Për zgjedhjen e kandidatëve në Akademi të shkencave dhe Arteve të Kosovës, për nënshkruesit e peticionit kundër Akademisë, ikjen dhe zgjidhjen nga kjo neveri e dhimbshme, daljen nga kriza.
Ky popull asnjëherë nuk është mësuar të luaj, ose të bartë barrën me mund përpjetë, gjithnjë lozë nën petkun e gjykatësit ose mësuesit, është lakmitarë i sëmurë pas lartësisë dhe pushtetit. Por, çfarë ofron për pushtetin? Hipokrizi, vjedhje, mashtrim dhe që nga pellazgët e Ilirët jemi mbushur me kusari, morale fallco dhe shëmti njerëzore. Popull i mbushur plot mllefe, xhelozi, pesëdhjetë njolla ngjyrash bartë mbi fytyrë e gjymtyrë, janë të stisur me ngjyra dhe gjethe artificiale Kurrë nuk kemi pas ndonjë fisnikëri, zotëllëk, vetëm thirreshim në nostalgji të rrejshme dëshire e cila ende e mjegulluar jeton. Këta njerëz që shohë dhe që i njohë, ose kam lexuar veprat e tyre, kamë parë ekspozitat e tyre sikur kanë në shpirt pak ferrë, por unë më shumë do preferoja të isha punëtor ferri se mik i ngushtë i tyre. Këta njerëz kanë krimbin e kohës i cili i gërryen përbrenda, janë të plagosur rëndë dhe ende nuk gjendet kurim për shpirtrat e rraskapitur, ose mendjet e etura pas lartësive, e që këto lartësi nuk i kapen, madje as përtej Ballkanit. Janë shkencëtarë mëhallësh dhe fryjnë gjoks pa pasur gjoks fare. Janë demonë të shkencës, impotentë ndaj vlerave evropiane dhe botërore, ëndërrimtar të rrejshëm ndaj vetvetes. Tash pasi nuk u pranuan në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) bëjnë peticion kundër këtij institucioni. Shkruajnë në gazeta, portale dhe të gjitha mendimet janë kundër. Krejt pse ata nuk u pranuan. Ndonëse e kundërt, po të pranoheshin, do bëhen lëpirës, puthadorësh, do zhuzhërijnë me lavdërime rreth njëri-tjetrit, të mbushur me komplimente. Do e llastonin njëri-tjetrin, duke u adhuruar si Zot, a në fakt janë demon. I shohë se si kacavirren, këta majmunë të shkathtë. Ç’rëndësi ka kjo? Qaramanë dhe servilë janë, asgjë më shumë. Ky popull dinë mirë të shtiret kinse të do, kjo githmonë qe dinakëria e tij dhe shkencëtari i mirëfilltë, i dyshuar është në çdo moment për ta.
Ne si brez në ardhje jetojmë në dëshpërim dhe zhgënjim, por mendojmë për tejkalim pa breza të vjetër sepse kur jemi të ëmbël dhe të gjerë me ta, të mirën që u a bëjmë na shpërblejnë me të keqen mbrapa shpine. Mehmet Kraja në një tekst me të drejtë thekson: “Kosovës po i kërcënohet pamundësia për të tejkaluar fatkeqësinë e vet, i kërcënohet vetëzhbërja, vetëshkatërrimi.” Këtë duhet luftuar përbrenda, por jo tek brezat e vjetër sepse ata janë imunë ndaj vetëshkatrimit dhe janë aq të maskuar saqë para të rinjve të mëdhenj bëhen të vegjël dhe në fshehtësi ju ndizet poshtërsia që kultivon ngadalë hakmarrje të padukshme ndaj shkencëtarit të ri. E kam vënë re, se sa herë afrohet ndonjë artist i famshëm, shkencëtarë me përmasa botërore, muzikant botëror, aktor, bie heshtja, i lënë forcat, ashtu siç lë tymi zjarrin që shuhet. Kurse kur ju nevojitesh për t’i votuar të bezdisin me telefon, tharësin aty ku je dhe nuk je, sepse të shohin vetëm si numër. Bënë mirë të mos ju hapësh telefonin dhe të mos t’i votosh, kjo zbulon sinqeritetin tënd krijues artistik, sepse me plot të padëshmuar nuk po them të padijshëm sepse