“Hakmarrja më e mirë është suksesi”. Shkrimtarja Lumturi Plaku, betejën e saj e ka fituar duke mposhtur të keqen dhe sot nga duart e saja janë shkruar libra me poezi e proza. Lume, siç e thërrasin ka lindur në 28 nëntor të 1949 në Konispol, edhe pse gjimnazin e përgjithshëm e ka mbaruar në qytetin e Kavajës. Prej vitit 1991 jeton në shtetin fqinj, në Itali, ku në vitin 2005 është diplomuar si Mediatore Interkulturale. Që fëmijë jeta do ta përballte me vuajtje dhe sakrifica, humbja e të atit e bëri atë më të fortë dhe me dëshirë për ta jetuar jetën siç edhe ai do ta dëshironte. “Arritjet e mëdha kërkojnë ambicie të mëdha”, e që Lumes nuk i ka munguar asnjëherë. Forca e brendshme gjithmonë e ka trazuar për të shkruar sepse poezia është si një oksigjen për të. Babait të saj Beqo Plaku, ajo i ka dedikuar edhe librin e karrierës, “Kronikë e Dënimit me Vdekje”. Në plane ka që të botojë mbi 100 poezi në gjuhën shqipe e paralel me të gjitha, po shkruan një roman me një temë shumë interesante, ku shtjellohen ngjarje të trajtimeve të ndryshme. Në këtë intervistë ajo rrëfen gjithçka, për familjen, veprat e saja, poezitë që i dashuron aq shumë dhe për planet që ka për të ardhmen e saj për botime të reja.
Intervistoi: Redjon Shtylla
Fëmijëria juaj ka qenë e mbushur me ngjarje të rëndësishme, na flisni pak për atë periudhe të jetës suaj, çfarë kujtoni, ku e keni kaluar, dhe si jeni ndjerë në atë moshë?
E keni thënë shumë mirë; “Një fëmijëri me ngjarje të rëndësishme”, ose mund të them: Një fëmijëri, që filloi me përkëdheljet e përkujdesjet, që i kushtohen gjithë fëmijëve, duke u ndjerë si një princeshë në sigurinë e ngrohtësinë e strehës së familjes time, një familje e qetë dhe e lumtur. Gjithë ditën vrapoja e lumtur si një flutur nëpër livadhet rreth e qark shtëpisë time, duke vallëzuar e kënduar si zog dallandyshje në cicërim, e lëshuar në përkundjen e ëndrrave të së ardhmes, por…. Në 3 korrik të vitit 1960, kur unë isha 10 vjeç, në familjen tonë ndodhi ajo, që përmbysi gjithçka. Më arrestuan babain. Arrestimi i babait ishte si një bombë, që tronditi stabilitetin e jetës sonë. Fatkeqësisht do jetonim jetën e një familje të deklasuar e unë do isha bija e një të pushkatuari. Vështirësitë e kësaj jete i kupton vetëm, kush i ka kaluar vetë. U vra babai, na morën gjithë ç’kishim e me vështirësi do fillonim çdo gjë nga zero. Mbi fëmijërinë time, si një mal, ranë pesha të mëdha, që duheshin përballuar fizikisht e shpirtërisht. Çdo mbarësi e familjes sonë u zhduk si kripa në ujë. Gjithçka ndryshoi rrënjësisht. Asaj dallandyshes së vogël, ju prenë krahët e s’mundte të fluturonte. Ju pre fjala, e cicërimës ju zu fryma. Vendin e lodrave e zunë problemet, hallet, vështirësitë e duhej të rritesha para kohe. Mundohem të shpjegoj me pak fjalë, mbase duhen faqe të tëra, ose më mirë, volume për të numëruar ç’kam kaluar.
A ka pasur ngjarje që kanë ngelur në kujtesën tuaj të cilat vazhdojnë edhe sot të ndikojnë dhe t’ju bëjnë atë që jeni? Heroi juaj në këtë jetë, idhulli juaj i cili ka qenë frymëzimi juaj?
