Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all 14404 articles
Browse latest View live

Marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit “Eqerem Çabej” dhe Universitetit të Janinës

$
0
0

Më datë 7 Shkurt 2017 në një ceremoni të organizuar në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, u nënshkrua “Marrëveshja e Bashkëpunimit” midis këtij Universiteti dhe Universitetit të Janinës.

Në ceremoni, veç Rektorit të Universitetit të Gjirokastrës Bektash Mema dhe autoriteteve të Rektoratit, ishin prezentë një delegacion i Rektoratit të Universitetit të Janinës me në krye Rektorin, Georgio Kapsali, ndërsa përveç dy Rektorëve, përshëndetën Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Vasilios Tolios në emër të Ambasadores së Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Janinë, Sofokli Vasili. Më pas, delegacioni i Rektoratit të Universitetit të Janinës, vizitoi Konsullatën e Përgjithshme të Greqisë në Gjirokastër.

 Marrëveshja e nënshkruar ka afat katërvjeçar dhe mund të rinovohet automatikisht nëse asnjë prej dy palëve nuk ka kundërshtim, ka përmbajtje të karakterit të përgjithshëm. Specifikimi i fushave të bashkëpunimit do të bëhet nëpërmjet nënshkrimit të protokolleve të veçanta. Dy palët nënvizuan mundësitë dhe përspektivat e shumta që hapen në të ardhmen e afërt, duke shfrytëzuar së bashku projekte, siç janë ato të bashkëpunimit ndërkufitar.


Vasco Rossi 65 vjeç, një legjendë e rrokut mes rekordeve

$
0
0

Gëzuar ditëlindjen Vasco Rossi. Kantautori i njohur italian mbushi 65 vjeç dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë nga muzika. Në korrik Rossi do të jetë protagonist i koncertit më të madh të të gjitha kohërave për numrin e madh të biletave të shitura në Modena Park, transmeton Tgcom24. Ai lindi më 7 shkurt 1952 në Zocca, një provincë e Modenas. Në vendin e tij të lindjes, fansat festuan ditëlindjen e tij prej disa ditësh. Ai nuk është shfaqur, por populli i tij dëshironte t’ia festonte ditëlindjen, në vendin ku legjenda e rrokut italian filloi jetën e tij prej ylli të vërtetë. Ka publikuar 30 albume që nga fillimi i karrierës së tij në 1977, nga të cilat 17 në studio, 9 live dhe 4 përmbledhje, si dhe ka kompozuar më shumë se 150 këngë , përveç një numri të madh tekstesh e muzike për këngëtarët e tjerë. Albachiara, e inçizoi në 1979 dhe ndoshta është suksesi i tij më i madh. I datuar në 1981 albumi “Jemi vetëm ne”, me të cilin Vasco fillon të ketë sukses. Në 1982 në Festivalin e Sanremos me “Shkoj në maksimum” dhe në 1983 me “Jeta e pamatur”. Legjenda ka filluar. Me 35 mijë kopje të shitura është një nga kantautorët italianë të një suksesi të madh dhe një nga artistët italianë që ka shitur numrin më të madh të disqeve. Ai ka rekordin italian të spektatorëve në një koncert të vetëm. Por nuk ka mbaruar këtu. Në 1 korrik një rekord tjetër, mai i 180 mijë spektatorëve që do të asistojnë në koncertin në Modena Park.

I vidhet çmimi Nobel mbrojtësit të të drejtave të fëmijëve në Indi

$
0
0

Mbrojtësit indian të të drejtave të fëmijëve Kailash Satyarthi i është vjedhur Çmimi Nobel për Paqe, me të cilin ishte shpërblyer në vitin 2014. I biri i Satyarthi, Buhvan Ribhu përmes një deklarate ka thënë se mbrëmë në shtëpinë e prindërve të tij, të cilët ndodhen në udhëtim në Panama, kanë hyrë hajdutë të cilët kanë vjedhur certifikatën e Nobelit dhe një kopje të praruar të medaljes. Ribhu rikujtoi se babai i tij medaljen e fituar të Nobelit, siç transmeton AA, ia kishte dhuruar presidentit të Indisë Shri Pranab Mukherjee për ta ekspozuar në muze, duke shtuar se ai kishte bërë dy mostra të praruara të medaljes dhe njëra prej këtyre është vjedhur. Ndërkaq, nëpunësi policor Ramil Banya është shprehur se janë duke i analizuar xhirimet e kamerave përreth dhe se është duke u kërkuar një pjesëtar i sigurisë së lagjes, i cili është përzierë dhe zhdukur. Mbrojtësi i të drejtave të fëmijëve, 63-vjeçari Satyarthi, në vitin 2014 kishte ndarë çmimin Nobel për paqe me mbrojtësen pakistaneze të të drejtave të njeriut Malala Yusufzay. Që nga vitet ‘90 Satyarthi ka dhënë përpjekje në favor të fëmijëve të cilët detyrohen në punë, ndërkohë që organizata të cilën e ka themeluar, Bachpan Bachao Andolan, ka siguruar lirimin, trajtimin dhe arsimimin e mbi 80 mijë fëmijëve të shfrytëzuar si skllevër. Ai po ashtu ka patur rol aktiv në Qendrën Ndërkombëtare për Punë të Fëmijëve dhe Arsimimin të themeluar nga organizata joqeveritare, mësimdhënës dhe sindikata nga e mbarë bota, kurse në të njëjtën kohë ka zhvilluar fushata për vetëdijësim mbi konsumin e produkteve të prodhuara nga fëmijët skllevër të detyruar në punë në vendet e Azisë jugore. Satyarthi, i cili u bë botërisht i njohur përmes aktiviteteve të tij, në vitin 1984 u nderua me Çmimin Ndërkombëtar për Paqe Aachener nga Gjermania, ndërsa më 1995 me Çmimin Robert. F. Kennedy për të Drejtat e Njeriut nga SHBA-të. Ndërkaq, në vitin 2007 Senati i Italisë e shpërbleu atë me medalje, ndërsa në vitin 2009 SHBA-të i dhuruan Çmimin Mbrojtësi i Demokracisë.

Zbulohet poezia e Agollit dedikuar Jozefina Topallit

$
0
0

Shkrimtari Fadil Kraja kujton se shprehja më e famshme e Sali Berishës në fillim të viteve ’90 ishte: Opozitarë por vëllezër!

Sot pas më shumë se dy dekadash, shkrimtari rrëfen për mikrofonin e Ora News se këtë parim e zbatoi më së miri Dritëro Agolli.

Shkrimtari kujton se i ndjeri Agolli kritikonte edhe të majtën dhe godiste edhe Fatos Nanon kur rrihte gjoksin për meritokraci, të cilën shkrimtari e quajti shkërdhatokraci.

Ah moj Jozefinë, gugushe në thekën

Për ty Fatos Nano mban fjalim pa mjekër

Ah moj Jozefinë zogës nën koritë

Për ty Namik Dokle hidhet në opozitë

Ai ishte i pajtimit, paqes dhe mirëkuptimit”, thotë shkrimtari Fadil Kraja.

Pak ditë më parë, Topalli tha se Agolli dhe disa deputetë të tjerë socialistë i kishin shkruar poezi në Parlament.

Flet gjuhëtari Xhevat Lloshi: Ju tregoj kush e nxiste rivalitetin mes Agollit e Kadaresë

$
0
0

Në një intervistë për gazetën Panorama, gjuhëtari Xhevat LLoshi tregon se si e ka njohur shkrimtarin Dritëro Agolli, por flet edhe për një rivalitet mes tij e Ismail Kadaresë, i cili bazohej tek krijimtaria dhe sipas tij nxitej nga politika.

Në lidhje me këtë debat, Lloshi thotë: “Për mua është fatkeqësi kur njerëzit e shquar të vendit hyjnë në një konflikt që merr përmasa publike, sepse në këtë konflikt përzihet kush të dojë. Dhe rezultati është që dalin në plan të parë të metat e këtyre njerëzve, kurse unë dua që në plan të parë të dalin vlerat e tyre”

Nga: Xhevat Lloshi
xhevat-lloshi1
Një njeri si Dritëroi krijon një botë, e cila me zhvillimin e njerëzimit, me ndryshimin rrënjësor edhe të kushteve materiale e mendore, nuk është më e pranishme, si për shembull jeta e zakonshme e fshatit, psikologjia, hakmarrja e tipit fshatar… të gjitha këto që mund të duken sot të çuditshme në krijimtarinë e Dritëroit.

Por, kjo botë e krijuar, e përfytyruar në mënyrë letrare prej tij, ka dhe do të ketë gjithnjë interesin e vet, ashtu siç kanë për ne, botët që janë krijuar që nga Greqia e Lashtë, mitologjia kineze apo shkrimtarë të tjerë të shquar, që nga Shekspiri etj., e që nuk ekzistojnë më. Edhe gjuha e Shekspirit nuk është gjuha e sotme angleze, por bota që ka krijuar ai vazhdon të jetojë, për shkak të veçantisë. Kështu është edhe ajo që ka lënë Dritëroi në veprën e tij. Dhe ai nuk hoqi dorë nga kjo. Nuk bëri deklarata propagandistike për t’iu përshtatur ditës, por vazhdoi me integritetin e tij. Për ta theksuar këtë fakt do të doja t’ju tregoja diçka që i përket vitit 2005.

Pra nga viti 1970 deri në 2005­-n, Dritëroi është po ai, sepse ai kishte një filozofi të vetën për mënyrën se si ai e shihte jetën, i kuptonte problemet e mëdha, megjithatë, ai kishte besim te njeriu. Atë që ai e ka thënë dhe do të mbetet: Njeriu i mirë. Filozofia e njeriut të mirë ishte te Dritëroi dhe është e nevojshme edhe sot. Më 27 nëntor 2005 ishim në një lokal në qendër të Tiranës, ku organizohej një festë në Ditën e Flamurit. Rastisa në një tryezë me Dritëroin.

Pasi pimë ndonjë gotë, nuk kishim ku të shkruanim dhe morëm ftesën e pjesëmarrjes, e cila ishte njëkohësisht dhe menyja, mezi gjetëm një stilolaps shumë të keq dhe Dritëroi më shkruan: O Xhevat, ti që je një njohës i shquar i gjuhës dhe një lëvrues i admirueshëm i stilistikës, e vure re si e këndonte orkestra këngën shumë të njohur në Minushes: Fjalët ‘qaje moj Minushe, qaje robërinë’ janë jashtë idesë dhe jashtë origjinalitetit të këngës. Kënga origjinale është: dy gërshet përmbi vetull, ç’ma mbaje shaminë, qaje moj Minushe, pse s’e qan të zinë. Po jo qaje robërinë. Është një mbishtresë, sepse çfarë ka robëria me një grua që i lutet fshati ta qajë burrin.
E ka firmosur, ishte i bindur që unë do ta ruaja. Siç e shihni është Dritëroi edhe në këto pak fjalë. Është i shqetësuar për shtrembërimin e kohës. Minushja s’ka kënduar as atëherë e as tani për robërinë.
S’kemi pse ta bëjmë patriote! Po e tregoj këtë, për t’ju thënë që ne kishim një lidhje të veçantë. Në Fakultetin Juridik kishte një degë të Gazetarisë dhe aty Dritëroi jepte një lëndë për gjuhën dhe stilin e shtypit dhe më vonë, kur unë fillova të shkruaja për stilistikën, Dritëroi kërkoi që ta jepja unë këtë lëndë. Isha pasues i tij në lëndën e stilistikës së gjuhës së shtypit.

Kjo është edhe arsyeja pse më drejtohet kështu. E quaj veten të nderuar që edhe në këtë fushë, që e quaj veten specialist, kam një damar të Dritëro Agollit. Po ju tregoj një rast tjetër. Ka qenë viti 1982 dhe më mori me vete në Devoll. Dy ditë rresht unë isha me të dhe ai shkonte te të gjithë; tek ata që i njihte ose nuk i njihte, për gëzime e hidhërime. Do ta pranoj që gjatë gjithë kohës kemi pirë bashkë, por unë nuk mund ta pasoja si për stilistikën Dritëronë, edhe në pije. Në fund të ditës së dytë, thirri shoferin dhe i tha: merre Xhevatin dhe çoje në Hotel Turizmin në Korçë, të flejë 24 orë se nuk mbahet më, kurse mua më lër të humbas në Devollin tim

Bisedonit për politikë me Dritëronë?
Nuk e di përse këta analistët ikin nga realiteti. Edhe nën regjimin diktatorial, ne kemi jetuar. Edhe nën atë regjim, njerëzit nuk e kanë parë jetën vetëm në përballje me diktaturën, sepse njerëzit njëlloj kanë dashur të rriten, të shkojnë në shkollë, të dashurojnë, të martohen, të bëjnë fëmijë, të realizojnë jetën e tyre. Unë nuk mund të rri pa përmendur edhe rastin e Ismailit. Si mendonin këta njerëz, që Ismaili duhet t’i kundërvihej diktaturës, të përfundonte në burg apo në Spaç dhe në këtë mënyrë ata ta quanin disident sot.

Ajo që është më e rënda dhe ne duhet ta pranojmë, është që këto lloj diktaturash, si ajo që instaloi Enver Hoxha te ne, janë shembur për arsye të thella, jo prej kundërvënies së disa njerëzve me parime demokrate. Diktatorë të këtij tipi nuk rrëzohen as nga shkrimtarët, as nga disidentët, as nga kundërshtarët politikë. Ky është një realitet i egër, i hidhur, që ndodh edhe me diktatorët e sotshëm. Siç e shihni, përdoret ndërhyrja e jashtme me raketa e avionët më modernë. Në këto rrethana nuk mund t’u hiqet e drejta njerëzve të jetojnë dhe të gëzojnë jetën, dhe të përfundojnë të gjithë në burg se është diktaturë.
Në këto rrethana, vetvetiu te ca njerëz krijohet një gjendje skizofrenie, njerëzit bëhen me dy fytyra, atë publike dhe atë profesionale, dhe kjo është normale në një shoqëri të sëmurë, siç është diktatura. Por, nga ana tjetër, ka njerëz që gjejnë forca brenda vetes, për të jetuar dhe në këto rrethana. Dhe kjo kërkon një filozofi jete.

Doni të thoni që Dritëroi iu përshtat politikës së kohës?
Filozofia e Dritëroit ishte që njeriu kështu është, me gjëra të këqija, që ai i ka thënë me një humor të jashtëzakonshëm e satirë, por te njeriu duhet të shohim edhe diçka të mirë. Kjo ishte politika e Dritëroit. Nëse do t’i referohemi letërsisë së realizmit socialist, e cila fliste për heroin pozitiv, Dritëroi sigurisht do të fliste për të, por ai nuk donte personazhin pozitiv, donte njeriun e mirë. Ai ka qenë pjesë përbërëse e ideologjisë së kohës, por jo pjesë e mekanizmit shtypës për ta deformuar njeriun.

Dritëroi mendonte realisht se mund të krijohet njeriu më i mirë dhe rolin më të madh e kishte letërsia dhe jo politika. Tek ai kanë bashkëjetuar edhe letërsia, edhe politika, por prapa saj ai ka qenë një bektashi ateist. Me këtë shpjegohet marrëdhënia e tij shumë e ngushtë me Naimin, me natyrën, me panteizmin. Ai donte të shihte kudo gjënë e mirë dhe kjo është mënyra se si ai ka shpëtuar nga kthetrat e ideologjisë, për të mbetur edhe sot një njeri me një filozofi të tijën, e cila do të dukej së jashtmi në pajtim me politikën e kohës, por tani mund ta shihni se ai ishte njeriu që sheh përtej, me një botëkuptim më të gjerë njerëzor dhe jo të ngushtë, sipas një ideologjie.

Për këtë arsye, edhe në kthesën e madhe që ndodhi, ai e ndjeu se këtu kishte ardhur koha që të mos ishte më njeriu skizofren me dy fytyra, por atë të mirë që e kishte mbajtur brenda edhe gjatë viteve të diktaturës mund ta shfaqte edhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ato forca që nuk donin që ajo diktaturë të likuidohej. Dhe në këto rrethana, ai ruajti ekuilibër me integritetin e tij. Dhe në këto ditë, të gjitha palët që janë kundërshtare të ashpra, megjithatë nuk mund të mos thoshin një fjalë të mirë për të, sepse ai vazhdon të mbetet edhe në politikën e sotme një figurë orientuese për këtë ekuilibër, për një Shqipëri më të mirë.

Këto ditë është rikthyer në vëmendje fakti që Dritëroi ka qenë veçanërisht i sulmuar në vitet ’90, nga kush?
Dritëroin do ta sulmonin detyrimisht ekstremistë të të dyja palëve, edhe ata që donin që diktatura të mos shembej, edhe ata që donin që bashkë me diktaturën të shembnin edhe Hidrocentralin e Fierzës, edhe Dritëro Agollin, edhe Ismail Kadarenë. Kjo është një mënyrë e ndryshme për ta parë botën edhe nga këta analistët, që çdo gjë e duan o të bardhë, o të zezë, o të kesh qenë në burg në kohën e diktaturës, o je pjesë e diktaturës.

