Nga Kristaq BALLI
Krijimtaria artistike e fotografit të shquar shqiptaro-amerikan nga Korça, Gjon Mili (1904-1984) mbetet një minierë e pafund “xeherorësh” të çmuar, ku sa më shumë tenton të gjurmosh apo të eksplorosh, aq më shumë drita e saj bëhet më e largët, më e paarritshme, më e mistershme, sepse pasuria imazherike që ka lënë ai është e pafundme. Pas vitit 1990, në Shqipëri (por edhe më herët në Kosovë) është tentuar të hidhet dritë mbi këtë fotograf novator me artikuj e studime të pjesshme, shumë herë komplementarë, duke arritur deri diku që të krijohet portreti i tij monumental prej një artisti elitar e ekselent, ndoshta më të kompletuarin dhe shqiptarin artist kontemporan më të njohur botërisht për kontributin e tij në artin pamor të fotografisë artistike. Por, gjithsesi, ai mbetet ende i padepërtueshëm deri në thellësi, sepse, herë pas here, nga galerat e botës së tij artistike dalin në dritë të tjera të dhëna, të tjera vepra fotografike në letër apo negativë, madje edhe shkrime të panjohura të tij në vetën e parë (veç atyre të botuara), të cilat e rafinojnë biografinë e tij artistike dhe e bëjnë të paeksploruar tërësisht detin e botës dhe të shpirtit të tij artistik e human.
Gjon Mili, edhe pse një specialist i kompletuar në profesionin e tij të inxhinierit elektrik të studiuar në universitetin e famshëm MIT të Massachusets, edhe pse një intelektual i angazhuar në sferën shkencore të elektricitetit dhe optikës, me të cilat mund të kish një karrierë e prosperitet të lakmueshëm material, edhe si veprimtar mëmëdhetar I organizimeve politike e patriotike shqiptare në SHBA e kishte të siguruar të ardhmen e tij, ai preferoi t’i sfidojë ato me një tjetër profesion, me një tjetër angazhim, të cilin e filloi si amator i druajtur, por erruptiv më tej kur gjeti vetveten, pra atë të fotografit, i cili pa besuar edhe vetë, do ta ngrinte në piedestalin e një prej artistëve më të famshëm në botën fotografike. Ai u bë i tillë sepse falë talentit, njohurive, pasionit, këmbënguljes, imagjinatës dhe aftësive inovative zbuloi dhe aplikoi teknika të reja të panjohura më parë dhe që bashkë me tharmin artistik i hapën fotografisë dimensione e horizonte evolucioniste dhe shndërrime fondamentale në konceptet, strukturat dhe marrëdhëniet midis dritës, lëvizjes, kohës, shpejtësisë, teknologjisë.
Kur tenton të shkruash diçka për Gjon Milin të duket sikur shpirti të zhvendoset në thellësi të një oqeani, apo në mes të një univers qiellor, ku çdo objekt, gjallesë, apo planet është më i bukur se tjetri dhe ti nuk di cilin të zgjedhësh më parë, sepse, ashtu si ato edhe konstelacioni i yllësish së trashëgimisë artistike të tij është një pafundësi fantazie e skalitur hirshëm e mjeshtërisht nga syri i tij i mprehtë. Por Gjon Mili ynë është, gjithashtu, shumëdimensional në krijimtarinë e vet. Si fotograf, ai aplikoi në përmasa të gjera e transformuese dritën stroboskopike; si muzikant (ai luante edhe vete në oboe), ishte promotori dhe organizuesi në studion e tij të aktiviteteve muzikore të njohura si Jam Session me figura të shquara të muzikës dhe artistëve futuristë; si prodhues filmash ai u bë i famshëm me filmat e shkurtër muzikorë; si shkrimtar esseist ai ishte po aq i talentuar dhe produktiv dhe këtë e konstatojmë në librat e tij madhore “Dimensioni i Tretë i Pikasos”, “Gjon Mili, Fotografί dhe Kujtime”, por edhe në disa shkrime të tjera të pabotuara zyrtarisht.
