Prej disa javësh, Bashkia e Durrësit ka nisur një projekt urban në zonën arkeologjike të qytetit. Projekti “Veliera” që kushton rreth 6 milionë euro parashikon kryerjen e ndërtimeve me beton, në rrënojat antike të qytetit. Deri më sot, kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka thënë se ndërtimet me beton nuk prekin zonën arkeologjike. Arkeologë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë sjellë fakte që dëshmojnë se jo vetëm kemi të bëjmë me zonë të rëndësishme arkeologjike, por me një prej terreneve më të pasura me objekte antike në qytetin bregdetar.
Në Komisionin Parlamentar të Edukimit, kryebashkiaku Vangjush Dako tha se do të verifikonte pretendimet e arkeologëve dhe studiuesve, por sipas tij kritikuesit e projektit nuk ishin ekspertë të fushës. Edhe pse media publiko foto që tregojnë për objekte antike mijëra vjeçare, firma ndërtuese që kryen punimet ka vazhduar të mbulojë me beton historinë e Durrësit.
Institucionet e shtetit, si Ministria e Kulturës dhe agjencitë e mbrojtjes së trashëgimisë kulture çuditërisht kanë heshtur në mënyrë të turpshme. Kundërshtia ndaj këtij projekti që varrosë historinë antike të Durrësit po bëhet vetëm nga shoqata të shoqërisë civile.
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, në një deklaratë për mediat kërkoi sot ndërprerjen urgjente të punimeve nga Bashkia e Durrësit. “Kërkojmë; e para, ndërprerjen e vërtetë dhe të menjëhershme që tani të punimeve në të gjithë zonën A dhe B të interesuar. E dyta, zbulimin e të gjithë sitit, riheqjen e të gjitha shtresave zhavorre, dhera, betone etj, në mbi 70% të sipërfaqes së këtij siti i cili është gërmuar me ekskavator”,- thuhet në deklaratën e Forumit.
Sipas Forumit, ndërtimet po kryhen në një zonë historike të kategorisë së parë dhe kjo është një shkelje e rëndë e ligjit.
DEKLARATA E PLOTË E FORUMIT:
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, do të marrë pjesë në dëgjesën publike të sotme të organizuar nga Bashkia Durrës, për të shfrytëzuar çdo mundësi, qoftë edhe të vonuar, për të frenuar shkatërrimin e mëtejshëm të Durrësit arkeologjik.
Pavarësisht kësaj, Forumi këmbëngul që ligjet zbatohen dhe nuk diskutohen nëpër dëgjesa publike. Sepse ligji për trashëgiminë kulturore është eksplicit dhe i qartë: në zonën e mbrojtur “A”, nuk lejohet asnjë punim nëntokësor dhe mbitokësor përvec shtresave rrugore.
Ndërsa në fakt, zona “A” është mbjellë me pilota betonarmeje deri 10 metra thellësi.
Atëherë, çfarë do sqarojnë në dëgjesë Bashkia Durrës, kur pjesë e pilotave janë ngulur mu mbi muret ende të padokumentuara.
Ligji për trashëgiminë kulturore është eksplicit dhe i qartë: në zonën e mbrojtur “B”, nuk lejohet asnjë lloj punimi pa përfunduar gëmimi arkeologjik.
Atëhere, cfarë do sqarojnë në dëgjesë Bashkia Durrës kur në zonën B, punimet vazhdojnë me ritëm frenetike pavarësisht vendimit (po aq të vonuar) të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për t’i ndaluar ato.
Në gjithë këtë histori, ku Bashkia po bën zhurmën e saj për tu fshehur pas relacioneve konfuze të institucioneve që skanë bërë detyrën, bie në sy i munguari i madh: Ministria e Kulturës e Republikës sonë.
Atëherë për cfarë vlen kjo dëgjesë publike, kur të gjithë vendimmarrësit i janë fshehur publikut dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për muaj të tërë, derisa thesaret e nëntokës të dilnin në pah me gjithë madhështinë e tyre ndonëse të masakruara nga eskavatorët?
Forumi kërkon me forcë:
E para, ndërprerjen e vërtetë dhe të menjëhershme që tani të punimeve në të gjithë zonën A dhe B të interesuar.
E dyta, zbulimin e të gjithë sitit, riheqjen e të gjitha shtresave zhavorre, dhera, betone etj, në mbi 70% të sipërfaqes së këtij siti i cili është gërmuar me eksavator.
Lexoni dhe: