Prof. Dr. Ago Nezha/Para pak ditësh u përcoll për në banesën e fundit gjeniu popullor Dritëro Agolli,me pjesëmarrien e një lumi njerëzish nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Maqedonisë e Malit të Zi dhe të ardhur nga diaspora enkas për këtë ceremoni mortore të veçantë. Nuk munguan edhe personalitete më të larta të Parlamentit, qeverisë dhe institucioneve qendrore dhe lokale. Banesa e tij ku prehet përfundimisht ndoshta nuk do ishte te varrezat publike në periferi të Tiranës, por në një vend me personalitete kombëtare ku kanë mundësi vizitor vendas dhe të huaj ta vizitojnë sipas rastit. Ky është një problem që duhet ta gjykojnë dhe ta zgjidhin instancat e larta shtetërore.
Personalitete të tilla, që në imazhin popullor janë ikona të mençurisë, modestisë, madhështisë, patriotizmës dhe atdhedashurisë, siç ishte shkrimtari i shquar i letrave shqipe Dritëro Agolli, vijnë rrallë në një truall, sado pjellor që të jetë ai. Vlerësimet për Dritëroin, ishin maksimale nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare dhe më gjerë, nga njerëz të thjeshtë, ku mëndjet dhe zemrat popullore, ashtu natyrshëm, pa qëndisje e stisje letrare, e deri te personalitete të shquara të letrave shqipe si akademiku kosovar Rexhep Qosja e deri te shkrimtari i madh Ismail Kadare. Madhështia e njeriut, qëndron te imazhi popullor, jo vetëm te veprat e tij, por edhe te figura, personaliteti, integriteti, dinjiteti njerëzor, afria me njerëzit e thjeshtë, etj.
Nuk kam ndeshur qoftë edhe një njeri, që ka takuar Dritëro Agollin dhe të mos ketë përjetuar emocione, mbresa të bukura, kujtime të këndshme, mësime të vyera,që kanë ngelur të pashlyera në ndërgjegjen e vet. Imazhi i njerëzve të mëdhenj të tundon, por edhe të mundon psikologjikisht, se si do mund të komunikosh e bisedosh duke qëndruar në lartësi të pabarabarta, me diferenca të mëdha kulturore, krijuese, por edhe moshore. Kur kërkon të ngjitesh një mali të lartë, krahas kuriozitetit, ke edhe sikletin se si do arrish deri në majë të tij. Shpesh herë njeriu, djersitet jo vetëm nga vapa e nxehtë e korrikut, por edhe nga sikleti kur ndodhet para figurave të shquara të Kombit. Këtë ankth të pazakontë, e rrëzonte madhështia e dritës që lëshonte gjatë bisedës, i madhi Dritëro Agolli. Me madhështinë e tij, që shkrihej si një copëz akulli nga ngrohtësia e bisedës, me modestinë, mençurinë dhe mirësinë që e karakterizonte, ai përcillte afri ndaj kujtdo që i rrinte pranë, pa e kuptuar, shumë shpejt ndiheshe si i barabartë me këtë gjeni të letrave shqipe dhe të mendimit të mençur popullor. Ndaj, Atë, e donin shumë njerëzit e të gjitha shtresave dhe krahinave të Shqipërisë. Intelektualët dhe fshatarët, labërit dhe malësorët,korçarët dhe shkodranët, myzeqarët dhe kosovarët, nga të gjitha trevat shqipfolëse. Siç shkruante vetë Dritëroi: “ ai thotë se unë e mbaj shpirtin gjallë me dashurinë e njerëzve . Unë kam miq vazhdon ai, që më vijnë në shtëpi e nuk më lenë të mërzitem, sepse sjellin me vete ndonjëherë edhe ndonjë shishe me raki. Bashkëbisedojmë për gjëra të ndryshme, e kështu kalon koha”.
