Quantcast
Channel: Magazine – Gazeta Koha Jone
Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404

Shkrimi prekës i mikut të shkrimtarit të madh: Një javë pa Dritëronë           

$
0
0

Për lexuesit e krijimtarisë satirike dhe humoristike janë dy pseudonime të famshme që nuk harrohen, Bamkë Çomaga (Dritëro Agolli) dhe Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi). Janë epike letrat dhe batutat që dy krijuesit shkëmbenin në faqet e “Hostenit” dhe në librat satirikë. Humori ishte një mënyrë indirekte për të shkruar ato që diktatura i ndalonte të thuheshin në letërsinë ‘serioze”. Ndërsa pas viteve ’90 humori i tyre ishte një mënyrë për të demaskuar problemet e shoqërisë.

Gaqo Veshi është një nga njerëzit që Dritëro Agolli e cilësonte si mikun më të veçantë. Bashkë u njohën në bankat e shkollës në Gjirokastër dhe për 68-vjet kanë qenë dy nga miqtë më të pandarë. Kjo miqësi nuk ishte vetëm raport njerëzor, por dhe marrëdhënie që u dha jetë mjaft krijimeve dhe personazheve të dy autorëve. Jo rastësisht, Agolli shkruan në dedikimin e librave për Gaqo Veshin: “Gaqos! Mikut tim të vjetër dhe më të madhit prej miqve. Dritëroi”.

Sot, Gaqo Veshi nuk ka një fejton apo letër për Bamkë Çomagën, por një përshpirtje për mikun e të veçantë, Dritëro Agolli.

IN MEMORIAM

Një javë pa Dritëronë

Nga Gaqo Veshi

Marr rrugën për në banesën e mikut të shtrenjtë Dritëro Agolli. Jo si dikur i gëzuar e plot dëshirë për t’u çmallur me mikun tim duke i ngjitur shkallët e katit të katërt të apartamentit të tij me qejf të madh. Dhe sa i bija ziles lajmëruese, menjëherë dilte e mira Sadije të hapte derën e t’i thoshte Dritëroit. “Erdhi Hyska!”. Dhe miku im, edhe i sëmurë do ngrihej të më përqafonte e të më ulte paranë kolltukut të tij, për t’u çmallur e për të kujtuar shoqërinë e miqësinë tonë 68-vjeçare. Por sot ndodhem i këputur e i hidhëruar, me mundim përpiqem t’i urdhëroj këmbët për t’i ngjitur shkallët e larta. Kapërcej pragun e derës dhe shoh kolltukun pa të zotin e tij. Qëndroj i shtangur. Nuk më besohet se s’do takoj e të përqafoj me mall Dritëronë e dashur. Qëndroj i heshtur e i përmallur. Në bëhet sikur do hapet dera e studios së tij, dhe miku im, do t’i lërë mbi tavolinë librat e fletoret e do vijë drejt meje. Jo më bëhet se po ngrihet i sëmurë nga krevati e po vjen të më marrë për krahu të më ulë pranë kolltukut, të shoh buzëqeshjen e tij të ëmbël e të dëgjoj fjalën e tij të mençur, melhem për plagë. Por i shtrenjti Dritëro s’po duket dhe unë i heshtur shikoj Saijen, gruan e tij të rrallë, krahu i djathtë, në krijimtarinë më shërbimin e kujdesin e madh që tregoi për të, që ditën që u bënë bashkë dhe deri në ditët e fundit të jetës së tij. Shoh djalin dhe nusen e tij të pikëlluar për humbjen e njeriut të madh. Aty në banesën e tij, mes pikturave të shumta, e ndje se s’do ta kem fizikisht mikun tim të rrallë, nuk do ta dëgjoj më fjalën e tij të mençme. Radhën për t’u ndarë nga jeta e kisha unë, që jam një vit e dymbëdhjetë ditë më i madh. por miku im i shtrenjtë, Por Dritëroi ma bëri me të pabesë.

