Abati i Mirditës, Prend Doçi ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917. Në përkujtim të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të këtij misionari të çështjes shqiptare, po citoj një rresht nga shkrimi i A’t Gjergj Fishtës në Gazetën “Posta e Shqypnis”, ku shruhet: “Çdo shqiptar do kishte çfarë të shkruante për veprimtarinë e jashtëzakonshme patriotike të këtij burri”.
Ndaj edhe me këtë shkrim me rastin e përkujtimit të veprës së këtij patrioti po bëj një rekuiem nga jeta dhe vepra e tij me të dhëna e burime të shumta nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, të cilët për hir të së vërtetës janë të shumtë.
Prend Doçi erdhi në jetë pak kohë përpara se të ish mbyllur gjëma e vdekjes së të atit. Nëna dhe motra e tij nuk patën shumë kohë që të rrinin së bashku në të njëjtën familje. Praktikat paraprake të pranimit në shoqërinë e Jezusit kishin në themel varfërinë. Diku nga mosha 9 vjeçare ai do të mësonte për fenë nëpërmjet këngëve të kënduara nga Dom Bibaj famulltar i Bulgerecit. Në sajë të përkujdesjes së A’t Anastazit u strehua në Kuvendin e Rubikut. A’t Anastazi qysh në rininë e tij kishte qenë profesor në Universitetin e Romës, por nga qëndrimi prej 40 vjetësh në Shqipëri ishte bërë shqiptar më i mirë se vetë shqiptarët. Prendi i vogël që kur nuk e harronte vatrën ku kish lindur në Parasporën e Fanit të luginës së Bulgarecit filloi të lidhte gërmat e para në Kuvend. A’t Anastazi në pranverën e vitit 1855 tek po e përcillte Prendin për në Kishën e Eufemisë në Kallmet i tha: “Unë do të krenohem me ty”. Pal Dodmasejt një personalitet aktiv në mbijetesën e klerit katolik e zgjodhi Prendin me pikësynime të qarta, për ta bërë idhtar ndaj fesë dhe kombit të vet. Vitet në Kuvendin e Kallmetit e shquanin atë për vullnet dhe dije. Në prill të vitit 1859 do të bëhej inagurimi i Katedrales së Shkodrës e nxënësit së bashku me mësuesit do dërgoheshin atje. Me disa shokë të tjerë Ndue Bytyçin dhe Pjetër Gjobala në 2 gusht të vitit 1859 nisën mësimet në seminarin ndërdioqezian të sapohapur zyrtarisht në Shkodër. Prend Doçi shumë shpejt brenda pak kohësh mësoi të komunikonte shumë mirë latinisht, italisht (kureshtja prej Benedikti të ardhshëm ishte e tejskajshme). Në moshën 15 vjeçare Prendi do të lerë seminarin Papnor shqiptar për të vazhduar më tej Universitetin Urban të Romës të Propogandës Fide. Ideali për dashurinë e vendlindjes së tij u bë faktori vendimtar për përsosjen e tij intelektuale. Këtu qëndroi plot dhjetë vjet dhe u përshtat më së miri disiplinës rigoroze të kolegjit. Ai ndiqte plot interes lëvizjet antiosmane të vitit 1862 në Mirditë, sepse aktorët kryesorë ishin të adhuruarit e tij, Imzot Pal Dodmasejt, Gaspër Krasniqi dhe Kapidani Bib Doda. Ishte në dijeni të ekspeditave ushtarake turke kundër Malësisë së Shkodrës në vitet 1863-1865. Në vitin 1866 do të përjetojë me dhimbje lajmin e vdekjes së idhullit të tij Pjetër Zarishti dhe më pas (viti 1868) vdekjen e Kapedan Bibë Dodës dhe të mësuesit të tij kujdestar Imzot Pal Dodmasejt. Ndërkohë Prendi krijon lidhje me personalitete arbëreshëve të Italisë, si Bernardo Bilota (1843-1918) italoshqiptar nga Frashineta, pjesëmarrës në Kongresin Gjuhësor Shqiptar të Koriliano Kalabrias (1895). Personalitete si Antonio Argodica, Ferdinando Gualiannone dhe Alfonso Kisigo, etj. ishin ndër miqtë më të ngushtë të tij. Është takuar edhe me De Radën dhe Dhimitër Kamardën. Doçi e ndjente domosdoshmërinë e formimit të unitetit politik kombëtar jashtë ndikimit të Fuqive të Mëdha pushtuese dhe jopushtuese. Thimi Mitko kërkonte shkëputjen nga Porta e Lartë qysh në vitin 1860 së bashku me Prend Doçin. Ngjarjet në Italinë e vitit 1860 u bënë shtysë konkrete për ta vështruar ndryshe çështjen e atdheut të tij. Përgjigja e Giuzipe Garibaldit dhënë Elena Gjikës se çfarë mund të bënin në këtë moment shqiptarët, ishte një tjetër frymëzim. Prend Doçi u njoh me poezinë e De Radës dhe të Dhimitër Kamardës me të cilin do të bashkëpunonte për përmbledhjen e poezive kushtuar Dora Distrias “Shqiptarëve për Distrian”, botuar në Livorno në vitin 1870. Për mbrojtjen e diplomës Prendi do të laurehohet me temën në filozofi “Mbi disa këngë në vargje 12 rrokëshe”, në gjuhën latine, ku e vlerësuan me çmimin e Ekselencës në vitin 1871. Pas 13 vjetësh Benedikti i ri kthehet në atdhe në Kishën e Eufemisë në Kallmet, ku u takua me Imzot Françesko Malciski, i cili e caktoi famulltar në Korthpulë. Ai u lidh shumë me hallet e brengat e të gjithë banorëve. Oroshi dhe famullia e abacisë e Kodër Spaçit, kur Prendi ishte kapelan, i cili me vetitë e tij individuale arriti të depërtojë deri në skutat më intime të shpirtit të besimtarëve të fshatrave të këtij bajraku.