Sulme të çfarë lloji?
Sulmet ishin gjithfarëshe, sepse kemi shtresa të ndryshme të shoqërisë, që mendojnë se mënyra e tyre për t’u dukur është agresioni kundër çdo gjëje dhe kryesisht atyre që janë në qendër të mendimit publik, që e dinë gjithashtu që këto figura kanë një të ardhme historike. Dhe nxitojnë që t’i gërmojnë e t’i shkatërrojnë sa më shpejt, me shpresë se mos gjejnë vendin e tyre, qoftë edhe duke u bërë militantë politikë.
Dhe në këtë drejtim Dritëroi është një shembull se si mund të kalohet në periudha të ndryshme të jetës, me kthesa, me përmbysje, me vështirësi, me kërcënime, por duhet diçka e brendshme, etike në shpirtin e njeriut, e cila edhe në përballje me të keqen, prapë nuk stepej. Figura si Dritëroi, me këtë lloj qëndrimi dhe gjykimi, janë në gjendje ta kapërcejnë këtë shtresë agresive, çka sot është thuajse e
pamundur.

Bisedonit asokohe për këtë situatë?
Kemi biseduar shpesh, madje kemi pirë edhe verë. Jo vetëm me Dritëroin, por edhe me Sabri Godon e të tjerë. Jam dëshmitar që Dritëroi nuk thoshte gjithë kohës partia, sistemi socialist, letërsia e realizmit socialist… Në bisedat e tij nuk ishin asnjëherë të pranishme këto gjëra. Ishte e pranishme jeta dhe njerëzit realë dhe mund ta them që mjaft njerëz, madje edhe me peshë, merreshin me thashetheme. Unë nuk e kam dëgjuar kurrë Dritëroin qoftë edhe një thashethem. Sa i takon letërsisë, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” do të mbetet kulmi i krijimtarisë së tij, një tekst që vetëm sot e
kuptojmë se sa i fuqishëm ishte… të godisje burokratët si

Dritëroi nuk ishte i thjeshtë, apo jo?
Jam i të njëjtit mendim me ju, por edhe në shkrimet e mia për letërsinë dëshiroj që të mos përqendrohem shumë në anën sociologjike dhe politike e veprës, por më shumë te vlerat e saj letrare, të cilat mbeten edhe kur njeriu mund të mos jetë dakord me pikëpamjet ideologjike që ka vepra. Dhe jam përpjekur ta them që nuk është e rëndësishme që Dritëroi sulmoi burokracinë, sepse këtë mund ta bënte kushdo dhe me fjalë të mëdha propagandistike, siç bëhej gjithandej, por këtë ai e bëri me letërsi, e bëri me art, me një humor të jashtëzakonshëm, që vazhdon të mbetet edhe sot. Mund të marr thënien më të shkurtër nga esetë e shokut Zylo, “Miq­fiq”. Vetëm Dritëroi mund ta bënte këtë. Por besoj se drejtuesit e kohës i trembeshin më shumë shkrimtarëve të talentuar, se atyre mediokër… Ka pasur edhe udhëheqës të kohës që kanë qenë kundër daljes së librit, sepse nuk e kanë quajtur libër të realizmit socialist, por kjo ka qenë mënyra përmes së cilës Dritëroi neve që e kuptonim se çfarë po bënte, të na rrëmbente dhe ta mbronim, pavar­ ësisht se çfarë thuhej kundër tij. Ju e vini theksin tek ata që e sulmonin, por të mos harrojmë që ka qenë edhe ajo anë që e donte, e mbështeste, duke ditur që ishte funksionar i lartë, por duke kuptuar që me njerëz të tillë ne mund të jetojmë, mund ta kapërcejmë edhe kohën e vështirë.

A ka pasur në atë kohë një rivalitet mes Kadaresë dhe Agollit se kush mbante kreun e letërsisë?
Sigurisht që ka pasur dhe është më se normale. Këtë gjë ne të gjithë e dinim. Dhe mund të thuhet se edhe në atë kohë ekzistonin palët në njërën anë dhe në anën tjetër, edhe nga shkrimtarë të njohur.
Problemi është si ta trajtojmë këtë dukuri. Sigurisht që janë çështje të rivalitetit në krijimtari. Kjo është një gjë njerë­ zore dhe aq më tepër, mund ta themi pa asnjë dyshim se ka qenë një epokë e presidiumeve dhe edhe në art e muzikë ishte problemi se kush ishte më i miri e më i pari.
Ishte një reflektim i drejtpërdrejtë i hierarkisë politike. Në qoftë se hierarkia politike e përqendronte çështjen se kush është i pari, kush është udhëheqësi, kush është Skënderbeu i ri, kjo gjë transmetohej në të gjitha qelizat e jetës politike, kulturore të Shqipërisë. Dhe njerëzit, në këtë prizëm, duke huazuar nga politika, përpiqeshin të zgjidhnin këtë dilemë kush ishte më i madh, Dritëroi apo Ismaili. Kjo mënyrë të arsyetuari nuk vlen fare për artet dhe letërsinë, sepse secili sjell botën e tij. Ky lloj arsyetimi është tërë­ sisht i gabuar edhe sot, mbështetur nga një frymë patriarkale, krahinore e prapambetur, e cila shkon deri atje sa të bëjë të njëjtën gjë: kush është poeti kombëtar,
Fishta apo Naimi? Unë them që këto gjëra edhe për Fishtën e Naimin, dhe Dritëronë e Ismailin duhen flakur tej. Madje, do t’ju kujtoja edhe debatin Qose–Kadare. Kam qëndruar pranë tyre, u njoh edhe të meta dhe po të kisha cinizmin, siç e shfaqi dikush këto ditë me fotografi, do të flisja për këto anë, por as kam folur e as do të flas për këto anë. Atëherë kam shkruar: për mua është fatkeqësi kur njerëzit e shquar të vendit hyjnë në një konflikt që merr përmasa publike, sepse në këtë konflikt përzihet kush të dojë. Dhe rezultati është që dalin në plan të parë të metat e këtyre njerëzve, kurse unë dua që në plan të parë të dalin vlerat e tyre. E them këtë, sepse sot ka njerëz që në mënyrë të papëlqyeshme duan të hedhin poshtë edhe Skënderbeun, edhe Ismail Qemalin, edhe Fan Nolin… Ne kemi nevojë për vlerat e këtyre njerëzve, çfarë kanë bërë për Shqipërinë me punën e tyre./panorama

“Mendohu Xhakomino” vihet në skenë, Ndrenika ngre sallën në këmbë

$
0
0

Mendohu Xhakomino. Ti e ke një familje. Çfarë përfitimi kam unë? Asnjë. Po të doni, iki që tani, por mendohu Xhakomino”. Robert Ndrenika ngre sallën në këmbë me rolin e tij si profesor Toti në pjesën “Mendohu Xhakomino”, shkruar nga Lugi Pirandello e përkthyer në shqip nga Amik Kasoruho. Interesi për shfaqjen ka bërë që biletat për këtë javë të shiten të gjitha që para premierës, ndërsa bileta ka ende për datat: 15, 16, 17, 18, 19 shkurt.

Një i moshuar në të 70-at, i dashur, human e i dhembsur merr në dorë fatin e një vajze duke e marrë në mbrojtje atë dhe të dashurin e saj, përkundër inatit të familjes e paragjykimeve të shoqërisë. Ndonëse bota, ah bota, ashtu si te “Përrallë nga e kaluara” dëgjohet të pëshpëritë deri në ulërimë, jashtë dyerve të apartamenteve ku jetojnë familjet e vëna në qendër të pjesës. Një foshnjë vihet në mes qëndrimeve të shoqërisë, dy të rinjve të dashuruar e të pafuqishëm dhe familjeve që refuzojnë të pranojnë të rinjtë.

Është Profesor Toti që jo vetëm bëhet strehë, por edhe baba, për ata që familja i braktis për hir të opinionit. Në rrekje për të rregulluar jetë të mbërthyera pas moralit të shoqërisë, herë me qetësinë e herë me nervin e një të moshuari që ka shkuar një jetë vetëm, Ndrenika udhëheq në skenë aktorët e tjerë: Amri Hasanlliu, Paola Kodra, Arben Derhemi, Marjana Kondi, Klodjana Keco, Redjan Mulla, Alert Çeloaliaj, Merita Dabulla, në një shfaqje që shkon më shumë se një orë. Paçka disa momenteve që të sjellin ndërmend “Pallatin 176” apo “Përrallë nga e kaluara”, shfaqja ka risitë dhe karakteret e veta, mes të cilëve nuk mungon as kleri, që në disa raste në rrekje për të shërbyer, keqshërben.

“Mendohu Xhakomino”, shfaqja më e re në Teatrin e Metropolit, shënoi ngjitjen e parë në skenë, nën regjinë e Milto Kutalit. Profesor Toti mishërohet nga Robert Ndrenika, i cili e mban mirë peshën e rolit, nga skena e parë në shkollë, te skena në shtëpinë e tij, apo ajo në shtëpinë e Xhakominos. Në fakt, Ndrenika mban mirë peshën e të gjithë shfaqjes, e cila i vë mbi shpatulla jo vetëm barrën e personazhit kryesor, por edhe të vëmendjes më të madhe, për vetë atë që përbën Robdert Ndrenika për artin shqiptar. Në role të tjera janë Marjana Kondi, nëna e vajzës e cila e ka veshur mirë karakterin e saj, ndërkaq spikat drejtori i shkollës Alert Çeloaliaj, babai i vajzës – Ben Derhemi, shërbërtorja Filomena, Xhakomino që do t’i duhej të mendohej dhe Lilianës, vajzës së re që bëhet nënë shumë shpejt.

Dasia e dallimi mes brezit të ri e të vjetër të aktorëve vihet re në secilën skenë, e jo vetëm në plastikë.Në qendër të veprës “Mendohu Xhakomino” është profesor Toti (Robert Ndrenika), një burrë rreth të 70-ve, i cili nuk ka krijuar familje, është human dhe sakrifikon veten për gjeneratën e re. Ai bën një martesë fiktive me Liljanën (Paola Kodra), (vajzën e rojës së shkollës (Arben Derhemi), e cila ka mbetur shtatzënë me Xhakominon (Amri Hasanlliu), një nga ish-studentët e preferuar të profesor Totit.

Këtë akt human të profesor Totit nuk mund ta pranojë dhe ta kuptojë opinioni i gjerë duke filluar nga: drejtori i gjimnazit (Alert Çeloaliaj), prindërit e Liljanës (Marjana Kondi dhe Arben Derhemi), motra e Xhakominos (Klodjana Keco), si dhe kisha e përfaqësuar prej At Landolino (Redjan Mulla), madje dhe vetë Xhakomino nuk arrin të kuptojë altruizmin e Totit. Profesori me durim dhe përkushtim u kundërvihet të gjithëve, pasi me të është e drejta humane. “Kjo sipërmarrje e profesor Totit, që është kryeprotagonisti i veprës ka disa ngacmime nga opinioni publik, nga ekzekutivi lokal, pasi nuk janë kaq të ndjeshëm sa ai për t’u shërbyer gjeneratave. Mua më duket që është një nga shembujt më sinjifikativë që njerëzit duhet ta duan dhe duhet të bëjnë sa të kenë mundësi”, thotë Kutali./ GSh

Hapet Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin – Berlinale 67

$
0
0

Gati 400 filma konkurrojnë në Festivalin më të madh gjerman të Filmit, Berlinale, për trofenë “Ariu i Artë”. Por edhe seksionë të tjerë të festivalit kanë një ofertë të pasur.

Berlinalja e 67-të zhvillohet nga 9 deri më 19 shkurt. Sipari hapet me debutimin e regjisorit francez Etienne Comar me një film për historinë e muzikantit të njohur të Jazz-dhe Swing Django Reinhardt.

Berlinale 2017 Eröffnungsfilm Django von Etienne Comar (picture alliance/dpa/R. Arpajou/)Filmi “Django”

Filmi me titullin “Django” është një biografi e muzikantit të njohur, i cili i përkiste grupit të popullsisë sinti dhe roma. Ai ishte një yll në kohën kur Parisi ishte pushtuar nga nazistët. Pikërisht këtë periudhë ka fiskuar regjisori i ri Etienne Comar në filmin e tij. Kësisoj sivjet Berlinalja hapet me një film edhe argëtues – me muzikë – por që i kushtohet një teme mjaft serioze me sfond historiko-politik. Sivjet konkurrojnë gjithsej 18 filma për çmimin “Ariu i Artë”, ndër to bëjnë pjesë edhe tre filma gjermanë.

Filmstill Berlinale Special - Der junge Karl Marx (Kris Dewitte )Filmi “I riu Karl Marx”

100 vjet Revolucioni i Tetorit në Rusi

Disa filma në Berlinale shfaqen jashtë seksioneve tradicionale të festivalit, pra në seksionin “Berlinale Special”. Ndër këto premiera bën pjesë edhe filmi “I riu Karl Marks” me regji të Raoul Peck, i lindur në Haiti.

Por një forum i posaҁëm u kushtohet në Berlinale edhe artistëve të rinj, të cilët gjatë ditëve të festivalit kanë mundësi të shkëmbejnë mendime dhe ide me kineastë me përvojë nga bota e madhe e filmit. Tema diskutimi janë ndër të tjera: si mund të komportohet individi në botën që e rrethon dhe si mund të vihen në jetë idetë përmes kameras?

Dritëroi, gjeniu popullor që lëshon dritë edhe post mortum

$
0
0

Prof. Dr. Ago Nezha/Para pak ditësh u përcoll për në banesën e fundit gjeniu popullor Dritëro Agolli,me pjesëmarrien e një lumi njerëzish nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Maqedonisë e Malit të Zi dhe të ardhur nga diaspora enkas për këtë ceremoni mortore të veçantë. Nuk munguan edhe personalitete më të larta të Parlamentit, qeverisë dhe institucioneve qendrore dhe lokale. Banesa e tij ku prehet përfundimisht ndoshta nuk do ishte te varrezat publike në periferi të Tiranës, por në një vend me personalitete kombëtare ku kanë mundësi vizitor vendas dhe të huaj ta vizitojnë sipas rastit. Ky është një problem që duhet ta gjykojnë dhe ta zgjidhin instancat e larta shtetërore.

Personalitete të tilla, që  në imazhin popullor janë ikona të mençurisë, modestisë, madhështisë, patriotizmës dhe atdhedashurisë, siç ishte shkrimtari i shquar i letrave shqipe Dritëro Agolli, vijnë rrallë në një truall, sado pjellor që të jetë ai. Vlerësimet për Dritëroin, ishin maksimale nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare dhe më gjerë, nga njerëz të thjeshtë, ku mëndjet dhe zemrat popullore,  ashtu natyrshëm, pa qëndisje e stisje letrare, e deri te personalitete të shquara të letrave shqipe si akademiku kosovar Rexhep Qosja e deri te shkrimtari i madh Ismail Kadare. Madhështia e njeriut, qëndron te imazhi popullor, jo vetëm te veprat e tij, por edhe te figura, personaliteti, integriteti, dinjiteti njerëzor, afria me njerëzit e thjeshtë, etj.

Nuk kam ndeshur qoftë edhe një njeri, që ka takuar Dritëro Agollin dhe të mos ketë përjetuar emocione, mbresa të bukura, kujtime të këndshme, mësime të vyera,që kanë ngelur të pashlyera në ndërgjegjen e vet. Imazhi i njerëzve të mëdhenj të tundon, por edhe të mundon psikologjikisht, se si do mund të komunikosh e bisedosh duke qëndruar në lartësi  të pabarabarta, me diferenca të mëdha kulturore, krijuese, por edhe moshore. Kur kërkon të ngjitesh një mali të lartë, krahas kuriozitetit, ke edhe sikletin se si do arrish deri në majë të tij. Shpesh herë njeriu, djersitet jo vetëm nga vapa e nxehtë e korrikut, por edhe nga  sikleti kur ndodhet para figurave të shquara të Kombit. Këtë ankth të pazakontë,  e rrëzonte madhështia e dritës që lëshonte gjatë bisedës, i madhi Dritëro Agolli. Me madhështinë e tij, që shkrihej si një copëz akulli nga ngrohtësia e bisedës, me modestinë, mençurinë dhe mirësinë që e karakterizonte, ai përcillte afri ndaj kujtdo që i rrinte pranë, pa e kuptuar, shumë shpejt ndiheshe si i barabartë me këtë gjeni të letrave shqipe dhe të mendimit të mençur popullor. Ndaj, Atë, e donin shumë njerëzit e të gjitha shtresave dhe krahinave të Shqipërisë.  Intelektualët dhe fshatarët, labërit dhe malësorët,korçarët dhe shkodranët, myzeqarët dhe kosovarët, nga të gjitha trevat shqipfolëse. Siç shkruante vetë Dritëroi: “ ai thotë se unë e mbaj shpirtin gjallë me dashurinë e njerëzve . Unë kam miq vazhdon ai, që më vijnë në shtëpi  e nuk më lenë të mërzitem, sepse sjellin me vete  ndonjëherë edhe ndonjë shishe me raki. Bashkëbisedojmë për gjëra të ndryshme, e kështu kalon koha”.

