Nga Anila Rrezhda/Lufta mbaroi, nga se keni frikë? Të heshtur para një televizori ose si memecë rrugëve prisni të plasi diçka. Kur, ku dhe kryesisht nga kush? Merrni laps e letër t’i numërojmë bashkë viktimat se lufta mbaroi, besojeni. Mos më gjykoni as mos më korrigjoni, nuk jam shkruajtësja e historisë tuaj 1 shekull më vonë, jam viktimë si ju. Lufta ka një datë fillimi dhe mbarimi, ka një datë regjistrimi dëmesh dhe një protokoll Lufte që ruhet për t’u shuar dhe nënshkruar Paqja pas ca kohe!!!
Kur vjen Paqja? Kur gjithçka shkatërrohet dhe nuk ka ngelur asgjë më në këmbë. Si filloi lufta që na shfarosi neve? Na paralajmëruan, na kërcënuan, ne u organizuam, luftuam por fatkeqësisht humbëm, ndodh dhe kjo në luftëra? Jo, as e morën mundimin të na kërcënojnë sepse, kjo luftë nuk pati pretendime territoriale si ato të mëparshmet. Psetë vinin te tokat tona e të vritej rinia e tyre?Pastaj duhej dhe një ndryshim nga luftërat e tjera. Na binden se ishin mysafirë të nderuar. Ne ju hapëm dyert pash më pash. I pyetëm: “Si kështu ju nga anët tona? Ju të pasur ne të varfër. Ju fuqi të mëdha ne të vogla. Pse bëni miqësi me të vegjël ju?”
Qeshën me sarkazëm dhe na u përgjigjën: “Ky është globalizmi aq shumë i dëshiruar edhe nga ju. Hamë të njëjtat gjëra. Vishemi njëlloj si kloun. Kërcejmë njëlloj. Përdorim gjithçka njëlloj të mundshme. Kulturohemi nga Pop Stars që krijon industria estetike. Kemi mjete elektronike kudo ku rrojmë. Mirë do ishte të harronit meridianin ku rroni, historinë që shkruajtët me gjak, vetëkzistencën si popull i vogël nga kaq luftëra, shpëtimin e gjuhës. Tani të gjithë do flasim Anglisht, gjuha e elektronikës, mjafton. Mbrojtja e kufijve të vatanit nga djemtë e tij? Ç’janë këto nocione të vjetëruara? Djemtë tuaj duhet të shkojnë ku ka luftë pa ditur historinë e askujt kombi që janë në luftë. Do luftojnë për ata që i paguan. Kufijtë e vendit të tyre as i dinë si janë dhe ku janë. Nuk ka rëndësi më. Tashmë jemi qytetarë të globit. Të gjithë për të gjithë dhe askush për askush, uniformë do jemi. Unë veç do mbaj monopolet e mija ekonomike se nuk i dihet, t’i ngrohu në diell ”.
E kështu filluam të blejmë gjithçka nga kushdo veç nga bereqeti i tokës tonë, jo. Harxhojmë miliona për importimin e produkteve të huaja si shtet, pasi hyrja dhe shitja e tyre në vend lë përqindje të mëdha fitimi. Logjike. Si të jesh shërbëtori i shitësit të mallit të tij! Nuk shikoni se ç’bëhet nëpër tendera për të futur mall të huaj, shqyhen. Fshatari shqiptar leckoset përditë e më shumë. Produktet e tij bio ja marrin për dhjamë Pleshti, e gënjejnë, i thonë s’kanë vlerë të tutë, ja vjedhin dhe ja shesin sa frëngu pulën në tregjet e botës. Pra bereqeti i tokës time shitet me flori jashtë dhe unë e blej me më shumë flori mallin tim që ta ha, se po atë me sjellin nga jashtë. Ç’është ky cikël mjerimi, ky mohim i kombit, ky gjunjëzim i barqeve të atdhetarëve të mi? Si quhet? Riciklimi i varfërisë. Kjo është bërë gjithmonë në histori kur bankat e mëdhenjve kanë ngelur bosh! Popujt i varfërojnë pastaj i pushtojnë, j’u vënë një zinxhir në qafë dhe pastaj duhet shumë mund që ta heqësh. Lum si fshatari i huaj që rron nga rroga ime. Me fal o fshatar im që u rreshke nga dielli arave pa një copëz vend në diell as sa Luli i Vogël!
