Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

Monika Shoshori Stafa, pjesë elitare e publicistikës shqiptare

$
0
0

Nga Skënder Temali/ Zonjën Monika Shoshori Stafa, e njoh nga ekrani i televizorit, por dhe nga artikujt e saj që kam lexuar tash e parë viteve të fundit në shtypin shqiptar. E se ato janë disafarëshe: realiste, filozofike, historike, politike, kulturoro-artistike, etike, përshkruese etj. Monika nuk mbetet robëreshë e zhanreve publicistike, i kapërcen caqet e tyre, përdor mjeshtërisht edhe figura e trajtime letrare të mirëfillta, kap e trajton probleme të mprehta të kohës pa bërë asnjëherë kompromis me të keqen e “baballarët e kombit”, ka depërtim vertikal e jo horizontal për ato që merr përsipër të trajtojë e kjo, mendoj, se përbën vlerë për çdo krijues.

Unë vetë, për 15 vjet kam punuar redaktor në Radio- Shkodra e gazetën lokale në kohën e komunizmit. Di si pak kush të bëj dallimet, censurën e autocensurën, siç edhe lirinë e sotme, me hapësira të pakufizuara të shprehjes. Këtë liri Monika e shfrytëzon, përmes një gjeografie problemesh e sfidash që i ofron vetë koha që jetojmë. Fatmirësisht  Monika i përket plejadës elitare të publicistikës shqiptare të çerek shekullit të fundit, edhe pse në këtë periudhë kohore, ka pasur përçudnime të fjalës e të shtypit të lirë. Brumin e materialeve të saj publicistike e që na ka paraqitur në këtë libër ajo nuk e stis, e merr nga magja e jetës. Trajtimet sjellin një informacion nga shumë e shumë fusha, çka flet se nuk kemi të bëjmë me një gazetare e analiste rastësore, por me një autore me një bagazh diturak që të bën për vete.

Konçiziteti i shkrimeve të këtij vëllimi e lejon lexuesin ta shohë jetën nga shumë këndvështrime e kjo jo vetëm se ajo e ka orientuar atë në ndarjen në katër pjesë, por sepse ai sheh veten e tij në pasqyrë e jetën shqiptare me plus-minuset e saj, duke nisur që nga sharlatanët e mbirë si kërpudhat pas shiut e deri tek sistemet ekonomike e rrymat bashkëkohëse politike, kulturore e letraro-artistike shqiptare, europiane e botërore, ku autorja eksploron jo pa sukses e duke qenë gjurmëlënëse. Konçiziteti i shkrimeve mendoj se përbën një tjetër vlerë të këtij libri e të kësaj autoreje. Ajo ka bërë kujdes të vazhdueshëm që të ketë sa më pak ujë, pa u hallakatur sa poshtë e përpjetë, por duke dhënë pa dorashka kuitesencën. Pasuria leksikore e gjuhësore tregon për formimin edhe në këto fusha të Monikës. Fraza nuk na lodh me gjet kryefjalën, pasi kryefjalë është analiza e mesazhi që përcjell.

Unë, si autor i disa librave artistikë të zhanreve të ndryshme në gati gjysmë shekulli, me interes të veçantë kam lexuar sidomos artikujt e “Qasjes kulturore”. Përveç bollëkut të informacionit që merr lexuesi, pasi ka lexuar secilin prej tyre, sikur polemizon e vetëkritikohet, duke belbëzuar: “Po këtë, si s’e paskam ditur!?” Kjo natyrisht që s’të krijon ndjesinë e mirë, por që e mbush autoren se i jep lexuesit, qoftë edhe elitar, një novitet në mendim e problematikë të këtij rrafshi. Kë të veçosh në këtë korpus? “Librin e pushimeve”, “Shijen e vrarë të librit”, “Tradhtia ndaj përkthimit”? Mendoj se ato e të tjerë kanë kapur kuotat që do t’i dëshironte çdokush që bën publicistikë serioze. Publicistika shqiptare ka nevojë për të tilla nivele e kjo është meritë e autores, së cilës i uroj me shpirt të tjera arritje, madje do të thoja se përkthimi në anglisht apo në një gjuhë tjetër europiane do ta nderonte jo vetëm atë, por edhe kulturën tonë.

*Autori është Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>