Gjithsesi, fotografia mbetet dashuria e tij platonike dhe e përjetshme, e cila e sakrifikoi deri në fund të jetës. Gjinitë, zhanret, subjektet, stilet, personazhet, teknikat, kamerat, përpunimet laboratorike janë aq të shumta e të larmishme sa çdo njëra prej tyre të mrekullon, të shtang, të sugjestionon me origjinalitetin dhe specifikën e vet. Por, mbi të gjitha, Mili mund të konsiderohet fotograf i artit dhe artistëve, i të gjitha arteve, i të gjithë artistëve. Midis tyre, në këto rreshta do të veçoja ato të muzikantëve këngëtarëve të përbotshëm si: Edith Piaf, Frank Sinatra, Billy Holyday, Merilin Monroe, Ella Fitzgerald, Mary Lou Williams, Duke Ellington, Lee Wiley, Avong Long, Lester Young, Sid Catlett, Clora Bryant etj. U përqendrova tek muzikantët, pasi deri më sot asnjë studiues apo shkrues nuk ka pasur fatin të dijë e të relatojë se Gjon Mili ka fotografuar edhe një nga këngëtaret më të mëdha të kohërave, Mbretëreshën e muzikës Rock & Roll, Tina Turner, fakt të cilin nuk e ka përmendur edhe vetë ai diku. Por, të dhëna të freskëta e foto surprizuese të tij janë hedhur në mediat amerikane, veçanërisht në Revistën “Life”, ku Gjon Mili ishte i punësuar pothuajse gjatë gjithë karrierës së tij artistike. Ato janë foto të panjohura, të pabotuara në mediume, mirëpo, të konservuara me kujdes, na vijnë sot me një përhirje nostalgjie, afeksioni, kujdesi e vëmendje të veçantë që organe prestigjioze si “Life”, tregojnë ndaj krijuesve të tyre të shquar në një moment të caktuar e deçiziv, edhe pse ata kanë shumë vite që janë ndarë nga kjo jetë.
Tina Turner, me emrin e saj nativ Anna Mae Bullock dhe me prejardhje afro-amerikane ka lindur në vitin 1939 në Haywood County, Tennessee, SHBA. është një këngëtare, balerinë, aktore dhe autore. Ajo ka filluar karrierën e saj muzikore nga gjysma e viteve ‘50 si një këngëtare shoqëruese me grupin “Kings of Rhythm” (Mbretërit e Ritmit) të Ike Turner (zbuluesi i saj) me të cilin edhe u martua. Paraqitja në publik me emrin Tina Turner (Tërner) fillon më 1960 si protagoniste e kompleksit “Ike & Tina Turner Revue”. Zëri i saj i egër e këlthitës tërhoqën vëmendjen e kritikës muzikore dhe suksesi erdhi shumë shpejt me këngët “A Fool in Love” (Budalla në Dashuri), 1960. Një tur i gjatë në Amerikë me kompleksin Kings & Rhythm të Ike Turner do ta cilësonte atë si “një nga më të nxehtat, më potentet e më të qëndrueshmet, më eksplozive e të gjitha komplekseve R&B (Ritëm dhe Bluz)”. Kështu do të fillonte historia e rrugës të saj artistike në muzikën Rock’n’Roll, një histori suksesi që do të vinte duke u zgjeruar e rritur në mënyrë eksponenciale jo vetëm në ShBA, por në të gjitha kontinentet, në të gjithë botën sidomos në skenat e mëdha dhe stadiumet e Europës, ku ajo ndjehej më e vlerësuar. Këngët e viteve ‘60-‘70, si “River Deep – Mountain High” (Lumë i Thellë – Mal i Lartë), 1966, “Proud Mary” (Maria Krenare), 1971, si dhe albumet e regjistruara gjatë kësaj periudhe, veçanërisht i pari album solo i Tinës “Tina Turns the Country On”,1974 do ta afirmonin atë si një interpretuese unike për muzikën Rock & Roll . Por vlerësimet dhe renditja profesionale dhe e publikut ndaj këngëve të saj me bashkëshortin Ike Turner ishin nga më të lartat.