Sipas Dom Ndoc Nikajt, Prendi kishte mendimin që Mirdita duhej të bëhej principatë. Prend Doçi është frymëzuesi dhe ideatori i Kuvendit të Përgjithshëm të mbledhur më 14 tetor 1873 në Grykë të Oroshit nën kujdesin e Dom Nikoll Biankut. Gazetat e Malit të Zi shkruanin se këto kryengritje i udhëheq një njeri që dallohet lehtë se si u shkruan konsujve të huaj në Shkodër. Më pas, Prendin do ta caktojnë famulltar në Kalivare aty nga viti 1874. Shkodra u përfshi në një organizim të ri administrativ, d.m.th. kaloi nga administrimi i dikurshëm prej Portës së Lartë, në administrim nga një Mytezarif i varur nga Manastiri. Në këtë organizim të ri, Abati Doçi kërkoi, si një politikan mëndjehollë, kthimin e Preng Bibdodës për të qetësuar shpirtrat e trazuar në Mirditë. Hyrja në luftë e Serbisë dhe e Malit të Zi në vitin 1876 më 30 qershor dhe 1 korrik kundër Perandorisë Osmane u parapri nga një varg përgatitjesh luftarake dhe diplomatike e për pasojë solli një qëndrim të ri të Portës së Lartë ndaj Mirditës. Preng Bibë Doda 18 vjeçar kthehet në atdhe dhe kjo u quajt si një fitore. Sipas P. Doçit lirimi i Preng Bibë Dodës i shërbente unitetit të Mirditës, ndonëse ai do të ishte pa poste zyrtare. Të tjerat Abati i kish parashikuar t’i merrte me forcën e armëve e jo me lutje. P. Doçi e dinte më mirë se kushdo tjetër, formën e të drejtës zakonore në proçesin e besimit shpirtëror të mirditorëve. Sipas tij Kanuni nuk ka vlera të plota pa Kuvendin, pa pleqtë e stërpleqtë, pa të drejtën. Në katundin Shënpalë u mblodh Kuvendi i Përgjithshëm i Mirditës. Në Kuvend morën pjesë Puka, Dukagjini dhe Gjakova. Tre mijë burra lidhën besën për të filluar veprimet luftarake kundër Turqisë deri në shfarrosjen përfundimtare nga tokat e tyre. Kuvendi miratoi njëzëri Kapedan Preng Bibë Dodën. Një kryesi e Lëvizjes vendosi t’i kërkonte ndihmë Malit të Zi për armë e municione dhe financime. Për këtë qëllim u nis për në Cetinë, me burrat e shtetit të Malit të Zi, Abat Prendi. Princi i Malit të Zi i dha sigurime për ndihmë financiare dhe për armë. Kryengritja e Mirditës në vitet 1876-1877 tërhoqi vëmendjen e diplomacisë europiane. Këtë lëvizje e drejtuan një grup patriotësh intelektualë, si Zef Jubani, Pjetër Gurakuqi, Abat Prend Doçi, Lorenc Gurakuqi, etj., të cilët u takuan në Shkodër. Prandaj me iniciativën e tij dhe me miratimin e krerëve të 12 bajraqeve të Mirditës nga data 27 dhjetor 1876 deri në 3 janar 1877 filloj një Kryengritje e Përgjithshme dhe e bashkuar e muslimanëve dhe katolikëve shqiptarë kundër ushtrisë turke. Valiu i Shkodrës, Mustafa Asim Pasha si dhe ambasadori turk në Romë Galliani pohonin se Prend Doçi ishte përfshirë në fermanin e Sulltanit i dëbuar përgjithmonë nga tokat e Perandorisë Osmane, sepse kishte luftuar me armë në dorë së bashku me kryengritësit e Mirditës kundër Portës së Lartë. Prend Doçi është i pari shqiptar që shkeli botën e re, bregun perëndimor (Neëforland, Amerikë), ku shërbeu si misionar katolik deri në vitin 1883 e më pas në Brunsk të Kanadasë. U dërgua nga Selia e Shenjtë në Indi dhe si një njeri i devotshëm dhe personalitet katolik ku u emërua sekretar i Kardinalit. U thirr në Vatikan ku u caktua Sekretar i Përgjithshëm pranë Atit të Shenjtë(Papës). Studiuesi Petro Chiara, në librin e tij shkruan: “…U dërgua me mision në Amerikë me qëllim që të