Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

Festivali i Tingujve të Kitarës

$
0
0

Nga Shaqir REXHVELAJ/Para disa ditësh, në sallën e teatrit të “Metropolit” në Tiranë, u organizua një veprimtari shumë interesante dhe e veçantë, “GUITAR SOUNDS FESTIVAL” – “ Festivali i Tingujve të Kotarës”. Drejtor artistik ishte Denis Bizhga, i cili me shumë modesti, por me elokuencë, çdo natë paraqiste para publikut, “mjeshtrit” interpretues të kitarës, të cilët qenë dhe protagonistët e këtij festivali shumë mbresëlënës. Më pëlqeu gjithë korniza artistike e këtij festivali si dhe qëllimi për të sjellë në vëmendje të publikut artdashës të kryeqytetit një instrument muzikor të mrekullueshëm siç është kitara, me një okeljo të bukur: “E vetmja gjëmë e bukur se një kitarë, janë dy kitara”, – Fredric Chopin”. Edhe për drejtorin artistik, Denis Bizhga, “Festivalet muzikore janë pjesë e aktiviteteve artistike që kanë një identitet kulturor dhe jeta artistike e Tiranës i mirëpret këto lloj aktivitetesh, sepse sjellin risi dhe cilësi në nivel artistik për publikun e kryeqytetit. “Guitar Sound festival” është një veprimtari muzikore krejt e veçantë, sepse ka si qellim të përhapë një kulturë dhe edukatë muzikore për brezin e ri.” Kjo veprimtari e re nën moton “Edukimi përmes artit” është një dëshirë e bukur, që festivali të nxisë interesin dhe kërshërinë për të njohur një ndër instrumentet më të dashur dhe të bukur muzikorë siç është “kitara klasike”. Talentet shqiptare të artit muzikorë tashmë janë bërë shumë të njohur në skenat më prestigjioze europine dhe botërore. Ata përfaqësojnë sot me shumë dinjitet “genin” vital shqiptar, por dhe shkollat shqiptare të artit skenik prej nga e kanë nisë rrugëtimin e tyre të sukseseve. Me dhjetëra këngëtarë, balerinë e instrumentistë solistë janë pjesë e veprimtarive kryesore skenike dhe spektakleve televizive, të cilët konkurrojnë me shumë dinjitet përkrahas “yjeve” në majat e artit më të kualifikuar nga Europa deri në Amerikë. Ata shpesh janë bërë edhe pjesë e veprimtarive tona artistike, por më mbresëlënësja ka qenë pjesëmarrja e tyre në koncertin e madh festiv për “100 – vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”. Por le të kthehemi te “Festivali i Tingujve të Kitarës”, te kjo veprimtari e re që i mungonte jetës artistike të kryeqytetit. Tre kitaristë solistë të talentuar krijuan një atmosferë të re muzikore, sa gati e kishim harruar këtë instrument të magjishëm siç është kitara. Profesionalizmi i lartë, interpretimi i një repertori profesional solistik dhe shpesh edhe “virtuoz”, larmia e programit që nga autorë klasikë, romantikë dhe modernë; janë të gjitha së bashku këto elementë artistikë që festivali realizoi qëllimin e tij, duke lënë mbresa dhe jehonë te artdashësit e kryeqytetit. Nata e parë: Interpreton kitaristi solist, Drilon Çoçaj- fitues i çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar të muzikantëve të rinj “ArsKosova” në Prishtinë në vitin 2013, nën përkujdesjen e Prof.Enver Sahatxhiaja, përfundon studimet si student “ekselent” në Akademinë e Arteve në Prishtinë.

Nata e dytë: Kitaristi solist, Vendim Thaqi, i lindur në Kosovë, por i rritur në Gjermani. Studimet për kitarë klasike i mori nga Prof. Hans – Vverner Huppertz në akademinë “Hochschule fur Musik und Tanz Koln Abteilung Aachen”, në qytetin Aachen të Gjermanisë. “Fantazia para un Gentilhombre” e Joaquin Rodrigo të cilën Thaqi e ka ekzekutuar me Orkestrën e Dhomës së Luksemburgut, me të cilën dhe është diplomuar. Kjo ka bërë që këtij kitaristi t’i hapej rruga drejt shumë veprimtarive muzikore në ShBA.