I madhi Dritëro, i la vendit të tij një thesar të çmuar letrar. në të gjitha gjinitë e saj prej disa mijëra faqesh. Por, përveç veprës së tij, nuk harroi pa na lënë dhe një amanet, duke na thënë: “Kur të jeni të mërzitur shumë,/ Në raftin e librave kërkomëni./ Aty do jem i fshehur unë./ Në ndonjë fjalia ndonjë shkronjë./ Mjafton që librin pak ta heqësh,/ Dhe unë do zbres do vij pranë teje. Ti si dikur me mall do qeshësh,’ Si një blerim pas një rrufeje”. Këtë porosi  të mikut tim të madh e gjej çdo çast në raftin e bibliotekës, ku kam vendosur librat e tij të dhuruara  me dedikim plot dashuri e humor, ashtu si dinte Ai t’i nderonte e t’i çmonte miqtë. Në njërën nga librat e tij të shumta, në faqen e saj të parë, me shkrimin e tij karakteristik do më shkruante:

“I dashur Gaqo! Le të jetë në bibliotekën tënde dhe ky libër dhe të na kujtojë ato vjershat plot qyfyre, që shkruanim majë çatisë me plloça të konviktit tonë në Gjirokastër. Me dashuri: Dritëroi.  Apo fjalët e tij të rralla, për miqësinë tonë të pandarë, që në bankat e shkollës së mesme në Gjirokastër e deri sa ai ndërroi jetë. Në një libër tjetër, të dhuruar prej tij, do më shkruante këto vargje: Dhe floriri mund të ndryshket,/ Edhe ylli digjet shkon./ Por ndërneve miqësia,/ S’dryshket kurrë, s’perëndon”. Në romanin “Arka e djallit” (ku mua. të vetëquajturin, Hyskë Borobojkën më ka një nga personazh) do të ma dhuronte me dedikimin: “Gaqos! Mikut tim të vjetër dhe më të madhit prej miqve. Dritëroi”.

Duke lexuar këtë dedikim me vlerë për mua. Tani që mikun e Madh nuk e kam më në jetë,  shfletoj fletët e tij e i rilexoj faqe për faqe dhe më duket se ndodhem me të në shtëpinë e tij hanedane, që pret e përcjell miq e shokë, apo në “Kafenenë e preferuar” dhe dëgjoj  zërin e tij të qartë e të dalluar për çdo fjalë, rrokje e germë, të më rrëfente bëmat plot humor e satirë të Cute Babules, personazhit kryesor të romanit “Arka e Djallit” duke më thënë:

-Ti, o Hyskë, e ke parë Nafijen, gruan tënde engjëllore të inatosur, por nuk ke parë vjehrrën tënde të xhindosur. Dhe të uroj mos e pafsh kurrë se do llahtarisesh. Ti, o Hyskë, ke provuar në kurrizin tënd shumë gjëra të papëlqyera dhe prandaj i ke përshkruar në tregimet me aq vërtetësi. Çudirat e Cutes as që shkruhen e as rrëfehen të plota. Ti e njeh mirë krijimtarinë, o Hyskë. Më lejo të bëj një krahasim. Fryhet lumi dhe merr me vete gurë e drurë, bar e fletë. Shfryn përroi i jetës dhe këput nga shpirti dhimbje, ulërima, qeshje e mendime të trazuara. Dhe këto gjëra ne, sado të talentuar të jemi, nuk i regjistrojmë dot në letër

Kaloj në faqet e tjera të librit dhe  ndjej zërin e ëmbël të mikut tim rrallë të vazhdojë rrëfimin për bëmat e shumta e të papërsëritshme të Cute Babulles;

-E kemi zakon të lëmë një shenjë në tavan dhe Cutja hodhi një valle të lashtë, me hopa- hopa. Në valle e sipër u hodh përpjetë dhe i zuri koka në tavanin e odës time. Kjo shenjë, o Hyskë, është nga kujtimet më të vyera që më ka lënë Cute Babulja dhe më ka mbetur në tavan si gjurma e pejgamberit në Gurin e Mekës.