Di ndonjëri të më recitojë poezi, të më këndojë një këngë të plotë Shqip? Copë-copë po deshe. Të huajat pike e për varg. Kush jam unë që ju pyes? I përkas Brezit të Artë, të hapa dyert e botës me shpatullat e mija që të lëvizje i lirë. Të mbylla burgjet që hyje për një poezi. Ika dhe ta lashë tokën time ta bësh lule dhe jo përshesh me Uthull siç e bëre. Nuk fole kurrë për mua. E ç’e doje, paratë e mija doje, t’i dërgoja, i more, i hëngre, mjafton. Nuk dënove kurrë kriminelët që më izoluan plot 50-të vjet por i ngrite në poste. Po ç’të bëje? Brezi që sapo do merrte fatet e kombit në duar u dëbua, eksodi ishte i organizuar me të huajt, më dëgjuat? Dhe ne e hëngrëm se ishte Bukë Lepurushi dhe se po iknim vetë! Jo, na detyruan të iknim se hakmarrja që do shpërthente nuk do kishte letër të shkruhej se do digjej. Ju pyeta a dini poezi Shqip, këngë Shqipe? Pak dhe fare dini se lokalet tona oshtinë nga muzike që bota e ka lejuar të luhet për shumicën e tyre të droguar, të pastrehuar, për parazitë dhe dëgjohet vetëm në orët e vona mesnatë, larg qytetërimeve, aty ku rinia kërcen si Ariu në cirk, dehet, bën sex pa ditur me kë. Kështu mbahen nën kontroll shtresat e varfra atje. Po ju pse në vendin tuaj kështu?
Shtëpi të varfra me frikën se mos nesër mund të mos kesh korrent dhe ujë. Priten te dyja pa paralajmërim fare. Mirë se mua ku të më gjejnë! Po ty?Apo ku ka me bukur se kaq. Aty ku ëndërron shtratin e shtëpisë pas punës 12- orëshe pa siguracione, koha që mbledh fëmijët nga shkolla, kthehesh dhe shtëpia sterrë, ta kanë prerë, nata po vjen, nesër. Gjen dhe Dante Alighierin që “të pret” për bela të pijë një kafe me ty. Territ ju përkushtua Ai si te shtëpia jote.
Në duar e kujt do jetë pleqëria jonë? Kush do na zvarriti tenjë Noter që të na marri gjithçka siguruam me aq mund, do paguajnë pak lekë dhe do thonë që pak më vonë u çmendën pasi firmosën? Kush do jetë mjeku, infermierja, polici,politikani,edukatorja, mësuesja,ekonomisti i ardhshëm?Këta që po rriten sotibije të jenë por këta po rriten me veshë të izoluar nga kufjet dhe me sy të përkulur në një copëz ekran Blu celulari. Ai i rrit, i edukon, i bastardon, i egërson, ua mëson të gjitha para kohe, ç’e duam rritjen biologjike konform me pjekurinë e trurit si ne? Adoleshentët duhen të kenë trupa të mitur, përvoja mesmoshatarësh, shpirtra të helmuar nga dëshpërimi se jeta është luftë, por e bukur dhe jo e keqe siç ja’u servirin. Ju ofrojnë vetëm dashurinë krevatore si tallje, si lojë dhe jo si jetë që përtërin jetën. Plot me pleq të rinj shoqëria!
Nëse doni ta kuptoni se lufta ka mbaruar shikoni: vitrinat e dyqaneve plot me mall të huaj. rininë që rri në radhë më tepër se kurrë dyerve të ambasadave për të ikur. Dhjetëra autobusët që transferojnë jashtë kufirit ç’do ditë më shumë “turistë” se vetë Kina. Punë sezonale, shtiren si turistë që të fitojnë pakëz personalitet të rrëmbyer të vyerit e mijë që preferuan punën si zgjidhje jete, si dhe unë. Shikoni “sa bukur” mbi pallatin e ish -Kulturës, aty ku dikur zëmrat rinore buçisnin jetë dhe traditë populli sot valëvitet flamuri Italian. Kultura e tyre mbi tonën, instituti i tyre mes zëmrës së Tiranës tonë. Natyrisht pushtues i kishim, koloni na kishin, mos t’i kemi prapë diçka? Të huajt e kanë këtë të mire, ta servirin gjithmonë qyl kulturën e tyre, ju duhet për të ardhmen! Shikoni si shkëlqejnë dyqanet hapur ditën e Diel, ditë pushimi nga vetë zoti. Kodi i Punës i varrosur në sy tuaj që ndërkombëtarisht është 8-të orë në ditë, 40-të orë në javë. Nuk jam e informuar unë? Shikoni zyrtaret kur dalin nga dyert e mëdha të premteve.
