Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

“Shqiptarët duhet të ruajnë identitetin kombëtar”

$
0
0

 Intervistë me poetin shkrimtarin dhe publicistin e njohur, Hazir Mehmeti

Nga Fran Gjoka

Poeti, shkrimtari dhe publicisti i njohur, Hazir Mehmeti në një intervistë për “Koha Jonë” flet për problemet e arsimit pedagogjik në Shqipëri dhe në diasporë.

Nisur nga krijimtaria juaj shkencore dhe pedagogjike, jeni një personalitet mjaft i njohur i shkencës pedagogjike dhe didaktike shqiptare, por aktivitetin tuaj e kryeni në Vjenë. Pse ka ndodhur ky fenomen?

Së pari ju falënderoj për intervistën dhe ju përgëzoj për shkrimet tuaja hulumtuese në vazhdimësi nga lëmi i shkencave pedagogjike e didaktike. Fillimisht gjatë shkollimit në Shkollën Normale, e njohur si vatër shkollimi të mësuesve dikur, lexonim shumë nga gjitha fushat, veçanërisht ishim të lidhur me literaturë pedagogjike të kohës. Që atëherë lexonim për pedagogët njohur botëror, Postalecin e të tjerë, edhe pse në kushte të vështira të kohës, kur na mungonte dhe mbushja e barkut me bukë, kishim motiv e inspirim të fuqishëm për t’i shërbyer nxënësit dhe përgjithësisht kombit. Pedagogët e parë shqiptarë të specializuar në UN e Beogradit, Sarajevës, Zagrebit, Shkupit i kishim profesorë dhe më shumë se aq. Idetë e tyre “fara që ata mbillnin” do jetë rruga e jonë aspak e lehtë, por e dobishme për kombin. Më kujtohet Profesori i nderuar i historisë, Dr. Ibrahim Çitaku, i cili shkruante temën nga historia e imponuar nga programi mësimor, kurse ai shpjegonte ilirët, Ilirinë, duke rrezikuar punën e jetën e tij. Apo Profesor Xhemajl Pllana, i cili na fliste me gjuhën e Naimit, Migjenit me forcën e fjalës artistike, por edhe revolucionare e patriotike. Kjo na duhej. Ne i kuptonim rrethanat dhe kishim respekt të jashtëzakonshëm ndaj tyre. Vetë jeta e tyre, përvoja e tyre, vuajtjet e tyre, idealet e tyre u bënë fanar ndriçues në shtigjet që duhej ndjekur në detyrimet ndaj veprës së rilindësve tanë drejt bërjes së shtetit e kombit shqiptar.

Keni kryer arsimin pedagogjik dhe jeni specializuar në fushën e mësimdhënies, pastaj keni punuar në shumë institucione arsimore të Kosovës. Cili qe kontributi juaj në lëmin e edukimit patriotik të nxënësve në atë periudhë të vështirë?

Pas mbarimeve të studimeve me nota të larta, fillimisht punova në gjimnazin e Skenderajt, pastaj Drenasit dhe mbi 16 vjet në Qendrën Shkollore dhe gjimnaz të Vushtrrisë. Ishim një kolektiv i madh dhe kishim disa drejtues të aftë e guximshëm ku mund të veçoja Prof. Emin Fejza, njëri nga të parët, i diplomuar në matematikë në atë kohë. Kaluam diferencimin politik të asaj kohe mizërie, ku pësoi dhe vet drejtori dhe shumë kolegë tanë. Gradualisht, nisur nga nevoja, fillova të shkruaj artikuj të shkurtër rreth problemeve pedagogjike. Pastaj, punët organizative brenda Këshillit Pedagogjik të komunës, i cili u largua nga sistemi i deriatëhershëm dhe ndihej nevoja e plotësimit të tij me këshilltarë të rinj, më ftuan mua dhe dy kolegët e mi: Prof. Shaban Krasniqin dhe Prof. Syleme Gogolin, ku punuam këshilltarë pedagogjikë pa pagesë, krahas punës pa pagesë dhe të përndjekur nga pushtuesi në gjimnaz. Shkrova edhe disa artikuj në shtyp, vazhdoi represioni akoma më i fuqishëm ndaj shkollave shqipe, veçanërisht ndaj gjimnazit, i cili konsiderohej si “çerdhe e nacionalizmit” shqiptar nga pushtuesi serb. Pastaj rrodhën ngjarje të njohura tanimë nga të gjithë, ku shkollat u mbyllën, persekutimet, burgosjet deri në ekstrem nga pushtuesi serb, i cili provokonte konflikt me qëllim dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe ndërrimin e strukturës etnike, sipas memorandumeve serbe të njohura që nga viti 1844.

Ushtruat për disa vite detyrën e nderuar të mësuesit edhe në shkollat shqipe në kryeqytetin austriak. Si arritët të integroheshe aq shpejt në një shoqëri të panjohur perëndimore?

