Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

Poezi, ku spikat thjeshtësia dhe e vërteta

$
0
0

Mendime për vëllimet poetike “Magjia e Zemrës” dhe “Mbrëmja në mërgim”, të autorit Sokol Demaku

 Nga Nuri Dragoj/Në kohën e sotme është disi e vështirë të gjesh në raftet e librarive vëllime poetike bashkëkohore, të shkruara me një teknikë të përkryer dhe të ngjeshura me mendim të pastër filozofik, ku ndjenja zbukurohet hijshëm nga fuguracionet e shumta letrare. Por kjo ka ndodhur me librat poetik të krijuesit, Sokol Demaku, i cili është njëkohësisht poet, prozator, publicist, redaktor librash dhe një pedagog i shkëlqyer. Demaku u lind në vitin 1954, në Arbri të Drenicës, por punon dhe jeton në Suedi, ku ushtron profesionin e mësuesit, ndërkohë që drejton edhe revistën “Dituria”, e cila del një herë në muaj në Suedi, pa harruar këtu radion lokale “Dituria”, e cila për shkak të larmisë së tematikës së  emisioneve, ka tërhequr me mijëra dëgjues në atë vend. Duhet të përmendim edhe një kanal televiziv, ku jepen lajme në gjuhën shqipe, që nga qershori i vitit 2013.

Poeti Sokol Demaku ka shumë kohë që eksploron dhe shkruan në zhanret e letërsisë, si në poezi ashtu edhe në prozë. Prej kohësh ka botuar krijime të spikatura që nderojnë çdo krijues. Pas leximit të poezive të përmbledhura në dy librat e fundit të autorit Sokol Demaku, që titullohen “Magjia e zemrës” si edhe “Mbrëmja në mërgim”, çdo lexues ndjen nevojën e padiskutueshme për të krahasuar artin e tij me përsosmërinë. Po çfarë e bënë të veçantë mjeshtërinë letrare dhe kërkimet artistike të Sokol Demakut, në raport me shumë libra të tjerë që janë shpërndarë me shumicë në të gjithë botën? Karakteristika e parë ka të bëjë me profesionalizmin dhe zotërimin e talentit të lindur në përdorimin e figurave letrare, apo menaxhimin e situatave poetike, për t’i kthyer ato në çaste magjike, apo në gjendje emocionale. Veçon thjeshtësia dhe vërtetësia me të cilën na i përcjell ndjenjat e veta, forca e mesazheve që transmeton. Ndjesia e parë që na përfshin pas leximit të këtij libri, ka të bëjë me krenarinë e çdo lexuesi për faktin se ai është bashkëkohës me autorin e librit dhe mund të konsultohet me të për shumë fenomene apo mistere shpirtërore, që di t’i zbërthejë aq bukur, vetëm një poet si ai. Ky konsultim ndodh nëpërmjet ballafaqimit me ndjenjat dhe mendimet që shpreh autori për fenomene të ndryshme të universit dhe natyrës njerëzore. Për ne shqiptarët kjo krenari është e dyfishtë, për faktin se ky poet i përket kombit tonë të përvuajtur, por të bekuar. Megjithëse gjatë jetës së tij Sokol Demaku ka studiuar apo ushtruar shkenca të ndryshme si matematikën, pedagogjinë, përsëri nga vargjet e këtyre librave kuptohet qartë se ai është poet i lindur dhe i përket i racës së talenteve europianë. Për këtë arsye, ne shqiptarët ndjehemi të privilegjuar dhe përfshihemi në emocion të shumëfishtë, pasi përfaqësohemi nga një pjesëtar i familjes sonë të përbashkët arbërore. Përveç të tjerave, emocioni dyfishohet edhe për shkak se ky talent i letërsisë, prek në mënyrë profesionale dhe poetike të gjitha skutat e mistershme të shpirtit njerëzor, duke i paraqitur ato si koordinata magjike. Dhe këtë e bën në dy librat e tij të fundit, “Magjia e Zemrës” apo “Mbrëmja në mërgim”.

Është e njohur kudo në botë shprehja që, “për të vlerësuar verën, nuk ka nevojë të pishë gjithë vozën, por mjafton vetëm një gotë”. Ky krahasim mund të përdoret edhe për poetët që dallohen qysh në vargjet e para, madje në poezinë e parë të çdo vëllimi. Kjo ndodh edhe me poezinë e parë të librit “Magjia e zemrës”, të poetit Sokol Demaku, ku ai shpalos metaforat dhe figura të pasura letrare, që vezullojnë si margaritarë të artit të tij. Në dy vargjet e para të kësaj poezie, autori thotë:

“Një pulëbardhë në largësi, / Si margaritarë në gji / Që shpërndan anekënd dashuri / Në kaltërsinë e pafund fluturon, Çerdhen e saj kërkon…”.