Vazhdoj lëçitjen e librit dhe më bëhet se kam pranë të shtrenjtin Dritëro, të vazhdojë rrëfimet me shijë të madhe për bëmat e Cutes, që s’kanë të soditur.

-E po kjo, o Hyskë, nuk më kishte ndodhur ndonjëherë, që të më zhdukej miku pas mesit të natës. Mirë thotë një i ditur: “Dita  dëgjon, nata përgjon!” Përgjon e nëmura dhe sjell të papritura. Eh, o Hyskë! Atë nata për pak na lajthiti Cute Babulja, ky njeri i matur dhe i urtë, por si thotë një i ditur: “Nuk ka  të ditur pa një dell të marri”

Ja, jemi ulur në “Kafenenë e preferuar” dhe ai më tregon fjalët e urta e proverbat, që këshillonte Cute Babulja, si: “Për të blerë mall nxitohu, për të marrë grua mendohu” Dhe vazhdonte me radhë: “Në fshatin e të marrit, i urti është i çmendur”. se “i mençuri e ka të vështirë t’u mbushë mendjen budallenjve apo të marrëve”. Cutja është thesar, o Hykë, dhe vazhdonte të më tregonte, një thënie tjetër të tij, se: “Fjala  e të marrit pjellë e çiltërsisë, fjala e të mençurit, miell i diturisë!”

Miqësia shumë vjeçare, me të paharruarin Dritëro Agolli, ka qenë e mbushur me ndodhi. Tek Ai gjeja gjithmonë, jo vetëm shokun e vyer, por dhe fjalën e tij të mençur, gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar e këshilluar, me një dashuri të jashtëzakonshme. Ishte Ai që do të më ndihmonte e të më jepte kuraja të futesha në arën e humorit e satirës, të mbillja e korrur prodhime të mbara. Ishte Ai që  nisi letrën e parë me anë të gazetës “Drita”, që të fillonim korrespodencën letrare në shtypin e kohës. Bamka (Dritëro Agolli) i shkruan Hyskës (Gaqo Veshi) faqe të gjata letrash, të mbushura me humor e satirë për ndodhi të ndryshme, që ashtu si thoshte miku im i shtrenjtë “Ta shpien nofullën shtrembër”.

U mbush një javë që Dritëroi i dashur, u nda nga jeta. Por më bëhet zemra mal, kur lexoj gazetat e përditshme  që shkruajnë e thonë fjalët më të mira për të. Se “Shqipëri do të ishte një varr pa Dritëronë”, pasi askush nuk do të ndiheshe mirë për një humbje kombëtare. Por të gjithë ngushëllohemi se Ai na la trashëgim një vepër të madhe. Dritëro Agolli ishte gjithnjë pranë popullit të vet, duke i dhuruar mendjen e tij të ndritur me një vepër të madhe në të gjitha gjinitë. Atë e do populli se është poeti e shkrimtari i traditës. Me intelektin e tij të madh, me shpirtin e kulluar, që gjithë talentin dhe mençurinë e tij e vuri në shërbim të atdheut.

Por me dhimbje e keqardhje të madhe, shoh se na dalin disa muteberë, që s’u durohej sa Dritëroi të ndërronte jetë, që mundohen të hedhin baltë për të. Dhe këta xhibiletër janë nga ajo farë. Meqë s’u kishte shkuar gomari në urën e interesit personal, filluan të shfrynë si tullumbace mardhatë e vjetra e tyre… Por harrojnë varfanjakët apo dallkaukëtë, “se mali që ka dëborë nuk ndotet me këllirë”.

Miqësia 68-vjeçare me Dritëro Agollin 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 14404


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>