Në Shkodren e tij Kolë Idromeno, artisti shumë dimensional la gjurmë të pashlyeshme, që edhe sot lartësohen krenarisht në qytetin e artit dhe kulturës.
“Kafja e Madhe” ishte një prej këtyre objekteve, ku të gjithë vizitorët që preknin Shkodrën e atyre viteve, gjendeshin përballë një godine luksi për kohën, ku përfshihej argëtimi, teatri, muzika dhe ballot elegante të kohës.
“Kafja e Madhe” ishte edhe vend lajmesh, lidhjesh me botën, vend bisedash e argëtimesh. Pa Kafen e Madhe Shkodra në fillim të shekullit ndoshta nuk do të mbetej aq gjatë në kujtesën e të huajve dhe nuk do të konsiderohej si qyteti më grishës i Ballkanit.
Austriakët madje në 1914, pasi u larguan nga Shkodra, foton me Kafen e Madhe e shtypën në kartolina, imazhet e së cilës ua dërgonin miqve si kujtim nga Shqipëria.
Artan Shkreli: Kafja e Madhe ishte një barrier psikologjike ku nuk mund të hynte kushdo. Ishte një vend ku e gjenten veten muzikantët, intelektualët, shkrimtarët.
U desh viti 1997 që ajo për tiparet e veçanta tipologjike e morfologjike të shpallej monument kulture i kategorisë së parë. Por për ironi të fatit ky status i dhënë, në vend që të shënonte një kthese, ndodhi e kundërta dhe vitet e mëvonshme sollën degradimin e saj, gati deri në shkatërrim.
Pronarët, familja Luka me shumë trashigimtar nuk kishin mundësi ta restauronin dhe pas shumë peripecive, ajo doli në shitje duke i kaluar një biznesmeni të njohur në qytetin e Shkodres. Zv/ministri i kultures Zef Çuni tregon se qeveria i ka ndezur dritën jeshile projektit të paraqitur dhe shumë shpejt do të nisin punimet për rikthimin ne identitet.
Zef Çuni, zv/minister i Kulturës: Çdo gjë është gati për të filluar punën dhe për fatin e mirë që ka një pornar të vetëm dhe pritet vetëm zbardhja e lejës nga bashkia e Shkodrës që nuk e di pse nuk është zbardhur deri tani. Brenda këtij muaji nëse zbardhej leja duhet të fillonte puna.
Si një arkitekt dhe qytetar i Shkodres që prej vitesh e njeh historinë e kafes së madhe, zv/ministri Çuni e kujton kështu këtë vend – takimi elitash.
Zef Çuni, zv/minister i Kulturës: Në këtë vend ishte grumbullimi i njerëzve të artit, kulturës, dijes por edhe qytetarë të thjeshtë të Shkodrës. Këtu janë bërë biseda debate, këtu kanë qenë të gjtihë shoëritë partirotike të Shkodrës dhe Shqipërisë.
Ai beson se lavdia e dikurshme do t’i kthehet, pasi edhe projekti i ri i restaurimit është ambicioz dhe në të njëjtën kohë ruan ato vlera që godina ka patur prej projektimit që i bëri arkitekti i njohur Idromeno.
Zef Çuni, zv/minister i Kulturës: Nuk është vetëm fasada është edhe interieri, sepse ka një lloj arkitekture arkade, por edhe dhomat e hotelit do të ruajnë të njëjtën karakteristikë. Por sa i takon fasadës këtu do bëhet një kujdes i madh sepse ka një skulpturë që është fytyra e vetë Kol Idormenos por është perëndia e verave e cila do të restaurohet me specialsitet e monumenteve të kulturës që kemi këtu.
Por ndërsa drita jeshile e rikonstruksionit është ndezur, ditët e fundit kafja e madhe shërbeu si objekt debatesh mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakes Ademi. Në një status në rrjetet sociale kreu i qeverisë shkruan: “Ka 7 muaj qe qeveria ka miratuar projektin që rilind Kafen e Madhe të Shkodrës. Dikush ta pyesë Voltanën pse nuk e lejon nisjen e punimeve?! … Menjëherë pas këtij statusi, kryetarja e bashkisë Voltana Ademi po nga rrjetet sociale u kundërpërgjigj: “Dikush t’i thojë Edi Ramës se e kanë informuar gabim! Dikush ta pyesë mos fondet për “Kafen e Madhe” i kanë shkuar Bashkisë së Kavajës? Për të qenë transparent dhe të vërtetë me publikun, bëj me dije se në lidhje me projektin për “Kafen e Madhe” Bashkia Shkodër ka marrë vetëm një njoftim nga Ministria e Kulturës për miratimin e kërkesës mbi azhornimin e projektit “Kafja e Madhe Shkodër”. Gjithnjë për të qenë transparent publikoj të vetmin komunikim që kemi pasur nga Ministria e Kulturës. Hapi i radhës është që subjekti të aplikojë për leje. Në Bashkinë Shkodër nuk ka mbërritur asnjë aplikim për leje.
Artan Shekreli: E di që ka një konfuzion nga ana e bashkisë Shkodër ka ardhur projekti, ska ardhur projekti. Do të doja ti bëja një thirrje pushtetit lokal që ti gjendet pranë investitorit në këto momente që janë të rëndësishme për qytetin e Shkodrës, nuk është puna te fati i investitorit, i cili hallet e veta i ka zgjidhur në mënyrë që Shkodrës t’i kthehet ky xhevahir që mungon në kurroën e qytetit.
Kafja e madhe ka një konstruksion të stilit austro-hungarez si lokalet e Vjenës së asaj periudhe të Habsburgëve. Kishte hapësirë të madhe per kohen, ishte e fisme dhe luksoze. Interiori ka qenë me pasqyra. Ka pasur një seri tavolinash, një bilardo në një vend anësor dhe, pjesa tjetër ka qenë një bar i madh. Kati i dytë ishte një hotel, nga më modernet e kohës ku nuk mungonin as telefonat, vaskat e shumë elementë të tjerë që për Shqipërinë nuk njiheshin.
Sot aty nuk ka më asgjë, por i vetmi kujtim janë disa foto e filmime të vjetra që do të shërbejnë si “relike” për kohën, ndërsa Kafja e Madhe do të fillojë të ringrihet, jo nga themelet, por nga hapat e parë të një tjetër kohe që do të tentojë të ndërthure të shkuaren me të tashmen. E gjendur në zonën muzeale të qytetit, në një kompleks ndërtimesh unike, ajo mbetet një thesar për Shkodrën dhe Shkodranët./OraNews/