Publikohet për herë të parë Karikatura e vitit 1913, e marrë nga një revistë finlandeze e sjellë nga arkivat skandinave, nga studiuesi Armand Plaka.
Bëhet fjalë për një karikaturë të botuar në janar 1913 në faqet e shtypit finlandez të kohës, në lidhje me diskutimet pa fund për ravijëzimin e vijës kufitare të shtetit të ri shqiptar, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga ana e vetë shqiptarëve dhe pritjes për njohjen ndërkombëtare, që do të vinte pas konferencës së Londrës, rreth 6 muaj më vonë
Një karikaturë e publikuar nga studiuesi Armand Plaka hedh dritë mbi detaje interesante të kohës, ku sipas studiuesit Plaka, njohja e Shqipërisë tashmë nuk do të vihej më në diskutim e madje edhe forma e regjimit, por sipërfaqja e territorit që do të duhej të zinte shteti më i ri i kontinentit, do të bëhej objekt i pafund debati mes fuqive të mëdha
Studiuesi dhe gazetari Armand Plaka e ka publikuar në rrjetin social “Facebook” karikaturën bashkë me sqarimet, se e ka gjetur gjatë punës kërkimore në arkivat skandinave dhe se në Shqipëri publikohet për herë të parë.
““Mosmarrëveshjet kufitare për Shqipërinë”. Kjo është diçitura e karikaturës së botuar në janar 1913 në faqet e shtypit finlandez të kohës, në lidhje me diskutimet pa fund për ravijëzimin e vijës kufitare të shtetit të ri shqiptar, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga ana e vetë shqiptarëve dhe pritjes për njohjen ndërkombëtare, që do të vinte pas konferencës së Londrës, rreth 6 muaj më vonë. Megjithëse njohja tashmë nuk do të vihej më në diskutim e madje edhe forma e regjimit, sipërfaqja e territorit që do të duhej të zinte shteti më i ri i kontinentit, do të bëhej objekt i pafund debati mes fuqive të mëdha. Sidoqoftë, ata konkluduan në fund me një vendim drastik për të kënaqur kësisoj orekset e fqinjëve veriorë e jugorë të shqiptarëve, duke hequr atyre shumë pjesë vitale të territoreve të tyre, si dhe të drejtën për të jetuar të bashkuar. Karikatura në fjalë e pasqyron më së miri këtë debat, duke nxjerrë në pah veçanërisht qytetet apo rajonet (Peja, Shkodra, Janina, Gjakova, Prizreni e Kumanova) që u prekën apo u kërcënuan nga kjo ndarje, e cila ka sjellë pasoja të pariparueshme ndër shqiptarët edhe sot e kësaj dite”- shkruan studiuesi Armand Plaka në komentin e tij mbi karikaturën e sjellë në vëmendjen e publikut shqiptar për herë të parë.