Mundësitë për të afirmuar punën time në seminaret e rregullta që organizohen çdo vit u kurorëzuan me botimin e disa teksteve shkollore si pjesë e projekteve. Më e dashura për mua është Abetarja –Fibel A-B-C, si libër i vetëm shkollor për nxënësit shqiptarë në Austri. Nga projekti i Prof. Dr. Dr. Basil Schader u botuan 19 tekste për tri nivele, ku jam bashkautor, projekti i doracakëve nga praktika e mësuesve të gjuhëve amtare në Europë. Shkrova pjesë nga praktika ime me nxënës dhe isha koordinator për mësuesit e gjuhëve të tjera amtare në Austri; projekti i filmimit rreth realizimit në praktikë të teksteve mësimore, një sekuencë prej dyzet e nëntë minutash, që u prezantua dhe vazhdon akoma të prezantohet në disa seminare në vende të ndryshme. Janë një varg i gjatë i projekteve dhe punëve, për të cilat duhet shkruar më shumë se në një intervistë. Ndoshta do t’i përmbledh në një vepër të veçantë.

E nisët me një kontribut të rëndësishëm në fushën e botimeve që në vitin 2012, kur botuat veprën “Tekst ushtrimi 1”, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të integruar në shkollat austriake. Pastaj ky punim serioz u pasua dhe nga disa punime të tjera deri në klasën e nëntë. Më konkretisht, ç’përmbajnë këto tekste mësimore?

Qëkur isha nxënës e student kam shkruar rregullisht nga shumë fusha, kurse përmbledhjet e shkrimeve kam filluar t’i botoj vonë. Do veçoja monografinë “Mësimi shqip në Austri” e pastaj “Udhëtimi S”, kryesisht vepra dokumentare bazuar në faktet e kohë si gazetar e publicist. Krahas kësaj botova “Tekst ushtrimi 1” tekst, që ka një pasuri figurash dhe emrash mbi nëntëqind dhe Abetaren – Fibel A-B-C . Ndihem krenar me këto vepra, të cilat e pasuruan jetën time krijuese në sferën metodike e pedagogjike të standardeve të kohës në një vend të zhvilluar siç është Austria.

Puna e juaj shkencore do të vijonte me tekstin me rëndësi të veçantë për shkollat shqipe në diasporë “Abetare Shqipe”, për të cilën sot po shfaqen me interes mjaft institucione arsimore në diasporë. Si keni arritur ta botoni dhe ta shpërndani këtë tekst mësimor?

Puna ime rreth Abetares ishte disavjeçare dhe pjesë e projektit të Drejtorisë Përgjegjëse për Gjuhë Amtare në Austri, si pjesë e Ministrisë së Mësimit të Austrisë, krahas gjuhëve turke dhe boshnjake-kroate-serbe. Këtu duhet ta falënderoj zonjën Mag. Elfie Fleck, drejtuese e drejtorisë, e cila e mbështeti fuqishëm punën time. Ajo u tregua një mike e vërtetë e jona, e kishte të qartë se nxënësit shqiptarë, të tretë për nga numri, e meritonin kaherë një tekst të tillë.

Keni botuar mjaft shkrime dhe vepra jashtëshkollore të karakterit. Diçka më shumë për këtë material me shumë vlera?

Vepra ime dokumentare publicistike e bazuar nga dhjetë seminaret në atdhe “Udhëtim S” lindi direkt nga shkrimet e mia mbi seminaret, roli i tyre në shërbim të trajnimit të mësuesve nga diaspora. Mendoj se, vlera e saj do rritet me kalimin e kohës. Aty kemi të gjithë pjesëmarrësit, titulli dhe pjesë nga kumtesat respektivisht ligjërimet e tyre të shoqëruara me fotografi që flasin. Gazetaria hap shtigje të gjithanshme në kohë e për kohë.

Përmes veprave tuaja keni pasur mirësinë të trajtoni dhe çështjen e mësimit dhe të ruajtjes së gjuhës shqipe në fëmijët e emigrantëve. Cilët janë faktorët që mund të ndikojnë në këtë proces?

Ruajtja e gjuhës, si thelbi i identitetit kombëtar, varet nga shumë faktor dhe është komplekse. Mendoj se niveli intelektual i prindërve me vetëdije kombëtare të duhur ka rëndësi të veçantë. Në kohën moderne, mjetet elektronike, nëse shfrytëzohen nga familja, shoqëria krijojnë përparësi prekëse në ruajtjen e gjuhës, pastaj shkolla, mjetet e informimit publik, vizitat në atdhe etj.

Jeni një intelektual tepër i njohur në diasporë dhe padyshim keni një familje për t’u admiruar intelektualësh. Ç’mund të na thoni më shumë për familjen tuaj? Cili është aktiviteti patriotik dhe atdhetar i saj në atë vend të largët?

Pasi më garantoi shteti austriak strehimin e të përndjekurit politik, më sollën dhe familjen time nga Kosova. Fëmijët i pranuan në gjimnaz austriak, diçka e pabesueshme, kur dihen rregullat e ashpra edhe për vendoret për regjistrim. Fëmijët u treguan shumë të suksesshëm dhe për këtë u informua direkt edhe Ministri i Mësimit të Austrisë. Fëmijët e mi: Dr.Vlora Mehmeti, Mag. Qamile Mehmeti dhe Mag. Kreshnik Mehmeti tani janë krenaria jo vetëm e familjes sime, por edhe më larg. Në familjen time jemi një doktor shkence dhe tre magjistra. Bazamenti i kulturës shqiptare, respekti ndaj secilit, respekti ndaj punës, janë çelësi i ecjes me sukses në jetë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>