Shikoni televizorët si rënkojnë ditë e natë prostitucion shpirtëror dhe trupor. Femra lakuriq, pazare on line, falje lekësh, shtëpish. Dialogë me fjalorë nga më të ndyrët. Më të humburit dhe injorantit të shoqërisë i jepet dy orë kohë televizive të flasë. E dini sa i shitet një universitari po iu nevojit kjo kohë për punën e tij të vlefshme për një shoqëri të tërë? 5000 euro të thata vetëm për 20-të minuta! Llogariteni vetë kush j’u duhen si njerëz, ata të mjerimit apo ata të dritës?
-kemi të drejta të barabarta në shoqëri si dhe për votën apo jo? Po detyrat si janë ndarë?Si ai me dy diploma si ai me dy klasë shkollë njëlloj. Me rrofshi për këtë mentalitet që birësuat..Po puna është që unë e diplomuara ua kam varur shërbimeve tuaja. Jam ritmikisht e sëmurë! Kush jam unë që nuk kam pikë vend nderi në një shoqëri? As më dëgjohet fjala, paguhem më pak se sekretaria gjoksdalë, dështojmë politikat e të ngrënit fajin e kam unë. Shteti mire keq ecën nga puna ime. Ndërsa ty të pëlqejnë vetëm skandalet rozë, femrat sex-i, injoranti, fyejtësi, kryengritësi si në shekujt para Erës së Re, pret fatin tënd para ekraneve që nga leku e deri te martesa, do punësime vetëm nëpër zyra si klient partiak që je, atëherë merru me ata që duartroket çdo ditë. Kush e bën punën time? Të huajt. Pse nuk të pëlqen? Unë i firmos sigurisht që t’i kuptosh ti në shqip!!!Rri tani shiko tërmete, shpërthime, vrasje dhe djegie pyjesh të vendit tënd në televizor. Fajin e kanë ministri, flaka i raftë gjithçkaje, dil për kafe tani se u bëre vonë. E shikon, edhe bashkë në luftë jemi!
Më jepni raki vendi të dehem që mos kuptoj më ku dreqin rroj! Sapo i shpëtoi një kolere më gjen tjetra. Sapo ngrihet në këmbë një brez as dy hapa nuk bën dot ma gjunjëzojnë prapë. Mund të shpëtonika vetëm fare pak kohë, shitet diell, ka shumë shpresë, vetëm mos ja’u thoni sekretin të huajve se humbët. Dilni fushave punoni arat, prodhoni bukë dhe produkte. Lyeni kombinatet dhe fabrikat dhe mbushini me punëtorë. Jepjuni trefishin mësueseve të shkollave tani që e keni dhe pakëz gjallë këtë brez të nderuar, tonin. Lërini të ushqehen, udhëtojnë dhe kurohen falas pensionistët, mire që j’u rrupët xhepat, por dhe jetën. Mbajnë fëmijët e tyre tani. Janë tretur, po vdiqën nuk kanë nevojë për varre të mëdha. Burgosini të gjitha ato që ushtrojnë prostitucion Publik në orë Publike, janë rrezik shëndeti dhe fjale Publike. Në mbarë botën j’u vihen prangat.
-çlironi administratat nga kërmat, hapni dritaret të hyjë ajër i pastër. Lufta mbaroi, kush u vra u vra. Unë që flas jam e plagosur ndaj kakaris akoma. Ndryshe nga mbarë vendet me dyndje refugjatësh ne jemi ende vetëm Shqipëria e Shqiptarëve. Fat. Shfrytëzojeni. Lërini politikanët, boll i dëgjuat dhe shatë. Dorën në qyp me mjaltë fuqitë e mëdha, dorën dhe tanët. Edhe politika ka mode. Rryma ndërkombëtare sistemesh që ndërrohen janë dhe këto, luftë, diktaturë, demokraci ose sallatë Ruse si kjo tani, mbretërojnë të gjitha, as Mbreti nuk mungon!
Mos ki frikë o atdhe, o Shqipëri. Sa të ketë të shkruara për ty nga Naimi, Çajupi, Noli dhe mijëra të tjerë mes tyre dhe unë, mos ki frikë. Ne do e hamë por t’i do lulëzosh. Ti kujdesu vetëm të na sjellësh si gjithmonë të katër stinët e bekuara që kemi fatin si vend të kemi për të jetuar më mirë se kushdo. Ngri erëra të fuqishme të na pastrosh dete e liqene se lumë do bëhemi vetë. Do zbrazet e keqja, do iki, do rrjedhë bashkë melumin një ditë. Koha e re dhe shpresa do urdhërojnë pastaj pemën të çeli Lulebajame!
Kjo luftë synoi njeriun, shkatërrimin e tij aty ku ai ha, flë dhe evoluohet, në familje. Ja arriti qëllimit, e pushtoi, e nxori rrugëve, ja dogji trurin njerëzve. Ngrini të mençurit edhe nga varri po i gjetët ku i kanë, i do shpëtimi ekzistues!