Është nata më e madhe e vitit në Hollyëood – ceremonia e çmimeve Oscar fillon të dielën në orën 17:3- (sipas zonës kohore të Paqësorit) dhe 01:30 të mëngjesit të së hënës (sipas zonës kohore të Greenwich). Por, ndërsa detajet e fundit përgatiten, ja çfarë duhet të prisni nga filmat konkurrentë.
Filmi më i Mirë: La La Land
Sigurisht, me një rekord prej 14 nominimesh, filmi i Damien Chazelle pritet më shumë nga të gjithë që të dalë me trofeun e “Filmit më të Mirë.” Filmi trajton historinë e një pianisti Jazz-i, i cili dashurohet me një aktore të re në Los Angeles, ndërsa të dy përballen me agoninë dhe ekstazinë e “t’ia dalit mbanë” në Hollywood. Dhe, duke qenë se Hollywood i adhuron filmat që kanë në qendër, po atë vetë (kujtoni “The Artist,” “Birdman,” etj.), “La La Land” me siguri do të dalë me trofeun e shumëpritur, pavarësisht debateve që ka shkaktuar.
Sfiduesi: Moonlight
Një film vizualisht magjepsës dhe një histori që të lë pa frymë, “Moonlight,” vendos në qendër të ekranit, tipin e personazhit, që Hollywood e ka të vështirë ta kapërdijë, nëse nuk është thjesht një stereotip dytësor në film: një i ri afro-amerikan, homoseksual dhe i margjinalizuar. Natyrisht, nëse do të arrijë të cilësohet si “Filmi më i Mirë” nga Oscar, ndonëse nuk duket se e ka të nevojshëm këtë lloj afirmimi, “Moonlight” sigurisht që do të thyejë shumë stereotipe Hollywood-iane.
I paprituri: Hidden Figures
Historia reale e tri matematiceneve me ngjyrë në një botë, që dikur i përkiste vetëm meshkujve të bardhë në Nasa-n e viteve ’60-të, ka tejkaluar pritshmëritë në kinematë amerikane dhe është filmi që ka siguruar më tepër fitime nga nëntë të nominuarit në këtë kategori.
Filma të tjerë në këtë kategori: Arrival, Fences, Hacksaw Ridge, Hell or High water, Lion, Manchester by the Sea.
Aktorja më e Mirë: Ema Stone (La La Land)
Nëse “La La Land” arrin të dalë si filmi më i mirë i vitit në Oscar, atëherë me shumë gjasa do të marrë edhe aktoren Emma Stone me vete, si aktorja më e mirë. Stone, gjithashtu është në moshën dhe shkallën e duhur të karrierës, në të cilën Akademia preferon të pranojë aktoret kryesore femra.
Sfiduesja: Isabelle Hipper (Elle)
Aktorja franceze arriti të fitonte një “Golden Globe” për rolin e saj në thrillerin “Elle,” i cili ka në qendër historinë e përdhunimit dhe hakmarrjes të një biznesmeneje të suksesshme. Gjithashtu, shumë kritikë mendojnë se Oscar duhet t’i japë asaj vlerësimin e merituar për një karriere 40-vjeçare.
E papritura: Natalie Portman (Jackie)
Gjer në një farë momenti, Portman dhe Stone ishin dy konkurrentet kryesore, pasi Akademia i adhuron aktorët, të cilët arrijnë të shndërrohen në legjenda të jetës reale, siç Natalie Portman arriti me ish-zonjën e parë të SHBA, Jackie Kennedy. Por, filmi nuk rezultoi si suksesi i parashikuar tek shikuesit amerikanë, e as në nominimet e Oscar.
Nominime të tjera në këtë kategori: Ruth Negga (Loving), Meryl Streep (Florence Foster Jenkins).
Aktori më i Mirë: Denzel Washington (Fences)
Denzel Washington është ndoshta aktori më i preferuar për të fituar në këtë garë. Nëse ia del mbanë, ai do të jetë aktori i katërt që arrin të sigurojë tri çmime Oscar në këtë kategori. “Fences” është historia e një babai afro-amerikan, i klasës punëtore, të cilit i duhet të kujdeset për familjen e tij në Amerikën e viteve ’50-të, ndërsa përballet me ngjarje që trondisin jetën e tij.