Shtëpia e Dritëroit, gjithmonë ka qenë me dyer të hapura, muze familjar, që vizitohet në çdo kohë të ditës, dhe nga të gjitha shtresat dhe rrymat, të majtë e të djathtë. Aty hynin e dilnin çdo ditë me dhe pa orar, intelektual e fshatar, jugor e verior, pa dallime politike e krahinore. Më ka rënë rasti të jem për vizitë disa herë në shtëpinë e Dritëroit, e kam pirë për kënaqësi edhe ndonjë gotë raki me të, që na e serviste znj. Sadije, por për aq pak kohë sa kam qëndruar, kam parë që nuk pushonin së ardhuri miq e dashamirës, jo vetëm me raste përvjetorësh por edhe në ditë të zakonshme, normale. Aty kam takuar të ndierin Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin, Moikom Zeqon e plot të tjerë. Vizitorët te Dritëroi, s’kanë pasur kurrë gjeografi e as kufi.E kjo dukuri, ishte një nga cilësitë e tija të veçanta, që ja ka rritur madhështinë dhe e ka bërë atë të dallueshëm nga të tjerët.
Kur themi se shtëpia e Dritëroit, ishte një shtëpi e hapur për të gjithë, aty gjeje një muze mendimesh,kujtimesh, historish, kulture e idesh. Aty, gërshetoheshin, mençuria popullore, me traditën dhe eksperiencën jetësore. Siç thotë Sami Frashëri: “ Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është eksperienca”. Dhe eksperiencën njerëzore, popullore, kulturore, politike e demokratike, i gjeje të qëndisura e të shprehura me urtësinë e “biblës” te fjala dhe veprat e tija kolor. Burimin popullor, këtë pasuri shoqërore të pamat,me mjeshtërinë e penës së tij, kurrkush më shumë e më mirë nga shkrimtarët shqiptarë, nuk ka ditur ta vjelë e ta ngrejë në art, si Dritëro Agolli. E kjo cilësi, vjen nga mençuria, tradita, dhe thjeshtësia që e karakterizonte këtë model të shqiptarizmës. Ka shumë shkrimtarë të shquar, por veprat e tyre janë mbyllur në kullën e fildishtë dhe nuk komunikojnë me masën e gjerë popullore, me njerëzit e thjeshtë, që përbëjnë shumicën e popullsisë. Rrallëkujt mund ti ndodhë që ti ketë të gërshetuara kaq ngushtësisht madhështinë me modestinë, si dy binjake duke sfiduar mendjemadhësinë, krenarinë, megalomaninë, që pjell në shumicën e rasteve të qenit personalitet i shquar. Shumë njerëz të mëdhenj, qofshin këta shkrimtarë apo shkencëtarë, e kanë të vështirë të afrohen me njerëzit e thjeshtë, të bisedojnë në ambiente sociale, pa folur më që s’bëhet fjalë e as pretendohet që tu shkohet për vizitë në shtëpi,që është një mjedis intim, familjar.
Afria e Dritëroit me njerëz të gjithë shtresave, ka bërë që fjala e tij, të kishte një muzikalitet të veçantë, me karakter popullor, që lexohej e kuptohej nga masa e gjerë e lexuesve. Vargu poetik, në të gjitha vëllimet e tij të shumta, rrjedh si uji i kristaltë nga bjeshkët që s’ngopesh kurrë duke pirë. Kur lexon poezinë e Dritëroit, ndiesh në një lëndinë në stinën e Pranverës që lodrojnë shqerrat, lulëzojnë lule delet dhe gurgullojnë burimet e kristalta të bjeshkëve. Ato janë të pasura me nektarin popullor, me një varg melodioz dhe lëngëzim, që të shtojnë oreksin ti kesh gjithmonë pranë. Dashurinë e poetit për Shqipërinë, e gjen të shprehur në gjithë veprat e tij poetike, por maja e këtij motivi, është hedhur në vargje te poema “Nënë Shqipëri”. Sa aktuale tingëllojnë edhe sot vargjet: “Lërmë të bie në prehrin tënd të ngrohtë, o hallemadhja ime shekullore! “ E Shqipëria, kjo hallemadhja e përjetshme edhe sot lëngon nga hallet, varfëria, korrupsioni, prostitucioni dhe siç po duket horizonti politik, me dhimbje e themi, por ajo s’ka për tu shëruar kurrë. Ndërsa dashurinë për vendlindjen, e gjen të qëndisur si një nuse të bukur te poema “Devoll-Devoll”.