mos ishte i dobishëm nga afër për vendin e vet dhe në ato vende të lante krimin, sepse kishte luftuar me heroizëm për lirinë e vendit të vet”. I vetmi peng për largimin e tij nga Shqipëria ishte përkujdesja për nënën e tij plakë. Interesant është lirimi nga burgu i Stambollit të Abatit Prend Doçi në fillim të muajit korrik të vitit 1877. “Fati është kurdoherë në anën e trimave”. Ai ndërsa udhëtonte drejt ujërave të Adriatikut apo të Jonit, i veshur me reverend benediktine nën emrin e Pere Achile, mbërriti në Stamboll. Të dhënat shkruajnë se ai është takuar gjatë udhëtimit edhe me Rilindasin Pashko Vasa në bordin e anijes. Ujëmbajtësi i burgut qëlloi të ishte shqiptar dhe Prendi i kërkoi një letër e laps për t’i shkruajtur një miku të vjetër Imzot Stefan Azarian, Primat Katolik i Stambollit. Me armenin Azarian, Prendi kishte studiuar në Itali. Abdyl Hamidi kishte miqësi të ngushtë me Azarianin dhe nxorri fermanin e lirimit nga burgu të P. Doçit, me kusht që të mos merrej më politikë dhe të ushtronte fenë jashtë nga tokat e Perandorisë Osmane. Ujëmbajtësi i burgut përcillte me dhimbje lajmin e ekzekutimit të bashkëatdhetarit të tij, i cili në fakt shpëtoi për çështje minutash ose ore. Në vitin 1897 në qytetin e Pejës organizohet një mbledhje në të cilën marrin pjesë 500 delegatë nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Mospërputhjet e elementëve konservatorë përkrahës të sulltanit dhe nacionalistëve bëri që mbledhja të shpërndahej. Austria dhe Rusia nuk qëndruan duarkryq përkundrejt tensionit në Maqedoni. Ata arritën në një marrëveshje dypalëshe, ku vendosën një statuskuo, ku nëse do të bëhej e pamundur ruajtja e statuskuos në rajon, të parandalonin pushtimin e Ballkanit. Prend Doçi, si përfaqësues i nacionalistëve shqiptarë, në mbledhjen e Pejës, mbronte idenë se tokat shqiptare duheshin qeverisur nga vet shqiptarët. Më 14 mars të vitit 1897 i paraqet ministrit të jashtëm të Perandorisë së Austro-Hungarisë një memorandum në të cilin ai paraqet haptazi pikëpamjet e tij politike dhe organizative për formimin e një shteti shqiptar që do të jetë i aftë t’u dalë zot fateve të veta. Si hap të parë të Memorandumit bëhet fjalë për një pajtim mbarëkombëtar, për të zhdukur në rradhë të parë të gjitha ndasitë fetare dhe krahinore dhe të përqëndrohen në çështjen kardinale të bashkimit kombëtar. Organizimin e “Aksionit Shqiptar”, në asnjë çast nuk e sheh të copëtuar në memorandumin e tij P. Doçi, prandaj ai flet për një Beslidhje si dhe sivllau i tij, Rilindasi i madh Sami Frashëri me fjalën e tij, e cila u bë kushtrim me “Besa-Besë”, që i çoi shqiptarët në Lidhjen e Prizrenit. Në pjesën e dytë të Memorandumit ai jep idenë e një Principate Katolike Autonome me qendër në Mirditë, që do të shërbente si hap i parë i shtetformit të ardhëshëm shqiptar. Kësaj Principate do t’i bashkëngjiteshin shtetet e vogla si ai Shqipërisë së Mesme, ai i Toskërisë dhe Epirit, si dhe ai i Kosovës. Ideja e Abatit Doçi, nga ana e Ministrisë së Jashtëme Austro-Hungareze u quajt si jorealiste dhe lidhur me këtë ide konsulli i Perandorisë Austro-Hungareze Z. Ipen do të shkruajë: -“Ky Prelat ekselent filomirditas dhe kristian levantin karakterizohet nga një antagonizëm i lindur kundër muhamedanëve turq ose proturq, gjë e cila e pengon të jetë një politikan objektiv”. E ndikuar