secili për veten e tij radhitet në piedestal, por këta servilë nuk janë të dëshmuar askund në botë, nuk i njohin, as përtej Ballkanit. Kërkojnë të behën Akademikë. Paturpësi! Unë i shohë si butakë, dhe janë butakë. Janë miza helmuese që helmatisin. E tash marrin forcat të mobilizohen të ngrenë zërin kundër Akademisë, sepse nuk ju hapen dyert. Paturpësi o të padëshmuar në botë dhe nuk mjafton ta zotërosh vetëm mëhallën tënde, këtë e them me përgjegjësi, sepse merrni emrat e konkurrentëve të refuzuar, kërkojini në “google”, askund nuk janë të dëshmuar. (fjala është që emri i tyre të dëgjohet në Evropë dhe botë.) Por, nuk janë më të mirë edhe ata që me vite jetojnë në Akademi, e njëjta gjë është. Atëherë, çfarë po kërkohet këtu? Të rregullohet? Jo, të shkatërrohet edhe më shumë, sepse kjo shoqëri, baltë ka fundin e shpirtit dhe më e keqja balta e tyre ka akoma shpirtin. S’mund t’ia dalim nga ky makth historik dhe mendja jonë do të mbetet e paedukuar, o të ishin të paktën të përsosur si kafshët! Se kafsha është e pafajshme. Janë aq të mllefosur ndaj ASHAK-ut saqë disa prej tyre nuk e kërkojnë të kenë vendin aty. Pajtohem me jetën e klaneve aty, por edhe këta në ardhje “të pranuar”, do krijojnë klane të reja, e njëjta gjë është. Sipas tyre, ata që ngritën peticionin ASHAK-ut është larg këtij emërtimit që mban, gjithçka mbizotëron aty përveç shkencës. Ah sa mirë dinë të lypin një copë shpirt kur ju refuzohet një copë mish, sytë i kanë tepër të egër. E kritikojnë Ligjin për Akademi dhe kodeksin moral e profesional i cili nuk ndërmerr diçka për t’i ndaluar të pa merituarit, ndonëse këta thirren në 40 vepra si kontribut i shkencës. Vepra që nuk e tejkalojnë as lagjen e tyre. Ku mund t’i gjejmë në Evropë këto 40 vepra, në cilat librari, pavarësisht të famshme, mund edhe të zakonshme, vetëm se e vërteta nuk qe kështu. Më mirë dikush që ka shkruar një vepër (Albert Camus ka shkruar pak vepra) e që është pranuar ndërkombëtarisht, sesa dikush mbi 40 që vdesin brenda 2 viteve dhe i njihen vetëm në mëhallë. Jam kritik ndaj atyre që janë sepse të njëjtët janë dhe nuk vazhdohet kështu. Kritikohen ligjet e brendshme të ASHAK-ut që vendoset nga duart e tre vetave aty, por nëse kërkohen të respektohen vërtetë këto ligje, atëherë 50 vet që konkurruan këtë vit dhe ata të gjithë që janë brenda do qëndrojnë larg mureve të ASHAK-ut. Është më mirë të heshtësh sesa të rresh gjoks në të thatë. Ligjet e xhunglës janë kudo në Kosovë. Ky popull e pëlqen tragjedinë dhe gjithçka që ja copëton zemrën.
Pajtohem që në ASHAK nuk do pranoheshin emrat e mëdhenj botëror si: Orhan Pamuk, Ernest Hemingway, Albert Camus, Zhan Pol Sartre, Friedrich Nietzsche, ose nga artet pamore Van Gogh, Pol Gogen, Klod Mone, Marina Abramovic, Sislej Xhafa, ose nga sfera e muzikës, Bob Dylan, Roger Waters dhe David Gilmor. Nuk do pranoheshin këta, e as kritikuesit e padëshmuar të cilëve sytë janë egërsuar dhe sulmojnë, kurse dobësitë e veta i fshehin. Dobësi e shohin klanin, a vetë rrjedhin nga klanet, tash janë bërë armiq, por për të luftuar duhet të kesh bagazh për të qenë armik (vepra të dëshmuara jashtë Ballkanit, pavarësisht numrit të veprave, sepse cilësia nuk matet me numër). Kështu thirren këta dhe fshihen prapa numrave.