Shtëpia e Dritëroit, gjithmonë ka qenë me dyer të hapura, muze familjar, që vizitohet në çdo kohë të ditës, dhe nga të gjitha shtresat dhe rrymat, të majtë e të djathtë. Aty hynin e dilnin çdo ditë me dhe pa orar, intelektual e fshatar, jugor e verior, pa dallime politike e krahinore. Më ka rënë rasti të jem për vizitë disa herë në shtëpinë e Dritëroit, e kam pirë për kënaqësi  edhe ndonjë gotë raki  me të, që na e serviste znj. Sadije, por për aq pak kohë sa kam qëndruar, kam parë që nuk pushonin së ardhuri miq e dashamirës, jo vetëm me raste përvjetorësh por edhe në ditë të zakonshme, normale. Aty kam takuar të ndierin Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin, Moikom Zeqon  e plot të tjerë.  Vizitorët te Dritëroi, s’kanë pasur kurrë gjeografi e as kufi.E kjo dukuri,  ishte një nga cilësitë e tija të veçanta, që ja ka rritur madhështinë dhe e ka bërë atë të dallueshëm nga të tjerët.

Kur themi se shtëpia e Dritëroit,  ishte një  shtëpi e hapur për të gjithë, aty gjeje  një muze mendimesh,kujtimesh, historish,  kulture e idesh.  Aty, gërshetoheshin, mençuria popullore, me traditën dhe eksperiencën jetësore. Siç thotë Sami Frashëri: “ Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është eksperienca”.  Dhe eksperiencën njerëzore, popullore, kulturore, politike e demokratike, i gjeje të qëndisura e të shprehura me urtësinë e “biblës” te fjala dhe veprat e tija kolor. Burimin popullor, këtë pasuri shoqërore të pamat,me mjeshtërinë e penës së tij, kurrkush më shumë e më mirë nga shkrimtarët shqiptarë, nuk ka ditur ta vjelë e ta ngrejë  në art,  si Dritëro Agolli. E kjo cilësi, vjen nga mençuria, tradita, dhe thjeshtësia që e karakterizonte këtë model të shqiptarizmës. Ka shumë shkrimtarë të shquar, por veprat e tyre janë mbyllur në kullën e fildishtë  dhe nuk komunikojnë me masën e gjerë popullore, me njerëzit e thjeshtë, që përbëjnë shumicën e popullsisë. Rrallëkujt mund ti ndodhë që ti ketë të gërshetuara kaq ngushtësisht madhështinë me modestinë, si dy binjake duke sfiduar mendjemadhësinë, krenarinë, megalomaninë, që pjell në shumicën e rasteve të qenit personalitet i shquar. Shumë njerëz të mëdhenj, qofshin këta shkrimtarë apo shkencëtarë, e kanë të vështirë të afrohen me njerëzit e thjeshtë, të bisedojnë në ambiente sociale, pa folur më që s’bëhet fjalë e as pretendohet që tu shkohet për vizitë në shtëpi,që është një mjedis intim, familjar.

Afria e Dritëroit me njerëz të gjithë shtresave, ka bërë që  fjala e tij, të kishte një muzikalitet të veçantë, me karakter popullor, që lexohej e kuptohej nga masa e gjerë e lexuesve. Vargu poetik, në të gjitha vëllimet e tij të shumta, rrjedh si  uji i kristaltë nga bjeshkët që s’ngopesh kurrë duke  pirë. Kur lexon poezinë e Dritëroit, ndiesh në një lëndinë në stinën e Pranverës që lodrojnë shqerrat, lulëzojnë lule delet dhe gurgullojnë burimet e kristalta të bjeshkëve. Ato janë të pasura me nektarin popullor, me një varg melodioz dhe lëngëzim, që të shtojnë oreksin ti kesh gjithmonë pranë.  Dashurinë e poetit për Shqipërinë,  e gjen të shprehur në gjithë veprat e tij poetike, por maja e këtij motivi, është hedhur në vargje te poema “Nënë Shqipëri”.  Sa aktuale tingëllojnë edhe sot vargjet: “Lërmë të bie në prehrin tënd të ngrohtë, o hallemadhja ime shekullore! “ E Shqipëria, kjo hallemadhja e përjetshme edhe sot lëngon nga hallet, varfëria, korrupsioni, prostitucioni dhe siç po duket horizonti politik, me dhimbje e themi, por ajo s’ka për tu shëruar kurrë.    Ndërsa dashurinë për vendlindjen, e gjen të qëndisur si një nuse të bukur te poema “Devoll-Devoll”.

“Po, Devoll, i tillë qenkam unë, Paskam marrë baltën tënde arave, Në një trastë leshi nën gunë, Për t’ia sjellë, Lidhjes së Shkrimtarëve”… Ky lirizëm romantik shpaloset edhe te poema “Baballarët”.”Nga shpate ngjiti e nga shpatet zbrisni, Të hollë si kosorë e jataganë”…

 Aty, vargjet  derdhen si gruri në lëmë , që kur i “mbledh” e i lexon,  të ngjallin nostalgji.   Këto vargje flasin për origjinalitetin, tabanin popullor, për natyralizmin, për bukurinë dhe thjeshtësinë e fjalës. Vepër pas vepre, hap pas hapi, në krijimtarinë e tij,ai është i veçantë. Dritëroi i ka përcjell  mendimet e kohës me nervin e tyre origjinal. Te vëllimi poetik “ Lypësi i kohës”, shkruan: “Në vendin tim, e në vendin tënd, një kokë e çmendur një vend e çmënd”. E gjithë vepra, pa folur për vargjet që cituam më sipër, është një refleksion i situatës kritike që kalon vendi. Por në veprat e tija poetike, nuk kanë munguar të përcillen edhe poezitë romantike për fshatin, parmendën, rrushin dhe rakinë, “dy miq” të ngushtë të jetës së tij të trazuar, që si ka tradhtuar kurrë, për asnjë rast, as në rini e as në pleqëri. Ai tërë jetën e tij, është karakterizuar sa nga humanizmi aq edhe nga sentimentalizmi, qytetaria dhe guximi i Devolliut. Në krijimtarinë e tij të pasur, stigmatizon fenomenet më evidente të jetës, si gëzimet, ashtu dhe hidhërimet, të cilat na i përcjell si bashkudhëtare të njeriut, duke i përshkruar në thellësinë e origjinalitetit të tyre. Në veprat e Dritëro Agollit, e sheh realitetin si në pasqyrë. Jeta aty na vjen e gjallë, konkrete, reale, pa artifice. Është besnik i pa epur i gjithë vlerave njerëzore. Njëkohësisht është besnik edhe i gjithë realiteteve kohore. Nuk ka ditur të stisë, të kamufloi, të zmadhojë e hiperbolizojë. Për çdo ngjarje, fenomen apo dukuri, ai ka folur me emrin e vërtet. Me gjithë kufizimet që kishte në kohën e monizmit,  përsëri ai nuk ka ndenjur duar kryq, pa fishkëlluar fenomenet frenuese të shoqërisë,  si burokratizmin, paaftësinë degjenerimin e pushtetit etj. Për këtë këndvështrim, megjithë autoritetin që gëzonte në sferat e larta të shoqërisë e të pushtetit,  nuk shpëtoi dot pa ju ndaluar botimet në prozë e në poezi, si “Zhurma e Erërave të Dikurshme”, dhe nuk kaloi pa kritika dhe  romani satirik “ Shkëlqimi dhe rënia e zotit Zylo “.

Profili i Dritëroit, ka treguar bukur se gjatë gjithë lakadredhave të  jetës së tij, ai gjithmonë ka qenë vetvetja.  Jeta është një teatër ku vërtiten të mirët me të këqijtë, të ndershmit me imoralët, të vërtetët me gënjeshtarët, të mençurit me budallenjtë, të shëndoshët me invalidët, ziliqarët e maskarenjtë, me altruistët e rralluar në pyllin e demokracisë.  Në këtë teatër njerëzor, Dritëroi gjatë gjithë jetës së tij është ndodhur në llogoren e njerëzve me fytyrë njerëzore. Ai, i ka urryer bëmakeqasit e shoqërisë shqiptare, në çdo situatë e sistem shoqëror, si në monizëm ashtu dhe në demokraci. Vazhdimisht ka qenë me divizën e Sokratit të lashtësisë, që Dritëroi,  e donte dhe e citonte shpesh herë në intervista televizive apo gazeta, kur  me modestin e tij thoshte: “se unë di një gjë që s’di asgjë”. Kur e pyetën Sokratin kë urren më shumë? Ai u përgjigj:” ndër kafshët e buta servilin, ndër kafshët e egra shpifësin”.  Dhe këto simbole të ligësisë që lëvrijnë dhe sot në mjedisin shqiptar, Dritëroi i ka urryer gjatë gjithë veprimtarisë së tij.  Gjatë gjithë jetës së tij, ai është munduar që helmin e thumbimit të ndonjë “arrëze” pickuese të sistemit, ta shëroj me ëmbëlsinë e mjaltit që  ka prodhuar karakteri i vet brilant, në të gjitha pozicionet e larta shtetërore dhe shoqërore që ka kaluar. Dihet dhe është nder që Dritëroi ka qenë një personazh i rëndësishëm në të dy kohët, në monizëm dhe në demokraci. Njihet jo  vetëm si një gazetar dhe shkrimtar i talentuar, por edhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe deputet në disa legjislatura në monizëm dhe në demokraci. Në të gjitha pozicionet që e ka vendosur jeta, me karakterin e tij liberal dhe social, në rastet me dilema të diskutueshme, ka ruajtur ekuilibrin mes palëve, duke krijuar një klimë sa më të shëndetshme, për individ dhe kolektivin e institucionit që ka drejtuar. Ky qëndrim, e ka bërë atë që të kujtohet nga bashkëpunëtorët e tij me dashuri e respekt, që ruhet në ndërgjegjen e të gjithë brezave dhe që do të ruhet edhe tani që s’jeton më. Altruizmi i tij nuk ka njohur kufijtë e nepotizmit, militantizmit, klientelizmit dhe krahinalizmit, por është gjendur për ata njerëz që ju privohesh një e drejtë, ose denigroheshin për motive politike. Dritëroi, ka qenë gjithmonë vetvetja, nuk ka qenë kurrë koniunktural. Në të gjitha situatat politike, ai ka qenë gjithmonë barometër i ekuilibrave midis forcave opozitare.  Ishte ai që qetësonte situatën, edhe në ato raste kur ngrihej temperatura dhe pika e vlimit shkonte deri në shpërthimin e kapakut të “tenxheres” së Parlamentit. Ai, ka qenë kritik jo vetëm ndaj kundërshtarit politik, por edhe brenda familjes së vet politike, kur ka pasur përplasje për motive meskine apo interesa të ngushta primitive. Janë të shumta rastet,  kur Dritëroi ka rregulluar klimën e acartë midis dy kampeve opozitare. Këtë situatë e kemi përjetuar nëpërmjet, medies kur ka pasur përplasje të panevojshme pozitë –opozitë. Edhe në momentet më nevralgjike për çështje madhore të vendit, siç ishte rasti i Ligjit 7501 për pronat, Dritëro Agolli, ka votuar kundër këtij ligji vrastar, që e mban Shqipërinë peng prej 26 vjetësh dhe që e ka zënë rob përjetësisht. Mjafton të sjellë në vëmendje të lexuesit një episod në Parlamentin Shqiptar, në dialogun e Dritëroit, me ish nën/kryetarin e Parlamentit  Namik Dokle, përfaqësues i Partisë Socialiste. Kur e pa që Dritëroi votoi kundër këtij ligji, Namiku i tha: se ky veprim del jashtë programit të Partisë, për më tepër që ti je dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Po, ja priti plaku i mençur, “ ke të drejtë”, është e vërtet kjo që thua ti, po bjena socializmin se votoj unë pro, tashti po votojmë për kapitalizmin. Në sistemin që po ndërtojmë, nuk ka kuptim që tokën dhe pronën time që e kam trashëguar në breza, ta marrë tjetri  që s’ka asnjë lidhje me të. Sigurisht, që ai ligj makabër, triumfoi se njerëzit e shpellave dhe kasolleve me kashtë që e kishin pushtuar “kështjellën” e parlamentit, ju shkonte për shtat, ai ligj vrastar. Kontributi dhe qëndrimi i Dritëro Agollit, ka qenë gjithmonë në poligonin e së vërtetës. Edhe në vitet e demokracisë, ai  nuk zgjodhi rrugën e migrimit për të siguruar qetësinë personale,  por  qëndroi në llogoren e luftës për të vendosur rendin e ri demokratik. Pavarësisht infeksioneve të rënda që kanë prekur demokracinë në Shqipëri,  fjala e Dritëroit, ka qenë ilaçi për të shëruar plagët e infeksionin që ka prodhuar politika në këto 26 vjet.

Dritëro Agolli, për kontributin e tij të shquar mban tituj e medalje të shumta,që nga më i larti “Nderi i Kombit”.

Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë Dritëroi,ka vlerësuar lartë mësimet që ka marrë në shkollën e mesme në Gjirokastër duke u njohur me traditat dhe zakonet e Labërisë dhe siç është shprehur ai, se po të mos kisha qenë në Labëri, s’do isha ky shkrimtar që jam sot.  Këtë konsideratë për trevën e Labërisë, Shoqata kulturore Atdhetare Labëria ”Nderi i Kombit”, ja ka shpërblyer duke e  vlerësuar me Titullin  “Mirënjohje e Labërisë” ,titull ky, më i larti që ajo jep për njerëz të shquar, që kanë afeksion  e kontribut për Labërinë dhe që kanë marrë pjesë në veprimtaritë e saj.

Dritëroi i madh, mbetet si një shëmbull i veçantë në sjelljen e tij ndaj të rinjve, që tregonte një vëmendje, përkushtim dhe dashuri  pa kufi, vetëm e vetëm ti ndihmonte pa kufizime e preferenca, për të çarë në labirintet e krijimtarisë.

 Kam shumë kujtime personale nga mëndja dhe dora e Dritëroit, që i ruaj si relike të çmuara. Në bibliotekën time, kam shumë libra të dhuruara me autografin e tij. Në një rast, që Dritëroi ishte për vizitë së bashku me Saden në shtëpinë time, pa në raftet e bibliotekës edhe poezitë e Robër Bërnsit, që i kishte përkthyer vetë. E di ç’më ka ndodhur më tha ai, unë s’kam asnjë kopje të këtij libri se mi kanë marrë pa më pyetur. I thashë se më duket kam dy kopje( mbasi unë kisha një zakon që librat që më pëlqenin shumë blija nga dy kopje). Kështu ndodhi, e gjeta kopjen e dytë, dhe ja çova në shtëpi. S’vonoi shumë dhe një ditë prej ditëve, më merr në telefon dhe më thotë: “ Ago, hajde në shtëpi tek unë se ka pjellë Bërnsi”. Ai kishte përkthyer edhe shumë poezi të tjera dhe kishte botuar një vëllim tepër voluminoz që ma dhuroi si gjithmonë me autografin e tij. Thjeshtësia e këtij lideri të letrave Shqipe, shkon edhe më tej. Ai nuk ka përtuar të inkurajoi krijuesit e rinj, qoftë edhe fëmijë. Këtë fat e ka pasur edhe vajza ime, Isida, që në librin e saj të parë “Dallgët e shpirtit”, i ka shkruar këto rreshta: “Isidës, i uroj udhë të mbarë në rrugën e poezisë, që është një rrugë e gjatë pa asfalt, me gurë që të vrasin këmbët dhe gjemba që të shpojnë e të çjerrin, por është shumë e bukur, pasi duke udhëtuar do arrish në lëndinën e luleshqerrave, manushaqeve dhe trëndafilave, atje ku fryn një erë e mirë”.

Udhë të mbarë !  Dritëro Agolli ( firma).

Këtë altruizëm e madhështi, që shkrihet në thjeshtësi, te rrallëkush mund ta gjesh. Me mençurinë dhe qetësinë që e karakterizonte, ai dinte të zbriste në tapetin e psikologjisë së fëmijës, që me urimin e tij, e inkurajonte, këshillonte dhe rriste besimin te krijuesit e rinj. Këtë gatishmëri,  e kam përjetuar vetë në fillimet e mia letrare, ku vëllimin e parë me poezi “Lot në sytë e detit “ botuar në vitin 1999, kam fatin që recensën dhe parathënien e ka shkruar i madhi Dritëro Agolli.

