Arkeologu Adem Buguri solli për të pranishmit disa fakte të panjohura të qytetërimeve ilire e parailire.
“Terrakota apo figurina femërore janë gjetur në të gjitha vendbanimet tona neolitike. Podgoria ku është e pasqyruar peshku e zogu. Gjarpri ka luajtur rol të rëndësishëm në mitologjinë ilire, gjatë shekullit të pestë Para Krishtit dhe më vonë gjetje me simbolin e gjarprit janë gjetur në të gjithë trevën ilire”, tha Buguri, citon Report Tv.
Drejtori i Muzeut, Dorian Koçi, kujtoi audiencën se zbulimet kanë një rol vendimtar në formimin e identitetit të shqiptarëve në trojet ku ata jetojnë, rrënjët e të cilëve gjenden në lashtësi.
“Këto mite janë pjesë e një substrati i cili ka ushqyer kohë më vonë mitologjinë e vjetër greko-romake dhe ilire. Vepra të mëdha të antikitetit me të cilat etnia jonë është krenare”, tha Koçi.
Përtej qytetërimit iliro-helen dhe iliro-romak të zbuluar në arkeologjinë shqiptare, sigurisht që ka mijëra zbulime të Ilirikumit të Lashtë, por cilat janë arsyet që njohja është përqendruar vetëm në qytetërimet e përziera iliro-romake dhe iliro-helene, duke lënë jashtë vëmendjes vetë gjenezën tonë. Dorian Koçi flet për një nga arsyet thelbësore.
“Ne jemi një vend i pasur me materiale të tilla prehistorike në pavionin e arkeologjisë ka stenda të posaçme në të cilat ka materiale të bollshme të kësaj periudhe. Ajo që ndoshta nuk ka ardhur drejtpërdrejt në vëmendjen e publikut është sepse ashtu siç dihet periudha iliro-helenike apo dhe ajo romake me skulpturat e saj e ka monopolizuar antikitetin e kohës sepse ka struktura më të bukura ne skulptura antropomorfe të cilat krijojnë dhe quhen thesare kulturore”, tha Koçi.
Prezantimi i elementëve arkeologjike të zbuluar në territoret shqiptare ka vijuar disa orë nga kuratorët dhe specialistët e arkeologjisë.