e burokracisë, që dikur quhej socialiste, pavarësisht se sa dhimbshëm vuante individi nën barrën e saj, ngrihej në një hapësirë të huaj për realitetin – dhe pikërisht këtë hapësirë Dritëro Agolli e ka ravijëzuar në mënyrë të përkryer.

Megjithëse shkrimtari është i pajisur me njëfarë shikimi të qartë, ai prap se prap mundohet që, për hir të qetësisë së tij, të bindet për ekzistencën e pamjeve fantazmagorike që e qarkojnë, në mënyrë që të mos detyrohet të ngrihet kundra tyre. Me një saktësi të pabesueshme autori përshkruan atë llojin specifik të gjykimit të shtypur, i cili mbretëronte në administrata lindore dhe që tani mund të kuptohet me aq vështirësi në këtë mes as që mund të bëhet fjalë për bindje, sepse, në të vërtetë, askush nuk besonte në ndonjë gjë. Por pikërisht këtë akuzë për mungesë të plotë bindjesh dhe për ta pranuar atë, funksionarët e vjetër e quajnë si kulmin e padrejtësisë.

Natyra përpëlitëse e kësaj makinerie është pikërisht ajo që e bën aq të dhimbshëm çdo ndryshim brenda saj, sepse rrotullimi i pavlerë i ingranazhit gjigand bllokohet, derisa të njihen përsëri preferencat dhe tabiatet e njeriut të ri në kolltukun e vjetër – derisa rrotullimi bosh të fillojë të funksionojë sërish me tërë fuqinë dhe i vajisur mirë. Në fund të romanit kemi kultin e individit, të cilin Agolli arriti ta paraqesë me aq sarkazëm, ndoshta vetëm e vetëm sepse e përjetoi si një specie ballkanike. Porse shkrimtari i lindur më 1931 në Devoll të Shqipërisë Juglindore, duhet të ketë njohur në të vërtetë edhe derivate të tjera të këtij fenomeni gjatë kohës së studimeve të tij në Leningrad në vitet ‘50-të.

Stili lapidar i të treguarit pothuajse na shtyn drejt një zemërgjerësie ndaj burokratëve tanë të rehatshëm dhe ndaj vetë nesh, ish qytetarëve të Gjermanisë Demokratike Lindore të dikurshme, që kishim kërkuar një rrugë mbijetese tek diktatura. Në këtë libër askush nuk denoncohet, nuk dërmohet e nuk qortohet, çka do të ishte madje me vend po të kemi parasysh pasojat shkatërruese të bëmave burokratike. Pas leximit të këtij libri, me një tundje koke, që shpreh keqardhje dhe njëherësh edhe gaz-maraz, ne rikujtojmë të kaluarën, pasi e kemi përjetuar edhe një herë me këtë shembull të gjallë.

Ralf Shuler

(Gazeta gjermane “Neue Zeit”, 22 shtator 1994)

  “Zylo” – në traditën e romaneve të mëdhenj

– Shtypi gjerman –

Në gazetën “Die Velt” kritiku B. Kalnoky në artikullin “Të qenët shef është diçka karakteri”, shkruan. “Romani i Agollit një satirë e gjallë – pasqyron me tonin e çiltër përmes një kronikani të dëshpëruar, por të sinqertë, fatin e një funksionari të fryrë, të shokut Zylo, një funksionar partie që drejton problemet e kulturës. Gjithë ai servilizëm përballë shefave të tij nuk mund ta pengojë të ecë ngaherë i qetë edhe kur ndryshojnë rrymat politike apo edhe kur paraqiten rryma të rrezikshme nënujore. Libri, kështu bëhet në vetvete një studim i shkëlqyer e argëtues për karakterin e shefave. Kush ka një shef, do ta rigjejë atë tek Zyloja”.

Ndërsa në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Eckart Krumholz në artikullin e tij me titull “Një hap i pamatur drejt fagës”, shkruan: “E vërteta është se romani nuk ka tone të lehta, por ka një stil të jashtëzakonshëm mjeshtëror dhe njëkohësisht sensibël në trajtimin e ngjarjeve. Autori derdh në ngjarjet një mjeshtëri, që zor se e bën kushdo. Romani në dukje ka stil satirik, po në të vërtetë i shmanget atij dhe pa asnjë pedantizëm fut frymën jetësore, duke të bindur me vërtetësinë e të shkruarit. Me bindje të thellë ai godet skematizmin dhe formulat e kohës.

Gjithë ngjarjet autori çuditërisht i jep me nota të larta dhe herë-herë brenda një dite me një rrjedhshmëri të rrallë. Këtij romani nuk i heq dot asgjë dhe asgjë nuk bie poshtë. Përshkrimet e situatave, kapërcimet e tyre, irritimet dhe kundërshtimet, lexuesi i ndjek me vëmendje të madhe dhe arrin në përfundim; portrete të tilla të skalitura paguhen shtrenjtë me rrezikshmërinë. Autori i ndien vetë ato që shkruan dhe nuk i imponohet njeri të japë portretin e aparatit socialist në të cilin jetonte. Heroi ynë Demka e shoqëron përherë shefin Zylo dhe herarkë të tjerë, e shoqëron në shërbime të rëndësishme, në konferenca, në diskutime, në premiera teatrore dhe madje edhe në rrugë si klloun. Në mbyllje të romanit shefi Zylo përfundon në legjendë. Dhe kjo ndodh në një kohë kur asnjeri nuk e di sesi dhe si ra dhe u shkarkua nga posti. Me të përulurin Demka çfarë do të bëhet? Ai do të vazhdojë më tej, duke përgatitur referate e diskutime për të tjerët”.

Dhe më tutje artikulli vazhdon: “Këtë roman, pasi e lexon, është vështirë ta harrosh. Kush dëshiron të mësojë për jetën në Shqipëri pasi të vështrojë fasadën e saj të përgjithshme, duhet të lexojë romanin e Dritëro Agollit, këtë kronikë të saj”.