Ky është padyshim një elektricitet emocional që lartësohet akoma më shumë në vargjet e mëposhtme, të cilat mbyllen me kujtimin e asaj që iku. Në katër vargjet e fundit del i plotë kuptimi i poezisë së parë, që mbart titullin e librit, “Magjia e zemrës”, ku thuhet:

“E prek heshtjen tënde, / sytë e kaltër shijoj. / Po ndjej mall e  dashuri / Edhe pse nga larg të kujtoj”.

Më tej, në poezinë e dytë të autorit, që titullohet “Mendo edhe ti për mua”,  ballafaqohemi me vargjet brilante të tij, ku shpërfaqet ndjeshmëria e shpirtit të poetit. Atje fillon të shfaqet një profesionist me përvojë, në formulimin e poezive që alternohen midis rimave dhe vargjeve të lira, ku triumfon ritmi dhe mendimi. Aty thuhet: “Mos mendo se të kam harruar, / Malli për ty më ka kapluar, / Të ndjej në çdo hap, / Nuk dua të humbas, në asnjë çast…”

Dhe në fund poezia mbyllet me kulminacionin e vargjeve aq të goditura, që janë:

Eja varg, rimën mos këput, / Më bashko me strofën / Që ka kohë e kam humbë”.

Forca e poezive të tij përsoset akoma më shumë në poezinë e tretë të titulluar, “Të flas ty”, ku thellësia e mendimit kombinohet bukur me brendinë e mesazhit të zemrës. Në këtë poezi ai thotë:

“Të flas ty, nga larg / Por si duket nuk më dëgjon / Është një monolog zemre, / Që vetëm ti e kupton”.

Dhe më poshtë shprehet se:

“E dua vetminë, / si shokun më të mirë”.

Ndërsa në poezinë e titulluar “Një natë e qetë”, shpërthen ritmi poetik i vargjeve të tij, ku zgjohet malli për vendlindjen, në të cilën flenë kujtimet e rinisë së dikurshme, por edhe pengjet e mbetura pezull nga koha. Autori nuk mund ta shmangë plagën e mërgimit, dhimbjen që të krijon distanca, boshllëkun e pashmangshëm të vetmisë, të cilat i shndërron në realitet artistik nëpërmjet gjuhës së poezisë. Vargjet gjëmojnë në brendinë e shpirtit të poetit, poezia shtrihet në hapësirë dhe në kohë, në ndjesinë e tij patriotike, ku dilemat e komplikuara retorike nuk i le pa përgjigje, ndonëse ai jeton në një nga vendet më sociale të botës. Kjo poezi mbyllet shumë bukur nëpërmjet një gjetje poetike të hatashme siç është pëllumbi, të cilit poeti i drejtohet me fjalët: Do të rrugëtosh, / Fusha e male të kalosh, / Shumë të fala vendlindjes t’mi çosh, / Zemrën time ta qetësosh”.

Duket se ai jeton me dashurinë e thellë për shtëpitë, rrugicat, pemët drufrutore, cicërimin e zogjve, shiun dhe borën, e mbi të gjitha me dashurinë për njerëzit. Ndaj dy vargjet e fundit mbartin mallin e pashuar të poetit, për njerëzit e vendlindjes, kur ai thotë: “Porosinë e zemrës sime, / Atyre t’u çosh”.

Kurse në poezinë “Pulëbardha”, poeti zbulon pasionin e tij për fluturimet ëndërrimtare të shpirtit, duke kërkuar paqen dhe hijeshinë në botën tokësore. Në këtë rast, pëllumbi dhe pulëbardha janë dy simbole të mallit njerëzor, të paqes dhe ëndërrimeve të tij poetike. Ndërsa në dy poezitë ku njëra titullohet “Eja sonte”, ndërsa tjetra “Dy sy të kaltër”, poeti shpreh me shumë elegancë, ndjesitë e tij për dashurinë. Në të parën ai shkruan:

“Që më të mos vuaj, / Do vij të takoj, / Që të harroj dhimbjen / Dashurinë ta shtoj”.