Dritëroi, ngrysi një pleqëri të bardhë e të begatë, duke pasur në vatrën familjare të shëndetshme,në krah Sadien, i rrethuar nga fëmijët vajza  Elona dhe djali Artani, si dhe  nipër e mbesa, si Ana dhe Lueli, që i gjen të vendosur si gurë xhevahiri në poezitë e gjyshit të vet.  Ata i falnin gjyshit frymëzim e gëzim dhe ai u jepte atyre përkëdheli, lumturi e krenari, që do ti kenë si hajmali gjatë gjithë jetës së tyre.

 Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë. Jeta dhe vepra e Dritëro Agollit, do të ndriçojë e frymëzoi breza të tërë në rrugën e tyre të jetës.

Lamtumirë i Madhi Dritëro Agolli, u prefshë në paqe përjetësisht.


Kantautori shqiptar fiton çmimin “Cover 2017” në Sanremo

$
0
0

Kantautori shqiptar, Ermal Meta, fitoi çmimin “Cover 2017” në Festivalin e Muzikës Italiane “Sanremo 2017”.

Mbrëmë në natën e 3 të këtij Festivali, këngëtarët që garojnë në kategorinë “Kampioni” kanë performuar me këngët më të suksesshme ndër vite të muzikës italiane.

Kantautori shqiptar, Ermal Meta, zgjodhi këngën e të madhit Domenico Modugno “Amara terra mia” kënduar më vitin 1971.

Me një tekst mjaft prekës e melodi melankolike , kjo këngë trajton temën e emigracionit dhe rrëfen momentin e largimit nga toka e origjinës “tashmë e pa shpresë” nën vargjet “lamtumirë, lamtumirë  e dashur, unë po iki, toka ime e hidhur, e hidhur dhe e bukur.”

“E zgjodha këtë këngë, pasi jo vetëm është e mrekullueshme”, u shpreh në konferencën e  shtypit Ermal Meta, por dhe sepse sipas meje prezanton në mënyrë perfekte gjëndjen aktuale së Italisë sot.”

Në mbrëmjen “Cover” të Sanremos u renditën në vend të dytë këngëtarja Paola Turci, e në vend të tretë këngëtari Marco Masini. U eleminuan nga gara këngëtarët Nesli e Alice Paba dhe Raige e Giulia Nuzi.

Sot do të zhvillohet nata e gjysëmfinales. 20 këngëtarë të mbetur në garë do të gjykohen nga televotimit i publikut, nga votimi i jurisë së ekspertëve e nga juria e opinionit (juri kjo e përbërë nga seleksionimi i 300 personave të apasionuar pas muzikës).

E prej tyre vetëm 16 këngëtarë do të vazhdojnë garën për në natën finale të “Sanremos 2017”.


/Oranews

Ju tregoj misteret e jetës si Mis, arkitekte dhe tashmë si aktore

$
0
0

INTERVISTA/ Flet ish-Mis Albania, arkitektja dhe aktorja Egla Harxhi: Parisi ka simbolizuar epokat e mëdha që kanë shkundur themelet e botës

Ju tregoj misteret e jetës si Mis, arkitekte dhe tashmë si aktore

Albert Z. ZHOLI

Një vajzë e bukur, elegante, e zgjuar, plot humor dhe që flet me një gjuhë të bukur letrare. Biseda me të është e këndshme, pasi dhe pse e re në moshë ajo ka një pjekuri për ta pasur zili dhe eksperienca pune të lavdërueshme. Konkurroi për “Mis Albania” fare rastësisht por e fitoi atë bindshëm. Studioi për arkitekturë duke ecur në rrugën e prindërve, por më pas, filloi studimet për aktrim në Francë dhe tashmë është kërkuar për të luajtur disa filma. Jeta e saj është sa interesante po aq dhe e vështirë, pasi ajo në jetë kërkon të vështirën dhe jo limonadën.

 Në moshën 15-vjeç jeni shpallur Miss Albania, kush ishte nxitës për të marrë pjesë në këtë konkurs bukurie? Flitet para 10-vjetëve dhe ishte një nismë që donte dhe kurajë?

Në fakt nuk kisha asnjë plan për të marrë pjesë në Miss Albania  2006. Pra as prindërit dhe askush tjetër nuk ishin iniciatorë për të hyrë në këtë konkurs.  Isha vetëm 15-vjeç dhe nuk e çoja në mend këtë ndërmarrje. Por ja një ditë isha në një bar me një shoqen time dhe një nga agjentët  e Vera Grabockës, kalon atu dhe na shikon. Afrohet dhe na thotë, vajza keni qejf të merrni pjesë tek “Miss Albania”?  Unë deri atë moment isha e fokusuar tek edukimi dhe mësimet.  Isha edukuar me frymën  për tu bërë dikush në jetë. Isha e lindur mes librave, isha e lidhur shumë me to, isha e lidhur me kinematografinë dhe me muzikën më të bukur botërore. Bota e miseve në atë kohë nuk ishte tek unë. Në momentin që agjenti na pyeti, ne meqë ishim në pushimet e verës, menduam të shkonim. Nëse do isha vetëm nuk e di nëse do të vendosja të shkoja apo jo. Pra shkuam të dyja dhe kurrë nuk e prisja dhe kurrë nuk e mendoja se do të fitoja. Në fillim e morëm si një aventurë të bukur që më pas u kthye në një eksperiencë pot ë bukur.  Pra u gjenda mes një  fitoreje të pamenduar dhe të pa ideuar seriozisht.

Kush ishte i pari që të përgëzoj për fitoren?

I pari ishte babi, Ilir Harxhi, i cili u ngjit në skenë.  Më përqafoi dhe më uroi.

Po pas kurorëzimit, a e quajte diçka të madhe ndryshe nga fillimi?

Po. Duke parë vlerësimet dhe interesimin e publikut, titullin e vlerësova jashtë mase më pas. Ndërsa prindërit e vlerësuan jashtë mase. Madje ata ishin shumë të entuziazmuar pasi kishin parasysh moshën e re  dhe si erdhi në mënyrë të papritur. Ishte një eksperiencë që tani e kujtoj me nostalgji.

Sa kohë i përjetove këto emocione?

Normalisht muajt e parë ishin ato që kjo situatë ishte pranë meje.  Për muaj të tërë jetoja me statusin e Misit pasi njerëzit nuk më thërrisnin më Egla por Misi, Misi. Ndjeja dhe kënaqësi pse ta fsheh.  Kjo fitore bëri dhe atë që të përjetoj një lloj mbylljeje në vetvete dhe për këtë arsye  u shkëputa nga Shou-Bizi për një kohë shumë të gjatë.

 -Pra për gati 8 vjet ndenja larg eventeve të tilla. Nuk more pjesë askund?

Mora pjesë në Mis Wollding që ishte një  eksperiencë tjetër në Johanesburg, (Afrika e Jugut) ku ndenja një muaj. Pastaj kam pasur gjëra të tjera, eksperienca  të tjera në këtë fushë si sfilata në Dubai, imazhi Eagle-mobile për një vit në Tiranë. Kur je në atë moshë nuk e mendon mirë se si duhet ta menaxhosh suksesin. Kur je një person publik duhet gjithmonë të kesh diçka për të thënë. Unë në momentin që nuk kisha rrija larg gazetarëve, studiove dhe paparacëve. . Pra nuk mund të dalësh ën publik pa pasur substancën brenda, pa pasur idetë,  pa pasur pjesën  e brendshme që të thuash diçka të re, që do ndryshoj shoqërinë  apo do jap diçka  për shoqërinë. Në atë moshë kur ti je ende në formim dhe në evoluim, është shumë e vështirë që ti të dalësh dhe të japësh mendim për gjërat  apo të shprehesh për gjëra të mëdha.

Pra ishte kjo stepje që të bëri të largohesh nga arti dhe të merresh me arkitekturë? Pse vendose të studiosh pikërisht për arkitekturë, ishte shtysë e brendshme apo shtysë e prindërve që merren me këtë profesion?

Po, ndaj vendosa, të largoja këtë stepje. Prindërit nuk mu imponuan, pasi më kanë dhënë mundësinë e zgjedhjes. Pra ishte zgjedhje personale. Mendimin dhe dëshirën ua shpreha prindërve dhe ata më miratuan dëshirën.

Çfarë shikoje tek arkitektura?

Mund të them se eksperienca familjare në këtë fushë ka ndikuar indirekt. Unë qëndroja vazhdimisht pranë mamit dhe shikoja se si funksiononte ky profesion dhe them se kishte filluar të më pëlqente. Ishte një disiplinë interesante që pa ditur po më pëlqente çdo ditë dhe më tepër. Kështu më pëlqeu më vonë edhe filmi duke qëndruar pranë babit dhe duke parë mirë se si ai realizonte filma si regjisorë apo bënte dhe  prova me aktorë. Zgjedhja e arkitekturës ka ardhur si një dëshirë për të bërë diçka më të madhe më me gjurmë, pasi me Sho-Bizin tashmë nuk kisha më punë. Pra nuk më pëlqente më tërheqja e vëmendjes ndaj kërkoja një diçka që të investoja fuqishëm si një intelektuale e formuar. Arkitektura në fakt është një disiplinë që përfshin shumë disiplina.

Konkretisht?

Arkitektura është një disiplinë shumë komplekse. Çdo gjë që jetojmë dhe ku lëvizim është arkitekturë në vetvete dhe duke qenë se është pjesë e të jetuarit përfshin shumë element Brenda, përfshin shumë shkenca dhe art.  Në pjesën artistike përfshin estetikën,  përfshin të gjitha ligjet e fizikës, përfshin sociologjinë (sepse jep impakt shumë të madh ën shoqëri). Duhet të  kuptosh që në të njëjtën kohë ka një sens filozofik brenda, filozofia e hapësirës që na vjen që nga Hegeli, Kanti,  që kanë folur mbi marrëdhëniet e njeriut me hapësirën. Pra hapësira ku ne jetojmë (që është arkitektura) është një projeksion e ekzistencës së njeriut.

Çfarë të ka dhënë arkitektura?

Më ka dhënë  një strukturë punë dhe disiplinë pune shumë të madhe. Kam 5 vjet që jam angazhuar me arkitekturë, pasi bëra dhe Masterin  bëra një studim shumë të gjatë mbi arkitekturën dhe për këtë arsye u ftova në Japoni nga një arkitekt shumë i famshëm Kingo Kuma. Ai erdhi dhe më zgjodhi në shkollë gjatë një Workshpi që bëmë,  dhe unë  shkova në studion e tij në Japoni për të bërë prezent këtë temë që përcolla më lart. Në momentin që isha pranë letrës së konfirmimit që të thosha Po, aty hezitova. Hezitova kur në momentin e parë nuk e dija se pse hezitoja. Pra kur hezitoj e kam në natyrë që më mirë të mos shkoj.

Keni punuar si arkitekte?

Po, kam punuar për një periudhë 3-vjeçare dhe gjatë kohës që isha student në studion e mamasë time,. Gjatë kësaj kohe kemi bërë shumë projekte në Don Bosko, një Hotel të madh, interjera (lokale tek Gjykata e lartë), një Hotel tek Liqeni i Thatë tek Kopshti Zoologjik. Kemi bërë shumë studime urbanistike se në atë kohë  kishte shumë kërkesa për Planin Urbanistik të Tiranës.

Pikërisht në këto moment, ju filluat të mereshit me aktrim? Përse pikërisht në këtë kohë kur fituar një eksperiencë të bukur në arkitekturë?

 Arkitektura më lejoj që unë të krijoja një botë shumë të gjerë. Një  vizion shumë të gjerë mbi gjërat mbi jetën  mbi krijimtarinë dhe duhet thënë që në fund të kësaj eksperience unë u gjenda pranë një ndjesie, që unë nuk besoj më tek kjo që kam bërë dhe bëj, pra nuk besoj më tek arkitektura.  Kërkimi shkencor që kisha bërë për një kohë të gjatë (dhe që ishte tema ime e diplomës) ishte diçka utopike dhe idealiste. Nuk e shihja veten që  të bëja dhe të punoja projekte sit ë gjithë arkitektët e tjerë dhe  përveç kësaj, vizioni që kisha  nga ana filozofike, nga ana shpirtërore ishte shumë e  fortë brenda meje që deri diku më bënte të vuaja. Zgjedhja për të kaluar në aktrim, për të shkuar në një degë komplet tjetër, ishte sepse aktrimi të lejon që ta shprehësh që ta nxjerrësh atë që mendon, atë që të bren. Arstit nuk bëhesh në kushte normale, por kur vuan dhe kur ke diçka të brendshme të fuqishme që do ta bësh prezent. Nuk është diçka e bukur, e këndshme, fantastike, por është diçka që të bën të vuash të bie si mallkim për të nxjerr atë çka ke brenda. Procesi i krijimit është një vuajtje shumë e madhe.

Përse shkove pikërisht në Paris për të studiuar për aktrim?

Parisi ka qenë gjithmonë për mua, pika kryesore e kulturës botërore. Aty është kryeqyteti i kulturës, ku të paktën dy shekujt e fundit artistët më të mëdhenj kanë jetuar në Paris. Pikaso, Dali, Heminguej kanë jetuar në Paris. Pra Parisi ka simbolizuar epokat e mëdha që kanë lëvizur botën dhe këto epoka kanë shkundur themelet e botës, sepse për mua, arti nuk është diçka e bukur subjektive, është një luftë politike e një periudhe të caktuar, që artistë japin mesazhe. Pikaso është një nga ata artistë që tregoi këto vlera, pasi gjithçka që ka pasur brenda e ka hedhur në telajo.

Ju keni një rol tek filmi i babit tuaj, Ilir Harxhi. Këtë rol jua besoj si baba apo si aktore premtuese?

Absolutisht si aktore. Nqs do e marrim si prind, ai është nisur se ka besim tek arti im, tek puna dhe këmbëngula ime, që nëse marr diçka përsipër do ta çoj deri në fund. Kur më ka parë disa herë kur luaj dhe performoj ai është befasuar. Por në fillim hezitoi tek roli që do më jepte, pasi ai rol është ndryshe, jashtë asaj që jam unë në realitet. Dhe unë këtu këmbëngula që dua të luaj diçka që nuk jam, diçka që është jashtë përditshmërisë time. Pra unë nuk doja të luaja veten, por personazhin, të veçantën e tij.

 

“Punoj si kafshë për një copë bukë”, 33 vitet e izolimit të Musine Kokalarit

$
0
0

Ishte viti i ri. 1 janar 1977. Në një dhomë të varfër, në barakën e saj, në një skaj të mjerë të Shqipërisë, i denjë për një vend vuajtjeje internimi, Musine Kokalari është në prag të pensionit, e shkatërruar nga puna dërrmuese, e zhgënjyer nga realiteti ku ishte zhytur atdheu i saj, me plagë të pashlyera të dhimbjeve e humbjeve familjare, e izoluar dhe e rrethuar me spiunë e njerëz të Sigurimit, por me forcën dhe aftësinë për të ngritur përreth vetes botën e saj të përkorë me dritën e diturisë, kulturës dhe mësimeve të shkollës së saj, Rilindjes…

Gjithë këtë tablo ajo e hedh në ditarin e saj, në bllokun e shënimeve që e ka titulluar “Jeta ime në Rrëshen gjatë 33 vjetëve revolucion”. Nga ky ditar, mbesa e Musinesë, Arjeta Kokalari ka zbardhur disa faqe për t’ia prezantuar publikut të gjerë. Shënimet i përkasin pikërisht 1 janarit 1977.

“Këto doreshkrime janë pjesë nga shënimet e Musine Kokalarit, të mbajtura gjatë kohës kur jetonte e internuar dhe e izoluar në Rrëshen”, shkruan Arjeta Kokalari, ndërsa sjell per shqiptarja.com disa fletë të fotografuara nga këto shënime, të cilat 40 vjet më vonë, na sjellin shumë të prekshëm, një copëz realitet nga jeta e hidhur e kësaj intelektualeje të kulluar.

Pjesë nga ditari i Musine Kokalarit “Jeta ime në Rrëshen gjatë 33 vjetëve revolucion”

Nxënësja e Sami Frashërit, në vetemi kanë kaluar afro 33 vjet revolucion. Në odën time të vogël, ballë meje kam vënë fotografinë e iluministit të shquar Sami, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, punonjësit të gjuhës shqipe dhe të lëvizjes kombëtare Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, mendimtarit Naum Veqilharxhi, të nderuarit De Rada dhe të urtit Aleksander Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm. Jetoj me njerëz të nderuar, të ditur, demokratë që kanë punuar për vendin, për mëmëdheun gjer sa mbyllën sytë. Unë jam nxënësja e tyre.

Kam ndjere dhembjen e përçarjes dhe pata pasojat më të dhimbshme në jetën time. Si furtuna me luftë mbriti revolucioni. Me 12 Nëntor gjatë luftes së Tiranës na muarnë dy vëllezër. Dhe i vrane. Pasoja të naivitetit dhe besimit se nga ta nuk vjen gjë e keqe. I vranë pa bërë gjë. Të parat thika mbas shpine.