Në vitin 1978 ajo u divorcua nga Ike Turner dhe, kështu filloi një erë e re e krijimtarisë së saj muzikore. Së pari në disa emisione show dhe kabaret hollivudiane, më pas një turne në Australi dhe disa albume, midis të cilave “Love Explosion” (Shpërthim dashurie), 1978, pastaj një turne e dytë në SHBA “Wild Lady of Rock ’n’ Roll” (Zonja e Egër e Rock & Roll), emisioni televiziv “Hollyood Nights” (Netët e Hollivudit), 1979, albumi i dytë personal “What’s Love Got to Do with it”, i cili u shit në 5 milionë kopje ne SHBA dhe 20 milionë kopje në mbarë botën konsoliduan famën e karrierës së saj dhe protagonizmin feminist të vlerësuar në shkallën më të lartë duke fituar, veç të tjerash më 1985 katër çmime Grammy Aëards. Kontribuon për filantropi ndaj Afrikës me vokalin e saj në këngën “Ëe Are the Ëorld” (Ne Jemi Bota). Më 1986 boton kujtimet e saj “I, Tina” (Unë, Tina), libër, i cili u bë bestseller. Për arritjet e saj në jetë, iu dedikua një Yll në Hollywood Ëalk of Fame (Shëtitorja e Famës në Hollivud) dhe në St. Louis Walk of Fame (Shëtitoren e Famës në St. Luis). Në koncertin e madh në Brazil, në stadiumin Maracan, ajo fitoi Çmimin Botëror Guiness (Gines) për audiencën më të madhe direkte prej rreth 184.000 spektatorësh. Këngët e saj “The Best” dhe “Steamy Ëindoës” u bënë Maja e Hiteve 40. Më 1991, Ike dhe Tina Turner u vendosën në Rock and Roll Hall of Fame (Holli i Famës Rock & Roll). Me këngën “I Don’t Wanna Fight” (Nuk Dua të Luftoj) ajo u radhit e para në Top listën e 10 këngëve Hit. Pas shumë performancave e turneve të tjera, në vitin 2005 u nderua nga Kennedy Center Honors (Qendra e Nderit Kenedi). Presidenti George W. Bush e takoi Tina Tërner me komentin e tij “mjeshtëri natyrale, energji dhe sensualitet” dhe duke iu referuar këmbëve të saj si “më të famshmet në biznesin e show-t”. Artistja dhe pronarja e mediave Oprah Winfrey thotë: “Ne nuk duam tjetër hero. Ne na duhen më shumë heroina si ju. Tina, ju më bëtë krenare ta shqiptoj emrin tim g-r-u-a.” Turneu me rastin e 50-vjetorit të krijimtarisë “Tina Live” (Tina direkt) më 2009 korri sukses të bujshëm. Tina konsiderohet si një prej 100 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave (Nr. 17)
Ka regjistruar 11 CD, ka bërë 11 turne në të gjitha kontinentet, ka qenë aktore në 9 filma artistikë e dokumentarë, si dhe në shumë emisione televizive.
Tipi i vokalit të Tinës është contralto dhe përfshin tre oktava. Zëri me një cilësi dhe kumbim grykor, “i ngjirur”, shumë unik, energjik dhe natyral, një zë koke i mprehtë, i kthjellët, i ndritshëm, i ndezur… ka një karakter lehtësisht të identifikueshëm. Kontrolli i jashtëzakonshëm i Tina Tërner-it nënkupton se ajo është e aftë për timbre dhe tone të ndryshueshme, të cilat i japin asaj shkathtësi të madhe që e lejojnë të adoptojë gjini, zhanre e stile të larmishme e të shumta të muzikës (Rock, Pop, Blues dhe kontemporane). Mjeshtëria e saj në diapazonet e ulëta reflektohet në amplitudat e ndërthurura të zërit të saj. Por ajo arrin të ketë, padyshim, një regjistër të gjerë vokal deri në oktavën e pestë. Origjinale paraqitet ajo edhe në pjesën interpretuese si balerinë e një cilësie me performancë të admirueshme, të paparashikueshme e improvizuese, si dhe me një komunikimin të zhdërvjellët e drejtpërdrejtë me publikun, që i shton vlerat e paraqitjeve të saj.
Sot ajo është 75 vjeç dhe jeton në Zvicër si qytetare e këtij vendi duke e lënë nënshtetësinë amerikane më 2013.
Jeta e saj artistike më se 50 vjeçare e karakterizuar nga talenti i rrallë muzikor, zëri vullkanik dhe performanca sensacionale, puna intensive dhe e palodhur në aktrim dhe balet, energjia shpërthyese fizike e shpirtërore, suksesi i padiskutueshëm i këngëve, koncerteve, turneve, por edhe tharmi i brishtë feminist e sensual që inspiron dhe inkurajon gjithë vajzat e gratë e botës, e kanë cilësuar atë si divën dhe ikonën muzikore, “feniksin e Rock and Roll-it”, “seks simbolin e rock-ut”, “superstarin e MTV”, “testamentin e dashurisë, dhimbjes dhe seksit” artisten femër më të suksesshme të Rock & Roll, një prej artistëve bestseller botërorë të të gjitha kohërave, me rreth 180 milion disqe të shitur dhe i kanë atribuuar kurorën e “Mbretëreshës së Rock and Roll.”