Ndërsa në të dytën, ai vëren se ngacmimin e tij e shkaktoi, “një puhi e lehtë që e zgjoi nga gjumi”.  Por më poshtë, ai sqaron se:

“Ishte magjia e zemrës / Ishte ndjenja e fjalës / që shëron plagët”.

Pastaj, në poezitë, “Eja zog shtegtar”, “Nata”, “Trumcaku i vogël”, “Kjo natë me stuhi”, “Në polin verior”, “Të kërkova”, “Udhëtari”, “Një natë”, etj, vihet re kërkimi elegant i figuracioneve letrare, ku ngjyrat janë befasuese dhe të mahnitshme. Kështu në poezinë “Të kërkova”, ai thotë:

“Ti, magji përrallore, / Ti, sy kaltërore, / Ëndrra e jetës, / Udhërrëfyesi i të vërtetës”.

Poeti Sokol Demaku, me stilin e tij i ngjason herë Pushkinit dhe herë Gëtes, herë Sergej Eseninit dhe herë Alfred Dë Mysesë, i cili në librin e tij poetik, “Netët”, shkruante këto vargje:

“Po poet, kështu bëjnë poetët e vërtetë, / zbavitin të tjerët me plagët që kanë marrë, / I shtrojnë turmës së uritur për gosti zemrën e vet / Dhe shpesh i përngjasin pelikanit të çarë”.

Në poezinë Kujtimi”, autori zbulon me optimizëm se jeta duhet shijuar me shpresë dhe besim të plotë tek e ardhmja. Ai thotë:  “Unë udhëtoj me dëshirën time në jetë / Dhe shpresoj në dashurinë e vërtetë”.

Në 84 faqet e librit të tij, “Magjia e zemrës”, përmblidhen 67 poezi të mrekullueshme që tregojnë se kemi të bëjmë me një poet të talentuar, i cili e ka gjetur me kohë udhën e madhe të artit poetik, duke shkëlqyer si një profesionist i vërtetë.

Në këtë libër kujtimet e rinisë së hershme përzihen me dëshirat e kohës së re, ku kombinohen bukur figuracionet dhe gjetjet poetike. Kështu në poezinë “Ishte”, ndjehet malli për kohën e dikurshme, në takimin e parë të dashurisë, pranë mbretëreshës së zemrës së tij. Në këtë poezi ai thotë:

“Ishte kohë  e artë / Ishte kohë rinie, / Ishte kohë gëzimi, / Ishte kohë kënaqësie”.

 “Nata magjike” e bënë autorin të shprehë shumë bukur mallin e magjisë rinore kur thotë:

“Mbaj aromën e sirenave verore / Që trupin kanë silur / që ngjallin ndjenjë dashurie / dhe shpirtin qetësojnë.”

Në poezinë e fundit të këtij vëllimi, poeti himnizon me përsosmërinë e merituar ndjenjën më sublime që trazon shpirtrat njerëzorë.

Në fillim ai pyet: “Kush je ti që frikën qetëson? / Kush je ti që të gjithëve na mungon?

Dhe në fund, poezia mbyllet në mënyrë madhështore duke u shprehur:

“Kush je ti / Që në heshtjen e zemrës / Dashuri tregon / Dhe shpirtrat bashkon”?

Si përfundim duhet thënë se vëllimi poetik “Magjia e zemrës” është një provë e pjekurisë poetike, e kaluar me shumë sukses nga poeti Sokol Demaku, i cili me mjeshtërinë e tij, shumë shpejt do të bëjë për vete qindra dhe mijëra lexues, në Shqipëri, Kosovë, Suedi dhe në mbarë botën.

Në vëllimin tjetër, “Mbrëmja në mërgim”, ndjehet në mënyrë të dukshme dashuria e pakufishme për vendlindjen, pikërisht për Arbrinë e Drenicës, për Kosovën dhe mbarë Shqipërinë.

Në poezinë  e himnit për vendlindjen, poeti thotë:

“Vendi im o vendi im /  një një zë i lartë, / Një fjalë e shtrenjtë”

Vihet re në mënyrë të dukshme që poezia e tij për atdheun vihet në lëvizje nga turbinat e shqetësuara të shpirtit, ku autori përjeton me dhimbje vuajtjet e kombit të vet dhe përshëndet me emocion çdo arritje të bashkëkombësve të tij. Në disa raste ai ngjan si Çajupi, kur thotë “Ku më duket balta më e ëmbël se mjalta, në Shqipëri”.

