“Moonlight” u shpall filmi më i mirë në natën e ndarjes së çmimeve Oscar, por vetëm pasi Faye Dunaway deklaroi se kishte fituar filmi “La La Land”.
Ishte kjo gafë që dominoi diskutimet pas ceremonisë së yjeve.
Ekipi i filmit “La La Land” ishte gati për të mbajtur fjalimin e fitores, kur u zbulua gabimi.
Në fakt ishte dorëzuar gabimisht zarfi që përmbante kartën ku thuhej se fituese e çmimit “Aktorja më e mirë” është Emma Stone.
Vetë Stone tha më pas: “A është ky momenti më i çmendur në historinë e çmimeve Oscar? Do të hyjë në histori”.
Mjuzikëlli “La La Land” fitoi gjashtë çmime Oscar, mes tyre atë për regjisorin më të mirë dhe aktoren më të mirë.
“Moonlight”, që flet për jetën e një të riu me ngjyrë në SHBA, që ka probleme me seksualitetin e tij, fitoi edhe për skenarin më të mirë dhe aktorin më të mirë mbështetës.
Këtë çmim për herë të parë e fitoi një mysliman, Mahershala Ali.
Damien Chazelle, regjisor i “La La Land” u bë regjisori më i ri që e fiton këtë çmim në moshën 32-vjeçare.