Në rubrikën e ngjarjeve të rëndësishme kulturore, gazeta më e madhe e Zurihut “Tagesanzeiger” në artikullin “Udhëtim satirik nëpër Shqipëri”, shkruan: Vepër e fuqishme mbi burokracinë dhe shtetin. Historia e shokut Zylo, i dhënë gjithnjë me devotshmëri pas pushtetit, i një Zyloje të tejzellshëm, me dinakëri prej fshatari, i një Zyloje oportunist dhe të uritur për post, si dhe historia e ngjarjeve të tij groteske, – siç thekson Agolli, – me burokracinë reale lexohet si përgjigje satirike ndaj botës absurde. Një vepër e fortë, e kthjellët, zbavitëse ndaj burokracisë dhe, para së gjithash ndaj aparatit shtetëror. Në Shqipëri koncepti “Zylo” ka depërtuar në jetën e përditshme. Ne qeshim përzemërisht dhe me të drejtë shohim mjaft qartë tek ky hero tragjiko-satirik edhe portretin e disa bashkëkohësve këtu në vendin tonë, por na mbetet e qeshura në grykë kur zbulojmë se, për fat të keq, shakaja e Agollit ishte një e vërtetë shumë e hidhur (dhe është akoma)”.

Kritiku M. Verner Frank në gazetën “Der Kleine Bund”, duke vlerësuar lart romanin, në artikullin “Luftë për liri e demokraci dhe një satirë”. shkruan: “Bota e burokracisë nuk është pa gurë. Dhe kush pengohet në to, shpejt bie përdhe. Kështu, Zyloja, krejt papritur e sheh veten të mënjanuar, të zëvendësuar nga një shok tjetër. Dhe Demka, i cili gjithnjë përmallohet shumë për lirinë, për kohën e veprimtarisë së tij si shkrimtar, papritur u bë i lirë. Një fat me të vërtetë tragjik! Sepse Demka trembet prej lirisë, pra ai nuk di si ta shfrytëzojë këtë liri. Kështu, atij i bie ndërmend diçka që në situatën e tij është mundësia më e mirë: shkruan një kronikë mbi Zylon, mbi këtë unikum të përshtatur dhe mbi botën e burokracisë. Me ironi të hollë, me humor dhe shpirt, Dritëro Agolli, një ndër shkrimtarët shqiptarë më të lexuar, kritikon intrigat, hipokrizitë, shpërdorimin e postit dhe kurthet. Dhe ai e bën të qartë, se burokracia nuk ekziston vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën”.

Gazeta “Vestdeutsche Allgemeine Zeitung” në artikullin e kritikut V. Platzuk “Fleksibël”, ndër të tjera, shkruan: “Romani “Zylo” i Agollit, dalë më 1973, me një gjuhë lakonike dhe në dukje me naivitetin e vështrimit të botës me sytë e Demkës, qëndron në traditën e romaneve të mëdhenj satiriko-humoristike.

Ndërsa më poshtë nënvizon: “Mendimi i kursyer, veshja politike, shpërdorimi i postit, mënyra e sjelljes prej prepotenti – rreth këtyre asnjë vend nuk mund të ngrejë pretendime më të forta dhe më origjinale, dm.th. të vetme në një vend. Shqipëria ndodhet në Ballkan. Burokracia ndodhet kudo.

Kritiku Fred Olsen në artikullin me titull “Ngritja dhe rënia e një aparatçiku” në gazetën “Sudvest Presse” shkruan: “Në pasqyrimin e fenomeneve që përmbajnë kontradikta, fenomene këto të regjimit totalitar, ndodh ndonjëherë që vepra artistike, të cilat afrojnë një pasqyrim besnik të marrëdhënieve politike, t’u shpëtojnë vigjilencës së censuruesve. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti që romani “Zylo…” i D. Agollit të botohet në 1972 në një revistë satirike në Shqipëri. Pikëpamjet kryesore të Agollit për veprimtarinë e një burokracie socialiste në fillim të viteve ’70 dilnin jashtë kohës së tyre”.

Në gazetën “Deister und Veserzeitung” nën titullin “Satirë kundër nomenklaturës” thuhet: “Një satirik aq verbues sa Dritëro Agolli prej kohësh nuk është më një i panjohur për ne këtu. Romani i tij “Zylo”, që doli tani në shtëpinë botuese Malik është një satirë shumë argëtuese dhe tejet e lexuar ndaj “politikës së kuadrit të një vendi socialist. Me këtë ai del nga korniza e Shqipërisë, vendit ku zhvillohet veprimi. Gjatë leximit të këtij romani të kujtohen satirikët e mëdhenj rusë”.

Me titullin “Satirë brilante ndaj burokracisë”, gazeta “Haller Tagblatt” e hap faqen e saj kulturore duke shkruar: “Para sfondit të ndryshimeve politike aktuale në Shqipëri, të cilat e vunë këtë vend të vogël në qendër të vëmendjes së opinionit botëror kjo satirë ndaj burokracisë dhe petkut të funksionarit, fiton një dimension mjaft interesant. Pasi bëhet analiza e përmbajtjes, artikulli përfundon: “Ky roman është një akuzë e mprehtë, e freskët e plot humor kundër shpërdorimit të postit, mënyrës së të vepruarit prej prepotenti dhe mendjemadhësisë dhe dëshmon për një arritje të vërtetë me vlera për të gjitha kohërat e që kalon tej kufijve të Shqipërisë”.

Publicisti H. Obermajer në gazetën “Mittelbayerische Zeitung” të Regensburgut, duke e krahasuar burokracinë e Gjermanisë Lindore me të Shqipërisë dhe duke gjetur pika të përbashkëta mes tyre në artikullin “Satira si një armë kundër qarkullimit në një rreth të ngurtësuar”, shkruan: “Zylo” qëndron me traditën e romaneve të mëdhenj humoristikë”. Tregimtari Demka është nëpunës i vogël i burokracisë kulturore, është shkruajtësi i përhershëm i kumtesave për të cilat të tjerët thonë fjalët më të mira, në qoftë se ata u vijnë pas qejfit. Në qoftë se Demka devijon “nga linja”, atëherë ai ndëshkohet. Përkrahësi, por edhe kundërshtari i tij është Zylo mjaft lart në hierarki, i cili ndaj eprorëve duhet të ulë kurrizin, ndërsa ndaj vartësve paraqitet shumë prepotent. Në këto raporte varësie, të cilat shpesh ndryshojnë dhe që janë të mbushura me shpërdorimin e postit, prepotencën dhe mendjemadhësinë. Agolli zhvillon karaktere që kalojnë tej situatës së karikaturuar të Shqipërisë. Prandaj “Udhëtimi aventuror përmes botës së burokracisë” ose “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” nuk na çon vetëm në Tiranë, në provincën shqiptare pranë bregdetit Adriatik. Burokracia që përshkruan Agolli është kudo, atje ku aksioni i urdhëruar ngatërrohet me zhvillimin, – dhe ky rast nuk është vetëm në Shqipëri. Zyloja dhe Demka janë figura që kalojnë kufijtë e ngushtë kohorë dhe ato gjeografikë. Tek personazhi Demkë, i cili më në fund kërkon më shumë se sa të përmbledhë kumtesa për të tjerët, Dritëro Agolli pasqyron në mënyrë precize deformimin e potencialit krijues. Fakti që ai këtë e bën me anë të farsës dhe ironisë, fakti që Demka i tij bëhet një figurë e thjeshtë dhe fakti që ai nuk i shmanget komikes, megjithë tragjiken që ekziston në të, të gjitha këto bëjnë që ky roman të jetë me shumë vlera dhe tepër i lexueshëm, edhe pse kanë kaluar dy dekada”.