“Po, Devoll, i tillë qenkam unë, Paskam marrë baltën tënde arave, Në një trastë leshi nën gunë, Për t’ia sjellë, Lidhjes së Shkrimtarëve”… Ky lirizëm romantik shpaloset edhe te poema “Baballarët”.”Nga shpate ngjiti e nga shpatet zbrisni, Të hollë si kosorë e jataganë”…
Aty, vargjet derdhen si gruri në lëmë , që kur i “mbledh” e i lexon, të ngjallin nostalgji. Këto vargje flasin për origjinalitetin, tabanin popullor, për natyralizmin, për bukurinë dhe thjeshtësinë e fjalës. Vepër pas vepre, hap pas hapi, në krijimtarinë e tij,ai është i veçantë. Dritëroi i ka përcjell mendimet e kohës me nervin e tyre origjinal. Te vëllimi poetik “ Lypësi i kohës”, shkruan: “Në vendin tim, e në vendin tënd, një kokë e çmendur një vend e çmënd”. E gjithë vepra, pa folur për vargjet që cituam më sipër, është një refleksion i situatës kritike që kalon vendi. Por në veprat e tija poetike, nuk kanë munguar të përcillen edhe poezitë romantike për fshatin, parmendën, rrushin dhe rakinë, “dy miq” të ngushtë të jetës së tij të trazuar, që si ka tradhtuar kurrë, për asnjë rast, as në rini e as në pleqëri. Ai tërë jetën e tij, është karakterizuar sa nga humanizmi aq edhe nga sentimentalizmi, qytetaria dhe guximi i Devolliut. Në krijimtarinë e tij të pasur, stigmatizon fenomenet më evidente të jetës, si gëzimet, ashtu dhe hidhërimet, të cilat na i përcjell si bashkudhëtare të njeriut, duke i përshkruar në thellësinë e origjinalitetit të tyre. Në veprat e Dritëro Agollit, e sheh realitetin si në pasqyrë. Jeta aty na vjen e gjallë, konkrete, reale, pa artifice. Është besnik i pa epur i gjithë vlerave njerëzore. Njëkohësisht është besnik edhe i gjithë realiteteve kohore. Nuk ka ditur të stisë, të kamufloi, të zmadhojë e hiperbolizojë. Për çdo ngjarje, fenomen apo dukuri, ai ka folur me emrin e vërtet. Me gjithë kufizimet që kishte në kohën e monizmit, përsëri ai nuk ka ndenjur duar kryq, pa fishkëlluar fenomenet frenuese të shoqërisë, si burokratizmin, paaftësinë degjenerimin e pushtetit etj. Për këtë këndvështrim, megjithë autoritetin që gëzonte në sferat e larta të shoqërisë e të pushtetit, nuk shpëtoi dot pa ju ndaluar botimet në prozë e në poezi, si “Zhurma e Erërave të Dikurshme”, dhe nuk kaloi pa kritika dhe romani satirik “ Shkëlqimi dhe rënia e zotit Zylo “.
Profili i Dritëroit, ka treguar bukur se gjatë gjithë lakadredhave të jetës së tij, ai gjithmonë ka qenë vetvetja. Jeta është një teatër ku vërtiten të mirët me të këqijtë, të ndershmit me imoralët, të vërtetët me gënjeshtarët, të mençurit me budallenjtë, të shëndoshët me invalidët, ziliqarët e maskarenjtë, me altruistët e rralluar në pyllin e demokracisë. Në këtë teatër njerëzor, Dritëroi gjatë gjithë jetës së tij është ndodhur në llogoren e njerëzve me fytyrë njerëzore. Ai, i ka urryer bëmakeqasit e shoqërisë shqiptare, në çdo situatë e sistem shoqëror, si në monizëm ashtu dhe në demokraci. Vazhdimisht ka qenë me divizën e Sokratit të lashtësisë, që Dritëroi, e donte dhe e citonte shpesh herë në intervista televizive apo gazeta, kur me modestin e tij thoshte: “se unë di një gjë që s’di asgjë”. Kur e pyetën Sokratin kë urren më shumë? Ai u përgjigj:” ndër kafshët e buta servilin, ndër kafshët e egra shpifësin”. Dhe këto simbole të ligësisë që lëvrijnë dhe sot në mjedisin shqiptar, Dritëroi i ka urryer gjatë gjithë veprimtarisë së tij. Gjatë gjithë jetës së tij, ai është munduar që helmin e thumbimit të ndonjë “arrëze” pickuese të