Në ASHAK gjejmë deputetë gjysmëdeputetë, shkrimtar, gjysmëfilozof, dhe kjo tashmë është punë e përfunduar, por kritikët e pa pranuar hasen në barrierë dhe ata vet nuk kërkuan sinqeritet ndaj vetes, por u kositen nga klanet tjera, dhe vet ata kanë un dinak që kërkon vetëm përfitimin e tyre, a realisht hasen në perëndimin e zhgënjyer. Aty brenda ka frikacakë, kjo dëshmon në një deklaratë të Rexhep Qosjes, i cili hezitoi t’i publikoj emrat e të pamerituarve në ASHAK. Shqiptarët vuajnë nga ndjenja e hiles dhe fshehtësisë, problemin e futin nën karrige dhe kërkojnë një të ardhme më të mirë. A mund të ketë? Natyrisht që jo, derisa më të vlerësuarit kanë frikë ende nga pushteti dhe kjo dëshmon ardhjen e tyre në ASHAK, ndonëse shkencëtari i vetmuar e i mirëfilltë nuk ka frikë as nga Zoti. Nga të dyja anët vetë populli është përbindëshi kryesor, pak edhe sistemi, por kurrë do të ekzistojë fuqia e rrënimit dhe qortimit të përbindëshave? Më thoni ju o njerëz? Por, njëmijë të këqija prej pasluftës ekzistojnë, po shihet qartë që Shqiptarët nuk donë zgjidhje, por trashëgim të së padrejtës, kjo u dëshmua nga peticioni i ngritur kundër ASHAK-ut.
Aty ka gjysmënanalfabetë e Don Kishotë e Kaligulë, por edhe ata që nuk munden të qasen nuk qenë aspak më të mirë. Mllefi shkon edhe më tej kur shkruajnë publikisht: “Akademia Mahallore e Kosovës, Klubi i Azilit të Pleqve, Akademi Private, Akademi Qesharake, Akademi e Plagjiaturave, Akademi e Talljeve Shkencore, Akademi e spërkatjeve politike, Akademi e hiçit, Akademia ku janë grumbulluar të gjithë averazhët e LKJ- LDK-ë, Akademia e turpit, Akademia e Preshevës, e si jo tjetër, sepse aty e dinë edhe zogjtë e malit se kush mund të bëhet anëtar i Akademisë, natyrisht pa kontribute, por me devotshmëri ndaj tribuve.” E ju që shkruani në cilin klan i keni rrënjët? Kjo tashmë s’ka rëndësi, e rëndësishme është revolta sepse nuk jeni pranuar. Nuk e mbrojë Akademinë por jam kundër dy palëve sepse asnjëra e as tjetra nuk është dëshmuar në botë, të bëhen Akademikë këtu. Kanë ndërgjegje të përbashkët, ende nuk ju dëgjohet zëri i vërtetë i krijimit sepse të gjithë janë të përlyer me baltë, kurse kritikët dëshirojnë të përfitojnë nga revolta ta lajnë baltën.
Ne vuajmë nga egoizmi i sëmurë, i varfër e i uritur që gjithnjë kërkon të vjedhë, dhe vështron më sy hajduti çdo gjë që shkëlqen, ka lakmi të urisë dhe gjithnjë përsillet vërdallë tavolinës së dhuruesve, kjo tavolinë është kulla e ASHAK-ut. Këtë do ta quaja degjenerim dhe në çdo institucion, shoqëria jonë po kalon paralel me degjenerim, etje për financa dhe pushtet. E dini se çfarë mendje degjeneruese kanë këta kritikues, ata madje pohojnë se gjithçka është për neve. Kanë përfytyrim të ngjitjes, jetojnë në simbole të mëdha, kur kthehen në tokë dhe vështrojnë njëri-tjetrin janë tejet të vegjël, krahasohen me xhuxhët.
Të gjithë tashmë e dimë se vendimi për pranimin në ASHAK varet shumë nga ndërhyrja politike, ndaj i kot është rezultati shkencor. Për cilin rezultat është fjala? Për përformanca botërore, ajo që u mungon të gjithëve si jashtë poashtu edhe brenda këtij objekti. Nuk e dijë se cilët konkurrentë me merita botërore kanë mbetur jashtë ASHAK-ut. Ma thoni bile një si nga artet pamore, skenike, muzikë, letërsi e tjera. Kjo tregon shumë zhurmë për asgjë. ASHAK, duhet të ndërtoj të ardhme, por me këndë, ma thoni bile një. Të gjithë duhet të jenë refuzues të pranimit, sepse s’kanë asnjë vepër për t’ja dhuruar botës. Ata që dhurojnë, jetojnë jashtë kufijve dhe nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Akademisë. Ne jemi të varfër nuk mund të vjedhim frute nga pema botërore, unë dëshiroj që këta lypës të zhduken, sepse acarojnë, kurrë nuk kanë më se çka të vjedhin. Shoqëria jonë, kritikuesit e ASHAK-ut, edhe ata brenda janë despotë, krahinor dhe shumë historik.
