Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

Viti i Dom Nikollë Kaçorrit, Meshtarit të madh të Pavarësisë

$
0
0

 “Ikona e patriotizmit, e lënë në hije”

Nga Gëzim Loka

Në kuadrin e 155 -vjetorit të lindjes së Dom Nikollë Kaçorrit (21 shkurt 1862-21 shkurt 2017), si dhe në 100 vjetorin e vdekjes së tij, një grup intelektualësh lurianë iu kanë  propozuar institucioneve shqiptare që ky Vit të jetë Viti i Dom Nikoll Kaçorrit.

Promovimin e këtij viti jubilar, për nder të këtij meshtari të Pavarësisë, e nisëm dje, në ambientet e Akademisë së Shkencave, duke realizuar një sesion jubilar, në ditën e përvjetorit të 155 të lindjes së këtij gjiganti të shtetit shqiptar, që deklaroi ditën e Flamurit, se në qoftë për të vdekur nesër, le të vdesim sot burra për flamur e atdhe.

Para se të ndërmerrja iniciativën për të realizuar këtë sesion jubilar, në disa shkrime që kam botuar në organe të ndryshme të shtypit të lirë shqiptar, iu kam bërë thirrje Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Dibër, Bashkisë Durrës, Bashkisë Vlorë, Akademisë së Shkencave, Muzeumit Kombëtar, që të kontribuonin për të kryer një përkujtesë si kjo që po bëjmë sot, në kujtim të meshtarit të Pavarësisë, Imzot Dom Nikollë Kaçorrit.

Shkrimet e mia kanë rënë në vesh të shurdhër dhe me Dom Nikollë Kaçorrin po ngjet ajo që ka ngjarë gjatë pothuajse njëqind viteve të fundit, heshtje, moskuptim, keqkuptim, mbulim me pluhurin e harresës dhe indiferencës.  Ky është një sesion jubilar, me rastin e 155 vjetorit të lindjes dhe Vitit të Dom Nikoll Kaçorrit (21 shkurt 1862-21 shkurt 2017) ishte një vlerësim dhe homazh krenarie e kujtese për këtë burrë të shquar të shtetit shqiptar.

Veprimtaria titullohej “Dom Nikoll Kaçorri, ikona e lënë në hije e pavarësisë dhe shtetit shqiptar”. Morën pjesë historianë, akademikë, gazetarë, analistë, familjarë të Dom Nikoll Kaçorrit, lurianë, dibranë, mallakastriotë, të ardhur nga Peshkopia, Durrësi, Vlora, gjithë Shqipëria.  Pas ekzekutimit të Hymnit Kombëtar, fjalën e mori studiuesi lurian, autori i disa librave dhe i një monografie kushtuar Dom Nikoll Kaçorrit, Sali Ajazi, i cili në fjalën e tij, midis të tjerave tha se Dom Nikoll Kaçorri, ky klerik katolik që kishte në themel të personalitetit të tij dijet për truallin dhe kombin e tij, për të cilat luftoi deri në çastet e fundit të jetës, është një figurë së cilës nuk i është dhënë merita në histori. Ai është meshtari i parë i Pavarësisë dhe arkitekti gjenial i shtetit të parë shqiptar, por u la në harrim, u rrethua me heshtje dhe keqkuptim, komplekse që edhe në këtë kohë të çliruar nga klishetë dogmatike, vazhdon ta mbajë në gjysmë errësirë dhe në mosdukje në atë shkallë që e meriton figura e tij e lartë atdhetare.

Në përshëndetjen e tij shkrimtari Kujtim Boriçi tha se Dom Nikoll Kaçorri nuk i përket vetëm Lurës e Dibrës, por gjithë shqiptarisë, i përket shtetit shqiptar, të djeshmes dhe të ardhmes së kombit shqiptar, për të cilin ndërtoi një urë të fortë për të hyrë në historinë tonë moderne.

Nikoll Kola, avokat foli për jetën dhe veprën e Imzot Dom Nikoll Kaçorrit, duke e vënë theksin tek misioni i tij atdhetar, në të parën qeveri shqiptare.

Poeti Ferit Fixha e përshëndeti auditorin me një poezi të krijuar prej tij kushtuar kësaj figure madhore të Pavarësisë.

Gazetari dhe analisti Ago Nezha, kryetar i Shoqatës “Labëria” Nderi i Kombit, e quajti figurën e Dom Nikoll kaçorrit “Një flakadan qëndrese për liri e dinjitet shoqëror të shqiptarëve, një apostull të shqiptarizmës në të parën qeveri historike të shqiptarëve”.

Ramadan Kllogjri, kryetari i shoqatës Mokra recitoi një poezi të krijuar prej tij, në përkujtim të Dom Nikoll Kaçorrit.

Në emër të shkollës së mesme të bashkuar “Dom Nikoll Kaçorri” Lurë përshëndeti mësuesi Fadil Çupi, që e etiketoi figurën e zv/kryeministrit të qeverisë së Flamurit, një nder, krenari dhe mision për brezat e rinj të shqiptarisë.   Atmosfera u bë më e përzemërt dhe më emocionale nga këngët e kënduara nga mjeshtri i këngës dibrane dhe shqiptare Zaim Tollja, shoqëruar në çifteli nga mjeshtri Hysni Hoti. Në emër të fisit Kaçorri përshëndeti mësuesi pensionist Bibë Kaçorri.

Moderator i talentuar Fran Vuka e gjallëroi atmosferën me një prezantim dinjitoz të të ftuarve, me recitime poezish në përkujtim të Dom Nikoll Kaçorrit, të historisë së Lurës dhe të shqiptarisë.

Duhen përgëzuar Dodë Doçi, Gjon Kaçorri, Dervish Murati, Kadri Haldeda, Albert Loka dhe Vera Loka, Fran Kaçorri, Xhemal Loka, për ndihmën e dhënë në realizimin e kësaj veprimtarie, që ngre siparin e veprimtarive në kuadrin e Vitit të Dom Nikoll Kaçorrit.  Gjithashtu do të doja së fundmi të përshëndetja edhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të cilit nderuan dhe lartësuan më tej këtë figure madhore dhe krenarie për Lurën, Dibrën dhe të gjithë Shqipërinë. Dhe një kujtesë ndaj të gjithë instancave shtetërore për ta vlerësuar dhe për të vënë në vend rolin dhe përkushtimin e tij në shtetformimin e kombit tonë. Dhe shpresoj që këtë gjë ta vlerësojnë së paku me përkujtimin që do të organizohet në Lurë më 29 maj 2017, për nder të 100 vjetorit të vdekjes së tij, duke qenë prezent në këtë event që pritet të organizohet së shpejti.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>