Zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni – publicistit Gjergj Marku: Kjo është një nga ditët me të veçanta që kam përjetuar në këtë institucion”
Albina Gjergji
Është promovuar ditën e djeshme në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës libri, “Ansambli Mirdita – Mjeshtër i Madh” i autorit Gjergj Marku. I konceptuar ndryshe dhe larg klisheve që zakonisht hasim nëpër evente të ngjashme, që në hyrje të Ministrisë së Kulturës mund të ndjeje aromën e një feste familjare dhe atmosferë të ndezur.
Dashamirës të autorit që kishin udhëtuar me kilometra për të qenë pjesë e e kësaj ngjarjeje, kostumografia e veçantë e zonës së Mirditës, tingujt dhe instrumentet unikalë, si dhe zërat brilantë të rapsodëve që harmonizoheshin me njëri-tjetrin krejt natyrshëm, ishin vetëm disa nga detajet që të binin menjëherë në sy në korridoret e institucionit kulturor.
Në promovimin e këtij libri, për të cilin faqja e Ministrisë së Kulturës me të drejtë vlerëson që, “përmbledh një dekadë histori kulture të përcjellë brez pas brezi nga më të moshuarit deri tek çikat e bjeshkëve”, morën pjesë emra të njohur të fushës së letrave, medias, politikës e më gjerë.
“Ansambli “Mirdita” na solli sot aromë bjeshke e gurgullime lumi në ambientet e Ministrisë së Kulturës, me zërat e pastër burimorë, me tingujt e çiftelisë, kërcimet dhe hiret e vajzave si shtojzovalle që duket sikur vijnë nga legjendat. Mirënjohje për punën e palodhur të autorit Gjergj Marku në ruajtjen e trashëgimisë jomateriale dhe një falenderim për të rinjtë e Mirditës që vazhdojnë të ruajnë rrënjët e të parëve”, shkruhet në faqen zyrtare të MK.
Ndërsa zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni, do ta quante ditën e djeshme si një nga më të veçantat dhe surprizueset që ka përjetuar në këtë ministri deri më sot.
Në fjalën e tij, mbajtur pikërisht në sallën “Tefta Tashko Koço”, z. Çuni do ta vlerësonte maksimalisht autorin jo vetëm për monografinë, “Ansambli Mirdita – Mjeshtër i Madh”, por në përgjithësi për kontributin që publicisti Gjergj Marku ka dhënë ndër vite edhe si drejtor i Pallatit të Kulturës – Rrëshen. E me të drejtë, pasi gazetari, publicisti, moderatori, rrëfimtari Marku konfirmohet me krenari nga gjithë mirditorët e pranishëm që është një nga zërat më të fuqishëm e pasionantë në pasqyrimin e vlerave dhe traditave të gjithë krahinës së bukur të Mirditës.
“Ansambli Mirdita – Mjeshtër i Madh” i autorit Gjergj Marku, pa frikë mund të cilësohet si një libër me vlera të rralla kulturore, i cili afron lexuesin me traditën e bukur të Mirditës, por që njëkohësisht mund të shërbejë edhe si manual për brezat e rinj, të cilët (duke u rritur dhe shkolluar jashtë vendit) mund t’i ndihmojë ata që të njihen më në detaje me vlerat e Ansamblit Mirdita e jo vetëm…
Nën moderimin e Arlinda Kondit, (përgjegjëse sektori në Ministrinë e Kulturës), pas fjalimeve dhe duartrokitjeve të shumta që iu adresuan autorit, aktiviteti është pasuar më vonë me një festë tjetër interesante, në të cilën mbizotëronin tinguj, këngë, hare dhe valle mirditore.
Aktivitetin e përshendeti edhe ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, e cila priti në zyrën e saj gazetarin Marku dhe një nga bukuroshet e Mirditës, zbukuruar me veshjen tradicionale të zonës.