Përzgjedhja e kandidatëve në ASHAK
“Anëtar korrespondent i Akademisë mund të zgjidhet punonjësi i shkencës ose i artit i cili ka krijuar vepra shkencore ose artistike të një rëndësie të veçantë”. Kritikuesit këtë paragraf e shohin si formalitet, mirëpo nuk përmendin se punonjësi i shkencës duhet të ketë vepra të një rëndësie të veçantë, të cilët jo vetëm nga sasia, por edhe cilësia e përmasave botërore, këtu fshihet ky nëntekst. Mos u ngjitni në numër të botimeve a kishte ai që u pranua 35, ose ai që u refuzua 40, të dy palët janë të njëjtës cilësi. Jetojnë brenda kufijve rural. Mos krijoni bubullima dhe fishekzjarrë për vete sepse shqisat dhe aftësitë ende i keni të mpira dhe të dremitura. Kritikuesit vazhdojnë dhe shkojnë më thellë kurrë kërkojnë që vlerësimi i kandidatëve të bëhet nga komisionet e jashtme ndërkombëtare. Atëherë, ky komision do t’ja ndërtoj murin të dy palëve, se as njëra e as tjetra nuk i plotëson kushtet me qenë Akademik. Kandidatët e refuzuar kishin një frikë, se ndoshta nuk i kanë pranuar për shkak numrit të madh të veprave. Ndonëse, mund të jetë kjo e vërtetë, por gjithnjë thirren në sasi, kjo nuk më pëlqen. Asnjëri nuk ka krijuar vepra me gjak që t’i lexojë bota, sepse veprat e tyre mbeten vetëm sa për ta kaluar kohën me to. Edhe vitet që vijnë do jenë të qelbura, sepse do lejojnë të gjithë të lexojnë dhe shkruajnë sa më shumë, fatmirësisht kriteret botërore nuk i pinë këto limonada, e as ASHAK-u nuk duhet të ngrehte gotën nga kjo kupë. Shumë kontraverzë janë kur kërkojnë të jenë pjesë e ASHAK-ut, refuzohen, tani thirren në numër veprash që e mbulojnë gjithë Akademinë me to, e kërkojnë që mos të jenë në këtë Akademi. Kurse unë e preferoj të kundërtën: dua të kem përreth horra, sepse jam i guximshëm. Në fillim pranojnë të rreshtohen me horrat, e tani i kundërshtojnë.
Kjo gjeneratë kërkon intervenim sa më të shpejtë shërues nga lakmia e pushtetit dhe parasë, e aspak e shkencës. Kjo edhe pritet nga të revoltuarit të cilët njerëzit në Akademi i quajnë semianalfabetë e pazarxhinj meskinë. Këta kritikues janë lopë laramane njëherë duan të jenë aty, tani kërkojnë edhe largimin e kinse disa shkencëtareve të merituar. U tha më lartë se kush meriton të jetë aty. Edhe ata që u refuzuan edhe ata që janë aty janë kokëbosh, por më kokëbosh janë rebeluesit sepse ky edhe është emri i superioritetit për një skllav. Realiteti në Kosovë është i egër dhe vetëm egërsirat mbijetojnë. Rreziku nuk është nga ky det i trazuar, por nga të mbijetuarit e kësaj furtune. Ne si do ta ndërtojmë këtë vend?
Unë nuk e shohë vetëm ASHAK-un si Akademi që po vetëvritet, por shoqërinë e cila jep votën politikës, futet nën kthetrat e saj, e tani nuk mund të ringjallet. Tani vërshohet arsimi jo funksional, mungon mësimdhënia dhe mësimënxënia, pothuajse humbet rregulli. Shoqëria këtu vërshohet si kope dhe është e ngopur me helm, edhe pjesa e të mirëve ka filluar ta humbet vetveten, gjithçka po shkon drejt vetëvrasjes graduale, edhe po përshpejtohet pak. Si të dilet nga kjo? Të rrënohet e kaluara, të ngritët e ardhmja pa kritikues të Akademisë dhe pa të zgjedhur aty. Vetëm nëse shkatërrohet deri në rrënjë, mund ta ndërtojmë pa njolla, me ngjyra të reja të përfitimeve dobiprurëse.
