Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

Agolli, frymëzues epokal i memories tonë kombëtare

$
0
0

-In Memoriam –

Nga Ilir Çumani

Një lajm i kobshëm për mbarë kombin shqiptar erdhi si një rrufe me vetëtima në këtë dimër të vështirë. Iku poeti i poetëve, kolosi i letërsisë shqipe. U largua fizikisht i madhi i të mëdhenjve, një nga figurat më të shquara, më të ndritura dhe më të dashura për të gjithë bashkëkombësit e vet, këndej dhe andej kufirit. U shkëput si një meteor nga “galaktika” e hapësirës mbarëshqiptare një visar i çmuar, një fenomen universal i kohës. Dritëro Agolli, ka qenë dhe mbetet një emër i përveçëm, një zë unik, një simbol dhe mëndje e ndritur e iluminuar, një energji e pashtershme burimi e frymëzimi, një pikë reference e pazëvendësueshme për të gjithë shqiptarët.

Ngase puna dhe vepra e Tij është si drita dhe ajri që thithim, është koncentrati i nektarit shpirtëror të popullit të cilit i përket. Ai mbetet dëshmitar dhe protagonist i rëndësishëm i dy epokave të mëdha të zhvillimeve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë; poet, romancier, tregimtar, dramaturg, skenarist, gazetar, publicist, eseist, përkthyes, intelektual dhe akademik, me një formim dhe kulturë të gjerë erudite, personalitet shumëdimensional poliedrik dhe politikan i kualitetit të lartë, patriot dhe atdhetar i shquar, një mëndje e ndriçuar e letërsisë dhe e kulturës tonë kombëtare. Iku poeti, ashtu siç dine të ikin vetëm të mëdhenjtë nga kjo botë. Nga sot, Ai nuk është më fizikisht me frymë dhe me zë…. Në fakt, jo të gjithë e kanë fatin të ikin nga jeta ashtu siç ikën një Njeri i përmasave të Dritëroit.

Ngase Ai la pas një mal me vepra të mëdha, la shumë dritë, shumë mençuri proverbiale që mbeten tashmë thesar i paçmuar i popullit që e deshi kaq shumë, për të na kujtuar të gjithëve se ka qenë, është dhe do të mbetet përgjithmonë këtu, mes nesh, duke na ndriçuar njëlloj dhe në mënyrë të pakushtëzuar si atëherë, kur ishte gjallë. Ka raste të veçanta që edhe vdekja e shkel “protokollin” e ritualit që ka, duke bërë përjashtimin e të “privilegjuarve” që vetë ajo i zgjedh.

Në rastin e Dritëro Agollit, ajo nuk e pranon dhimbjen, as ikjen përgjithmonë, as institucionin e heshtjes, ngase tashmë Ai i përket edhe jetës, edhe përjetësisë…. Nga sot, në ditët dhe në kohët që do të vijnë me pas, çdo shqiptar, çdo fëmijë, çdo i ri edhe plak, çdo foshnjë që do të lind në tokën që poeti ynë kombëtar i këndoi me kaq shumë gaz e dashuri, me kaq shumë pathos e hare, me dhimbje edhe brengë, do të ketë si trashëgim në qenien e vet një copëz drite nga dielli i artë që na la Dritëroi ynë. Nga sot e tutje, Ai do të përjetësohet përgjithmonë si monumenti më i gjallë frymëzues dhe epokal i vetëdijes dhe memories tonë kombëtare. Të qoftë e lehtë balta naimiane që të formëzoi, të ngazëlleu dhe të frymëzoi kaq shumë… E jotja qoftë parajsa patriarku i mençur dhe i urtë i letrave shqipe!

Lamtumirë poet i shekullit, pasardhësi i denjë i Naimit dhe Çajupit, klasiku dhe moderni i pashembullt i letërsisë shqipe, Liriku i tokës, Profet i Fjalës DRITËRO…!


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>