Shoqata e Arkitektëve ka kundërshtuar transformimin rrënjësor të arkitekturës së godinës së Ish-Shkolla së Partisë, të projektuar nga arkitekti Koço Çomi gjatë periudhës së diktaturës. Përmes një deklarate, kjo shoqatë shpreh shqetësimin për fenomenin e transformimeve radikale të prezencave arkitektonike me vlera të veçanta në Shqipëri, të cilat janë të ndërtuara në kohë të ndryshme.
“Shkaku për këtë thirrje të fortë vjen nga një njoftim që është publikuar në shtyp, por më pas është konfirmuar nga verifikimet e bëra në vend, ku është hasur një tendencë mjaft vulgare për transformimin rrënjësor të arkitekturës së godinës së ‘Ish – Shkollës së Partisë’ në një arkitekturë të çuditshme neoklasike”, thuhet në njoftim. Sipas arkitektëve, objekti i projektuar nga arkitekti Koço Çomi gjatë periudhës së diktaturës, tashmë radhitet si një nga objektet më simbolike të kohës, pjesë dinjitoze e historisë së zhvillimit të arkitekturës shqiptare.
“Për gjuhën moderniste arkitektonike të përdorur apo për zgjidhjet funksionalo – hapësinore të artikuluara në pjesët e brendshme, mund të thuhet se përtej vështirësive të periudhës kur është ndërtuar, objekti është tejet i arrirë”, thonë ata duke vlerësuar se ky objekt duhet të ishte marrë në mbrojtje me kohë nga shteti e me siguri duhej restauruar, siç duhet të ndodhë edhe me prezencat e tjera me vlera të veçanta arkitekturore. Për ta, është plotësisht i patolerueshëm dëmtimi dhe transformimi i tij pa apo me leje nga autoritetet e shtetërore.
“Vitet e tranzicionit nuk kanë qenë aspak të sjellshme, në të gjitha drejtimet e fushës së arkitekturës dhe urbanistikës, por sidomos në atë të ruajtjes së një mozaiku godinash tejet interesante, të ndërtuara në vitet 1945-1990”, thotë shoqata, e cila kujton se “ndërtesa të shumta me funksione të ndryshme publike, apo rezidenciale janë përçudnuar e transformuar shpesh edhe në trajta të paidentifikueshme e pakthyeshme në imazhin e tyre primar”.
Arkitektët vërejnë se fenomeni në dy dekadat e fundit, në shumicën e rasteve nuk ka hasur asnjë rezistencë nga institucionet, qytetarët apo edhe nga komuniteti i arkitektëve, si pasojë e një degjenerimi kulturor e shpirtëror të përgjithshëm. Shpesh ato janë kryer me leje ndërtimi, të cilat nuk merrnin në konsideratë vlerat arkitektonike e urbanistike të objektit apo së pakti përfshirjen ose opinionin e projektuesit, ku në shumicën e rasteve ishin akoma në jetë e aktivë në profesion.
THIRRJA
Arkitektët vërejnë se ka ardhur koha për një shkundje të fortë jo vetëm shtetërore, institucionaloadministrative, por edhe një ndërgjegjësim kulturor gjithëpërfshirës për evidentimin, rivlerësimin dhe futjen e tyre brenda një programi ruajtjeje e restaurimi për brezat e ardhshëm.
Siç thotë Jean Nouvel: “‘Qyteti është një libër guri’ dhe ne e kemi të domosdoshme ruajtjen e të gjitha fletëve të tij, që ky libër të jetë i lexueshëm në dekadat e ardhshme. I bëjmë thirrje urgjente Ministrisë së Kulturës që të nisë një proces njohjeje, studimi e promovimi të kësaj arkitekture dhe kur duhet, restaurim integral të saj”.
Shoqata e Arkitektëve në fund u bën thirrje urgjente gjithashtu të gjitha bashkive apo komunave të mbrojnë e të përfshijnë si pjesë historike në planet e tyre rregulluese të gjitha këto godina dhe hapësirën përreth tyre. Ata ftojnë arkitektët, të pasionuarit e arkitekturës dhe qytetarë e ndryshëm të mbrojnë sa më shumë kryeveprat e arkitektëve shqiptarë, si pjesë e identitetit të fortë të qyteteve tona, siç ndodhi edhe me denoncimin e transformimit të godinës së Ish-Shkollës së Partisë.