nga kjo shfaqe e tij zonja Bozbora, e cila në librin e saj shkruan: – “…Doçi në Memorandumin e tij nuk merr në konsideratë reagimet e shqiptarëve muhamedanë dhe të vetë Shtetit Osman për formën e qeverisjes së konfederatës që parashikon. Në Memorandum nuk jepet asnjë shpjegim, se si do të formoheshin shtetet e vogla shqiptare dhe cila do të qe rruga që do t’i bashkonte ata me Principatën Katolike. Këto vërejtje mund t’i lejohen një studiuesi të huaj e jo një shqiptari të cilit ja njohim aktivitetin dhe dialektikën e veprimtarisë patriotike të këtij personalitetit dhe organizimin e shqiptarëve të asaj kohe”. Më datën 19 qershor, Konsulli Austro-Hungarez në Shkodër njofton Abat Doçin se Qeveria Perandorake për implementimin e planit të tij ka vënë në dispozicion shumën prej 80 mijë frangash në vit për t’u shpenzuar me këste tre mujore. Njoftim ky që Abati ua përcjell bashkëpunëtorëve të tij tekstualisht si më poshtë: – “Ishte dëshira e shumë mirëbërësve tanë të Evropës të fuqishëm në të holla, që katolikët këtu të vazhdonin të qëndronin nën Perandorinë Otomane, për të mos u bërë viktimë të eskizmës dhe franmasonerisë, se ata ishin të gatshëm të bënin sakrifica për të arritur bashkimin tonë me muslimanët dhe orthodoksët e vendit për të na forcuar në mënyrë që t’i përballojmë shtetet Ballkanike dhe se ata gëzohen kur Shqipëria mendon për çështjen e saj dhe e mbron kombësinë e vet”. Duke u ndarë nga Guvernatori i Përgjithshëm, Edip Pasha, shkruan konsulli i Austro-Hungarisë m’u kumtua nga ai vetë se po formonte një Komision muslimanësh dhe të krishterësh të qytetit të Shkodrës për një bashkëjetesë midis komuniteteve fetare. Përfitova nga ky rast për t’i sugjeruar nevojën e tanishme të bashkimit të kristianëve me muslimanët, jo vetëm për paqen e brendëshme të vendit, por edhe për mbrojtjen kombëtare kundër intrigave të Malit të Zi, të Serbisë, Greqisë dhe të Bullgarisë që i kanoseshin Shqipërisë. Abat Doçi m’u përgjigj, se do kishim shumë kundërshtarë. Së pari qeverinë lokale të Shkodrës, së dyti veprimtarinë dashakeqe të malazezëve dhe të italianëve dhe faktorët e tjerë konjukturalë, së treti Abati nuk ushqente asnjë iluzion për përkrahjen nga politika italiane, por duhet thënë se ai shpresonte tek Komuniteti i Arbëreshëve, ndaj të cilit ai qe i detyruar të punonte pa rënë në sy të politikës Austro-Hungareze, së katërti Abat Doçi ndonëse të gjitha shpresat i bazonte tek ndihma e Perandorisë Austro-Hungareze si mbrojtësen e detyruar të besimtarëve katolikëv shqiptarë, falë statukos në Ballkan dhe politikës së saj dualiste, përpiqej të anashkalonte problemet që kishin shqiptarët me Portën e Lartë duke i penguar ata në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare e cila nuk i vinte për mbarë interesave të politkës së saj në Ballkan. Prend Doçi falë aftësive të tija diplomatike nuk rreshti së punuari duke shfrytëzuar mjeshtërisht në favor të Çështjes Shqiptare autoritetin dhe mendimet vetjake të diplomatëve të saj, shumë herë vullnetmirë, nëpërmjet kërkesës së besës midis fiseve të Shqipërisë, muslimanëve dhe të krishterëve për mbrojtjen kombëtare kundër intrigave të huaja dhe kundër rrezikut sllav. Konsulli Ipen i kërkonte Vjenës të deklarohej hapur kundër një ekspedite ushtarake turke në Mirditë. Ipen duke perifrazuar Zv/Konsullin malazez Z. Gumer, nuk heziton t’i shprehë konsideratën e tij të lartë për Abat Doçin: – “Unë e çmoj shumë karakterin e Doçit mendimet e tij edhe sot janë po ato që kanë qenë qysh para 22 viteve. Tek ai gjallëron, po ai patriotizëm intensiv që të imponon repsekt të thellë.”