….33 vjet me radhë, dallgët e revolucionit më goditën pa ndërprerje. Më ndajtën nga të gjithë. Më izoluan. Nga gjiri i familjes më shkëputën përgjithmonë. Lidhjet u dobësuan. Më duket sikur s’kam qenë kurrë midis njerëzve. U ndava nga ambienti kulturor, duke jetuar me njerëz me fytyrë njeriu po më keq se kafsha. Në fqinjësi që kanë krijuar një batak. Në punë që më shfrytezuan si një kafshë për një copë bukë, sa u detyrova dhe e lashë vetëm një muaj para pensionit. Më lajmeroi Komiteti Ekzekutiv të veja dhe të kërkoja punë tjetër. Donin që unë të kërkoja punë tjetër…..

……Këto ri e mendoj sot në ditën e parë të vitit 1977 në odën time, ballë mesonjësve të mi të nderuar. Isha dhe mbeta nxënësja e tyre. Kështu kaloi një jetë njeriu që dëshironte punën, kulturën, bukurinë e jetës në formimin e njeriut demokrat, modest, të pastër në ndjenja, të thellë në mendime…

1 janar 77. Unë u formova me bindjen e thellë të kulturës humaniste që e lartëson njerinë si individ dhe në mardhënie me të tjerët në shoqëri dhe në punë. U formova në ambientin tim familjar dhe shoqëror me respektin për çdo punë.

Kam qenë brezi i fundit i gjithë trashëgimtarëve të Rilindjes që jetuan në kohën e ngritjes së flamurit në 1912 dhe në rrethanat e trubullta, shqetësuese të vendit ndoqën në mënyrë individuale rrugën e kulturës kombëtare, laike, demokratike. Unë jam nxënësja e fundit e formuar në atë shkollë, me konceptin e shëndoshë që atdheu mbrohet me kulturë, me qendrim parimor për barazinë ekonomike politike të njeriut modest të punës.

Bashkëkohës, që në jetën e shkurtër si njeri i lirë kam ecur krah më krah me brezin e vjetër si Sotir Kolea, Mati Logoreci, Ibrahim Shyti, Aleksandër Xhuvani, Kristaq Cipo, nxënëse e Urani Rumbos, Sevasti Dakës dhe Parashqevi Kyriazit, duke u prirë për të renë në jetën shoqërore, për një jetë të pasur në ndjenja e mendime e punë të njeriut të thjeshtë, si vazhdimësi e gjithë trashëgimisë kulturale popullore të trashëguar brez pas brezi. Krijimtaria ime e shkurtër, pjesërisht e botuar, pjeserisht e humbur u mbështet mbi tabanin kombëtar të shtratit etnik dhe në realitetin objektiv të kushteve të veçanta të zhvillimit të diferencuar…

Edukata time është ajo e shkollës së Rilindjes. Gjithë kolektivi arsimor e ka kryer me nder këtë detyrë në kohën tonë, në kohën që u bë unifikimi i shkollave, sidoqë mungonin tekstet e tj. Unë nuk kam njohur varfërinë, nuk kam njohur pasurinë. Ne në familjen tonë të gjithë kemi qenë me shkollë, 3 vëllezër dhe unë katër. Të gjithë kemi punuar dhe kemi kërkuar si e si të përhapim kulturë. Ambienti im familjar ka qenë shumë i thjeshtë dhe i kufizuar në mardhëniet orientuese të kohës, në lidhjet farefisnore e tarafe….

….Nuk kam njohur konflikte shoqërore. Kam njohur burgje në familjen time. Më 1924, vëllezërit e mi shkuan bashkë me të tjeret, pavarësisht se u thyen. Ishin profesore të dy. Muntazi, i madhi ishte kryetar i shoqatës Bashkimi në Gjirokastër. Organizator i foot­bollit. Ai pikturonte mire. Ishte portretist (diletant). Vëllai i dytë vizatonte mirë dhe ai. Merreshin të dy me pirografi dhe kopshtari. Hamiti, me i vogli ishte kryetar i grupit të mandolinistëve, një nga lojtarët më të mirë të tenisit. Ai meresh me akuarel. I binte mirë kitarës. Vetë mësoi fizarmonikën. Në Tiranë dhe pianon.

Babai im ishte avokat. Gjyshi im myfti, bëri çmos që të dy djemtë të ishin me shkollë. Dhe xhaxhai im i drejtësisë ishte. Djali i tij Salimi, mësues, gjer në Paris shkoi me familjen për të vazhduar akoma më shumë, po të lartën s’mundi ta mbaronte se iu shtuan fëmijtë dhe s’pati mundësi…

…Unë trashëgova pasionin e muzikës. Studiova disa vjet pjano. Po emocionohesha shumë. Me 1932 kur vëllai tim ra në burg, une ndjeva një melankoli të madhe, kur veja e shihja midis shokëve të njohur. Dhe atëherë pjanua për mua u bë një torturë. Nuk mundesha të përqendrohesha dhe heshtja. Më vinte ndër mend kalaja në Gjirokastër, kur veja dhe shikoja të mbydhur brenda të dy vëllezërit, me dy shokë të tjerë. Më ngjethej mishtë në korridoret e ftohta kur kaloja. Kur dilja jashte, dridhesha nga një mundim i brendshëm. Dhe nuk mund të gëzohesha. Ky shqetësim më pushtonte dhe në vitin 1932 nuk mund të luaja pjano. Pasioni tim u kthye në stërmundim dhe në një mbyllje në veten time.

Frau Gertruda, një gjermane, u alarmua. Ajo kishte zakon që nxënëset që s’i bënin mirë ushtrimet i qëllonte me një shkop të hollë dhe bërtitte. Me mua, pas gjendjes së dëshpëruar time ajo ndjente keqardhje. Kur gaboja, i binte anës së pjanos. Sa pa lot bërtitte. Pastaj me mirrte me te mira: “Ma petite pourqoi?” dhe vazhdonte me frengjishten, duke pjetur se ç’më mundonte. Unë dridhesha, më mbusheshin sytë me lotë. Dhe heshtja. Mundohesha ta kuptoja pse njerëzit duhet të punojnë, të përpiqen fshehtas. Pse të futen në burg, se duan një gjë të drejtë.

Kjo gjendje e nderpreu hovin e parë dhe shpresën e madhe që kishte frau Grtruada që të më bënte një pjaniste të madhe. Dhe mua më pëlqente vizatimi. Në ekspozitat vjetore të shkollës  paraqitesha me pamje të trishtuara të natyrës, me kënde të vetmuar, punuar me karbon. Ngjyra e zezë më mbërthente dhe s’më lëshonte.

Në një udhëkryq të një krize ideologjike demokracie u rrita, në mes ta ambientit intelektual të kohës së rinisë time që mundohej të gjente rrugën për t’ja përmirësuar gjendjen e vajtueshme të popullit, me ndjenja të thella njerëzore.

Lëvizjen e fshehtë revolucionare nuk e kam kuptuar kurrë. Dhe sot që jam ndeshur me  revolucionin në çdo aspekt të jetës sime, prapseprapë une mbeta në luftën e hapët politike.

Mendime të çastit më vinë në kokë sa herë që shoh veten, ose rri në odë dhe s’më lexohet. Shikoj me sytë e mendjes dhe peshoj gjithë sa ka ndodhur në jetën time dhe rrotull meje.

Ky revolucion përmbysi çdo gjë që kishim trashëguar nga e kaluara. Vazhdimisht është një luftë shoqërore me njerëz që një çikë ndahen, bien thyejnë hundët. Është një gjyq i pandërprerë që bëhet me të gjallët, me të afërmit, me të njohurit dhe me të vdekurit. Sa njerëz në rrugën e nisur e kanë ndihmuar në kuptimin e vërtetë zhvillimin shoqëror dhe sa prej tyre, në emër të këtij zhvillimi e kanë pënguar atë. Mardhënie të ndërlikuara.

Në mendjen time kam menduar vazhdimisht se dobësia e shtresës demokratike që u gjend në kontradiktë të hapur me regjimin e sotmë duhet të kishte ruajtur solidaritetin në dinjitetin personal, duke i bërë ballë punës së krahut, duke punuar në kushte e duke jetuar në mënyrë modeste. Dhe përse valle duhet t’i shmangeshim kësaj rruge kur gjithçka që menduam e vepruam nuk e bëmë për ndonjë interes personal. Gjersa na e dhanë punën e krahut pse të trembeshim, duke humbur atë nevojë morale që duhet të na lehtësonte këto kthesa të rënda në jetën tonë?. Duhet të mbanim lidhjet tona. S’kishim asgjë për të humbur më tepër dhe asgjë për të fituar. Pse u shkëputëm?

Unë në hallet e mia, asnjë çast nuk u ndava me mësuesit e jetës që në mes të një realiteti të mërzitshëm kam bërë çmos t’i kem pranë, për t’i bërë ballë poshtërsisë së jetës dhe padrejtësisë që më bënë, për të ngrëne një copë bukë. Shkolla e ndritur e Rilindjes nuk duhet të njolloset. Unë jam nxënëse e fundit dhe gjer në fund, gjer në vdekje do të mbetem një demokrate e thjeshtë, një punëtore e thjeshtë e punës së krahut dhe e pendës. Mendimet e errëta, shpirtngushtët, i kanë të radha rezet e dashurisë.

Brezi i jonë është një brez fatkeq. U ndodh midis dy epokave. Midis të kaluarës dhe përmbysjeve të mëdha shoqërore. Me sa kam parë, gjithë ata që duallnë nga radhët e tyre, që rrëshqitën vetë, apo për shkak të prindërve të tyre nuk dalluan një farë dinjiteti. Gjithë shëmtime dhe qëndrime të pahijshme. Ne të shkollës së Rilindjes dhe ata që vinin nga ambiente tradicionale i kemi bërë ballë gjendjes më me urtesi. Dhe kush u mor me informacion, nuk dëftoi një fytyrë kaq të shëmtuar, si bënë këto vajza me hajdutllek…

(Emer) është tepër e ulët. Dhe kur e ngritën, shpirtin prej matrapazeje nuk diti ta fshihte. Ajo është një e tërbuar. Deformacioni fizik u shpreh në gjithë qenien e saj, në kuptimin moral, psikik. Po ama dhe burri që ia prunë nuk është vetëm një injorant, por dhe kapadai. I duket vetja se po na i hedh. Një gjë di të thotë: Filani është spiun, filani tjetër është i lidhur me sigurimin. E di i shkreti, e sheh që nuk e qasa fare. E kupton se jo vetëm dyshoj po dhe është qesharak…

***

Një e vërtetë e hidhur! Sido që kemi qenë vërtet njerëz të mirë, mbaruam shumë keq. U shpartalluam dhe moralisht. Duke rënë në burg si shumica, në vend që t’u shmangeshim në heshtje, t’u linim udhë, shumica u kacafytën me informatorët. U dhamë shkas që duke na zënë në fyt, shumë prej nesh u kthyen vetë në informatorë, me premtimin se do të mërrnin një vend të mirë në jetën e lirë.

Këta nuk janë më të mençur se ne. Vetëm u treguan aq të vendosur, aq të palodhur duke na mbajtur në burg, sa që persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik. Kështu të përçarë na shtrydhën, na shtypën dhe harruam që ne i përkasim një të kaluare të ndritur demokratike 100 vjeçare.

Por prapë këta, nga gjiri i tyre, megjithëse kanë kaluar 35 vjet pushtet, gjer më sot s’kam parë individualitet të formuar, veç ligësisë.

***

I studiova njerëzit e vrazhdë, të paditur në punën e rëndë të ndertimit, jo me romantikën demokratike të dikurshme. Gjithësekush për vete, pa asnjë shenjë solidariteti. Përkundrazi, kush e kush t’ja hedhi duke thënë se unë punoj dhe tjetri s’punon….

Shqiptarja.com

Pedonalja e ardhshme e Rrëshenit do mbajë emrin e Musine Kokalarit

$
0
0

Një nga rrugët e qytetit të Rrëshenit që shumë shpejt do të kthehet në pedonale, do të mbajë emrin e shkrimtares dhe politikanes Musine Kokalari, gruas nga Gjirokastra e cila u internua dhe e kaloi një pjese të konsiderueshme të jetës së saj në Mirditë.

Iniciativa u ndërmor nga Bashkia e Mirditës, duke gjetur dhe dakortësinë e Këshillit Bashkiak në 100-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit.

Të afërm të Musine Kokalarit falenderuan Bashkinë dhe popullin e Mirditës për vlerësimin.

Jeta e Musine Kokalarit ka qenë një kalvar vuajtjesh pasi një periudhe të gjatë ajo e kaloi në burg, vetem se nuk ju binte regjimit komunist.

Veprimtaria e organizuar në Mirditë në nderim të saj u mbyll me një koncert lirik.

Al Bano Karrisi përshëndet shqiptarët nga Sanremo

$
0
0

Këngëtari italian me nënshtetësi shqiptare flet në festivalin më të ndjekur të muzikës

Nga Zenepe Luka/Vetëm pak orë, përpara se të këndojë në natën e tretë të Festivalit të Sanremos, këngëtari italian, Al Bano Karrisi, tashmë i pajisur me pasaportë shqiptare dhe me vendbanim në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, ka gjetur kohë për të bërë një telefonatë në shoqatën kulturore me emrin e tij në Vlorë.

Pasi ka pyetur nëse e ndoqëm natën e parë në festival, ai ka vazhduar duke thënë se do të dëshironte të merrte përgëzimin e fansave të tij në Shqipëri, që do t’i shërbente si frymëzim gjatë interpretimit të këngës.  Pasi iu përgjigjëm se, si gjithmonë e ndjekim në mënyrë të organizuar interpretimin e tij në Sanremo, këtë herë e ndjek e gjithë Vlora, pasi e ka qytetarin e saj.

“Ju përshëndes të gjithëve, kam mall për atë vend” është shprehur Al Bano. Pyetjes se: kujt ia kushtonte këngën me një titull të çuditshëm  “Di rose e di spine”, që përkthehet “Me trëndafil e me gjemba, pasi ka zëra se i kushtohet Loredanës, gruas me të cilën bashkëjeton dhe ka dy fëmijë, këngëtari shprehet se: “Kënga është motiv, ndjenjë dhe nuk mund të bëhet fjalë për një person të vetëm”. Ai shprehet më tej se pas operacionit që kreu në zemër, ndjehet i rinuar dhe se këndon me zërin e moshës 30- vjeçare.

Historiku i pjesëmarrjes së Al Bano Karrisit në Festivalin e Sanremos, që kësaj here shënon 18 herë.

 Kujtimet dhe mbresat e këngëtarit për debutimin e tij në këtë event të rëndësishëm artistik, që sonte shënon herën e 18-të, janë edhe kujtimet e Romina Povver dhe të fëmijëve të tyre, që sonte ata do të jenë në sallë si spektatorë.

Nga ana tjetër, nuk mund të ndodhte ndryshe: Janë shumë festivale të Sanremo-s, që çifti i ka ndarë së bashku  dhe është e natyrshme të mendohet se më të bukurat kujtime janë ato që lidhen me Rominën. Në herën e 18-të, në skenën e festës Al Bano, nuk e ndjente peshën e moshës, por Ai vazhdon të mbetet i lidhur me një vend, me “Grand Hotel del Mare” te Bordighera. Pikërisht këtu, Al Bano qëndronte me familjen e tij, kur ende ishte me Rominën, e cila në vitin 1987, u ngjit në skenë shtatzënë dhe priste të lindte Romina Jr.

Rama: “Sikur t’isha djalë”, klithmë gjithmonë aktuale mbi gjendjen e gruas në shoqëri

$
0
0

“‘Sikur t’isha djalë’ e Haki Stërmillit, një klithmë gjithmonë aktuale mbi gjendjen e gruas në shoqëri.”

Kështu shprehet kryeministri Edi Rama, i cili sjell përmes rubikës AMARCORD në faqen e tij në “Facebook”, figurën e shkrimtarit Haki Stërmilli.

“Jeta e Haki Stërmillit, shkrimtar me një penë të hollë në stil por pastoze në mendim, të kujton përkufizimin e rrymës radikale të iluministëve gjermanë të shek. XVIII, “Sturm und Drang”, stuhi dhe pasion.
I rrahur nga të tëra stuhitë e politikës shqiptare të pavarësisë me orientime nga më të ndryshmet dhe me një fund relativisht konformist, Haki Stërmilli e mbajti megjithatë të pacenuar pasionin për letërsinë, frut gjithmonë mbreslënës i të cilit mbetet romani “Sikur t’isha djalë”, klithmë gjithmonë aktuale mbi gjendjen e gruas në shoqëri”, shkruan Rama.

Klara Buda ringjall Mitrush Kutelin në Francë!

$
0
0

Botimi në 110 vjetorin e lindjes

 Në 9 shkurt 2017, në 110 vjetorin e lindjes, botohet në Francë për herë të parë në një libër më vete, rrëfenja “Fshati im e pi rakinë” i Mitrush Kutelit e përshtatur në frëngjisht dhe e paraqitur për lexuesin francez nga Klara Buda. Parathënien e librit e firmos Christian Gut, albanolog dhe latinist i njohur, antar i Akademisë së shkencave të Kosovës.

Me këtë rast, një seancë autograf i rrëfenjës Fshati im e pi rakinë është organizuar nga Editions Fauves më 9  shkurt 2017, në orën 19:00, në théâtre, Lucernaire, 53 rue Notre Dame des Champs 75006 Paris, Metro Notre-Dame-des-Champs.

Mitrush Kuteli (1907-1967) është  shkrimtar i veçantë i letërsisë shqipe. Pjesë e elitës shkencore dhe letrare, ai u dënua, u persekutuar dhe u reduktua në heshtje nga regjimi totalitar shqiptar. Pas daljes nga burgu e deri në vdekjen e tij të hershme në vitin 1967, ai u detyrua të punojë si përkthyes duke iu nënshtruar normës së shtëpisë botuese Naim Frashëri (që shkonte nga  4 – 8 faqe A4 përkthim në ditë). Botimi i veprave personale nuk ishte ndaluar zyrtarisht, por kjo u bë realitet pak nga pak.

 Kështu pjesa kryesore e veprave që na ka lënë ky autor është shkruar dhe botuar para periudhës totalitare, të “realizmit” të indoktrinuar që u quajt realizëm socialist. Kjo vepër, një gjerdan ku ka të paktën mes të tjerash disa perla, tridhjetë në total, ku mund të permendim Vjeshtën e Xheladin Beut, E madhe është gjema e mëkatit, Fshati im e pi rakinë, Xinxifillua, Rina Katarinella, etj.

Stili dhe metoda e tij e veçantë përben një risi në prozën narrative dhe shënon lindjen e prozës moderne shqipe. Sot Kuteli konsiderohet si një nga mjeshtrit e fjalës shqipe, kontributi i të cilit është i pamohueshëm dhe i padiskutueshëm.

 

Kuteli qe një kritik, dhe kritik me vlerë, përkthyes i veprave të mëdha të letërsisë botërore, me dëshirën që t’i lexonte populli i tij; qe poet dhe autor novelash, disa prej të cilave vlejnë sa një roman i gjatë dhe janë gjithmonë të ushqyera me letërsinë popullore të atdheut dhe sidomos të krahinës së tij, duke tejkaluar kufirin e atij që ai me modesti e quante Rrëfim.

Mitrush Kuteli është shkrimtar përfaqësues i kohës së tij, i prirjeve të pandryshueshme të letërsisë moderne shqipe dhe sidomos, poet i vargut dhe prozës, i ushqyer me letërsinë popullore. Ai ishtë piktor i jetës së një atdheu të përjetshëm.

Rrëfenja kuteliane, për nga stili, proçedetë letrare dhe elementët ethnografikë të përdorur, përbën risi në prozën e shkurtër shqipe. Në rrëfenjën “Fshati im e pi rakinë” që botohet në sesonin letrar francez, gjejmë qartë proçedetë tipike të Kutelit, të stilit të tij oral (ligjërues) dhe elementë të veçantë të një letërsie të ushqyer nga tradita popullore, të lloji të Baladës sipas konceptit të ethnografeve gjermanë. Tek kjo rrëfenjë ai ka përdorur edhe proçedenë surrealiste të shprehjes automatike duke respektuar rrjedhen normale të mendimit.

Klara Buda është gazetare dhe shkrimtare që ka punuar për UNESCO-n, BBC-në dhe në Radio Francë Internacionale si Drejtore e Redaksisë shqipe, deri në mbylljn e kësaj të fundit pas luftës së ftohtë.

Pas studimeve të letërsisë moderne dhe të krahasuar në Sorbonnë, ajo ka kryer  studime akademike mbi veprën e Mitrush Kutelit në Shkollë e Studimeve të Larta (E.P.H.E.) Paris, ku është lauréate e një masteri (DEA) në Histori Arti. Puna e saj mbi këtë autor sjell një analizë të nuancuar mbi teknikën e tij të vecantë të rrëfenjës, të bazuar në shkrimin e një gjuhe “sikur flasim” të destinuar për tu treguar.

Për lexuesin francez Klara Buda zgjodhi të përkthejë pikërisht rrëfenjën Fshati im e pi rakinë, pasi duke qënë në stilin e Boccaccio-s, Rablai-së, apo Servantes-it, kjo rrëfenjë, që ngërthen, një realizëm grotesk i flet lexuesit francez me një gjuhë universale. Por duke pasur edhe një përdorim në shkallë të gjerë të procedeve të tregimeve gaztore popullore, me ngjyra lokale, të kthyera në art nga Kuteli, ajo i sjell këtij lexuesi edhe të veçantën, “marken” shqiptare. Gjithë duke qënë në nivelin dhe “stilin e Gargantuas-ë” teksti kutelian, i shkruar me një distancë në kohë është më i latuar se ai i këtij autori fetish francez.

 

Klara Buda mbi botimin e Kutelit në Francë

Më dt. 9 shkurt 2017, në 110 vjetorin e lindjes, botohet në Francë për herë të parë në rrëfenja Fshati im e pi rakinë e Mitrush Kutelit.

 Pse zgjodha të përkthej dhe përshtat në frëngjisht dhe ta paraqes për lexuesin francez, pikërisht këtë autor shqiptar ?

Mitrush Kuteli është një autor shumë i dashur për mua, më ka mrekulluar gjithmonë stili dhe gjetjet e tij. Mendoj se Vjeshta e Xheladin Beut është jo vetëm një perlë e letërsisë shqipe por edhe e letërsisë botërore.

Unë kam punuar mbi Kutelin në kuadrin e studimeve universitare, ku kam analizuar prozën e shkurtër, rrëfenjën. Kuteli është i paarritshëm për groteskun e tij të veçantë të ushqyer me parodine dhe tregimet gaztore popullore, qe e bejne specifik tekstin e tij. Njohës i prodhimit letrar bashkëkohor, ai është një autor që ka qënë në lartësinë e kohës së tij, dhe kjo duket nga procedetë letrare që përdor, por në një Shqipëri që dilte nga feudalizmi ai ka ditur të përshtatet në kushtet e vendit të tij dhe të përdorë një gjuhë të thjeshtë.

Dhe kjo e fundit është arsyeja që shpesh grotesku i tij të bën të mendosh për Boccaccio-n apo Rabelaine, por ai madje i ka tejkaluar ata, edhe per faktin se ai nuk qe asnjehere aq direkt.

Mitrush Kuteli është një shkrimtar i veçantë i letërsisë shqipe. Pjesë e elitës shkencore dhe letrare, ai u dënua, u persekutuar dhe u reduktua në heshtje nga regjimi totalitar shqiptar. Pas daljes nga burgu e deri në vdekjen e tij të hershme në vitin 1967, ai u detyrua të punojë si përkthyes duke iu nënshtruar normës së shtëpisë botuese Naim Frashëri (që ishte munduese pasi shkonte nga  4 – 8 faqe përkthim në ditë). Botimi i veprave personale nuk ishte ndaluar zyrtarisht, por kjo u bë realitet pak nga pak, kështu një nga penat me të ndritura të letërsise shqipe u përkushtua vetëm në perkthime.

Ky është botimi i parë i Kutelit në një liber më vete në një gjuhë kaq të rëndësishme europiane, si frëngjishtja?

Është e paimagjinushme që gati tri dekada pas rënies së totalitarizmit, “Fshati im e pi rakinë” është botimi i parë i Kutelit në një libër më vete në frëngjisht. Përkthime kane ekzistuar e janë botuar ne një Antologji të prozës shqipe në France, të përzgjedhura nga Aleksander Zotos, por cilësia e përkthimit e firmosur nga një Luan Gjergji ( pseudonim), linte për të dëshëruar. Është një sekret polishineli që përkthimi i keq e dëmton një autor më shumë se sa mos përkthimi.

Mendoj se përkthimi i teksteve të autorëve të “ndaluar” e shuar si Musine Kokalari, ose të mënjanuar si Mitrush Kuteli, do të qe mirë të promovohen nga shteti. Ishte një iniciativë e mirë e Ministrisë së Kulturës të financojë botimin e veprave të autorëve bashkëkohorë shqiptarë në perëndim. Do të ishte bukur nëse kjo iniciativë do të mund të shtrihej edhe për autorët që kanë vepra cilësore të ndaluara apo mënjanuara nga totalitarizmi. Kur cilësia e tyre, si në rastin e Kutelit, i bën të përshtatshëm per eksport, do të ishte mirë të mbështetej nga shteti.

Madje shteti do të qe mirë të fillojë e ti botojë në shqip e ti fusë këta autorë në programet shkollore. Më ka bërë përshtypje që sa herë kam kërkuar vepra të autorëve të ndaluar si Musine Kokalari, për shembull, i kam gjetur në botime të shtëpisë Buzuku në Kosovë dhe më rrallë për të mos thënë fare në Shqipëri.


Shkrimi prekës i mikut të shkrimtarit të madh: Një javë pa Dritëronë           

$
0
0

Për lexuesit e krijimtarisë satirike dhe humoristike janë dy pseudonime të famshme që nuk harrohen, Bamkë Çomaga (Dritëro Agolli) dhe Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi). Janë epike letrat dhe batutat që dy krijuesit shkëmbenin në faqet e “Hostenit” dhe në librat satirikë. Humori ishte një mënyrë indirekte për të shkruar ato që diktatura i ndalonte të thuheshin në letërsinë ‘serioze”. Ndërsa pas viteve ’90 humori i tyre ishte një mënyrë për të demaskuar problemet e shoqërisë.

Gaqo Veshi është një nga njerëzit që Dritëro Agolli e cilësonte si mikun më të veçantë. Bashkë u njohën në bankat e shkollës në Gjirokastër dhe për 68-vjet kanë qenë dy nga miqtë më të pandarë. Kjo miqësi nuk ishte vetëm raport njerëzor, por dhe marrëdhënie që u dha jetë mjaft krijimeve dhe personazheve të dy autorëve. Jo rastësisht, Agolli shkruan në dedikimin e librave për Gaqo Veshin: “Gaqos! Mikut tim të vjetër dhe më të madhit prej miqve. Dritëroi”.

Sot, Gaqo Veshi nuk ka një fejton apo letër për Bamkë Çomagën, por një përshpirtje për mikun e të veçantë, Dritëro Agolli.

IN MEMORIAM

Një javë pa Dritëronë

Nga Gaqo Veshi

Marr rrugën për në banesën e mikut të shtrenjtë Dritëro Agolli. Jo si dikur i gëzuar e plot dëshirë për t’u çmallur me mikun tim duke i ngjitur shkallët e katit të katërt të apartamentit të tij me qejf të madh. Dhe sa i bija ziles lajmëruese, menjëherë dilte e mira Sadije të hapte derën e t’i thoshte Dritëroit. “Erdhi Hyska!”. Dhe miku im, edhe i sëmurë do ngrihej të më përqafonte e të më ulte paranë kolltukut të tij, për t’u çmallur e për të kujtuar shoqërinë e miqësinë tonë 68-vjeçare. Por sot ndodhem i këputur e i hidhëruar, me mundim përpiqem t’i urdhëroj këmbët për t’i ngjitur shkallët e larta. Kapërcej pragun e derës dhe shoh kolltukun pa të zotin e tij. Qëndroj i shtangur. Nuk më besohet se s’do takoj e të përqafoj me mall Dritëronë e dashur. Qëndroj i heshtur e i përmallur. Në bëhet sikur do hapet dera e studios së tij, dhe miku im, do t’i lërë mbi tavolinë librat e fletoret e do vijë drejt meje. Jo më bëhet se po ngrihet i sëmurë nga krevati e po vjen të më marrë për krahu të më ulë pranë kolltukut, të shoh buzëqeshjen e tij të ëmbël e të dëgjoj fjalën e tij të mençur, melhem për plagë. Por i shtrenjti Dritëro s’po duket dhe unë i heshtur shikoj Saijen, gruan e tij të rrallë, krahu i djathtë, në krijimtarinë më shërbimin e kujdesin e madh që tregoi për të, që ditën që u bënë bashkë dhe deri në ditët e fundit të jetës së tij. Shoh djalin dhe nusen e tij të pikëlluar për humbjen e njeriut të madh. Aty në banesën e tij, mes pikturave të shumta, e ndje se s’do ta kem fizikisht mikun tim të rrallë, nuk do ta dëgjoj më fjalën e tij të mençme. Radhën për t’u ndarë nga jeta e kisha unë, që jam një vit e dymbëdhjetë ditë më i madh. por miku im i shtrenjtë, Por Dritëroi ma bëri me të pabesë.

I madhi Dritëro, i la vendit të tij një thesar të çmuar letrar. në të gjitha gjinitë e saj prej disa mijëra faqesh. Por, përveç veprës së tij, nuk harroi pa na lënë dhe një amanet, duke na thënë: “Kur të jeni të mërzitur shumë,/ Në raftin e librave kërkomëni./ Aty do jem i fshehur unë./ Në ndonjë fjalia ndonjë shkronjë./ Mjafton që librin pak ta heqësh,/ Dhe unë do zbres do vij pranë teje. Ti si dikur me mall do qeshësh,’ Si një blerim pas një rrufeje”. Këtë porosi  të mikut tim të madh e gjej çdo çast në raftin e bibliotekës, ku kam vendosur librat e tij të dhuruara  me dedikim plot dashuri e humor, ashtu si dinte Ai t’i nderonte e t’i çmonte miqtë. Në njërën nga librat e tij të shumta, në faqen e saj të parë, me shkrimin e tij karakteristik do më shkruante:

“I dashur Gaqo! Le të jetë në bibliotekën tënde dhe ky libër dhe të na kujtojë ato vjershat plot qyfyre, që shkruanim majë çatisë me plloça të konviktit tonë në Gjirokastër. Me dashuri: Dritëroi.  Apo fjalët e tij të rralla, për miqësinë tonë të pandarë, që në bankat e shkollës së mesme në Gjirokastër e deri sa ai ndërroi jetë. Në një libër tjetër, të dhuruar prej tij, do më shkruante këto vargje: Dhe floriri mund të ndryshket,/ Edhe ylli digjet shkon./ Por ndërneve miqësia,/ S’dryshket kurrë, s’perëndon”. Në romanin “Arka e djallit” (ku mua. të vetëquajturin, Hyskë Borobojkën më ka një nga personazh) do të ma dhuronte me dedikimin: “Gaqos! Mikut tim të vjetër dhe më të madhit prej miqve. Dritëroi”.

Duke lexuar këtë dedikim me vlerë për mua. Tani që mikun e Madh nuk e kam më në jetë,  shfletoj fletët e tij e i rilexoj faqe për faqe dhe më duket se ndodhem me të në shtëpinë e tij hanedane, që pret e përcjell miq e shokë, apo në “Kafenenë e preferuar” dhe dëgjoj  zërin e tij të qartë e të dalluar për çdo fjalë, rrokje e germë, të më rrëfente bëmat plot humor e satirë të Cute Babules, personazhit kryesor të romanit “Arka e Djallit” duke më thënë:

-Ti, o Hyskë, e ke parë Nafijen, gruan tënde engjëllore të inatosur, por nuk ke parë vjehrrën tënde të xhindosur. Dhe të uroj mos e pafsh kurrë se do llahtarisesh. Ti, o Hyskë, ke provuar në kurrizin tënd shumë gjëra të papëlqyera dhe prandaj i ke përshkruar në tregimet me aq vërtetësi. Çudirat e Cutes as që shkruhen e as rrëfehen të plota. Ti e njeh mirë krijimtarinë, o Hyskë. Më lejo të bëj një krahasim. Fryhet lumi dhe merr me vete gurë e drurë, bar e fletë. Shfryn përroi i jetës dhe këput nga shpirti dhimbje, ulërima, qeshje e mendime të trazuara. Dhe këto gjëra ne, sado të talentuar të jemi, nuk i regjistrojmë dot në letër

Kaloj në faqet e tjera të librit dhe  ndjej zërin e ëmbël të mikut tim rrallë të vazhdojë rrëfimin për bëmat e shumta e të papërsëritshme të Cute Babulles;

-E kemi zakon të lëmë një shenjë në tavan dhe Cutja hodhi një valle të lashtë, me hopa- hopa. Në valle e sipër u hodh përpjetë dhe i zuri koka në tavanin e odës time. Kjo shenjë, o Hyskë, është nga kujtimet më të vyera që më ka lënë Cute Babulja dhe më ka mbetur në tavan si gjurma e pejgamberit në Gurin e Mekës.