sistemit, ta shëroj me ëmbëlsinë e mjaltit që ka prodhuar karakteri i vet brilant, në të gjitha pozicionet e larta shtetërore dhe shoqërore që ka kaluar. Dihet dhe është nder që Dritëroi ka qenë një personazh i rëndësishëm në të dy kohët, në monizëm dhe në demokraci. Njihet jo vetëm si një gazetar dhe shkrimtar i talentuar, por edhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe deputet në disa legjislatura në monizëm dhe në demokraci. Në të gjitha pozicionet që e ka vendosur jeta, me karakterin e tij liberal dhe social, në rastet me dilema të diskutueshme, ka ruajtur ekuilibrin mes palëve, duke krijuar një klimë sa më të shëndetshme, për individ dhe kolektivin e institucionit që ka drejtuar. Ky qëndrim, e ka bërë atë që të kujtohet nga bashkëpunëtorët e tij me dashuri e respekt, që ruhet në ndërgjegjen e të gjithë brezave dhe që do të ruhet edhe tani që s’jeton më. Altruizmi i tij nuk ka njohur kufijtë e nepotizmit, militantizmit, klientelizmit dhe krahinalizmit, por është gjendur për ata njerëz që ju privohesh një e drejtë, ose denigroheshin për motive politike. Dritëroi, ka qenë gjithmonë vetvetja, nuk ka qenë kurrë koniunktural. Në të gjitha situatat politike, ai ka qenë gjithmonë barometër i ekuilibrave midis forcave opozitare. Ishte ai që qetësonte situatën, edhe në ato raste kur ngrihej temperatura dhe pika e vlimit shkonte deri në shpërthimin e kapakut të “tenxheres” së Parlamentit. Ai, ka qenë kritik jo vetëm ndaj kundërshtarit politik, por edhe brenda familjes së vet politike, kur ka pasur përplasje për motive meskine apo interesa të ngushta primitive. Janë të shumta rastet, kur Dritëroi ka rregulluar klimën e acartë midis dy kampeve opozitare. Këtë situatë e kemi përjetuar nëpërmjet, medies kur ka pasur përplasje të panevojshme pozitë –opozitë. Edhe në momentet më nevralgjike për çështje madhore të vendit, siç ishte rasti i Ligjit 7501 për pronat, Dritëro Agolli, ka votuar kundër këtij ligji vrastar, që e mban Shqipërinë peng prej 26 vjetësh dhe që e ka zënë rob përjetësisht. Mjafton të sjellë në vëmendje të lexuesit një episod në Parlamentin Shqiptar, në dialogun e Dritëroit, me ish nën/kryetarin e Parlamentit Namik Dokle, përfaqësues i Partisë Socialiste. Kur e pa që Dritëroi votoi kundër këtij ligji, Namiku i tha: se ky veprim del jashtë programit të Partisë, për më tepër që ti je dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Po, ja priti plaku i mençur, “ ke të drejtë”, është e vërtet kjo që thua ti, po bjena socializmin se votoj unë pro, tashti po votojmë për kapitalizmin. Në sistemin që po ndërtojmë, nuk ka kuptim që tokën dhe pronën time që e kam trashëguar në breza, ta marrë tjetri që s’ka asnjë lidhje me të. Sigurisht, që ai ligj makabër, triumfoi se njerëzit e shpellave dhe kasolleve me kashtë që e kishin pushtuar “kështjellën” e parlamentit, ju shkonte për shtat, ai ligj vrastar. Kontributi dhe qëndrimi i Dritëro Agollit, ka qenë gjithmonë në poligonin e së vërtetës. Edhe në vitet e demokracisë, ai nuk zgjodhi rrugën e migrimit për të siguruar qetësinë personale, por qëndroi në llogoren e luftës për të vendosur rendin e ri demokratik. Pavarësisht infeksioneve të rënda që kanë prekur demokracinë në Shqipëri, fjala e Dritëroit, ka qenë ilaçi për të shëruar plagët e infeksionin që ka prodhuar politika në këto 26 vjet.
Dritëro Agolli, për kontributin e tij të shquar mban tituj e medalje të shumta,që nga më i larti “Nderi i Kombit”.
Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë Dritëroi,ka vlerësuar lartë mësimet që ka marrë në shkollën e mesme në Gjirokastër duke u njohur me traditat dhe zakonet e Labërisë dhe siç është shprehur ai, se po të mos kisha qenë në Labëri, s’do isha ky shkrimtar që jam sot. Këtë konsideratë për trevën e Labërisë, Shoqata kulturore Atdhetare Labëria ”Nderi i Kombit”, ja ka shpërblyer duke e vlerësuar me Titullin “Mirënjohje e Labërisë” ,titull ky, më i larti që ajo jep për njerëz të shquar, që kanë afeksion e kontribut për Labërinë dhe që kanë marrë pjesë në veprimtaritë e saj.
Dritëroi i madh, mbetet si një shëmbull i veçantë në sjelljen e tij ndaj të rinjve, që tregonte një vëmendje, përkushtim dhe dashuri pa kufi, vetëm e vetëm ti ndihmonte pa kufizime e preferenca, për të çarë në labirintet e krijimtarisë.
Kam shumë kujtime personale nga mëndja dhe dora e Dritëroit, që i ruaj si relike të çmuara. Në bibliotekën time, kam shumë libra të dhuruara me autografin e tij. Në një rast, që Dritëroi ishte për vizitë së bashku me Saden në shtëpinë time, pa në raftet e bibliotekës edhe poezitë e Robër Bërnsit, që i kishte përkthyer vetë. E di ç’më ka ndodhur më tha ai, unë s’kam asnjë kopje të këtij libri se mi kanë marrë pa më pyetur. I thashë se më duket kam dy kopje( mbasi unë kisha një zakon që librat që më pëlqenin shumë blija nga dy kopje). Kështu ndodhi, e gjeta kopjen e dytë, dhe ja çova në shtëpi. S’vonoi shumë dhe një ditë prej ditëve, më merr në telefon dhe më thotë: “ Ago, hajde në shtëpi tek unë se ka pjellë Bërnsi”. Ai kishte përkthyer edhe shumë poezi të tjera dhe kishte botuar një vëllim tepër voluminoz që ma dhuroi si gjithmonë me autografin e tij. Thjeshtësia e këtij lideri të letrave Shqipe, shkon edhe më tej. Ai nuk ka përtuar të inkurajoi krijuesit e rinj, qoftë edhe fëmijë. Këtë fat e ka pasur edhe vajza ime, Isida, që në librin e saj të parë “Dallgët e shpirtit”, i ka shkruar këto rreshta: “Isidës, i uroj udhë të mbarë në rrugën e poezisë, që është një rrugë e gjatë pa asfalt, me gurë që të vrasin këmbët dhe gjemba që të shpojnë e të çjerrin, por është shumë e bukur, pasi duke udhëtuar do arrish në lëndinën e luleshqerrave, manushaqeve dhe trëndafilave, atje ku fryn një erë e mirë”.
Udhë të mbarë ! Dritëro Agolli ( firma).
Këtë altruizëm e madhështi, që shkrihet në thjeshtësi, te rrallëkush mund ta gjesh. Me mençurinë dhe qetësinë që e karakterizonte, ai dinte të zbriste në tapetin e psikologjisë së fëmijës, që me urimin e tij, e inkurajonte, këshillonte dhe rriste besimin te krijuesit e rinj. Këtë gatishmëri, e kam përjetuar vetë në fillimet e mia letrare, ku vëllimin e parë me poezi “Lot në sytë e detit “ botuar në vitin 1999, kam fatin që recensën dhe parathënien e ka shkruar i madhi Dritëro Agolli.
Dritëroi, ngrysi një pleqëri të bardhë e të begatë, duke pasur në vatrën familjare të shëndetshme,në krah Sadien, i rrethuar nga fëmijët vajza Elona dhe djali Artani, si dhe nipër e mbesa, si Ana dhe Lueli, që i gjen të vendosur si gurë xhevahiri në poezitë e gjyshit të vet. Ata i falnin gjyshit frymëzim e gëzim dhe ai u jepte atyre përkëdheli, lumturi e krenari, që do ti kenë si hajmali gjatë gjithë jetës së tyre.
Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë. Jeta dhe vepra e Dritëro Agollit, do të ndriçojë e frymëzoi breza të tërë në rrugën e tyre të jetës.
Lamtumirë i Madhi Dritëro Agolli, u prefshë në paqe përjetësisht.