. Që nga vdekja e Kapedan Bib Dodës në vitn 1868, Mirdita është fusha e ekspeditave ndëshkuese të Portës së Lartë dhe e guvernatorëve të saj të cilët kanë pasur për qëllim asgjësimin e autonomisë së saj. Rezultatet janë anarkia, e cila sundon në Vilajet dhe përgjegjësinë e ka qeveria, shkruhet nga Abat Doçi në letrën që i dërgon ministrit të jashtëm Austro-Hungarez. Abati ndër të tjera shkruan se Konsulli Ipen po bën të gjitha përpjekjet për t’i pajtuar të gjitha armiqësitë e brendëshme të Klerit Katolik të cilët kanë shfaqur hapur tendenca simpative italiane duke i bindur t’i kthehen bindjeve patriotike mbi zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare në Shqipëri. Baroni Cvidenek në Vjenë i sugjeron, në një letër të datës 22 nëntor të vitit 1898, Konsullatës së Përgjithëshme në Shkodër kthimin eventual të Preng Bibë Dodës dhe vendosjen e tij në postin e Kryetarit të të gjithë Mirditorëve, gjë të cilën ju e cilësoni të vetmin mjet për krijimin e kushteve të favorshme për vendosjen e rregullit në Mirditë. Në vazhdim të kësaj, qeveria Austro-Hungareze i dërgon një letër udhëzimi Konsullit të saj në Shkodër me detyrim që të bisedohet edhe me Abatin Doçi. Dokumenti që diplomacia Austro-Hungareze e quan “Udhëzim”, ishte një plan me dy variante për t’i zhdukur autonominë lokale të Mirditës dhe për ta vënë atë nën administrimin e Portës së Lartë. Konsulli shkruan se nuk mund ta bëjë për vete as me njërin e as me tjetrin variant Abat Doçin. Abati një variant të tillë e quan vetëvrasje të Mirditës. ”Sipas pikpamjeve të mija, – shkruan Konsulli, – do të ishte jo e drejtë të qortosh Doçin për shkak të këtij qëndrimi intrasegjent, sepse midis mirditorëve nuk gjendet asnjë personalitet që do të ishte në gjendje të marrë në dorë drejtimin e mençur të kësaj krahine malore.” Për Konsullin Teodor Ipen, në letrat që i dërgon ministrit të saj të jashtëm Austria zotit Gallubovski: “Abat Doçi nuk ka treguar asnjë rezultat dhe nuk ka patur asnjë sukses në të dy variantet dhe programet tona. Abati Doçi ngul këmbë në suprimin e Batalionit të Xhandarmarisë në Mirditë, mbetjen në fuqi të zakonit të hershëm të dhënies së misrit për krerët e bajrakëve të Mirditës. Vendosja e Preng Bibë Dodës si guvenator i Mirditës dhe administrator i saj sipas traditës zakonore të vjetër. Por ka një koinçidencë që çështja e Preng Bibë Dodës u trajtua edhe në audiencën që pati Abat Doçi me Atin e Shenjtë më datën 22 Shkurt të po atij viti. Në letrën që Abati i dërgon një personaliteti të dëgjuar në Shkodër, – ai(Papa) pati një lëvizje habie, dhe duke i rënë tavolinës me dorën e djathtë shtoi: – “Ah, vazhdon akoma në internim, edhe pse unë i parashkrova respektet dhe frikërat e pajustifikuara qeverisë së tij”. Në janar të vitit 1901 Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë i kishte dërguar Konsullit të Përgjithshëm në Shkodër një studim të Këshiltarit të oborrit mbretëror Von Thellozy mbi mundësitë e përdorimit të faktorit italo-shqiptar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Këtë lëvizje Von Thellozy