 Gazeta “Ultimo” në faqet e saj përcjell artikullin e kritikut Peter Korte me titull “Shoku Zylo dhe shkruesi i tij Demka” ku thuhet: “Çfarë ndodhi në Shqipëri? Shumë kohë s’ka kaluar dhe Shqipërinë duhej ta konsideronim si arenë e fundit muzeale të socializmit të ekzistuar realisht. Por më 1973 aty mund të dalë një roman, që u qëndisi funksionarëve në teserat e partisë shumë të vërteta të hidhura. Romani i Agollit gumëzhin nga oborrtarët, që shërbejnë me dashuri, nga servilët, egoistët dhe marifetxhinjtë e ideologjisë. Demka harton diskutimin dhe sipas rastit bëhet shërbëtor i dy zotërinjve, për të cilët prodhon gjëra të kundërta. Zylo, i freskët dhe plot vrull, dëshiron të japë ton të ri në sektorin “N.” të artit dhe të kulturës. Por e reja është e vjetër. Frazat për “një pikëpamje metodiko-shkencore” të thëna më shumë me dorë se sa me gojë zbukurohen me formulat tipike të bazës, kuadrit dhe popullit. Dhe vitaliteti i jetës shqiptare është aq shembëllyes, tamam siç e kishim përfytyruar. Absurditeti i ngjarjeve rezulton tamam nga thjeshtësia e stilit tregimtar të Agollit. Agolli jo pa qëllim është konçiz. Ai i mpreh situatat në majën më të lartë dhe kjo gjë kurrsesi nuk tingëllon e ekzagjeruar. Tonin e rëndë prej mburravecësh të funksionarëve, duke abuzuar me frazat e Marksit dhe të Engelsit ne e konsiderojmë këtu në Gjermani, si zhurmën e uzinave të perandorisë lindore të Honekerit. Komikja këtu nuk lind nga episodet sporadike plot humor, por nga mospërputhja midis asaj çfarë thotë Zyloja dhe para së gjithash nga besimi që ka ai në vetvete dhe veprës së tij faktike. Një portret i tillë satirik si ai që skalit Agolli, sipas gjithë përvojës sonë historike, zor se do të mund të gjente mëshirë tek cenzuruesit. Një gabim i cenzurës, pra? Apo një dredhi tepër e poshtër e Enver Hoxhës?”

Ndërsa në gazetën “Szene Hamburg” në artikullin “Paralajmërim në Lindje” Nikolaus Shroder shkruan: Demka kundërshton Demkën. Shkrimtari Dritëro Agolli pasqyron fatin e një shkruesi fjalimesh. Në fakt Demka është shkrimtar dhe dëshiron të shkruajë tregime. Po me që njeriu duhet të jetojë dhe meqë Demka nuk është nga më të fortët për të thënë “jo”, kur bëhet fjalë për këtë gjë, atëherë ai ngadalë nënshkruan paqe me “fak fak-in” e tij. Demka në politikën shqiptare është një talent që synon për lart”.

Ndër të tjera gazeta “Byerische Rundschau” thekson: “Demka, një shkrimtar i dështuar dhe një semplist modern, është kronisti i fatit plot larmi të shokut Zylo në botën e mbinatyrshme e të rrallë të burokracisë, që përshkruhet në roman, duke dëshmuar një arritje që hidhet tej Shqipërisë, vendlindjes së autorit dhe vetëndodhirave të ngjarjeve.407

DRITËRO AGOLLI

A e njihni ju Dritëro Agollin?

Unë, nuk e njihja këtë shkrimtar shqiptar sepse nuk isha i dhënë dhe i interesuar për letërsinë e përtej perdes së hekurt. Si gjithë bota, njihja letërsine e madhe ruse: Dostojevskin, Tolstoin, Soljenitsin, Pushkinin, Gogolin. Por asgjë, e pranoj, nuk njihja asgjë nga shkrimtarët hungarezë, bullgarë, jugosllavë apo shqiptarë. Rastësisht e zgjodha si lexim gjatë pushimeve romanin e Dritëro Agollit: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”; një rastësi vërtet miqësore, pasi këtë lexim ma rekomandoi një mik shumë kurioz për gjithë botimet nëpër botë.

Nuk jam penduar që e lexova, ashtu siç shpresoj as ju nuk do të pendoheni nëse, gjithsesi, unë do të arrij t’ju bind që t’i kushtoni disa çaste Shokut Zylo dhe kësaj satire plot humor e ambicie njerëzore.

Për çfarë bëhet fjalë? Për ngritjen e lavdishme të Shokut Zylo deri në majën e hierarkisë administrative dhe rënien e tij të dhimbshme në harresë. Por, më lini t’ju prezantoj Shokun Zylo.

Shoku Zylo, parë nga ndihmësi i tij Demka, është shume pretendues. Fiton një post me përgjegjësi në administratën e kulturës dhe ndihet filozof, shkrimtar, mendimtar. Shoku Zylo e kujton veten të pazëvendesueshëm për të tjerët dhe për punën e tij, aq sa nuk do të shkojë as me pushime, dhe bën që t’i luten të gjithe që të shkëputet për disa ditë.

Shoku Zylo është snob, dhe mendon se fjalimet e tij janë të rëndësishme, sjellin risì dhe janë konstruktive, ndërkohe që janë të fryra dhe boshe.