Akademikë nuk do të thotë vetëm ta marrësh rrogën e majme, ose për nderë të themelimit të këtij institucioni më të lartë, të gradohen disa për hir të ekzistimit. Rreziku është se ata tani mendojnë se janë Akademikë të vërtetë. Besoni, kjo shoqëri e bënë këtë. Ende vazhdon ajo legjenda se emra të vërtetë të Akademisë janë: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Ali Hadri, Gazmend Zajmi. Ku qe kontributi i tyre jashtë mëhallës? Kjo ende nuk u dëshmua. Edhe këta deshën të arrijnë fronin, vërtetë qe çmenduri e trashëguar ndër breza dhe kritikët e ASHAK-ut i lavdërojnë, sepse vetë ata besojnë vetëm brenda kufijve. Shumë patetikë janë sepse i quajnë të papërsëritshëm, logjika dhe krijimtaria e tyre ecën vetëm deri aty. Dëshira e tmerrshme thelbësore e të dy palëve është shtysa drejt pushtetit dhe në vendin tonë duhet të mbahet nën fre sa më gjatë të jetë e mundur, sepse këtu sundon njeriu primitiv. Këta kritikë kundër “padrejtësisë” ndaj barazisë para ligjit, çfarë duan të krijojnë realisht? Tensionim (sepse nuk u pranuan), armiqësinë (e kanë në thelb gjenetik për njëri-tjetrin) dhe urrejtjen (egoizëm i sëmurë në krijimtari pa të ardhme). Është gabim të mendohet se me këtë rregullohet gjithçka dhe shtohet lumturia e humbur e këtij populli.
Reagimi i ASHAK-ut
Reagimi i ASHAK-ut ndaj kritikuesve erdhi me këto fjalë: “Në mesin e të nënshkruarve mungojnë vetëm emrat e nxitësve të kësaj fushate dhe të shumë fushatave të tjera, që kanë urrejtje patologjike ndaj Akademisë dhe jo vetëm ndaj saj. Të nënshkruarit nga ky institut dhe nga qarku përreth, para se ta bënin këtë, do të bënin mirë t’i drejtoheshin institucionit ku punojnë ose kanë punuar dhe ta pyesin veten pse u nënshtrohen fushatave e prapaskenave tashmë të lexueshme deri edhe te vetëmandatimi i tyre për të ‘shitur’ dhe ‘blerë’ territore dhe për të shpërndarë cilësime për njerëzit si ‘patriotë’ ose ‘tradhtarë’, varësisht nga shijet e tyre”, shkruhet në kundër reagim. Sipas Kryesisë së ASHAK-ut, shumë prej të nënshkruarve të deklaratës janë të identifikueshëm fare lehtë sa i përket filiacionit edhe politik ose të klubit intelektual, e, megjithatë, bëjnë vërejtje për përkatësinë partiake të të tjerëve. Reagimi vazhdon edhe më tej: “Krejtësisht primitive tingëllojnë vërejtjet grupore të pamfletistëve lidhur me përkatësinë rajonale të anëtarëve të Akademisë në një vend ku secilën pikë nga qendra e Prishtinës e zë për një orë. Gënjeshtra nuk fshihet: nga 38 anëtarë sa ka sot Akademia, nga Presheva ka vetëm një anëtar, dhe ai është pranuar më 1993, nga Bujanovci ka dy – njëri më 1993, tjetri më 1996, dhe më s’ka pasur. Ka qenë një kandidat në këto zgjedhje dhe ai nuk është kualifikuar për një votë. Por e tërë kjo e zbulon burimin e nxitjes të tërë grupit”. Te frustruarit dhe Akademikët aktualë janë të njëjtë vetëm se me role të ndryshme, po t’i ndërrojnë njëjtë do reagonin, të refuzuarit e zgjedhur do heshtin dhe do vazhdojnë drejt së ardhmes pa ndërtim të shkencës. Kundërpërgjigja vazhdon: “Diçka e tillë i ka ndodhur kësaj Akademie edhe më herët në regjime pak si tjetër fare. As Kuvendi dhe askush tjetër nuk e ka këtë të drejtë, as këtu dhe as në ndonjë akademi evropiane, të ndërhyjë për çka do qoftë në punën e Akademisë. Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është e vetmja instancë që merret me vlerësimin e punës së Akademisë”, shkruhet në kundërreagimin e Akademisë.” Akademia nuk ka të drejtë ti përzë njerëzit e merituar p.sh Sislej Xhafa i dëshmuar ndërkombëtarisht për arte konceptuale, Rita Ora e njohur në gjithë botën me muzikë, Ferid Murati, fitues i çmimit Nobel për mjekësi, Nënë Tereza, fituese e çmimit Nobel për paqe, Ismail Kadare, poashtu i dëshmuar në botë për letërsi dhe Ibrahim Kodra i dëshmuar botërisht në arte pamore. Me këta emra a mund të radhiten edhe Akademikët tonë, edhe 50 konkurrentë të cilët ja mësyjnë Akademisë. Biografitë e të dy palëve jo që janë të vakëta, por i takojnë një përzgjedhje nw ndonjë klub rural.
I.M