Kujtesa ime është e mbushur me shumë ngjarje, të gjitha shumë të rëndësishme e çdo njëra prej tyre ka lënë shenjën e saj. Nuk di nga t’ia nis, më parë të thashë që asaj dallandyshes iu prenë krahët e nuk mundte të fluturonte. Pranë kishim nënën, një grua të zgjuar, që nëpërmjet këshillave dhe porosive, na transmetonte forcën e saj. Esenca e qëllimi i punës së saj edukuese ishte që me të vërtetë nuk mundnim të fluturonim, por edhe nëse prej pengesave të ndryshme mund të rrëzoheshim, duhej që me thonj e dhëmbë, me mish e shpirt, të ringreheshim përsëri e asnjëherë të zvarritur në tokë. Brenda nesh kultivohej e rritej krenaria e dinjiteti, këmbëngulja për të ecur përpara. Duhej të ishim të ndershëm në çdo gjë, për të ecur kokë lartë. Kurrë nuk duhej të derdhnim pikën e lotit, para atyre, që provokonin, apo gëzonin të na shikonin duke qarë. Të kafshonim buzën, apo gjuhën të dhembte fortë e që dhimbja të thante lotët. Të dinim të dëgjonim më të diturit e të madhin, sepse kështu do mësonim më shumë. Dija ishte udhëheqja jonë në çdo moment. Vështirësitë, që ndeshëm në rrugët e jetës, na munduan shumë, por edhe na përgatitën të përballojmë çdo vështirësi me forcë e dinjitet, në çdo rrethanë, që kemi qenë. Falë nënës, vëllait dhe dy motrave më të mëdha, që më drejtonin e i kisha pranë në çdo çast, jam kjo që sot jam. Sa herë e them me vete; “Kam qenë me fat për familjarët e mi, që u munduan të mbushin boshllëkun e madh krijuar prej mungesës së të shtrenjtit BABA”.
Është e qartë që duhet të keni pasur një rrugëtim të gjatë në botën akademike, çfarë kujtoni dhe si ka ndikuar ky formim në stilin tuaj të të shkruarit? Poezia juaj e parë, ose poezia që ju ka stimuluar për të vazhduar rrugën e gjatë si shkrimtare?
Më pëlqenin librat, lexoja shumë, e përjetoja ato që lexoja. Sa herë imagjinoja veten time në rolin e heroinave të librave, dëshiroja të shkruaja e në mendjen time fërfëllinin fantazi të panumërta për ngjarjet të ndryshme e po ashtu edhe për personazhet. Por, ahhhh! Më vjen keq sepse kur i bëj një analizë vetes time, mund të them me garanci që unë kisha lindur e mbuluar me art. Që fëmijë këndoja shumë bukur, por me ato, që ndodhën zëri im u mbyt në grykë. Në jetë shpesh, me forcën time të jashtëzakonshme shpirtërore, zëvendësoja të qarat me këngë. Kisha shumë pasion e talent për të recituar e mund të them se do isha më shumë një këngëtare, apo aktore, më e realizuar se një shkrimtare, apo poete. Përbrenda meje ishte një vullkan mendimesh, idesh, frymëzimesh, por kur mund të arrija në lartësitë më të mëdha, kur isha e re, nuk mund të shkruaja. Mu mykën fjalët në gojë. Një poet nuk mund të shkruaj pa shpirt e shpirti im ishte i mbushur me urrejtje, me protestë. Shkrime të tilla do bëheshin zjarr ferri, të më përvëlonin e për këtë, shumë shkrime ngelën pa shkruar. Shpesh dufin e vullkanin, që ziente në krahëror e zbrazja duke kënduar nëpër dhëmbë poezitë e mia.
Cili ka qenë frymëzimi i parë që ju bëri të kapni lapsin dhe letrën për të shkruar duke vënë kështu gurin e parë kilometrik tuajin në botën e artit, poezisë?
