Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

“Edi Luarasi, Dashuri dhe Dramë” (në jetë dhe në skenë)

$
0
0

Promovohet libri për aktoren e njohur shqiptare

Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, në bashkëpunim me teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli”, organizoi më 7 mars promovimin e librit “Edi Luarasi, Dashuri dhe Dramë, (në jetë dhe në skenë)”, të autores Zenepe Luka. Ishin të pranishme anëtare të fondacionit, kryetaret e degëve të Fondacionit të Prizrenit  shkencëtarja Ajtene Krasniqi, degës së Ulqinit Dr. Zylfie Duraku artistet  “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa, aktorja Kosovare Leze Qena dhe intelektuale të tjera. Të pranishëm ishin edhe familjarë të çiftit Luarasi dhe vetë protagonistët Edi dhe Mihal Luarasi.  Aktivitetin e çeli Zenepe Luka, autorja e librit. Rreth librit foli poetja Vllasova Musta.

“Nderi i Kombit” Margarita Xhepa u ndal gjatë në diskutimin e saj rreth karrierës së aktores “së pazëvendësueshme” sikurse do ta cilësonte ajo Edi Luarasin dhe dramaturgut Mihal Luarasi. Xhepa vlerësoi edhe librin e shkruar me mjeshtëri dhe larmi, që përcjell emocione tek lexuesit.  Për figurën e aktores, u ndal gjatë edhe aktorja kosovare Leze Qena. Në këtë bashkëbisedim tepër emocionues folën edhe Prof. Dr.Makbule Çeço, Ajtene Krasniqi, Myfarete Laze, Dr. Zylfie Duraku, Kozeta Zavalani etj. Për figurën e bashkëshortëve artistë, foli edhe Kiço Londo. Mihal Luarasi, “Nderi i Kombit”, falënderoi autoren e librit si dhe pjesëmarrësit, që u bënë pjesë e gëzimit të familjes Luarasi. Edi Luarasi, “Mjeshtër i Madh” do të shprehej duke iu drejtuar autores: “Libri më pëlqeu shumë, të falënderojmë nga zemra, që përjetësove në këtë libër dashurinë dhe dramën time në jetë dhe në skenë”.

Mirënjohjen për librin e botuar dhe organizimin e eventit, do ta shprehte edhe djali i çiftit Luarasi, Eldon Luarasi. Libri ka 10 kapituj në 275 faqe.  Botimi dhe promovimi i këtij libri, u bë në kuadër të 8 Marsit si dhe të 15 vjetorit të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, themeluese e të cilit është edhe aktorja Edi Luarasi.  Duke diskutuar për librin, autorja Zenepe Luka, u shpreh përpara pjesëmarrësve. “Për Ty, Edi Luarasi. Ishte tejet e vështirë për mua, për të përfunduar e dorëzuar në shtyp librin “EDI LUARASI Dramë dhe Dashuri,(Në jetë dhe në skenë)”, Kjo, jo se më mungonte përvoja, pasi ky është libri i trembëdhjetë, por, teksa mbushja faqet e tij, ndalesha dhe thoja, duhet thënë edhe kjo…mos lë edhe atë… Shqetësimi im, kishte të bënte me atë që ndjeja, që kërkoja të arrija. Dëshira dhe përgjegjësia për të “skalitur” përsosmërisht  me penë “portretin” e Edi Luarasit, në mënyrë, që të rrezatojnë me tërë forcën, ngjyrat, drita, bukuria, talenti, sfida. Portretin, ku rrallë shihet e dëgjohet, të kenë bashkëjetuar mrekullisht, dashuria e dhimbja”,- tha Luka.

Autorja shtoi se “fillimisht, gjykova, se do të ishte thjesht një  libër biografik për Artisten e Madhe, që do t´i bëhej surprizë me rastin e 75 vjetorit të lindjes, por, ndryshova mendje. Duke biseduar me bashkëshortët artistë, Mihal dhe Edi, duke parë me vëmendje  materialet që kisha grumbulluar  në dosjen, ku shkruhej me germa të mëdha: EDI, më tej, nga kontaktet  dhe intervistat me  familjarët, miq, kolegë, figura të mëdha të fushës së artit, skenës e kinematografisë dhe fushave të tjera, që admironin artistët, arrita në përfundimin, se Edi dhe Mihal Luarasi, kanë qëndruar tërë jetën bashkë. Ata i bashkoi dashuria e dyfishtë: për njëri tjetrin dhe për artin, ndjenjë dhe forcë, që nuk i ndau edhe në ditët më të vështira, duke interpretuar me dinjitet dramën e jetës dhe skenës. Ndaj vendosa: Bashkë do të jenë edhe në këtë libër. Bashkë, ata janë gur i rëndë themeli në  monumentin e artit të kombit”.