Për të ardhur te Nata e tretë, e kitaristit solist, Jon Gjylaçi, i vlerësuar nga kritika si një ndër talentet muzikore më premtuese të gjeneratës së tij në instrumentin e kitarës. Joni është diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Muzikës në Londër, ku studioi nën udhëheqjen artistike të kitaristit të njohur dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, Craig Ogden. Jon Gjylaçi është lindur dhe rritur në një familje artistësh shumë të njohur në Tiranë. I jati i Jonit, Ardian Gjylaçi ka qenë balerin e valltar solist pranë trupës së baletit të Ansamblit Artistik Kombëtar të Ushtrisë në Tiranë, një ndër ansamblet më të njohur shqiptar, që ka bërë turne artistike shumë të suksesshme në disa vende të botës si: Rusi, Kinë, Vietnam, Kore si dhe në shumë vende të Europës Lindore. Ndërsa mamaja e Jonit, Tatjana Stefi Gjylaçi, ka kryer studimet “ekselent” pranë  “Institutit të Lartë të Arteve” në Tiranë në degën e Flautit dhe është e para femër flautiste në Shqipëri. Pas studimeve ka punuar si flautiste në Orkestrën e TOB në Tiranë.

Në vitet ‘90, prindërit e Jonit emigruan në Greqi dhe Joni atje u rrit dhe shkollua edhe nën kujdesin e rreptë muzikor të prindërve. Gjithashtu edhe vëllai i madh i Jonit, Eseni ka kryer studimet e larta për violinë dhe është një instrumentist dhe pedagog shumë i njohur në rrethet muzikore në Londër. Por sot në këtë shkrim po flasim më gjatë për Jonin që është dhe protagonisti kryesor i këtij festivali. Jon Gjylaçi, kur shkoi për studime në Londër kishte një përgatitje, kulturë dhe edukim profesional të lartë muzikor. Talenti i tij muzikor, i padiskutueshëm, por dhe vullneti dhe këmbëngulja për të arrit më të “mirën” kanë nxjerrë në pah vetitë solistike të talentit të tij në instrumentin e kitarës. Interpretimet e tij mbresëlënëse në muzikën e dhomës dhe si solist kitarist, janë tashmë shumë të njohura në gjithë Europën. Së fundmi Joni ka qenë pjesëtar i “kuartetit të harqeve” në Manchester. Ai ka interpretuar me sukses në “St-Martin in the Fields”, “Bridgevvaters Halle” dhe në 70- vjetorin e “Manchester Guitar Circle” një Duo me kitaristin solist kinez, Xuefei Jang. Jon Gjylaçi ,është një ndër ata kitaristë solist, që interpreton herë pas here edhe në “BBC – Radio 3”. Ai tashmë ka realizuar dy albume të suksesshme të cilat janë vlerësuar nga kritika si një “surprizë” për një instrumentist kaq të ri, nga i cili pritet dhe premton të ketë një karrierë solistike të suksesshme. Ai ka qenë herë pas here edhe në vëmendje të shtypit dhe vlerësimeve të kritikës artistike. “Classical Guitar Magazin”, shkruan: “Teknika dhe aftësia e tij të bëjnë shumë përshtypje dhe kjo i jep lehtësi që të shprehet shumë bukur në kitarë.” Gjithashtu, “The Guardian” nënvizon: “Në duart eksperte të Jonit , virtuoziteti dhe shkathtësia në kitarë,është gjithmonë e dukshme dhe e pranishme”.