Unë shkruaja vazhdimisht strofa, fraza, përkufizime thënie në mënyrën time, por të gjitha ngeleshin në copa letre. Kisha shkruar disa poezi lirike, por e ndrojtur i mbaja mënjanë, sepse në ato kohë, po mos të ishe poete e konfirmuar, opinioni dënonte një femër, që shkruante poezi të tilla. Kur ika në Itali, më vodhën shtëpinë e kushedi në ç’plehra përfunduan poezitë e shkreta. Muza më trokiste vazhdimisht; ditën, natën, në trishtim, në gëzime, e sidomos kur shtrihesha për të fjetur. Kur u ndjeva e lirë larg persekutimit, vullkani mbushur argumente, që ziente në kraharorin tim, shpërtheu menjëherë duke qëndisur faqe me radhë me poezi, që ndiqnin njëra tjetrën. Shkronjat e poezive të librit të parë, derdhin lotë, vuajnë, rënkojnë, tamam ashtu si shpirti im në mallin e mundimet e emigrimit. Ngushëllimi i vetëm, fëmijët e mi më ngjallnin e më bënin të shkruaja ndryshe, më në alegri.
Çfarë ju lidh ju me poezinë, pse e dashuroni kaq shumë?
Poezinë e dashuroj se edhe poezia më dashuron mua shumë. Shkronjat janë mikeshat më të bindura; i shkruaj, i shuaj, qesh, qaj me to e ato nuk ndihen. Janë poezitë që dinë të më paraqesin gjendjen time shpirtërore kur jam e lumtur, e trishtuar, e revoltuar, e dashuruar e unë mbasi i shkruaj, me to qesh e luaj. Krijimtaria artistike është krijimi im është diçka shumë e shtrenjtë, personale.
Cilët kanë qenë personat që ju kanë dhënë kritikat e para, pëlqimet, si edhe ata që ju kanë mbështetur më shumë që ju ta vazhdonit pasionin për shkrimin?
Kisha shkruar rreth 100 poezi e vendosa ti botoja. Nuk e dija se si funksiononte botimi e mbasi pyeta, rastësisht u takova në Durrës me poetin nacional Agim Bajramin. Ai hapte faqet njëra mbas tjetrës e vura re që ishte shumë i interesuar. Ndaloi leximin e më thotë prerë: ”Ke shkruar shumë bukur, ti je poete!” Unë e shikova me mosbesim, sepse nuk e kisha quajtur asnjëherë veten poete dhe duke buzëqeshur i them: ”Atëherë e meritoj ti botoj? Dëshiroj të kem një librin tim, meqë nuk shkrova sa isha më e re”. Ai më preu fjalën e më thotë: ”Një libër? Jo, duhet të shkruash e të shkruash e të shkruash…Je talent”. Unë qesha, mora stilolapsin e shkrova. Një ditë u ndesha si rastësisht me një Agim, në perëndim, që si tingull zilje që më bëri zgjimin; “Përmëndu”, më tha, “s’është perëndim, ti je në agim. Hape dritaren, thirr muzën tënde, ëmbël në vesh të të pëshpërisë, Mos e braktis, lëre mënjanë muzgun, thur poezi”.
Vlerësimet dhe opinionet pozitive për artistët janë motivuese, edhe pse janë një letër me një titull që mund të mos thojë asgjë përpara krijimit, qoftë ajo një vepër e arrirë por edhe jo shumë e pëlqyeshme, por ju si jeni gjendur në këtë trysni, a keni ndjerë ndonjëherë mosbesim ndaj vetes?
Në heshtje qeshja me mosbesim, e një shkëndi ndizet përbrënda si një magji, kthehem e them”; ik perëndim, se këmbët e mia drejt teje s’vin, me poezitë, jam në agim”. Për shkrimet e mia, janë dhënë opinione dhe vlerësime në masë e në promovimet e librave të mia në Shqipëri e Itali, por kritika, jo. Ndoshta sepse jam larg atdheut, për fat të keq nuk marr pjesë nëpër konkurse të ndryshme e si pasojë mungojnë edhe kritikat. Në Kosovë jam nderuar me dy certifikata nderi; si Shkrimtare, Poete, Intelektuale, që punon në vend të huaj, kurse në qytetin e lindjes, Konispolin më nderuan me certifikatën “Qytetare Nderi”.
Cilat ishin vështirësitë me të cilat u përballët për krijimin e librit tuaj të parë? A ishin këto me tepër sfida të karakterit profesional, çështje ekonomike apo duel me vetveten?