kish menduar ta organizonte tek nxënësit e Konviktit Sant Adrianos në San Dimitro Corona, që ishte një fidanishte e patriotëve shqiptar. Këtë ide Abati Doçi mendoi ta shfrytëzonte për të krijuar deri edhe një parti politike për bashkimin e shqiptarëve. Sipas Konsullit Ipen, Abati ka shprehur me mua këto mendime: – “Ai synon që gjithë potencialin e tij ta shfrytëzonte për të mirën e atdheut. Abati është i mendimit që të themelonte një Parti Kombëtare Shqiptare ndër shqiptarët e Italisë e cila të mos jetë lajkatare e interesave të politikës italiane”. Më tej zoti Ipen shkruan: – “Tani kam bërë çmos që ta shkëpus Abat Doçin nga lidhjet me italo-shqiptarët duke i thënë, se ata e ndjejnë veten më tepër italian se sa shqiptatrë.” Me miratimin e Portës së Lartë Valiu i Shkodrës që nga data 24 shkurt 19002, aplikoi një bllokadë ndaj Mirditës duke mos lënë asnjë mirditor të zbresë në tregjet e Lezhës dhe të Shkodrës. Pra Valiu kërkonte që t’i mposhte mirditorët me anë të urisë. Si përgjigje, mirditorët mësyjnë në zonën e Lezhës, shkatërrojnë linjën telegrafike që lidhte Shkodrën me Manastirirn. Monsinjor Doçi, kur mësoi se Valiu nuk kishte pranuar të ulej për bisedime me përfaqësuesit e Mirditës, shpejtoi t’i vërë në dukje Guvernatorit të Përgjithshëm rrezikshmërinë e këtij veprimi. Pas kësaj Shaqir Pasha pranoi të bisedojë me përfaqësuesit e Mirditës, me kusht që forcat e grumbulluara në Mnelë të shpërndaheshin. Marka Gjoni, ish kamejkam i Mirditës, i internuar që në vitin 1897 në Mesul, në shkurt të vitit 1903 u amnistua nga Sulltani. Padyshin në këtë amnisti nuk mungoi përkujdesja e Perandorisë Austro-Hungareze, e cila jo vetëm e kishte strehuar në Kotorr, por edhe e përcolli në Mirditë me një subvension mujor prej 500 frangash. Kthimi i tij në pamje të parë duket se u prit mirë, por në heshtje lëkundeshin ekuilibret në mes personave dhe klaneve që kishin ndikim në jetën e krahinës. Konsulli Ipen, shkruan se Abati Doçi ëndërron për një luftë çlirimtare me aktivitet komitetesh që ushqehen edhe prej rretheve të tjera në të gjithë Shqipërinë. Ipen dyshon për lidhjet e Abatit me Ismail Qemalin dhe kjo bën pjesë në raportin e dalë më 25 qershor të vitit 1903. Prend Doçi zhvillon një veprimtari të gjerë e të dendur duke mobilizuar gjithë dashamirësit e tij për ruajtjen e besëlidhjeve të formuara mes Mirditës, Matit, Lumës dhe Dibrës, krahina tek të cilat shpresonte shumë. Ekzistojnë volume të raportimeve dhe korrespondencës së Abat Doçit me Ismail Qemalin nga ana e Konsullit Ipen. Në komitetin shqiptar me emrin ”Kombi”, i cili u krijua në Kongresin e shqiptarëve të Bukureshtit më 23 prrill të vitit 1905, krahas Ismail Qemalit, Dervish Himës, figuron edhe Simon Doda i cili sipas konsullit austriak: – “Ai është i dërguar prej Abatit të Mirditës”. Sipas Dom Ndoc Nikaj, famulltar katolik, takimi i Abatit me Ismail Qemalin është bërë në Orosh. Abat Doçi në përbërje të një delegacioni të Klerit Katolik të kryesuar nga Imzot Jak Serreqi, shkon në Durrës për t’i paraqitur Mbretit Emil Vilhelm Vidit nderimet e popullsisë së krishterë të Shqipërisë së Veriut. Emri i Abatit për Vidin nuk ishte i panjohur. Gjendja në Veri ishte kaotike. Një pjesë donin flamurin me shqipen të tjerët e quanin ”falamuri me sorrë” dhe kërkonin atë të Turqisë se edhe Esad Pasha atë kërkonte.
