Botimi i librit të gazetarit dhe botuesit Nikoll Lesi, “Kështjella e Medias” është pasqyruar nga mediat kryesore në vend. Televizionet Ora News, TVSH si dhe media të tjera shkruajnë për rëndësinë e librit, jo vetëm si historiku i medias së parë të pavarur në vend, gazetës “Koha jone”, por edhe si historia e gazetarisë shqiptare të pas viteve ’90. Dhe jo vetëm, por edhe të medias se pas viteve 2000.
Libri ka foto, dokumenta, faksimile, ngjarje, përjetime, debate, përplasje me pushtetet, etj të pa treguara deri tani.
Më poshtë mund të ndiqni disa nga kronikat që flasin për publikimin e këtij libri:
ORA NEWS: “Kështjella e Medias”, Nikoll Lesi boton librin në 25-vjetorin e “Koha Jonë”
(kliko Watch on YouTube dhe fillon kronika)
Të lexosh historinë e gazetës “Koha Jonë” është si përshkosh me detaje, fakte e dëshmi historinë e Shqipërisë së jetuar e rrëfyer nga njerëzit që me punën e tyre ndërtuan atë që Nikoll Lesi e quan në librin kujtime të tij “Kështjella e medias”.
Shumica e gazetarëve të viteve ‘90 apo 2000 e kanë pasur në mënyrë të pashmangshme një pikëtakim me gazetën “Koha Jonë”, e nëse do të shfletojnë faqet e këtij libri, do ta gjejnë veten në të, sipas këndvështrimit të autorit Nikoll Lesi, i cili rreket të tregojë veçse fakte.
“Ishte kohë kur bëhej gazetari”, vëren autori Nikoll Lesi në libër, duke vijuar se Koha jonë, në kohën kur Ben Blushi ishte kryeredaktor, arriti deri në 88 mijë kopje të shitura në ditë.
Një hapësirë të veçantë në këtë botim, Lesi i ka kushtuar jo vetëm ditëve të arta të gazetës, por edhe ato më delikatet, në kufijtë e mbijetesës.
Viti i Mbrapshtë ’97, është një kapitull i tërë ku pazgjidhshmërisht, historiku i gazetës “Koha Jonë”, lidhet me firmat piramidale, trazirat me bilancin e një lufte.
SHIK-u filloi ti bënte vizita të përditshme kërcënuese dhe paralajmëruese Nikoll Lesit dhe bashkëpunëtorëve të tij pas titujve si: “Tirania shtyp Tiranën”, “Dajak në vend të fajdeve”, Arrestohet Sudja”, “Mbyllet “Populli” dhe “Xhaferri”, e shoqëruar me një nëntitull ” Vlora në rrugë kundër Qeverisë”.
Nikollë Lesi: “Gazeta shitet menjëherë. Frrok Çupi, po atë ditë, boton një perlë me titull “Berisha ra, kush do të ngrihet ?!” Artikulli i Frrokut, na treguan korrespodentët , ishte blerë i fotokopjuar, se nuk gjendeshin më kopje në treg”.
Sulmi i qeverisë së atëhershme në grahmat e fundit kulmoi me arrestimin e tij e të gazetarëve si dhe me djegien e redaksisë. Ja çfarë shkruan Lesi:
“Në 26 shkurt ndodhi shpërthimi i një bombe tek Feva. Nisëm fotoreporterin Genc Shkullaku për ta pasqyruar. Por atë që ndodhi atë natë nuk do ta harroj as unë dhe as kolegët që punoja”.
Në librin “Kështjella e Medias” ka edhe shumë momente të tjera, foto të rralla si dhe artikujt më të spikatur të gazetarëve të atëhershëm.
Nikollë Lesi: “Shkova me Emin Barçin tek zyrat e gazetës. Ç’të shikoje! Zyrat e gazetës ishin djegur totalisht. Nga dritaret dilte ende tym. Flaka digjte ende ndonjë tavolinë gazetarësh, pajisje, dyer dhe objektet e tjera. Kompjuterat e gazetës ishin shkrumbuar. Nëpër korridoret e redaksisë së gazetës vinte erë e thartë tymi. Muret e hyrjes ishin qëlluar me armë. Nuk e di se çfarë lënde ishte lëshuar për t’i djegur, por ekspertët e policisë thanë më vonë se ishte përdorur edhe flakëhedhësja.”
Teksa e lexon arrin të kuptosh se nuk ka gazetari pa guxim, pasion e dashuri….(Oranews)
TVSH: Nikoll Lesi sjell botimin e dytë
Botuesi dhe gazetari Nikoll Lesi sjell për herë të parë historinë e gazetës së parë të pavarur shqiptare, “Koha Jonë”.
Libri është një rrëfim përmes kujtimeve dhe fotove të patreguara më parë për gazetën e parë shqiptare jopartiake të pas viteve ’90. Autori thotë se libri i tij është një rrëfim për median dhe përballjen e saj me tranzicionin e vështirë shqiptar.(TVSH)
(kliko Watch on YouTube dhe fillon kronika)