Shoku Zylo nuk është inteligjent, nuk është as i mefshtë, as naiv, as i lehtë, por ai ndihet shpirtëror, gjenial dhe delikat. Shoku Zylo i shikon të tjerët nga lart, sepse mendon se është më i epërm se ata.

Shoku Zylo dërrmohet në punë, por punën ua lë ta bëjnë ndihmësit e tij. Shoku Zylo nuk e kupton sa qesharake bëhen disa situata ku ai e gjen veten shpesh të përfshirë, sepse në shumicën e rasteve ai është qesharaku, por nuk e kupton këtë. Ai nuk është i keq, por është i bindur që ka gjithnjë të drejtë, beson se ka arritur majën e hijerarkisë së përgjegjësisë falë zotësisë së tij, inteligjencës, por ai është servil, dhe jo i mprehtë. E mendon veten si një njeri i kulturës ndërkohë që është vetem nje burokrat mendjembyllur. Ai mendon se ka zgjidhur një problem ngaqë ka thënë të behet nje studim, apo ngaqë ka propozuar zgjidhje pjesa dërrmuese e të cilave janë akademike dhe jorealiste. Shoku Zylo, e mendon veten një baba model, që ka ngjizur disa gjení të vegjël, ndërkohë që pasardhesi i tij dembel, i trazuar, duke përfunduar një ditë në komisariatin e lagjes, e poshtëron, atë, funksionarin e lartë që sforcohet të qëndrojë në vijën e partisë, duke respektuar idealet e saj.

Shoku Zylo me shkëlqimin e tij të rrufeshëm është larguar nga realiteti kulturor i së përditshmes të bashkëqytetarëve të tij dhe është i bindur se është pjesë e “popullit”, dhe në rënien e tij jo më pak spektakolare, pranon duke u dorëzuar përçmimin dhe hyn në legjendën e të harruarve, të pakuptuarve, të të braktisurve për shkak të mosmirënjohjes të padurueshme të një administrate të verbër dhe të pamëshirshme.

Shoku Zylo, është një funksionar që përpiqet të jetë shembullor, i bindur, punëmbaruar, dhe që përpara kotësisë dhe keqdashjes së njerëzve dhe të aparatit burokratik e gjeti veten të thërrmuar, të asgjësuar, të copëzuar.

Shoku Zylo është një funksionar që zbulon, i trazuar dhe i tmerruar, se si në administratë nuk paska shkëlqim, as lavdi që zgjasin, dhe që adminstrata nuk të është mirënjohëse sepse është mjedisi i pastabilizuar i antagonizmit, që të përjashton, të thërrmon, të bën copash. Kështu që edhe kujtimi i Shokut Zylo është ai i disa muajve shkëlqim, i cili do të fshihet nga kujtesa e administratës së departamentit të kulturës që ai drejton, përderisa pasi të jetë zëvendësuar nga një tjetër Shoku Zylo. Ai do të shkojë të bashkohet me gjithë shokët e tij paraardhës në panteonin e pensionistëve anonim pa shkëlqim.

Pasazhi më domethënës, më shprehës, është kapitulli i me titullin “Shoku Zylo pret një ftesë”.

Shoku Zylo pret në fakt një ftesë për një mbremje solemne të organizuar nga instancat e larta të administratës së tij. Duke qenë se ftesa po vononte të vinte, ja çfarë ndodhi:

Në telefon, i thote njërit prej kolegeve:

– … A, Cute, dëgjo! Sonte ku do të jesh?… A, në mbrëmjen solemne?… Unë? Medoemos!… Po, po, ftesën këtu e kam! – e shoku Zylo u skuq dhe e pushtoi një trishtim.

Mori përsëri receptorin dhe telefonoi diku:

– Sa ftesa erdhën për ne?… Tri?…. Po kush i mori?… Një Bakiri… Një Taqi… Po e treta nga fluturoi?… Araniti? Posi, posi! E drejtë. Ne, udhëheqja, gjithnjë kemi qenë në këto mbrëmje solemne. Le të shkojnë edhe shokët…

Shoku Zylo e uli receptorin dhe u kthye nga unë:

– Shoku Q. është i çuditshëm. U interesua edhe për ftesën time. Më tha të më dërgonte një nga ato të tyret, por nuk e shqetësova. Mund ta kenë dërguar në shtëpi.

Është e dukshme se, shoku Zylo nuk do të marrë asnjë ftesë nga instancat e larta për darkën zyrtare. Është e dukshme që shoku Zylo do të përpiqet të shpëtoje fytyrën përpara ndihmësit të tij hokatar dhe të habitur, do të shkojë t’i vijë rrotull sallës ku do të mbahet darka zyrtare që të ftuarit ta shohin në hyrje dhe në dalje të saj. Edhe njëherë, shoku Zylo do të bëhet qesharak. Do të bëhet në radhë të parë patetik, e do të kërkojë të gjejë një shpjegim të bindshëm për këtë “harresë” duke mos pranuar që ka patur vetëm një shpjegim, i vetmi i pranueshëm: në momentin kur ai arriti në majën e hierarkisë së departamentit te tij, filloi për të, pa e kuptuar e pa ditur pse, rënia e pashmangshme dhe zbritja e dhimbshme drejt ferrit të harresës.

Romani i Dritëro Agollit është plot humor, por kjo vepër është tragjike. Dimensioni i parë i kësaj tragjedie është që lexuesi ka përshtypjen se kjo administratë funksionon e shkëputur plotësisht nga realiteti i përditshem i punonjësve të saj.

I dyti është ai i një hapësire ku takohen duke u ballafaquar ambiciet njerëzore, e këto ballafaqime janë të egra, dhe kjo hapesire është vendi ku shfaqen lakuriq poshtërsia e egoizmit, zbrazëtia dhe verbëria.

Dimensioni i tretë është njëlloj si tek Kafka, është një univers absurd i drejtuar nga absurdi. Shoku Zylo nuk do ta dijë kurrë pse u ngrit në detyrë, dhe pse ra prej saj.

Në fund, tragjikja në këtë satirë, është se shoku Zylo, njeriu i pushtetit, është viktima e një lidhjeje joracionale pas pushtetit, varësisë ndaj shkëlqimit të pushtetit, ndaj lavdisë që ngjall ky pushtet, por që nuk e kupton në asnjë rast qe ai nuk zotëron asnjë pushtet, thjesht një iluzion për pushtet.

