Kalaja e Skenderbeut, ndodhet në Kepin e Rodonit, një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik në Shqipërinë e Mesme. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin.
Kjo kala filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450 dhe mendohet se përfundoi rreth vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rumbullakëta.
Në vitin 1500 kalaja u pushtua nga Venediku.
Si rezultat i veprimtarive gërryese të ujrave të detit një pjesë e mureve janë zhytur nën ujrat e Adriatikut.
Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë.
/BW