Të 15 fotot e panjohura deri sot të Gjon Milit, në mënyrë shumë sintetike e paraqitin këtë virtuozitet shpërthyes të këngëtares gjatë një koncerti direkt. Në një publikim të Life.com thuhet se këngëtari i famshëm David Bowe që qëndronte pranë Tinës në koncertin e saj në Angli, është shprehur: “Duke qëndruar pranë saj të dukej se ishe në vendin më të nxehtë të universit”. Portali mendon se për fotot e Gjon Milit dihet vetëm viti (1970), por jo data e saktë vendi e lista e këngëve, sidoqoftë, sipas portalit theksohet se kur Tina Tërner ngjitej në skenë – nuk kish rëndësi sa e madhe ose e vogël ishte turma e spektatorëve – nuk mund të përmbahej joshja e saj shpirtërore dhe sensuale.
Por gjurmimet tona, duke qëmtuar në revistën Life, na çojnë në faqet e numrit të saj të dt.18 dhjetor 1970, (f. 57-61, Vol. 69, NO 25) ku ndeshemi me artikullin “Tina Turns On” (A solid soul hits it in a big way. Photographed by Gjon Mili – Një shpirt i fortë e zbulon atë në mënyrë bujare. Fotografuar nga Gjon Mili) ku janë botuar disa prej këtyre fotove, madje edhe me disa shpjegime që qartësojnë detaje rreth setit fotografik të tij për Tina Tërner. Me nëntitullin “Sukses i shkëlqyer i një këngëtareje me shpirt të fortë – Tina flakëron”, përbri fotos (Foto 2) shkruhet kjo diçiturë: Në Las Vegas, Tina këndon një këngë të bashkëshortit të saj Ike Turner. Ai shkruan këngët, luan në kitarë dhe është drejtues i kompleksit “Ike & Tina Turner Revue”.
Dhe më poshtë: Ajo ngjitet në skenë si një vrundull, si një pemë Krishtlindjesh e fryrë nga erëra të forta…” Kurse fotoja (Foto 3) përmban këtë përshkrim: “Interpretimi joatletik i këngës “I’ve Been Loving You too Long” (Jam dashuruar me ty shumë gjatë) ndryshon nga stili i saj i zakonshëm, por konsiderohet më sensual”.
Në armatën e admiruesve të saj është edhe Gjon Mili, fotografitë “verbuese” të të cilit përfshijnë vitalitetin dhe lëvizjet pa pushim të Tinës në skenë. Për 65 minuta rresht, ajo nuk e ndalon kërcimin. Në këto foto ajo cilësohet nga kritikët si një “uragan” dhe “një revolucion seksual femëror”. Në vitin 1970 Tina ishte 31 vjeç dhe sapo kishte filluar dekadën e dytë të karrierës së saj artistike me një bagazh të sigurt suksesesh, bashkë me Ike Turner. Gjon Mili, dhe pse tashmë 66 vjeç, nuk i ishte ndarë pasionit dhe profesionit të tij dhe bashkëpunonte ende me revistën “Life”. Si dukej, performanca ekstravagante dhe në lëvizje të përhershme e Tina Tërnerit e kishin ngacmuar atë, veç të tjerash, për t’iu rikthyer realizimit të fotove në teknikën e hershme stroboskopike. Fotot, të cilat përfshijnë portrete, torse, figura të plota, tablo të përgjithshme të kompleksit, etj., janë me ngjyra, ku dominojnë frekuenca bluje e violeti, por mbi të gjitha, ato kanë në thelb karakterin variabël të këngëtares kur ajo interpreton balada të trishtuara shpirtërore, apo këngë ritmike me atmosferë shpërthyese Rock & Roll-i. Edhe pse në një koncert direkt, Gjon Mili e ka shfrytëzuar potencialin e vet profesional e mjeshtëror në realizmin e fotove të mrekullueshme, që reflektonin së pari botën emocionale artistike vullkanike të një prej yjeve të artit botëror dhe së dyti, afeksionin dhe lidhjen e tij të pashtershme krijuese ndaj botës e artit.
Kjo tufë fotosh, të panjohura deri sot nga opinion dhe studiuesit shqiptarë, është një vlerë e shtuar dhe e çmuar në opusin fotografik të Gjon Milit, si dhe një homazh nderimi, respekti e vlerësimi që Revista LIFE, por edhe audienca artdashëse shqiptare i dedikojnë këtij artisti virtuoz, këtij “shqiptari gjenial” (Sean O’Casey) 22 vjet pas shuarjes së tij fizike, por jo shpirtërore e artistike.