Nga Besnik Bedollari/Jeta është një cikël biologjik dhe natyror. Njeriu lind një ditë, por vdes në një tjetër. Por ka nga ata që nuk vdesin kurrë. Nuk vdesin kurrë sepse gjurmët që lenë nuk treten dhe as humbasin karvanit të gjatë të kohës. Sot nisi rrugën e përjetësisë ndër vite poeti ynë Dritëro Agolli. Gjeniu i letrave dhe artit të fjalës. Njeriu i thjeshtë dhe virtuoz. Damarët e madhështisë së tij buruan nga thjeshtësia mes njerëzish. Një jetë e tërë veprimtari e pashterur, e cila ndali trenin e saj pasditen e 3 shkurtit 2017. Ndali fizikisht, ndërsa fryma e tij po rend pafundësive. Dhimbja e humbjes suaj zbuti dhe dimrin e acartë. Lëndoi qiellin. Trazoi retë dhe ato nisën vajtimin. U ka hije kur vajtojnë për lisa që nuk thahen kurrë. Shtati i tyre s’e humbet freskinë dhe zogjtë kurrë se ndalin këngën. Shumë vargje hodhe fare dhe bleruan për mos u tharë. “Kur të jesh mërzitur shumë, në raft të librave kërkomë, aty i fshehur do jem unë, në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë….”. Tashmë nuk je i fshehur, por i derdhur lumë me vargjet e tua të pashtershëm. I urtë, i mençur, popullor, plot humor, i dashur, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. I bëre të gjithë bashkë të flasin njëzëri me brengën e humbjes. Do të ngjisja shkallët e apartamentit afër 15 -katëshit mbrëmjen e 11 janarit 2014, por ende sot nuk e di nëse i zbrita ndonjëherë. Ndoshta mbeta përgjithmonë aty tek ajo dhomë e veshur plot art. Ulur te vendi i zakonshëm gjeniu i letrave me ngrohtësinë njerëzore që e karakterizonte bisedonte lirshëm. Këndonte këngë dhe pinte dolli. Ashtu si e donte tradita e Gorës, që e njihte aq mirë krahinën nga vija. Sepse jeta e poetit qe lidhur ngushtë me gjirin e popullit. Ndaj mbetet poeti i thjeshtësisë dhe më popullori. I ndrojtur se do ndihesha i vogël dhe i mpitë para një gjeniu. Por ndodhi e kundërta. U ndjeva si në shtëpinë time dhe me emocione të shkrira. Ky është shpirti i artistit që tretet si vesa në çdo lule. Dhe nga ana tjetër mbetet lule e freskët në çdo stinë. Sot u largove si një baticë fizike, ndërsa shpirtërisht do largohesh kur të thahen detet. Nata lind me errësirën e ndërsa yjet nuk shuhen kurrë. Nëse dikush tymos jetën me fjalë, poetët jetojnë në ëndrra dhe vdesin nëpër fjalë. Dashurohen me qiellin dhe detin e fshehur. Shkrihen si bora në mars dhe kthehen burim për t’i shuar etjen shoqërisë. Të shkruash për veprimtarinë e Dritëroit edhe boja e stilolapsit nuk do të kishte të ndalur. Sot na mungon me fizikun e tij, me fjalën e tij, duke lënë një boshllëk të madh mes të gjithëve. Ndërsa gjurmët që la pas mbeten bashkudhëtare me ecurinë e jetës. Ai mbetet një kujtim i pashuar për familjen dhe mbarë lexuesin e gjerë. Kurse për mua si pasuri e çmuar e bibliotekës qëndron libri ‘I përndjekur i dashurisë’ shkruar me autograf nga dora e vet autorit 11 janarin e 2014. Ajo dorë që dridhej nga pleqëria që nuk u plak kurrë. Njerëzit largohen, por veprat mbeten. Ajo që nuk shuhet kurrë është vepra e poetit. Mallit të tij. Le ta mbyll këtë shkrim modest me vargjet e poezisë ‘Shkëndijat e mallit’ të vet autorit: “ Ti vështron diellit që ulet pas malit. Në heshtje të rreme të fshehtë. Si në këngë, me flokët në gjysmën e ballit./ Ëndrra ime e ndritur si kometë, vështron diellin që fshihet pas malit. Andej nga u fshehën shkëndijat tona të mallit! ” Qofsh përherë i paharruar i shtrenjti Dritëro!
↧