Në absurditetin e labirintit administrativ, shoku Zylo, e kishte menduar veten se ishte vendosur aty përgjithmonë. Në këtë botë ku askush nuk zë rrënjë, ai e mendonte veten të përhershëm. Në këtë bote iluzionesh, e mendoi veten iluzionist.

Në fund të leximit, të mbetet një shije ankthi dhe ligështie. Ajo që mendova se do ishte një libër pushimesh për të hequr mendjen dhe zbavitur, u kthye në një reflektim shqetësues mbi të padepërtueshmet gjendje njerëzore, mbi këtë gjë të papërcaktuar që, në përgjithesi e bën njeriun ferrin e njeriut, dhe e transformon në veçanti në një shoku Zylo per kolegun e tij, dhe që kthen shumë prej kolegeve të tij shokë Zylo me pushtet.

Prof. Abdeljalil Lahjomri

Prof. Adbeljalil Lahjomri, drejtor i Kolegjit Mbretëror të Rabatit, Sekretar i Përgjithshëm i Akademisë së Mbretërisë së Marokut. Shkrimi mbi Shokun Zylo, është botuar në përmbledhjen e kronikave “A vrai lire” – “Të lexojmë të drejtën” është botuar në 2007, si një studim mbi letërsinë franceze dhe atë botërore të përkthyer në frëngjisht, dhe ndikimin e saj në kulturën botërore letrare dhe gjuhësore; Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (Splendeur et Décadence du Camarade Zulo, publikuar nga Gallimard ne 1990), trajtohet për vlerat e saj universale dhe përfaqësuese për letërsinë e përtej perdes së hekurt, me të njëjtin kujdes me të cilin Lahjomri i përkushtohet analizave për Houllebecq, Sartre dhe Beauvoir, e më tej Najib Mahfouz etj.411

Biografia e Dritero Agollit

Shkrimtar, publicist, veprimtar shoqeror, anetar i Akademise se Shkencave te Shqiperise. Lindi ne Menkulas te Devollit. Mesimet e para i mori  ne vendlindje, te mesmen ne shkollen “Asim Zeneli” (Gjirokaster), ku beri dhe sprovat e para letrare. Ne vitet 1952 – 1957 ndoqi studimet e larta ne Fakultetin  e Letersise te Universitetit te Leningradit. Ne vitet 1957 – 1972 punon si redaktor e gazetar ne te perditshmen “Zeri i popullit” (shih). Ne vitet 1973 – 1992 ka qene kryetar e Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqiperise. Dritero Agolli eshte nje nga figurat qendrore te poezise shqipe dhe nje nga perfaqesuesit me te rendesishem te “brezit te viteve 1960”.

Kritik ndaj frymes tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritero Agolli solli ne poezi ndjeshmeri e figuracion te ri, duke e perterire sistemin e vjersherimit shqip. Ai eshte pruresi i poezise se “unit” te forte. Prirja per vetepohim u duk qysh ne vellimin e tij te pare “Ne rruge dola” (1958), por u shpreh me qarte ne poemat “Devoll – Devoll” dhe “Poeme per babane dhe per veten”. Poezia e Dritero Agollit nuk e ndan te pergjithshmen nga vetjakja, ben sintezen e kolektives me individualen. Dritero Agolli ruajti prej vlerave me te arrira te poezise se tradites – frymen popullore. Ai krijoi nje gjedhe te re vjersherimi, qe ndiqte Naimin, duke metuar risine. Rruga e rritjes se tij te shkalleshkallshme poetike shprehet ne librat: “Hapat e mija ne asfalt” (1961), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Devoll – Devoll” (1964), “Mesdite” (1968), “Baballaret” (1969), “Nene Shqiperi” (1974), “Fjala gdhend gurin” (1977), “Udhetoj i menduar” (1985), “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypesi i kohes” (1995), “Fletorkat e mesnates” (1999). Dritero Agolli shfaqi ne poezi nje perfytyrim vetjak per “temen e madhe”, duke kerkuar madheshtine poetike prej perjetimeve te subjektit te zakonshem; duke zgjeruar shumefish hapesiren e realitetit ne poezi dhe duke i ndryshuar rrenjesisht raporte ndermjet tyre. Kjo poezi ndikoi ne teresi per nje klime letrare me te bute ne Shqiperi. Krijimtaria e Dritero Agolli ne thelbin e vet eshte liriko – epike, ndryshe nga ajo tradicionale, qe mbahej kryesisht ne lavderine epike. Dritero Agolli e pruri poezine shqipe prej shqetesimi te pergjithshem tek shqetesimi i njeriut. Poezia e tij pershkohet nga kulti i vendlindjes, i tokes, i bukes, i parmendes, i familjes, i prindit, i babait. Ajo sundohet nga bota e gjalle, shpirtezimi i mjedisit, shenjterimi i natyres, i ares dhe bagetise. Ne kete tipar te poezise se tij shfaqen gjurme te botekuptimit panteist bektashian. Dritero Agolli krijoi ne poezi imazhin e nje Shqiperie ideale.

