Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

Nderohen gratë artiste gjakovare të viteve ‘60 – ‘80

$
0
0

Nga Migena Arllati/ “Zëri femëror në skenën gjakovare mes viteve ‘60 – ‘80”, ishte aktiviteti i ndërmarrë nga Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar i Gruas Intelektuale Shqiptare “Nermin Vlora Falaschi”, dega në Gjakovë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës së Kuvendit Komunal.

Në eventin e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsit, në qendër të vëmendjes u vu guximi i këngëtareve femra në skenën gjakovare të viteve ‘60, ‘70, ‘80, të cilat në rininë e tyre injoruan mentalitetin dhe u bënë antikonformiste me rrethanat e kohës.

Tashmë që janë në moshë të shtyrë, duket sikur pluhuri i harresës ka rënë mbi to, edhe pse në vitet e rinisë, kur këndonin në skenën e Gjakovës e më gjerë, sfidonin realitetin e mbushur plot paragjykime mbi femrat dhe artin, si dhe mbanin gjallë këngën shqipe në rrethana të vështira politike. Janë këngëtaret e viteve ‘60-të, ‘70-të, ‘80-të, të cilat edhe pse në rangun amator, kënduan bukur, kënduan guximshëm, duke shkelmuar prapambeturitë e mentalitetit të kohës.

“Nderim dhe respekt i pakufishëm për këngëtaret gjakovare të atyre dekadave, të cilat duhen duartrokitur dhe përgëzuar për guximin”, u shpreh që në hapje të organizimit Zenepe Luka, Presidente e Fondacionit. Delegacioni i Fondacionit në Gjakovë nderohej me praninë e zëvendëspresidentes Tinka Kurti, “Nderit të Fondacionit” Margarita Xhepa, aktores së famshme kosovare Leze Qena, kryetares së degës së Malit të Zi Zylfije Gjoni Duraku, kryetares së degës së Kosovës Ajtene Krasniqi etj.

Meriton Ferizi, drejtor për kulturë, u shpreh se është tepër i nderuar nga përmasat serioze të këtij organizimi. Ai tha se jehona e zërit femëror në skenën gjakovare në vitet ‘60 – ‘80 ndjehet edhe tani, vite e vite pasi shumë nga ato nëna, motra dhe bashkëqytetare tonat, e kanë lënë këndimin.

Këngët e reja popullore dhe muzika e lehtë, asaj kohe në Kosovë vinin nga Shqipëria nëpërmjet valëve të Radio- Tiranës. Por këtë privilegj nuk e kishin të gjitha qytetet pasi valët nuk mund të shkonin gjithkund në zonat e Kosovës. Në këtë pikë, Gjakova si vend kufitar, ishte e privilegjuar pasi banorët e saj mund të përcillnin përmes radioaparateve, këngët që ky radiostacion transmetonte. Muzika ishte tepër e rëndësishme në ato vite pasi shërbente si ushqim shpirtëror për Kosovën nën Jugosllavi, e cila rrinte me sy e veshë kthyer nga vendi amë, Shqipëria. Këngëtaret e reja gjakovare, fillimisht nxënëse të shkollave të mesme, shpeshherë mblidheshin në një shtëpi, ku kishte radio dhe, me koncentrim e vëmendje maksimale mundoheshin që këngëve të sapodala, t’ua nxirrnin tekstin në mënyrë që, më pas, t’i këndonin. Ky ishte një stërmundim i madh pasi, në mungesë të mundësisë për inçizim, ato detyroheshin që vazhdimisht të ndiqnin programet muzikore në radio, në mënyrë që t’i plotësonin tekstet e këngëve që kishin mbetur të mangëta për shkak të mosdëgjimit të saktë apo të moskuptimit të ndonjë trajte dialektore tiranase, elbasanase, beratase etj. Për çudi, kjo punë, edhe pse e mundimshme, për to paraqiste një kënaqësi të jashtëzakonshme, kënaqësinë e të mësuarit të një kënge të re, një kënge që vinte nga vendi i zemrës së tyre, Shqipëria. Por, mësimi i këngëve dhe marrja e teksteve në mënyrë mekanike ishte problemi më i vogël me të cilin ato ballafaqoheshin. Problemi i pikëpamjeve të kohës, mentalitetit të rëndomtë, ishte shumë herë më i madh dhe më i theksuar, pasi  daljet e tyre në skenë jo rrallëherë shoqëroheshin dhe pasoheshin me etiketime nga më të ndryshmet, pasuar nga përfoljet, të cilat i detyronin familjarët të bënin trysni te këto vajza që të mos dilnin më në skenë për të kënduar pasi “ngjitja nëpër skena nuk përkonte me etikën tradicionale shqiptare”. Megjithatë ato nuk u ndalën, por u bashkëngjitën në koncertet e Shoqërive artistike – muzikore “Hajdar Dushi”, “Shotë Galica”, “Ymer Riza”, si dhe në koncertet e Shoqatës studentore “Përpjekja”, shoqatë e themeluar nga studentët shqiptarë në Beograd. Migena Arllati, kryetare e degës së fondacionit dhe organizatore e eventit u shpreh se, në vendet, ku femrat gëzojnë të drejta të plota, feminizmi nuk ekziston si lëvizje, por vetëm si koncept mbi të cilin avancohet mirëqenia dhe pozita e saj.