Vazhdoj lëçitjen e librit dhe më bëhet se kam pranë të shtrenjtin Dritëro, të vazhdojë rrëfimet me shijë të madhe për bëmat e Cutes, që s’kanë të soditur.

-E po kjo, o Hyskë, nuk më kishte ndodhur ndonjëherë, që të më zhdukej miku pas mesit të natës. Mirë thotë një i ditur: “Dita  dëgjon, nata përgjon!” Përgjon e nëmura dhe sjell të papritura. Eh, o Hyskë! Atë nata për pak na lajthiti Cute Babulja, ky njeri i matur dhe i urtë, por si thotë një i ditur: “Nuk ka  të ditur pa një dell të marri”

Ja, jemi ulur në “Kafenenë e preferuar” dhe ai më tregon fjalët e urta e proverbat, që këshillonte Cute Babulja, si: “Për të blerë mall nxitohu, për të marrë grua mendohu” Dhe vazhdonte me radhë: “Në fshatin e të marrit, i urti është i çmendur”. se “i mençuri e ka të vështirë t’u mbushë mendjen budallenjve apo të marrëve”. Cutja është thesar, o Hykë, dhe vazhdonte të më tregonte, një thënie tjetër të tij, se: “Fjala  e të marrit pjellë e çiltërsisë, fjala e të mençurit, miell i diturisë!”

Miqësia shumë vjeçare, me të paharruarin Dritëro Agolli, ka qenë e mbushur me ndodhi. Tek Ai gjeja gjithmonë, jo vetëm shokun e vyer, por dhe fjalën e tij të mençur, gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar e këshilluar, me një dashuri të jashtëzakonshme. Ishte Ai që do të më ndihmonte e të më jepte kuraja të futesha në arën e humorit e satirës, të mbillja e korrur prodhime të mbara. Ishte Ai që  nisi letrën e parë me anë të gazetës “Drita”, që të fillonim korrespodencën letrare në shtypin e kohës. Bamka (Dritëro Agolli) i shkruan Hyskës (Gaqo Veshi) faqe të gjata letrash, të mbushura me humor e satirë për ndodhi të ndryshme, që ashtu si thoshte miku im i shtrenjtë “Ta shpien nofullën shtrembër”.

U mbush një javë që Dritëroi i dashur, u nda nga jeta. Por më bëhet zemra mal, kur lexoj gazetat e përditshme  që shkruajnë e thonë fjalët më të mira për të. Se “Shqipëri do të ishte një varr pa Dritëronë”, pasi askush nuk do të ndiheshe mirë për një humbje kombëtare. Por të gjithë ngushëllohemi se Ai na la trashëgim një vepër të madhe. Dritëro Agolli ishte gjithnjë pranë popullit të vet, duke i dhuruar mendjen e tij të ndritur me një vepër të madhe në të gjitha gjinitë. Atë e do populli se është poeti e shkrimtari i traditës. Me intelektin e tij të madh, me shpirtin e kulluar, që gjithë talentin dhe mençurinë e tij e vuri në shërbim të atdheut.

Por me dhimbje e keqardhje të madhe, shoh se na dalin disa muteberë, që s’u durohej sa Dritëroi të ndërronte jetë, që mundohen të hedhin baltë për të. Dhe këta xhibiletër janë nga ajo farë. Meqë s’u kishte shkuar gomari në urën e interesit personal, filluan të shfrynë si tullumbace mardhatë e vjetra e tyre… Por harrojnë varfanjakët apo dallkaukëtë, “se mali që ka dëborë nuk ndotet me këllirë”.

Miqësia 68-vjeçare me Dritëro Agollin 

Musine Kokalari/ Familja: Rrëfimet për torturat, la shënim emrat e spiunëve

$
0
0

Piktori, Munella, Bamja e pjekur, Kalaja, Brisku, Lisi, Pëllumbi – këto janë pseudonimet e atyre që spiunuan e përndoqën Musine Kokalarin. Në një “tabelë” të bardhë shkruar në të zezë, emrat kryqëzohen e përsëriten, si “misioni” i tyre për regjimin famëkeq. Në pak metra katrorë – krah tyre, në stenda të shtrira gjenden pengje, dorëshkrime të pabotuara, shënime, fotografi, vepra, programi i Partisë Socialdemokrate.

Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit në Bibliotekën Kombëtare është mbajtur dje një konferencë shkencore dhe është çelur një ekspozitë. Ndërsa u premtua hapja e dosjes së saj dhe publikimi i dokumenteve, u premtua njëherësh edhe rikonstruksioni i shtëpisë së lindjes në Gjirokastër. Konferenca u hap nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ndërsa ekspozita shfaqi shkrime nga të parat me pseudonimin Muza deri te kritikat e Lasgushit për të, veprat “Rreth vatrës” e “Siç më thotë nënua plakë”, por edhe botime të tjera të sajat apo mbi të.

Veç letrave, shënimeve, vizitave mjekësore, u ekspozuan njëherësh edhe sende personale, një çarçaf, një brez, një byzylyk që Musineja i pat mbajtur në Rrëshen deri në fund të jetës kur që e internuar. Kalvari i shkrimtares, disidentes e politikanes shqiptare, nisi me fundin e luftës e ardhjen në pushtet të komunistëve, vijoi me burgje derisa u nda nga jeta e vetme në Rrëshen. Si “dritë” mbi terrin që shoqëroi jetën e vdekjen e saj, qëndronin varur në një ekspozitë edhe pseudonimet e atyre që e përndoqën gjer në vdekje, emrat e plotë të të cilëve pritet të dalin me hapjen e dosjes, në pastë gjë në të.

FAMILJA RRËFEN
Mbesa e saj, Linda Kokalari e kujton hallon si njeri i mirë dhe mban mend me sa dashuri i qasej e i ulej në prehër kur ajo vinte t’i takonte. E ka njohur që në moshën tetë vjeçare dhe e ka takuar për herë të fundit në moshën 17-vjeçare, pastaj Musineja iku. “Në familje e donim të gjithë e flisnim të gjithë për të, por jo jashtë mureve. Më kërkonte llogari për mësimet”. E pyetur se çdo bëjnë kur të hapet dosja, Linda Kokalari thotë se nuk dinë se çfarë ka në të dhe se hapja e saj do i shërbeje vetëm të vërtetës.

“Nuk dimë emra të atyre që e kanë spiunuar apo që i kanë bërë keq. Thjeshtë do vihet në vend e vërteta, do dimë kush ka bërë çfarë dhe çfarë ka ndodhur. Askush nuk na ka kërkuar ndjesë, as nuk presim ta bëjnë”, thotë Linda. Madje kur pyetet nëse pret një ndjesë nga Nexhmije Hoxha që është ende gjallë, ajo mohon. “Nuk do ndryshojmë qëndrim e as asgjë, po ata që janë përfshirë ose që kanë bërë keq apo spiunuar ose kanë influencuar për dënime e pushkatime, nuk kanë të drejtë të dalin të thonë më asgjë”. Mbi raportin e përfolur të Musinesë me diktatorin, mbesa mohon të ketë dijeni. “Është thënë se ai i ka kërkuar dorën. Ka variante. Ne kishim lidhje gjaku me të. Di që janë njohur, por jo që i ka kërkuar dorën”. Mandej, është nusja e nipit, Platonit që flet. Bibika kujton që e ka njohur pasi u martua.

“Ishte në Rrëshen e na dërgonte telegrame e letra. Në korrespondencën e fundit para se të vdiste, ajo na shkruante të shkonim e të merrnin sendet e saja personale. Pasi ajo vdiq e në shkuam të shtëpia ku ajo pati jetuar, gjeta të plota letrat që i kishim dërguar. Nga ana tjetër, unë kam ruajtur letrat që ajo na niste dhe i kam të gjitha të pabotuara. Na tregonte për sëmundjen, për gjendjen e saj shëndetësore dhe na shkruante kur do vinte. Nuk na thoshte të dilnim ta prisnim, sepse nuk kishte fuqi, por e kuptonim që do donte ndihmë”. Ende e përlotur kur kujton Bibika thotë se Musineja nuk fliste shumë. “Në fillim e pata pyetur se çfarë të kanë bërë kur ke qenë në burg. Ajo më tha se i kishin futur një mace në çitjane dhe maces i binin me shkop. Macja duke dashur të dilte e çirrte. Trupi i saj kishte shenja. Ende e ruaj unazën e saj, që ajo e kish trashëguar nga e ëma”. Për herë të fundit e ka takuar në korrikun e vitit 1983.

“Musineja vdiq në 13 gusht kur ne ishim me leje vjetore. Nuk arritëm ta takonim edhe njëherë si i patëm premtuar. Mezi priste që njëra nga ne të shkonim e të rrinim me të. Nuk arritëm dot, dhe kjo na ka mbetur në mendje. Kur ajo vdiq, të dielën nuk punonte posta. E të hënën kur e morëm ne vesh e shkuam atje, ishte varrosur. Në Kanada kam gjetur varrmihësin e saj, Gjergji Gjergon- dhëndri i Beqir Ballukut, i persekutuar në Rrëshen. I kishin thënë ta varroste në një cep, sepse mendonin se do kishte ujë, donin ta varrosnin në ujë”, tregon Bibika. Në fund, ajo ndan me median edhe faktin se shumë gjëra i ka vetë Musineja për në muze.

“Kemi dorëshkrime, letra, çarçafë e brezin që i ka pasur në Rrëshen. Në dorëshkrime ka gjëegjëza, ritet e dasmës, vdekjes, lindjes, ka përralla. Gjatë kohës që ishte në internim, ka ndërruar 10 shtëpi. Në shënimet e saj ka emra e pseudonime njerëzish që i kanë bërë keq, që e kanë spiunuar”. Mbi raportin me Hoxhën, ajo mohon të ketë dijeni, veç në mos sipas saj, kanë qenë nënat, ajo e Enver Hoxhës dhe ajo e Musinesë që kanë folur për një fejesë të mundshme”.

AMBASADA AMERIKANE

Një prej dokumenteve që ekspozohen është edhe një kabllogram i Ambasadës Amerikane të kohës, që ende ruan shënimin “Konfidenciale”. Në të shkruhet se “Dje pas seancës gjyqësore, turma sulmoi fugonin e të burgosurve dhe rrihi keqas të pandehurit. Kokalarit, njërës nga dy gratë e akuzuara i shkulën pothuaj gjysmën e flokëve. Rojet bënin sehir”.

RAMA E KUMBARO
Në përkujtimin e 100-vjetorit të lindjes së një prej figurave të qëndresës kundër diktaturës komuniste, intelektuales Musine Kokalari, mori pjesë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në ceremoninë e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare, ajo bëri me dije se Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve kanë përgatitur projektin rikonstruksionit të shtëpisë ku lindi Musineja në Gjirokastër, djegur në vitin 2014.

“Për këtë ofrojmë dhe një fond për restaurimin që në bashkëpunim me familjen të ndërtojmë një model të shtëpive së shkrimtarëve me hapësirën muzeale kushtuar Musinesë dhe atë të mikpritjes – projekt më i gjerë që ne po krijojmë në Gjirokastër me një seri banesash, ku historia përzihet me arkitekturën, letërsia me bujtinën dhe kujtesa me të shkuarën që na kthen drejt së ardhmes”, tha Kumbaro, e cila shtoi më tej “se ngjarjet do të vijojnë në javë të tjera dhe nesër në Gjirokastër për të shkuar në gjurmët e Musinesë, për të mos harruar atë, për të mos harruar viktimat e persekutimit komunist, për të mos e lënë të keqen të përsëritet”. Kumbaro e quajti Musinenë “simbol që përmes brishtësisë i qëndroi diktaturës, Gruaja- Libër”.

“Musineja mbetet një personazh që intrigon me kombinimin e çuditshëm që përvijohet, midis profilit shumë të rafinuar, siluetës prej Madone, vështrimit të përhumbur, deklaratave të forta, zgjedhjes socialdemokrate, vrazhdësisë së gjyqit politik, teksteve naive me nënon plakë, kërkimit akademik në një italishte perfekte, nga sokakët e të marrëve te kishat bibliotekë të Romës, nga burgu te pavijoni onkologjik; nga qëndismat e mëndafshta te fjala e dëshpëruar prej mungesës së lirisë”, tha Kumbaro.

I pranishëm në ceremoninë kremtuese në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtares së parë shqiptare dhe intelektuales së shquar Musine Kokalari, Kryeministri Edi Rama tha se “Dosja e Musinesë do të jetë e para që do hapë një histori të re, të hedhjes dritë mbi faktet tragjike të së shkuarës dhe të shqyrtimit të gjithë dokumenteve dhe njohjen me gjithë personazhet që i kanë ikur dritës së të shkuarës që shumë shpesh na janë shfaqur me dy gishtat lart përballë prozhektorëve të të sotmes”.

KUSH ISHTE MUSINEJA

Musine Kokalari lindi në shkurt të vitit 1917, në Adale të Turqisë. Në vitin 1921 familja e saj u kthye në Shqipëri, ku u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vite më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë.

Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939.

Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Rinisë”. Në vitin 1944 ajo botoi librin e dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari.

Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945 u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit dhe gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.

/GSh

Luftar Paja: Qatipët me dhe pa qime në faqe që sulmojnë Dritëroin

$
0
0

Artisti i madh i humorit Luftar Paja është tejet i trishtuar nga ikja e Dritëro Agollit. Dhimbja për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të shquar atij i lexohej në gjithë qenien e tij në ditën e ceremonisë madhështore që u organizua një javë më parë. Por dje, më shumë se i mërzitur, ai ishte mjaft i revoltuar.

Dhe një e dy e shfrynte me zemërim duke sharë nëpër dhëmbë.

“E kam me ca zagarë që janë ngritur tani që mbylli sytë shkrimtari dhe hedhin baltë… Po si s’kanë turp xhanëm?” Dhe kështu fillova një bisedë me Luftarin, duke dalë krejt natyrshëm edhe tek aktualiteti politik, temë për të cilën Luftari nuk ka nguruar të flasë në DITA edhe herë të tjera.

– Luftar, u bë një javë pa Dritëroin. Si e kini përjetuar ikjen e tij?

– Më pikëlloi shumë ikja e Dritëroi, ashtu siç ka pikëlluar zemrat e shumicës së shqiptarëve, jo vetëm të komunitetit të artistëve dhe të shkrimtarëve. Sepse Dritëroi është një shkrimtar popullor i jashtëzakonshëm dhe që për vite e dekada me radhë ka ushqyer me oksigjen zemrat e këtij populli me poezitë e tij, me tregimet e romanet, me dramat dhe skenarët e filmave, por mbi të gjitha me humorin e tij brilant. Dritëroi tashmë është në shenjtërinë e tij. Ai do të kujtohet e nderohet si Naim Frashëri, Fan Noli e Migjeni në letërsinë shqipe. Por unë e them me bindje: Nuk ka vdekje për Dritëroin… E ku ka vdekje Zylua që krijoi Dritëroi?

– E megjithatë, dolën disa dhe e sulmuan Dritëroin që ditën që ai mbylli sytë. Besoj i kini lexuar ato shkrime?

– I kam lexuar dhe më kanë hipur xhindet. Po si nuk kanë turp këta njerëz, xhanëm? Ku ishin këta hiçër kur Dritëroi ishte gjallë? Apo pritën sa të mbyllte sytë dhe të dilnin si minjtë nga vrimat. Shikoni kush e sulmon: ca njerëz pa identitet, pa vepra, që nuk gëzojnë pikën e respektit në opinionin e gjerë shoqëror. Po ku ka qeder Dritëroi nga këta pleshta? Shiko, unë Dritëroin e përfytyroj si një koshere bletësh që bën mjaltë e shëron. Mirëpo bletët kanë edhe një huq: po i ngacmove ato të vërsulen e të thumbojnë sa të lenë top në vend. Mjerë ata që e sulmojnë atë koshere të bekuar…

– Mirëpo ata po e sulmojnë Dritëroin pas ikjes së tij…

– Edhe unë po e përsëris: Mjerë ata që e sulmojnë. Turpi i mbuloftë! Shiko, Dritëroi ua ka dhënë përgjigjen këtyre tipave që kur ishte gjallë, madje shumë herët. Ishte i mençur e largpamës Dritëroi. I kishte parashikuar të gjitha. Në vitet e para pas përmbysjes së diktaturës, Dritëroi ka qenë një nga njerëzit më të sulmuar nga opozita që erdhi me revan në pushtet. E shanin, e fyenin, e quanin më diktator se Enveri. Sepse dihet, pemën me kokrra qëllojnë me gurë… Mërzitej Dritëroi kur i lexonte ata artikuj, po më shumë buzëqeshte hidhur, duke i injoruar thuajse totalisht, sidomos ato që i vinin nga njerëz anonimë. Dhe përsëriste atë që kishte thënë te “Zyloja: “Ti thua mendimin tënd, unë tund kokën time…” . Kaq mund të thoshte Dritëroi këtu e 50 vjet më parë kur shkroi Zylon.