Vepra me e rendesishme idealizuese dhe njeheresh me e angazhuar e tij eshte poema “Nene Shqiperi”. Gjate gjithe rruge se vet krijuese me se gjysmeshekullore, Dritero Agolli eshte poeti i dhimbjes njerezore dhe i filozofise jetesore. I vemendshem ndaj dramave te medha te popullit, ai u be njeheresh poeti i dhimbjes vetjake te njeriut. Dritero Agolli njohu nje ringjallje poetike ne dy dekadat e fundme. Me vellimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypesi i kohes”, “Fletorkat e mesnates” autori shpall sfiden e tij te re te mjeshterise. Ne keto vellime shperfaqet poeti me ideal te tronditur, qe duhet te gjeje vleren dhe kuptimin e jetes se vet dhe te brezit qe perfaqeson ne kushtet e tronditjeve te medha te shoqerise dhe te ndryshimeve rrenjesore te rruges drejt se ardhmes se saj. Ne teresine e vet poezia e Dritero Agollit nuk ka perthyerje qe lidhen me keto ndryshime. Ajo eshte poezi e vlerave dhe shqetesimeve njerezore, poezi e krenarise dhe drames, e lartesimit dhe goditjes, e nyjetimit te gjendjeve poetike te imeta dhe fine. Dritero Agolli perballoi me dinjitet sfiden per t’i dhene vleren e merituar lirise. Vepra me e hershme ne proze e Dritero Agollit, eshte vellimi me tregime “Zhurma e ererave te dikurshme” (1964), qe u prit keq nga kritika zyrtare dhe u hoq nga qarkullimi (1965). Keto tregime, nje pjese e te cileve u ribotuan ne fund te vitit 1980 ne librin “Njerez te krisur ”, jane te mbushur me personazhe jotipike. Ne to heronjte paraqiten bashke me cenet e tyre duke iu shmangur skemes per heroin tipik pozitiv. Romani “Komisari Memo” (1970) eshte vepra me e angazhuar e Dritero Agollit ne proze. Ne te autori poetizoi “kohen e komisareve”, qe ishte pjese e kultit te luftes antifashiste, e cila sundoi per shume kohe letersine shqipe. Figura me e plote e romanit eshte komandanti Rrapo, i cili ben pjese brenda llojit te “njerezve te krisur”, qe permban ne teresine e vet letersia e Dritero Agollit. Ne romanin “Njeriu me top” (1975) Dritero Agolli, zbuloi nje marredhenie tjeter, krejt te ndryshme nga ajo e “Gjeneralit te ushtrise se vdekur” te Ismail Kadarese (shih) sa i takon raportit te njeriut shqiptar me armen. Zot e rob i armes, i magjepsur dhe marrosur prej saj, personazhi qendror i librit ben cudira e marrezira nga me te pabesueshmet. Ndonese romani merr nje teme nga lufta, nyja dramatike e tij qendron ne faktin universal se morali i nje brezi ka ardhur ne kundershtim me ate te brezit te meparshem. Romani “Trendafil ne gote” (1980) u prit me nencmim nga mendimi letrar si nje “liber roze”. Me kete veper Dritero Agolli provoi te bente nje sfide tjeter ne letersi, duke krijuar nje personazh, drama e te cilit eshte se gjendet midis disa dashurish. Kotributi me i rendesishem letrar ne proze i Dritero Agollit konsiderohet “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo” (1973). Kronike e karrieres se palavdishme te nje zyrtari, romani eshte ne te njejten kohe pasqyre e pozites se pandashme te vartesit te tij. Produkt i njeri – tjetrit, dy personazhe kryesore, Zyloja dhe Demka, sikurse ndodh pothuajse ne te gjitha veprat me karakter humoristik, jane pasqyre e anes qesharake dhe njeheresh dramatike te funksionimit te burokratizmit. Zyloja eshte nje figure fatkeqe, ku behen bashke miresia e qellimit me humbjen e ndjenjes se realitetit te mases per te verteten. Ndryshe nga shume burokrate te tjere skematike qe kishin permbytur jo vetem letersine shqipe, por edhe publicistiken, Zyloja eshte nje burokrat me drame. Ne thelbin e kesaj vepre, si dhe te romani  “Arka e djallit”, qendron antiskematizmi. Kete te fundit Dritero Agolli nisi ta shkruaje ne fillim te viteve 1980, per ta perfunduar ne fillim te viteve 1990. Ne jeten shqiptare kishte hyre nderkaq nje kuptim tjeter i lirise. Romani e perballoi horizontin e ri te pritjes. “Arka e djallit” eshte nje veper e shkruar me shkujdesje ndaj disiplines. Ajo eshte deshmi per faktin se personalitetet e fuqishem te letersise shqipe kane qene me te lire se metoda e tyre krijuese. Dritero Agolli duke vendosur ne qender te romanit te tij kerkimin e nje tabuje, duke kerkuar te ndaluaren, shfaqen me nje permase mendimi qe gjendet mbi lirine shteterore. Shkrimtari arrin nje shkalle te larte lirie me “romanin brenda romanit”,  me “arken e djallit”, ku gjendet verpra e ndaluar.   Ajo quhet “Shakaja e ndaluar”, titull qe te kujton romanin e njohur disident te M. Kunderes “Shakaja”. Ne kete shkalle te lirise krijuese Dritero Agolli realizon nje veper ku nuk ka censure dhe autocensure. Disa prej veprave me te arrira te Dritero Agollit kane qene nen vemendjen ideologjike te autoriteteve zyrtare. Romani “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo”, qe botohej pjese – pjese ne revisten “Hosteni”, u nderpre ne menyre te heshtur (ne vitin 1990 autori botoi variantin e plote te vepres). Per “kundervajtje ideologjike” u qortuan edhe dramat “Mosha e bardhe” dhe “Fytyra e dyte”. Ndersa per romanin “Deshtaku”, qe pruri tek lexuesit nje realitet me drame, u mbajt heshtje. Nje pjese e madhe e veprave te tij jane botuar ne shume gjuhe te huaj. Ka qene deputet ne Kuvendin Popullor dhe ne Kuvendin e Shqiperise per disa legjislatura (1974 – 2005). Dritero Agolli ka marre Cmimin  e Republikes te shkalles se pare dhe eshte dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Shaban Sinani – Enciclopedia Shqiptare

Çmimet që ka marrë Agolli:

Çmimi CARLO LEVI për Z. Dritëro Agolli 

Çmimi Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi”

Në edicionin e tij të 16-të, Çmimi Kombëtar për Letërsinë Carlo Levi, i cili lind në 1988 me nismën e Rrethi Kulturor “Nicola Panevino” në dobi të autorëve të temave më të mira të diplomës mbi Carlo Levin, shpallen fitues dy autorë italiane, Guido Conti dhe Enzo Vinicio Alliegro, dhe dy autorë të huaj, francezin Andre Vauchez dhe shqiptarin Dritëro Agolli, duke pohuar edhe njëherë se letërsia dhe arti japin një dorë në lartësimin e ndjenjës së përkatësisë duke i dhënë vlerë së ndryshmes.

Në edicionin e shkuar patën epërsi Carmine Abate, i cili më tutje u shpall dhe fitues i Super Campiello me romanin “Kodra e Erës”, magjistrati Silvana Arbina, peizazhisti Franco Arminio, Domenico Notarangelo dhe, për Temën e Diplomës më të mirë mbi Veprën e Levit, Ilenia Fulco.

Çmimi Kombëtar për Letërsinë Carlo Levi është sot një takim i rëndësishëm në lëmin e kulturës lukeze dhe është padyshim, sëbashku me Parkun Letrar kushtuar autorit pjemontez, një tribut që komuniteti i Alianos i njeh Carlo Levit, i cili ka mërguar në fshatin e vogël, Gagliano tek “Krishti u ndal në Eboli”, gjatë periudhës fashiste në vitet 1935, dhe prehet në varrezat e Alianos në 1975.