Ai aktualisht është profesor kitare në “Royal Northern College of Music” dhe në “Bolton School of Art”. Programi i Koncertit, në Natën e tretë, “Guitar Sounds Festival”, në Teatrin e Metropolit në Tiranë, ishte vetëm për kitaristin Jon GJYLAÇI. Ai kishte zgjedhur një program të larmishëm, shumë profesional,të cilin ja përcolli publikut me një interpretim të lartë artistik. Publiku ishte i zgjedhur dhe i veçantë ashtu siç ishte i veçantë edhe festivali dhe ai përcolli me duartrokitje dhe emocion për më shumë se 1 orë e 20 minuta çdo numër koncerti të kësaj nate. Përveç amatorëve të muzikës, të pranishëm ishin edhe shumë personalitete të artit dhe kulturës, si dhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në Tiranë.  Programi çelet me veprën: “GRAND OUVERTURE, OP. 61”, të kompozitorit Mauro GIULIANI. Kjo është një vepër me pretendime artistike dhe që përgjithësisht është pjesë e repertorit të kitaristëve solistë të cilët që në fillim kanë për qellim të paraqesin dhe tregojnë para publikut “lojë, mjeshtri dhe interpretim”.Dhe pikërisht këtë ndjesi transmetoi edhe Joni me lojën e tij, ndaj dhe të pranishmit në sallë në fund të këtij interpretimi mjeshtror, të entuziazmuar nuk i kursyen duartrokitjet.  Kjo pa dyshim e ngrohu artistin e ri, i cili nuk i fshehu dot emocionet para këtij publiku të zgjedhur. Ai me shumë elegance, çiltërsi dhe buzagaz, para çdo pjesë paraqet autorin krijues dhe veprën që do të ekzekutojë, një dialog i bukur ky mes artistit dhe publikut. Pjesa e dytë e programit është nga Asturias –“Suite Espanola” Op.47,nr.5. Nuk mund të mos ketë në repertorin e kitaristëve pjesë muzikore me motive spanjolle. Kur thua kitarë me një herë të vjen në mendje vallja “Flamego”dhe ritmet e pafundme të traditës së muzikës së Andaluzisë. Pas këtij interpretimi mjeshtëror vjen një autor tjetër shumë i njohur, ai është, Isaac Albeniz. Ndërsa po përjetonim tingujt e kitarës të këtij instrumentisti të ri, kujtesa më çoi në vitet ‘60-të kur ishte në kulmin e vet të karrierës muzikore kitaristi i njohur Mehdi Prodani. Ne muzikantët e rinj shkonim në fund javë në Bar- Restaurant “Vollga”, ku ai punonte me orkestrën e tij dhe dëgjonim vepra të kompozitorit J.S.Bach, apo dy kitaristë të tjerë shumë në zë të viteve ‘70, vëllezërit Piro dhe Edison Misja, për të ardhur në vitet ‘80 kur unë isha shef i programeve artistike në TVSH dhe në rubrikën “Interpretues të mëdhenj të muzikës” përveç pianistëve, violinistëve dhe violonçelistëve ishte gjithmonë i pranishëm në programet muzikore edhe kitaristi i famshëm spanjoll, Andre Segivia. E kisha shumë për zëmër këtë mjeshtër të madh që transformonte kitarën e tij në një “orkestër”. Jemi në pjesën e katërt të programit që titullohet,Tsamicos Dance, Greek Suite nr.1 të komopzitorit Dimitris Fampas,një suitë kjo me motive të “Valleve ÇAME”. Joni, hyn në terrenin e muzikës shqiptare. Të karakterit burrëror të kësaj muzike dhe të këtyre motiveve ku shkrihet shumë bukur epizmi me lirizmin. Vepra me pretendime për kitarist solis ishte “Libra Sonatine” e Kompozitorit Roland Dyens. Interpretimi dhe loja e kombinuar edhe me elementë ritmik jashtë tastierës së kitarës përbënin atë që mund të quhet “spektakolare” në një koncert. Me këtë vepër kitaristi Jon Gjylaç tregoi se ai tashmë është jo vetëm një muzikant i talentuar, por edhe një kitarist me një teknikë e nivel të lartë dhe cilësi solistike, veti këto të muzikantëve dhe instrumentistëve koncertistë. Për këto vepra të interpretuara mjeshtërisht, por edhe për gjithë koncertin që u kthye në një spektakël muzikor të tingujve të mrekullueshëm të kitarës së Jon Gjylaçit, publiku e nderoj atë me duartrokitje të gjata dhe si shpërblim kitaristi luajti edhe pjesë “biss” për të kënaqur dhe respektuar edhe më shumë, gjithë të pranishmit. Besoj se, kjo mbrëmje e bukur muzikore do të mbetet një kujtim i paharruar në jetën koncertore të këtij kitaristi të talentuar. Me këtë koncert të bukur që kurorëzoi Jon Gjylaçi mbyllet dhe nata e tretë dhe e fundit “Festivali i tingujve të kitarës“ në teatrin e “Metropolit” në Tiranë ose siç ju ka pëlqyer ta titullojnë organizatorët: “ Guitar Sounds Festival”.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>