Brenda mureve të saj mban një peshë të madhe të historisë së Shkodres, mes të cilës edhe atë të një banese karakteristike, që këtij qyteti vitet e errëta ja shuan njera pas tjetrës.
E pozicionuar në krah të katedrales së “Shën Shtjefnit”, godina dykatëshe që vitet dhe koha ja kanë rënduar pozitat, njihet si shtëpia e Abatit ose selia e shoqërisë ‘Bashkimi’, falë së cilës kemi alfabetin e shqipes.
Sot ajo më shumë se kurrë ka nevojë për dorën e shtetit, që të mundësohet rikonstruksioni i saj, me qëllim që të ruhet jo vetëm historia, por edhe vlera shumëdimensionale që ajo ka.
Artur Jaku: Vërtet ajo është një perlë e jashtëzakonshme. Ka një arkitekturë fantastike që rrallë gjenden nëpër Shkodër, prandaj do kisha vlerësuar që strukturat shtetërore mos ta linin të degradohet.
Dom Artur Jaku, vëren se në 100-vjetorin e vdekjes së Abatit Prenk Doçi duhet sjellë në vëmendje shoqëria ‘Bashkimi’, e themeluar në Shkodër vetëm disa metra larg Katedrales.
Artur Jaku: Në fakt te kjo shtëpi kanë ndodhur dy ngjarje të rëndësishme. Ajo shtëpi ka shërbyer si seli për lëvizjen Bashkimi. Një tjetër ngjarje e rëndësishme është sepse nga ajo shtëpi ka lindur dhe alfabeti shqiptar.
Famullitari në intervistën e tij të fundit në këtë detyrë bën thirrje që pse jo, kjo shtëpi të kthehet në një Muze, për të pasuruar kolanën që rrethon Shkodrën e trashëgimisë e kulturës.
Artur Jaku: Risistemimi dhe rikthimi i këtij objekti në muze mes dokumenteve fotove dhe objekteve që ka përdorur Fishta etj mund të jetë një mundësi për vizitorët që të kuptojnë ngjarjet e rëndësishme që janë bërë në këtë shtëpi.
Si shtëpi e Abatit, ajo u bë edhe selia e shoqërisë së themeluar prej tij në janar 1899, në Shkodër, e pastaj veç emrit të tij te “Bashkimi”, dhanë ndihmesën e vet të çmuar edhe emra si At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, Atë Ambroz Marlaskaj, Nikollë Sheldija.
Studimet kanë dëshmuar se për t’u bërë pjesë e Shoqërisë, veç klerit qenë ftuar edhe laikë, të cilët nuk u aktivizuan për të mos krijuar dyshime në autoritetet e vendit.
Sot 100 vite nga vdekja e Abatit e 109 vite nga Kongresi i Manastirit, selia e ‘Bashkimit’ dergjet, strukur në qendër të Shkodrës, pa rënë në sy, e të gjithë duke heshtur si bashkëfajtorë!