Vitet1899 e në vazhdim të aktivitetit të tij patriotik mund të quhen edhe vitet e hapjes së shkollave të para laike nga Abati Doçi. Të parën shkollë e hapi në një shtëpi pranë Çelës së Oroshit me 14 nxënës nën kujdesin e mësuesit Dom Zef Mirashit, famulltarit të vendit. Një vit më vonë kjo shkollë arriti me 30 nxënës e tre mësues, Cim Gurakuqi dhe Kol Dema. Në vitin 1900 Abati nxiton të hapë një shkollë në Rrëshen duke caktuar mësues Dom Mark Vasën, në vitin 1905 do të hapë dy shkolla në Mirditë. Në fshatin Vig do të hapë një shkollë me mësues Dom Ndre Mjedën dhe në Kashnjet me mësues Dom Prend Sulin dhe Kol Lacen, pa harruar edhe shkollën e hapur në Spaç në vitin 1902. Më 31 Maj të vitit 1907 në Gomsiqe në vendlindjen e Lahutës së Malsisë dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit do të hapej shkolla shqipe me mësues A’t Shtjefën Gjeçovi. Mirdita ishte kthyer një qendër hulumtimesh ku hartoheshin fjalorët dhe gramatikat, abetaret, manualë historie, gjurmoheshin doke e zakone. Një nga shërbimet më të mëdha që i ka bërë kombit dhe Mirditës, Abat Prend Doçi, ka qenë kontributi i tij në krijimin e alfabetit latin për Kongresin e Manastirit në të cilin u hodhën themelet e një ortografije të gjithëmbarshme në Shqipëri. Abati përpjekjet për këtë alfabet i kishte nisur qysh në vitin 1899 me botimin e pjesës së parë të abetares shqipe. U desh ndërhyrja e Abatit pranë ministrit të jashtëm të Perandorisë Austro-Hungareze, zotit Gallubovski, që të niste edhe ribotimi i pjesës së parë dhe të dytë të abetares shqipe sipas propozimeve të tij. Austro-Hungarezët u përqëndruan edhe tek Andrea Mjeda për krijimin e një fjalori shqip, sepse ai ishte i vetmi ndër shqiptarët që njihte edhe dialektin tosk dhe kishte një formim të shkëlqyer shkencor dhe kishte mbi 16 vjet që merrej me shkencën e ortografisë. Sipas tyre ishte një Jezuit i përjashtuar, sepse ai është i lidhur me nostalgjinë dhe dashurinë për atdheun e tij ra në konflikt me nënrenditjen e rrëptë të urdhrit,- shkruan Teodor Ipen.
Në janar të vitit 1899 formoj në Shkodër “Shoqërinë Bashkimi”, rrënjët e të cilës zunë vend aq frutshëm tek bashkëthemeluesit e saj dhe veprat e të cilëve vazhdojnë të përparojnë po aq lakmueshëm edhe në ditët tona. Klubi i Manastirit në gusht të vitit 1908 mori nismën e një Kongresi Ndëkombëtar për njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe. 150 Alfabete u ofruan, por për të tre shoqëritë, ajo e “Frashëllinjëve të Stambollit”, “Agimi” dhe ajo e shoqërisë “Bashkimi” ishin më të interesuarat për njehsimin e alfabetit. Pjesëtarët e shoqërisë “Bashkimi” tash e mbrapa do të ndjekin gjithëçka që të lidhim një bashkim shqiptarësh, për një bashkim që të ndjehet dhe të jetë i vertetë, i plotë e i fuqishëm, që t’i përfshijë Gegë e Toskë e të përmbledhim mendjet më të vleshme e më të zgjedhura të Shqipërisë, ky ishte dhe mendimi i Abat Doçit mbas Kongresit të Manastirit. Data e krijimit të shoqatës nuk dihet, por saktësisht ajo u ngjiz në shtëpinë e Abatit në Shkodër e stolisur me tryeza e karrige për 20 veta mes tyre Mati Logoreci, Kolë Kodheli, Ndue Paluca, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli, Jak Serreqi, Dom Lazër Mjeda, Imzot Gjergj Koleci, Luigj Gurakuqi, Dom Ndoc Nikaj, A’t Gjergj Fishta, Dom Dodë Koleci, Dom Mark Shllaku, Dom Nikoll Sheldija, Dom Mëhill Çuni. Shoqëria hartoi një alfabet me shkronja latine në të cilin disa tinguj paraqiteshin me dy shkronja, ky ishte një ndër pikësynimet….Në parim ky alfabet me disa variante ishte vijim i alfabetit të autorëve më të vjetër dhe i atij të Z. Jubanit dhe P. Vasës. Konsulli Ipen shkruan diku në raportet e tij për Vjenën: – “Alfabeti është krijuar nga një grup klerikësh nën përkujdesin e Imzot Prend Doçit edhe kjo rrethanë është me shumë rëndësi për ne. Nuk do të ishte me vend që t’i binim në kundërshtim me Imzot Doçin. Po në vitin 1899, Prend Doçi me shumë zgjuarsi me preteksin për ta bërë më të lexueshëm për qytetarët të përmuajshmen “Shkodra”, organ i qeverisë së Vilajetit, propozon që ajo të dalë në dy gjuhë, turqisht edhe shqip si