Të them të drejtën nuk pata as vështirësi të sfidave profesionale, as ekonomike e as atë të duelit me vetveten. Kjo e fundit, sepse shkrimet i kisha si dëfrim, si lodra. Çdo poezi, që shkruaja për mua ishte si një fëmijë i imi e kënaqesha me to. Në fillim, të shkruarin, nuk e bëja si profesion, por si një reagim kundrejt diçkaje, që më provokonte, ishte si një dialog me vetveten. Sigurisht kam qenë gjithmonë kritike e asnjëherë nuk kënaqesha me veten time.
Arritja më e madhe që kurorëzon punën për të treguar unin poetik, mesazhin tuaj ndaj shoqërisë dhe qëllimin e veprës suaj në tërësi?
E shkruara është një shoqëri shumë e bukur, që nuk mund të ndahesh më. Kush ka pasionin e të shkruarit e bën atë tamam si lodër, si ëndërr, sikur hedh valle. E kështu njëra mbas tjetrës rreshtova tre libra me poezi, “BRIGJET E MIA”, “SYRI I BOTES TIME”, “UNE JAM SHKRONJAT”, një libër në prozë, “FLORIRI NE FJALE”, një tjetër dy gjuhësh italisht-shqip (poezi e prozë), “VALORI COME ORO- VLERE FLORI” e të gjashtin libër, romanin autobiografik familjar “KRONIKË E DËNIMIT ME VDEKJE”. Një projekt për emigrimin italisht “NJË UDHETIM I VOGËL NË BOTËN E MADHE TË EMIGRACIONIT”, Një broshurë me mjekimet popullore shqiptare, italisht “LE RRICCHEZE DELLA NATURA” –“PASURITE E NATYRES”. Gjatë viteve më plaste zemra e mendja prej kujtimeve të babait tim, renditur njëri mbas tjetrit, që i mbaja me fanatizëm të madh. Edhe më dhimbte zemra, por edhe i doja shumë e doja ti shkruaja patjetër. Kjo nuk ishte vetëm një dëshirë për mua, por një detyrë e madhe e që doja ta realizoja. O Zot, kur e përfundova librin e doli në qarkullim, mu duk se ringjalla babain, mu duk se preka qiellin me dorë, u ndjeva shumë e realizuar.
Keni përmendur në një vepër tuajën (Kronikë e një dënimi me vdekje) si dedikim babin tuaj. A ka zënë ai një pjesë të rëndësishme të identitetit tuaj le te themi? Çfarë përfaqëson për ju figura e babait dhe çfarë mesazhi do të donit ti jepni çdo babai në lidhje me marrëdhëniet fëmijë-prind?
Sigurisht që figura e babait, ka influencuar shumë në identitetit tim. Mungesën e babait e kam ndjerë shumë edhe pse nuk e shprehja. E ruaja në shpirt si gjënë më të shtrenjtë në ato pak kujtime, që kisha prej tij. Ai ishte burri më i bukur, më i mirë, më i mençur, më fisniku në botë . Në momente të veçanta , të rëndësishme të jetës time, mendimi më çonte tek ai e me vete thoja” sikur të ishte dhe babai!”. Babai në familje ka një rol të madh, ashtu si dhe vet përgjegjësia e tij e madhe. Një baba i mirë i jep nënës autoritetin dhe respektin në familje, është prezent gjithmonë pranë fëmijëve, duke dhënë shembullin e tij me “të bëra e jo me të thëna”. Prindi është pasqyra direkte e fëmijëve e rezultati shihet, kur fëmija bëhet pasqyra e prindit. Prezenca e tij i jep fëmijës forcë, energji, kurajo. Me të pranë , rrafshohen male të larta, kalohen lumenj, përballohen pengesat . Babai është streha, siguria, krahu i fortë i fëmijëve dhe e gjithë familjes.
Sa ndikon familja te ju, ndikim ky që mund të pasqyrohet edhe në punën e përditshme si shkrimtare?
