Filmi kosovar “Home” me regji të artistit britanik Daniel Mulloy u vlerësua në mbrëmjen e çmimeve BAFTA, për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër. Produksioni trajton përpjekjet e mijëra grave, burrave e fëmijëve të cilët përpiqen të futen në Europë, ndërkohë që një familje angleze largohet.
Në fjalën e tij të rastit, skenaristi dhe regjisori Daniel Mulloy u ndal në një mesazh për më shumë dhembshuri dhe dashuri nga qeveritë për të gjithë refugjatët. Muzikali “La La Land” ka dominuar çmimet Bafta duke rrëmbyer pesë trofe – mes tyre edhe trofeun për filmin më të mirë dhe aktoren më të mirë që shkoi për protagonisten Emma Stone. Filmi po përjeton momente të shkëlqyera në këtë sezon të ndarjes së çmimeve, ndërkohë që në vetëm pak javë do të ndahen edhe çmimet Oscar.
“La La Land” u vlerësua edhe për kinematografinë, muzikën origjinale, dhe regjisorin më të mirë. Në fjalimin e saj të pranimit të çmimit si aktorja më e mirë, Emma Stone nuk ngurroi të bënte disa referenca ndaj presidentit Donald Trump dhe polemikave që ai ka shkaktuar me ndalimin e emigrantëve dhe ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën. “Në një kohë që është kaq e përçarë, mendoj se është vërtet speciale që ne mundemi të jemi bashkë…për të festuar dhuratën pozitive të kreativitetit dhe si ajo mund të tejkalojë kufinjtë dhe si mund t’i ndihmojë njerëzit të ndihen më pak të vetmuar,” ishin fjalët e Emma Stone. “La La Land”, një muzikal mbi një aktore aspirante dhe një pianisti që përpiqen të shkojnë në Hollywood, ishte nominuar për 11 çmime BAFTA, ndërkohë që në Academy Awards ka plot 14 nominime.
Çmimi për aktorin më të mirë u rrëmbye nga Casey Affleck, ndërkohë që drama e tij “Manchester by the Sea” rrëmbeu dy çmime në total, bashkë me skenarin më të mirë. Dev Patel u vlerësua si aktori më i mirë dytësor për performancën e tij në filmin Lion, ndërkohë që Viola Davis u shpall aktorja më e mirë dytësore me filmin “Fences”. Regjisori Ken Loach pranoi çmimin për filmin më të mirë britanik për “I, Daniel Blake”, teksa në fjalimin e tij, ai ofendoi rëndë “brutalitetin e pashpirt” të qeverisë britanike.