– E kemi fjalën për këta që e sulmuan dhe e sulmojnë pas përmbysjes së regjimit komunist…

– Po edhe këtyre ua ka dhënë përgjigjen Dritëroi. Dhe ua ka dhënë siç dinte ai. Më lejoni të tregoj një ngjarje të vërtetë:

Besoj se e mbani mend që, një nga më të egrit që e sulmonte Dritëroin, atëherë në fillim, nja 25 vjet të shkuar, ishte një gazetar i RD-së, i cili për fatin e tij të keq ishte qose, i cili shkruante vazhdimisht dhe me një gjuhë vulgare kundër Dritëroit. Një ditë prej ditësh, ky gazetari qose e takoi shkrimtarin në oborrin e Kuvendit dhe i thotë:

I ke lexuar Dritëro shkrimet e mia?

– Po, iu përgjigj, Dritëroi. Jam zbavitur me to…

– Mirëpo, nuk ta mban të më përgjigjesh. Nuk bën dot replikë me mua! – ia kthen i ngrefosur gazetari i RD-së.

– Unë replikë me ty? – i thotë Dritëroi. Nuk më ka shkuar në mend. Po meqë ma kërkove, unë ta jap një përgjigje, por me kusht që ta botosh kështu si po ta them…

– Pa diskutim, ta premtoj këtë…

Dhe shkruesi i RD-së nxori me vrap bllokun të mbante shënim.

Dritëroi, pa u menduar gjatë, i dikton këto vargje:

“O Qatip faqe pa qime,

Sa di ti, di bytha ime!”…

Faqe-qosja mbylli bllokun dhe iku i zemëruar. Natyrisht që këto dy vargje nuk u botuan kurrë në gazetë, por ato morën dhenë dhe kujtohen edhe sot e kësaj dite dhe do të kujtohen si anekdotë edhe në të ardhmen.

Kjo ishte përgjigjja e Dritëroit për një me faqe pa qime në atë kohë, po kjo vlen edhe për qatipët me faqet me qime që e sulmojnë tani që Dritëroi nuk është më fizikisht midis nesh.

– Besoj se e ka një arsye gjithë kjo fushatë kundër Dritëroit aktualisht?

– Natyrisht që e ka. Sepse Dritëroi u vinte hakut gjithë maskarenjve të këtij vendi, që punojnë kundër interesave të popullit dhe interesave kombëtare. Këta që sulmojnë Dritëroin nuk ngopen së pari këtë vend e këtë popull të vuajë. Nuk ngopen së pasuruari në kurriz të këtij populli të shumëvuajtur. E Dritëroi ishte dhe mbeti në anën e këtij populli gjithnjë, kundër shushunjave…

– A shikoni ndonjë lidhje midis këtyre sulmeve me reformën që po ngulmohet të bëhet në drejtësi dhe me zgjedhjet e ardhshme?

– Nuk është çudi që të ketë edhe lidhje. Nuk mbarojnë çudirat në këtë vend. Mbase duan të largojnë vëmendjen nga këto halle të mëdha që ka vendi. Ja, pas katër muajsh janë zgjedhjet dhe opozita mezi po pret të ketë trazira. Pse kot bëhet ajo protesta e 18 shkurtit që ka paralajmëruar Saliu?

– E ka paralajmëruar PD-ja deshe të thoshe? Saliu është thjesht një deputet në atë parti aktualisht…

– Mos u bëni budallenj. Nuk bëhet asgjë në atë parti po mos t’u bëjë isharet Saliu. Kështu ka qenë e kështu do të jetë. Saliu tani me atë reformën në drejtësi i ka mbushur brekët. Është i dhjerë komplet. E thërret Taulant Balla e ia bën rrupi-supi, i kërkon llogari për punën e CEZ-it. Dhe Saliu nuk ka nga ia mban. Ka thirrur Taulanti edhe të birin. I ke parë babë e birë se si janë menderosur? Sa herë i shikoj në televizor, unë mbaj hundët me duar se po qelbin dynjanë… E kam thënë edhe herë tjetër unë. Të gjitha fijet e opozitës i mban në duar Saliu. Domethënë e ka dhjerë atë parti. Edhe vetë ajo parti do të shpëtojë kur të ikë Saliu. Po bashkë me Saliun ikën dhe Jozefina dhe gjithë të tjerët që i shkojnë pas Saliut.

– Sidoqoftë, si e parashikon protestën e 18 shkurtit?

– Si ato të tjerat para saj. Bëjnë ca zhurmë në fillim sikur janë trima, pastaj futen andej nga kanë dalë dhe do venë si çeçua në votime, domethënë drejt humbjes që i pret më 18 qershor. Ja unë do ta shikoj në televizor protestën. Sikur e shoh dhe fundin e saj: Do t’i bjerë një telefonatë Saliut dhe ai do t’u thotë trimave të tij: Mjaft, për sot! Le të supozojmë e të shikojmë ëndrra sikur e përmbysëm qeverinë e korruptuar të Edvinit. Le të na shërbejë kjo si shenjë e mirë për zgjedhjet e 18 qershorit!…

– Faleminderit, Luftar! Besoj se do të takohemi përsëri para 18 qershorit?

– Kur të doni, unë i ngeshëm jam dhe sebep dua të flas…! DITA

Ermal Meta, vendi i tretë në Sanremo

$
0
0

Është me siguri një nga arritjet më të mëdha në lëmin muzikor që një shqiptar ka arritur në sytë e muzikës së vërtetë botërore. Ermal Meta, shqiptar i natyralizuar italian, zuri vendin e tretë në Festivalin e Sanremos, duke na bërë të ndihemi krenar me këtë arritje. Por kush është shqiptari që shumë pak dimë për të?

Ermal Meta, shkruajnë mediat italiane, mbërriti në Itali në moshën 13 vjeçare, ku u transferua në Bari bashkë me familjen. Fillimisht ai nisi të bëj muzikë si kitaris me grupin Ameba4, ku mori pjesën në festovalin e Sanremos në vitin 2006 në seksionin dedikuar të rinjve; me këngën “Qesh.. por ndoshta gaboj”. Gjithmonë me grupin Ameba4, incizon një album të famshmin Sugar Music, shtëpinë diskografike të Caterina Castelit.

Pak pas daljes së albumit grupi shpërbëhet dhe në vitin 2007, Ermal Meta krijon grupin La Fame di Camilla, që nga viti 2009 deri më 2012 publikon tre disqe.

Në vitin 2010, Ermal Meta merr pjesë sërish në Sanremo, edhe këtë herë në kategorinë e rezervuar për të rinjtë. Edhe ky grup shpërbëhet dhe që nga viti 2012, Ermal Meta vazhdon karrierën muzikore si solist.

Përvçse këngëtar i vlerësuar, Ermal Meta është i njohur edhe si kompozitur i emrave të famshëm si Patty Pravo, Marco Mengoni, Emma, Giusy Ferreri, Franceska Michielin.

Suksesin në festivalin e fundit të Sanremos, Ermal Meta ja ka kushtuar nënës së tij që sipas tij i ka mësuar të mos bindet

La canzone significa ama la tua vita e ama gli altri e fai come ti senti di fare. Dedico il mio terzo posto al festival di Sanremo a mia madre, che mi ha insegnato a disobbedire”.

“Historia mbart mesazhin e mosbindjes, ajo që na bën të lumtur mund të shkojnë nga mosbindja. Kënga sinjifikon të duash jetën, dashuro të tjerët dhe bëj si ta ndjesh. Unë nuk dua të jem retorik: Tregoj histori kur kam për ti treguar dhe më pëlqen ti ndaj ato në mënyrë personale. Nuk është rëndësishme bazë e tregimit. Vendin tim të tretë në festivalin e Sanremos ja kushtoj nënës time, që më mësoi për të mos u bindur”. tha Meta në konferencën për shtyp pas vendit të tretë në Sanremo

Rrëfimi i Silvana Braçes: Ja me çfarë merrem tani

$
0
0

Silvana Braçe një nga figurat më të dashura të medias sonë, ndonëse nuk është më pjesë e medias, është ende shumë aktive. E kjo nuk ka se si të jetë ndryshe kur punën e bën me dashuri.

Silvana tregon për suplementin e gazetës “Shekulli” detaje nga jeta e saj e përditshme, familja dhe puna. Ajo nuk ngurron të tregojë se kudo ku shkon udhëtimi më i bukur mbetet ai i vendit të saj, e ndërsa kthehet pas në kohë kujton me nostalgji kohën e kaluar në Televizionin Publik Shqiptar.

Një nostalgji e ëmbël, një kohë e mbushur me pasion, përgjegjësi, emocion, një kohë që mban emrin rini dhe nga mund të vesh themelet për vitet që vijnë. Kjo më ka ndodhur mua”, kështu e përshkruan Silvana këtë kohë të jetuar aty. E për të shkuar tek koleksionimi i fustaneve të koncerteve të ndryshme, që Silvana e pranon që për to mund të harxhojë dhe shumë para.

Cilat janë aktivitet e tanishme tuajat?

Aktivitetet e mia janë kryesisht koncerte të formateve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu një angazhim tjetër këto kohë ka qenë dhe prezantimi i eventeve të librit apo festave të ndryshme që nga shoqata e fondacione, apo institucione. Ndjehem e plotësuar në këtë larmishmëri por me pak kohë në dispozicion për të menduar një nisëm timen. Më ka rrëmbyer dashuria e njerëzve që unë s’mund ta refuzoj.

Ju ka marrë malli për të qenë në televizion?

Mua jo, por më duket, se publikun, po. Televizioni për mua s’ka qenë kurrë qëllim në vetvete, pra për t’u dukur, për të bërë famë, për të realizuar ambicie. Jo! Ai, televizioni, ka qenë punë që unë e kam trajtuar plot nder e respekt. Në të vërtetë, më duket, se kam shumë ç’të përcjell përmes ekranit dhe do të isha e dobishme, por ata që kanë pushtetin e medias nuk di se sa të interesuar janë për të përcjellë tek publiku atë që unë pretendoj dhe e kam bërë me vite, dashurinë dhe mirësinë njerëzore, promovimin e më të bukurave vlera shqiptare që nga gjuha jonë e vyer, tek adhurimi për atdheun. Mendoj, ndoshta pa të drejtë, por që disa njerëz në media janë në vendin e gabuar duke ç’orientuar brezat me përqafimin e çdo lloj shëmtie, gjoja moderne, duke mos përfillur traditat tona të shkëlqyera dhe modelet njerëzore nga më të ndriturat.

Punë e gjatë në TVSH…

Po, e gjatë koha në televizion, se jo në ’90 që nisa punë fikse pranë këtij institucioni, por që në ’79-’80 unë dilja në ekran. Fare e re, por vite janë ato… derisa në 2004 u shkëputa me lindjen e djalit e të tjera histori…

Ç’moment kujton nga koha që keni kaluar në TVSH, që e kujtoni më shpesh?

Studio. Fotografia e saj është fiksuar në kujtesë dhe fytyrat e kolegëve që shpesh më kalojnë si në një film. Një nostalgji e ëmbël, një kohë e mbushur me pasion, përgjegjësi, emocion, një kohë që mban emrin rini dhe nga mund të vesh themelet për vitet që vijnë. Kjo më ka ndodhur mua. Tani gëzoj plot entuziazëm emrin e dashur që paskam krijuar me punën e viteve të shkuara. Ky është momenti më krenar i gjithë jetës sime, kur kuptova që publiku është me mua. Kudo që shkel dhe këdo që takoj, nuk kursehet të më impresionojë me njohjen dhe dashamirësinë dhe gjithmonë kërkesën e palodhur për të qenë sërish në ekran. A mund të ketë diçka më të mrekullueshme për mua?!
A do kemi kënaqësinë ta shohim sërish Silvanën në TV?

Për mua nuk është qëllim, siç thashë më parë, por me kënaqësi do të isha sërish pjesë e televizionit. Por, kjo është një pyetje, apo kërkesë për drejtuesit e TV, sepse ata kanë në dorë edhe fatin e vazhdimësisë aty.

Keni mbaruar ekonomikun, a i keni kushtuar vëmendjen duhur këtij profesioni?

E vërtetë, me kënaqësi dhe mburrje le të përsëris se kam kryer Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Ekonomisë, dega Financë me petagogë të një niveli shumë të lartë dhe në një shoqëri studentore gjithë kërkesa dhe ambicie, të cilët në këto vite të demokracisë janë shumë të rëndësishëm në organizimin tonë politik, ekonomik dhe shoqëror. Pra jam përgatitur për jetën në një mjedis shkencor për t’u admiruar nga kam mësuar dhe marrë edhe unë diçka, patjetër. Kam punuar për katër vite si ekonomiste, por gjithmonë e pa shkëputur nga televizioni dhe skena. Pa dalë nga vetja, sigurisht dhe këtu kam punuar seriozisht, me ndërgjegje dhe përkushtim, por rrethanat favorizuan TV. Në vitet ‘89-’90 një kolege e nderuar, Stoli Beli, prezantuesja e parë e TVSH dhe redaktore e muzikës aty u tërhoq nga puna e përditshme dhe drejtuesit e intitucionit, Ylli Pepo, personalisht që gjej rastin ta falenderoj për të qindën herë, menduan që të vazhdoja unë udhën e Stolisë. Ishte e mbarë! Stolia përveçse një profesioniste e adhuruar, ishte dhe një ëmbëlsirë grua-vajzë, se si çupë rrinte gjithë kohën me faqet rozë, sytë si xixa të vogla dhe zërin lozonjar e të ngrohtë. Të dua gjithmonë Stoli!

Ti jeton në Tiranë me Agronin dhe Fatjonin. Si është marrëdhënia juaj?

Besoj, dy çunat, domethënë bashkëshorti dhe djali të jenë të kënaqur me mua. Unë, patjetër.

Si nis dhe mbyllet një ditë e juaja?

S’është aq interesante e përditshmja ime, sidomos këto kohët e fundit. Kryefjalë është familja dhe detyrat si nënë, por patjetër që ekzistoj edhe si një qenie shoqërore. Komunikoj me shumë persona gjatë gjithë ditës për çështje nga më të ndryshmet, duke nisur që nga ndihma dhe veprat e mira për njeri-tjetrin, sajë njohjeve të shumta që unë kam, deri tek interesat e punës.

Po raportet me familjarët tuaj…

Familja në kuptimin më të gjerë përfshin edhe kushërinjtë. Tek ata jo se jam kaq shumë e pranishme për shkak të intensitetit të jetës në përgjithësi, por i kam në zemër dhe në çdo rast nevoje jam aty për t’u gjendur në krah.

Si e përkufizon Silvana dashurinë?

Nuk kam një përkufizim, por po i referohem si shpesh bëj, babait tim. Në një nga këto ditë që ishte sëmurë, e ngushëllonte veten duke thënë: “Kur mbaron dashuria, nuk ka ç’të duhet më jeta!”. Besoj, mjafton për ta përshkruar atë.

Cili nga udhëtimet që keni bërë nëpër botë ju ka lënë më shumë mbresa dhe do të dëshironit të ktheheni sërish?

Do të kthehesha mbrapsht për këtë pyetje, për të thënë, se ngado që shkova, më të bukur se Shqipëria nuk takova.

Librat që lexon Silvana?

Më pëlqejnë librat historikë, biografikë dhe romantik, ndonjëherë. Për shkak të një jete shumë impenjative nuk kam lexuar aq shumë, sa do të kisha dëshiruar, ndaj më pëlqen të dëgjoj e të shoqërohem me njerëz më të ditur dhe më të lexuar se sa unë. Është një etje e pashuar për të nxënë gjithmonë të reja e për të ditur, mundësisht gjithçka, nga shkenca, politika, filozofia, arti në të gjitha kohët.

Pas rolit tek filmi “Drejt fundit”, tashmë nuk jeni peng?

Oh, ishte një tentativë pa e menduar shumë e pa zgjedhur. M’u ofrua roli dhe nëpër atë ëndërr që më shoqëronte gjithë jetën time për të qenë aktore ndonjëherë, nuk thashë jo.

Çfarë ka me merak apo pikë të dobët Silvana?

Gjithë meraqe jam unë e gjithë pika… E vras mendjen shumë, e lodh veten drejt vlefshmërisë, përsosmërisë dhe idealizmit absolut.

Për çfarë shpenzon më shumë para Silvana?

Unë nuk harxhoj shumë para. Jo për kursim, por se shpërdorimi i tyre më duket krim. Të bëj ekonomi më duket një art i vërtetë. Megjithatë, e di proverbin: “Nuk jam aq i pasur që të blej lirë!”. Si do të jetë, momenti që unë mund ta teproj dhe të më dalë pak nga kontrolli, është blerja ose përgatitja e fustaneve të skenës ku kam, tashmë, një koleksion shumë vjeçar dhe të shtrenjtë.

Viewing all 14404 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>