“Fondacioni i gruas “Nermin Vlora Falaschi” bën një punë kolosale për avancimin e femrës dhe promovimin e vlerave të vërteta femërore në arealin shqiptar. Konkretisht rreth ceremonisë së sotme, unë do të thosha se është në nderin tonë t’i nderojmë e vlerësojmë këto zonja sa janë gjallë, sepse nderimi formal pas vdekjes do të ishte hipokrizi. “Faji” i vetëm që ato bënë në kohën e tyre ishte se interpretuan në manifestime të ndryshme kulturore si “Mikrofoni është juaji”, “Mbrëmjet e kaltra”, “Mbrëmjet e vallëzimit”, festat e ndryshme të shkollës etj. Vërtetë ato nuk u kursyen nga epitete të shumta nga më degradueset, nga më të ulëtat, u përfolën e herë – herë u përbuzën, por mbi të gjitha ato ia zbardhën faqen Gjakovës duke i luftuar me këngë të gjitha ato paragjykime të errëta, të mbetura si mbeturina të sundimit shumëshekullor turk dhe serb. Ato, që të gjitha pa përjashtim, e përfaqësuan qytetin e Gjakovës dhe bënë që ky qytet të dallohet nga të gjithë të tjerët për numrin e madh të këngëtareve me shumë cilësi. Duke “luftuar” mentalitetin me një armë shumë pacifiste dhe intelektuale njëkohësisht, ato arritën të shkruajnë histori, një histori sa e bukur, po aq edhe e dhimbshme. Pikërisht për këtë arsye, ato sot çmohen maksimalisht dhe janë shumë të nderuara kudo, dhe domosdo nuk do të harrohen asnjëherë por do të çmohen si një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës së këtij qyteti”, potencoi prof. Arllati në sallën e Pallatit të Kulturës mbushur plot e përplot me të ftuar.

Aktivitetit i dhanë një bukuri të rrallë edhe interpretimet e aktoreve të ndritura të skenës: Margarita Xhepa, Tinka Kurti dhe Leze Qena, të cilat po ashtu vunë në dukje barazinë e domosdoshme që duhet të ekzistojë në një shoqëri, përndryshe njëra palë do të jetë gjithmonë e shkelur dhe e nëpërkëmbur.

Mandej u nderuan me Mirënjohje për rolin e tyre në emancipimin e femrës në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi, si dhe për mbajtjen gjallë të shpirtit të një populli të okupuar: Fiz’harmonikistja e parë femër: Sanije Begolli – Kryeziu (post mortum), Besa Arllati (post mortum), Sadete Kupa, Mandushe Muhaxhiri – Bakija, Hazbije Dautaga – Meça, Bahrije Shyti – Kaçi, Zejxhone Ymeraga – Kabashi, Borëbardhë Riza – Gjini, Serbeze Këpuska – Loshi, Litafete Komoni – Xërxa, Meliha Kolçi – Meça, Myhrebije Malazogu Bytyçi, Gonxhe Çaushi – Morina, Nezafete Shala.  Po ashtu u nderuan për kontributin e tyre mësimdhënëset Myrvete Dula dhe Mevlyde Muhaxhiri, si dhe u ekspozuan pikturat e mësimdhënëses Pakize Haxhikadrija.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>