“Gjuha e njësuar duhet të reformohet. Paskajorja duhet të bëhet pjesë, element i domosdoshëm i gjuhës standarde”
Nga Entela Binjaku
Ullmari është një mik i gjuhës sonë dhe i shumë shqiptarëve. Kërshëria për të ditur më shumë rreth dashurisë së tij për gjuhën tonë, shërbeu dhe si nxitje për këtë intervistë. Ullmar Qvick, në një intervistë për “Koha Jonë” tregon se si 75 vite më parë dëgjoi për herë të parë gjuhën shqipe dhe që nga ajo koha ka mbetur një admirues i saj. Albanologu Ullmar Qvick, ka lindur në Kristinehamn, në rrethin e Vermlandës të Suedisë në vitin 1934. Ka 40 vite përvojë pune nëpër shkolla të ndryshme në vend, ndërsa nga viti 1999 është në pension, por vazhdon të merret me përkthime.
Si u lidhët me gjuhën shqipe? Kur e dëgjuat për herë të parë, a kujtoni si ju është dukur dhe a patët ndonjëherë mendimin të hiqnit dorë prej saj?
Lidhja me gjuhën shqipe u krijua përmes dëgjimit të radios shqiptare. E dëgjova që në rini, në fund të viteve 1940, nga Radio-Tirana mora revistën “Radio Programi”, kështu që si gjuha e folur edhe gjuha e shkruar u bënë të njohura për mua. Mendova se kjo gjuhë ka ngjashmëri me rumanishten…. Seriozisht fillova ta mësoj në vitin 1969, me zell, vullnet dhe pasion!
A e ndanit me miqtë tuaj faktin se ju njihnit dhe një gjuhë tjetër, shqipen? Nëse po, cilat kanë qenë reagimet e tyre?
Ullmari qenka një tip i veçantë, ai merret me shumë gjëra pa mend dhe pa vend, por ndoshta do të përfitojë gjë më në fund…
Kur e keni vizituar Shqipërinë për herë të parë dhe cila është përshtypja që keni prej asaj vizite?
Kuptova se pamja e Shqipërisë si shtet ishte shumë e kufizuar për vizitorët e huaj. Me kontaktet në të gjitha qarqet, komuniste dhe antikomuniste, fitova një ide personal për realitetin shqiptar. Miqësia me Shqipërinë në atë kohë ishte vetëm pjesërisht e bazuar në sinqeritet, luanim teatër. Përshtypjet reale: Një shtet nën shtypjen e një sistemi të pamëshirshëm, ku sundoi frika dhe mosbesimi, internimet, torturat, pra mungesa e të drejtave të njeriut. Prapë edhe disa faktorë pozitivë: shkollimi, shërbimi shëndetësor, një farë sigurie shoqërore sipas mundësive të kufizuara ishin në dukje.
Si mendoni ju a është e vështirë shqipja dhe ku qëndron vështirësia për ata që nuk janë shqiptarë?
Shqipja është një gjuhë e vështirë, sigurisht për ne gjuhët jo-indoeuropeane janë më të vështira (afër nesh finlandishtja shumë më e vështirë) . Foljet paraqesin vështirësi të veçantë.
Cili është mendimi juaj për: “një gjuhë, një kulturë”?
Besoj se ky është mendim i gabuar. Gjuha angleze, si ajo franceze, spanjolle etj., me përhapje në shumë pjesë të botës, karakterizohet nga lidhjet me shumë kultura!
Sipas mendimit tuaj, a ka “delikatesë linguistike”shqipja? Shpesh ne shqiptarët mendojmë se “gjuha shqipe është e ashpër, se nuk të jep mundësinë të jesh më i butë” etj. Si mendoni ju?
Në disa drejtime nuk është plotësisht e zhvilluar sipas nevojave të kohës, nga ana tjetër në shumë drejtime të tjera dallohet për një pasuri të çuditshme. Kjo është në dukje sidomos kur marrim parasysh sinonimet e përdorura në viset e ndryshme të territorit gjuhësor shqiptar.
Cilat ndër shprehjet që njihni ju kanë pëlqyer më shumë dhe cilat kanë qenë për ju më të vështirat për t’u mësuar?
Më kanë pëlqyer shprehjet “Duro zemër, duro, si mali e duron borën”, “Me gisht në gojë” dhe “të çmallemi”. Ndoshta vetëm shqiptari çmallet nga pikëpamja gjuhësore në tërë botën?! Shprehjet më të vështira? Folja “dal” bashkohet me shumë fraza, me kuptime ndër më të ndryshmet, edhe disa folje të tjera kanë një mori kuptimesh! Ky fakt më jep shumë kokëçarje në përkthim!
Cili është mendimi juaj për etnografinë e të folurit në trevat shqiptare dhe si mendoni se është ruajtur gjuha shqipe në ato treva?