Familja është gjëja më e shenjtë për mua. Ishte kur isha bijë, motër, grua, kur u bëra nënë e tani, që jam gjyshe. Para se të jemi profesionistë, jemi njerëz, që kemi lidhjet e forta shpirtërore familjare. S’ka si të ndahet jeta e përditshme, sentimentet, ndjenjat më të bukura dhe të sinqerta , me shkrimet. Mendoj që shkrimet, që kanë lidhje me sentimentet familjare janë më të realizuarat, sepse atje shkruan shpirti e çdo gjë e dalë prej shpirtit është një krijim i plotë. Ndjehem e kënaqur sepse në prezenten, fëmijët e mi janë të rritur, indipendentë, që e luftojnë jetën me forcat e tyre e mua më kanë lënë të lirë e të qetë, në botën e shkrimeve e fantazive të mia.
A kryeni aktivitete të tjera të karakterit artistik-kulturor, a jeni pjesë aktive e forume të ndryshme?
Unë jam diplomuar këtu në Itali si MEDIATRICE INTERKULTURALE. Kjo më ka dhënë mundësinë të prezantoj me dashuri në vend të huaj, kulturën e vendit tim nëpër shkolla të ndryshme. Kam pasur një jetë shumë aktive në vendin ku jetoj. Kam punuar e ndihmuar shumë botën e emigrantëve e për këtë jam vlerësuar prej bashkisë së qytetit me një çmim të titulluar “Grua e pa kursyer për të ndihmuar pjesën më debule të shoqërisë”. Një periudhë kam prezantuar në një Tv lokal rubrikën “KOSTUME, TRADICIONE E KULTURA”, ku përveç intervistave të ndryshme, kam pasur mundësinë të njihja qytetarët italianë me traditat valle, këngë e pjesë prej kulturës tonë. Doja të nxirrja në dritë vlerat e popullit tonë, që kemi shumë. Bëj pjesë në sindikata italiane e emigrante e krijoj takime ndryshme, ku referoj për emigrimin e për vendin tonë , duke u munduar ti ngrejë dinjitetin e rëndësinë popullit tim. Me librin dy gjuhësh kam bërë disa promovime e jam nderuar duke u shkruar për mua në gazetat lokale. Muajin e kaluar në Brescia kemi themeluar sindikatën e intelektualëve shqiptar në Itali, ku u mblodhëm artist, shkrimtar e poet nga disa vende të Italisë.
Çfarë do të dëshironit të ndryshoni te njerëzit që ju rrethojnë, po tek shoqëria ku bëni pjesë, tek media dhe tek raporti lexues-libra?
Më bën përshtypje një diçka shumë e rëndësishme. Në botën e jashtme puna intelektuale vlerësohet shumë, ndërsa në Shqipëri, intelektuali punon me pasion, me sakrifica e çan vetëm, pa asnjë ndihmë, apo vlerësim. Në botën e jashtme, intelektuali është i kërkuar prej mediave e të paguajnë për të të prezantuar, ndërsa në Shqipëri është e kundërta. Një e keqe e madhe që ndihet në masë e kudo është se tani lexohet shumë pak, një indiferentizëm total. Më vjen keq, kjo është varfëri mendore.
Planet tuaja për të ardhmen dhe a e keni botuar librin e dëshiruar apo vazhdon dhe qëndron në fund të sirtarit dhe pret mundësinë për të dalë?
E shkruara bën pjesë në çdo moment të jetës time e faqet pa u kuptuar mbushen njëra mbas tjetrës. Librin e dëshiruar, siç ju thash, për Babain, e shkrova, por sirtari im është sa një magazinë. Lutem Zotit të më lej mirë me shëndet e të dashuruar me muzën time. Po eci paralel duke përkthyer në italisht romanin “Kronikë e një dënimi me vdekje” dhe përkthimi e ka një qëllim të madh. Kam gati rreth 60 poezi e disa tregime në italisht, që dëshiroj ti botoj. Kam gati mbi 100 poezi në gjuhën shqipe e paralel me të gjitha, po shkruaj një roman me një temë shumë interesante, ku shtjellohen ngjarje të trajtimeve të ndryshme.
*Intervista është botuar në gazetën “Tirana Observer”, në vitin 2015, autorësi e Redjon Shtyllës.