Ose ndoshta kryesori është: Casey Affleck (Manchester by the Sea)
Prej disa vitesh, sfida nuk ka qenë kurrë kaq e ngushtë në këtë kategori, ndërsa Affleck ka marrë mjaft kritika positive për rolin e tij. Por, ai e humbi vendin e parë në nominim, pjesërisht pasi ai nuk konsiderohet edhe aq joshës në fushatën e nominimeve të Oscar dhe pjesërisht për shkak të hijeve të dyshimit, që ranë mbi të pas akuzave për një ngacmim seksual në vitin 2010.
I paprituri: Ryan Gosling (La La Land)
Nëse Gosling arrin të fitojë këtë kategori, atëherë “La La Land” me siguri do të marrë çdo çmim, në të cilin është nominuar.
Nominime të tjera në këtë kategori: Andrew Garfield (Hacksaw Ridge), Viggo Mortensen (Captain Fantastic).
Aktorja më e Mirë në Rol Dytësor: Viola Davis (Fences)
Duke luajtur të njëjtin rol, që i siguroi asaj një “Tony Award” në Broadway, Viola sipas kritikëve, e ka të sigurt trofeun në këtë kategori.
Sfidueset: Naomie Harris (Moonlight), Nicole Kidman (Lion), Octavia Spencer (Hidden Figures) dhe Michelle Williams (Manchester by the Sea). Të gjitha këto aktore kanë dhuruar performance mjaft të mira, por ndoshta nuk do t’iu duhet të përgatisin një fjalim pranimi për çmimin.
Aktori më i Mirë në Rol Dytësor: Mahershala Ali (Moonlight)
Ali ishte aktori që tërhoqi më tepër vëmdnje në kastin e filmit “Moonlight,” dhe me një rol në “Hidden Figures,” ai është një tjetër aktor, të cilin Akademia mund ta përzgjedhë si yllin e radhës.
Sfiduesi: Dev Patel (Lion)
Për Patel ka patur një dashuri të madhe dhe mbështetje të vonë. Aktori, i cili duket se ka arritur pjekurinë artistike tetë vjet pas perfomancës së tij tek “Slumdog Millionaire, filmi që arriti të merrte tetë çmime Oscar.
I Paprituri: Jeff Bridges (Hell or High Water)
Ai mund të jetë në një rol dytësor, por Bridges duket se ka arritur të vjdedhë vëmendjen nëpërmjet performancës së tij si Texas Ranger.
Nominime të tjera në këtë kategori: Lucas Hedges (Manchester by the Sea), Michael Shannon (Ncoturnal Animals).
Regjisori më i Mirë: Damian Chazelle (La La Land)
Filmi është kaq i preferuar nga Akademia, saqë me shumë gjasa, ata do të vlerësojnë vizionin e Chazelle dhe faktin, që ai ka arritur të krijojë një film të tillë, vetëm në moshën 32-vjeçare. Ai do të ishte regjisori me moshën më të re, që fiton këtë çmim.
Sfiduesi: Barry Jenkins (Moonlight)
Por, “Moonlight” tregon gjithashtu një talent vision të rrallë regjisorial, ndërsa jep shenjat e para të një talenti të ri të madh tek
Jenkins, i cili do të ishte i pari afro-amerikan, që fiton këtë [mim.
I Paprituri: Mel Gibson (Hacksaw Ridge)
Do të ishte vërtetë e papritur, nëse australiani do të merrte këtë çmim, pas (vetë)përjashtimit të tij nga Hollywood, pas filmit të bujshëm, të kritikuar si anti-semit, “Pasioni i Krishtit.” Por, Akademia ia dha këtë çmim Roman Polanskit në vitin 2003, pavarësisht (vetë)përjashtimit të tij pasi pranoi se kishte kryer marrëdhënie seksuale me një 13-vjeçare, kundër dëshirës së saj.
Çmimet më gjithëprfshirëse ne historinë e Oscar?
Pas dy viteve kur Akademia u kritikua se nuk kishte përfshirë mjaftueshëm artistë me ngjyrë, apo artiste femra në nominime, tri nga çmimet për aktrim mund t’iu shkojnë aktorëve afro-amerikanë këtë vit.
Kush do ta përmendë… Donald Trump?
Oscar mund të mos jenë më vetëm të bardhë këtë vit, por padyshim do të jenë portokalli.
Disa nga zërat që mund të flasin kundër presidentit të SHBA-ve, ndërsa politika pritet t’i vjedhë vëmendjen artit, janë: Meryl Streep (sërish), Mahershala Ali, Viola Davis, Casey Afflesck, por edhe vetë prezantuesi, Jimmy Kimmel. /