Sot bota është objekt ndikimi nga shumë risi gjuhësore, të lidhura me ndryshimet teknike, ekonomike dhe politike. Nëse flasim thjesht për trevat shqiptare, besoj se gjuha ruhet mjaft mirë, mirëpo në trevat e shkëputura nga trungu shqiptar jo. Shqipja zhduket në Sanxhak dhe e ardhmja e shqipes ndër arbëresheve të Italisë është e pasigurt. Dallimi i madh midis dialekteve paraqet vështirësi të shumta: Fëmijet arbëreshë, a duhet të fillojnë shkollimin me dialektin e fshatit, si prodhohen atëherë mjetet mësimore? A do të mësojnë gjuhën e njësuar, sigurisht me rëndësi, kur duhet ta fillojnë, si do të kryhet mësimi praktikisht?
Sa ndikon sipas jush mjedisi në modelimin e gjuhës dhe çfarë duhet të bëjmë ne shqiptarët kur 38% e popullsisë sonë ka emigruar që të ruajmë këtë gjuhë që na e kanë trashëguar?
Vetëm një pjesë e vogël nga fëmijët e mërgimtarëve do të ruajnë gjuhën amtare. Po e them me përvojë nga mërgimtarët e botës, si suedezët e mërguar në SHBA para 100 vitesh. Vetëm me vizita të shpeshta në atdheun e prindërve këta fëmijë do të ruajnë gjuhën e tyre.
Çfarë ka ndodhur me gjuhën tonë nga viti në vit dhe cilat janë sipas jush sfidat që i kanë dalë përballë?
Problemi i madh është përvetësimi i dobët i gjuhës së njësuar në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë. Njerëzit në këto treva nuk janë të frymëzuar nga gjuha e njësuar. Sipas mendimit tim gjuha e njësuar duhet të reformohet, kur baza e gjuhës është toskërishtja ndërsa shumica e shqiptarëve flasin një dialekt geg. Paskajorja duhet të bëhet element i domosdoshëm i gjuhës kombëtare shqipe; paskajorja është element përbërës në gati të gjitha gjuhët evropiane! Kjo mungesë është varfëri e madhe gjuhësore! Gjuha e njësuar sipas vendimeve të vitit 1972 është shumë me vlerë, të mos prishet, por afrimi me dialektet gege është i domosdoshëm.
Si mendoni ju deri kur gjuha shqipe duhet të jetë pjesë e programit mësimor?
Një mësim për të siguruar përvetësimin e normave letrare, rregullat e drejtshkrimit dhe të gramatikës duhet të jetë me rëndësi të madhe, ky mësim duhet të marrë kujdesin dhe vëmendjen e gjithë shoqërisë.
Cila është për ju bashkësia e albanologëve sot?
Pyetje pa përgjigje! Unë jam amator, nuk jam i lidhur me qarqet akademike, nuk marrin parasysh praktikisht aftësinë time sepse nuk kam grada shkencore!
Cila është jeta juaj, një ditë juaja kaluar me familjen?
Një pjesë të madhe të ditës e kaloj në vetmi, gruaja është në shitoren e saj dhe vajza jonë ka veprimtari tjetër. Po merrem me përkthime të ndryshme, disa me karakter praktik, disa me karakter letrar. Mirëpo, gëzimi më i madh në jetën time sot është veprimtaria ime për stërvitje gjuhësore të suedishtes, me refugjatë nga bota, të cilët kanë marrë strehim në Suedi. Kam një grup të rinjsh dhe të rejash për bashkëpunim, kërkesat janë të shumta dhe mirënjohja e njerëzve të përfshirë në aktivitetet tona është shpërblim i madh!
A keni ndonjë shkrimtar të preferuar, ndonjë pjesë të preferuar në shqip?
Në prozë Ismail Kadare, në poezi Fatos Arapi.
Çfarë do të dëshironit t’u përcillnit lexuesve shqiptarë që ju ndjekin dhe vlerësojnë?
Besoj se libri im për shqiptarët në shekullin XX-të “Më shumë heroizma se sa grurë” është me vlerë, edhe ka marrë vlerësime shumë pozitive si në Shqipëri dhe në Kosovë etj. dhe do të dëshiroja se shqiptarët do të marrin mësime nga përshkrimet objektive nga ana ime. Jam shumë mirënjohës se si mjaft shqiptarë kanë përkrahur këtë projekt nga ana ime. Në lidhje me poezinë kam filluar të botoj në Facebook poezinë shqipe të përkthyer suedisht nga Antologjia e vitit 2013. Besoj se interesimi im për kulturën shqipe bëhet ndihmesë për vlerësimin e kulturës shqipe jo vetëm ndër të huajt: Kur shqiptarët marrin vesh se si Ullmari në Suedinë e largët është i mbushur me pasion për gjuhën dhe kulturën shqipe, në shpirtin dhe zemrën e tyre rritet krenaria, rritet vullneti i tyre për të ruajtur dhe për të zhvilluar këtë gjuhë dhe këtë kulturë në jetën e përditshme! Nëse kam ngulitur në trurin e tyre bindjen se sa e vlefshme është gjuha e tyre, sa e pasur kultura shqipe, atëherë kam kryer misionin tim!