Ceremonia e dhënies së Çmimit për fituesit u mbajt në datën 5 tetor në Aliano, pranë Auditoriumit të Komunës në Aliano, në praninë e Kryebashkiakut të Alianos Luigi De Lorenzo, Presidentit të Parkut Letrar “Carlo Levi” Antonio Colaiacovo, Presidentit të Këshillit Krahinor të Bazilikatës, Vincenzo Santochirico, Presidentit të Rrethit Kulturor “N. Panevino”, Pietro Dilenge si dhe shkrimtarit dhe mikut të Shqipërisë Z. Raffaele Nigro i cili intervistoi fituesit në vijim të Ceremonisë. Gjatë pasdites, u shfaq dokumentari “Kine-turizëm nëpër vendet e vizituara nga Carlo Levi”, si dhe një përshëndetje nga Grupi Polifonik i Krahinës së Vlorës.

Motivacioni i Çmimit per Z. Dritero Agolli

Poet, gazetar dhe shkrimtar, ngushtësisht i lidhur me traditën dhe rrënjët e tij nga vendlindja, gjithnjë ka vënë në pah me krenari origjinën e tij.

Vargjet e tij i japin jetë një thirrjeje prekëse, në të cilën të gjithë elementet e jetës gërshetohen e shkrihen tek njëri tjetri për të ravijëzuar një identitet i cili është femijëri, punë, dhimbje, beteja, dashuri, përhumbje dhe shpëtim.

Në romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me Top” me kurajo të admirueshme i jep jetë kritikës sarkastike ndaj burokracisë tek i pari, dhe përkujtimit epik dhe ironik të heroizmit partizan në luftën kundër nazifashizmit tek i dyti.

Agolli, edhe pse në rolin e tij për njëzet vjet President i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe më pas anëtar i Parlamentit, gëzon një famë të tejskajshme në vendin e tij, që e ka dashur dhe e do me mjaft dhembshuri.

 Përshëndetja e Z. Dritëro Agolli

Të nderuar miq,

Unë sot duhet të isha atje mes jush, por jam një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbathen.

Por të mos bëhem i mërzitshëm si personazh parlamenti, falenderoj Jurine e Edicionit të XVI të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” dhe veçanërisht Rafaele Nigron, mikun e mirë dhe shkrimtarin e shquar, vepra e të cilit tanimë është njohur dhe pritur në Shqipëri me dashuri dhe vlerësim nga lexuesit e shumte dhe kritika letrare.

Unë ndiej një kënaqësi të madhe të marr një çmim me emrin e Carlo Levit, piktorit, publicistit dhe shkrimtarit të shquar, luftëtarit Antifashist dhe ëndërrimtarit për një botë të re pa varfëri, padrejtësi shoqërore dhe pa luftra. Sikur të ndodhte një mrekulli që Carlo Levi të më shtrëngonte dorën, vetëm kjo gjë do të ishte çmimi më i madh që do të merrja ndonjëherë.

Letërsia shqiptare që në fillimet e saj është ushqyer nga letërsia, arti dhe kultura italiane, sepse jemi fqinj dhe, siç thonë, na ndan vetëm një mur uji dhe mbi këtë mur uji siç fluturojnë pulëbardhat në brigjet tona, ashtu fluturon poezia, proza, muzika dhe të gjitha artet e tjera.

Edhe njëhere, nëpërmjet kësaj përshëndetjeje të shkruar dhe të përcjellë nga vajza ime Elona, ju falenderoj për nderin dhe emocionet që më dhatë me “Carlo Levi”.

Pleqtë dhe fëmijët u gëzohen çmimeve.

Dritëro Agolli

2.10.2013

Fituesit e edicionit te XVI te Çmimit Kombetar per Letersine Carlo Levi:

      Enzo Vinicio Alliegro, me origjine nga Lucca, Viggiano, ka marre cmimin rajonal per eseistiken me vepren e tij te plotë dhe te mirenyjetuar, Totemi i Zi, e shtrire ne nente kapituj. Duke marre shtysen nga Keshilli i hapur komunal mbajtur ne Viggiano ne 20 shkurt 2012 ku u diskutua mbi “veprimtarite nxjerrese dhe monitorimin mjedisor” ne Luginen e Agrit, autori permes nje kronistorie te perpikte qe nis nga fillimi i Nenteqindes, vazhdon me nje analize te thelluar te raportit mes territorit vendor, kompanive petrolifere (nxjerrese te naftes) dhe kontekstet e politikave ekonomike kombetare dhe globale, me qellim qe te diktohet “pushteti i simboleve dhe simbolet e pushtetit”.

Ne reflektimin e Alliegros, me nje gjurme te forte antropologjike, Viggiano, ne krye Qyteti i Marias, me pas Qytet i Artit dhe Muzikes, ne fund Qyteti i Vajgurit (Shen Maria e Zeze, Harpa, Qeni me gjashte putra), shnderrohet ne plasaritjen e nje rajoni qe, vendosur mbi nje lume te stermadh hidrokarburesh, paraqet nje realitet social shume me te nyjezuar se dy perberesit me flakerues, “ai i egri dhe agresivi i kapitalizmit te pathyeshem” dhe tjetri “fondamentalist i ambientalizmit me te paepur”.

     Guido Conti, nga ana e tij, vazhdon denjesisht traditen fisnike letrare te Ultesires se Padanias, te ciles i rrine kurore gjate shekullit te shkuar veprat e Cesare Zanattini, Cesare Zavattini, Giovannino Guareschi, Giorgio Torelli, Alberto Bevilacqua, Luigi Malerba. Lindur ne Parma me 1965, Conti doli ne pah shume i ri fale besimit qe i dha shume heret me tregimet e tij cilesore nga Pier Vittorio Tondelli, i cili i publikoi ne permbledhjet Papergang per moshat nen 25 vjeç. Conti mbahet mend mbitegjitha si autor romanesh dhe tregimesh te suksesshme, per te cilat ka marre shume çmime. Mund te permenden, pervec librit me tregime Krokodili ne Altar, romanet Qielli nen Toke, nje tregim derrmues mbi rigjetjen e vetvetes; Perendimi mbi Lugine, me temen e brenges dhe vetmise se te moshuarve, i trajtuar me qesendi mendimtare dhe elitare, Topi perplasur murit, ku tregon krizen e nje raporti martesor qe e ben jeten e Lucas se vogel te pajetueshme, viktime e vertete e rrenimit te familjes; Qiej te qelqte, nje histori dashurie tragjike dhe e dendur. Vepra e cmuar sot, Lumi i Madh Po, leviz neper nje hapesire te pafundme dhe pertej kufijve te kohes. Ne fakt, autori jo vetem pershkon gjthe rrugen qe nga burimi prane Monviso deri tek grykederdhja, por ngjitet neper agimet e historise e picerron veshtrimin tek miti dhe legjenda e lumit, qe lumturisht Bacchelli e percaktoi si nje Rrokje e Madhe prej Uji. 