Kështu, Sokol Demaku e shpreh mallin për atdheun e vet me fjalët:

 “Edhe tymi i atdheut / do më duket më i shndritshëm / Si zjarri në viset e largëta”.

Në këto poezi Sokol Demaku shfaqet jo vetëm si poet i talentuar por edhe si intelektual i angazhuar për mbarësinë e kombit të vet. Në çdo varg të tij ndjehet shqetësimi i gjithë shqiptarëve për të vazhduar betejën e bashkimit kombëtar dhe rritjes së mirëqenies mbarëkombëtare. Megjithëse aktualisht ai jeton në një qytet të mrekullive, përsëri ndjehet pezmi për faktin se mërgimi e ka detyruar të qëndrojë larg vendit të vet. Duket se në ritmin e vargut të tij, recitojnë dhe bërtasin me zë të lartë të gjithë shqiptarët, kur ai në poezinë “Mbrëmja në mërgim”,  thotë se:

“Mbrëmja ka rënë në qytet / Por ky qytet është i zymtë / Edhe dritat janë të zymta / Edhe njerëzit janë të tjerë/ Nuk është si në qytetin tim”

Ndërsa në poezinë e titulluar, “Çka është poezia”, autori ndërton një perandori fjalësh që kërkojnë të shpjegojnë thelbin e artit poetik. Në këtë kontekst, duke u zhytur në kërkime filozofike, ai zbulon disa të vërteta të thjeshta që shpjegojnë thelbin e poezisë. Ai thotë:

“Ajri që thithim, / Nektari i shpirtit, / Ushqimi i zemrës apo lot i syrit?/ Mos ndoshta edhe njëra, /

por edhe tjetra”

Më tej, në poezinë “Unë”,  nëpërmjet një meditimi brilant, poeti Sokol Demaku realizon një lojë fantastike me abstraksionin, duke kërkuar shpjegimin e kohës, për të mësuar se çfarë është e djeshmja, e sotmja, apo e nesërmja. Në këtë shpjegim, ai sqaron me një talent të befasishëm se:

“E sotmja është dje,/ E nesërmja nuk di çka do bëhet,/ Por njeriu duhet të mendohet/ se në ç’kohë ndodhet!

Ndërsa në poezinë e titulluar “Errësirë”, Sokol Demaku luan me alternimin e ditës me natën, që në thelb mëshiron përplasjen e frikës me shpresën, të dritës me errësirën. Në këtë përplasje ai mban anën e optimizmit për jetën, duke treguar se errësira do të ikë dhe gjithçka do të ndriçojë.

“Por do të vijë koha, / do vijë edhe drita, / Do shpërndajë reze, / do gjallojë jeta”.

Duke shprehur ndjesitë e tij për komunikimin midis njerëzve, në një poezi brilante, “Fjala”, poeti e karakterizon fjalën, si një element të domosdoshëm të jetës njerëzore. Herë e quan “flori” dhe hera herës, “diamant në gji”, por paralajmëron rrezikun se ka shumë raste, “kur është një shpatë e mprehtë, që shkatërron shoqëri dhe jetë”.

Ndërsa në poezinë “Plagët”, autori i ngarkon ndjenjës së dashurisë misionin e madh të njohjes dhe emancipimit të shoqërisë njerëzore, duke e trajtuar atë si një melhem për plagët e shoqërisë. Në këtë poezi, Demaku shprehet:

“Kurrë nuk kam besuar / se realiteti është kaq i hidhët. / Jeta më mësoj të kuptoj/ që të dashuroj!”

Në këtë vëllim, poeti nuk harron t’u drejtohet fëmijëve me urimet e së ardhmes, duke shprehur entuziazmin e brezit të tij për ardhjen e lirisë. Stina e lirisë është për të një periudhë e begatë dhe e merituar, për të gjithë racën njerëzore, kudo në botë. Prandaj ai thotë me tërë shpresë dhe emocion:

“Eni, eni o fëmijë / sa gëzim ka jeta në liri”.

Si përfundim duhet thënë se i vetmi trishtim i lexuesit kur mbërrin në faqet e fundit të këtij libri, është fakti se ai po shkëputet nga pasazhe kaq emocionante, të cilat nuk mund t’i gjejë në çdo libër. Por duke analizuar boshtin e krijimtarisë së poetit Sokol Demaku, lexuesi largohet nga faqet e librit me shijen e mrekullueshme të vargjeve të tij, duke besuar se shumë shpejt do të kemi nëpër duar një libër të ri, të këtij autori prodhimtar e njëkohësisht cilësor.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404