trasnkrimtim i gjuhës turke me gërma latine. Abati u përkujdes për unifikimin e të folmes dhe përpilimin e një alfabeti nga një akademi të formuar nga bashkëpunimi me të gjitha kryesitë e dioqezave të Shqipërisë së Veriut e cila shqyrtoi çështjen e alfabetit në mënyrë thellësisht shkencore. Shoqëria “Bashkimi” angazhohet se do t’i nënshtrohet pa kushte e pa diskutim vendimit të një akademie të krijuar për këtë qëllim. Rëndësia e krijimit të alfabetit në kushtet e krijuara, kur Anglia nxiste dhe përkrahte ndikimin italian në Shqipëri, sepse së bashku me Francën kishin për qëllim kryesor pengimin e shtrirjes së Rusisë në Ballkan, ndonëse Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane nuk donin copëtimin e Shqipërisë. Në këto kushte Abati po u dilte jashtë kontrollit, shkruhet në raportet diplomatike të konsujve në vitin 1901. Ja se çfarë shkruan Miss Edit Durham kur është takuar me Abat Doçin: – “Është gabim, – tha Doçi, – të veprojmë tani kundër Turqisë. Turqia nuk është më i keqi armik që kemi. Vendi ynë ka vuajtur tmerrësisht nga turku, po Shqipëria nuk vdiq. Tani kemi një armik tjetër shumë më të keq i cili rritet dita ditës dhe ky është sllavi. Rusia me kishën saj fanatike dhe me çeta të egra serbe e bullgare është gati të shfarrosë Shqipërinë nga faqja e dheut, katolikë e mysliman së bashku”. Më 28 korrik të vitit 1914 fillon Lufta e Parë Botërore. Shqipëria e brishtë pa shtet, pa miq, pa ushtri, pa kufij, po tundte vetëm flamurin me shqiponj. Prend Doçi i shkruan bashkatdhetarëve të tij, se ky mbret më thënë të drejtën më shkakton dhimbje duke lënë të kuptohet që ëndrra është akoma larg. Thirrjes së Mbretit iu përgjigjën Preng Bibë Doda, Mehmet bej Vrioni, Bektash Cakrani dhe Ahmed Zogu. Më 11 korrik mbreti ftoi në pallatin mbretëror 35 personalitete mes të cilëve Ismail Qemalin, Imzot Prend Doçin, Isa Boletinin, Preng Bibë Dodën, Fuat Toptanin, Dom Nikoll Kaçorrin. Çështja më e debatuar në këtë mbledhje ishte shtrimi i kërkesës drejtuar Fuqive të Mëdha për ardhjen në Shqipëri të një Fuqie Ndërkombëtare Ushtarake në mbrojtje të vendit. Prend Doçi deklaronte për mësymje kundër rebelëve. Në 19 mars, Abat Prend Doçi organizon ngritjen e flamurit shqiptar në kalanë e Shkodrës dhe më pas mbajti një ligjeratë, që pati jehonë të gjerë në trevat e Veriut të Shqipërisë.
Prend Doçi vdiq papritur në datë 22 shkurt të vitit 1917 në orën 16 e 30 minuta në shoqërinë e mikut të tij Dom Pal Treshit, i cili u përkujdes për sakramentet e fundit. I menjëhershëm reagimi i diplomacisë vjeneze. I plotëfuqishmi i Perandorisë Austro-Hungareze në Shqipëri, zoti August Kral, duke mos e fshehur cinizmin e tij do të deklarojë: – “Është e vërtetë që Imzot Doçi ka qenë kundërshtari im, por duhet pranuar e vërteta se ka qenë mendjehollë dhe shumë i zoti për punë të tij.” Nga karakteristikat që veçon August Kral për Abatin, janë ambicjet dhe madhështija, por ai nuk ëhtë i shquar vetëm për këto dy cilësi, por si njohës shumë i mirë i njerëzve dhe ka ditur gjithashtu që këto cilësi që flinin në më të shumtën e njerëzve t’i vinte në dobi të tija në mënyrë që t’i nënshtroheshin vullnetit të tij. Në ministrinë tonë ndoshta të gjithë nuk e kanë dashur, por të gjithë e kanë çmuar”. August Kral i këshilluar nga Konti Turn, për të shmangur dhe përballjen me diplomacinë e Selisë së Shenjtë e shikon më racionale izolimin e Abatit në rezidencën e tij në Orosh, në të cilën qysh në dhjetor ishte vendosur një batalion i zgjedhur i ushtrisë Austro-Hungareze. Ky batalion kish filluar menjëherë grumbullimin e armëve dhe me forcën e armëve kish filluar dhe rregjistrimin e rekrutëve për ushtrinë Austriake.
Atdhetari Justin Rrota shprehej për Prend Doçin: – “Meriton çmimin e lavdisë së përjettëshme. Pamja e tij e hijshme fjala e tij e urtë e tërheqëse, shoqnue me një buzëqeshje të ëmbël e të afrueshme, zani i tij i kandshëm e kumbues.”
A’t Gjergj Fishta shkruan: – “Abati ishte aq i dhanun mbas alfabetit të tij të shoqërisë “Bashkimi”, sa Anglia i jep kaq rëndësi tokave të Indisë, aq sa rëndësi i jep ai alfabetit.”
Përgatiti: Kastriot Kotoni