Versioni live-action i kryeveprës së animuar të vitit 1991 është një riprodhim nga këndvështrimi skenik, por nuk ruan të njëjtin shpirt dhe magji. Pas “Maleficient”, “Hirushja”, “Libri i Xhunglës” dhe “Dragoit të padukshëm”, Disney vazhdon t’u dhurojë sallave të kinemasë versionin live-action, pra me aktorë protagonistë me mish dhe kocka, të klasikëve të së shkuarës. Tani është radha e filmit “E bukura dhe bisha”, një nga kryeveprat e filmit të animuar, që në vitin 1991 fitoi dy Oscar dhe ishte kandidat për “Filmi më i mirë”. Me siguri që nuk ishte një rrezik i vogël për regjisorin e versionit të ri, Bill Condon, i cili ka zgjedhur të ruajë me besnikëri strukturën dhe të luajë me efektin e nostalgjisë duke rikrijuar, në mënyrë maniake, skena të plota. Për fat të keq nuk është e mjaftueshme! Ndjesia që të krijon është sikur gjendesh përballë një homazhi që shkëlqen në aspektin skenik, por që i mungon magjia. I përqendruar për t’u bërë një kopje e zbukuruar e origjinalit, zbehet. Përralla, një nga më të bukurat e të gjitha kohërave, kësaj here ka ndoshta ndonjë element më shumë, veçanërisht për sa i përket të shkuarës së protagonistëve. Ndërsa, pjesa tjetër është pak a shumë ajo që njohin të gjithë: një e re, Bela (Emma Watson) vetëofrohet në këmbim të të atit, i cili mbahet i burgosur në një kështjellë nga një bishë antropomorfike, dhe përfundon kështu duke jetuar në një vend mbi të cilin rri pezull një mallkim që vetëm dashuria e vërtetë mund ta thyej.
Janë momentet kulminantë ato gjatë të cilave filmi zhgënjen më pak, si koreografia “Qëndro me ne”, që është tepër e këndshme për syrin si dhe skena e famshme e kërcimit, e mbi të gjitha falë këngës “pa kohë”, që të bën për vete. Funksionojnë mirë edhe personazhet e shërbimit (si ibriku i çajit, ora, shandani, garderoba e kështu me radhë), të cilët i bëjnë shoqëri Belës dhe që rreth tyre me delikatesë të madhe rrëfehen edhe drama të vogla emocionale. Midis aktorëve, spikat Luke Evans, që është në rolin e Gaston-it, admiruesit të Belës, një mburravec dhe egoist siç nuk e keni hasur kurrë më parë. Vështirë të pohosh të njëjtën gjë për protagonisten, Emma Watson. E parë nga shumë si mishërimi perfekt i Belës guximtare për disa karakteristika të saj personale, si përfshirja e saj për kauzën feministe, gjatë aktrimi provat tregojnë se ajo zhgënjen; shprehia e saj gjatë filmit është shumë e vakët, pa ndryshime të dukshme e emocionale. Bela është pragmatike, e pavarur, por edhe një shpirt ëndërrimtar, mjeshtre e ndjeshmërisë. Në performancën e Emma Watson, ndodh ndryshe, zbehet romanticiteti që e shtyn personazhin të bëhet heroina që në vend të shpëtohet, arrin të shpëtojë princin.
Kostumografia
Kostumografia, grafika dhe makeup-i duket se janë realizuar në mënyrë mjeshtërore, dhe rezultati është larg artificiales, përkundrazi. Bisha është një “maskë” plot shprehi, ka një shpirt dhe kjo ndihet, me pak fjalë funksionon. Fshehur poshtë një shtrese të ashpër leshatore, sytë e Dan Stevens flasin. Me siguri më shumë se ato të Emma Watson, që përpiqet t’i qëndrojë besnike personazhit. Përveç dy protagonistëve, meritojnë të përmenden për interpretimin e tyre special edhe personazhet dytësorë: Lumiere-i legjendar, e qeshura znj. Potts, i paharruari Bean. Nuk mund të mos bjerë në sy interpretimi i babait të Belës, Kevin Kline. Sigurisht që nuk mund të anashkalohet interpretimi i parezistueshëm i “dy miqve antipodë”, Gaston dhe Le Tont. Në këtë film kemi edhe personazhin e parë homo të një filmi të animuar në Disney që interpretohet nga një aktor hetero, duke u munduar të luftohen në një farë mënyre edhe steriotipet. Homoseksualiteti i Le Tont është përmendur me delikatesë, duke i bërë edhe më shumë sterile polemikat që janë hapur.
Skena homoseksuale dhe censura
Walt Disney tërheq filmin “E bukura dhe bisha” nga kinematë në Malajzi pas tensionit të krijuar për të ashtuquajturin “moment homoseksual”, ose më saktë skena ku LeFou kërcen me një burrë tjetër. Autoritetet malazeze kanë aprovuar filmin, por me kusht që të censurohej skena homoseksuale, por Disney, ka vendosur ta tërheqë në vend që ta censurojë, duke i bërë rezistencë presionit dhe duke treguar që nuk pajtohen me normat jo liberale të këtij tregu. Malajzia dhe Singapori censurojnë të gjitha ato skena ku homoseksualiteti trajtohet në mënyrë pozitive. Singapori ka aprovuar filmin “E bukura dhe bisha”, por peshkopi anglikan Rennis Ponniah ka sinjalizuar përmbajtjen homoseksuale të tij.
Kuvajti heq skenën me homoseksual
“E bukura dhe bisha” është hequr nga kinematë e Kuvajtit nga dita e hënë, për shkak të “skenës homoseksuale” (2 sekonda). Filmi është shfaqur nëpër kinematë e këtij vendi që nga dita e enjte, por ata që kishin blerë bileta për ditët në vazhdim, morën një mesazh nga Kompania Kombëtare e Kinematografisë së Kuvajtit se shfaqja e filmit është anuluar për disa “vështirësi të paparashikuara”. Filmi do të rikthehet në javën e ardhshme, pasi të jetë hequr skena, ku një nga personazhet shihet duke mbajtur për dore një mashkull tjetër. Homoseksualiteti në Kuvajt dënohet deri me 6 vite burg.
350 milionë dollarë të ardhura
Deri më tani në ShBA janë mbledhur rreth 170 milionë dollarë, ndërsa në vendet e tjera të botës 180 milionë dollarë. Këto rezultate të javës së parë të shfaqjes së filmit në versionin live-action po lënë në hije shumë pakënaqësi të tjera. Jo vetëm që ka vendosur rekordin absolut të të gjitha kohërave, për një film PG (në të cilin rekomandohet shoqërimi me prindër), duke kaluar shumën 66 milionë dollarë të Batman V Superman, por ka bërë debutimin më të mirë deri më tani për një film live-action të Disney-t. Përpos kësaj filmi ka qenë në vend të parë pothuajse në të gjitha vendet përfshirë Konën, ku ka grumbulluar 44. 8 milionë dollarë.