Nga Nuri Dragoj/Pardje iu dha lamtumira e fundit biznesmenit të njohur shqiptar, mundësit kampion, humanistit të madh, Muhamet Malo. U shua jeta e një burri mjaft aktiv në fushën e biznesit, i cili u rrëzua disa herë dhe u ngrit sërish, u përballë me kurthe e padrejtësi, por në saj të vullnetit, ndershmërisë, besimit se gjithçka mund të arrihej me punë, mundi të zhvillonte aktivitetin e vetë, duke u renditur ndër më të suksesshmit në Shqipëri.
Mundësi i famshëm i ekipeve shqiptare, kampioni ynë, biznesmeni që u bë i njohur në sajë të mirësisë, njeriu i mirë Muhamet Malo, të cilit guximin ia fali Kolonja, urtësinë ia mëkuan prindërit, besnikërinë ia fali vendlindja, refleksin ia dhuroi natyra dhe zakonin e bamirësisë ia mësoi vuajtja njerëzore, nuk do të jetë më fizikisht mes nesh. Por jeton vepra e tij, shembulli i shkëlqyer i dashurisë njerëzore, i dashurisë për punën, i njeriut që besonte se përparimi arrihet me përkushtim, ndershmëri dhe dinjitet. Ai mbetet nga njerëzit më të përshtatshëm në botë, që vërteton universalizmin e proverbit popullor, “trimëria qëndron në urtësinë, ashtu si mençuria në thjeshtësinë”. Te ai u shpalosën reflekset e dukshme të njeriut që më vonë do të ngjitej në podiumin e kampionit të mundjes e më pas ne podiumin e biznesit. I ka qëndruar besnik idealizmit ndaj pasionit të tij djaloshar dhe jo vetëm nuk përfitoi asgjë nga sporti i mundjes, por investoi vazhdimisht për rritjen graduale të sportistëve të rinj, për vijimin e gjeneratave të suksesshme.
Muhamet Malo ishte nga të paktët njerëz, jo vetën në Shqipëri por edhe në botë, që i shkëlqente fytyra dhe i shndrisnin sytë sa herë që ndihmonte një të vobektë, apo bëhej shkak për botimin e një vepre me përmbajtje atdhetare, kur nxiste promovimin e një aktiviteti me vlerë për kulturën shqiptare. Për këtë është cilësuar si modeli i njeriut filantrop në Ballkan. Ka të tjerë biznesmenë që kanë më shumë para, por që nuk japin ndihmë për shtresat në nevojë. Ai është shembull i gjallë për mbështetjen financiare ndaj tyre, rrugë në të cilën e ka përkrahur dhe bashkëshortja e tij, Miranda, fëmijët e tyre, Klajdi e Migena.
Dhe njerëzit duhet ta dinë që Meti ka kaluar një jetë plot vështirësi, i rritur në varfëri e mundime, të cilat nuk i harroi asnjëherë. Madje, edhe vitet e fundit të jetës së vetë, ndonëse nuk i mungonte ekonomia, përsëri bënte jetë të thjeshtë dhe, së bashku me shoqen e tij të jetës, Mirandën, i gjeje kudo në aktivitete humanitare, në ndihmë të jetimëve apo azilit të pleqve, ndihma që i buronin nga zemra, një zemër që rritej e bëhej sa një mal, kur shihte një fije shprese në sytë e njerëzve me halle, kur shihte buzëqeshjen e tyre në këmbim të mbështetjes që u afrohej. Pikërisht për këtë shpirt të madh i është dhënë titulli “Doktor Honoris Cauza” nga Akademia Botërore e Paqes (Founder and Chairman of Academy of Universal Global Peace), që drejtohet nga një tjetër burrë, po me këtë shpirt, Dr. Madhu Krishan.
Muhamet Malo, njeriu me emrin e Profetit, u largua nga ne fizikisht, për t’u prehur në paqe në Përjetësinë e vetë, në Parajsë. Pasi njerëz si ai, kanë vend nderi në ngastrën më të preferuar të Zotit, Parajsën. Dhe neve na mbetet të përjetojmë të pashlyeshme nga mendja dhe sytë tanë, buzëqeshjen e tij të wmbël, si buzëqeshja e fëmijëve të padjallëzuar, dritën e gëzimit në sytë e tij për shpresën që shihte në sytë të njerëzve të vuajtur, nga skamja apo paaftësia fizike, nga mosha apo fatkeqësi të tjera të jetës. Të gjithë ata nuk do ta harrojnë kurrë wmbëlsinë e fjalës së Metit, shikimin e dhimbsur të tij, mungesën e hezitimit për t’u bërë pjesë e zgjidhjes apo zbutjes së mjerimit të tyre. Mbase për këtë shkak kishte aq shumë njerëz në lamtumirën e tij. Mbase kjo qe arsyeja që shihje shumë syresh të përlotur. Mundet që dhe shiu të ketë qenë pjesë e trishtimit të tyre. E të gjitha së bashku, nën ombrellën e shpirtmadhësisë së Metit, bënë që moria e njerëzve ta përcillnin me duartrokitje, me qindra karafila që hidheshin mbi arkivolin ku ndodhej trupi pa jetë i njeriut të dashur, a “heroit” të tyre.
Meti qe demokrat i lindur, familjar i devotshëm, për të cilin familja ishte qeliza bazë e jetës, ndaj dhe përbënte thesarin më të çmuar. Për Metin bashkëshortja ishte shoqe e mirë, me të cilën do të kapërcente çdo vështirësi, pasi bashkë me të rriti dhe edukoi fëmijët me sjellje princërore, të urtë e të ditur, të bindur ndaj ligjit dhe rregullit. Ai e njihte dhe e donte historinë e Shqipërisë, ndiqte me vëmendje zhvillimet në jetën politike shqiptare, i qeshte fytyra kur dëgjonte për arritje të mira në vendin e vet, kur njihej me lëvizje patriotike që kërkonin t’i dilnin zot fateve të atdheut. Ishte ndër ata patriotë që e duan me zemër flamurin kombëtar, që e duan Shqipërinë. Kishte lexuar mjaft libra dhe e njihte historinë e vendit të vetë, i dhimbsej Çamëria, gëzohej për arritjet në Kosovë, trishtohej kur shqiptarët përfshiheshin në grindje apo mosmarrëveshje në Malin e Zi, në Maqedoni e gjetkë dhe mezi e priste realizimin e bashkimit të trojeve shqiptare.
Ish- Presidentit i SHBA-ve, Barak Obama, e nderoi me çmimin për arritjet gjatë jetës, sepse Muhamet Malo ka plotësuar me sukses detyra të mëdha, që siç shkruante Obama “janë detyra që ne nuk i pranojmë me qejf, por i pranojmë me nder, të vendosur në njohjen se nuk ka asgjë të kënaqshme për shpirtin, se sa të japim çdo gjë tonën në një detyrë të vështirë”. Bëhet fjalë për ndihmesë financiare dhe shpirtërore të dhënë vullnetarisht, në shërbim të komunitetit.
Atë që bënte Muhamet Malo, sikur ta bënin të gjithë biznesmenët dhe shteti të dinte të bashkëpunonte me ta, Shqipëria do të kishte arritur përparime të dukshme dhe ekonomia do të gëzonte arritje të qëndrueshme. Përkushtimi i njerëzve që kanë mundësi financiare premtojnë një të nesërme më të mirë për të gjithë. Le të ecim nën gjurmët e shembullit të etalonit të mirësisë, Muhamet Malo.