“General & Playboy” është një shfaqje aktuale ku flitet për psikologjinë, mentalitetin, pasionet, marrëdhëniet e njerëzve në kohët e sotme. Subjekti i saj, vërtitet rreth një gjenerali, të viteve para ardhjes së demokracisë; një kapteri dhe ky nga koha e diktaturës; dhe një biznesmeni, i ardhur nga provinca në kryeqytet. Midis dy ushtarakëve ndihet diferenca arsimore, sidomos me futjen në NATO, që e detyron gjeneralin në moshë, të nisë mësimet për gjuhën angleze, me mësuese private në shtëpi.
“Ideja për shkrimin e kësaj vepre ka lindur nga një ngjarje reale e fillimit të viteve ’90 kur dy vëllezër filluan të botojnë gazetën në atë kohë “Playboy”. Në të vërtetë babai i tyre ishte një ushtarak i rreptë, kolonel dhe kjo e vinte në kontradiktë me parimet. Por duke parë fitimet që vinin nga shitja e saj, i lind dëshira të kontribuoj edhe më shumë në këtë biznes. Unë kam kënaqësinë të rikthehem në Teatrin Metropol, pasi në këtë mjedis e kam nisur karrierën time artistike sapo kam mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve për regji, u emërova regjisor i Estradës së Tiranës. Në këto ambiente kam nisur aktivitetin në vitin 1968 – 1973. Në përgjithësi njeriu ka një cikël në jetë, për ta mbyllur i rikthehet edhe njëherë fillimit. Kështu po ndodh edhe mua, po i rikthehem edhe njehër skenës ku e nisa”, thotë regjisori Kapexhiu.
“General & Playboy” vjen si teatër realist, ku regjisori i është përmbajtur strukturës së shkrimit, duke u munduar që të ketë karaktere dhe situata, marrëdhënie midis personazheve.
Kontradikta kryesore në vepër dhe ajo që e bën më komike ngjarjen, është ballafaqimi dhe konflikti parimor për konceptin e moralit ndërmjet gjeneralit me konceptet e vjetëruara dhe nipit të tij me lirinë e shprehjes në demokraci, të cilën e konkretizon nëpërmjet një biznesi fitimprurës, botimin dhe shpërndarjen e një reviste erotike.
Në këtë sfond familjar është edhe ballafaqimi dhe paralelizmi midis gjeneralit që e largojnë nga detyra për motive qesharake dhe nga ana tjetër krushqia dhe miqësia familjare, që komshiun kapter e gradon në një post të rëndësishëm.
Komshiu quhet XHEMAL. Shkurt e thërrasin XHEMO. Ai emrin e tij e shkruan EMAL se nuk e mban mend germën XH dhe me ngritjen në përgjegjësi, si ushtarak i NATO-s vetëquhet XHEJMS. “Metamorfozë shumë komike kjo, që përshkon fillin e subjektit nga fillimi në fund të ngjarjes. Papunësia, mungesa e të ardhurave, pensioni qesharak, goditjet dhe presioni i moralit të ri dhe liberal e transformojnë gjeneralin demode dhe e detyrojnë të hyjë në rrjedhën e kohës, tashmë i ambalazhuar me koncepte të reja që i përshtaten më së miri ekonomisë së tregut.
Nga kundërshtar i ashpër e kategorik i kësaj reviste, ai në fund të komedisë merr përsipër shpërndarjen e kësaj reviste. Në ekonominë e tregut triumfon e reja” thotë regjisori. Vepra vjen si bashkëpunim i Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol), Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Kulturës dhe Yildiz Films & Theatër dhe do të jetë në skenë në datat 30, 31 mars si dhe 1 e 2 prill.