Per eseistiken do te vleresohet vepra “Francesko i Asizit” e André Vauchez. Biografia e studiuesit francez nuk eshte nje prej shume puneve qe pasuron letersine e pafundme mbi Shenjtin e madh, edhe pse ka pikasur ndonje veçanti te re ne krahasim me te shumtat qe kane shenjuar nje personalitet polihedrik. Nuk eshte as nje veper qe ka patur si qellim te thellohet mbi leksionet me te cilat pergjate shekujve eshte propozuar figura e Franceskut, duke nxjerre ne pah here pas here asketin dhe te stigmatizuarin, mistikun dhe pishtarin e krishterimit ungjillor, mbrojtesin e te varferve dhe adhuruesin e natyres, shenjtin ekumenik dhe promotorin e paqes.

Dritero Agolli eshte poet, gazetar e shkrimtar. Lindur ne 1931 nga nje familje ne fshatin Menkulas, afer Korces, ne jug te Shqiperise, pasi perfundoi studimet e mesme ne Gjirokaster, u diplomua ne Filologji ne Universitetin e Leningradit. Publikimet e tij te para I takojne vitit 1946 dhe qe atehere, permbledhja e pare mbreselenese me poezi “Ne rruge dolla”, shenjon riperteritjen e poezise shqiptare.

Motivi dominues i frymezimit te tij do te jete perhere lidhja me traditen dhe rrenjet nga vendlindja, te cilat ai me krenari do t’i vere ne pah me kembengulje, se fati e donte ate “fshatar dhe poet”. I qendrojne besnike ketij frymezimi, vargjet e poemes Nene Shqiperi:

 Me ler te bie ne preherin tend te ngrohte

O hallemadhja ime shekullore!

Te puth duart e tua , me te mirat ne bote,

I ngazellyeer te hesht me heshtje foshnjore;

Duart e tua qe u rregjen nga puna

Dhe gishterinjte qe zune kallo nga kembezat e dyfekeve ….

….

Ja tek me ke, Ne krahet e tua , Mua, Birin tend, shembellimin e qenies tende, Ate qe tha sa hapi syte Ne djep: “Te dua!” Dhe fjalen e peshes se rende e ruajten malet e rende..

Kushtuar tokes se vet, vargjet e poetit shqiptar i japin jete nje thirrjeje prekese, ne te cilen te gjithe elementet e jetes gershetohen e shkrihen tek njeri tjetri per te ravijezuar nje identitet: identitet, i cili eshte femijeri, pune, dhimbje, beteja, dashuri, perhumbje dhe shpetim. Edhe vepra e tij e tregimtarise, e dendur dhe komplekse, lekundet mes dy poleve te luftes çlirimtare dhe shoqerise bashkekohese, nga e cila ai zgjedh te perfaqesoje raportin e vecante mes botes rurale dhe asaj qytetare. Nga prodhimtaria e tij e pasur me tregime, favorizuar nga mirepritja qe i kane bere kritika dhe publiku, pervec permbjedhjeve te ndryshme me tregime, meritojne te permenden te pakten dhe dy vepra te tjera.

Mbi gjithe te tjerat, romani qe doli ne Itali ne 1993 me titullin Shkelqimi dhe Renia e Shokut Zylo, i cili i jep jete nje kritike sarkastike ndaj burokracise e qe shpalos dhuntine e guximit dhe te antikonformizmit te Autorit. Ne romanin Njeriu me Top, publikuar ne 1975, vazhdon perkujtimi epik dhe ironik i heroizmit partizan ne luften kunder nazifashizmit. Agolli keshtu, edhe per rolin e tij per njezet vjet si President i Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve dhe ligjevenes ne Parlamentin Shqiptar, gezon nje fame nje tejskajshme ne vendin e tij, qe e ka dashur dhe e do me shume butesi.

 

Vepra të përkthyera

  Vepra Shtepia Botuese Viti Vendi
1 Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo Narodna Kultura 1978 Bullgari
2 Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo Gallimard 1990 France
3 Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo Neuer Malik 1991 Gjermani
4 Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo Raduga 1992 Rusi
5 Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo Patakis 1994 Greqi
6 Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo Argo 1993 Itali
7 Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo SH.B. Provinces Chongqing 2009 Kine
8 Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo Maqedoni
9 Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo Ne proces 2016 Kine
10 Njeriu me top Klim 1987 Danimarke
11 Njeriu me top Narodna Kultura 1981 Bullgari
12 Njeriu me top Le Passeur 1994 France
13 Njeriu me top Damask 1994 Siri
14 Zhurma e Ererave te Dikurshme Rocher/Serpent a Plumes 1998 France
15 Nentori im Rebellato 1978 Itali
16 Nene Shqiperi Duc Amara 1985 Itali
17 Pelegrini i vonuar Lei Poesia 1995 Itali
18 Poezi Pekin 1973 Kine
19 Komisari Memo Rezistenca 1978 Greqi
20 Komisari Memo 1975 Suedi
21 Komisari Memo 1976 Norvegji
22 Komisari Memo Molinar 1976 Portugali
23 Komisari Memo Militaria 1983 Rumani
24 Komisari Memo Oda Yayinlari 1979 Turqi
25 Poezi – “Nga vjen kjo muzikë?” Helikon Plus 2007 Russia
26 Nena ime e bukura Hatixhe In forma di parole 2005 Itali
27 Fabulat / A fleur des Fables Fond Encre 2007 France
28 Lamtumire Kapiteni im Bjellorusi
29 Poezi Spanje
30 Apasionata Pjese e Antologjise USA
31 Kaloresi Lakuriq Japoni

Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>