Libri, që i dhurohet çiftit, fëmijëve, nipit, me rastin e 60-vjetorit të celebrimit të dashurisë së tyre, ka dy gjysma: Edi dhe Mihali, dy jetët, që u bënë një, në shpirt dhe në art. Bashkë do të përshkonin rrugën e gjatë, për  të dhënë  kontribute dinjitoze në fushën e artit, Edi si aktore e skenës dhe kinematografisë, ndërsa Mihali, regjisor i madh dhe si autor i shumë dramave. Dashuria e tyre për artin, “malli” për skenën, e riktheu  çiftin Mihal dhe Edi Luarasi në skenë, pas rënies së regjimit, kur morën fund edhe vuajtjet e tyre. Të tjera role interpretoi Edi, të tjera drama shkroi Mihali dhe bashkë, tashmë, gëzohen me fëmijët e mrekullueshëm  Lea, Eldon dhe nipin, Michel. Falënderoj nga zemra familjarët, personalitete të artit dhe të fushave të tjera, kolegë dhe artdashës, që bashkë, shkruam këtë libër.

 Edi Luarasi, meteor në skenë e në jetë

Për çdo aktor skena ka shenjtërinë e vet, është toka, është dashuria, është altari. Aty, aktori apo aktorja sjell shpirtin, derdh emocionin, lë veten. Por, ka nga ata që, pikërisht në skenë sjellin dritën dhe lënë në të pafundësisht imazhin e ndritur të tyre dhe kësisoj shndërrohen dhe mbeten tej kohëve, në meteorë.

E tillë është për këdo që e ka njohur Artisten e Talentuar Edi Luarasi, një meteor, që ndriti në skenë,  që i dha hijeshinë dhe mrekullinë e talentit të saj, që vezulloi me shkëlqimin e dritës dhe mbeti në të përjetësisht.

E kam njohur kur xhirohej filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, në qytetin e Gjirokastrës dhe asokohe unë isha gjimnaziste. Ka qenë periudhë vere dhe për ne të rinjtë, ishte një mrekulli të shihnim nga afër se si xhirohej një film, në një farë mënyre, na kishte ardhur „magjia“ pranë dhe ne po e preknim atë. Kurrë nuk do të harroj se si ishte në momentet e xhirimit Edi! Një uragan i vërtetë, shpërthyese, dritësore, fluturuese a thua vinte nga të tjera hapësira qiellore! Ajo rendite mbi çatitë e gurta sa të bënte të besoje se ishte rritur mbi to, rendite sikur luante, pa asnjë ndroje, e përqendruar për të realizuar sa më natyrshëm rolin, për të qenë sa më e vërtetë, ndërsa ne, që e ndiqnim xhirimin, rrinim me zemër të ngrirë se na dukej sikur nga çasti në çast mund të rrëshqiste dhe mund të binte.

Por, Edi Luarasi nuk ishte nga ato që mund të binte! Asnjëherë nuk ra, asnjëherë nuk u ankua edhe kur lodhja kapërcente çdo limit. Me interpretimin e saj, skaliti një kryerol brilant, që mbeti vezullues dhe model për çdo artist, sepse Edi e kishte në shpirt dashurinë për artin, për skenën dhe ekranin. Ajo mori duartrokitje dhe eci nën harkun e ylbertë të tyre. I dha skenës dhe ekranit imazhin e papërsëritshëm të saj, shpërthimin dhe interpretimin perfekt duke u ngjitur tej lartësive.

Edi Luarasi edhe kur regjimi i kohës e largoi dhunshëm nga Teatri, nuk ra! Mbeti në këmbë, kryelartë, e papërkulur, e patjetërsuar përherë me hiret e bukurisë së karakterit dhe fisnikërinë e shpirtit!  Edi Luarasi është shëmbëlltyra më e mirë e gruas që mbart virtytin, talentin, forcën dhe dinjitetin e papërkulur! Me këtë gjuhë e me këto vlera flet sot dhe do t´u flasë edhe brezave që do të vinë gruaja e rrallë dhe artistja e madhe Edi Luarasi, sepse ajo mbart dritën, përcjell dritën dhe përçon dritën tek të gjithë.

Meteorët lënë gjurmë, lënë emër dhe kapërcejnë kohët.

Ne, krenohemi duke thënë, midis nesh kemi një meteor të skenës dhe jetës, quhet Edi Luarasi.

Kohët do të flasin për të…


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>